* Qeveritarët flasin për digën por askush nuk flet se si do t’i lëvizin varret e njerëzve tanë…/
(Nga fjala e një kryetari fisi në Namibi i cili për të mbrojt trojet, kulturën, varret e të parëve të tyre nga “diga” e ngriti zërin deri në Stokholm, Londër, Paris, Romë…)/
*Para se të ndërtohet një shtëpi e vetme në botën e qytetëruar në vendin ku hapen themelet zbresin të parët arkeologët të cilët mbajnë përgjegjësi për ato dhjetëra metra katrorë ndërtim…
Nga Abdurahim Ashiku-Athine/
Ndërsa Shqipëria notonte në ujërat e rrebeshit të 6 janarit, gazetat si në një kob njoftonin për skenarë të zinj për heqjen nga harta gjeografike e Shqipërisë të luginës së Drinit të Zi, mbytjen e Dibrës nga gjoli i Skavicës.
Nuk do të zbres në “rrënjë” të projektit të ndërtimit të Skavicës këtu e më se tre dekada më parë. Qeveria e asaj kohe nuk e bëri edhe pse ishte në gjendje (si në rastin e Ulzës, Fierzës, Banjës…) të krijonte një “Dibër të Re” në ultësirat bregdetare, nga Velipoja në Ksamil.
Nuk e bëri as Nano që deshi të sillte për ndërtim një firmë italiane, as Berisha që si dr. Ing. bëri ndryshime në projekt për të shpëtuar disa bërraka në fshatrat shqiptare nën Maqedoni…
Po bën zë për ndërtimRama me miratimin (pa zë e figurë) të deputetëve të Dibrës dhe ministrit të financave të cilëve dibranët ia dhanë votën për premtimin se do të ndërtonin Rrugën e Arbërit dhe do ta mbronin Dibrën.
Skavica, alias mbytja e Dibrës, ka dalë kohët e fundit në “qiell të hapur”edhe pse dyert e blinduara të shtetit mbahen për të sigurta.
Kohë më parë, kur gjysma e qeverisë ishte në Pekin “krye marrëveshje” ishte ndërtimi nga ana e një konsorciumi kinez i hidrocentralit tepër të përfolur të Skavicës. …Një ditë pas nënshkrimit të “Memorandumit të Bashkëpunimit” midis Ministrisë së Energjitikës dhe kompanisë Power China, ministri Damian Gjiknuri deklaroi se ka pasur një diskutim shumë intensiv për hidrocentralin e Skavicës…por që nuk u konkretizua me marrëveshje…
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri do ta harronte shpejt këtë duke thënë se ndërtimi i kësaj vepre; “nuk u konkretizuan në marrëveshje…”
Më 27 dhjetor 2015ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi se do të jetë kompania turke Suzer&NurolGroup, ajo që ka marrë përsipër ndërtimin e veprës në fjalë.
Pas kësaj vjen një lajm tjetër, me emër e mbiemër tjetër “Katundi i Ri”
…Qeveria shqiptare i ka akorduar më 23 dhjetor 2015 një bashkimi kompanish turke, “SuzerGroup” dhe “NurolHolding”, një bonus në masën 8 pikë për ndërtimin e një koncesioni të quajtur Katundi i Ri. (Për këtë do të shkruajmë më vonë)
Një konglomerat vendimesh e njoftimesh që dibrani i thjeshtë që do t’i mbytet toka, varret e të parëve, historia, kultura, gjithçka, hap sytë dhe tund kokën pa kuptuar asgjë.
Shteti i diktaturës ia merrte tokën shqiptarit pa e pyetur sepse tokën, me kushtetutë e kishte shpallur “pronë shtetërore”. Shteti i demokracisë ndonëse e ka shpallur pronën “të shenjtë” hesht.
Në Nenin 23 të Kushtetutës shkruhet…
“E drejta e informimit është e garantuar”.
Në Nenin 41 shkruhet…
“Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë”.
“Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”.
Në zbatim të Kushtetutës, përpara se Qeveria të merrte vendimin ( Fletore Zyrtare 7 janar 2015) duhet të bisedonte me popullin e Dibrës, me pronarët e Luginës së Drinit të Zi deri në hollësi.
Por për çfarë duhet të bisedohet në Dibër, me pronarë të ligjshëm të tokës por edhe me “pronarë” të historisë, kulturës vlerash të mëdha arkeologjike, gjeologjike, religjioze e të tjera që lidhen me hidrocentralin e Skavicës. Shtetarët e shohin vetëm tek drita që “sjell” duke lënë mënjanë “errësirën që mbjell”.
I kemi shtruar (një grup intelektualësh) problemet për “errësirën që mbjell” Skavica në një sërë shkrimesh një pjesë e madhe përmbledhur në librin “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!, botuar në vitin 2010. Kanë kaluar më se gjashtë vjet dhe askush nuk është ulur me popullin e Dibrës, me historianët, arkeologët, gjeologët, krijuesit etj. të diskutojë qoftë edhe një orë të vetme për problemet që lidhen me HEC-in e Skavicës. Nuk e kanë bërë dje, nuk po e bëjnë as sot. Luginën e Drinit të Zi e ka mbuluar mjegulla natyrore ashtu siç ka mbuluar errësira transparencën shtetërore.
Në këto shënime do të merrem me ministrat e qeverisë Rama;DamianGjiknuri dhe Arben Ahmetaj me emër të plotë dhe me deputetët e Dibrës, të majtë e të djathtë, pa zë e pa figurë.
Nuk e di se çfarë profesioni qytetar kanë “Dy Ministrat” përndryshe do t’ju flisja më drejtpërdrejt. Nuk e di edhe nga janë dhe çfarë interesash i çojnë në Skavicë duke u rrëmbyer në mënyrën më të turpshme banorëve të Dibrës jo vetëm tokën por edhe historinë e kulturën.
E dini ju të nderuar ministra se sa tokë, nga toka më pjellore e Dibrës përmbytet dhe sa banorë do të enden si çifuti në shkretëtirë për një copë truall për jetën e tyre dhe të pasardhësve të tyre?
E dini ju se 18 beteja fituese (nga 24 gjithsej) të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut përfundojnë në fund të “liqenit të vogël“?
E dini ju se Kastrioti ku është vërtetuar tashmë historikisht se lindi dhe u rrit Gjergji i Gjon Dibranit-Kastriotit përfundon nën ujë?
E dini ju se beteja e parë historike e shqiptarëve të bashkuar kundër perandorisë otomane, Torviolli mbytet?
E dini ju se para se të ndërtohet një shtëpi e vetme në botën e qytetëruar në vendin ku hapen themelet zbresin të parët arkeologët të cilët mbajnë përgjegjësi për ato dhjetëra metra katrorë ndërtim?
Dibra zotërinj, me ndonjë përjashtim të rrallë si Kalaja e Grazhdanit, nuk e ka parë kazmën dhe furçën e arkeologut për shkaqe të asaj që qeveritë e djeshme dhe të sotme e kanë parë siç shihet lopa nga gjinjtë dhe jo nga goja?
E dini sa krom ka dalë nga nëntoka e Dibrës dhe ku kanë shkuar të ardhurat në flori nga eksportimi i tij, kur Dibra është treva më e sakatuar në rrugë kryesore e rurale ?
Në historinë e shekullit të kaluar njihen dy dyndje të mëdha të Dibranëve, dy shpërngulje do të thosha apoliptike të dhunshme nga trojet e tyre.
E para ishte ajo e vitit 1913 kur fuqitë e mëdha e prenë Shqipërinë si berr mes për mes kurrizit dhe ata u vendosën (qytetarët e Dibrës së Madhe) në Tiranë ku edhe sot ka një lagje nga më të mëdhatë që quhet “Mëhalla e dibranëve“
E dyta ishte ajo e viteve nëntëdhjetë kur dibranët si e gjithë Verilindja dhe Veriu, si pasojë shuarjes së të gjitha punëve dhe e mohimit (edhe sot e kësaj dite) të pyllit si pronë e tyre shekullore që i ka mbajtur me bukë dhe me strehë përballë asimilimeve historike, ikën pa e kthyer kokën pas, me nga një gjysmë IFA ngarkuar me anje dërrasash me të cilat ngritën barakat në rrethinat e Tiranës dhe të Durrësit…
Megjithatë Dibra ende mbijeton. Këtë mbijetesë të saj ju doni ta shuani.
Doni të mbytni varret e të parëve, varret e luftëtarëve që ranë në beteja heroike me serbin për ta pasur Luginën e Drinit të Zi shqiptare.
Doni të shuani historinë, kulturën, traditat gjithçka me vlerë të madhe kombëtare që ka krijuar kjo krahinë në “qendrën gjeografike të shqiptarëve“.
E dini se ku është “qendra gjeografike shqiptare“, “Verduni shqiptar“ zotërinj ministra? Në qoftë se nuk e dini gjeni një hartë shqiptarësh autoktonë në trojet e tyre shekullore dhe bëni matjet. Matjet do të çojnë në Dibër…
Nuk e di zotërinj ministra në se e keni lexuar referatin “Shpërngulja e arnautëve“ të shovinistit të tërbuar serb VasoÇubriloviq, platformën e tij për t’i shkulur shqiptarët nga trojet e tyre shekullore. Lexoje zotëri, sidomos atë pjesën ku programohet dëbimi i 40 mijë familjeve shqiptare (dyqind mijë vetë), pjesë e cila më ngjan me shpërnguljen dibranëve sot nga trojet e tyre në Luginën e Drinit të Zi.
Dua të ju pyes zotërinj si do ta administronte shteti shqiptar shpërnguljen e 40 apo 60 mijë dibranëve që llogaritet tu përmbytet gjithçka?
Sa do tu paguhet atyre në odisenë e ikjes nga vendlindja?
Sa do të vlerësohet toka e tyre, shtëpitë dhe katanditë?
Po të vlerësohej me çmimin e tregut të tokës që në Dibër është 80 – 100 lekë për metër katror, paratë që ata do të merrnin nuk do të mjaftonin me mbush një kamion me anie e dërrasa e jo për të blerë tokë e ngritur shtëpi.
Të përmbyturit nga liqeni i Fierzës ka kohë që bërtasin dhe kush nuk i dëgjon.
Gërdeci ku ndodhi një krim i shëmtuar me përgjegjës shtetin është treguesi më i qartë se pushteti dhe shteti në Shqipëri janë në koma.
Dua të ju pyes zotërinj a do të pranonin banorët e ultësirës bregdetare shqiptare që nga Velipoja në Ksamil që në tokën që morën produkt i bonifikimit me djersën e gjakun e minatorëve të kromit të lëshonin nga një apo dy dynymë truall për vendosjen e familjeve dibrane?
Mund të vazhdoj gjatë të nderuar ministra me pyetje e argumente.
Në qoftë se i lexoni këto radhë të nderuar ministra shkoni një javë në Dibër ose më e pakta merrni kontakt me historianin dhe kryetarin e nderit të shoqatës “Për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi“ zotin Ali Hoxha, me historianin Përnezha e Murra, me arkeologun dr. Adem Bunguri, me… dhe intelektualë të tjerë. Ata do t’ju japin argumente të gjëra që do tua ndryshojnë mendimin.
Në qoftë se jeni inxhinierë hidroelektrikë, atëherë do të ju rekomandoja të merrnit kontakt me ata specialistë që para tridhjetë vjetësh argumentuan se vetëm me ngritjen e hidrocentraleve të vegjël mbi kanalet ujitëse prodhimi vjetor i energjisë elektrike shkonte nga 16 milionë kilovat/orë në 220 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit, aq sa e tërë Dibra të ngrohej e gatuante me energji elektrike.
Do të ju rekomandoja edhe një gjë tjetër. Merrni ata që studiuan Skavicën dhe i çoni në tërë degëzimet e Drinit të Zi: në Mallë, Veleshicë, Setë, Gramë, Murrë, Okshtun etj. Ngrini me ta “diga“ me mjete ndërtuese vendore, llogarisni sasinë e ujit dhe prodhimin e energjisë elektrike…Jam i sigurt se sasia e ujit dhe prodhimi i energjisë elektrike në hapësirën në fjalë do të ishte më e madhe nga sa argumentoni ju me ndërtimin e Skavicës…
Nga disa lajme zyrtare mësohet se vetëm në hapësirën ujëmbledhëse të zonës Klenjë, Ostren, Okshtun janë dhënë këto kohë leje ndërtimi për hidrocentrale të vegjël prodhimi i të cilëve bashkërisht llogaritet mbi 150 milionë kilovat/orë.
Po ju them edhe një gjë zotërinj. Po të ngrihet një digë hidrocentrali mbi Setë, pak më lart se hidrocentrali ekzistues, do të formohej një liqen pasqyra ujore e të cilit do të shkonte deri në Gurë Lurë. Do të lundrohej nëpër të me gondola për të vazhduar më tej me teleferik drejt Liqenit të Luleve dhe Fushës së Pelave…
Turistët do të lexonin, duke parë trasenë e kanalit të Setës nëpër shkëmbinjtë e Gjalicës, një fletë të shkruar nga ndërtuesit dibranë me një heroizëm të pashoq.
Skavicae vdes përgjithmonë turizmin dibran, atë që lidhet me malet dhe me luginën e bukur të saj …
Edhe një pyetje të “fundit“ të nderuar ministra. Sikur pellgu i lartë i lumit Devoll, prurjet mesatare të të cilit janë shumë pranë me ato të Drinit të Zi dhe lartësia mbi nivelin e detit dyfish me atë të Luginës së Drinit të Zi, të mendohej si një rezervuar i madh dhe hidrocentral (me të njëjtin funksion si të Skavicës), të përmbytej e tërë zona nga Maliqi deri në Bilisht me të tëra vlerat e veta parahistorike (Kultura e Maliqit) dhe historike dhe kjo do të bëhej “falas“ nga ndonjë kompani italiane, greke, turke, amerikane etj., etj. si do të reagonit? Do të bënit thirrje që të mos ndërtohet rezervuari dhe hidrocentralet që do të vinin njeri pas tjetrit në atë rënie prej rreth 800 metro mbi nivelin e detit? Unë nuk do ta pranoja një gjë të tillë edhe pse mua nuk më prek asnjë lloj interesi ashtu siç nuk më prek edhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.
Ju thashë disa, pa folur për të tjerat, të cilat po ua lë ju t’i thoni.
Mos kërkoni ta mbysni Dibrën zotërinj ministranë interes të një firme turke e cila donë të ngulë thonjtë në tokën e një prej trevave më në zë në historinë e popullit shqiptar, duke e zhbë atë. Paraardhësit e tyre turqit osmanlinj nuk e mposhtën dot Dibrën edhe me tradhtarë të tipit Hamza Kastrioti e Ballaban Pasha. Mos u bëni bashkëpunëtorë dhe kobure të shkatërrimit…
Shkoni në Dibër, uluni në odën dibrane duke mos harruar të merrni me vete tre gjëra:
NJË METËR, NJË KUNJ THANE TË MPREHUR NGA TË DY ANËT DHE NJË KANDAR