
Qazim Shemaj 1950-2017/
Poeti ynë lirik Qazim Shemaj, pas një bashkëpunim mjaft interesant me Jorgji Doksanin arritën të përfundonin vëllimin e parë të poezive lirike të A. S. Pushkinit, gjëra që janë përkthyer më parë në shqip, nga emra të njohur. Por vini re, poezia e Pushkinit ardhur nga liriku Qazim Shemaj ka tharm, ndjenjë dhe emocion të përsosur…
Së shpejti do t’i gjeni në një libër të veçantë, edhe in memoriam për poetin tonë që e mbylli krijimtarinë me këto perla… Xhevair Lleshi/
A.S. Pushkin
Varri i Anakreonit/
e përktheu Qazim Shemaj/
Natë e heshtur diç të fsheh,
Kodra nxin në errësirë,
Përtërirë hënë e re,
Përmes resh lodron e lirë.
Ja ku shoh një lirë përmbysur,
Përmbi varr në qetësi,
Rrallë se tingulli i ngrysur
Nëpër tela mund t’i vijë,
I pajetë, pa gjallëri.
Ja, mbi lirë një kumri
Dhe një kupë e një kurorë
Miq, këtu prehet ai,
Ish dëfrimtari ynë me fore,
Shihni në mantel të purpurt,
Si i gdhendur, daltë e flakë,
Ja, po shihet në pasqyrë,
Thotë : ”I thinjur jam dhe plak,
Kupë e jetës duhet pirë,
Jeta është dhuratë për pak!”
I vrenjt vetullat, në vështrim,
Do ai t’i thurë , t’i nisë
Këngë Zotit të luftimit,
Po i thur veç dashurisë.
Natyrës borxhin e shtuar
Po ia kthen të fundit herë
Dhe mes korit, i gëzuar,
Kërkon prap’ t’i sjellin verë.
Pas gazmorit kryethinjur
Hovin vashat rreth e rreth,
Plaku kohës, i panginjur,
Ca minuta po ia vjedh.
Ja, dhe muzat e rrëmbyen,
Drejt në varr kaq buzagaz,
Trëndafilat flakë shpërthyen,
I tërhoqën lodrat pas…
Iku si një çast i ëmbël
Porsi ëndë e dashurisë.
Kape, o i gjallë, se s’gjendet
Çasti i rrallë i lumturisë.
Çmoje jetën, argëtohu,
Gotën mbushe buzë më buzë,
Digju, shkrihu, përvëlohu
Dhe pas kupës – gjumin pus!
2016