• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lulzim Basha “qetëson” ambasadorët

February 18, 2014 by dgreca

Ja arsyet e protestës, do jetë paqësore/

2 dite para protestës së thirrur nga  Partia Demokratike, kryetari Lulzim Basha ka shtruar një drekë pune për  Ambasadorët e akredituar në Tiranë, për ti njohur gjerësisht me shqetësimet që bënë të thirrej kjo protestë, por dhe për ti garantuar ata për mbarëvajtjen e saj.Basha ka njohur Ambasadorët lidhur me shqetësimet e fundit politike dhe sociale në vend, duke filluar nga vendimet e qeverisë, të cilat në syrin e opozitës janë arbitrare dhe jashtë themeleve kushtetuese.

Këtu ai ka përmendur moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Aktin Normativ për Nëpunësin civil, por dhe mbi tentativën e qeverisë për ta ndryshuar në themele atë ligj, ndryshime që sipas Bashës synojnë që në administratë të mos ketë më nëpunës që mbrohet me status.Gjithashtu Ambasadorët janë njohur dhe me vendimin e opozitës për të mos u bërë pjesë e reformës administrative-territoriale, pa u garantuar më parë votimi me konsensus i kësaj reforme.Në drekën e punës me Ambasadorët, jashtë vëmendjes nuk është lënë edhe situata ekonomike në vend, por dhe situata e rendit.Partia Demokratike ka thirrur më 20 shkurt në orën 14:00 një marshim proteste, ku ka ftuar qytetarët të bëhen barrikadë kundër mashtrimeve, varfërisë dhe arbitraritetit.

Basha nga Shkodra: Marshimi ynë për t’i vënë kufij gënjeshtrës, paaftësisë, arbitraritetit

Nga qyteti i Shkodrës, kreu i opozitës, Lulzim Bashka bëri thirrje për pjesëmarrje të rinisë shkodrane dhe shqiptarëve në protestën e 20 shkurtit, kundër çiftit Rama-Meta. Kreu i demokratëve tha se shkodranët duhet të dalin në protestë kundër premtimeve të pambajtura të qeverisë Rama.Lulzim Basha premtoi një protestë paqësore, ashtu siç edhe demokratëve iu ka hije tha ai, ndërsa shtoi se protesta do të jetë një leksion për pushtetarët.Kryetari i opozitës u shpreh gjithashtu se nuk ka qeveri që i bën rezistencë bashkimit të popullit, e cila sipas tij vetëm sa kërkon zbatimin e ligjit.

Fjala e plotë

Dhe ja po takohemi sërish, me një entuziazëm  të madh, tipik për Partinë Demokratike këtu në Shkodër por të jashtëzakonshëm, takohemi në atmosferën e një  ringjalljeje dhe shpërthimi të fuqishëm të shpresës, si të mos kenë kaluar vetëm  katër  javë, por shumë me tepër që kur u takuam për herë të fundit. Ju mund ta dini dhe sigurisht e dini më mirë se unë  në tërësi  të vërtetën e këtij   ndryshimi kaq të shpejtë,  kaq prekës dhe kaq frymëzues. Më lejoni të them përshtypjen time, mendimin tim, pse jo bindjen time për këtë. Është rinia. Po vjen  rinia. Ka ardhur rinia. Ja, kjo rini e bukur, e çiltër, e  mësuar, e kultivuar, e vendosur, bashkëkohore, moderne, atdhetare, shqiptare, europiane që shohim në këtë sallë  dhe përtej mureve  të kësaj salle anembanë Shkodrës, anembanë Shqipërisë.

Brezi i ri po vërshon në dyert e hapura të shtëpisë së madhe të lirisë të Partinë Demokratike. Ky  është  lajmi më  i mirë jo vetëm për demokracinë  anembanë vendit, por për demokracinë dhe për shpresën  shqiptare në këtë kohë  të zymtë kur  vendi bombardohet çdo ditë me lajme që flasin  vetëm për përkeqësim të gjendjes ekonomike dhe shoqërore, vetëm për rënie të treguesve të  punësimit, zhvillimit, konsumit, investimeve, vetëm për rritje  në krahun tjetër të treguesve të varfërisë,  krimit, trafiqeve, drogës, korrupsionit; vetëm për  rritje të rreziqeve që kërcënojnë gjithmonë e më shumë aspiratën mbarëpopullore të  integrimit të vendit në Europë dhe vetë demokracinë  në kolonat  e saj të  ligjit, të drejtave dhe lirive.

Prapa këtij realiteti  gjithnjë e më dramatik është  qeveria Rama-Meta e cila tallet sa bukur ua hodhi shqiptarëve me premtime kallpe. Është qeveria  që përzien çdo ditë  ngjyrat e bojërave të dala boje  për qeverisjen propagandistike. Qeveria që provokon dhe tenton me të gjithë format e paligjshmërisë dhe pandershmërisë të  pushtojë administratën publike, të kapë institucionet, të kapë shtetin, të  zhbëjë gjithçka  kemi arritur këto vite me Kushtetutë, ligj, demokraci dhe konsensus. Qeveria që kërkon të  kthejë prapa demokracinë, të vendosë  oligarkinë me para të pista dhe vota të blera mes tyre,  me  deputetë të peshkuar në format më të neveritshme të poshtërimit të votës së lirë dhe dinjitetit të qytetarëve.

Rinia e ka kuptuar, shqiptarët i madh e i vogël e kanë kuptuar dhe po e kuptojmë: Rilindja  doli  rrenë! Puna e Rilindjes ishte loja, dhe kjo lojë s’ka të bëjë fare me hallet dhe problemet e shqiptarëve, me dëshirat dhe projektet e shqiptarëve, me të ardhmen e shqiptarëve, me të ardhmen tuaj,  por vetëm me interesat e ngushta të  atyre që e nxorën në tregun e politikës  si Kalin e Trojës.

Prandaj po vërshon  rinia në partinë më të madhe të opozitës; prandaj po ngrihet e do ngrihet kudo fryma e protestës së fuqishme  qytetare; po ngrihen njerëzit e lirë, po ngrihen populli  shqiptar, që në të mirë  e në të keqe,  e ka bërë shkollën e demokracisë gjatë këtyre dy dekadave. Kanë njohur e shijuar frytet e demokracisë  gjatë këtyre viteve  dhe nuk pajtohen  në asnjë mënyrë  as me  shartime neoenveriste, as me kthim prapa të demokracisë shqiptarë për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë.

Shkodra, jo vetëm nuk do të mungojë  në  vërshimin e madh të rinisë shqiptare drejt Partisë Demokratike, në zgjimin  e madh të shpirtit të lirë  protestues të shqiptarëve, por, më lejoni ta them me bindje dhe zë të lartë:

Shkodra nuk mund të mos jetë e para! E ka detyrë ndaj të parëve, brezave dhe së ardhmes që të jetë e para.

E para për ringritjen, e para për shpresën, e para për të ardhmen,  e para, pse jo, edhe në marshin e protestës popullore të   përkujtimit  dhe protestës që kemi thirrur në Tiranë  këtë të enjte, në 23 vjetorin e rrëzimit të  monumentit të Enver Hoxhës si  personifikim dhe simbol  i diktaturës gjysmëshekullore.

20 shkurti i vitit 1991  është një  ngjarje e  shënuar në historinë e demokracisë dhe qytetarisë shqiptare. Në këtë ditë rinia, studentët  dhe njerëzit e lirë vërshuan në sheshin  “Skënderbej”  dhe duke sfiduar me trimëri të rrallë dhunën policore,  rrëzuan përmendoren hijerëndë  të atij që e kishte rrëzuar në mundime,  në mjerim dhe  izolim të papërshkrueshëm  popullin  e vetë gjatë sundimit të tij gjakatar.  Ishte përmbysja e madhe, ndarja  e madhe dhe drejtësia e madhe me diktatorin që vetëm populli i lirë mund ta bëjë dhe e bëri.

Nga Shkodra, përkulemi me  nderim dhe respekt  të thellë para atyre qytetarëve, para rinisë së Tiranës, para  të gjithë atyre burrave dhe grave që u mblodhën në sheshin “Skënderbej” atë ditë, para  qytetarëve trima e kurajozë që kanë shënuar emrat  e tyre në panteonin e historisë kombëtare si njerëzit që  rrëzuan monumentin e Stalinit të Shqipërisë.

“Lirinë e meritojnë vetëm ata që përballen çdo ditë për të”, thotë një sentencë  e njohur.

Koha që po jetojmë, me  qeverinë Rama-Meta në pushtet që ka tendencën e qartë  për t’u instaluar jo si një  qeveri normale e përgjegjshme, por si një oligarki antidemokratike,  na thërret të  ngrihemi, të  dalim në shesh, të tregojmë forcën e opozitës dhe të  Shqipërisë  së lirë për t’u dalë zot lirive të rrezikuara e ligjit të dhunuar,  për të mbajtur hapur me çdo kusht rrugën e Europës, për të  demaskuar me  fuqinë e bashkimit  mashtrimet dhe dështimet e qeverisë,  për të ndaluar me sa kemi në dorë rrokullisjen dhe  krizën e gjithanshme, para se kriza e gjithanshme para se ta këtë zënë  vendin dhe qytetarët nën gërmadhat e saj.

Kryeministri nuk është padroni i këtij vendi por një i punësuar i tij. Për ketë do të marshojmë të enjten. Ti tregojmë kufijtë arbitrares, gënjeshtrës dhe paaftësisë. Për ne është i qarte roli i pushtetarit, për vllazninë antishtet jo. Të gjithë në shesh, si europiane te vendosur, ti japim një leksion demokracie oligarkëve të rinj. Protesta do jete paqësore, do të jetë dinjitoze, ashtu siç i ka hije Shqipërisë, siç i ka hije demokratëve, siç i ka hije mijëvjeçarit te ri, Shqipërisë moderne europiane që ne përfaqësojmë e që do të përfaqësojmë gjithmonë.

Si gjithmonë, dua të jem shumë i hapur me ju, zonja dhe zotërinj shkodranë, vëllezër dhe motra demokratë dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë. Me premtimet e tij kolosale për vota, të cilat  i braktisi   sapo hodhi lumin, Edi Rama ka vendosur një rekord që nuk e kemi parë në asnjë  demokraci në botë. Ai e bëri këtë duke shkuar me mendimin se ajo që demokracia e quan kontratë vote është një rreckë, se populli ka qejf të gënjehet, se populli harron, por edhe nëse nuk harron, nuk ka çfarë bën se nuk më kap dot në zyrat e mia!

Me marshimin tonë të protestës, ne u krijojmë  mundësinë  çdo qytetari, gjithë kategorive  të qytetarëve shqiptarë që e  gjejnë  vetën e tyre  në serinë e mashtrimeve të njohura elektorale të Edi Ramës të dalin dhe ti thonë  atij me zërin e  fuqishëm  të  bashkimit se nuk kemi harruar ne, por ke harruar ti mashtrues, nuk jemi  gënjyer ne por ke gënjyer ti gënjeshtar, na ke borxh, duhet të  mbash fjalët ose të kthesh votat që ke marrë, që nuk ti kemi dhënë për revansh, por për të  na bërë legalizimet  falas, shëndetësinë falas,  çmime  të ulura, vende  te reja pune,  e tjerë e tjerë premtime me të cilat mori votat.

Marshimi kundër mashtrimeve është  një mësim, një leksion që  politikanët duhet ta mësojë sot e përgjithmonë,  është  vendosja  e  një vije të re, e një raporti të ri midis popullit  dhe politikës  me qëllim që të marrë fund praktika e shëmtuar e  mashtrimeve elektorale për vota. Duke bërë këtë, populli, qytetarët po   hapin rrugën e tyre drejt së ardhmes. Ata që nuk e bëjnë  i japin qytetari gënjeshtrës , i japin shtetësi mashtrimit, dhe s’kanë pse të presin ditë të mira. Dua të  vazhdoj të jem i hapur me ju si kryetari i ri i opozitës,  si një politikan i brezit të ri që ka një ëndërr për ta parë Shqipërinë në Europë dhe për  të vendosur  në vend demokracinë e re, demokracinë pjesëmarrëse si një element i munguar i demokracisë së derisotme.

Opozita është një forcë e madhe,  por jo gjithnjë forca  në demokraci. Ne kundërshtuam me forcën e argumenteve Aktin Normativ për Nëpunësin Civil, përshembull. Nuk e fituam këtë  betejë në Kuvend, ku për fat të keq argumenti vazhdon të jetë bira e fundit e kavallit. E vazhduam betejën në Gjykatën Kushtetuese dhe e fituam.  Por  Rama-Meta, siç dihet botërisht, siç e dini edhe ju, atë që  nuk e  morën dot me një akt antikushtetues duan ta marrin me një ligj antikushtetues dhe antikonsensus duke rrezikuar seriozisht marrjen e statusit edhe në qershor. Opozita ka detyrimin tu  argumentoje shqiptarëve pasojat e gjithë kësaj arrogance dhe këtij  arbitrariteti  për jetën  dhe ëndrrën e tyre. Opozita ka detyrimin të zhvillojë brenda hapësirave parlamentare gjithë betejat politike në  mbrojtje të demokracisë.

Po më tej?  Si t’ja bëjmë?  Si t’i ndalojmë, kur këta as për parlament nuk pyesin, as për kushtetutë nuk pyesin, as për  konsensus nuk pyesin, as për standarde nuk pyesin, as për vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk pyesin. Përgjigja është një dhe vetëm një:  sheshi, marshimi, protesta. Kur opozita dhe populli bashkohen në  një qëllim për ligjin dhe kushtetutën, për liritë dhe të drejtat nuk ka qeveri arbitrare që t’u rezistojë. Të marshojmë të enjten!

Me rininë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me njerëzit e lirë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me  Partinë Demokratike  dhe opozitën që do t’i prij  këtij zemërimi popullor, që nuk mund të kthehet prapa, sepse demokracia shqiptare  nuk mund ta ulë kokë, por do të lëshohet përpara shumë më e fortë, shumë më e sigurt. Demokracia është fati i popullit në duart e popullit. Këtë na kanë mësuar etërit e saj,  këtë na ka mësuar  historia, kështu  ka qenë  e kështu  do të jetë.

Të  gjithë në sheshin e  krenarisë  dhe dinjitetit për të shkruar një faqe të re në historinë e qytetërimit tonë, faqen e papajtueshmërisë me mashtrimet, faqen e papajtueshmërisë me dështimet, faqen e papajtueshmërisë më vllazninë antidemokratike, antishtet, faqen e marrjes  në mbrojtje si asnjëherë tjetër  të demokracisë, që  është pasuria e më e madhe e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: ambasadoret, Basha, Protesta

Protestat janë gur prove për shoqërinë demokratike!

February 13, 2014 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

Në një shoqëri demokratike qytetarët kanë të drejtë të grumbullohen në mënyrë paqësore dhe të protestojnë kundër politikës së qeverisë apo kundër veprimeve të grupeve të tjera me demonstrata, marshime, peticione, bojkotime, greva dhe forma të tjera të veprimit të drejtpërdrejtë të shtetasve.
Veprimet e drejtpërdrejta janë të mundshme për të gjithë në një shoqëri demokratike, por zakonisht janë përdorur nga grupet e shtypura, të papërkrahura apo grupet e pakicave, të cilët kanë qenë të përjashtuar nga çdo mundësi tjetër për të ndikuar në politikën qeveritare. Protesta të tilla kanë qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë demokratike. Në ditët tona, protestat paqësore, që shpesh synojnë të tërheqin vëmendjen e mjeteve të informacionit, përfshijnë një varg të gjatë problemesh, duke filluar nga ndotja e mjedisit deri te armët bërthamore, çështje të politikës ndërkombëtare dhe diskriminimi racial dhe etnik. Formë e veçantë e veprimeve të drejtpërdrejta është e drejta e sindikatave për të organizuar greva kundër punëdhënësve, me të cilët ato kanë mosmarrëveshje që nuk janë zgjidhur me anë të bisedimeve.
Protestat janë gur prove për çdo shoqëri demokratike. Idealet e shprehjes së lirë dhe të pjesëmarrjes së shtetasve në jetën e shoqërisë mbrohen lehtë kur të gjithë tregohen të sjellshëm dhe pajtohen për çështje kryesore. Por kur protestuesit dhe objektet e protestës së tyre nuk pajtohen për çështjet kryesore, mosmarrëveshje të tilla mund të jenë të zjarrta dhe të acaruara. Në të tilla raste mbetet vetëm një mundësi, ajo e ruajtjes së ekuilibrit, e mbrojtjes së të drejtës për lirinë e fjalës dhe të grumbullimit, gjithmonë duke mbrojtur rendin publik dhe duke kundërshtuar çdo orvatje për kërcënim ose përdorim dhune. Të shtypësh një protestë paqësore në emër të ruajtjes së rendit, do të thotë t’i hapësh rrugën shtypjes; të lejosh protesta të shfrenuara e të dhunshme, do të thotë t’i hapësh rrugën anarkisë.
Për arritjen e një ekuilibri të tillë nuk mund të jepen formula magjike. Në fund të fundit, një gjë e tillë varet nga përkushtimi i shumicës për të mbrojtur institucionet e demokracisë dhe parimet e të drejtave të individit. Shoqëritë demokratike janë në gjendje të përballojnë edhe mosmarrëveshjet më të hidhura midis shtetasve, me përjashtim të atyre mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me përligjjen e vetë demokracisë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: demokracine, faik Krasniqi, gure prove, Protesta

Protesta ndaj vendimit në çështjen Zimmerman

July 15, 2013 by dgreca

Protesta paqësore, por të ngarkuara me emocione kanë shpërthyer në një numër qytetesh amerikane pasi një banor i Floridës u shpall i pafajshëm lidhur me akuzat për vrasje me paramendim dhe vrasje aksidentale, në gjyqin që pasoi vdekjen e një adoleshenti afrikano-amerikan vjet. Presidenti Barak Obama bëri thirrje për qetësi dje, pas shpalljes së vendimit. Në një deklaratë me shkrim, zoti Obama e cilëson vdekjen e adoleshentit Trayvon Martin një tragjedi si për familjen ashtu edhe për Amerikën. Por ai bëri thirrje për reflektim paqësor duke shtuar, “ne jemi një vend ku sundon ligji, dhe trupi gjykues e tha fjalën e tij”.
Vendimet gjyqësore në çështje të ngarkuara me ngjyrime racore kanë shkaktuar në disa raste protesta dhe trazira masive. Në vitin 1992 disa policë të Los Anxhelosit u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për rrahjen e një afrikano-amerikani. Vendimi u pasua me protesta të dhunshme, akte vandalizmi, plaçkitje dhe kaos. Dhjetra vetë gjetën vdekjen, qindra të tjerë u plagosën dhe dëmet materiale kapën shumën 1 miliard dollarë.
Në dallim nga trazira të tilla, protestat pas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarit George Zimmerman kanë qenë relativisht paqësore. Të shtunën në mbrëmje, trupi gjykues i përbërë nga gjashtë gra, deklaroi vendimin në një ndër proceset gjyqësore që tërhoqën vëmendjen më të madhe publike gjatë viteve të fundit:
Një ndër avokatët e familjes së 17-vjeçarit të vrarë Trayvon Martin, dha komente në programin Fox News Sunday. Darryl Parks e cilësoi si të pabesueshëm vendimin, por tha se familja Martin do që publiku të reagojë pa dhunë.
“Ky është vendimi i trupit gjykues. Ne e pranojmë vendimin, por nuk jemi dakord me të”.
Në vitin 2012, George Zimmerman, gjatë një patrullimi vullnetar të lagjes ku banonte, pa 17-vjeçarin Trayvon Martin duke ecur nëpër lagje. Të dy ata u ngacmuan me fjalë, gjë që çoi në ballafaqim, si rezultat ata u përleshën dhe incidenti përfundoi me vrasjen e adoleshentit nga Zimmerman.
Seanca gjyqësore nxori në pah dëshmi kundërthënëse lidhur me personin që ishte nismëtari i konfliktit dhe me pyetjen nëse Zimmerman kishte reaguar në vetëmbrojtje.
Anëtari i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, republikani Orrin Hatch u shpreh se u dha vendimi i duhur. Ai i bëri komentet në programin This Week:
“Nëse procesi bazohet mbi kushtin se duhet provuar fajësia përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, duhet të pranojmë se kishte plot dyshime të arsyeshme lidhur me fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit”.
Megjithëse është shpallur i pafajshëm në një gjykatë penale, Zimmerman mund të nxirret përsëri në gjyq, këtë radhë në një gjykatë civile nëse familja Martin ose Departamenti i Drejtësisë vendosin të ndjekin këtë pistë.(Kortezi: Michael Bowman)

Filed Under: Kronike Tagged With: antizimerman, Protesta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT