Nga Adriana Dine/
Ne Foto: nder te fundmet foto te Lazrit me Adrianen dhe mbesen-gusht 1998./
Ishte 7 janar i vitit 1983./
Bënte një dimër i acartë, dhe bora kishte pllakosur krejt pjesën e veriut të vendit. I kisha përcaktuar me kohë ditën e nisjes që të takoja Dinen në burgun e Qafë-barit… kështu që vetëm duke iu lutë Zotit që të më ndihmonte, duhet ta merrja atë rrugë, sigurisht e shoqëruar me dikë, o nga njerzit e mi, o nga njerëz të familjes së Dines; mbasi ishte e pamundur që ato udhëtime të gjata e të mundimshme t’i bëja vetëm…
Udhëtimin e asaj rradhe, në zemër të dimrit më takoj ta bëja me babën tim të dashur, që s’më ndahesh asnjiherë në gjithë hallet e mia, dhe që e kisha mbrapa gjithmonë e për gjithçka, dhe që s’u lodh kurrë dhe as u ankua ndonjëherë për asgjë.
Për të kapë trenin e parë, u nisem nga Savra aty rreth orës katër e gjysëm të mëngjesit, mes nji të ftohti të hidhët, të përcjellë edhe prej njerit nga vëllezërit me biçikletë për të mbajtë çantat deri në stacion të trenit. Tashti që e kujtoj dhe e shkruaj kët ngjarje, më rrënqethet mishi… Ishin peripeci të një rruge, të shumë prej atyre që merrnin rrugët e burgjeve, pakkujt nga të tjerët mund t’i ketë ndodhur nji histori e tillë.
Mbasi udhëtuam për gati gjithë ditën mbrritëm në Fushë-Arrëz mbasdite. Si dimër që ishte dita qe e shkurtë, koha e akullt dhe me borë. Aty të axhensia ngecëm. Skodat për pirit në Qafë Bari s’kalonte asnji…
Ndërsa prisnim, po mendonim se s’mund të vazhdonim më për atë natë, mbasi i ftohti na kish hyrë për palcë, dhe asnji shenjë shprese s’kishim… kur papritmas u shfaq nji kamion nga ata të piritit. Duket, shoferi na njohu menjiherë mbasi atë ditë acari, s’shihje xhanxhin këmbë njeriu, dhe ne ashtu të kruspullosur e të plevitosur ere e ngrice binim menjiherë në sy… Po edhe ato trasta të mbushura me ushqimet e kursyera përgjat dy-tre muajve nga takimi i fundit dëshmonin, se nuk mund të kishin destinacion tjetër: veç Burgun!
Pa ia ngritë mirë dorën, shoferi ndaloi dhe na pyeti: “Për Qafë-Bari, besoj?” “Po, për Qafë-Bari – i thamë me nji gojë unë dhe im atë!” Ai tundi kokën në shenjë miratimi, “Hypni nga ana tjetër…” dhe zbriti na hapi derën na ndihmoi të ngjisim çantat me ushqime… dhe shpejt u vumë për rrugë… Kur na pa se ende dridheshim prej të ftohtit, shau dimrin e atyne anëve dhe ne ndjemë brenda makinës ajrin që po ngrohej. Në atë çast baba im më lëshoi një shikim, sikur të më thoshte: “Mos u mërzit… çdo problem e ka nji zjidhje, edhe ky i sotmi mori nji zgjidhje, mos harro se pa sakrifica s’bahet asgja…!” dhe kjo më ngrohu ma tepër se fryma e makinës.
Rruga e asaj rradhe nga Fushë-Arrëzi në Qaf-Bari ishte nji tmerr i vërtetë. Jo veç e ngushtë dhe e pashtruar, jo veç me kthesa dhe zig-zake të panumërta, po tmerri im ishin ato greminat që ma bënin vdekjen kaq të afërt nga njera anë, edhe shkëmbinjtë që të rrinin si skifterë në anën tjetër e që vende vende të dukeshin sikur do të na shembeshin mbi kokë… O zot, pëshpërisja mbas çdo kthese… Ndihmona!! Nji ndjenjë frike dhe pasigurie e papërshkrueshme… ma rrënqeshte trupin, pa harruar terrin që zbriste me shpejtësi dhe ajo bardhësi e ngrime bore përreth na e bënte rrugën të skëterrshme… Në mjaft vende rruga ngushtohej shumë dhe ashtu e ngrirë akulli ishte e pamundur të kalohej. Dukej sikur zemra po më dilte vendit… Shoferi qe ngjeshë fort mbas timonit dhe askush nga të tre s’guxonte ta thoshte nji fjalë të vetme…
Baba u përpoq disa herë me humorin e tij, të ma hiqte gjysmën e së keqes, po s’ishte e kollajtë. Kur shoferi na tha se po i afroheshim burgut u ndjemë pa të çliruar, po ç’të shihnim, aty bora e kishte kaluar një metërshin. Dukeshin vetëm ca rrugica të ngushta që të çonin para kangjellave të hijerënda të burgut. Ishte nji errësirë e thellë që mund t’i fuste dy gishtat në sy. Ndjehesha e tmerruar e mpirë… por s’di nga i vinte ajo forcë dhe kurajo babës tim, sepse ai befas ma largoi si me magji trishtimin që më pushtoi. Ende pa zbritë nga makina, shoferi na lajmëroi se ishte e pamundur të bënte nji rrugë tjetër kthimi me kët tmerr të ftohti dhe bore… Atherë baba, me mjaft marifet iu lut që: “Nëse asht e mundun me na lanë ta kalojmë kët natë tmerri aty n’at kamionin e tij!!!” Ai na pa disi i habitur dhe ju drejtua babës duke i thënë: “Si mundem me të lanë vetëm në kamion, gjithë natën e Zotit!!! Ti nji burrë plak me nji vajzë të re, pothuej fëmi mes maleve! Me e marrë vesh nana eme kët gja me qet shpie!” Baba e falenderoi qoftë edhe për at fjalë që na tha: “Mbaroni njiherë takimin, në kët kohë unë po e mbush kamionin… mandej shofim e bajmë!”.
Ishim përballë portës së madhe të burgut, kur papritmas na u shfaq oficeri rojes. Ia shpjegova ma s’pari unë hallin si grua, po ai na priti me këmbët e para: “S’ka takime sonte në kët orë! Nesër, kësmet!!” Na e tha me nji ton bishe që s’më la asnji mundësi bisede. Atherë u afrua edhe baba dhe se ç’foli me të… Mbas pak kohe pritje kur acari i maleve po e bënte si duhet punën me ne, u rishfaq oficeri: “Mirë, mirë, hajdeni, po do të takoheni vetëm për pesë minuta, mos të kemi llafe!!!”.
Më erdhi jo të qaja, po të ulërija atë çast.
Mbas 13 orësh rrugë mes dimrit dhe maleve, mbas aq peripecish, sepse s’mund t’i përmendja të gjitha, s’na lejonin të takoheshim, po edhe kur e bënë zemrën gur… vetëm pesë minuta… O Zot – mërmërita me vete. Kisha gati tre muaj pa e parë tim shoq, Dinen dhe për gjithë mallin e tre muajve… çmallja ishte vetëm 5 minuta!!! që në të vërtetë u bënë pesë sekonda, sepse gjatë gjithë asaj kohe ishim nën presionin e policit që na kyrte ne dhe kqyrte orën të largoheshim nji çast e më parë, dhe ai të shkonte të shullëhej pranë sobës.
Qe nji takim tmerri, ku ti s’arrin as të pyesësh dhe as të përgjigjesh, as ta shohësh at njeri si duhet, po as ai mundet të shohë, as të pyesë as të flasë… Nji çoroditje emocionesh që s’ka njeri ta përshkruaj… Duhet të jetë diçka fotografuese në shpirtin e njeriut… që nji sekonde të jetës i jep vlerë përjetsie…
Ia lamë trastat Dines, duke e lënë edhe atë në nji ankth dhe tmerr të vërtetë… ku do shkonim dhe ku do mbyteshim për ta kaluar atë natë!!
Ecëm n’ato shtigjet e hapura të borës dhe u nisëm për rrugë… ashtu kuturu, pa e ditë as vetë se për ku. Ecnim nga na çonin këmbët… kur pa bërë as njiqind metra dikush na thirri nëpër terr. Ishte ai shoferi, që na kish sjellë në burg. Erdhi na takoi… Atë natë s’e kishin lejuar të ngarkonte pirit. Gjatë gjithë kohës ai e kishte vëzhguar krejt skenën me policët dhe po na priste me makinë të shuar diku në qoshe. Kur ju afruam, me nji ton të prerë si të ishte urdhër na tha: “Ju sonte do vini me bujtë në shtëpinë time! S’asht në nderin e pukjanit me lanë nji burrë të vjetër dhe nji vajze të re n’rrugë të madhe, midis ktyne maleve të frikshme, dhe nji nate dimri si kjo!!”. E tha me nji lloj krenarie dhe sigurie, që s’kish njeri t’ia bënte fjalën dysh… jo se ne kishim ndonji alternativë tjetër shpëtimi…
Zoti e baftë mirë! – ia ktheu im atë, dhe u nisëm kuturu pa e zgjatë dhe pa e kundërshtuar. Shoqëruesi ndezi dy flakadanë lecke me naftë, nji për vete dhe tjetrin për ne, që ia dha babës të ndriçonte rrugën…
S’e di as vetë si morëm at guxim dhe u nisëm ashtu nëpër ato shtigje mes borës dhe pyllit, mes atyre shkrepave të frikshëm, në besë të atij pukjani që na printe me ndriçim n’ato shtigje që as ditën nuk do të merrja guxim t’i bëja… Vazhduam rrugën me kujdes si na ndihmonte sa herë ndodheshim në vështërsi, dhe na mbante me kurajo. Mua më kish hyrë frika në palcë, por habitesha me babën, si mund t’i kalonte ato thepa e teposhta pa e thyer qafën. E shihja që po hiqte picir i shkreti babë që ishte gati shtatëdhjet vjeç, po unë s’mund të bëja asgjë që ta ndihmoja… Mbas njifare kohe ai pyeti nëse kishim edhe shumë rrugë… si duket ishte lodhë. “Erdhëm, – tha shoferi, – edhe pak mbrrijmë!” Ecëm edhe njifarë kohe të mirë që na u duk nji shekull, kur na u pidaf para edhe një përrua, mbi të cilin thuhej se ishte një urë drrase… besoj nga ato ma primitivet që më kanë pa sytë ndonjiherë. Krejt ura përbëhej nga ca litarë të thurur në formë gërsheti… aty ku shkelnim kishin vënë ca dërrasa që më dukeshin të kalbuna, me hapsirë mes tyre. Për çdo hap që hidhnim lëkundeshim si në një shilarse… terri në nji krah, akulli në krahun tjetër dhe zhurma e përroit ku mund të përfundonim ishin nji tmerr dhe nji torturë që unë as sot s’mund t’i gjej fjalët! Pukjani gjatë gjithë kohës na printe, na fliste, na ndihmonte dhe na mbante me gajret…
Mbas nji lodhjeje rraskapitëse dhe ankthi vdekjeje mbrritëm para nji dere… Ishte shtëpia e malsorit pukjan. Kur u hap dera, mendova shpëtimin, po ndërsa futesha brenda u ndjeva si në një skëterrë… edhe pse gjithë jetën isha rritë me vuejtje dhe privime, mendoja se asgjë s’do t’më bënte përshtypje në jetë. Por jo, kurrsesi!! Edhe sot kur e kujtoj at shtëpinë e tyre, atë lloj varfërie dhe skamje më rrënqethet mishi, dhe s’mundem ta harroj kurrsesi. Shoferi kishte gruan edhe nji djalë. Jetonte së bashku me vëllanë e madh që kishte gruan edhe katër fëmijë. Kishin nanën, nji grua në moshë po fisnike, që doli na priti dhe na foli si zot shtëpie. Pak kohë ma parë u kishte ndodhë nji fatkeqsi, u qe djegë nji pjesë e shtëpisë dhe krejt familja jetonte në nji si korridor të ngushtë e të gjatë ku shifeshin gjithsej dy dyshekë dhe një oxhak me dru të bollshëm. E ndjëmë që zoritën mjaft të shkretët për at gjendje, po dolën jashtë dhe diçka sajuan e na shtruan edhe sofrën e darkës. Për gjellë, na nxorrën groshë… po duhet të ndodhte ajo mrekullia të hasje ndonji kokërr… Na vunë edhe pak djathë, pak qepë dhe pak raki. Djathin e përdornin me shumë kursim, dhe e ruanin si me pasë nji copë mishi të pjekur.
Baba si njeri i kollajtë dhe i pa pretendime e mbushi tavolinën me at humorin dhe rrëfimet e veta pafund… sa nuk u vu re fukarallëku, se herë mbas here i bënte të gjithë qeshnin me humorin e dhe batutat e tij. Mbasi mbaruam darkë, gruaja e shoferit me ftoi të flinim bashkë, se siç më tha “Në dhomën teme ka shtroje dhe mbloje, ndërsa kunati me gruen, dhe nana me fëmijët, mbasi s’kanë me ça me u mbulue, e mbajnë zjarrin gjithë natën ndezë dhe flejnë të tanë bashkë në at korridor të gjanë…
At natë fjeta me gruan e shoferit dhe ajo më shtrëngoi gjithë natën në gji. I vinte shumë keq për fatin tim… Isha vetëm 23 vjeçe, dhe kisha vite e detyruar të merrja rrugët e burgjeve të Spaçit dhe Qafë Barit, atyre skëterrave të papërshkrueshme shqiptare.
Por bujaria e mirësia e atyre malsorëve pukjanë s’kishte fund. S’i kam harruar kurrë, dhe më vjen shumë keq që s’jam aq e aftë sa ta përshkruaj ashtu siç ata e meritojnë, dhe të mundem t’ua shpërblej pritjen e tyre…
Isha lindur dhe rritur kampeve të interrnimit: ku varfërinë, barangat, kasollet me baltë i kishim me bollëk, po kurrë s’kisha parë dhe provuar nji skamje dhe nji fukarallëk të tillë.
Pastaj janë mjaft veti të tjera që i japin vlerë njeriut dhe e ngrenë lart atë, si bujaria, mirësia dhe mikpritja e asaj familje që na e kish hapë derën në nji natë tmerri. Ata na mirëpritën, na futën në shtëpinë e tyre, edhe pse “armiq të betuar të klasës” që për komunistët ishte një tabu. Gjatë bisedave të asaj nate, ata as na provokuan, as na pyetën, as e përmendën burgun, sikur nuk ishte ai shkaku i asaj që ndodhte, po as ne s’i provokuam se kush ishim, dhe pse ishim aty, sepse e dinim shumë mirë që i kishim rënduar mjaft, edhe me atë praninë tonë në shtëpinë e tyre.
Më ka mbetur peng, dhe s’më hiqet nga mendja pse nuk u gjet nji mënyrë, që të mësonim të paktën mbiemrin e tyre… sepse ne s’i pyetëm as për emrin as mbiemrin, sepse vetëm ashtu s’i rëndonim ata, po as ata s’e bënë nji gjë të tillë… Sepse askush s’e mendonte se në nji të ardhme, nëse na jepesh mundësia të mund t’ua shpërblenim qoftë edhe me mirënjohje simbolike atë mikpritjen e tyre fisnike… që vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite më e bukura e jetës sime…
Të nesërmen pa zbardhë mirë drita, shoferi pukjan, na zbriti në Fushë-Arrëz dhe i nda prej nesh i kënaqur dhe krenar… duke na lënë të vazhdojmë në hallet tona të kampeve dhe burgjeve dhe ai në kamionin e piritit atyre rrugëve të egra…
Zoti e bekoftë atë familje të mrekullushme pukjane , ata njerëz që vërtet jeta i kish hedhur atje në skëterrë, po s’kish mundur ta vriste mirësinë dhe mikpritjen në shpirtin e tyre.