• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TËRMETI NË SHQIPËRi – TËRMET NË ZEMRAT TONA

December 15, 2019 by dgreca

Shkruan: Prof.  Sami Repishti/

  “ Shkodër,/
Në degëz të mallit tand,/
Luhatet e varun zemra e ime….” /
                                                                 (Poeti në mergim: Anton Çefa)/

Ridgefield, CT- Sot, me të njajtën dhimbje e mall për atdhe, kujtojmë Nanën Shqipëri dhe katastrofën që e ka plagosë randë! Ngushëllimet tona për viktimët.
      Agjensitë e lajmeve shqiptare dhe nderkombëtare njoftojnë se me datën 26 nandor 2019, në territorin e Shqipërisë u ndigjue nji lëkundje e fortë si rezultat i nji termeti në shkallë 6.4 Richter, me epiqendër në qytetin-port të Durrësit dhe në veri të qytetit, zona e Thumanës, dhe qyteti Lezhë. Kjo fatkeqsi ngjau vetëm dy ditë para festimit të programuem për 107 vjetorin e Pavarësisë shtetnore të Shqipërisë. Termeti dhe tragjedia e randë njerëzore përmbysën këto programe dhe vemendja e popullisisë dhe e Qeverisë u përqendrue në marrjen e masave urgjente për ndihmë viktimave të damtueme. Shqipëria ka nevojë të madhe për ndihmë!
    Lajmet që erdhën nga Shqipëria treguen gjanësinë dhe intensitetin e termetit që shkakton, zakonisht, viktima njerëzore dhe dame materiale, kryesisht në banesët e vjetra ose të ndertueme pa plane dhe pa inspektim. Deri tashti, numri i viktimave të vdekun ka arrijtë shifrën 51 (pesëdhjetë e nji) dhe ma shumë se 950 të plagosun, disa prej tyne të plagosun randë. Në disa raste urgjente viktimët jenë transferue në spitale italiane, ku mjeksia e këtij vendi mik ka marrë përsipër detyrën humane të sherimit të tyne. Ndërsa për damet materiale vlerësohen të arrijnë në mijëra pallate dhe banesa private. Rreth 9.000 banorë kanë lëshue shtëpitë dhe kërkojnë strehim kudo që gjindet, pranë individëve ose nga Qeveria. Deri tashti, ata janë strehue në çadra (tenda) të përkohëshme, por me keqësimin e motit vjeshtak gjendja e tyne bahet e padurueshme dhe ka marrë karakter urgjence.
   Shtypi amerikan, dhe sidomos gazeta prestigjioze The New York Times ka shkrue tre ditë me rradhë për termetin dhe damet e tij. Nji rast i rrallë! Televizioni amerikan ka tregue skena të frikëshme të rrenimeve të pësueme.  
    NJi element inkurajues në këte atmosferë deshprimi të justikfikuem ashtë fakti se nji rrymë solidariteti të përgjithëshëm ka lindë dhe ashtë zhvillue në këto ditë zije kombëtare. Mbrenda dhe jashtë Shqipërisë nji popull i tanë ashtë prekë thellë nga përpjestimet e termetit dhe ka fillue fushatën e ndihmës.  “Shqiptaret nga Tirana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Prishtina në Europë, nga Tetova, Ulqini, Lugina e Preshevës kontribuan në fondet e solidaritetit. Me dhembje të papërshkruar për jetët e humbura, për shkatërrimin apokaliptik në disa zona, kërkoi që të bashkoheni në këte udhëtim të dhimbshëm….” deklaronte KM Rama në konferencën e investitorëve në Turqi. Nji element tjetër ky inkurajues – fryma e solidaritetit nga bota e jashtëme, ndihma nga vende, shoqëni e grupe që kanë bashkënda dhimbjen me fatin e viktimave. Këto kohët e fundit edhe Banka Botënore premtoi nji ndihmë financiare serioze për rindertimin e zonave të damtueme.
     Ashtë nji fenomen i mirëpritun gjesti i fqinjëve tonë italianë, grekë dhe serbë që ofruen ndihmën e tyne që në ditën e parë të katastrofës. Nji qendrim i këtill mendohet se do të jetë nji ogur i mirë për të ardhmen e vendeve tona dhe të marrëdhanjeve ma miqësore në këte zonë të Ballkanit perëndimor. Edhe shtete tjera europiane si dhe disa vende të Lindjes së Afërme kane ofrue ndihmë. Nga ky qendrim solidar lindë edhe shpresa se përkrahja e tyne nuk do të vonohet.
     Nga SHBA, aleatja historikisht strategjike e Shqipërisë, “Zëri i Amerikës” në emisionin e 28 nandorit lajmëron se :” Sot, ashtu si në kohët tjera të vështira, SHBA ashtë në krah të Shqipërisë”. Departmenti i Shtetit Amerikan deklaroi se :” Sot, ne lutemi për familjet e viktimave, si dhe për ata që janë lënduar. Në emër të popullit amerikan, urojmë të gjithë atyre që janë prekur sherim të shpejtë. Shtetet e Bashkuara janë për krah miqëve tonë në Shqipëri….Miqësia SHBA-Shqipëri ekziston si një shtyllë e qendrueshme paqe dhe stabiliteti, dhe ne shpresojmë për shumë vite  tjera miqësie dhe bashkëpunimi, “ përfundon deklarata.
     Gazeta The New York Times e datës 29 nandor, në nji shkrim dedikue termetit në Shqipëri që zen ma shumë se dy të tretat e faqes A8 tregon se punohet intensivisht me shpëtue jetët e viktimave të mbetuna nen rrenojat, megjithëse toka pëson akoma dridhje që frikësojnë. Nji lëkundje ma e fortë se zakonisht, shkalla 5.1 Richter, detyroi pushimin e punës, ndërsa rrugët e qytetit të Durrësit u mbushën me popullsi që lëshojshin banesat nga frika. Shumë ndërtesa u ngritën pa kujdes dhe pa rregull gjatë periudhës së nji tranzicioni të ashpër dhe shpesh herë jo-ligjor, në demokraci që nga viti 1990. Qyteti ka pamjen e rrenimeve mbas nji beteje”.
    Tashti, Qeveria po kujdeset me sigurue strehim të përkohëshëm për viktimët. Personeli teknik i kontrollit të gjendjes së ndertimeve mungon, dhe Qeveria kerkon ndihmë nga bota e jashtëme. Shumë vende europiane, si dhe organet e Bashkimit Europian kanë ofrue ndihmë. “E gjithë kjo, shkruen gazeta e masipërme, ngjet në nji nga vendet ma të vorfëna të Europës, nji vend ku korrupsioni dhe krimi i organizuem mbetet nji problem endemik, dhe termeti vjen në një moment politik të lëkundshëm.” Ashtë fjala për protestat e “opozitës demokratike” që nga mueji shkurt i kaluem, abandonimi i Parlamentit dhe demonstratat masive (të PD-së) që synojshin rrëzimin e Qeverisë së KM Edi Rama, shpesh të shoqënueme me akte dhune të pajusifikueshme, refuzimi nga Bashkimi Europian me hapë diskutimet me Shqipërinë për pranim në këte organizatë, dhe tjera. KM Rama kërcënoi se nji refuzim i këtill mund të shkaktojë trazime në Ballkan, rritjen e nacionalizmit lokal izolacionist, dhe ngritjen(sic!) e problemit të bashkimit kombëtar (Kosovë e Shqipëri) nji aspiratë shekullore e të gjithë shqiptarëve.
     Në Shqipëri dhe në “Shqipërinë lindore” sidomos në Kosovë ashtë krijue nji atmosferë e fortë solidariteti kombëtar që ka afrue dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Skuadra ndihmëse të shteteve fqinj bashkëpunojnë me skuadrat shqiptare në operacione për shpëtimi e jetëve sidomos në ditët e para të katastrofës.
     Megjithate, këto përpjekje nuk janë në gjendje me ndryshue situatën për të gjithë ata që kanë humbë gjithçka nga termeti. Për fatin e tyne, nji valë e fortë solidariteti, e pa pame ma parë, u ngrit në Kosovë. “Për Nanën Shqipëri” deklarojnë qytetarët e Kosovës, me sensin e obligimit moral të ndihmës që ata gjetën në Shqipëri, në pranverën e verën e vitit 1999, kur agresioni serb i Millosheviqit dëboi ma shumë se nji miljonë Kosovarë Shqiptarë nga banesët e tyne, jashtë Kosovës, ma të shumtën në Shqipëri. Këtu, në atdheun nanë, ata gjetën strehim e përkrahje deri në ditën e fitores, qershor 1999. “Nana Shqipëri” ashtë thirrja ma emocionale e çdo shqiptari në Shqipëri, në Kosovë, dhe kudo që flitet gjuha e nanës, gjuha shqipe. “Nana Shqipëri” ashte lidhja shpirtënore ma e fortë e ‘dy Shqipërive’ të ndame padrejtësisht.
    Deshmitarë okularë tregojnë për vargjet e gjata kosovare të veturave, kamioneve, dhe paisjeve mekanike që ofruen ndihmë dhe që sherbejnë në punimet e zbulimit e ndihmës  që hyjshin në Shqipëri, shumë prej tyne me flamuj të mëdhej  shqiptarë –kuq-e-zi –  Ndihma të menjiherëshme arrijtën nga Kosova,  Shtypi i vendit njoftoi se nji kosovar bujar ofroi $100.000 dollarë ndihmë, Nji tjetër kosovar dergoi 12 kamionë me ushqim për popullsinë e damtueme. Katastrofa kosovare e vitit 1999 dhe ajo e sotme e vitit 2019 janë dy fenomene negative për natyrën e tyne, por që kanë ringjallë frymën e solidaritetit kombëtar shqiptar; ato janë edhe tregues konkret të unitetit kombëtar shqiptar. Ky solidaritet ashtë hapi i madh drejt afrimit tonë të ndërsjellë dhe të pa evitueshëm kombëtar!
    Nuk ashtë e nevojshme me qenë “andrrimtarë” as të shitemi si “magjistarë” me parapa nji bashkim kombëtar politik të të gjithë shqiptarëve në hapësinen ballkanike. Unë kam bindjen se nji bashkim i këtill ashtë nji eveniment i paevitueshëm historik. Hapi i parë do të jetë pranimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan –Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës – si anëtarë të Bashkimit Europian. Në kuadrin e nji Europe të bashkueme, paqësore, të lirë dhe demokratike, afrimi politik i dy republikave paraqitet si nji proces që jo vetëm nuk mund të pengohet, por duhet të përkrahet me qellim që të evitohen konsekuenca të padëshirueshme në Ballkanin Perëndimor. Afrimi ekonomik ekzistues pakëson rolin e sotëm të kufinjve shtetnor. Bashkimi kultural i ngushtë eliminon “ndryshimet” që sot kundërvihen, dhe me kohë përfundon në nji shoqëni shqiptare me synime dhe vlera shoqënore të përbashkëta simbas nevojës së kohës. Koha ashtë në favorin e shqiptarëve. Në nji atmosferë të këtillë, bashkimi politik kombëtar shqiptar nuk paraqet kercënim për fqinjtë, as për Bashkimin Europian. Nji perspektivë e këtillë  konfirmohet edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e vitit 1998: 
  “Ne, Populli i Shqipërisë….me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…” (Parathanje)(Theksi im)
     Historikisht shqiptarët nuk kanë pasë nji “perandori” mesjetare të tyne me shtrimje territoriale që përfshinte tokë të hueja, prandej ata nuk reklamojnë “tokët” që kanë humbë gjatë shekujve, dhe nuk aspirojnë në formimin e nji “perandorie” të humbun….si ashte rasti i fqinjëve tonë grekë dhe serbë.
    Nji shenim personal: rreth vitit 2003, me inisiativen e kongresistit amerikan Elliot Engel, (D.N.Y.) nji personalitet politik amerikan që ka studjue pozitën e shqiptarëve në Ballkan dhe ka përkrahë kërkesat e tyne, u organizue nji takim në mes të Z. Andreas Papandreou, Ministër i Punëve të Jashtëme të Greqisë, dhe nji grupi të vogël shqiptaro-amerikanësh të interesuem në përmirësimin e marrëdhanjeve shqiptaro-greke. Njeni nga pjesëmarrësit isha edhe unë. Ministri grek ishte i shoqënuem nga dy ambasadorë grekë. Bisedimi u zhvillue në nji atmosferë të qytetnueme dhe miqësore. Z. Papandreou spjegoi se njeni nga ambasadorët grek (Amb. Londos ?) posa ishte kthye nga nji udhëtim eksplorues në Kosovë, ku kishte takue udhëheqsit kosovarë me qellim eksplorimi të mundësive për kapitalin dhe eksperiencën greke me fillue investimet greke në Kosovë. “Ne i kemi të gjitha, tha ai, kapitalin dhe eksperiencën, dhe jemi gati të ndihmojmë Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik.”
    Z. Papandreou na impresionoi të gjithëve për qendrimin e tij mirëdashës dhe për bindjen e tij se duhen përmirësue marrëdhanjet shqiptaro-greke. Ai shtoi: Na e dimë se ky ashtë shekulli shqiptar në Ballkan. Serbia dhe Greqia, vazhdoi ai, plotësuen kërkesat e tyne gjatë shekujve 19 dhe 20. Shqiptarët u zgjuen ma vonë, Tani ata përpiqen të plotësojnë kërkesat e tyne. Kur shikoi ngjarjet e fundit në ish Republikën e Maqedonisë, nuk kuptoj pse kjo republikë nuk jep të drejta të plota për popullsinë shqiptare në atë vend. Ashtë nji e drejtë që ata e meritojnë….. Ma në fund, ai pyeti në se kishim diçka për të thanë. Unë kërkova heqjen e Ligjit të Luftës të vitit 1940 që akoma ruhet në Parlamentin grek. Ai u përgjegj pa hezitue se kemi nji problem me Parlamentin, dhe se ai na siguronte që mbrenda nji viti Ligji do të anulohet. Unë e falënderova. Kolegët e mi shqiptarë vazhduen me pyetje të ndryshme shumica me karakter ekonomik, dhe atmosfera u kthye në nji dialog të hapun për të gjithë.
    Për fat të keq, qeveria greke ra, dhe ministri humbi postin e tij. Sot, ai Ligj absurd ashtë akoma në fuqi dhe nji nga pengesat e mëdha në marrëdhanjet shqiptaro-greke. (Kërkesat tona për ngritjen e problemit çam nuk u inkurajuen….!)
                                              ***
    Ka shumë arsye për inzistim në ngritjen e frymës së solidaritetit tonë kombëtar. Por nji frymë e këtillë kërkon vullnet të mirë dhe zbritjen e tensionit partizan në vendin tonë. Edhe nji fatkeqsi e randë, siç ishte ajo e termetit te 26 nandorit, nuk ushtroj presionin e duhun psikologjik tek “baballarët e kombit” që vazhdojnë avazin e tyne me nji qellim të vetëm: marrjen dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit qendror. Kjo ka shkaktue vonesën e ndihmës aty ku duhet dhe ka rritë ankesat e popullsisë së damtueme.
   Në fillim, udhëheqsi i PD-së Lulzim Basha dha instruksione për zyrtarët e PD-së që u ngarkuen me dhanë ndihmë për të damtuemët, që të ndihmojshin pa theksue partizaninë e tyne në PD-në. Jam prekë nga ky gjest politikisht korrekt dhe moralisht i detyrueshëm. Në raste të këtilla katastrofësh kombëtare, të gjithë ne, jemi pa përjashtim vetëm argatë të kauzës që sherbejmë. 
    Më lindi pyetja pse Z. Basha akuzonte KM Rama për “150 miljonë dollarë për oligarkët t’i kalohen të damtuemëve nga termeti” simbas shtypit shqiptar. Nji akuzë e këtill nenkupton nji akt kriminel që duhet dënue me ligjë. Në se ashtë e vertetë, Z. Basha duhet të nxjerrë faktet që e provojnë akuzën, dhe ligji duhet zbatue. Në se jo, ai vetëm diskrediton veten dhe humbë kredibilitetin e popullsisë.
    Në të njajtën kohë, nji gazetar shqiptar shkruen: “Termeti që po themelon diktaturën” e cila deri dje ishte e nëndheshme, tani doli krejt në sipërfaqe me përmbajtjet e saja të plota falë arrogancës së (KM)Ramës….(Panorama 6.XII.2019)
    Ndërsa nji koleg i imi nga Tirana, mendimin e të cilit unë çmoj, shkruen: “Si familje nuk patem dam, por edhe ne përjetuam një dramë jo të vogël pa siguri, dhe në pasiguri jetojmë akoma. Në zonat e prekura nga termeti dëmet janë shumë të mëdha. Doli në dritë korrupsioni i shfrenuar i ndertesave, i zyrtarëve që dhanë lejet e ndertimit pa asnjë kriter, ingjinierë zbatues etj. Ndoshta një ditë do të gjejmë qetësi….”përfundon ky mesazh pikëllues që vajton nji gjendje që nuk gjen rrugëdalje!
     Lojë fjalësh! KM Rama i drejtohet edhe nji herë kreut të opozitës, ndërsa shkruen se refuzimi i tryezës së përbashkët nga Lulzim Basha “është një gabim i madh”. Njikohësisht, KM Rama konfirmon se platform e PD-së me 5 pika për të nxjerrë nga kriza bizmenët e damtuem nga termeti në Durrës përkojnë me propozimet e hartuara nga Këshilli Kombëtar i Rindërtimit dhe Ministria e Financave”. “Sot, shkruen nji tjetër gazetar mendje-hapun, “ma parë se gjithçka  ne kemi nevojë për duar të bashkuara për t’i dhenë besim kujdo që e don këte vend” Lindë pyetja: kush ashtë përgjegjës për këte konfuzion të panevojshëm dhe shkatërrimtar?
    Federata Panshqiptare VATRA ka mbledhë dhe dergue nji shumë të mirë të hollash për ndihmë. Nuk kam pa ende as edhe nji rresht të vetëm  falënderimi për këte gjest të bashkatdhetarëve tonë në SHBA. Qendrim që dekurajon.
   “Sepse, ekzistojnë probleme të këtilla si kapja e shtetit, korrupsioni i thellë, si dhe ajo që është evidentuar nga shtypi nderkombëtar, siç është ekzistenca e një narko-shteti….”.  shkruen nji ish ambasador me emën të mirë.
    Jemi para nji kaosi të vertetë në këto ditë katastrofe të vertetë. Nji spjegim që më ndihmoi me kuptue këte situatë e gjejmë në analizën e Z Afrim Krasniqi dhanë Zërit të Amerikë, me 13 tetor 2019 mbi dekriminalizimin. Ai deklaroi:
    “Individët të cilët kanë patur rekorde kriminale kanë axhenda politike, dhe se dinë ku fitohet më shumë, dhe luftojnë për të kapur poste ku fitimet janë më të mëdha. Eshtë shumë interesante se si munden indidvidët që kanë kryer vepra penale në të kaluarën, të kenë kurajo që të kandidojnë për poste të larta drejtuese, dhe si është e mundur që këta fitojnë dhe janë njerëzit e preferuar të udhëheqjes politike…?”
    Përballë nji gjendje të këtill, mendjet e ndrituna duhet të mobilizohen për zgjidhjen e kësaj situate frikësuese!
————-
* Autori ashtë i merguem politik që nga viti 1959.
—————————————————————-

Filed Under: Politike Tagged With: Prof. Sami Repishti- Termeti-Shqiperi- ne zemrat tona

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT