(Letër e hapur Presidentes Atifete Jahjaga, Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministrit Isa Mustafa, Ministrit të jashtëm Hashim Thaçi dhe Ministres për dialog Edita Tahiri)/
Shoqata i ish të Burgosurve Politikë e Kosovës, ashtu si edhe zëra të tjerë meritorë, me kohë dhe në vijimësi, kanë tërhequr vërejtjen për rreziqet e shumta që përmban në vete tendenca destruktive dhe diversive për imponimin e një “zajednice” ekskluziviste e monoetnike komunash, sipas modelit: “Republika srpska”, që ka mbërthyer keqas dhe po e ngulfat Shtetin e Bosnjes, të njohur ndërkombëtarisht, por të bllokuar praktikisht dhe të paralizuar institucionalisht dhe funksionalisht. E ashtuquajtuar “Marrëveshje e parimeve…” e 25 gushtit, jo vetëm që injoroi krejtësisht rekomandimet dashamirëse e konstruktive të Tryezës së përbashkët të Lidhjes së Juristëve të Kosovës dhe Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë dhe rekomandimin, sintetizues, adekuat e konstruktiv: “Asociacion komunash dhe jo “zajednicë” a la Bosnje!”, si dhe porosi të tjera të ngjashme, të argumentuara e dashamirëse, por shkalloi edhe më shumë rrjedhën kapitulluese të këtij procesi, duke e fuqizuar e pasuruar me kompetenca të mëtejshme “Zajednicën” dhe duke i bashkangjitur asaj edhe lëshime të tjera të papranueshme dhe me ndërlikime e pasoja të paparashikueshme imediate e afatgjate. A i ka shtuar e thelluar, kjo “marrëveshje”, mosmarrëveshjet dhe konfrontimet e brendshme në skenën politike kosovare ,të paralajmëruara me kohë? A mund të mos konstatohet kjo atmosferë e tensionuar paralizë si njëra nga pasojat e para, të synuara a kolaterale të këtij farë dialogu diabolik, madje edhe me rrezik të shkallëzimit të mëtejshëm e me pasoja potenciale të paparashikueshme e zor të riparueshme?!
A nuk do të ishte normale që vlerësimeve apo zhvleftësimeve, kualifikimeve apo skualifikimeve të ndërsjella, t’u paraprinte që në nismë, shkëmbimi i informacionit dhe dokumentacionit të nevojshëm, kompletimi i tablosë së vërtetë të rrjedhës dhe (nus) produktit të procesit të “dialogimit” Prishtinë – Beograd, në funksion të zgjidhjes politike dhe, pos tjerash, edhe në të mirë të pozicionimit të duhur politik e diplomatik, në fazat vijuese të ballafaqimit me Beogradin?
Por, si zakonisht, ndodhi e kundërta! Marrëveshja Mustafa – Vuçiç, ashtu si edhe i gjithë procesi “dialogues” u mbajt, shumë kohë, larg opinionit, kurse edhe pas publikimit të dozuar, pjesë pjesë, “marrëveshja” iu ofrua opinionit të gjerë e mbështjellë nga një tis mjegullnaje mashtruese dhe e shoqëruar nga një agjitprop pompoz si: “fitore”, “zgjidhje në të mirë të Kosovës”, dhe “në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, si “obligim ndërkombëtar”, në pajtim me “Propozimin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari, me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe me akte tjera të brendshme e ndërkombëtare”…!
A nuk krijohet përshtypja se në këtë mënyrë mëtohej qëllimisht të vihej në lajthitje dhe mashtrim opinioni i brendshëm dhe opinioni dashamirës ndërkombëtar? Me dashje apo pa të, a rrezikohet, kështu, të dobësohet edhe më shumë pozita e ardhshme negociuese, edhe ashtu e dobët, defansive e vazhdimisht pelëshuese e palës kosovare, në raport me kundërpalën ofensive, ankimuese, kërkuese, imponuese e kushtëzuese të Beogradit dhe miqve të saj?!
Toni i sforcuar euforik, triumfalist e imponues i prezantimit të kësaj (mos)marrëveshjeje, sa pajtues, inferior e pelëshues me Beogradin aq edhe arrogant, injorues, nënçmues e madje edhe diskreditues e diskualifikues ndaj oponentëve dhe opinionit të gjerë kritik, jo vetëm që ka shtuar shqetësimet, frikën dhe dilemat, por ka imponuar dhe vazhdon të imponojë pikëpyetje të shumta, nga më të ndryshmet, lidhur me formën dhe përmbajtjen e kësaj (mos)marrëveshje, që nga titulli emërtues i saj: Asociacioni i komunave serbe në Kosovë (shqip: Asociacioni, serbisht: “zajednica”, anglisht: “asociation /comunity”, i ,në shqip: Komunave serbe /me shumicë serbe në Kosovë, me shkurtesë: “AKS”, serbisht: “srpskih opština”, me shkurtesë: “ZSO” dhe anglisht, me shkurtesë: “CSM”?!!!) dhe deri te pika e saj skandaloze e pa asnjë kuptimësi: “Mohimi”(?!), në paragrafin e saj të fundit.
Çka u negociua dhe çka u nënshkrua e rinënshkrua në Bruksel?
Teksti i liferuar në Bruksel, më 25 gusht ( pse, vallë, pikërisht në fundgusht?!) të vitit 2015, me nënshkrimet e Kryeministrit të Kosovës, atij të Serbisë dhe me ndërmjetësimin e zonjës Mogerini, pagëzohet e ripagëzohet, sipas rastit, me emra të ndryshëm, herë: “marrëveshje”, herë: “ujdi”, herë: “plan veprimi” e “rregullativë implementimi”, e herë: derivat i marrëveshjes së parë të normalizimit”…! Në shkresën zyrtare, proceduese të Kryeministrit, drejtuar Kuvendit, në të tri gjuhët ajo cilësohet:”marrëveshje” dhe vetëm ashtu, ndërkaq në raste tjera ajo prezantohet ndryshe, herë e reduktuar e minimizuar e herë e fryrë dhe e stërdimenzionuar! Përse ndodh kjo dhe cila është e vërteta? Përse kjo letër nuk ka titull, as memorandume as farë vule dhe as preambulë?
Nëse është “Marrëveshje”, përse nuk e ka formën dhe formatin e marrëveshjes dhe, si e tillë, pse nuk dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, sipas Ligjit për Marrëveshjet ndërkombëtare dhe sipas Kushtetutës?
Nëse është “Marrëveshje ndërkombëtare” pse nuk e ratifikon edhe pala tjetër, Serbia? A do të thotë kjo dhe a ndodhë në praktikë që pala që e konsideron “marrëveshje” dhe “ndërkombëtare” të vetobligohet edhe ndërkombëtarisht për zbatim, kurse pala tjetër, që e konsideron si një “marrëveshje të brendshme”, jo vetëm që nuk merr ndonjë obligim ndërkombëtar, por imponohet si faktor dominues e subordinues që obligon palën tjetër “provinciale”, për probleme, që me çdo kriter, janë çështje të brendshme të Kosovës?
A nuk është ky ndryshim qasjeje, shprehje dhe pranim e inkurajim i strategjisë së deklaruar e të rideklaruar të Beogradit, para alternativës: “Evropën ose Kosovën!”: ngulmim në formulën: “edhe njërën edhe tjetrën; të dyjat!?
Marrëveshja Vuçiç – Mustafa, ashtu si edhe ajo e normalizimit”, paraqitet dhe titullohet si: “Marrëveshje e parimeve dhe e elementeve Kryesore…”(!), por, a janë parime dhe sa janë parimore përmbajtja dhe “elementet e saj kryesore”?!
Marrëveshjet ndërkombëtare, siç dihet, ndërtohen mbi bazën e parimeve të mirënjohura ndërkombëtare, midis të cilave, parësore është: parimi i reciprocitetit; pse injorohet dhe anashkalohen ky parim dhe parimet tjera të së drejtës ndërkombëtare, duke dëmtuar kështu seriozisht jo vetëm pozitën negociuese të Kosovës, por edhe çështjen e pazgjidhur të Luginës së Preshevës dhe çështje të tjera të pazgjidhura? A rrezikohet të imputohet kështu gradualisht modeli tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, ai i dominiumit?!!!
A i obligojnë qeveritarët “dialogues” Rezolutat e Kuvendit të Kosovës, Nr. 04-R-01, Nr. 04-R-08Nr. 04-R-011, etj. që kërkojnë dialog teknik dhe jo bisedime për çështje të panegociueshme dhe mbështetje të procesit në parimin e reciprocitetit, barazisë, mospërzierjes dhe sovranitetit? A nuk obligon “dialoguesit” e Kosovës, ngjashëm edhe Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për çështjen e Luginës së Preshevës dhe si do të ishte rrjedha po të veprohej kështu?
Pse pala “dialoguese” kosovare injoron në vijimësi çështjen e Luginës së Preshevës dhe çështje të ngjashme, përreth Kosovës? Pse shpërfillen edhe rekomandimet parimore edhe nga qarqe të rëndësishme botërore, për zgjidhje të ngjashme të problemeve të ngjashme? Pse as Republika e Kosovës dhe, madje, as Republika e Shqipërisë (!) nuk kanë as hapësirë, as rol, as ndonjë angazhim të ndjeshëm për zgjidhjen e problemeve të komunave të Luginës, kurse Serbia, e ka në Kosovë, pash më pash dhe në zgjerim e thellim e sipër?
Nëse, ndërkaq, kjo “Marrëveshje”, nuk është marrëveshje, por na qenka: “plan veprimi e implementimi”, siç po thuhet, atëherë, përse titullohet si: “Marrëveshje e parimeve” dhe pse një “plan veprimi e implementimi” nënshkruhet nga Kryeministri i vendit dhe jo nga nivele më të ulëta institucionale, siç parashihet me Ligjin për Marrëveshjet si dhe në praktikat ndërkombëtare??
Po qe se akti i parafruar i fundgushtit është”rregullativë implementuese” e “Marrëveshjes së parimeve për normalizim…”, si shpjegohet fakti që në tekstin e tashëm janë shtuar edhe paragrafe, formula e solucione të reja jo vetëm lidhur me “zajednicen” (asociacionin), por edhe me çështje e tema krejtësisht të tjera, që e bëjnë edhe më të diskutueshme e të papranueshme tekstin e mëparshëm të (mos)marrëveshjes. Në “Marrëveshjen e parë të parimeve…”, fjala vjen, për çështjen e energjisë dhe telekomit thuhet vetëm se “bisedimet do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen” dhe asgjë më tepër; çka janë formulat e nënshkruara tashti, marrëveshje apo rregullativë veprimi? Çfarë ustallëku politikodiplomatik është ai që fillimisht bën një “marrëveshje parimesh” vetëm duke përmendur e listuar disa probleme të pazgjidhura, si të tillë e kalon me lehtësi e marifet dhe pastaj, dakordon si derivat një “plan veprimi” a “rregullativë” implementimi, me përmbajtje fare të re, të cilën e miraton me një “dekret qeveritar” të nënshkruar, po nga mjeshtrit dialogues?!!!
A janë lëshimet e reja të kësaj “marrëveshjeje”, “derivat i marrëveshjes së mëparshme të Brukselit”, apo janë derivat i marrëveshjes (antikushtetuese) të koalicionit, me “Listën Serbe, me gjasë të nënshkruar vetëm në gjuhën serbe, dhe vetëm në variantin terminologjik serb, ” dhe i obligimeve të marra për formulën:
“Zajednica” dhe jo “asociacion”, e “komunave serbe” dhe i obligimeve tjera të marra për:
“Tretman të veçantë gjatë procesit të privatizimit në valët e ardhshme në komunat me shumicë serbe;
Kthimin e të zhvendosurve serb dhe jo shqiptar me garancion të sigurisë nga ana e qeverisë dhe kryeministrit;
Kthimi dhe mbrojtja e pronës së uzurpuar…”,
si dhe formula personifikuese e etnikisht përjashtuese të kombinatorikës kadrovike presidenciale, qeveritare e parlamentare, deri edhe në agjencionet, ligjërisht, të pavarura?!
A është kushtetuese dykuptimësia e pakuptimtë dhe mashtruese?
A mund të trajtohet si e ligjshme e kushtetuese një “marrëveshje” me shtetin që jo vetëm nuk të njeh si shtet, por të trajton dhe pretendon të të mbajë si pjesë e sundimit të tij?! Si mund të adoptohet e të zbatohet, një “marrëveshje” për çështje ekskluzivisht vetanake dhe krejtësisht të brendshme me formula antikushtetuese edhe në titull, edhe në tekst si “zajednica” (shqip: herë “Asociacioni” e herë “Bashkësia” dhe anglisht herë “Comunity” e herë asociation) të komunave herë: “serbe” e herë: “me shumicë serbe,” por si shkurtesë, në të gjitha gjuhët, në trajtën ekskluzive: “komuna serbe”?!
A janë e njëjta gjë “zajednica” dhe “asociacioni”? Nëse janë e njëjta gjë, pse nuk përdoret nocioni “asociacion/ asocijacija”, por përdoren me ngulm nocione substancialisht të ndryshme, ndërkaq, nëse nuk janë të njëjta , atëherë, pse ky dallim?! Në cilindo variant, a nuk është kjo farë dykuptimësia insistuese, një mashtrim i qëllimtë dhe i palejueshëm?
Nëse “zajednica” qenka e njejta gjë me asociacionin e paraparë me Kartën Evropiane, atëherë pse u ndalohet kjo komunave me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës, ose komunave me shumicë joserbe, në Sanxhak e në pjesë tjera të Serbisë?!
Fundja, si mund të zbatohet në praktikë një formulë dy- tri kuptimëshe që përjashtojnë njëra tjetrën? A nuk shpie kjo në përplasje të ardhshme në dëm të secilit komunitet dhe në dëm të të gjithëve bashkërisht?
Kështu siç është disenjuar e gatuar, specialiteti i quajtur shqip: Asociacion dhe serbisht: “Zajednica”, e anglisht: herë “comunity” e herë: asociation, a nuk vjen ndesh me Kushtetutën e Kosovës, me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore, me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe madje edhe me “Propozimin Gjjihëpërfshirës për statusin e Kosovës, të Presidentit Ahtisari?
Kushtetuta e Kosovës, Neni 124.2.
[Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] Themelimi i komunave, kufijtë, kompetencat dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të tyre, rregullohen me ligj…4. Komunat kanë të drejtë për bashkëpunimin ndërkomunal dhe për bashkëpunimin ndërkufitar, në pajtim me ligjin. 6. Komunat obligohen të respektojnë Kushtetutën, ligjet, dhe të zbatojnë vendimet gjyqësore.Veprimtaria e organeve të vetëqeverisjes lokale bazohet në këtë Kushtetutë dhe në ligjet e Republikës së Kosovës dhe respekton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
Karta evropiane e vetëqeverisjes lokale:
10.1. E Drejta e autoriteteve lokale për asocim (anglisht: asociacion; serbisht: udruženje) 10.3. E drejta e autoritetit lokal për të qenë pjesë e një asociacioni (anglisht: asociation, serbisht: udruženja)…duhet të njihet nga çdo shtet.
Propozimi gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisari:
9.1, Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet (anglisht: asociation, serbisht: udruženja) e komunave të Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta në pajtueshmëri me ligjin….?
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale në Kosovë,
Neni 31: Të drejtat e komunave për të formuar asociacione (anglisht: asociation, serbisht: udruženja) 31.1. Për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, komunat formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet (anglisht: asociations, serbisht: udruženja) që funksionojnë, në pajtim me ligjin.
Ligji i Serbisë, për qeverisjen lokale, ashtu si edhe ligjet e ngjashme të vendeve tjera në fqinjësi e më gjerë, poashtu aplikon formulën “bashkëpunim” dhe “udruženje” (shqip: shoqatë,) si kornizë ligjore për bashkëpunimin ndërkomunal edhe atë pa lejuar specifikimin si bashkëpunim dhe asocim mbi baza ekskluziviste etnike; pse ngulmohet në emërtimin absurd “zajdnicë” dhe pse të pranohet që vetëm Kosova të aplikojë formulën e ngjashme me “zajednicën” e komunave në Bosnje, pararendësen e “Republika Srpska-së”!?
Përse ky insistim në formula e modele që cenojnë Ligjin, Kushtetutën dhe madje edhe Kartën Evropiane? Pse serviren ato edhe nga ndërmjetësit tanë aq të rrespektuar dhe sidomos, pse gëlltiten ato nga negociatorët tanë “dialogues”?!!!
Në Kushtetutën e Kosovës dhe në gjithë sistemin e saj politik e legjislativ, nocioni komunitet, respektivisht “zajednicë”, është standardizuar si nocion për bashkësinë etnike si të tillë; a nuk vjen ky ripagëzim ndesh me nocionin ekzistues e kushtetues dhe a nuk e rrënon edhe këtë bazë institucionale të sistemit politik e institucional në Kosovë, insistimi absurd në emërtimin antiligjor, antikushtetues dhe antikartëevropian: “zajednicë” e komunave? A nuk flet edhe ky fakt për synimin e vërtetë komplikues, instrumentalizues, getoizues dhe enklavizues të kumbarëve insistues të këtij ripagëzimi?!
“Zajednicë” ekstenzive për një pakicë dhe asociacion i rrudhur për të tjerët?!
Marrëveshja e parë e parimeve parasheh që asociacioni i komunave me shumicë serbe, të ngritet “mbi të njëjtën bazë ligjore sikurse asociacioni gjithëpërfshirës dhe sipas statutit të tij”, që, normalisht do të duhej të ishte një nënasociacion brenda asociacionit të përbashkët dhe jo një superstrukturë komunash e shkëputur nga të gjitha nivelet e pushtetit që ngatërron plotësisht dhe pamundëson funksionalitetin demokratik në Republikën e Kosovës.
Ja, më poshtë, (të theksuara) kompetencat e Asociacionit ekzistues dhe gjithëpërfshirës, në pajtim me Kushtetutën, Ligjin dhe Propozimin gjithëpërfshirës:
Asociacioni ekzistues i Kosovës
II.OBJEKTIVAT DHE DETYRAT E ASOCIACIONIT
Neni 2.1 Asociacioni është organizatë jofitimprurëse
Neni 3.1. Asociacioni angazhohet që në Republikën e Kosovës të implementohen rregullat nga Karta Evropiane për qeverisjen lokale; të organizojë dhe koordinojë aktivitetet e anëtarëve të Asociacionit në sferën e investimeve, në zhvillimin ekonomik të komunave, në përmirësimin e bazës ligjore , të përkrahjes së biznesit, në kulturë, arsim, shkencë, mbrojtje shëndetësore, në mirëqenie dhe shërbime sociale, në zgjidhjen e konflikteve, në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në raportet me asociacionet simotra jashtë shtetit dhe me organizatat ndërkombëtare.
3 .2. Asociacioni kryen këto detyra dhe punë:
3 .2.1. -inicon, organizon dhe promovon bashkëpunimin në mes autoriteteve lokale të Republikës së Kosovës;
-propozon zgjidhjen e problemeve të përgjithshme të autoriteteve lokale;
-nxjerrë materiale metodologjike të cilat ua jep autoriteteve lokale;
3.2.2. -jep mendime, sygjerime dhe vërejtje në projekt ligjet dhe aktet nënligjore që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale;
3 .2.3.-bën asistencë organizative dhe ligjore për autoritetet lokale;
3 .2.4.-përfaqëson interesat e përgjithshme profesionale të autoriteteve dhe shërbimeve civile nga autoritetet lokale;
3 .2.5.-përfaqëson interesat e anëtarëve të saj para autoriteteve të jashtme dhe organizatave ndërkombëtare dhe ndihmon autoritetet lokale që të bashkëpunojnë me partnerët e jashtëm;
3.2.6.-organizon dhe koordinon trajnime profesionale të autoriteteve politike dhe shërbyesve civil nga radhët e autoriteteve lokale;
3.2.7. -organizon dhe koordinon qarkullimin e informacioneve për anëtarët e vet dhe nxjerr publikime të veta;
3.2.8.-krijon fonde, hap zyra përfaqësimi, institucione publike;
Le të krahasohen kompetencat dhe fushëveprimi i “Zajednicës” me ato të Asociacionit ekzistues e gjithëpërfshirës dhe dallimet flasin vetë. A nuk duket qartë se modeli i “marrëveshur” i “Zajednices” vjen në kundërshtim edhe me formulën, natyrën dhe karakterin e Asociacionit ekzistues (anglisht: asociation, serbisht: asocijacija) të Komunave, mbi baza inkluzive dhe gjithëpërfshirëse, i cili është ngritur dhe funksionon në pajtim me Kushtetutën, Ligjin dhe Kartën Evropiane? “Zajednica”, jo vetëm që nuk do të ishte pjesë e Asociacionit gjithëpërfshirës të Kosovës, jo vetëm që do të ishte në korelacion eventual të bashkëpunimit, por edhe praktikisht e funksionalisht ai do të ishte i një karakteri tjetër superior (jo asociacion, jo “asocijacija”, por “Zajednicë” politikoterritoriale) me asamble, “organ suprem”, me strukturë, hapësirë institucionale e mekanizma favorizues dhe “në raport bashkëpunimi dhe informimi të ndërsjellë me autoritetet qendrore dhe me kompetenca që asociacioni i Kosovës nuk i ka dhe nuk mund t’i ketë;
Pse ky favorizim absurd dhe diskriminim i rrezikshëm e kontraproduktiv etnik?! Si është e mundur që asociacioni i një pakice të vetme dhe numerikisht të vogël të ketë kompetenca shumëfish më të shumta dhe shumëfish më të gjera se sa Asociacioni gjithëpërfshirës?!
Ndryshe nga “Asociacioni i përbashkët” , “Zajednica” e marrëveshur siç thuhet: “do të ngritet mbi bazë të Marrëveshjes së parë, ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së parë dhe Ligjit të Kosovës, si entitet legal që do të ketë synim të ofrojë funksione publike, shërbime dhe mbikëqyrje të plotë, në:
- b) Zhvillim ekonomik lokal, (Si tërësi, apo?! E Ministria përkatëse?)
- c) Fushën e arsimit, ( Si tërësi, apo…?! E Ministria përkatëse?)
- e) Koordinimin e planifikimit urban dhe rural, (Si tërësi, apo…?! E Ministria përkatëse?)
- d) Shëndetësi, (nivelin primar e sekundar), dhe kujdesin social (Si tërësi?! E Ministria përkatëse?)
- g) Masat për të kthyerit ,( A është në marrëveshjen e parë? E Ministria përkatëse?)
- h) Ndjekje, koordinim dhe lehtësim i veprimtarive hulumtuese dhe zhvillimore, (A është në marrëveshjen e parë? E Ministria përkatëse?)
- i) Promovim dhe përfaqësim të anëtarëve të saj, përfshirë këtu edhe te autoritetet qendrore? (Kush e përfaqëson komunën, udhëheqja e saj apo një trup mbisundues i komunave?!)
- j) Ofrim i shërbimeve, anëtarëve dhe banorëve të saj ( A është ekzekutive apo…? A është në marrëveshjen e parë?! Kush i përfaqëson banorët, komuna , apo…?!)
- k) Efiçencën e ofrimit të shërbimeve publike… (Si tërësi?! A është në marrëveshjen e parë? A është ekzekutive? E Ministria përkatëse?!)
- m) marrëdhënie dhe marrëveshje me asociacione tjera si vendore ashtu edhe ndërkombëtare (A është në marrëveshjen e parë? A është ndesh me Ligjin për Marrëveshjet dhe me dispozitat përkatëse kushtetuese?)
- “Zajednica” do të ushtrojë (“exercise”) kompetenca tjera shtesë, që mund të delegohen nga autoritet qendrore. (Ushtrimi i kompetencave, a është ekzekutive?)
- a) “Zajednica” – Asambleja ,- trup suprem me…të drejtë për të adoptuar amendamente statut, rregullore të nevojshme dhe vendime administrative … (A ka “trup suprem” marrëveshja e parë dhe Asociacioni gjithëpërfshirës? A është ekzekutive nxjerrja e vendimeve administrative? Kush duhet ta bëjë dhe ta amendamentojë statutin?)
- c) Këshilli përbëhet nga 30 anëtarë, përfshirë të gjithë prefektët (“gradonaćelnikët”!) (A ka Kosova kryetarë komunash apo”gradonaćelnikë”. E Serbia?)
- e) “Zajednica” do të ketë administratë dhe staf me status punësimi për ushtrimin e punëve të tyre .. (A ka Administratë me status punësimi, asociacioni gjithëpërfshirës dhe Marrëveshja e parë?)
f). …Zyrë për ankesa… (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse?)
- “Zajednica” do të punojë me autoritet qendrore “në bazë të bashkëpunimit të dyanshëm dhe shkëmbimit të informacioneve” (A është, ky partneritet dypalësh në marrëveshjen e parë dhe në Asociacionin e deritashëm? A është raport kushtetues?)
- “Zajednica” promovon interesat e komunitetit (“Zajednices”!), serbe të Kosovës, në relacion me autoritet qendrore. (Kush i përfaqëson serbët e Kosovës , deputetët e zgjedhur apo “zajednica”?!)
- “Zajednica” do të jetë e autorizuar të propozojë, në pajtim me ligjin, amendamente në ligje dhe rrregullore relevante për realizimin e qëllimeve të saj. (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirës? Kush propozon ligje dhe amendamente ligjesh? A është kushtetuese?)
11 “Zajednica” ka drejtë të inicojë ose të participojë në procedimet para gjykatave kompetente, përfshirë gjykatën kushtetuese...(A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? A mund të uzurpohet e drejta e komunave nga Trupi mbisundues i komunave dhe çka do të thoshte kjo për demokracinë? Aq më tepër kur subordinimi i komunave vjen nga një dorë e jashtme diversive e obstruktive?!)
- “Zajednica” ka të drejtë të emërojë përfaqësuesit në organet/trupat kompetentë në qeverinë qendrore dhe të ketë qasje në informacionin e autoriteteve qendrore… (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? A mund të uzurpohet e drejta e komunave nga Trupi mbisundues i komunave dhe çka do të thoshte kjo për demokracinë?! Aq më tepër kur subordinimi i komunave vjen nga një dorë e jashtme diversive e obstruktive?! Dhe akoma më tepër, a ka të drejtë ky farë superpushteti special të ketë edhe “qasje speciale” në informacionin e Qeverisë qendrore?)
- Duke vepruar në emër të “Zajednices”, katër “prefektet” (“gradonaćelnik”?!) e komunave veriore do të kenë të drejtë të ofrojnë listën e kandidatëve për emërimin e komandantit regjional të policisë, si në pikën 9 të marrëveshjes së parë. (Komamdanti i prejudikuar etnikisht, nominohet në emër të komunave, apo në emër të “Zajednicës” dhe rrjedhimisht kujt i detyrohet ai?! A ka kompetenca të këtilla Asociacioni gjithëpërfshirës?)
14 . … “Zajednica” do të ketë të drejtë për të pasur pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, bashkëpronësi në kompanitë për shërbime lokale … dhe të përfundojnë kontrata duke përfshirë edhe kontrata të punës, (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? A është në përputhje me ligjin?)
- “Zajednica” do të ketë buxhet të vetin, …(A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? Çka thotë ligji?)
- “Zajednica” do të financohet (b) nga të ardhurat e shërbimeve që ajo u ofron dhe të ardhurat që burojnë nga pasuritë e saj të luajtshme dhe të paluajtshme, (c) transfereve nga pushteti qendror dhe të ardhurat edhe nga burime ndërkombëtare,. d) Kontribute, grante , donacione si dhe mbéshtetje financiare nga shoqata dhe organizata tjera vendore dhe nderkombetare , si dhe nga Republika e Serbise?! ( a është Republika e Serbisë “ nderkombëtare”, apo…?!! “Zajednica” do të jetë, në kuadër të veprimtarive të saj…e liruar nga taksat dhe tatimet, mbi tënjejtën bazë si komunat që janë pjesë e saj. Kontributeve të brendshme dhe të jashtme si dhe nga Republika e Serbisë. (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? A është Asociacioni OJQ jofitimprurëse?
- “Zajednica” mund të shpërndahet vetëm me 2/3 e anëtarëve të saj. (Pse vetëm…? A e ka këtë ekskluzivitet Asociacioni gjithëpërfshirëse? Në statutin e Asociacionit gjithëpërfshirës, si në çdo vend demokratik, është sanksionuar edhe e drejta për shpërbërjen ligjore e institucionale në rast të krijimit të arsyeve të parapara me ligj; çka ndodh nëse “zajednica” bën shkelje të rënda të ligjit, kushtetutës dhe rendit kushtetues? Pse ” Zajednica” është përjashtim dhe çka do të thotë kjo?)
21 Projekti i statutit – nga ekipi menaxhues , nëse është e nevojshme edhe me lehtësim të Ministrisë së Pushtetit Lokal, dhe miratohet edhe si statut edhe amendamente me dekret.! (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? Pse me dekret dhe me çfarë dekreti? Si është bërë statuti i Asociacionit ekzistues? Në praktikën tonë institucionale është Presidenti ( ja) që nxjerr dekrete dhe jo Kryeministri. Fundja, a mund të vendos Kryeministri i Serbisë se cili institucion shtetëror duhet të vendosë e të firmos për akëcilën çështje?)
- ” Pas një viti nga miratimi i statutit, do të rishqyrtohet implementimi i tij, duke përfshirë nenin 5 të marrëveshjes së parë, (delegimi i kompetencave shtesë nga autoritet qendrore)?! (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirës? Pastaj pse me theks të veçantë tek neni 5, tek kompetencat tjera që priten t’i barten “Zajednicës”? Çka do të thotë kjo dhe çka paralajmëron kjo?)
Për më tepër, Zajednica jo vetëm që vishet me pushtet dhe kompetenca, që nuk i ka Asociacioni ekzistues i Kosovës dhe madje asnjë asociacion komunash por, praktikisht, institucionalisht dhe funksionalisht, ajo i ndan komunat serbe nga tërësia kosovare dhe i bashkon nën ombrellën dhe strukturën pushtetore të kontrolluar nga Beogradi! A nuk është ky segregacion struktural që rrënon praktikën e deritashme pozitive të bashkëpunimit ndërkomunal të komunave me përbërje të ndryshme etnike brenda Asociacionit gjithëpërfshirës të komunave të Kosovës?! A nuk prishet kështu modeli i proklamuar kushtetues dhe parimi multietnik në favor të eksluzivitetit etnik? A nuk rrezikohet kështu edhe tërësia tokësore e Kosovës…?
A nuk i dëshmon kjo paralajmërimet e parasavitesh se decentralizmi etnik që sajonte e fabrikonte komuna xhuxhe e jo funksionale me shtrirje absurde gjeografike, ishte e kundërta e interesit të qytetarëve, madje edhe atyre serbë, dhe në fakt ishte inxhiniering territorial në favor të centralizmit serbomadh nga Beogradi?
Pse lejohet ky eksperimentim pa presedan me komunitetin serb në Kosovë? A nuk dëmtohet me këtë lojë, jo vetëm procesi i afrimit dhe pajtimit, ndëretnik në Kosovë e më gjerë, por edhe vetë komuniteti serb në Kosovë dhe e ardhmja e tyre e integruar? Rrjedhimisht, a nuk mund të rezultojë kontraproduktive dhe faktikisht edhe antiserbe “Zajednica” antishqiptare dhe antikosovare, siç kanë rezultuar edhe sa e sa projekte të ngjashme diskriminuese antishqiptare! “Zajednica” në shqip ka kuptimin: “bashkësi”; a i kontribuon ajo bashkësisë e bashkëjetesës në Kosovë, apo e rrezikon edhe atë që është ruajtur e është rindërtuar?!
A është e obligueshme (mos)marrëveshja shtrënguese, diskriminuese e abuzueshme dhe e pazbatueshme?
Për dallim nga “Gjykata speciale”, për të cilën të gjithë thoshin se është e padrejtë dhe, madje “padrejtësia më e madhe që i bëhet Kosovës”, por që “duhej të pranohej, se ashtu na thonë miqtë tanë të mëdhenj, dhe se ai që nuk e voton nuk i do të mirën Kosovës”, Marrëveshja e 25 gushtit që na e solli “Zajednicen”, na prezantohet edhe si” zgjidhje e mirë” dhe “fitore bindëse e Kosovës, edhe si një obligim ndërkombëtar ndaj miqve tanë dhe ndaj marrëveshjeve të mëparshme ndërkombëtare! Pra jo vetëm diç e mirë, por edhe dyfish e mirë?!
Siç na thuhet vazhdimisht e siç shkruhet edhe në hyrje të saj, “Zajednica” na qenkësh: “ashtu siç është paraparë me marrëveshjen e parë, me Ligjn për ratifikimin e Marrëveshjes së parë të parimeve dhe me Ligjin e Kosovës”!? Nga një lexim joshterrues, krahasues dhe i nënvizuar pak më lartë, po të dojë kexuesi edhe mund ta shohë sa është dallimi konceptual dhe funksional i “Zajednicës” ekskluzive, në formim, me statutin e Asociacionit eksistues gjithpërshirës si dhe dallimi i gjithë “Marrëveshjes” së fundgushtit me marrëveshjen e parë të prillit. Pse fshihen e injorohen këto dallime thelbësore dhe kush kë dhe pse e mashtron, në këtë mënyrë?!
Pse harrohet e injorohet fakti, si u imponua, si u prezantua dhe si u miratua edhe e famshmja Marrëveshja e parë e normalizimit? A ishte kushtetues autorizimi pararak dhe “bjanko” për nënshkrim e kësaj “marrëveshjeje” dhe si u zie, si u servir, dhe si u legjitimua ajo? Pse u injoruan rekomandimet e Rezolutës së Kuvendit për dialogun dhe rekomandimet për mostejkalimin e kornizës teknike dhe për respektim të parimit të reciprocitetit, sovranitetit dhe integritetit? A është kushtetuese referenca e adresës ligjore në paragrafin 2 të marrëveshjes së parë, krahas ligjit të aplikueshem edhe të “Ligji Kushtetues”, të cilin Kosova nuk e ka, por e ka Serbia!? Pse kjo referencë dhe çka paralajmëron ajo? Dysi ligjore apo ndryshime tjera në Kushtetutë? Në variantin shqip kjo shprehja në anglisht e serbisht: “ligji kushtetues”, modifikohet dhe prezentohet si e “drejtë kushtetuese?! Kush kë e mashtron, në këtë mënyrë, dhe çka do të thotë kjo?
Përveç kësaj, a është dhe sa është kjo (mos) Marrëveshje, në (dis) harmoni me ligjin e Kosovës për Vetëqeverisjen vendore, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe me frymën dhe shkronjën e Kartës Evropiane për vetëqeverisjen lokale dhe Konventa kornizë për të drejtat e pakicave?!
Ligji për vetëqeverisjen vendore, Neni 15, Parimi i subsidiaritetit, thotë:
“Komunat i ushtrojnë kompetencat e tyre sipas parimit të subsidiaritetit. Ndërkaq, Neni 31, Të drejtat e komunave për të formuar asociacione, thekson:
“Për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, komunat formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet që funksionojnë, në pajtim me ligjin”. Pra asociacione dhe në pajtim me ligjin.
Nga ana tjetër, Neni 79. Llojet e shqyrtimit, sanksionon institucionin subordinues të “shqyrtimit të ligjshmërisë”, ndërsa, sipas nenit 79.2 “Shqyrtimi administrativ i funksionimit të komunave në fushën e kompetencave të deleguara i nënshtrohet mbikqyrjes së ligjshmërisë dhe përshtatshmërisë së veprimeve”.
A nuk i tejkalon marrëveshja e gushtit këto dhe instrumente tjera si këto që janë në frymën e Kartës Evropiane dhe praktikave të të gjitha vendeve demokratike?!
Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 12.2 [Pushteti Lokal] thekson se: “Organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj”, (pra me ligj dhe jo me marrëveshje.!).
Përveç kësaj, paragrafi 4 i nenit. 47 të Kushtetutës obligon: “Ushtrimi i këtyre të drejtave do të bartë me vete detyrimet dhe përgjegjësitë për të vepruar në pajtim me Ligjin e Republikës së Kosovës, dhe nuk i cënon të drejtat e të tjerëve”.
Ngjashëm me si më lartë, edhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale, Nenet 3, 4, 10 etj– të drejtat e komunave dhe të drejtën e tyre për asocim dhe partneritet e vendos qartësisht dhe shprehimisht: “brenda kornizës së Ligjit “dhe “brenda kufijve ligjore”.
Edhe Rezoluta (e palavdishme) e Kuvendit për Marrëveshjen e Normalizimit”, “jep pëlqim” për “dialog në pajtim me rendin kushtetues “dhe “me pjesëmarrje të komisioneve parlamentare” dhe kërkon që “marrëveshjet” (pra jo një marreveshje derivuese, por marrëveshjet, në shumës) “të ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës”; pse anashkalohen këto obligime dhe a nuk janë këto shkelje të rënda procedurale, ligjore e Kushtetuese? Për çfarë arsye bëhen këto truqe e marifete, nëse jo për lajthitje e mashtrim të opinionit?!
I ndihmon apo i dëmton serbët e Kosovës instrumentalizimi nga Beogradi?
Po shprehja “komuna serbe”, a nuk është edhe antiligjore, antikushtetuese dhe thënë kushtimisht edhe antievropiane? As Kushtetuta e Kosovës, as Legjislacioni i saj dhe as Karta Evropiane, madje as legjislacioni i Serbisë, nuk njohin atributin eksluzivist etnik për Komunat, përse t’i imponohet kjo Republikës së Kosovës?! A nuk e cënon kjo “risi” karakterin e sforcuar qytetar, multietnik e gjithpërfshirës të Republikës së Kosovës?
Komuna e Preshevës nuk cilësohet si komunë shqiptare. Madje as Komunat me shumicë shqiptare në Kosovë nuk emërtohen si Komuna shqiptare, as Mamusha me shumicë etnike turke, nuk cilësohet si komunë turke; përse ky dallim vetëm për komunat serbe, madje edhe atëherë kur kanë shumicë të diksutueshme etnike?!! A nuk është e drejtë elementare që të insistonet që çështje të ngjashme të trajtohen dhe të zgjidhen jo me kute të ndryshme, por me standarde e formula të njëjta?!
Në grupin e komunave “serbe” janë përfshirë edhe komuna që ishin objekt i zbrazjes së dhunshme etnike dhe procesit gjenocidal të deshqiptarizimit dhe serbizimit, si Mitrovica e veriut e Zveçani, si dhe komuna të reja të fabrikuara gjatë procesit të famshëm të “decentralizimit”, si Artana, Mitrovica e përtej Ibrit dhe Kllokoti, me arnime absurde e jo funksionale territoriale me qëllimin e vetëm për t’u siguruar gjerësi enorme territoriale, pozitë të rëndësishme gjeostrategjike dhe shumicë artificiale etnike; a mund të legalizohen tashti këto komuna si komuna eksluzivisht serbe, dhe çka do të thoshte kjo për masën jo të vogël të shqiptarëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve tjera në këto komuna dhe sidomos për ata që janë dëbuar që andej? Ka madje edhe komuna që me numrin e vërtetë të banorëve as që janë shumicë serbe; si mund çertifikohen aq lehtë ato si “Komuna serbe”?!… A është kjo ligjore dhe kushtetuese dhe kush e ka të drejtën ta legalizojë një inxhiniering të tillë segregacionist e luftënxitës, të dënueshëm me konventa ndërkombetare?!
Ligji aktual i vetëqeverisjes lokale dhe madje edhe Rregullorja e dikurshme e UNMIK-ut kushtëzon ndryshimin e kufijve të komunave me pëlqimin paraprak të banorëve të tyre; a ka të drejtë dikush të ndryshojë sërish, kufijt e Mitrovicës edhe më parë të ndryshuar të sakatuar e përgjysmuar, pa pyetur fare as qytetarët aktualë të Mitrovicës e aq më pak ata që janë dëbuar me forcë nga vatrat e tyre?! Si motivohet dhe ku synon të dalë ky riarnim e rikomponim territorial?
Organizata prestigjioze Grupi Nderkombetar i Krizave” (“ICG”), ne Raportin “ Kosova dhe Serbia rruga drejt normalizimit”, dy vite më parë e artkulonte dhe parajmëronte ( madje edhe me njëfarë tumirjeje!) si : “ Zgjidhje e mosmarrëveshjes për veriun e Kosovës duke i dhënë pushtet të madh vetëqeverisës,… . “Fillimisht hezitues, Beogradi dhe Prishtina duken më të dhënë pas kësaj ideje, edhe pse e shohin ndryshe. Kërkimi për prece- dentë dhe modele, shkon nga Alto Adige (Tiroli i Jugut) në Itali, deri në Tajvan, dhe nga Irlanda e Veriut deri në Vatikan. Disa sugjerojnë se veriu ka nevojë për modelin e vet unik, dhe jo për një model që është hartuar për kushte të ndryshme lokale.164 Një shembull i tillë është tek fqinjët e afërt, sidoqoftë, kjo meriton konsiderata të kujdesshme: lokaliteti më i vogue boshnjak, Republika Srpska (RS).165”. A nuk del, pra, e gjithë kjo ndërmarrje e ( ab)“normalizimit” një mashtrim i madh dhe i rrezikshem, për Republiken e Kosovës dhe të ardhmen e saj si tërësi dhe për secilin komunitet të saj? Nëse “rruga e normalizimit” kalon nëpër shtigje të tilla, pse nuk I hapet kjo rrugë edhe komunave të Lugines së Presheëes, Sanxhakut, etj?
Sipas marrëveshjes së parafuar,”Zajednica”, në paragrafin 9, “Promovon interesat e komunitetit serb të Kosovës në raport me autoritetet qendrore”! Si mund të kuptohet ky segregacion e (vetë) diskriminim i marrëveshur, brenda komunave të trajtuara si Komuna serbe!? A do të thoshte kjo se “Zajednica”, pos që përjashton shqiptarët dhe “të tjerët”, mëton të monopolizojë përfaqësimin edhe të serbëve të komunave tjera, ku ata janë pakicë?! Çka do të thoshte kjo për funksionimin qytetar e demokratik, si postulat kushtetues i Republikës së Kosovës?! Pastaj, si do të reflektohej ky subordinim dhe uzurpim i pushtetit lokal, nga ekspozitura e Beogradit, në vetë komunat me shumicë etnike serbe, brenda “zajednices” së projektuar? A nuk po dëmton, margjinalizon dhe dekurajon serbët kosovarë, të integruar në realitetin e ri në Kosovë, ky monopolizim pushteti e përfaqësimi nga “zajednica” e listës serbe, e sajuar dhe e dirigjuar nga Beogradi?! Do ta ndihmonte apo do ta pamundësonte ky decentralizim i centralizuar nga Beogradi, funksionimin dhe madje edhe përfaqësimin e decentralizuar demokratik edhe në komunat me shumicë etnike serbe?!
Me marrëveshjen e fundgushtit si edhe me atë të prillit, parashihet edhe “delegim i mëtejshëm i kompetencave nga autoritetet qendrore te “Zajednica” (po, jo tek komunat dhe as te Asociacioni gjithëpërfshirës!)! “Zajednica” nga ana e saj monopolizon dhe subordinon komunat e përfshira brenda saj! A nuk prodhon kjo një pushtet të ri, krejt special dhe jo kushtetues në Republikën e Kosovës dhe a nuk përngjan kjo si parahistoria e “Republika srpskes”, në Bosnje? Marrëveshja e parë e parimeve kishte si referencë bazën ligjore të formulave të saj, ligjin e aplikueshëm dhe Ligjin Kushtetues. Mund të kuptohet se Ligji i aplikueshëm është Ligji i Kosovës, por i kujt është Ligji Kushtetues, të cilin nuk e ka Kosova, por e ka Serbia?! Kah po shkon kështu Kosova?
Me marrëveshje të parafuar me kryeministrin e Serbisë, kryeministri i Kosovës (vetë) obligohet që të aplikojë madje edhe modalitetet e vendimmarrjes dhe legjitimimit institucional të papresedan në praktikën kosovare, të marrëveshjeve, që me anë të “dekretit qeveritar drejtpërdrejtë të aplikueshëm” ta rilegjitimojë, ta zgjerojë e fuqizojë edhe përtej “Marrëveshjes së normalizimit” “Zajednicen” antikushtetuese, kurse, ndërkohë, Ministri i tij i Jashtëm, nënshkruan marrëveshje për rrudhje territoriale të Republikës së Kosovës, në favor të Malit të Zi”!!! Rrudhje territoriale, rrudhje institucionale e funksionale, rrudhje e degradim moral …! Ku po shkojmë kështu?!
Në raportin e tij, ” Serbia dhe Kosova: Rruga drejt normalizimit” GNK (“ICG”) konstatonte se: Beogradi do që serbët e Kosovës të krijojnë entitete autonome që Prishtina mund t’i fusë në sistemin e vet ligjor.56 “Komuniteti Autonom” që propozon Beogradi do të përfshinte të gjitha zonat me shumicë serbe dhe jo vetëm ato në veri. Ndarja e statusit të rajoneve veriore dhe jugore serbe, deri tani ishte konsideruar si thelbi i politikës serbe.57 Nëse komunat jugore me shumicë serbe, të cilat deri tani ishin të integruara në sistemin kosovar, do të bëheshin autonome, kjo do të ishte një hap mbrapa sipas perspektivës së Prishtinës.58 Komuniteti nuk do të ishte i bashkuar nga aspekti territorial dhe nuk do mund të ndahej kollaj nga Kosova. Por grupimi i serbeve te jugut me bashkëkombësit e tyre ne veri do t’i largonte ata nga Prishtina dhe do të dobësonte Partinë e Pavarur Liberale (Samostalna liberalna stranka, SLS), e vetmja parti serbe e rëndësishme në Kosovë që pranon plotësisht pavarësinë e Kosovës.”.
Për më tepër, në pikën e fundit të marrëveshjes që ka të bëjë me Energjetikën dhe pasuritë përkatëse, në pjesën e titulluar: “Mohimi” (?!) qëndrojnë pranë e pranë, si njëfarë ujdie e pajtimi, dy formula:
“Kosova konsideron se, në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, dhe ligjin ndërkombëtar, përkatësisht UNSCR 1244 dhe Rregulloret përkatëse të UNMIK-ut, prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Republikës së Kosovës.
“Serbia konsideron se, në pajtim me ligjin vendor ( cilin ligj dhe te kujt ligj?!)dhe ndërkombëtar, përkatësisht UNSCR 1244, prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë, sipas rregullimit specifik provincial dhe në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Serbisë.(!!!)
Çka mohon dhe çka pohon, kjo pjesë e aktit të parafuar edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës?! A është “marrëveshje “apo “derivat i marrëveshjes”, “plan veprimi” e “rregullativë zbatimi?” A është Marrëveshje apo Mosmarrëveshje? Nëse është mospajtim, pse shitet si marrëveshje? Ndërkaq, nëse është pajtim, çka do të thotë në fakt ky pajtim? Pajtim për mospajtim, apo pajtim për njëfarë mesi e “modus vivendi”, midis shtetit të Serbisë dhe Republikës (jo shtetit!) të Kososvës? A nuk është në këto valë edhe pranimi i përfaqësuesve të lartë të Kosovës që në emër të Kosovës të nënshkruajnë “marrëveshje”, derivat marrëveshjeje, ujdi a quaje si të duash, në të cilën emri Kosovë shënohet nën asterisk dhe fusnotën e famshme e gozhduese në kornizën e Rezolutës 1244?
Po nocioni “model provincial”, çfarë domethënie ka dhe çfarë kërkon në këtë “ marrëveshje”?
A ka të drejtë ndokush, cilido qoftë ai, të bisedojë dhe të merret vesh me Serbinë që jo vetëm që nuk të njeh lirinë, shtetësinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe i shfaq hapur e pa u përmbajtur fare pretendimet ekspasioniste, aneksioniste e sunduese ndaj Kosovës, territorit dhe pasurive të saj?! A është autorizuar dikush që të “dialogojë”, me kreun shtetëror serb, në raporte pabarazie, inferioriteti e njëanshmërie frapante, madje edhe për çështje të brendshme të Kosovës, në kundërshtim me rekomandimet e rezolutave të Kuvendit të Kosovës, në kundërshtim me Ligjin, me Kushtetutën dhe me koneventat ndërkombëtare dhe, në përplasje të drejtpërdrejtë e arrogante madje edhe me Kodin Penal të Kosovës, i cili në nenin 124, e cilëson: tradhëti ndaj vendit dhe ndëshkon rëndë, “nënshkrimin dhe pranimin e okupimit apo aktin e kapitullimit të shtetit” dhe “nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare ose ndonjë akti me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër”?!
A nuk është loja eventuale me fatin e vendit dhe tokave të tij, një lojë tepër hazarde dhe plangprishëse që dëmton dhe rrezikon vendin, paqen por edhe vetë lojtarët e këtij ruleti vetërrënues!?
-Po është marrëveshje ndërkombëtare dhe është obligim ndërkombëtar e nuk mund të tërhiqet nënshkrimi tashmë i hedhur në letër, do të thotë dikush, siç edhe po thuhet shpesh?
Dakord. Nëse nënshkrimi i hedhur nuk ka si të tërhiqet, a mund të ketë tërheqje nga marrëveshja dhe a nuk është kjo një e drejtë dhe një praktikë krejt normale dhe e ligjshme ndërkombëtare? Aq më tepër një marreveshje e padrejtë, e paratifikuar, e imponuar me joshje e trysni, me dredhi e me dy-tri kuptimësi?
A është obligim një marrëveshje që nuk është marrëveshje, një letër që herë quhet Marrëveshje e herë, ujdi, herë dakordim, herë derivat e rregullativë për zbatim…? A është marrëveshje ndërkombëtare, një tekst pa formë, pa format e aparaturë marrrëveshjeje, të cilën pala tjetër nuk e pranon si marrëvshje dhe nuk e trajton të tillë, por e quan një akt të brendshëm, sipas sistemit provincial dhe nuk e dërgon fare në Parlament për ratifikim? A është një marrëveshje e paratifikuar e obligueshme për palën tjetër?
A është tërheqja nga marreveshja e drejtë kushtetuese dhe konvencionale?
Për më tepër, a është në harmoni me Konventën për Marrëveshjet Ndërkombëtare një (mos) marrëveshje me nocione nyje dhe formula dy – tri kuptimëshe? A është e zbatueshme një (mos) marrëveshje dy-tri kuptimëshe dhe kush e merr përgjegjësinë për (mos) zbatimin e saj: ai që e ka ratifikuar dhe është vetobliguar, apo ai që nuk e ka ratifikuar dhe rrjedhimisht nuk ka obligim? Dhe para së gjithash e mbi të gjitha, a është e obligueshme një marrëveshje e imponuar, mashtruese, proceduralisht dhe substancialisht difektuoze dhe praktikisht e pazbatueshme dhe kundërproduktive?!
Po dispozitat e Kushtetutës dhe Ligji mbi Marrëveshjet Ndërkombëtare a nuk e parashohin dhe legjitimojnë të drejtën dhe instrumentin e tërheqjes nga marrëveshja, suspendimin ose anulimin e saj dhe a nuk saktësojnë madje edhe procedurën dhe rrjedhen e procesit të tërheqjes nga marrëveshja?!
Kushtetuta e Kosovës
Neni. ( Ratifikimi i marrëvshjeve ndërkombëtare)
- Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njejtën procedurë të vendim marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
- Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe kontestimin e marrëveshjeve ndërkombëtare rregullohen me ligj.
Ligji për Marrëveshjet Ndërkombëtare
Neni 18
Tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimi i zbatimit të tyre
- Marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës mund të tërhiqen dhe zbatimi i tyre të suspendohet vetëm në bazë të dispozitave të marrëveshjeve ndërkombëtare, normave të së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të procedurës së vendosur përmes këtij ligji.
- Vendimi në lidhje me tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, të referuara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me dy të tretat (2/3) e votave pas rekomandimit të Presidentit, me iniciativë të tij ose pas propozimit nga Qeveria.
- Vendimi për tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose për suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, përveç atyre të parapara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Presidenti, me iniciativë të tij ose me rekomandim të Qeverisë.
Po Konventa e Vjenës për marrëveshjet ndërkombëtare a nuk ka paraparë edhe ajo të drejtën e tërheqjes nga marrëveshja dhe arsyet dhe rrethanat në rast të të cilave tërheqja dhe pavlefshmëria e marrëveshjes është e drejtë dhe e ligjshme, si më poshtë:
KONVENTA E VJENËS
SEKSIONI 2. PAVLEFSHMËRIA E TRAKTATIT
Neni 47
Kufizime specifike mbi autoritetin për të shprehur pëlqimin e një Shteti apo një organizate ndërkombëtare…
Neni 48
Gabimi…Neni 49
Mashtrimi
Një Shtet apo një organizatë ndërkombëtare e shtyrë për të lidhur një traktat nga sjellja mashtruese e një Shteti negociues apo e një organizate negociuese mund ta përdorë mashtrimin që ka bërë të mundur pavlefshmërinë e pëlqimit të tij/saj për t’u detyruar nga dispozitat e një traktati…
Neni 50
Korrupsioni i një përfaqësuesi të një Shteti apo i një organizate ndërkombëtare
Një Shtet apo një organizatë ndërkombëtare shprehja e vullnetit të të cilëve për t’u detyruar nga dispozitat e një traktat është siguruar përmes korrupsionit të përfaqësuesit të tij/saj në mënyrë direkte ose indirekte nga një Shtet negociues apo organizatë negociuese mund të pretendojë se ky korrupsion e bën të pavlefshëm pëlqimin e tij/saj për t’u detyruar nga dispozitat e një traktati…
Neni 51
Detyrimi i një përfaqësuesi të një Shteti apo i një organizate ndërkombëtare
Shprehja nga një Shtet apo një organizatë ndërkombëtare e pëlqimit për tu kufizuar nga një traktat e cila është siguruar nga detyrimi që i është bërë përfaqësuesit të atij Shteti apo të asaj organizate nëpërmjet akteve apo kërcënimeve të drejtuara kundër tij do të jenë pa ndonjë efekt ligjor…
Neni 53
Traktatet që bien ndesh me një normë të pakundërshtueshme të së drejtës ndërkombëtare të përgjithshme (jus cogens)…
A nuk janë, në rastin e Kosovës, të pranishme dhe të dëshmueshme lehtë, të gjitha këto arsye për tërheqje nga marrëveshja e padrejtë me Serbinë?
Përveç këtyre, a nuk është edhe dallimi frapant dhe kuptimor i nocioneve thelbësore të (mos) Marrëveshje, në kundërshtim me dispozitat e Konventes se Vjenës
Neni 32
Mjetet plotësuese të interpretimit
Ndihmë mund t’u kërkohet mjeteve plotësuese të interpretimit, duke përfshirë punën përgatitore të traktatit dhe rrethanat e lidhjes së tij, me qëllim për të konfirmuar kuptimin që vjen nga zbatimi i nenit 31, ose për të përcaktuar kuptimin kur interpretimi sipas nenit 31:
(a) e lë kuptimin të paqartë ose të errët; ose
(b) çon në një rezultat i cili është haptazi absurd ose i paarsyeshëm.
Neni 33
Interpretimi i traktateve i vërtetuar në dy apo më shumë gjuhë
- Kur një traktat është vërtetuar në dy apo më shumë gjuhë, teksti është njësoj autoritar në çdo gjuhë, nëse traktati nuk e parashikon apo nëse palët nuk bien dakord, në rast mosmarrëveshjeje një tekst i caktuar do të ketë epërsi.
- Një version i traktatit në një gjuhë ndryshe nga ajo gjuhë në të cilën teksti ishte vërtetuar do të konsiderohet një tekst autentik vetëm nëse traktati e parashikon apo nëse palët bien dakord kështu.
- Termat e një traktati prezumohen të kenë të njëjtin kuptim në çdo tekst autentik.
- Me përjashtim të rasteve kur një tekst i caktuar prevalon në përputhje me paragrafin1, kur një krahasim i teksteve autentike nxjerr në pah një ndryshim të kuptimit të cilin zbatimi i neneve 31 dhe 32 nuk e heq, atëherë do të miratohet kuptimi që i përputhet më mirë tekstit, në lidhje me objektin dhe qëllimin e traktatit.”
Pse atëherë gjith ajo drojë e gjith ai hezitim për të shfrytëzuar një të drejtë të ligjshme e të garantuar? A nuk është arsye e mjaftueshme, nga njëra anë, gjith ajo trysni e kërcënim edhe me izolim e braktisje, kurse nga ana tjetër me kushtëzime e joshje me liberalizim vizash, e marrëveshje të asocim-stabilizimit që i bëhen Kosovës si të tillë, ndërkohë që përfaqësuesit e saj kryesorë, drejtuesit kryesorë të qeverisë dhe të Parlamentit herë joshen me premtime për shpërbilme të ndryshme, madje edhe me “ Nobel” e here mbahen të shantazhuar e të kërcënuar me dosje të hapura e të pambyllura për “krime lufte” e dosje “për korrupsion e keqpërdorime të ndryshme?!
Pse pala kosovare, sillet si skllave e një (mos) marrëveshjeje të padrejtë e hileqare, kur pala tjetër të jep aq arsye plotësuese për një përgjigje adekuate me dinjitet e racionalitet? Pse të mos ketë përgjigje adekuate ndërhyrja brutale e vagabonteske e pushtetit serbë ndaj memorialit kushtuar çlirimtarëve në Preshevë, represioni dhe obstruksioni ndaj shkollës shqipe dhe librit shqip në komunat e Luginës ose edhe gjuhës së kërcënimeve e frikësimeve pas deklarimit të përfaqësuesëve të zgjedhur të asaj ane të një asociacioni analog të komunave, në atë pjesë të banuar me shumicë shqiptare?
Pse nuk pati përgjigje ekuivalente pas tërheqjes së Beogradit nga marrëveshja lidhur me diplomat dhe nostrifikimi si dhe pas moszbatimit demonstrativ në praktikë, nga ana e saj, i pothujase të gjitha marrëveshjeve tjera?!
Pse injorohet paragrafi 14 i “Marrëveshjes së parimeve, sipas të cilit: “asnjëra palë nuk do të bllokojë, apo inkurajojë të tjerët të bllokojnë, progresin e palës tjetër në rrugët përkatëse drejt BE-së”, edhe pse pala serbe edhe deklarativisht, edhe praktikisht jo vetëm nuk i përmbahet, por, aktualisht ka intensifikuar maksimalisht angazhimin bllokues të anëtarësimit të Kosovës në UNESKO, integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Republikës së Kosovës? Krerët serbomëdhenj të Beogradit janë angazhuar në fushatë të egër e të paskrupulltë kundër realitetit të ri, madje edhe duke e identifikuar Republikën e Kosovës me “ISIS”-in dhe shtetin islamik?!
Ka edhe sa e sa pyetje të ngjashme që imponon “marrëveshja” hileqare e sherreplotë për “Zajednicen” dhe marrëveshjet tjera si kjo, pyetje të cilat i shtrojnë çdo ditë qyetaret dhe që mbeten pa përgjegje të zyrtarëve përgjegjës?
Mund të jenë pyetje hipotetike e sugjestive, por a nuk është e tillë – hipotetike dhe madje edhe hipotekuese, sfida serioze që ka prodhuar “marrëveshja” e fundit bashkë me (mos) marrëveshjet tjera si ajo dhe, si e tillë, a imponon dhe a duron ajo edhe ndonjë sygjerim dashamirës? Nuk janë pak këto pyetje, e, megjithatë, janë vetëm një pjesë e vogël e pyetjeve të shumta që imponohen, shtrohen gjithandej dhe mund të shtohen më tej, dhe mbase janë të mjaftueshme që secili që ia do të mirën vendit, edhe bartësit e funksioneve më të larta shtetërore, madje edhe Gjykata Kushtetuese (nëse do që të funksionojë ashtu siç e ka emrin dhe mandatin, dhe jo si një noteri e zakonshme legjitimuese e vendimeve të kreut politik !) të reflektojë dhe të pyes veten: a më mirë një tërheqje e menagjueshme dhe e ndreqshme nga një (mos) marrëveshje e pakuptimtë, e padrejtë, obstruktive dhe kontraproduktive, apo një shkallim i mëtejshëm në tatpjetën dhe stërkeqjen e mëtejshme, që qysh tash po prodhon ndasi, tensione e përplasje të ashpra ndërvëllazërore dhe, për më keq, vazhdon të jetë e mbarsur me përkeqje e përdreqje të mëtejshme, me plagë jo vetëm të pashërueshme, por edhe të trashëgueshme e të regjenerueshme e pezmatuese me pasoja të paparishikueshme e të pariparueshme për të ardhmen e synuar paravajtëse të vendit, kombit dhe kauzës së përbashkët?!
Me konsideratë dhe me besim në frymën vetëmohuese e bashkuese atdhetare
Hydajet Hyseni, kryetar