
Nga Elida Buçpapaj/
Ka njëzet vjet që nëpër kuluaret e Tiranës ka qarkulluar rrejshëm se Prof.Myzafer Xhaxhiu ka bërë akt-ekspertizën për poetët e pushkatuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi.Asnjëherë, as shteti dhe as mediat, paçka se ishin në djeni të dosjes, nuk ndërhynë që ta zbardhnin të vërtetën.Megjithëse Prof.Xhaxhiu e kishte ndërgjegjen e pastër, ai reflektoi dramën e një njeriu të pafajshëm që “masakrohej” nga persekutorët e tranzicionit duke manipuluar opinionin publik me qëllimin e barazimit të viktimave me fajtorët sipas tezës famëkeqe bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!

Ne Foto:Poetet e pushkatuar Genc Leka e Vilson Blloshmi/
Nuk ka si të vihet shënja e barazimit midis viktimës dhe persekutorit, po ashtu faji nuk është kolektiv!
Në diktaturë nuk kemi qenë të gjithë persekutorë.
Në diktaturë nuk kemi qenë të gjithë viktima.
Detyra e shoqërisë sot është t’i ndajë persekutorët nga viktimat.
Persekutorët, si pjesë e regjimit, kanë ekzekutuar krime. Ka patur edhe viktima që nën kushte terrori dhe frike kanë marrë njerëz në qafë. Kjo kategori mbetet prapë viktimë.
Shteti me të gjitha ingranazhet e veta duhet të hedhë dritë! Një shtet si ky yni, që mban të vërtetat në obskuritet prej çerek shekulli, është një shtet obskurantist.
Detyrë e shoqërisë është përpjekja për ta ndryshuar deri kur shteti të jetë i drejtë me qytetarët e tij.
Emri i Prof.Xhaxhiut nisi të lakohej rishtas që kur filloi të lakohej emri i Diana Çulit, duke u aluduar se, si ai, si Diana Çuli kishin bërë të njëjtën gjë.
Akt-ekspertiza e Diana Çulit kishte kontribuar në dënimin me pushkatim të poetit Genc Leka. Kështu insinuohej edhe për Prof.Xhaxhiun. Insinuohej me qëllim dhe dashakeqësi.
Deri kur u shfaq Ilirjan Blloshmi, nipi i viktimave dhe i poetëve të pushkatuar që jeton në SHBA, i cili shqiptoi të vërtetën.
Ilirjan Blloshmin nuk e intervistuan televizionet në Shqipëri, nuk e intervistuan as gazetaret që do të duhej, nuk e intervistoi askush në Tiranë që pretendon se kryen me profesionalizëm misionin për të mbrojtur të vërtetën.
Ilirjan Blloshmi, që vijon studimet në SHBA dhe ashtu si xhaxhai i tij e ka prirje të shkruarit, u shpreh vetë në rrjetin social.
I shpreh mirënjohjen Ilirjan Blloshmit që ka dhënë kontributin e tij për të hedhur dritë në zbardhjen e së vërtetës, të nxirë nga gazetaria e tranzicionit shqiptar!
Ilirjan Blloshmi që e ka studjuar dosjen e poetëve të pushkatuar tha midis të tjerave se: “Pas ngordhjes së një mushke, me të cilën bënin transportimin e grurit të kooperativës, u arrestuan dhe u dënuan për krim ekonomik: Bedri Blloshmi 25 vjet burg, Rystem Dashi 25 vjet burg, Vilson Blloshmi 22 vjet burg dhe Genc Leka 22 vjet burg. Pas dhënies së pretencës është ngritur në këmbë njeri dhe ka thënë: Fëmijët e “kulakeve” duhet dënuar më rëndë. Ku është lufta e klasave? Vilsoni dhe Genci shkruajnë poezi të ndaluara. Ky njeri quhej Aqif Leka, (pseudonimi Qyskia). Pasi është bere kontrolli në shtëpinë e Vilsonit dhe Gencit, janë gjetur poezitë e tyre. Pas kësaj, prokurori i çështjes i ka kërkuar Lidhjes së Shkrimtarëve ndihmë për dy ekspertë letrarë. Lidhja ka dërguar Diana Çulin, Koçi Petritin, Muzafer Xhaxhiun dhe Nasho Jorgaqin. Nga të 4 ekspertët, Diana Çuli ka bere akt-ekspertize jo recense. Nasho Jorgaqi dhe Muzafer Xhaxhiu kane bere kritike letrare (mjafton ta shikosh në dosje) prandaj ne nuk i kemi përmendur. Pas akt-ekspertizes, gjyqi vendosi: Bedri Blloshmi 25 vjet burg, Rystem Dashi 25 vjet burg, Vilson Blloshmi pushkatim, Genc Leka pushkatim“, përfundon Ilirjan Blloshmi.
Familjarët e viktimave nuk e kanë përmendur kurrë Prof.Xhaxhiun si pjesë e atyre që morën jetën e poetëve, ndërsa në kuluarët e tij obskurantizmi i tranzicionit është përpjekur ta njollosë përmes qarkullimit të shpifjes. Prof.Xhaxhiu ishte viktimë e obskurantistëve të tranzicionit shqiptar.
Unë po shkruaj për Prof.Xhaxhiun si për pedagogun e antikitetit grek dhe romak. Prof.Xhaxhiu e donte aq shumë lëndën e tij saqë ishte njëjtësuar me përfaqësuesit e asaj periudhe aq të bollshme me filozofë, shkrimtarë dhe mendimtarë të ndritur. Kjo e bënte të mos ishte hipokrit dhe konformist me studentët sepse kjo periudhë e letërsisë nuk ishte censuruar dhe indoktrinuar nga ideologjia komuniste.
Ideologjia komuniste ndikonte tek të liqtë. Prof.Xhaxhiu nuk hynte në këtë kategori. Prof.Xhaxhiu i kushtoi jetën profesionit dhe studentëve dhe në këtë raport genuin, përjashtohej kategorikisht ligësia.”Studentët vinin e iknin, për t’u hedhur në valët e jetës, kurse ti, si mësues mbetesh gjithmonë aty, si Feniks, që digjesh në flakën fisnike të rinisë, për t’u ringjallur i përtërirë”. Kështu shkruante Prof.Xhaxhiu për raportin midis tij si dijedhënës dhe studentëve. Ky raport është parim i jetës, që e zgjedh njeriu vetë, që nuk varet as nga partia, as nga regjimi sado kriminal qoftë ai.
Kur lexova statusin e Ilirjan Blloshmit që hidhte dritë dhe e pastronte figurën e Prof.Xhaxhiut nga intriga gati çerek shekullore u lumturova. Nëse Ilirjan Blloshmi do të pastronte edhe figurën e Diana Çulit, do të lumturohesha njëlloj. Por ai bëri dallimin sipas së vërtetës. Dhe e vërteta bën historinë.
Herakliu thosh se karakteri i njeriut është hyjnia e tij mbrojtëse. Prof Xhaxhiu hynte në kategorinë e përkufizuar nga Platoni “se njerëzit e mirë ndërmarrin veprime të përgjegjëshme pa patur nevojën e ligjeve”. Pra qoftë diktaturë apo demokraci, njeriu i mirë, pa marrë parasysh hetuesin, regjimin nuk e ndyn veten. Ndërsa për njerëzit e liq, Platoni thoshte se “ata do të zbulonin tek ligji mundësinë për të bërë keq”, pra për t’u ndyrë edhe më.
Kush e ka njohur Prof.Myzafer Xhaxhiun, e kujton me një buzëqeshje në buzë. Nuk mund ta marr me mend se si ai e ka përjetuar intrigën. Ndofta e ka injoruar deri sa e ka pasur ndërgjegjen e pastër. Ndofta edhe ka vuajtur “damkën” e inkuizicionit të tranzicionit shqiptar. Kush e di! Por tani ka ardhur koha që të prehet i qetë, sepse e vërteta ka shkuar tek e vërteta. Platoni thoshte se e mira është e bukur. Unë do të thosha se e bukur është e vërteta.
U prehsh në paqe Prof.Xhaxhiu!