SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 1 Tetor 2021/ Në Kosovë përkujtohet e vlerësohet protesta e fuqishme e studentëve dhe profesorëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, e para 24 viteve, 1 Tetorit 1997, në mbrojtje të arsimit shqip, për lirimin e Universitetit e shkollave të okupuara e të mbyllura nga regjimi i dhunës serbe që nga viti 1991.
Të mbështetur edhe me pjesëmarrje në protesta nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, drejtues të Lëvizjes Studentore në Kosovë në atë kohë ishin Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti, Driton Lajçi, Ernest Luma e të tjerë.
Albin Kurti, tani kryeministri i Republikës së Kosovës, sot, në përvjetorin e 24-të të protestave studentore të vitit 1997, me ftesën e tij, priti në takim bashkorganizatorët e protestës që bëri kthesë politike në Kosovë dhe bëri jehonë të madhe ndërkombëtare.
Në takim ishin edhe familjarë të drejtuesit të universitetit të vetorganizuar shqiptar dhe intelektualit që priu në protestat e 1997-ës – profesorit të ndjerë Ejup Statovci, profesoresha Drita Halimi Statovci dhe znj. Anila Statovci.
Para takimit kryeministri Kurti vuri lule të freskëta te varri i profesorit Statovci, i cili së bashku me studentët organizatorë ishte në ballë të protestës masive, që për kërkesë kryesore kishte lirimin e pakusht të hapësirave universitare të uzurpuara nga regjimi serb.
Duke evokuar kujtime të viteve e ’90-ta, të rezistencës aktive dhe përpjekjes për liri, u vlerësua akademiku i rezistencës dhe juristi i qëndresës, që ishte në ballë të universitetit më 1991, kur duhej rifilluar ai si i pavarur prej pushtuesit serb, pas dëbimit nga objektet zyrtare të Universitetit të Prishtinës.
“Çdo 1 Tetor kujtojmë marshimin në protestat e 1997-ës të mijëra studentëve të veshur në të bardha, që me vullnet për liri e dëshirë për dije kërkonin lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb dhe përkujtojmë intelektualin që na priu profesor Ejup Statovci”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se më 1 Tetor të vitit 1997 u thye një heshtje dhe frikë e gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej dinjiteti.
U rikujtuan ditët parapërgatitore të protestave, rreziqet dhe kushtet e vështira të veprimit, si edhe zemërgjerësia e njerëzve guximtarë që dëshirës së madhe të studentëve për dije iu mundësuan vijimin e mësimeve në shkollat-shtëpi.
Në takim ishin prorektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, profesori Ahmet Geca, drejtuesit e Lëvizjes studentore ministri Xhelal Sveçla, zëvendësministri Hysen Durmishi, Bujar Dugolli, Fatban Bunjaku, Jeton Rexha, Lulëzon Jagxhiu, Mihane Salihu, Mentor Bogaj, Milot Cakaj dhe Veton Demaj.
Para 24 viteve gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë i bënte jehonë e përkrahje të madhe protestës. “Në Prishtinë dhe në 6 qytete të Kosovës Protestat paqësore u përballën me brutalitetin policor”, shkruante në mbititull e kryetitull në ballinë gazeta e rezistncës “Bujku”, e cila në një nga nëntitujt theksonte se, “Nuk ka njoftime për të vrarë, por ka të plagosur e të arrestuar”.
Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Në Prishtinë dje protestuan paqësisht mbi 30.000 studentë, profesorë e intelektualë të tjerë, e mbi 100.000 qytetarë shqiptarë dolën në rrugë e sheshe për përkrahje e solidarizim, përkundër shtetrrethimit policor serb”.
Gazeta raportonte se Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dënoi ashpër brutalitetin policor mbi protestuesit, se Qeveria shqiptare dënon dhunën që ushtron Beogradi mbi shqiptarët, se Ambasada e SHBA-ve është e brengosur për situatën e krijuar…
“Pas ndërhyrjes së policisë serbe kundër studentëve shqiptarë në Kosovë Kongresisti Amerikan Eliot Engëll kërkon që SHBA-të të dënojnë energjikisht Serbinë – Komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë duarkryq për të lejuar që protestat paqësore të shtypen me dhunë”, theksonte gazeta në mbititullin, titullin e nëntitullin e një prej shkrimeve në shumë faqe.
Nga protesta e nisur në Lagjen Velania e shtëpive të shqiptarëve të shndërruara në universitet, pikërisht para 24 viteve, drejtpërdrejtë nga protesta, raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) se “në Prishtinë ka shumë studentë të plagosur pas ndërhyrjes së policisë serbe”, se “janë rrahur edhe shumë vajza – studente të Fakultetit të Mjekësisë sepse donin të ndihmonin studentët e lënduar” dhe theksoja përkrahjen e gjithë popullit për protestën. “Në tërë qytetin e Prishtinës, ku kanë dalë mbi 100,000 qytetarë, përkundër shtetrrethimit policor, mbretëron një atmosferë tepër e rëndë dhe e jashtëzakonshme”, dëshmoja si korrespondent i ATSH-së nga Prishtina përmes telefoninit në 1 Tetor 1997.
Raportimin e bëja edhe nga ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës në lagjen Velania, ku ishte vendosur në një shtëpi private pas dëbimit të dhunshëm e të përgjakshëm të shqiptarëve të Kosovës nga objektet shkollore e universitare.
“Forcat policore kanë bllokuar edhe ndërtesën e rektoratit. Në rektorat janë strehuar shumë studentë të lënduar, ndërsa brenda hyn edhe tymi i gazit lotsjellës”, raportoja nga vendngjarja, ndërsa që në njoftimet e para për ndërhyrjen e egër të forcave serbe kundër mëse 30,000 studentëve shqiptarë protestues bëja të ditur se “për në Velani janë drejtuar dhe tanket”.
Në raportim theksohej edhe se “‘Policët e
egërsuar po shqyejnë nëpër sheshe e rrugë pankartat e studentëve
protestues. Në tërë qytetin e Prishtinës, ku kanë dalë mbi 100
000 qytetarë, perkunder shtetrrethimit policor, mbretëron një
atmosferë tepër e rënde dhe e jashtëzakonshme’,-deshmon
korrespondenti i ATSH-se nga Prishtina”.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968-tën. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
Gazeta e rezistencës “Bujku”, që ishte e vetmja në gjuhën shqipe në Kosovë në atë kohë, kryeredaktor-themelues i së cilës isha, që sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradicionale Rilindja, para 30 viteve – në 3 Shtator 1991 shkruante në titujt e ballinës: “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë – Fillimi i vitit shkollor shtyhet deri më 1 Tetor – Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”. Në numrin pasues shkruante: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 Shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”…
Gazeta nuk u ndal edhe kur u ndalua, vijoi të dalë duke qenë pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm perëndimor euroatlantik…
As nga fillimi i Tetorit e as muajëve e viteve në vijim pushteti okupues i Serbisë nuk hapi dyert e shkollave e të Universitetit të Kosovës për shqiptarët…
Gazeta “Bujku” e 3 Tetorit 1991 në ballinë kishte kryetitullin “Shkollat janë tonat, ato nuk i japim”, ndërsa mbititullin “Në tërë Kosovën protestë e qetë e nxënëseve, studentëve, arsimtarëve dhe prindëve shqiptarë”. Një nga titujt tjerë ishte: “U arrestuan dhe u maltretuan shumë pjesëmarrës të protestës së qetë”.
Nga protestat kudo në Kosovë kundër mbylljes së shkollave shqipe botoheshin edhe fofografi me raportimet në ballinë e në faqet vijuese të gazetës “Bujku”…
Titujt e gazetës si dëshmi i lexoj edhe në një film dokumentar nga greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë, të nisur nga simboli i rezistencës Adem Demaçi, në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, të zhvilluar nga 24 Maji deri në 3 Qershor të vitit 1993.
Trokëllima e telexit, të lidhjes së vetme të mundëshme nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, të raportimeve që bëja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, duke nisur nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe. Flas në dokumentar: “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”
Në atë mbrëmje të 31 Majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po vijonte të bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim…
***
“NA E MORËN SHKOLLËN…”
Para 29 viteve, në 2 Tetor 1991, kam shkruar këtë skicë me titull “Na e morën shkollën…”, botuar të nesërmen – në 3 Tetor 1991 në gazetën e rezistencës “Bujku”:
Dy tetor ’91, ora tetë e tridhjetë e pesë, gjashtë, shtatë…minuta. Përjashta shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në rrugë, shumë fëmijë – nxënës, edhe arsimtarë e prindër të fëmijëve shqiptarë. Te dyert e shkollës – policia.
Brenda në shkollë, nga dritaret e mëdha, shihen klasët e zbrazëta, edhe klasë ku mësim ka vetëm – serbisht.
Nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nuk u lejohet të hyjnë në shkollë. Në sytë e fëmijëve lotët: “Na e morën edhe shkollën…”
Fëmijët serbë e malazez nga dritaret e shkollës i gërgasin fëmijët shqiptarë, ua ngrenë tre gishtërinj, i shajnë…(O zot, a edhe fëmijët i mbushën mizori, si mundet i madhi t’ia jepë të voglit atë mësim të keq?!)
Fëmijët shqiptarë as që shikojnë andej. I shikojnë punët e veta dhe protestojnë qetë, me urti. Nuk ua tremb qetësinë as aeroplani ushtarak plot zhurmë që fluturon mbi qytet, mbi kokat e tyre. Duket se asgjë më nuk u bën përshtypje, nuk i tremb, as ai “zog frikësimi” në hava.
Qëndrojnë, protestojnë, nuk pajtohen kurrësesi t’ua marrin shkollën.
Shkollën me emrin e bukur të tribunit Hasan Prishtina. Ai ua mëson nga përjetësia e librat edhe këtë trimëri të urtisë…
***
DISA NGA RAPORTIMET E MIA TË 30 SHTATORIT E 1 TETORIT 1997:
PROTESTAT NE KOSOVE FILLOJNE ME 1 TETOR -Keshilli Organizativ
PRISHTINE, 30 shtator /ATSH-Behlul Jashari/ – Keshilli
Organizativ ne nivel te Universitetit te Prishtines vendosi dje
qe protestat paqesore te studenteve per lirimin e objekteve te
pushtuara shkollore e universitare do te fillojne me 1 tetor,
beri te ditur njeri nga udheheqesit e Unionit te Pavarur te
Studenteve, Albin Kurti.
“Pas takimeve qe paten perfaqesuesit e studenteve ne
Keshillin Organizativ ne nivel te Universitetit te Prishtines,
per protestat paqesore studentore, me presidentin e Republikes
se Kosoves dr. Ibrahim Rugova, si dhe me delegacionin e diplomateve
europiane dhe amerikane, qe qendruan dje ne Kosove, konfirmojme
edhe nje here qe protestat do te fillojne me 1 tetor 1997″,
thuhet ne vendimit e Keshillit Organizativ.
Unionit i Pavarur i Studenteve te Universitetit te Prishtines.
do te jape sot nje konference per shtyp./MY/kled/
PROTESTAT PAQESORE NE KOSOVE DO TE FILLOJNE NESER PARADITE
PRISHTINE, 30 shtator /ATSH/- Ne Kosove protestat paqesore
studentore per lirimin e objekteve te pushtuara arsimore do te
fillojne me 1 tetor ne oren 10:30, -behet e ditur per ATSH-ne
nga Keshilli Organizativ i Universitetit te Prishtines.
Protestat e studenteve, te debuar 7 vjet me pare nga objektet
shkollore dhe universitare prej autoriteteve serbe do te fillojne
me marshimin drejt qendres se qytetit te Prishtines, ku do te
kalohet pergjate shetitores kryesore te qytetit dhe me pas ne
lagjet e tij.
Studentet do te mbajne distiktiva si shenja identifikuese
dhe eshte kerkuar qe ata te jene te veshur me te bardha nga
brezi e lart. Ne protesta nuk do te kete brohoritje, pasi te gjitha
mesazhet dhe kerkesat e studenteve do te jene te shkruara neper
pankarta.
Kujdestaret per mbajtjen e rendit do te jene studente qe do te
mbajne shirit te kuq, kurse studentet vezhgues te protestave
do te mbajne shirit te kalter.
Ne kete menyre do te veprohet edhe ne qytetet e tjera te
Republikes se Kosoves, ne te cilat ndodhen shkollat e larta te
Universitetit te Prishtines.
Keshilli Organizativ i ka bere thirrje qytetareve qe te
solidarizohen me kete proteste paqesore te studenteve duke dale
se bashku me ta ne rruge dhe duke iu nenshtruar me perpikeri
strategjise se studenteve. Qytetaret duhet te jene te qete e te
heshtur, -kumtohet nga Keshilli Organizativ.
Sot ne Prishtine, nje dite para fillimit te protestave,
Unioni i Pavarur Studentor do te zhvilloje nje konference
shtypi. /B.J/AG/kled/