• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AUTORI REMZI GJIKA PREZANTOHET SI ARTIST I PROZËS SË SHKURTËR

April 8, 2015 by dgreca

Analizë telegrafike e librit “Porta e mundimeve”, shkruar nga Remzi Haxhi Gjika/
Shkruan: MSC. Albert HABAZAJ/
Lexuesi vlonjat e më gjerë ka një dorë një libër të ri që të shkakton tri ndjesi: të bën dhe të qash, dhe të qeshësh, dhe të reflektosh. Qysh në 12 rreshtat e prezantimit të librit “Porta e mundimeve”, kuptojmë se kemi të bëjmë me një autor të arsimuar dhe me talent, me një prozator qytetar, me botë humane, me një staturë të lartë familjare e sociale. Qyteti i Vlorës dhe qarku i tij e njeh mirë dhe e respekton autorin e kësaj monografie, Remzi Gjikën, sepse ka qenë e ngelet një nga simbolet e arsimit dhe të kulturës së qytetit, kudo që të jetojë ky njeri, brenda apo jashtë kufijve shtetërorë. Ky admirim nuk kushtëzohet vetëm nga që ai ka qenë në krye të Seksionit të Arsimit për një kohë, që mbahet mend se la gjurmë progresiste në memorien e shoqërisë, por sidomos nga shpirti i tij si koshere me mirësi, si dhe nga mendimi i tij vizionar për t’u përmirësuar duke përparuar. Ky libër temën e merr nga jeta e mërgimtarit të sotëm. Në aspektin kohor, libri rrok periudhën që nis nga prilli 1993 e shtrihet për mbi 10 vjet, ndërsa si hapësirë, ku veprojnë personat realë të shndërruar në personazhe artistikë rrok territoret Shqipëri, Greqi, Spanjë etj. Autori i ka veshur librit kostumin e një proze të shkurtër me element të mirëfilltë të etnologjisë së sotme. Nga shkalla e njohjes që kam, gjykoj se, etnologu më i mirë që ka Shqipëria, Akademik Mark Tirta, apo antropologu Nebi Bardhoshi, sa t’u bjerë në dorë ky tekst e pasi ta studjojë këtë libër, do ta kenë në referencat e tyre bibliografike në fushën e endetëbrishtës Antropologji Sociale. “Portën e mundimeve”, me 30 ese letrare, si lexues i vëmendshëm, e vlerësoj pozitivisht, ndërsa si specialist i librit, pra si katalogues, e klasifikoj këtë monografi në letërsinë shqipe si prozë sociale, në llojin e esesë, pothuaj, si prozë e shkurtër, ku ka edhe përshkrime udhëtimi të këndshme. Emigracioni shqiptar në Greqi nga “Porta e mundimeve” vjen te lexuesi me një titull të thjeshtë, kuptimplotë dhe metaforik, të cilën autori e quan edhe “Portë xhehnemi”. Tek ky libër, Remzi Gjika na shfaqet edhe si autor edhe si personazh. Ai ëshët një pelegrin mesdhetar nga Vlora në Athinë, në Madrid, në Bruzh e gjetkë, me kulturën tradicionale të identitetit lab e vlonjat dhe me respektin për kulturën globale. Pjalmi letrar ndihet qysh në esenë çelëse të librit, që lexuesi e shijon artistikisht në trajtën e një fjalie similitudë, të cilën autori R. Gjika na e paraqet: “Pika kufitare ngjante si një fole e prishur milingonash”. Qysh në fillim të librit evidentohet mjeshtëria artistike e prozatorit Gjika dhe ne kuptojmë aftësinë e tij për të dhënë me anë të figurave artistike bukurinë dhe të vërtetën e jetës, qoftë edhe në “Portën e mundimeve” e brenda saj. Me këtë libër, autori jep një kontribut që duhet për pasurimin e fjalorit frazeologjik shqiptar. Kemi të bëjmë me një libër që na jep modelin e esesë. Do të më falni, por ndjej detyrimin për një sqarim ndaj lexuesit dhe dëgjuesit të nderuar. Ç’është kjo eseja? (se e kemi dëgjuar të përdoret shpesh si term, por vend e pavend, me e pakuptim, shpesh për t’u shfaqur i ditur). Eseja është sprovë (jo në kuptimin e drejtpërdrejtë si provë e vështirë, sprovat e jetës, periudhë sprove, por në kuptimin e një studimi për një çështje shkencore, shoqërore, letrare etj., me një vështrim të parë të përgjithshëm [Fjalori i Gjuhës Shqipe, 2006, f. 979]. Esé – ja është fjalë me burim francez [essai = provë] ose sprovë. Është një vepër e shkruar, studim, që nuk e trajton gjer në fund një çështje, por që vetëm paraqet disa ide të cilat mund të shërbejnë për t’u thelluar në të. Kujtojmë “Esé mbi të kuptuarit njerëzor” të Lokut, [Fjalor Enciklopedik Shqiptar, 2001, f.51], “Autobiografi e popullit në vargje” e Kadaresë etj.
Rikthehemi në tekst: në të 30 esetë, sidomos në prozat me titull “Rruga e halleve”, “Në punë”,”Halle e humor”, “Më mirë po mësoj unë shqip”, “Fati i kopështarit”, “Mjeshtër Sotiri”, “Turistët e fuçisë”, “Intervista”, “Takim me Don Kishotin”, “Porta e mudimeve” etj., vërejmë shkrirjen organike të prirjes talentore të autorit me të kuptuarit e botës, me njohjen e thellë të jetës, me përvojën e pasur jetësore, gërshetuar me aftësitë e larta profesionale, si kontribues në Sagën e Mërgimit të Ri, në stilin e narratorit realist. Mesazhet që marrim nga ky libër na bëjnë të kuptojmë se, së pari, kush punon me duar e tij është punëtor (në tulla qoftë, në llaç, në mermer, në transport a kopështar). (Jo vetëm grekët, por të gjithë njerëzit e komunitetet s’të duan për kollare e punë zyre, se janë vetë). Refugjati, shkalla më e ulët cilësore e emigrimit është për punë të rënda dhe shumë të rënda. Edhe Remziu nuk mund të bënte përjashtim nga kjo valë masive e pashmangshme në fillimet refugjate. Këtë libër më mirë nga të gjithë e kuptojnë dhe e përjetojnë ata që kanë qenë në emigrim gjatë periudhës së vështrirë të tranzicionit, apo edhe këta që janë akoma larg Atdheut të përbashkët me synime jetësore, ekonomike, sociale e arsimore. Mesazhi i dytë që marrim nga ky librër është se, kush punon me duart dhe me mendjen e tij është mjeshtër. Me kalimin e viteve, edhe Remziu u përshtat dhe evidentoi vlerat e tij, sipas kushteve që i kërkoi skena e jetës mërgimtare. U bë mjeshtër i respektuar atje, në punë me punëdhënësit grekë, në familjen e tij dinjitoze me zonjën e urtë e fisnike Leta dhe fëmijët e shkëlqyer në sjellje e në mësime, dhe po atje, në vend të huaj, me shoqërinë shqiptare në mërgim “Vëllazërimi” me njerëz me virtyte si Miftar Kurti etj. Mesazhi i tretë më marrim nga libri është se, kush punon me duar e tij, me mendjen e tij dhe me zemrën e tij, është artist. Remziu e arriti këtë stad me botimin e këtij libri, në të cilin sinkretizohen kultura diturore, talenti artistike, kujtesa vetiake, kujtesa popullore, dëshmitarë dhe dokumente autentike, kur kryedokumenti është vetë jeta e tij 10 vjet në mërgim, pa të cilën ky libër, që qëndron kaq bukur në këmbë s’do të ishte, ose do të ishte çalaman. Siç e shpreha, qysh në prozën e parë, autori na fut në situatë në kohë dhe në hapësirë, me njerëz konkretë, që me një gjuhë të zgjedhur, të kujdeshsme, të qëruar, të pastër na bën pasqyrimin artistik të realitetit shqiptar në vitet e sapobulëzuara të demokracisë ndër këto vise të Ballkanit Jugperëndimor. Mendoj se te personazhi simpatik i Sotirit, çdo emigrant shqiptar shikon vetveten në lëvizjet fillimtare jo vetëm drejt gjitonit, fqinjit të vjetër jugor. Me një frazë lakonike, por të shkruar me art, me dashuri e vërtetësi, shfaqet një ndjenjë fisnikërisht solidariteti ndër shqiptarë në kohë të vështira sidomos e në vend të huaj. Veçse, këtë ndjenjë të lartë humane s’ e kemi vetëm ne. E kanë edhe popujt e tjerë të botës. Është meritë e autorit që na e paraqet solidaritetin si pronë universale. Ndjenja e solidaritetit dhe e shpresës për t’u përmirësuar duke përparuar, ndihet qysh kur Sotiri, personazhi i parë dhe më i dashur i autorit (apo ndoshta alteregoja e tij), autotallet, kur thotë se u bë qytetari i Athinës për 3 orë e deri tek ëndrrat e bukura për Lungomaren, që Vlora jonë e përbashkët të bëhet vërtet një Venecie shqiptare apo një Aleksandri e vogël adriatike. Kështu libri bëhet më tërheqës e përpihet nga lexuesi, jo vetëm se shkrimet janë të shkurtra e jetësore, por se gjatë leximit shijojmë edhe një lloj lëngu letrar me burim nga kultura shpirtërore e popullit tone: talljen e hollë, një ironi e shëndetshme, pa përbuzje. Mjaft nga tregimet e autorit të bëjnë të qeshësh me lot (aq më tepër një ish – emigrant si puna ime, veçse jo në jug të Gadishullit të Ballkanit, por në Gadishullin Apenin). Kujtojmë dialogun në punë të Veliut që bë Vasil me usta Jorgon, i cili e kishte provuar vetë emigrimin dikur në Gjermani. Prozat e vogla të Remzi Gjikës më ngjajnë si bijëza të skicave të Nonda Bulkës e na bëjnë të kujtojmë thënien e madhe noliane: “Qesh prej zorit,/ qaj prej gazit!…”. Kjo është vlerë e kulturës letrare të autorit. Ka një gjë të veçantë ky libër. Na kanë ardhur në komunikimin tonë natyrshëm, pa sforcim, shumë fjalë e shprehje të përditshme të gjuhës greke, kuptohet të gjuhës popullore greke, të komunikimit të punës midis njerëzve punëdhënës vendas dhe punëmarrës, (punëbërës më saktë), të huaj. Dhe me kaq fjalë greqisht që ka libri, Remziu mund të hartojë një manual, një doracak dy gjuhësh shqip – greqisht, sjellur si prurje e gjuhës së punës. Do të kisha shumë dëshirë të bëja sidomos analizën e figurave stilistike të veprës së autorit R. Gjika dhe sinqerisht do ta realizoja, sepse ndjej edhe kënaqësi estektike nga ky libër, por programi kaq hapësira më la, sa për të bërë një vështrim të përgjithshëm, sepse do të kumtojnë edhe miq të tjerë të fjalës, sepse Remzi Gjikën e vlerësoj si njeri të veprimit e pasqyrues letrar të jetës reale, jo të lavdive false, sepse njerëz si ai, punën e kthejnë në art dhe argëtohen edhe vetë, duke na dhënë mesazhe për rregullimin e zbukurimin e Shqipërisë, sipas përvojës së botës qytetare. Shpesh herë, gjatë leximit, shprehim nëpërmjet pyetjeve: “Po këtu?”, “Po ne?” shqetësimin bashkëkohor qytetar dhe intelektual. “Muzika nuk do përkthim”, shkruan autori në një esé. Dikur, në një shkrim të botuar, këngëtarët e gadishullit tonë të vjetër i kam quajtur dasmorë të farefisnisë ballkaniko – mesdhetare dhe i kam cilësuar konsuj vullnetarë të dashurisë mes popujve. Ky libër i R. Gjikës është një urë e sigurtë komunikimi, e ndërtuar jo me gurë, drurë, metal hekur e beton, por me shkronja vërtetësie e respeketi midis shqiptarëve dhe grekëve. Dhe, siç shprehet Profesor Gaçe, është mirë të ndërtojmë ura komunikimi midis kulturave të popujve dhe jo të ngremë mure ndarës.

Vlorë, e mërkurë, 08.04.2015, ora 08:50’

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albert Habazaj, proze e shkurter, Remzi Gjika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT