• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PUBLIÇISTIKA E DOM LAZЁR SHANTOJЁS DHE NYJET E PAZGJIDHURA TË HISTORIOGRAFISЁ SHQIPTARE

March 14, 2020 by dgreca

(Në 15 – vjetorin e botimit të vëllimit “VEPRA” të Shantojës në kujdesin e Arben Markut, Niketa Stefës dhe Ardian Ndrecës),

Shkruan:Eugjen MERLIKA/

Më 5 mars  u mbushwn plot 75 vjet nga dita që u pushkatua martiri i parë i Kishës katolike shqiptare në erën komuniste, Dom Lazër Shantoja. Ishte arrestuar prej “çlirimtarëve” të Shqipërisë pak më shumë se dy muaj më parë. Në ata dy muaj kishte pësuar torturat më çnjerëzore që mund të merreshin me mënd. Trupi i gjymtuar, me gjymtyrët të sharruara, atë ditë marsi u hodh në një gropë pa emër, së bashku me atë të Sulçe Beg Bushatit.

            Kështu mbyllej qarku i jetës së njërit prej eruditëve më të spikatur të shoqërisë shqiptare, personaliteti i të cilit shquhej në shumë fusha të artit të letrave, duke dhënë një ndihmesë me të vërtetë të fuqishme në jetën kulturore të bashkatdhetarëve. Ai ishte bir i traditës katolike të Shkodrës, qytetit më përfaqësues në lëmin e kulturës shqiptare. U rrit e u formua, si njerí e si meshtar, në Institutin Papnuer të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e klerit katolik  që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman.

            Shantoja hyri me tërsëllimë në hullinë e gjërë të klerikëve intelektualë katolikë, të cilët që nga Buzuku, Bogdani, Bardhi e deri tek Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj etj. zotëruan me personalitetin dhe veprimtarinë e tyre fetare e kulturore, në harkun kohor të shekujve, në sferën e qëndresës shqiptare ndaj rrezikut thërmues të pushtimit, duke përfaqësuar shtyllën kurrizore të kulturës dhe idesë kombëtare. Nëse institucionet fetare të krishtera në Evropën mesjetare pas romake patën meritën e njohur të ruajtjes së  vlerave të kulturës klasike të lashtësisë greko – romake nga rreziku i zhdukjes së tyre prej fiseve barbare, kisha katolike shqiptare në mesjetën tonë, që u zgjat deri në shekullin e njëzetë, mbajti mbi shpatulla elementet themelorë të ringjalljes së kombit shqiptar.

            Dom Lazër Shantoja, djalosh 24 vjeçar, i sapo shuguruar meshtar, emërohet sekretar i arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda. Këtu filloi veprimtaria e tij gati tridhjet vjeçare në shërbim të kishës, të kulturës e të shoqërisë shqiptare në periudhën e ngjeshur me ngjarje, të cilat përcaktuan ecurinë e krijimit e të forcimit të Shtetit të parë shqiptar të bashkuar. Veprimtaria e Shantojës, falë formimit të tij të pasur e të mirëfilltë intelektual, ishte e larmishme. Poet i lindur e prozator i arrirë, orator i paarritshëm e tribun i vërtetë politik, përkthyes nga më të talentuarit e letrave shqipe e njohës i thellë  i gjuhëve klasike dhe atyre kryesore evropiane, studjues i vëmendshëm i mendimit letrar, sociologjik e filozofik të elitave evropiane, Dom Lazër Shantoja u shqua në mënyrë të veçantë për ndihmesën e dhënë në fushën e publiçistikës e të mendimit shoqëror të dhjetëvjeçarëve të parë të qindvjetit njëzetë.

            Publiçistika e Shantojës ka bukurinë kristaline të një liqeni alpin, në të cilin derdhen rrëketë e rrëmbyeshme kur stuhitë rrahin malet përreth. Ato stuhì janë ngjarjet politike të jetuara në vetë të parë e të pasqyruara në artikujt e tij. Rrethi i vështrimit të autorit është mjaft i hapur e interesat e tij të shumanëshme vërtiten të gjitha rreth një ideje qëndrore që është credo-ja e tij: Atdheu, Shqipëria, zhvillimi i saj në rrugën e qytetërimit, në kahun Perëndimor. Ёshtë një ide e paluajtëshme e autorit, e miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij, që ndriçon e i jep kuptim   jetëve të tyre që përshkojnë një morì shtigjesh, sakrificash e privacionesh të çdo lloji. Artikujt e tij i gjejmë të botuara në fletore të ndryshme  brënda e jashtë Shqipërisë e në to del në pah një personalitet poliedrik.

            Në ciklin e shkrimeve të botuara tek “Shkolla e re” të vitit 1921 spikat dëshira e autorit për të mbjellë tek bashkatdhetarët e tij parimet e qytetërimit, të atij të vërtetit që rrjedh nga mësimet e filozofëve dhe përvoja e njerëzimit në shekuj. Rrjeshtohen në këta shkrime parimet e edukatës, të moralit, të shoqërisë në shfaqjet e saj më të ndryshme si shkolla, puna, karierat, artet etj. Në to sillen shembuj të njerëzve të shquar, të rrugës së tyre të vështirë, të sukseseve, famës e arritjeve me të vetmin qëllim për të nxitur ambiciet fisnike të shqiptarëve që u duhej të ndërtonin gjithshka me duart e tyre. Me një stil të thjeshtë e bindës Shantoja do t’u thotë bashkatdhetarëve të tij, sidomos të rijve, se nuk ka kalà që nuk merret nëse njeriu ka vullnetin e dëshirën për të shkuar përpara. Janë mësime të vlefshme që i jepen një populli që sapo ka hyrë në rrugën e zhvillimit mbas shekujsh pushtimi të huaj që nuk e kishte ndihmuar aspak atë zhvillim. Autori bën pjesë në atë elitë të këtij populli që mundohet, me të gjitha mjetet, të nxisë në të kurreshtën, interesin, dëshirën për të shkuar përpara, për të vënë në provë zgjuarsinë, forcën e vullnetit, durimin, cilësi aq të domosdoshme për të kaluar vështirësitë e pengesat që koha dhe rrethanat historike vinin me shumicë para shqiptarëve. Nëpërmjet shembujve të shumë njerëzve të shquar, jeta e të cilëve kishte filluar në vështirësi të mëdha, por kishte përfunduar me suksese marramendëse në fusha të ndryshme të shkencës, artit apo politikës të kombeve të tyre, Shantoja përciell mesazhin e optimizmit, të besimit në forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit të vet. Njëkohësisht ai u thotë shqiptarëve se asgjë nuk arrihet lehtë, se asgjë nuk dhurohet, por fitohet me mund, me djersë e me sakrifica. Në këtë rrugë të ringjalljes së kombit e të përpjekjeve për të ecur në gjurmët e popujve të qytetëruar secili duhet të bëjë pjesën e tij. Kjo vlen për brezat si për individët, për prijsit ashtu si dhe për qytetarët e thjeshtë.

            I krishterë e demokrat Dom Lazri mundohet të zhdukë paragjykimet e kastës, të racës së zgjedhur, të “familjeve të mira”, sidomos në sistemin e shkollave, në mendësitë e mësuesve që kanë një rol parësor në rrugën e zhvillimit të kombit. Prej dorës së tyre do të dalin ata që do të çojnë përpara Shqipërinë në të gjitha fushat, do të dalin administruesit dhe shtetarët, artistët dhe profesionistët, ajo elitë intelektuale që do të bëhet shtylla vertebrale e një shoqërije që duhet të synojë të djegë etapat, të fitojë kohën e humbur për të hyrë me të drejta të plota në rradhën e popujve të qytetëruar. Shqipërisë i duhen mësues që të jenë të vetëdijshëm për misionin madhor që i pret e që punën e tyre t’a shohin në prizmin jo të fitimit të çastit, por të dobisë  së t’ardhmes. Për autorin “ Âsht e dijtun se në këqyrëshin mësuesët vetëm me fitue kashatën e gojës, atbotë s’kanë për të pasë fitim tjetër veçse kashatën me zânë frymën e me mbajtë në veprim barkun; fitimet e vërteta, fitimet shpirtnore, ideale, kënaqa m’u njehë e me kênë ndër përparimprûesë t’atdheut, tue mbiellë nji farë qi nji ditë do të qesë fryte të madhnueshme, këto fitime duhet me pasë mësuesi ideal.”(f. 63)

            Mendimi i Shantojës i paraprin projektit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, mbasi është në vetvete mjaft i përparuar në krahasim me mendësinë zotëruese të kohës. Ai fshikullon patriarkalizmin tradicional dhe mashkuellsinë karakteristike të botkuptimit shqiptar, këshillon tolerancën e respektin e mendimit, megjithëse koncepti për gruan nuk i shpëton mendësisë së kohës e bëhet i papranueshëm për stadin e zhvillimit të Shqipërisë së sotme.

            Problemet e ekonomisë shihen nën prizmin e mendësisë stataliste. Qeveria, Shteti duhet të jenë rregullatorë të ekonomisë, madje të përcaktojnë edhe drejtimin e mënyrën e funksionimit. Hasim në mendime proteksioniste që, në shikim të parë, shkojnë në favor të prodhuesve dhe blerësve shqiptarë, por që krijojnë një ekonomi të ngrirë e të mbyllur e cila, me kalimin e kohës, nuk ka aftësi zhvillimi.

            Shtypi, forca e tij, rëndësia, funksioni, ndikimi mbi shtetin e shoqërinë janë një tjetër temë e shkrimeve të Shantojës. Ai  është mjaft kritik, sidomos përsa i përket gjuhës së shkruar që, po të huazojmë një shprehje të Budit, “po bdaret e po bastardohet”. “ Mâ fort se asgjâ do të kritikojmë paaftësìn fenomenale të shumë shkrimtarve të cilët pà pregatitje studimesh marrin e shkruejn kryq e terthuer mbi çashtje për të cilat s’kan farë kompetence….. Perkundrazi kuer lypet me shqyrtue çashtjet mâ delikate të filozofìs, të moralit, të sociologìs, të gjithë duen me kên kompetenta, deri akshìt e kamerjerat… Ç’farë edukatet mûndet me i dhânë popullit t’onë nji shtyllë mbâjtun në kambë me mistrecat e pêndës, të nji pêndës shumë herë të shitme e partizane?…” (f.128) pyet me një zemërim të ligjshëm në faqet e “Orës së maleve” eruditi që kishte privilegjin të studjonte në gjuhët origjinale arritjet më të mira të kulturave të Perëndimit.        

            Shantoja ishte idhtar i shtypit të lirë e të pavarur, atij që ve në qendër të synimit paraqitjen e së vërtetës së paanëshme, një shtypi që nuk i nënështrohet forcës së parasë apo të pushtetit, sepse n’atë rast ai kthehet në të kundërtën e misionit të tij që është formimi i opinionit dhe njohja e lexuesit me rrjedhën e ngjarjeve të çdo dite. Interesi i tij rrok shumë sfera të jetës shqiptare e tematika e shkrimeve shtrihet pothuaj në gjithë gamën e dukurive të saj.

                                                                                                Vijon

Filed Under: Opinion Tagged With: Lazer Shatoja, Publicistika

Publicistika nacionaliste e një atdhetari të shquar

June 5, 2015 by dgreca

Nga prof.dr. Eshref Ymeri*/
Me profesorin e nderuar të historisë, zotërinë Rasim Bebo, jam njohur vite më parë përmes faqeve të internetit. Më pati lënë mbresa të thella formimi i tij, si një intelektual i brumosur nacionalist, i cili, në publicistikën e tij atdhetare, ka folur vetëm me gjuhën e së vërtetës. Kuptohej vetvetiu që ai ishte rritur dhe edukuar në një mjedis familjar që shqiptarinë e ka pasur si një Yll Karvani.
Profesor Rasimi tani është në një moshë mjaft të nderuar. Ai ka lindur në fshatin Shalës të Konispolit. Që në moshë të njomë, ai u mëkua me ndjenjat e atdhedashurisë. Gjyshi i tij, së bashku me nipin dhe me dhëndrin, pati marrë pjesë në Luftën e Janinës. Atje u vra dhëndri i gjyshit, Xhelo Neimi, kurse vetë gjyshi ndërroi jetë pas plagëve të rënda që pati marrë në atë luftë. Babai i Rasimit, që njihej si një pronar i pasur dhe që pasurinë e kishte vënë me djersën e ballit, pati vdekur para kohe, duke e lënë të birin foshnjë, në moshën 4-vjeçare, dhe djalin tjetër 2 vjeç. Djemtë i rriti dhe i edukoi nëna e tyre e dashur. Në vitin 1938, ai përfundoi shkollën fillore me pesë klasë në fshatin e tij të lindjes.
Kur filloi lufta antifashiste, Rasimi ndodhej në moshën e pararinisë (e adoleshencës). Figura të njohura, si Tahir Demi, Sadete Demi, Mufit Sejko, Selim Islami e të tjerë që qenë lidhur me lëvizjen antifashiste, bënë thirrje për t’u ngritur në luftë për çlirimin e atdheut. Kjo thirrje i frymëzoi të rinjtë e fshatit, nga radhët e të cilëve dolën 15 partizanë. Ishte viti 1942, kur Rasimi sapo kishte mbushur 16 vjeç. Komisari i batalionit, Dilaver Poçi, Rasimit i pati ngarkuar detyrën e korrierit që të lidhte batalionin “Çamëria” me grupin IV në Theollogo dhe me Shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër që ndodhej në një fshat të Përmetit. Rasimi ka marrë pjesë në të gjitha aksionet luftarake të batalionit “Çamëria”. Më 20 mars 1944 ai ka luftuar me armë në dorë kundër trupave gjermane në betejën e Konispolit, si edhe në betejën e Delvinës që u zhvillua më 21 korrik 1944. Në atë betejë të rreptë, në krah të djathtë dhe të majtë të Rasimit, ranë dëshmorë respektivisht Jani Çavo nga Lefterhori dhe Nasho Marto nga Smineci dhe u plagos komisari i kompanisë, delvinjoti Kamber Haxhiu. Në atë betejë Rasimi u plagos dhe u shtrua në spitalin partizan që ndodhej në Leshnicë.
Viti 1945 Rasimin e gjeti në Bilisht, në Batalionin III të Brigadës II sulmuese, në detyrën e përgjegjësit të rinisë së batalionit. Asokohe, shefi i sigurimit të divizionit në Korçë, u pati propozuar strukturave përkatëse në Tiranë që Rasimi të dërgohej për studime në shkollën e sigurimit në Bashkimin Sovjetik. Rasimi nuk e pranoi një propozim të tillë. Në vitin 1946, në moshën 20-vjeçare, Rasimi mbante detyrën e sekretarit të rinisë në Brigadën II sulmuese në Pogradec. Në tetor të po atij viti, së bashku me 40 ushtarakë, ai u dërgua në Jugosllavi për të vazhduar studimet në shkollën e tankeve të armatës jugosllave. Në prill të vitit 1948, të diplomuar, ata u kthyen në atdhe. Kur u krijua regjimenti i tankeve “Vojo Kushi”, me komandant Myslim Ketën dhe me komisar Rexhep Dodën, Rasimi 22-vjeçar ishte njëri ndër oficerët me diplomë “shkëlqyeshëm” për armën e tankeve.
Me rastin e festimeve të 10-vjetorit dhe të 15-vjetorit të ushtrisë, u shpërndanë dy dekorata për oficerët shembullorë: urdhri “Ylli i Kuq” dhe “Urdhri i Skënderbeut” i klasës II. Rasimin e vlerësuan me të dy këto urdhra. Por në vitin 1956 ngjarjet do të merrnin një tjetër drejtim në jetën e oficer Rasimit. Në maj të atij viti, vëllai i Rasimit, Xhemili, arratiset së bashku me të shoqen dhe përfundon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në qershorin e vitit 1957, Rasimin e larguan nga reparti i tankeve dhe e çuan në repartin e punës. Katër muaj më pas e transferuan në Shkollën e Bashkuar të oficerëve, me detyrë zëvendëskomandant i teknikës. Në nëntor të vitit 1959, kur Rasimi ishte në prag të marrjes së gradës “major”, atë e thirri komandanti i Shkollës së Bashkuar, gjeneral Qazim Kapisyzi, i cili i pati shprehur keqardhjen se e kishin vënë në “rrethin e kuq”, duke e akuzuar si pjesëtar të grupit të Teme Sejkos. Në ato rrethana të rënda për jetën dhe për familjen e tij, Rasimi shkoi e trokiti në zyrën e kolonelit Dilaver Poçi, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili, pa hezituar për asnjë çast, ndërhyri menjëherë për ta nxjerrë nga “rrethi i kuq” i dyshimeve për lidhje me Teme Sejkon. Falë ndërhyrjes së Dilaver Poçit, Rasimin e nxorën në lirim të plotë, si oficerë rezervë në pension, në moshën 33-vjeçare. Paskëtaj, strukturat e partisë, duke filluar nga Komiteti Qëndror, Komiteti i partisë i Tiranës e më poshtë, vendosën që Rasimi të kryente studimet e larta në degën e historisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.
Pas përfundimit të studimeve universitare, Rasimi ndoqi kursin 3-vjeçar për gjuhë gjermane në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Pas kryerjes së këtij kursi, e emëruan mësues në shkollën e sigurimit në Sauk dhe më vonë në disa gjimnaze të Tiranës. Kur nisi fushata e qarkullimit e vitit 1966, Rasimin e qarkulluan në gjimnazin e Delvinës, ku dha mësim deri në maj të vitit 1969, kur u sëmur dhe u shtrua në spitalin e Tiranës. Meqenëse kishte qenë në qarkullim 3 vjet, ai nuk u kthye më në Delvinë. Moskthimin në gjimnazin e Delvinës, autoritetet shtetërore e vlerësuan si “braktisje të detyrës”. Që prej asaj kohe, kundër Rasimit filloi fushata e “gjuetisë së shtrigave”. Në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl”, ku Rasimi kishte shtëpinë, tabelat në këmbësore u mbushën me fletërrufe kundër tij. Mbledhja e frontit të lagjes doli me propozimin për ta internuar familjarisht. Ky propozim nuk u mor parasysh, por u kalua në një masë ndëshkimi të heshtur, duke e lënë dy vjet pa punë. Atij ia ndaluan botimin e artikujve në shtypin e kohës. Gjatë asaj kohe ai u mor me përkthime nga gjermanishtja për emisionin e Radio-Tiranës “Vende dhe popuj”, për të kompensuar sadopak mungesën e rrogës mujore. Më vonë, autoritetet shtetopartiake dhanë porosi që Rasimi të sistemohej në punë si hamall në depon e barërave dhe pas tre muajsh i caktuan detyrën e kontrollorit të ilaçeve sipas fletëshpërndarjeve. Aty punoi deri në vitin 1981, kur doli në pension të plotë, duke marrë edhe një shtesë prej 1000 lekësh, si veteran i luftës.
Me shpalljen e pluralizmit, Rasimin e zgjodhën kryetar të Partisë Demokratike për lagjen 17. Në këtë detyrë ai mbulonte edhe lagjet 18 dhe 19. Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, në ato tri lagje fitoi Partia Demokratike. Nga Partia Socialiste i erdhën kërcënime me vdekje. Një mbrëmje gushti të vitit 1992, Rasimin e rrahën keqas sambistët e dërguar nga Partia Socialiste. Djemtë e Rasimit i shkuan natën në shtëpi kryesambistit dhe e rrahën në sytë e prindërve, të cilët ishin mjaft të pakënaqur prej tij. Të nesërmen, sambistët e Partisë Socialiste kapën djalin e dytë të Rasimit dhe e torturuan. Shpëtoi në saje të ndërhyrjes së shokëve të tij që i shkuan menjëherë në ndihmë. Por kërcënimet nga radhët e Partisë Socialiste në adresë të Rasimit dhe të familjes së tij nuk reshtën asnjëherë. Në këto kushte, Rasimi, për të mos vënë në rrezik edhe jetën e djemve të martuar dhe me fëmijë, u detyrua të emigronte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atje ai punoi 10 vjet, duke kryer punë të rënda. Deri sa fitoi një pension, sipas ligjeve amerikane.
Zoti Rasim ka gëzuar vazhdimisht respektin e veçantë të fshatrave çame të krahinës së Konispolit. Me rastin e 71-vjetorit të batalionit “Çamëria” dhe të 100-vjetorit të pavarësisë, Komuna e Mekatit, me kryetar Ismail Myrtaj, i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”, me këtë motivacion:
“Aktivist me kontribut të shquar patriotik. Nder i krahinës së Çamërisë me shkrimet e tij historike”.   
Gjatë viteve që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rasimi është marrë me publicistikë. Në faqet e internetit janë botuar me dhjetra e me dhjetra shkrime, analiza dhe refleksione për probleme nga më të ndryshme, në shërbim të Çështjes Kombëtare Shqiptare.  Shkrimet e tij me theks të veçantë analitik janë me të vërtetë tërheqëse. Më ka rënë në sy sidomos faktologjia befasuese që karakterizon analizat e tij shkencore për probleme të rëndësishme kombëtare dhe sidomos për figura të shquara të historisë sonë.
Ai është dëshmitar i mjaft ngjarjeve tronditëse që ka përjetuar mbarë kombi shqiptar, por sidomos popullsia martire e Çamërisë. Kjo është edhe arsyeja që tema e Çamërisë përbën njërin nga boshtet kryesore të publicistikës së tij shkencore. Faktet tronditëse që ai ka sjellë në publicistikën e tij, zbulojnë lakuriq veprën kriminale që shovinizmi grekomadh kreu kundër një popullsie me tradita të kahmotshme fisnikërie. Këto fakte të këtij profesori të nderuar dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se shovinizmi grekomadh, në qëndrimin që mbajti ndaj popullsisë çame në vitin 1944, u radhit përkrah barbarisë nazifashiste, për çka ka mbetur ende i pandëshkuar edhe sot e gjithë ditën.
Në publicistikën e tij, Rasimi ka hedhur dritë mbi shumë figura të shquara të kombit tonë që kanë dalë nga treva e Çamërisë
Këtë profesor të nderuar e ka dëshpëruar dhe vazhdon ta dëshpërojë pa masë qëndrimi i heshtur, deri në servilizëm, i shtetit shqiptar ndaj çështjes çame, qoftë gjatë periudhës së sundimit komunist, qoftë gjatë viteve të pluralizmit. Prandaj edhe ky fakt përbën një tjetër bosht të rëndësishëm të analizave shkencore që ai shpalos herë pas here në faqet e internetit.
Lashtësia e kombit shqiptar dhe argumentimi i saj me fakte shkencore, është një tjetër temë interesante që autori e shtjellon në publicistikën e tij. Fqinjët tanë jugorë dhe veriorë kanë bërë ç’është e mundur për të na falsifikuar historinë, për ta nxirë të kaluarën tonë të lavdishme, e cila ka shërbyer si një truall i fuqishëm për mbijetesë kombëtare, përballë furisë së tërbuar asimiluese të grekosllavizmit. Grekosllavët janë munduar dhe mundohen vazhdimisht të shpifin kundër kombit shqiptar, të shtrembërojnë të vërtetat historike, të na vjedhin historinë, duke na i shitur si heronj të tyre figurat të shquara që kanë dalë nga radhët e kombit shqiptar. Për ketë qëllim, ata shfrytëzojnë edhe mercenarë shqiptarë, si pseudoprofesori dhe pseudoakademiku Kapllan Resuli që çirret në të gjitha udhëkryqet e shovinizmit serbokaragjoz se nuk na ekzistuaka komb shqiptar, se Kosova na paska qenë dhe duhet të jetë Serbi dhe se u dashka kthyer, demek, në gjirin e Serbisë! Serbët deklarojnë pa pikë turpi se Konstandini i Madh na qenka serb. Por, çuditërisht, korit të korbave serbokaragjozë që krrokasin si të ndërkryer për përkatësinë serbe të Konstandinit të Madh, vjen e i bashkohet edhe presidenti italian Serxho Matarela, i cili, më 25 maj 2015, nga folëtorja e parlamentit serb, deklaroi se, demek, 17 perandorë romakë na paskan qenë me prejardhje serbe, duke dëshmuar kësisoj gjysmakësinë e vet në formimin intelektual. I gjori president italian! Në qoftë se këtë deklaratë nuk e ka bërë me dashakeqësi në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, le të marrë mundimin të bëjë ndonjë kurs kualifikimi për histori, që ta marrë vesh një herë e mirë se ku banonin asokohe serbët kur ata perandorët me prejardhje nga Iliria qeverisnin Perandorinë Romake të Perëndimit.
Ja, kundër shtrembërimeve dhe falsifikimeve të tilla skandaloze të të vërtetave historike, profesori i historisë Rasim Bebo ka ngritur vazhdimisht zërin e tij të fuqishëm.
Në të njëjtën kohë ai ka argumentuar me fakte se është e pamundur të jesh edhe maqedon, edhe sllav. Sepse Maqedonia e ka zanafillën në lashtësi dhe Aleksandri i Maqedonisë s’ka asnjë lidhje absolutisht me sllavët e tanishëm që jetojnë në Maqedoni. Por duke shkelur mbi të vërtetat historike, klika sunduese e Gruevskit dhe e stanit të tij sllav, duke ngritur një monument madhështor, Aleksandrin e Madh e shesin për hero të sllavëve, të cilët kanë zbritur në gadishullin tonë në shek. VII.
Këtë vijë arsyetimi të profesorit të historisë Rasim Bebo, ndjek edhe profesori Saimir Lolja në një analizë shkencore me titull “Maqedonët janë shqiptarë maqedonë, domethënë shqiptarë vendës”, të botuar në faqen e internetit më 04 qershor 2015. Në analizën e vet, profesor Lolja thekson:
“Historikisht është e pamundur më qenë njëkohësisht edhe maqedon edhe sllav. Një maqedon, i cili i përket vitit 300 p.e.r., ndahet me 1000 vjet nga një sllav i ardhur në vitin 700 e.r.”. 
Njëra nga figurat e shquara të historisë sonë kombëtare është edhe ajo e mbretit Ahmet Zogu. Historiografia komuniste bëri ç’është e mundur për denigrimin e kësaj figure madhore të kombit tonë. Në gjurmët e Enver Hoxhës, në qëndrimin ndaj mbretit Ahmet Zogu, vazhdojnë të ecin edhe sot ca historianë të indoktrinuar që u ka mbetur ora ende në periudhën e sundimit komunist. Profesori Rasim Bebo hedh dritë shkencërisht mbi figurën e Ahmet Zogut dhe nxjerr në spikamë rolin e tij të padiskutueshëm në themelimin e shteti shqiptar të periudhës së mbretërisë.
Një tjetër temë interesante që rrihet në publicistikën e Rasim Bebos e përbëjnë ngjarjet që janë zhvilluar në harkun kohor mbinjëzetvjeçar të periudhës së pluralizmit politik. Vëmendjen e këtij profesori të nderuar e tërheqin ca fakte tronditëse rreth marrdhënieve me shtetin shovinist grek. Megjithëse Greqia, zyrtarisht, është në gjendje lufte me ne, sepse ajo deri më sot nuk e ka abroguar ende ligjin paradoksal të luftës, të dekretuar që në vitin 1940, shteti shqiptar i periudhës së pluralizmit i ka bërë asaj lëshime pas lëshimesh të paprincipta, të cilat kanë dëmtuar rëndë interesat tona kombëtare. Fakti që telefonia e lëvizshme, sistemi bankar dhe mjaft sektorë të tjerë jetikë janë në duart e shovinizmit grekokaragjoz, përbëjnë një shqetësim të përhershëm të profesorit Rasim Bebo.
Në publicistikën e vet nacionaliste, Rasimi ka reaguar me forcë për sabotimin e ndërtimit të Korridorit 8 nga ana e qeverisë shoviniste greke, në bashkëpunim me qeverinë socialiste të Fatos Nanos. Ai Korridor, për ndërtimin e të cilit idenë e hodhi i pari Presidenti Bill Klinton, do të kishte pasur një rëndësi jetike për ekonominë e vendit tonë. Siç thekson me shumë të drejtë profesori i nderuar i historisë, për shkak të marrëdhënieve të ngrohta që kishte vendosur me Greqinë, qeveria e Fatos Nanos nuk deshi dhe matje e sabotoi leverdinë që do të kishte pasur vendi ynë nga ndërtimi i atij Korridori, nëpër të cilin do të transportoheshim mallra me një vlerë prej 450 milionë dollarësh, çka do ta bënte Tiranën njëherësh faktor të politikës ballkanike dhe evropiane.
Profesorin e nderuar të historisë Rasim Bebo, vazhdimisht e ka shqetësuar problemi i marrëdhënieve me shovinizmin grekokaragjoz. Në publicistikën e tij bie në sy sidomos “çështja Janullatos”. Kjo çështje, mjaft e mprehtë për çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, në publicistikën e tij trajtohet me objektivitet shkencor. Autori e vë theksin te domosdoshmëria e largimit të Janullatosit nga Shqipëria, sepse qëndrimi i tij në Tiranë përbën një fyerje të rëndë kombëtare për traditën e shquar atdhetare të ortodoksisë shqiptare, si pjesë e pandarë e pasurisë shpirtërore të popullit shqiptar. Janullatosin ai e trajton si pasardhës të “Shën” Kozmait, për misionin e të cilit në Shqipëri ai citon historianin Zhan Klod Faveirial:
“Murgu Kozma ka qenë tepër rrënimtar për kombin shqiptar. Është fakt se ai ishte një agjent politik dhe, duke shkuar fshat më fshat, nuk predikonte ungjillin, por kërcënonte me shkishërim nga patrikana greke të gjithë shqiptarët që nuk flisnin vetëm greqisht”.
Është për të theksuar që ky historian i shquar dhe mjaft i përkushtuar, kontributin e vet në shërbim të Çështjes Kombëtare Shqiptare e ka përmbledhur në disa libra, të cilat sot lexuesit i kanë nëpër duar. Janë për t’u përmendur dy librat shkencorë “Dodona, tepmpulli i lashtë i Shqipërisë dhe “Zeusi”. Kurse publicistika e tij nacionaliste është përfshirë në tri libra: “Artikuj dhe ngjarje” (vëllimi i parë dhe vëllimi i dytë) dhe “Shqipëria në gjurmët e kohës (përmbledhje artikujsh historikë)”.
Për qëndrimin e tij të patundur në llogoret e publicistikës nacionaliste dhe për të vërtetat shkencore që ai ka mbrojtur dhe vazhdon t’i mbrojë në fushën e historiografisë shqiptare, profesori i historisë Rasim Bebo është bërë edhe objekt sulmesh dhe shpifjesh të ulëta nga ana e atyre që nuk kanë këllqe të maten me erudicionin e tij të admirueshëm, që është karakteristik për një intelektual me formim akademik. Megjithatë, intelektuali Rasim Bebo nuk i ka lejuar vetes të zbresë në moçalin ku notojnë mjeshtërit e shpifografisë, duke i lënë ata të bëhen edhe më të shpifur në mjerimin e tyre patologjik. Sepse një fjalë e urtë thotë: nuk ngjit qimja në kadife.

*Ne Foto Rasim Bebo Tiranë, 05 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Eshref Ymeri, Publicistika, rasim bebo

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT