Flet kompozitori dhe instrumentisti Valentin Veizi: Cesk Zadeja vinte në Konservator me një biçikletë të prishur, në kohën e demokracisë/
-Kurse politikanët shqiptarë, që “të pa brekë i gjeti dreka dhe milionere i gjeti darka” shëtisin me makina luksoze
* “Pyes lotin” dhe “Larg urrejtjes”, dy këngët që kanë zënë çmime të para në 1996-97, kënduar nga Elsa Lila
-Në vitin 1999 mu dha qytetaria amerikane me motivacionin: “I huaj me aftësi të jashtëzakonshme”
-Poemën muzikore “Triumfi i Lavdisë” e kam bërë në shenjë respekti për të vrarët e sulmit terrorist, më 15 prill 2013 në Boston
-Vepra u luajt për herë të parë nga orkestra simfonike e RTV shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit italian Leonardo Quadrini, më 8 prill 2016
– Pjesëmarrja ime e parë në festival i përket vitit 1987 me këngën “I ri gjithmonë”, kënduar nga Telemak Papapano
– Kam bashkëpunuar me Petrit Lulon, Ludmilla Baballëkun, Alma Hyskja, Irma Libohovën, Robert Aliaj, Nertila Koka, Kozma Dushi
-Për sa i përket poetëve janë, Xhevair Spahiu, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rudolf Marku, Jorgo Papingji, Lasgush Poradeci, por më shumë me Arben Dukën
– Në Shkurt të vitit 1998 në Varna të Bullgarisë organizohet festivali “Discover 98”, ku në (d. m. th Elsa Lila) me tre këngë të kompozuara nga unë morëm çmimin e parë
Nga Albert Z. ZHOLI/
Fillimi i krijimtarisë së tij s’ka ditë apo muaj të veçantë. Krijimet e para (këngët e para) i përkasin adoleshencës në qytetin e lindjes, Kuçovë (Qyteti Stalin në atë kohë), ku me kitarën e tij jo vetëm merrte pjesë si instrumentist në aktivitet e shumta të asaj kohe, por edhe shkruante këngë për ato aktivitete si festivale fëmijësh, anketa muzikore apo koncerte të ndryshme. Pra këto janë këngët e para të Valentinit. Kuçova ka pasur një jetë shumë të gjallë artistike me muzikantë shumë të talentuar dhe të përkushtuar. Ishte fëmijë i vogël atëherë dhe dëgjonte Zef Leken që luante piano, Gaqo Terpinin kitare, Luto Hasanin e Nito Lalen fizarmonikë dhe ëndërronte e thoshte me vete:- “A do të arrij unë një ditë të bëhem muzikantë si këta”? Ishin modeli dhe frymëzimi më i mirë për të. Ka punuar deri vonë me muzikantin e talentuar Dhimitër Druga, pra kanë qenë pikërisht këta artistë, të cilët nxitën dëshirën e tij për tu bërë muzikantë.
Kur e keni kompozuar poemën simfonike “The Triumph of Glory”. Ku është luajtur për herë të parë dhe çfarë të nxiti për këtë vepër? Kush është mesazhi i saj? Si do ta përkthenit në shqip atë?
Për Poemën muzikore kam punuar me shumë dëshirë dhe përkushtim për shume vite. Vepra u luajt për herë të parë nga orkestra simfonike e RTV shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Italian Leonardo Quadrini, më 8 prill 2016. Ishte pikërisht ngjarja e rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e Bostonit dhe Amerikën, ishte sulmi terrorist në 15 prill 2013 në ditën e një evenimenti shumë të rëndësishëm në Maratonën e Bostonit që me nxiti mua të ulem ta shkruaj e t’ia dedikoje këtë vepër heronjve dhe viktimave të kësaj tragjedie. E thënë thjesht mesazhi i veprës është lufta midis jetës e vdekjes, heronjtë e veprës sime janë njerëzit e thjeshtë që përpiqen e luftojnë çdo dite përkrah të mirës dhe kundra se ligës. Vepra titullohet “The Triumph of Glory” që unë do ta shqipëroja “Triumfi i Lavdisë”
Pse erdhe në Shqipëri pikërisht për këtë vepër dhe me këtë vepër?
Unë jam e do të mbetem kompozitor shqiptar, është një kompleks ndjenjash tek unë midis gëzimit të madh që krijimtaria ime luhet në atdheun tim dhe detyrimi shpirtëror që unë ndjej për njerëzit e mi (nuk dua ti quaj publikun apo dashamirësit e muzikës sime.) Pse erdha me këtë vepër? E para për vet mesazhin aktual që ka vepra dhe tjetra, publiku këtu më shumë mua më njeh si kompozitor të këngës, pra vendosa kësaj radhe të paraqitem me një vepër simfonike. Në një bisedë vëren e kaluar me miqtë e mi Shpëtim Saraçin e David Tukicin po i flisja për projektin tim simfonik dhe krahas dëshirës sime ishte pikërisht këmbëngulja dhe impenjimi i tyre që unë të sillja një vepër simfonike. Ata i propozuan dhe i dërguan partiturën dirigjentin Italian, ai zgjodhi dhe vendosi ta luajë premierë Poemën time simfonike me orkestrën e RTVSH.
Si vazhdoi shkollimi juaj dhe cilët janë pedagogët që ju kujtoni me respekt?
Sa për shkollimin tim do ta shtrija në vite të tëra… duke filluar që nga fëmijëria ime në Kuçovë me mësuesin tim të parë të muzikës Luto Hasanin, do të vazhdoja me kompozitorin dhe mësuesin e talentuar Vangjo Nova, në shkollën e mesme, e me pas në Konservator si student i Aleksandër Peçit, që përveçse një pedagog e kompozitor i shkëlqyer unë do të thosha që është edhe një personalitet i muzikës Shqiptare.
Në Akademi cilat janë krijimet tuaja që kanë lënë gjurmë?
Në Akademi natyrisht krijimtaria ime (edhe unë bashkë me të) u bë me serioze, më profesionale. Unë kam shkruar shumë gjëra, por ajo që duhet të veçoja janë disa romanca vokale kryesisht për soprano, krijime të ndryshme instrumentale, do të veçoja variacione për violonçel e piano të luajtura në atë kohë nga i talentuari Renato Ripo. Orkestra simfonike e Institutit të Lartë të Arteve ka luajtur 2 kohë nga Suita Simfonike “Dasmë në Gjirokastër” e shumë materiale të tjera.
Festivalet e RTSH, festa të mëdha të muzikës, kur keni marrë pjesë për herë të parë në Festivalet e RTSH dhe çfarë çmimi morët?
Marrja pjesë në Festivalin e RTSH ishte ëndrra e çdo kompozitori në ato kohë, mos të harrojmë që ishte i vetmi festival i këngës që në kishim e s’ishte kollaj të bëheshe pjesë e asaj gare. . . Me gjithë censurën e vështirësitë e shumta të asaj kohe ja kam dale mbanë me disa këngë. Pjesëmarrja ime e parë në Festival i përket vitit 1987 me këngën “ I ri gjithmonë” kënduar nga Telemak Papapano këngë tëcilës i ndryshuan tekstin origjinal dhe i ngjitën një tekst tematik. Në mos gaboj ka qenë 1989, kënga e dytë pjesëmarrëse “Trashëgimi”, poezia e Lasgush Poradecit pasohet më vonë 1991 me këngën “Ne të dy”, kënduar nga Foell Grillo e Pirro Duka. Sa për çmime nuk bëhej fjalë në atë kohë. Ndryshimi i tekstit të këngës bënte të humbiste dhe melodia apo karakteri i këngës e deri të pamundësia për të bashkëpunuar me këngëtaret më të mirë të asaj kohe.
Me cilët këngëtarë keni bashkëpunuar para viteve 1990 dhe me cilët poetë?
Unë kam bashkëpunuar me shume këngëtarë; filloj me Miga Hysin, Petrit Lulon, Ludmilla Baballëkun, Dhimiter Dushin, Alma Hyskja, Foel Grillon, Irma Libohoven e Vasil Markun, Rubin Matin e Robert Aliaj, Nertila Koka, Gëzim Cela e më shumë me patriotin tim, Kozma Dushi. ( më falni nëse kam harruar dikë). Për sa i përket poeteve edhe ata kanë qenë të shumtë, filloj me autorin beratas Manol Teta, Xhevair Spahiu, Ismail Kadare, Dritero Agolli, Rudolf Marku, Jorgo Papingji, Lasgush Poradeci, kam muzikuar mbi poete të huaj si Robert Berns e Johan Fogl, por me shume e me shume sukses kam bashkëpunuar me mjeshtrin e lirikes Shqiptare poetin Arben Duka.
“Pyes lotin” dhe “Larg urrejtjes”, dy këngët tuaja që kanë zënë çmime të para në 1996-97, si erdhën këto bashkëpunime me Elsa Lilën? Si jeni ndjerë me këto çmime?
Pas viteve ’90, i mërzitur dhe i zemëruar nga censurimi i këngëve të mia në heshtje kisha vendosur mos të sillja më këngë në radio, njëkohësisht ishte koha kur unë shërbeja në Kishën Rilindja në Tiranë, si drejtues i grupit muzikor. Mbi vargjet biblike pikërisht nga 1 Korintasve 13 (epërsia e pashoqe e Dashurisë) shkruaj melodinë e këngës “Pyes Lotin”, me ndihmën e një shokut tim dhe poetes Enerjeta Sinja shkruhet dhe përshtatet teksti i këngës. Ishte viti1996, i ftuar në një aktivitet artistik nga një mësuesja ime në një shkolle 8- vjeçare në Tiranë, më bën përshtypje një vajzë e ndrojtur, por me një zë të veçantë, pa më të voglin hezitim thashë ky është zëri që unë dua dhe i propozoj ambicien time për të marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të RTVSH, një propozim “shok” për një fëmije 15vjec, por unë isha i sigurt në ambicien time. Punuan bashkë dhe interpretimi brilant i Elsa Lilës bëri që kënga “Pyes Lotin”, si asnjëherë tjetër në historinë e festivaleve, të radios të fitojë bujshëm të gjitha çmimet e jurive të ngritura. Dhe përsëri një vit më vonë 1997, viti më i mbrapshtë në historinë e vendit tonë, ku njerëzit rrëmbyen armët kundra njeri-tjetrit, mbi moton “Urreni të keqen e dashuroni të mirën”, i propozoj poetit Alqi Boshnjaku këtë ide dhe ai mjeshtërisht shkruan tekstin e këngës “Larg Urrejtjes”, mesazh të cilin e përcjell mrekullisht po Elsa Lila, ku në vlerësohemi edhe kësaj here me çmimin e parë.
Pse dhe si u larguat në SHBA? Ishte një ikje ndryshe, as klandestin, por as me loto, mund ta dinë lexuesit?
Më lër ta sqaroj pak pyetjen tuaj, e kam thënë edhe diku tjetër, në nuk kemi ikur, në na kanëlarguar nga Shqipëria, por ti do thuash si ka mundësi s’ka forcë njeri të largojë nga Atdheu, po ka shumë mënyra për të larguar një artist apo intelektual nga një vend dhe unë s’jam i vetmi, në edhe ju jemi dëshmitarë të trajtimit që i behet një artisti apo intelektuali në Shqipëri, më lër të sjell një shembull, që më ka mbetur në mendje dhe s’e harroj kurrë, kur unë fitova në ‘96 çmimin e par me “Pyes Lotin”, kryetar jurie ishte Cesk Zadeja, i cili pa më të voglin dyshim mbetet një personalitet i fuqishëm në fushën e artit, e thënë ndryshe është “babai i muzikës Shqiptare”, e shikoj profesorin hipur me të njëjtën biçiklete që vinte në Konservator kur jepte mësim, ku në të njëjtën kohë vampirët e politikes shqiptare ata që “të pa brekë i gjeti dreka, e milionere i gjeti darka” shëtisin me makina luksoze, e u bënë ministra e rektorë universitetesh, ku do shkollohej im bir. . . Prandaj i thashë vetes ik, ik! Kështu u largova me dhimbje, por është vendimi me i mirë që kam marrë në jetën time. Unë s’kam ikur as si klandestin e as me loto, unë erdha në nëntor 1998, në Los Angelos si finalist në një festival të kompozitorëve, ku nga 500 pjesëmarrës nga e gjithë bota u zgjodhën vetëm 13 këngë finaliste, e një nga ato ishte kënga ime “Mall”. Pas një viti 1999, mua mu dha qytetaria amerikane me motivacionin: “Alian of extraordinary ability”, që në shqip do të thotë “I huaj me aftësi të jashtëzakonshme”.
Cili është edukimi arsimor i fëmijëve tuaj në SHBA? A jeni kënaqur me ecurinë e tyre?
Jam shume i kënaqur dhe shume krenar për ecurinë shkollore të fëmijëve, Erli (djali) shkollë të mesme ka mbaruar “The Rivers Music School” në Ëeston, Massachusetts një shkolle private me kërkesa shume të larta e serioze dhe është diplomuar në “Duquesne University” Pittsburgh Pennsylvania, si pianist dhe producer me rezultate të shkëlqyera. Ndërsa vajza, Deborah vazhdon vitin e dytë shkollë e mesme, është për 8 vite resht High Honor student, që do të thotë student i shkëlqyer.
Aktualisht, çfarë profesioni ushtroni në SHBA? Si i mbani lidhjet me atdheun dhe aktivitetet muzikore në atdhe?
Profesioni im në Amerike është muzikant, kam studion time ku jap mësime private piano, kitare, shkruaj muzike, orkestroj shoqëroj këngëtare në aktivitete të ndryshme luaj vete piano kitare. Unë jam shume i lidhur me atdheun, familja jone udhëton pothuajse çdo vit në Shqipëri, për sa i përket lidhjeve artistike ato janë pak me të rralla, por fakti që unë kthehem me një vepër simfonike do të thotë që lidhja vazhdon.
Si e gjetët Shqipërinë këtë radhë? A i takove miqtë?
Ne na pëlqen dhe udhëtojmë shumë si familje, Shqipëria është pa dyshim një nder vendet më të bukura që unë kam parë (nuk e them këtë nga patetizmi nacional, kjo është e vërtete). Unë kam shume miq e shoke që mezi presim të takohemi së bashku, koha qëunë kaloj në Shqipëri me njerëzit dhe miqtë e mijë është e paharrueshme.
Cilët janë kompozitorët shqiptarë, që ju keni respekt dhe që shkëmbeni eksperienca?
Shqipëria ka shume kompozitore që duhen respektuar do të ishte listë e gjatë ti rendisje, do të nisja nga Zadeja, Harapi, Gaqi, Gaci, Dizdari, Zoraqi Nova, Peci e shume e shume të tjerë. .
Shkolla shqiptare e muzikës, a është e niveleve botërore?
Nuk me takon mua ta bëjë këtë vlerësim, por përgjigja është pak komplekse e do duhej analizuar gjatë, por në do mendimin tim unë do thosha që në kemi patur fatin (flas për brezin tim të paktën) që kemi patur pedagogë jo vetëm të zotë, por edhe të përkushtuar dhe nga shkolla shqiptare kanë dale muzikante shume të mire shume nga ata kane një karriere artistike dinjitoze në botë.
Aktualisht, si do ta cilësonit nivelin e festivaleve në RTSH?
Më ler ti përgjigjem ndryshe pyetjes suaj. Cilësia e një festivali varet nga cilësia e këngëve pjesëmarrëse që do bëjnë festivalin, varet nga niveli i këngëtareve pjesëmarrës. Mos prit cilësi artistike nga një krijimtari e këngëtare pa cilësi, mediokër, afro kompozitore e këngëtare cilësor të kesh mundësi të besh një festival cilësor.
Çfarë roli ka luajtur bashkëshortja juaj në ecurinë si kompozitor?
Vera është gjysma ime me e mire, nuk e teproj po të them se gëzohet me shume se unë për sukseset e mia. Jo vetëm që erdhi vete në koncertin e premierës se Poemës simfonik në Tirane, por pa me njoftuar mua i kishte mare bileta avioni edhe fëmijëve që të bëheshin pjese e gëzimit tim.
****
Si morëm çmim të parë me Elsa Lilën në Varna të Bullgarisë
Në Shkurt të vitit 1998 në Varna të Bullgarisë organizohet festivali “Discover 98″( Zbulimi i 98-ës) midis 14 shteteve të Evropës, për herë të parë Shqipëria përfaqësohej në një festival të këngës ku ne, (pra Elsa Lila) me tre këngë të kompozuara nga unë morëm çmimin e parë, s’kishte bërë vaki ndonjëherë, direkt nga aeroporti kemi dalë live në lajme. Edhe një fakt tjetër, kësaj radhe në një festival tjetër “Voise of Asia”(Zeri i Azise) në Kazakistan 22 shtete pjesëmarrëse Shqipëria përfaqësohet po nga unë edhe Elsa. Kësaj radhe me katër këngë të kompozuara nga unë dhe në kthehemi me çmimin e dytë.