Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Ngjarjet dramatike që u zhvilluan në Ukrainë kohët e fundit, gjetën një pasqyrim të deformuar djallëzisht në mjetet e informimit masiv rus. Shtrembërimi i së vërtetës, dezinformacioni në radhët e publikut të gjerë rus mori përmasa të papërfytyrueshme deri në atë shkallë, saqë të kujtonte propagandën e Gebelsit (Paul Joseph Goebbels 1897-1945), ministër i arsimit dhe i propagandës në hierarkinë qeverisëse të Hitlerit prej vitit 1933 deri në vitin 1945.
Në një artikull me titull “Tërmetet politike mes Kievit dhe Moskës me prapavijë shumëshekullore. Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët?”, që e pata botuar në internet më 24 shkurt 2014, unë theksoja:
“…në mënyrë që të mos i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive.., e quajta me vend t’u drejtohem ca shënimeve mjaft interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”.
Ishte fjala për analistin ukrainas Vadim Guntarenko.
Edhe në këtë rast, për të nxjerrë në pah natyrën gebelsiane të propagandës së Putinit kundër Ukrainës, unë po i lë mënjanë vlerësimet personale dhe po ia lë fjalën një personaliteti të shquar të gazetarisë ruse, zotërisë Jevgjeni Kiselov (1956), me shtetësi ruse, i cili, që prej qershorit të vitit 2008 jeton dhe punon në Kiev, ku edhe vazhdon të ushtrojë artin e tij të gazetarisë.
Tani së fundi, poeti, prozatori dhe përthyesi rus, zotëria Dmitri Volçek (1964), që është edhe botues, i ka marrë një intervistë gazetarit Jevgjeni Kiselov pikërisht për zhvillimet dramatike të ngjarjeve të paradokohshme në Ukrainë dhe në vazhdimësi. Intervistës i paraprin parathënie e mëposhtme e zotërisë Dmitri Volçek:
“Kanalet televizive shtetërore ruse e reklamojnë revolucionin ukrainas si një përmbysje banditeske, pjesëmarrësit në protesta në Sheshin Majdan i prezantojnë si nazistë, pushtetin e ri e quajnë të paligjshëm, rrëfejnë orë e çast për vuajtjet e popullsisë rusishtfolëse, sikur gjoja po lënguaka nën thundrën e “banderasve”*. Për mënyrën se si është organizuar kjo propagandë, mund të gjykohet jo vetëm nga instruksionet e sapo bëra publike për gazetarët e televizioneve. Në të ashtuquajturat “kthina të fshehta”, atyre u jepen këshilla për të rrëfyer për “shpërthimin e shfrenuar të krimit” në Ukrainë, për “kacafytjet në rritje për pushtet”, për “kriminalitetin nën maskën e Majdanit” dhe mandej për të reklamuar qetësinë çlodhëse në Krime. Jevgjeni Kiselov, gazetar rus dhe analist politik që punon në Kiev, ish-drejtor i përgjithshëm i TPR (televizion publik rus – E.Y.) dhe kryeredaktor i gazetës “Moskovskije Novosti” (Lajme të Reja nga Moska – gazetë e përditshme politiko-shoqërore – E.Y.), metodat e telepropagandistëve rusë i krahason me punën e bashkëpunëtorëve të Jozef Gebelsit. A janë të justifikuara vendimi për ndërprerjen e transmetimeve të kanaleve televizive ruse në Ukrainë dhe përfshirja e emrit të njërit nga gazetarët më të neveritshëm, Dmitri Kiselovit, në listën e funksionarëve që e kapin sanksionet ndërkombëtare? Këtyre pyetjeve u ka dhënë përgjigje Jevgjeni Kiselovi në efirin e programit “Përfundimet e Javës” të Radios Svoboda”.
Për dijeninë e lexuesve të nderuar, Dmitri Kiselov është gazetar rus, drejtues emisionesh televizive, drejtor i përgjithshëm i agjencisë informative ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja” (Rusia Sot) dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i KSHTRM (Kompanisë Shtetërore Televizive dhe Radiopërhapëse Mbarëruse). Në veprimtarinë e vet gazetareske, Dmitri Kiselovi, për puthadorësinë (servilizmin) e tij karakteristike ndaj Putinit, ka rënë në sy jo vetëm në sytë e opinionit publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik ndërkombëtar.
Kështu, me rastin 60-vjetorit të lindjes së Putinit (07 tetor 2012), gjatë zhvillimit të programit me temë “Lajmet e Javës”, Dmitri Kiselovi pati përgatitur një koment që zgjati 12 minuta dhe 41 sekonda. Në atë koment, ai deklaroi:
“Për nga përmasat e veprimtarisë, Putini-politikan, në krahasim me paraardhësit e tij të shek XX, është i krahasueshëm vetëm më Stalinin” (Citohet sipas: “Zemrat e tyre duhen groposur ose duhen djegur, si të papërshtatshme për vazhdimin e jetës”. Marrë nga faqja e internetit “slon.ru”. 09 dhjetor 2013).
Ndërsa në një tjetër shfaqje puthadorësie, Dmitri Kiselovi i drejtohet Putinit me një tjetër deklaratë, këtë herë vetëposhtëruese:
“Vladimir Vladimiroviç, mua më ke besnik, çizmet do të të pastrohen me floknajën time, më pas do t’ju thur dhe këngë” (Citohet sipas: Helena Rikovceva. “Ishte Kiselovi ai që tha për Putinin: mua më ke besnik”. Marrë nga faqja e internetit “svoboda.org”. 13 dhjetor 2013).
Prandaj edhe emri i Dmitri Kiselovit, në pjesën e dytë të listës së Bashkimit Evropian që u hartua për shkak të krizës së Krimesë, figuron mes emrave të personaliteteve politike dhe shtetërore ruse, ndaj të cilëve janë vendosur kufizime në marrjen e vizave dhe kufizime të natyrës financiare.
Në intervistën e mëposhtme që Dmitri Volçek e ka botuar në faqen e internetit, del në pah me tërë spikamën e vet mashtrimi skandaloz i makinerisë propagandistike të Putinit, të përfaqësuar nga Dmitri Kiselovi e kompani, për zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, në ballafaqim me të vërtetën që pasqyron gazetari i shquar Jevgjeni Kiselov, si dëshimtar i drejtpqërdrejtë i atyre ngjarjeve. Pra, kemi të bëjmë me dy gazetarë me të njëjtin mbiemër – Kiselov – por me pikëpamje krejtësisht të kundërta në raport me të vërtetën: njeri noton në detin e mashtrimit, kurse tjetri rrezaton vetëm të vërtetën. Intervista titullohet:
“Mua më vjen turp të jem qytetar rus”
Në vijim i ftoj lexuesit të ndjekin intervistën:
Pyetje: Jevgjeni Aleksejeviç, le të hamendësojmë se ekziston një dikushi kureshtar që jeton në Rusi dhe që e di se çfarë ndodhi në Kiev vetëm nga transmetimet e kanaleve televizive ruse dhe ju lutet t’ia shpjegoni kuptimin e revolucionit ukrainas. Si do t’i përgjigjeshit ju atij?
Përgjigje: Druaj se ai njeri që ka ndjekur vetëm transmetimet e televizionit rus, do ta ndiente veten shumë ngushtë për të folur, meqenëse me një njeri të tillë (nëse ai e beson atë që i thonë) duhet biseduar si me një të rrjedhur nga trutë. Sepse ajo që është transmetuar në ekranet e kanaleve shtetërore ruse, ishte një çmenduri propagandistike. Për fat të keq, duke gjykuar nga treguesi i miratimit të politikës së Putinit, kjo propagandë e ka ushtruar tashmë ndikimin e vet. E megjithatë, unë do të mundohesha që bashkëbiseduesin tim ta bindja për faktin se duhet t’i vërë kryqin gjithçkaje që i kanë rrëfyer njeriu, të cilin unë, të shumtën e herëve e quaj “madje jo njeriu me të njëjtin mbiemër me mua” ( e ka fjalën për Dmitri Kiselovin – E.Y.), si edhe propagandistë të tjerë rusë. Unë do t’i kallëzoja atij se shpërtheu durimi i popullit ukrainas, në Ukrainë u krye një revolucion që përmbysi një regjim të korruptuar. Në pushtet ishte Vladimir Janukoviçi, i rrethuar nga njerëzit e “familjes” në kuptimin e dikurshëm të kësaj fjale në gjuhën ruse, ishte një e tillë byro politike që përbëhej nga njerëz, të pleksur me miqësi ose me lidhje biznesi me djalin e madh të presidentit, i suksesshëm ky deri në pabesueshmëri, sidomos gjatë vitit të fundit të qëndrimit të të atit në pushtet, me biznesmenin Aleksandër Janukoviç. Prandaj edhe protesta kundër këtij “kapitalizmi për të vetët”, kundër këtij korrupsioni marramendës, ishte edhe arsyeja që shkaktoi shpërthimin e revoltës popullore që çoi në përmbysjen e regjimit. Shumica e njerëzve që morën pjesë në këtë revolucion, shumica e qindra mijë qytetarëve paqësorë që dilnin për të protestuar në rrugët dhe në sheshet qëndrore të Kievit, ishin njerëz të zakonshëm, krejtësisht normalë, herë-herë krejtësisht të largët nga ndonjë veprimtari politike në të kaluarën e paradokohshme, ishin kështu si puna ime e jotja, klasë e mesme.
Pyetje: Ne e nisëm bisedën për faktin se propagandistët rusë, para së gjithash, punonjësit e televizionit, krijuan një tablo plot fantazira që nuk kishte asgjë të përbashkët me realitetin. Ju a e miratoni idenë e shkyçjes së transmetimeve të kanaleve tekevizive ruse për Ukrainën.
Përgjigje: Qëndrimi im në këtë rast është i ndërlikuar. Gjithsesi, kanalet televizive ruse përcjellin jo vetëm lajme të reja, të cilat tani është vështirë t’i quash të reja, jo vetëm programe informative, të cilat janë shndërruar nga informative në propagandistike. Herë-herë ato transmetojnë edhe programe, seriale jo të këqija të natyrës jo politike, kinodokumentarë. Në ekran shikoj miq dhe kolegë të mi që nuk kanë bërë asnjë faj në qëndrimin ndaj popullit ukrainas. Gjithçka që transmetohet në ekranet e televizioneve shtetërore ruse është një çmenduri propagandistike. Prandaj qëndrimi im në këtë rast është i ndërlikuar. Nga ana tjetër, natyrisht, është e pamundur ta përfytyrosh që, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, gazeta “Folkisher Beobahter” [Völkischer Beobachter (Komentator Popullor_ – organ i Partisë Nacional-Socialiste Punëtore Gjermane (Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei (NSDAP), gazetë kjo që u botua në periudhën mes viteve 1920 deri në vitin 1945 – E.Y.] të botohej në territorin e Britanisë së Madhe ose të Shteteve të Bashkuara, me përkthim në anglishte. Këtu e kam fjalën për Russia Today (Rusia Sot – Kompani Televizive Informative Ndërkombëtare Ruse Shumëgjuhëshe, institucion shtetëror, E.Y.). Për mua është interesante të di se çfarë do të bëjnë në të ardhmen lidhur me këtë çëshje autoritetet e atyre shteteve anglishtfolëse, ku mund të pranohen programet e Russia Today. Sepse Russia Today, më falni, përfaqëson në vetvete, në një shkallë të konsiderueshme, versionin bashkëkohor të gazetës “Folkisher Beobahter”… Pra, për sa i përket Russia Today, këtu kemi të bëjmë me versionin e sotëm të “Folkisher Beobahter”. Sipas vëzhgimeve të mia, në vitet e fundit në Rusi ka ardhur e është krijuar një shumicë çuditërisht pasive, shpërfillëse, e heshtur, së cilës as që i bëhet vonë për të ardhmen e vendit dhe që gjatë një përmbysjeje të situates, zë e ngre supet dhe thotë: po ne nuk kemi ditur gjë, neve askush s’na ka kallëzuar gjësend, ne nuk kemi dyshuar se paskemi një të tillë regjim në pushtet. Këto janë shfajësime që përdoren në rastet po të qëllojë mandej, si puna e popullit gjerman, për t’u përgjigjur para botës për ato gjëra që mund të ndodhin me Rusinë
Pyetje: Tani të gjithë druhen se Rusia po përgatitet të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë. Vazhdon përqendrimi i trupave në kufi, përgatitja informative e kësaj ndërhyrjeje. Sipas ndjesive tuaja, a do të ndodhë një gjë e tillë?
Përgjigje: Kjo, për fat të keq, mund të ndodhë. Unë nuk dua të bej parashikuesin e keq, por një gjë e tillë nuk përjashtohet absolutisht. Shenjat e zbulimit të një ndërhyrjeje të tillë duken sheshit. Mua, fjala vjen, po më shqetëson seriozisht dislokimi i spitaleve fushore, mua po më shqetëson shfaqja e makinave të posaçme ku janë instaluar altoparlantë të fuqishëm, radiostacione fushore, të cilat duhet të transmetojnë ca thirrje drejtuar kundërshtarit në rrethim apo në tërheqje e sipër, apo që është fortifikuar në mbrojtje dhe që nuk ka dëshirë të dorëzohet në mëshirë të fitimtarit. Mua më ngjallin dyshime premtimet këmbëngulëse të personave zyrtarë të Federatës Ruse se gjoja nuk do ta kalojnë kufirin, se gjoja nuk janë duke përgatitur kurrfarë ndërhyrjeje të armatosur. Të gjitha këto të kujtojnë së tepërmi ato llafe që u thanë në prag të aneksimit të Krimesë se nuk do të ndërmerreshin kurrfarë operacionesh ushtarake në Krime, se nuk do ta aneksonin Krimenë, se nuk paskeshin ndër mend ta bashkonin Krimenë me Federatën Ruse. Siç e dimë të gjithë, tërë ato premtime të bujshme nuk përputheshin absolutisht me realitetin… Unë nuk dua të jem bashkëfajtor me një vend që kryen agresion kundër Ukrainës, mua më vjen turp të jem qytetar rus… (Citohet sipas: Dmitri Volçek. “Mua më vjen turp të jem qytetar rus”. Intervistë me gazetarin Jevgjeni Kiselov. Marrë nga faqja e internetit “svoboda.org”. 30 mars 2014).
Propaganda e shfrenuar gebelsiane e Putinit kundër Ukrainës, për fat të keq, më sjell në kujtesë shfaqjen e urrejtjes së tërbuar që mjetet e informimit masiv rus dhe sidomos kanali televiziv shtetëror rus, patën shpërthyer kundër kombit shqiptar, që nga Kamçatka deri në Peterburg, veçanërisht kundër popullit shqiptar të Kosovës, gjatë periudhës që NATO-ja po bombardonte Serbinë në pranverën e vitit 1999. Asokohe, përmes postës elektronike, ambasadës sonë në Moskë i dërgoheshin kërcënime anonime, në të cilat merrej në mbrojtje barbaria shoviniste e Millosheviçit dhe sulmohej egërsisht etnia shqiptare. Ja njëri nga ato kërcënime, në të cilin shkruhej:
“Shqiptarë të ndyrë! Ju duheni mbyllur në Shqipëri si në kafaz dhe në rast se doni të dilni, duheni vrarë si qen të tërbuar. Gratë tuaja duhen sterilizuar, që të mos mund të lindin më si lepujt. Dhe në qoftë se ju do të vendosni të vini në Kosovën serbe, do të ngordhni. Toka do t’ju helmojë. Kombi juaj duhet zhdukur. Le t’ju marrin amerikanët atje, në Amerikë. Ngordhni sa më shpejt në Rusi. Juve do t’ju therim” (Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 415).
Kërcënime kaq të egra, deri edhe me zhdukjen tonë nga faqja e dheut, ambasadës sonë në Moskë i dërgoheshin me faks pikërisht në një mjedis rus, të mbarsur me urrejtje kundër nesh dhe ku shkenca e urrejtjes kundër kombit shqiptar kishte arritur në kuota të papara ndonjëherë.
————————-
*Ёshtë fjala për simpatizantët e Stepan Banderës (1909-1959), njërës nga figurat më kryesore të nacionalistëve ukrainas, të cilin, në Mynih, më 15 tetor 1959, e vrau me cianur agjenti ukrainas i KGB-së, Bogdan Stashinski, sipas urdhrit që kishte marrë nga kryetari i KGB-së Aleksandër Shelepini (1918-1994). Vrasja e Stepan Banderës shkaktoi skandal në mbarë botën, meqenëse Bashkimi Sovjetik, në vitin 1956, në Kongresin XX të Partisë, kishte marrë vendim për heqjen dorë nga terrorizmi ndërkombëtar.