Nga Violeta Mirakaj/
Para disa muajve, në Maj të këtij viti botova shkrimin – Mbresa nga Dokumentari historik, përkujtimi i revoltave të Spaçit dhe të Qafë Barit i realizuar nga Pëllumb Lamaj, “ Spaçi, Simboli i Rezistencës Anti-Komuniste, në Shqipëri.” Po më vonë, P. Lamaj ,së bashku me një grup patriotësh për gati një dekadë nderojnë udhëheqësin e Ballit Kombëtar, Mithat Frashërin. Ata duke evokuar jetën dhe veprën prej patrioti si shërbëtor i Kombit; evokojnë kontributin e madh të tij në kulturë, shërbimin ndaj popullit shqiptar. Në këtë veprimtari prej shqiptari atdhetar, M. Frashëri luajti rolin e avokatit të madh në mbrojtje të popullsisë Çame, një dihmesë të pakufishme në ngjarjet e Pavarësisë etj…. mesazhi është i qartë: -Të respektohet historia, figurat e saj
Në vazhdim të kësaj veprimtarie më ngacmuan kureshtjen disa poezi të Pëllumb Lamaj, poezi të shkruara gjatë periudhës së burgut politik dhe pas saj; si dhe ca shqipërime poetike nga italishtja dhe anglishtja. Pa pretenduar të bëj një analizë, ndoshta në të ardhmenn kur të dalë me një një vëllimi të plotë poetik, po sjell në këtë shkrim shpirtin poetik si dhe mesazhet që të ngacmojnë në këto vargje poetike.
Dy nga poezitë e para të shkruar në birucat në Spaç , 1979, janë “Qelia”si dhe “Statujë e Lirisë”. Tek e para mbrenda katër strofave, katërvargjesh; shpirti i brishtë i djaloshit rrëfen me realizëm, me natyralizëm jetën, shpirtin e një të riu të burgosur…. Brenda katër muresh/ rrethuar nga terri/ zvarritem pa rreshtur/ s’po di nga lind Dielli…….Brenda katër muresh / kruspull nga të ftohtit/ pres të vijë mesnata/ T’i drejtohem Zotit…. Çdo strofë fillon me vargun “Brenda katër muresh”, kjo përsëritje është një funksion poetik i gjetur, efikas që jep të gjallë fizikisht ekzistencën e një vendi, ku dhe ti si lexues ndjen sikur po të merret fryma, sikur dhe ti je i kufizuar në atë metër katror të birucës. Edhe se i detyruar, i ngujuar në errësirën e thellë, djaloshi vlonjat mediton, imagjinata e tij fluturon te Statuja e Lirisë, në New York…. Liria është e shenjtë. Shpirtin e lirisë asnjë lloj diktature dhe pengese nuk mund t’ia shuajë. Vargjet që mendon duket sikur i lan nga shpirti pluhurin nga jeta e përditshme. Vargjet e poezisë “Statujë e Lirisë” fitojnë një vlerë simbolike, pasi mëshirojnë idenë e madhe të lirisë, por na bën dhe le të kuptojë idenë e qëndresës.
“Ah, Statujë, Statujë e Lirisë/ Sa kurora rinie vyshkur mbi ball/ jehona dashurie që kurrë nuk u dhuruan/ sa kafka martirësh mbetur pa varr/ Është Kjo statujë që poetit i ngacmon imagjinatën , po dhe i jep forcë, besim dhe shpresë.
“Ah Statujë, Statujë e Lirisë/ E vetmja dritë, i vetmi zjarr/ E vetmja shpresë ku ëndrrat udhëtojnë/ Trazuar me klithma, kulluar në gjak” Ëndrra amerikane simbolizon vendosmërinë, djersën e punës, lotët, gëzimin, dhimbjen, shpresën dhe domosdo suksesin. Ajo i përket njerëzimit dhe sidomos emigrantëve, të cilët i shton një dimension më tepër bukurisë, kreativitetit, fuqisë dhe statusit të Amerikës me kaq shumë nivele. Duke personifikuar,dashurinë për jetën, simbolin e lirisë, P. Lamaj i jep krahë mendimit duke u ndalur se liria nuk arrihet lehtë…..po detajet kafka martirësh japin sakrificat dhe përpjekjet për një jetë të lirë. Nëpërmjet figurave themelore kuptimore, apo ndryshe semantike, si metafora, metonimia, sinekdota ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shprehjen dhe kumbimin e etjes për liri… përdorimi i elipsit në fjalët ball, zjarr, gjak, varr; si dhe denduria e përdorimit të një elementi gjuhësor ndikon drejtpërdrejtë në stilin e poetit dhe është një faktor stilformues. Ritmi, struktura tingullore sigurojnë ritmin e njëmbëdhjetë rrokshit në poezi, dhe këtë e plotëson më mirë renditja e theksave dhe intonacioni i vargut… Pikëvështrimi i rrëfimit poetik, i ndjesisë artistike bëhet nga pozicioni i poetit që ndodhet si i burgosur politik. Dhe në këtë këndvështrim ajo ka forcë, po gërshetohet dhe me një shpirt të paqetë… Ah Statujë, Statujë e lirisë…Këtu ai nuk ka parasysh vetëm veten por dhe lexuesin atë kontigjent të rinj dhe të vjetër që ëndërronin për të qenë të lirë…pra, njerëz me shpresa të penguara dhe dashuri të penguara…
Kjo poezi të kujton dhe të bën ta krahasosh me poezinë e Emma Lazarus, kushtuar Statujes së Lirisë.
…Po pena e Lamaj nuk mund të lë pa ironizuar deri në sarkazëm kur shprehet se “ Eh Statujë, Statujë e Lirisë/ e vetmja shpresë që na mban gjallë/ Por dhe po ikëm pa u takuar/ Besomë, do vijnë të të puthin vrasësit tanë….
Trishtimi është i pandarë në krijimet e Lamaj, është trishtimi i djaloshit që i privohet gjithçka, i privohet dashuria e zemrës, vajza e rinisë… Po në Spaç, në vitin 1983 shprehet se:- ai trishtimin e flak mbi telat me gjemba/ dhe sytë e lodhur drejt qiellit në përhumbjen e nje reje rebele…nuk ka rrugë tjetër… trëndafilin e kuq nuk mund t’ia çoj…. dhe ky pikëllim është njerëzor…
Shpresa asnjëherë nuk mungoi, shpresa ishte e pranishme si reagim ndaj trysnisë së pandërprerë, si jashtë dhe brenda telave me gjemba. Jeta vazhdon po askush nuk kthehet më po ashtu si ka qenë më parë, siç nuk kthehet kurrë një orë e jetuar më parë. Vitet, vuajtjet, mungesat, privimet bëjnë të vetën do lenë gjurmë fizike dhe shpirtërore….. po kurrë s’do të të heqë dorë nga Liria…
Në krijimin “Rebeli” shkruan- “ Je ekstremist më tha një ditë në poet/ duhet t’i thurrësh vargje edhe natyrës, dashurisë/ unë qesha e prapë qesh me këtë mjeran/ A ka dashuri më të madhe se t’i këndosh Lirisë….. Në poezi ashtu si në jetë, poeti nuk e duron dot hipokrizine, dyfytyrësinë, jetën prej kameleoni. Ngjarjet e pas viteve ’90, ndryshimet e sistemit dhe të jetës në Shqipëri nxorrën në pah karaktere dhe situata nga më të çuditshme. Ja si shkruan në vitin 1992. “Kameleonët”………Të parët që ngritët dy gishtat lart ishit ju/ Sekretarë të partisë, shkrimtarë të realizmit socialist/E pështytë, me këmbë e shkelët paçavuren e keqe/ shoh, u gdhitë pishtarë të demokracisë. Në disa nga poezitë dhe vargjet e tij ndesh nje pakënaqësi , një zhgënjim, po kjo më tepër tingëllon si një akuzë për të cilën kërkon diçka ndryshe, të ndershme…
Pakënaqësia ndaj jetës, nga rrethanat e caktuara shpreh apo përsërit thënien :- I huaji mbetet i huaj…këtë e shohim.në poezinë “Mallkimi i Vjetër”.
Vargjet poetike, poezia për P.Lamaj në ditët e vështira si dhe në gjithë jetën e tij ishte një ushqim, ishte një përkrahje shpirtërore dhe kulturore dhe këtë e gjeti dhe në krijimet në gjuhën italiane dhe angleze…sipas rastit ato që mund t’i binin në dorë si shprehet dhe vetë i përkthen në gjuhën shqipe…si “Jehonë” e CH. Rosseti, (Spaç, 1984) “Filozofia e dashurisë” e Percy Shelly (Spaç, 1985); apo “Koha” G. D’Anunzio, “Pafundësi”të G. Leopardi, 1986, Spaç; Nga Fides “Selvija” si dhe nga G. Ungareti.etj….
Poezia e Pëllumb Lamaj vjen me një kthjelltësi mendimi, është realist; pikërisht jeta e tij me sfidimet e saj si në Shqipëri në burgjet komuniste dhe jashtë saj i ofron tema si ajo e Lirisë, ndonëse i takon brezit të humbur me rini të djegur.
Zbuloi se mënyra më e mirë për të mbajt larg frikën ishte të ëndërronte për diçka që i jepte një ndjesi force…. dhe ajo ishte Liria
Violeta Mirakaj