Prej dy ditësh shefi i shtetit turk, Rexhep Taip Erdogan, po qëndron në Rusi me ftesë të homologut të tij rus, Vladimir Putin. Kjo vizitë, e para pas një kohe marrëdhëniesh të ftohta midis dy vendeve, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik shqiptar e të huaj dhe ka shtuar pikëpyetjet, hamendjet dhe dilemat për kursin e shtetit më të fuqishëm ushtarak të NATO-s, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne shqiptarët shpesh herë marrim role që nuk na takojnë dhe debatojmë për konfliktet e brendshme në Turqi ose për mënyrën e qeverisjes së Ankarasë, pa shtjelluar me theks të veçantë atë pjesë të politikës turke, e cila lidhet dhe ndikon drejtpërdrejt në Ballkan e sidomos tek ne.
Që në fillim dua të theksoj se aleat strategjik i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet një Turqi moderne, properendimore, dmth një Turqi qemaliste, e orientuar nga aleanca strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Europën. Ndërsa një Turqi e koncepteve perandorake otomane do të jetë domozdo një vend i oorientuar nga aleancat strategjike të Lindjes. Vizita e Erdogan në Rusi është një sinjal i qartë i kursit të ri të Ankarasë. Duket se presidenti turk ka vajtur në Petërsburg të takojë mikun e tij president të Rusisë për shkak të marrëveshjeve ekonomike, të linjës se gazsjellësit ose të bllokimit të situatës së rënduar në indistrinë turke të turizmit. Por nuk është krejt kështu.
Duke njohur konfliktin e nëntorit të vitit të kaluar midis Ankarasë dhe Moskës, akuzat dhe replikat e pazakonta të ndërsjellta e zyrtare midis dy kryeqyteteve, gjithkush do të besonte se një miqësi dhe aleancë strategjike midis këtyre dy vendeve do të ishte e pamundur. Veçanërisht presidenti Putin dhe zëdhënësit e tij e akuzuan presidentin Erdogan dhe djalin e tij për mbështetje të terrorizmit dhe ISIS, për trafiqe, kontroll dhe tregëti nafte me shtetin islamik, për implikim të qeverisë turke në një sërë ngjarjesh tronditëse në botën e sotme, madje me përbetime se “së shpejti do të dilnin prova konkrete” për të vërtetuar akuzat e Kremlinit. Nga ana e tij Erdogan reagoi para nëntë muajve me shumë ashpërsi, duke i dëshmuar homologut të tij rus se “Ai është dhe mbetet i pamposhtur”. E gjitha erdhi pas rrëzimit të një avioni rus në territorin turk nga nja avion turk, piloti i të cilit është akuzuar si aktiv në “puçin: ushtarak të 15 korrikut të kaluar. Më tej vijoi një pauzë heshtjeje, provat e “implikimit” të Erdoganit dhe familjes së tij u harruan, derisa erdhi 15 korriku dhe ndodhi ngjarja e famshme e “grushtit të shtetit”. Janë të panjohura shkaqet e akuzës si gylenist të pilotit të shpallur si hero i Turqisë së nëntorit 2015!
Poe është fakt se prej këtij momenti shefi i shtetit turk ndryshoi kursin e politikës së tij, duke akuzuar Perendimin për “implikim në grushtin e shtetit”, për heshtje, mossolidarizim dhe mungesën e mbështetjes së shteteve europiane dhe SHBA-ve, deri te deklarata e fundit e para tri ditëve se “Europa për 53 vite ka luftuar kundër Turqisë”. Ndryshimi i kursit politik erdhi menjëherë pasi në situatën e krijuar më 15 korrik Vladimir Putin i telefonoi Erdoganit dhe shprehu solidaritetin e tij në luftën kundër puçistëve. Thuhet madje se shërbimi sekret rus e kishte njoftuar shërbimin sekret turk një ditë ose dy ditë para se të ndodhnin ngjarjet e natës së 15-16 korrikut 2016.
Prej kësaj kohe presidenti i Turqisë rishpalli “miqësinë e tij të ngushtë” me Vladimir Putinin, duke shënuar kështu një kundërvënie të hapur të aleatit historik e qemalist, Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por precedenti nuk është i ri. Në vitin 2012 Erdogan dhe Putin këmbyen vizitat reciproke në selitë e tyre presidenciale, duke shënuar rekordin historik, pasiqë kurrë nuk kishte ndodhur që të vinte për vizitë në Stamboll apo Ankara një car apo udhëheqës komunist sovjetik, përfshirë këtu dhe paraardhësin e Vladimir Putin, Boris Jelcinin. Përveç kësaj aso kohe u nënshkruan disa marrëveshje të përbashkëta në fushën e ekonomisë e të energjitikës si dhe në fushën ushtarake. Rihapja e kapitullit të marrëdhënieve të ngushta, miqësore dhe aleancës strategjike me Rusinë e bën Turqinë e Erdoganit një partner të brishtë në NATO dhe e shtyn Europën të shkojë drejt një vendimi përfundimtar e të prerë për të hequr dorë nga përpjekjet e saj për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Sot për sot Europa është e përçarë në qëndrimin e saj ndaj Turqisë, siç është e përçarë edhe në politikat që duhen aplikuar ndaj Rusisë.
Por lidhjet e ngushta të Ankarasë me Moskën duket qartë se janë të pëlqyeshme për kohën e sotme nga të dy palët, Rusinë dhe Turqinë, sepse Putin dhe Erdogan ndajnë të njëjtin sistem e model qeverisjeje bazuar në dhunën ndaj kundërshtarëve politikë dhe në autoritetin e arrogancën e një personi, presidentit të vendit. Në këtë pikëpamje të dy ndajnë jo vetëm sentimente të përbashkëta, por edhe përvojat specifike të njëri-tjetrit në rritjen e autoritetit dhe arbirtraitetit në qeverisje. Por ky aspekt i formës së qeverisjes besoj se nuk është e nuk mund të jetë shqetësimi dhe problemi themelor i shqiptarëve. As konflikti midis erdoganistëve dhe gylenistëve nuk duhet të tërheqë aq shumë vëmendjen e mediave, opinionit dhe politikës shqiptare, e cila ka rastin të dëshmojë e të tregojë se çeshtje të tilla i takojnë vetëm politikës së brendshme të Turqisë dhe nuk mund të bëhen pjesë e politikave dhe qëndrimeve politike të shtetit shqiptar, të shtetit të Kosovës e vendeve të tjera në rajon. Megjithatë ky shqetësim mund të shpërfillet deri në kufirin kur modeli i qeverisjes nuk prek parimet e aleancave strategjike të një vendi e nuk shihet si rrezik për sigurinë dhe paqen në rajon e në vendet tona. Në momentin që preken parimet themelore të aleancave strategjike, atëherë shtetet përrreth kanë për detyrë të analizojnë situatën e re të krijuar dhe të dëshmojnë se për hir “të miqësisë” e “vëllazërisë” me Erdoganin, siç shprehej kryeministri Rama e presidenti Thaçi më 16 korrik, një ditë pas grushtit të shtetit, nuk mund të rrezikohen interesat strategjike të vendit tënd. Unë jam i bindur se partneriteti strategjik dhe miqësia e ngushtë e Ramës me Erdoganin është nxitur edhe nga konflikti i ish-kryeministrit Berisha me presidentin turk, marrëdhëniet e të cilëve në fund të mandatit të Partisë Demokratike ishin shumë të ftohta. Por janë nxitur edhe nga pragmatizmi që ushqejnë modelet autoritare të qeverisjes.
Parteriteti strategjik i Ankarasë me Moskën është një partneritet i pazakonshëm, historikisht i dështuar, sidomos në periudhën e shekullit të fundit të perandorisë osmane, sepse Republika Qemaliste fatmirësisht nuk ka bërë asnjëherë ndonjë përpjekje për lidhje specifike me ish-Bashkimin Sovjetik ose me Rusinë postsovjetike. Për rrjedhojë unë besoj se partneriteti i Erdoganit me Vladimir Putin është më së shumti vullnet i dy presidentëve të përkohshëm të të dy vendeve, sesa i politikave strategjike e gjeopolitike të përhershme. Them i presidentëve “të përkohshëm”, sepse as njëri dhe as tjetri nuk mund të qëndrojnë përjetësisht në krye të shteteve përkatëse. Dhe në kushtet e një qeveisjeje autoritare e arbirtrare me prirje për t’u shndërruar në një diktaturë, pasardhësi i këtyre lloj liderëve gjithnjë do të dëshmojë lojalitet dhe tolerancë qeverisëse, qoftë dhe për nevojën e përfaqësimit ndryshe nga paraardhësi.
Në fakt problem më i madh i Erdogan nuk është Fethullah Gylen, as “grushti i shtetit”, as marrëdhëniet me Perendimin. Çeshtja kryesore për të cilën ai shqetësohet, përveçse për pushtetin e tij, ka të bëjë me lëvizjen kurde për pavarësi. Ai ka akuzuar sërishmi Perendimin e para së gjithash Gjermaninë për “mbështetje ndaj PKK-së”, ose siç thotë vetë “të terroristëve kurdë” kundër autoritetit shtetëror turk. E vërteta është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO te kurdët kanë gjetur një aleat të ngushtë në luftën kundër terrorizmit të ISIS. Për këtë arësye presidenti turk hezitoi një kohë të gjatë të përfshihet ne aksionet ushtarake ajrore të Aleancës së Atlantikut dhe SHBA-ve kundër ISIS. Ndoshta kjo ka qenë një nxitje gjithashtu për bashkëpunimin dhe kantrabandimin e naftës me këtë organizatë terroriste siç edhe ka akuzuar “miku i tij i ngushtë”, Putin. Por me Vladimir Putinin presidenti turk ka një konflikt të hershëm disa vjeçar. Ndërsa Erdogan ka këmbëngulur prej fillimit deri në fund për eleminimin politik të Assad, presidenti rus ka qenë dhe mbetet aleati kryesor i presidentit sirian. Sigurisht që ky është një problem jo serioz në marrëdhëniet midis tyre. Nga ana tjetër të dy llogarisin në strategjinë e presionit sa më të madh ndaj dy faktorëve themelorë për botën e sotme, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkimit Europian.
Duket se me SHBA-të Erdogan mban inatin e mosekstradimit të Fethullah Gylen, por nuk mund të besohet se konflikti i shpallur tashmë është kaq i thjeshtë, apsi që kurdët janë afruar me aleancën amerikane. Në këtë kuptim kemi një përmbysje aleancash: – Ndërsa Erdogan orientohet drejt Moskës, PKK ose kurdët po bëjnë gjithçka të fitojnë besimin e amerikanëve. Problematikat do të duken në marrëdhëniet që do krijohen në Këshillin e NATO-s, ku Turqia mund t’i thellojë kundërshtitë e saj për vendimmarrjet antiruse dhe pro sigurisë, paqes e stabilitetit në zonën Euro-Atlantike. Ndërsa ndaj Bashkimit Europian Erdogan ka në dorë të ushtrojnë më shumë presion sesa kaq. Ai mban çelësin e zgjidhjes së krizës së refugjatëve, si i tillë mund të mos zbatojë marrëveshjen me Brukselin dhe për pasojë miliona refugjatë sirianë, afganë, irakenë e të tjerë të vërshojnë drejt kontinentit europian. Vendet europiane janë shumë sensitive ndaj këtij fenomeni, pasiqë një valë e tillë refugjatësh do të nxiste aktivizimin dhe do të favorizonte ardhjen në pushtet të forcave ekstrmiste të djathta, të cilat janë dhe mbeten aleatë të Rusisë, disa madje financohen nga Moska. Në një rast të tillë do të tronditeshin themelet e Bashkimit Europian si dhe aleanca dhe bashkëpunimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i Europës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të çonte në dobësimin maksimal e ndoshta asgjësimin e aleancës politiko-ushtarake të NATO-s.
Vladimir Putin ka si pikësynime parësore të politikës së tij goditjet në kokë e në zemër të Bashkimit Europian dhe NATO-s. Por në përpjekje për të ushtruar presion dhe për të përfituar sa më shumë, ndihmës i parë dhe kryesor i Putin do të bëhej vetë presidenti Erdogan, edhe pse për vendin e tij shkatërrimi i Europës së Bashkuar dhe i Aleancës Atlantike do të ishte një katastrofë strategjike e gjeopolitike, pasiqë, pas kësaj Rusia do të kthehej përballë Bosforit, me qëllim që e vetme dhe pa Turqinë, madje duke e shtënë atë nën tutelë e nën sundim pa pushtim, të vinte në zotërim gjithë Mesdheun. Europa dhe SHBA-të mund të duken si vende që nuk e duan ose nuk pajtohen me politikat e Rexhep Taip Erdogan, ndërkaq Rusia duke fituar miqësinë e Erdogan do ta kafshojë fort shtetin turk.
Në kushtet e sotme qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të duhej të konsultoheshin e të harmonizonin qëndrimet e tyre të përbashkëta përballë rrezikut të aleancës së shpallur të dyshes Vladimir Putin – Rexhep Taip Erdogan, duke i bërë të qartë Ankarasë se këto dy vende janë për miqësi dhe partneritet strategjik me Turqinë, por gjithnjë si një vend me ndikim pozitiv në NATO dhe si një aleat i natyrshëm i Perendimit. Nëse vendet tona refuzojnë një aleancë strategjike me Turqinë e sotme të Erdoganit, kjo nuk ndodh se ai po armiqësohet me aleatët tanë strategjikë në Perendim, përkatësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, kjo ndodh se Turqia në vend të aleancës perendimore zgjedh dhe promovon një aleancë tjetër të dëshmuar në shekuj e në ditët tona si të dëmshme për shqiptarët dhe çeshtjen shqiptare.
Nga ky këndvështrim duhen konsideruar si të ngutshme deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Kosoës sa i përket zhvillimit të ngjarjeve të 15 korrikut në Stamboll, Ankara e qytete të tjera, ku u bë një tentativë për grusht-shteti, i inskenuar apo real, kjo besoj se nuk mund të shënohet në rrezen e interesit themelor tonin. Për më tepër qeveritë tona do të duhej të dëshmonin se nuk mund të drejtohen nga politikat e brendshme turke, sa i përket vlerësimit dhe masave ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Erdoganit, të cilët ai i ka shpallur terroristë dhe thotë se këta kërcënojnë edhe Shqipërinë e Kosovën. Shqipëria dhe Kosova janë shtete të pavaruara dhe kanë e duhet të kenë kapacitetet e nevojshme për të provuar akuzat që bën kreu i shtetit turk ndaj kundërshtarëve të tij, pa pasur nevojë për diktat, aq më tepër kur ky lloj diktati vjen si nevojë e promovimit të një aleance me Rusinë perandorake caristo-bolshevike.
Ndërkohë besoj se diskutimet mediatike e në rrjetet sociale për islamin, objektet e kultit islam, ndikimin e Turqisë, ose të asaj çfarë ka ndodhur gjatë sundimit osman në trojet shqiptare janë joproduktive dhe nuk e ndihëmojnë formulimin e një qëndrimi korrekt, të paanshëm dhe bazuar në produktin e sotëm me shtetin turk. Nëse Erdogan do të ndryshojë kursin e nisur pas 15 korrikut dhe do të projektojë një udhëtim të pakthyeshëm euro-atlantik, atëherë Shqipëria, Kosova, shqiptarët do të duhet të bëjne të gjitha përpjekjet për të forcuar lidhjet politike, ushtarake, arsimore, shkencore, ekonomike e kulturore me Turqinë. Diskutimet dhe paranojat historike të para një shekulli nuk ndihëmojnë në këtë drejtim.