Nga Ilir Levonja/
Sot isha pushim. U ula në një tavolinë përjashta, me kafen dhe veten time. Përbri ndodhet një floktore. Një sallon bukurie siç na i ka qejfi ta quajmë sot. Ndërkohë që i hidhja një sy lajmeve. Dhe rishikoja ca shënime në tabletin e dorës. Më bëri përshtypje që orë pas ore, nga makinat që parkonin aty, para ndërtesën…, zbrisnin gra në moshë. I drejtoheshin në fillim derës së floktores. Më pas ndonjëra vinte në kafe. Shijonte mëngjesin me kë kish pranë. Flokë gufuar, lyer a rregulluar për bukuri.
Se si mu zgjua një vëzhgim i fjetur nga koha këtu në Amerikë.
Puna e makiazheve. Që nga koha kur punoja në teatër. Dhe shikoja ato zërat e borderosë. Indekset e vështirësive të pagës. Përshembull artistëve u jepej një përqindje me ngritje si vështirësi, pasi pudra konsiderohej e dëmshme etj. Po ashtu edhe kremrat. Madje dhe rrezet e dritës. Mu kujtua ky vëzhgim imi. Për punën e tualetit ndër mosha. Pasi duke punuar me të rinj këtu, me gjimnazistë e student. Vë re se e shumta atyre nuk bëjnë tualet. Tek-tuk qëllon ndonjë. Por edhe këto më së tepërti tek flokët. Jo xhel ose ndonjë ngjyre të forte për të dalluar. Kaq. Po në përgjithësi nuk lyhen. Dhe kur e pyeta një here një vajzë, se përse nuk lyhej? Ose më saktë se, përse shumica e vajzave nuk bëjnë tualet. Ma ktheu shkurt, se, nuk u kishte ardhur koha akoma. Pra, kisha arritur në një lloj përfundimi se këtu. Në Amerikë pra, mosha që shkon më shpesh në floktore janë ato të mëdha. Pastaj vijnë gjashtëdhjetë, pesëdhjetë, a dyzetvjeçare. Moshat pas kësaj, janë pak ose as pak frekuentuese të salloneve të bukurisë.
Kurse ne vendim tim, ndodh e kundërta. Madje moshat e mëdha nuk shkojnë fare në sallonet e bukurisë. E kanë për gjynah. Për të siguruar për këtë, u ngrita dhe zgjata kokën tek dera. Ndihej kudo një aromë avulli e krifosur me erën e stinës së luleve. Por çfarë ishin ulur aty, ishin me sukses të plot nga gjashtëdhjetë e sipër.
Këtë vëzhgim e kam ndarë me miq të mi. Dhe shumë syresh më ka dhënë të drejtë. Madje ka nga ato nëna të reja që më kanë pohuar me plot gojën se, sot është e ditës lyerja, ngjyerja, apo heqja e leshit. Eshtë e modës mveshja e qerpikëve dhe zgjatja e vetullave. Apo pudra dhe kremi etj. Biles ato thonë që fëmija i sotshëm. As nuk të pyet, as nuk të dëgjon, por të jep edhe shtymën. Dhe të vulos përfund e të quan edhe injorant.
Megjithatë është një e vërtetë e hidhur.
Kaq e përhapur sa me plot gojën mund të themi se, në çfarë progresi të mbrapshtë ka hyrë vendi ynë.
Madje aty pari po lexoja edhe për një lloj braktisje kolektive, po nga prindërit e rinj, të vaksinimeve të fëmijëve. Një nga arsyet më të shpifura. Ishte preteksi se vaksinat janë kimikate. Dhe se po sjellin në rritje numrin e fëmijëve autikë në Shqipëri. Një përfundim ky i nxjerrë nga brezi kaq i dashur dhe frekuentues i salloneve të bukurisë. Ata që dominojnë mbi prindërit. Por që në rastin e tyre si frekuentues të salloneve, pudra, zgjatja e vetullës, tatuazhi etj nuk janë kimikate.
Një sqarim primitiv, sa për autizmin. Mos nxitoni. Autikët lindin, nuk bëhen. Dhe vërtetë Amerika po lufton shumë me këtë sindromë. Por mos harroni, që vajzat e reja, nënat e reja, nuk janë asfare frekuentuese të salloneve. Janë gjyshet…
Kjo mospjekje e brezave…, është një fakt akoma më kokëfort. Sado vrullit të lajkave dhe statuve në botën virtuale. Dhuna e fëmijëve ka lindur për shkak të dështimit të sistemit të mëparshëm. Dhe po kështu të demokracisë informale që po ndërtojmë. Eshtë një masë e madhe prindërish që nuk kanë asgjë në dorë, në kuptimin qoftë…, edhe të një lloj hijeje mbi fëmijët e tyre. Dikur ishin fëmijët që kishin frikë. Sot ndodh e kundërta. Janë prindërit që kanë tmerr nga fëmijët.
Përse? Sepse breza të tërë dolën pa punë. Dhe për më keq me asnjë lloj të ardhure pensionimi. Apo siguracionesh private etj. Kështu që, veç lëmoshës, presin edhe të shtyrat.
Madje i presin me durim e budallallepsje.
Kurse këto, gjyshet apo frekuentueset e salloneve të bukurisë.
Kanë ndofta plot mangësi. Por mbi të gjitha kanë pavarsinë ekonomike. Dhe pavarsinë e vetvetes.