Pas zgjedhjes së Prokurores së përkohshme, në tym e kaos në Parlament, dhe protestë e dhunë jashtë, palët kanë filluar të akuzojnë njëra-tjetrën. Opozita akuzon Kryeministrin dhe mazhorancën se ka shkelë Kushtetutën, dhe ka kapur Drejtësinë duke emëruar një prokurore pa Veting, me qëllim që të shpëtojë veten dhe Minstrin e Drogës-Saimir Tahiri, ndërsa pozita akuzon opozitën se nuk e do Reformën në Drejtësi.Lulzim Basha ka dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat nga selia blu, ku ka folur për zgjedhjen e kryeprokurore së re. Sipas tij, Edi Rama ka bërë një puç kushtetues.‘Dje u konsumua një puç kushtetues. Vendi është në një spirale informaliteti. Qëllimi ishte vetëm kapja e një kryeprokurori politik që mbyll dosjet e krimit të Ramës’, tha Basha.Sipas tij, dje kishte vetëm një dhunë e ishte dhunimi i Kushtetutës.‘Ka vetëm një dhunim dhe shkatërrim, ai është shkatërrimi dhe dhunimi i Kushtetutës. Shqipëria mund të ketë dy standarde.Standard duhet të jetë vetëm ai perëndimor, ai amerikan’, tha Basha.
Agresive ndaj Kryeministrit ka qenë kundër mazhorancës edhe Partia e Presidentit LSI. Bashkëshortja e Presidentit, njëkohësisht kryetare e LSI, Monika Kryemadhi, ka qenë në ballë të protestusve dhe ka paralajmëruar përballje të ashpër.
Ndërsa zv.Kryetari i lSI, Petrit Vasili, kreu i Grupit parlamentar të LSI, deklaroi sot se me zgjedhjen me 69 vota të kryeprokurores, fitoi krimi dhe reforma humbi, ndaj fjalën tani e ka populli. Në shënimin e tij sot, Vasili shprehet veçanërisht me ironi ndaj qendrimit të ambasadave të SHBA dhe BE-së për zgjidhjen që iu dha çështjes :”Dje u zgjodh një drejtoreshë e qeverisë, Rama për ta poshtëruar i dha kryeprokurores 69 vota, as sa një ministre. Reforma tashmë e vdekur e drejtësisë polli kryeprokurorin me më pak vota dhe më të pabesuar në histori.69 vota është kapja më e pacipë që krimi i organizuar, në krye të qeverisë, ka bërë ndonjë herë. Tashmë Brukseli dhe Uashingtoni duhet të jenë “të qetë”, reforma në drejtësi katandisi kokoshi një thelë nga 140 vota ne 69 vota. Krimi fitoi-reforma humbi, tani fjalën e ka populli.”
Ndërkombëtarët nga ana e tyre duket se kanë marrë anën e mazhorancës, duke dhënë mbështetje për zgjedhjen në kushte të dyshimta të Kyeprokurores. Ambasada Amerikane ka qenë e para që ka publikuar një Deklaratë kundër dhunës dhe në favor të zgjedhjes së Kryeprokurores Ne deklarate shkruhej:“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e sotme në Tiranë. Ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi.Ambasada amerikane nënvizon se populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet.“Populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë.”
Më pas ka qenë Bashkimi Europian që ka bërë thirrje për qetësi e bashkëpunim. Në deklaratë shkruhej: BE-ja dënon dhunën në protestat e djeshme dhe sjelljen e anëtarëve të Parlamentit në seancën plenare. Proceset demokratike, qofshin ato seanca parlamentare apo protesta, duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore.Qytetarët shqiptarë u kërkojnë përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të tregojnë lidership dhe përgjegjësi, si dhe të punojnë në partneritet për të ndjekur reformat e rëndësishme që janë gjithashtu vendimtare për aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.
***
Nga ana e saj policia e Tiranës ka vënë në pranga 6 protestues të opozitës ndërsa ka nisur hetimet edhe ndaj 10 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për akuza të ndryshme.Deklaratë e përbashkët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor TiranëArrestohen 6 persona dhe procedohen 2 të tjerë në gjendje të lirë për veprime të dhunshme në protestë ndaj Policisë së Shtetit.
– 10 deputetë procedohen në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë.
– 1 shtetas procedohet për organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme
Specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, në vijim të veprimeve për evidentimin, dokumentimin dhe kapjen e shtetasve që kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë gjatë protestës së opozitës të zhvilluar në datën 18 dhjetor 2017 para Kuvendit të Shqipërisë, kanë bërë arrestimin në flagrancë, të:
• Renato Xhihani, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë;
• Ervis Hajredini, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;
• Igli Hasani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;
• Fanol Prifti, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;
• Sokol Vuçeta, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë);
• Shyqri Proshka, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë.
Arrestimi u bë pasi gjatë protestës së djeshme, zhvilluar në sheshin në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, personat e sipërcituar në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës, vepër penale e parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal.
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit:
• E.M, 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë;
• S.L., 52 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.
Procedimi në gjendje të lirë i tyre u bërë pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të Kuvendit.
Si pasojë e veprimeve të dhunës nga personat e mësipërm, morën dëmtime të konsiderueshme trupore 6 punonjës Policie, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor.
Po në vijim të veprimeve ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike’, parashikuar nga neni 274 Kodit Penal në ngarkim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë: Flamur Noka, Grida Duma dhe Edi Paloka.
Gjithashtu ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, parashikuar nga neni 235/2 Kodit Penal, në ngarkim të deputetëve: Monika Kryemadhi, Flamur Noka, Ervin Salianki., I.B., Kejdi Mehmetaj, Fjoida Kërpaçi, Klevis Balliu dhe Gent Strazimiri.
Për shtetasin Eno Bozdo, ka nisur procedimi penal për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.