Vatrani- Portret biografi kushtuar Qemal Njazi Biçakut/
Nga Thanas L. Gjika/
Kur shkova në Manchester NH për të shtuar rradhët e shoqërisë Vatra, midis burrave që erdhën në takim dhe iu përgjigjën dëshirës sime ishte dhe një ish mekanik i Metalurgjikut, sot shofer, i cili më tregoi gjatë asaj bisede dhe më vonë mjaft historira nga jeta e vet dhe e familjes së tij, të cilat vlejnë t’i ndaj me lexuesit e gazetës Dielli.
* * *
Qemal Biçaku është një burrë simpatik 66-vjeçar me flokë krejt të bardha, por që duket më i ri se mosha e vet. Ai ka një trup mbimesatar të shëndetshëm, llërët i ka plot muskuj dhe flet me energji e pasion. Ai është rritur në një familje të madhe me 10 fëmijë. I rritur në mes të kallaballëkut e zakoneve të mira popullore të zonës së Çermenikës, i ka shumë qejf bisedat, mikpritjet, respektin ndaj miqve, etj. Eshtë njeri që punon shumë dhe nuk ankohet për vështirësitë dhe nuk mburret për sukseset. Ai jeton në Manchester NH vetëm me bashkëshorten e vet, sepse fëmijët e tyre jetojnë në Itali. Qemali shërben si shofer deliver (shpërndarës) i prodhimeve të “Jorgo Food Co.” pronë e një libanezi orthodoks. Ai punon mbi 60 orë në javë duke shpërdarë arka me produkte ushqimore në mbarë New England-in e deri në Philadelphia PA. Ai e ngarkon dhe e shkarkon vetë trakun e tij, si në verë dhe në dimër. Mbi të gjitha të çudit rezitenca e tij ndaj gjumit. Disa udhëtime i bën brenda ditës duke u nisur herët në mëngjez e duke u kthyer në mbrëmje, por ka dhe udhëtime që zgjatin më shumë se 30-35 orë. Zonja Mukadez, bashkëshortja e tij, është mësuar me këtë regjim të vështirë. Ajo u pensionua një vit më parë dhe tani e pret Qemalin me respekt e dashuri si në rininë e saj.
– “Pa punuar rëndë këtu në Amerikë, nuk mund të jetosh mirë, thotë zonja Mukadez. Ne shqiptarët që erdhëm të varfër nga atdheu pas daljes nga diktatura, duhet të punojmë edhe më shumë se vendasit që të sigurojmë pensione të mira për pleqërinë tonë.”
Qemali kishte punuar 30 vjet në Metalurgjikun e Elbasanit në Fabrikën e Oksigjen-Azotit, në fillim si mekanik e më tej pasi kishte ndjekur aty shkollën e lartë për ingjineri mekanike, kishte punuar edhe si ingjinier mekanik deri në shtator 1999, kur erdhi në SHBA. Ndonëse në kohën e diktaturës komuniste ishte e vështirë, ose më saktë ishte e pamundur, të kundërshtoje një proces dënimi nga ato që organizonte Dega e Punëve të Brendëshme nëpër ndërmarrjet e ndryshme, Qemali ka mbetur në kujtesën e punëtorëve të Metalurgjikut si njeriu që kundërshtoi dhe anuloi vendimin e Degës për dënimin e një punonjësi, të cilin e kishin arrestuar për tentativë arratisjeje.
– “Na mblodhën në sallën e madhe të Fabrikës së Oksigjen – Azotit, fillon të tregojë Qemali. Ishin gjithë punëtorët e turnit të parë dhe shumë policë, shefi i Degës, sekretari i partisë së fabrikës, shefi i kuadrit, etj. Na lexuan një vendim ku kaldaisti i fabrikës, cilësohej si shkelës i ligjeve, si njeri që donte të arratisej dhe duhej dënuar. Personi ishte një fukara, jetonte jo larg shtëpisë sime dhe e njihja për njeri të ndershëm. Më hipi gjaku në kokë, sepse e kuptova që ky veprim po kryhej jo se kishin kapur vërtet një person që donte të arratisej, por se këtë mbledhje ndëshkuese po e bënin për të trembur puntorët e tjerë. U ngrita e kërkova lejë për të folur dhe thashë:.
Unë e njoh kaldaistin e fabrikës sonë, ai është një punëtor i ndershëm dhe baba i fëmijëve të ndershëm. Vjet me propozimin tim ndërmarrja i dha një shpërblim prej 1000 lekësh për punë të mirë. Ju thoni se e arrestuat tek Ura e Zaranikës sepse donte të arratisej. More shokë, njeriun mund ta arrestoni afër kufirit, por jo në mes të Shqipërisë për tentativë arratisjeje. Si e akuzoni ju se ai donte të nxirrte jashtë shtetit florinj, kur ky njeri nuk ka parë me sy e as ka prekur me dorë ndonjë monedhë floriri. Ejani të shkojmë tek shtëpia e tij dhe të hapim dollapin e ushqimeve dhe do të shihni se ai nuk ka bukë as për dy ditë e jo të ketë monedha floriri për të nxjerrë jashtë shtetit.”
Mbas meje morën kurajo edhe të tjerë dhe i dolën në krah kaldaistit. Kështu që ai shpëtoi nga një dënim që nuk e meritonte….”
Në shtator të vitit 1999 Qemali me bashkëshorten erdhën në SHBA me vizë turistike pranë motrës së Mukadezit, zonjës Suzana Xhema në Philadelphia PA. Edhe pse nuk dinte anglisht, Qemali, duke pasur njohuri të shumta si mekanik, guxoi e kërkoi punë në një fabrikë të vogël ku derdheshin forma skulpturash të ndryshme. Pronarja, së pari e provoi, i dha vizatimin e një forme dhe e pyeti nëse ai mund ta zbatonte atë projekt. Qemali e krijoi formën përkatëse brenda disa orëve. Pronarja i tha se për një punonjës të tillë ajo kishte shumë nevojë, mund të fillonte punë që nesër. Shumë shpejt ai arriti të derdhte brenda ditës 90 forma të ndryshme skulptuarash, kur punëtorët e vjetër me përvojë mezi realizonin derdhjen e 60-65 formave.
Pas dy vjetësh ai kaloi me banim dhe punë në Manchester NH, ku pasi punoi në disa punë të ndryshme u sistemua në “Jorgo Food Co.”. Duke punuar me ndershmëri dhe pa u ankuar për lodhje e vështirësi, shofer Qemali ka fituar besimin e pronarit të kompanisë së vet edhe të pronarëve ku shpie mallin. Këta pronarë ia kanë besuar atij çelsat e magazinave të kompanive të tyre. Kështu Qemali pasi merr urdhërin e punës, të nesërmen në mëngjes fillon veprimtarinë e tij. Shkon te magazina e “Jorgo Food Co” dhe ngarkon mallin, pastaj shkon në qytete të ndryshme ku hap magazinat e tjera dhe shkarkon dhe e fut brenda frigoriferëve mallin me mirëbesim. Këtu lë bashkë me mallin dhe shkresat përkatëse.
Bashkëshortët Biçaku kanë dy fëmijë, djalë e vajzë, që jetojnë e punojnë në Milano, Itali. Djali Vincens u lind më 1974 dhe u martua në vitin 2004 me zonjushen shkodrane lozonjare Atena Bajraku. Këta kanë një djalë, Eugenin 12 vjeç dhe një vajzë, Uenda 7-vjeçe. Kurse vajza e Qemalit dhe Mukadezit quhet Anila. Ajo u lind më 1977 dhe u martua me djaloshin Artan Paenga më 1999. Këta kanë dy vajza: Linsin e lindur në vitin 2000 dhe Albën e lindur në vitin 2005.
Familja Biçaku ushqeu falas 26 hebrenj për një vit e gjysëm
Gjatë vitit 2007 në Manchester NH, Qemali u njoh me zonjën Deborah, një grua me origjinë Hebraike (Jewish), së cilës i tregoi historinë e familjes së vet dhe medaljen “Fisnik ndër kombe” që ia kishin dhënë atij për gjyshin e të atin në vitit 1993 gjatë vizitës që bëri në Jeruzalem, kur Qemali ishte kryetar i shoqatës Izrael – Shqipvri, dega e Elbasanit. Kjo medalje iu dha sepse gjyshi Mefail dhe djali i tij Njazi kishin strehuar e ushqyer 26 hebrenj gjatë viteve të vështira 1943-1944.
Zonja Deborah pasi mësoi këtë ngjarje dhe për pasojat që kishte pasur gjyshi Mafail dhe vëllai i tij Burhani gjatë regjimit komunist për shkak të dy letrave që u shkuan prej miqve hebrenj të mërguar në Buenos Aires të Argjentinës, e vlerësoi shumë veprën humane të kësaj familjeje. E prekur, ajo i tha Qemalit:
“Të lutem më thuaj për çfarë ke nevojë se dua të të ndihmoj.”
Qemali iu përgjigj: “Zonjë unë kam nevojë që të mos më shkojë dëm djersa e ballit, atë që ta fitoj me djersë ta fus në xhep.” I tha këto fjalë duke fshirë ballin me korrizin e dorës së djathtë dhe pastaj duke fërkuar gishtin e madh me gishtin tregues i drejtoi gishtat tek xhepi i këmishës, për të sqaruar se paret e fituara me djersë donte t’i kursente dhe jo t’i shpenzonte kot.
Atëhere z.-nja Deborah kërkoi të shkonte tek shtëpia e Qemalit, ku pa orenditë e përdorura dhe të nesërmen i dërgoi si dhuratë një kamion me mobilje të firmës “Jordan’s”. Kurse disa javë më vonë Qemalin dhe zonjën e tij Mukadez e ftuan të shkonte në New York për të marrë pjesë në një ceremoni që organizoi organizata e njohur e hebrenjve të SHBA-ve “Lidhja kundër çnderimit” (Anti Defamation League). Aty atij i dhanë për Mefail dhe Njazi Biçakun medaljen “Guximi për t’u kujdesur” (Courage to Care).
Duke dashur të mësoja më shumë për këtë vepër që na nderon si popull, iu luta z. Qemal të më tregonte më gjerë nga sa kishte shkruar gazetari i talentuar Ruben Avxhiu, kryeredaktor i gazetës “Illyria” në numërin e kësaj gazete të datës 12-15 janar 2007.
-“Që ta kuptoni më mirë, filloi Qemali, po ju a tregoj historinë e famljes sime që nga gjyshi i babait tim, pra nga stërgjyshi im, i paharrueshmi Mahmud Veli Biçaku i cili ishte bir i një familjeje të vjetër në fshatin e madh Qarrishtë, fshat malor në të majtë të rrjedhës së lumit Drin i Zi. Ai ishte një personalitet në mbarë zonën e Çermenikës. Sot ky fshat duke qenë afër kufirit me Republikën e Maqedonisë është zvogëluar shumë.
Mahmudi ishte pronar tokash dhe tregëtar. Tregëtinë ai e bënte kryesisht me qytetin e Strugës, por dhe me Elbasanin e Dibrën. Në të tre këto qytete ai kishte miq dhe kishte fituar autoritet. Pikërisht se ishte i tillë, Mahmud Biçakun e caktoi paria e vendit që të punonte në vitin 1913 pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve si ndihmës për të sqaruar anëtarët e komisionit për probleme të ndryshme në zonën që shtrihej nga Ahu i Steblevës (pranë Dibrës) deri tek qyteti i Strugës anës liqenit të Ohrit.
Duke qenë Mefaili një personalitet i njohur e me influencë në mbarë zonën Elbasan – Dibër – Strugë, në vitin 1915 erdhën tek ai dhe kërkuan mbrojtje dy priftërinj orthodoksë të kishës sërbe: pop Stojçe dhe pop Dane. Pop Stojçe ishte prift në Beograd, kurse pop Dane ishte prift në Strugë, mirëpo të dy këta priftërinj kishin kundërshtuar urdhërin e Krajl Pjetrit, Mbretit të Sërbisë, për të spiunuar e dorëzuar besimtarët që nuk i nënshtroheshin politikës së tij. Krajli kishte lëshuar urdhërin e dënimit me vdekje për të dy këta priftërinj rebelë. Për t’i shpëtuar ndjekjes, prifti i Beogradit shkoi tek prifti i Strugës dhe me sugjerimin e këtij të dytit, të dy vendosën të delnin jashtë kufirit e të kërkonin ndihmë tek tregëtari shqiptar me influencë, Mahmud Biçaku i Qarrishtës. Ky e urrente Krajl Pjetrin dhe ushtrinë sërbe për masakrtat e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës e të Dibrës gjatë viteve 1912 – 1913. Mirëpo, pasi dëgjoi historinë e dy priftërinjve, ai i pranoi. I priti si miq dhe i strehoi për disa muaj. Kjo ngjarje krijoi një miqësi që do të vijonte në vite.
Gjyshi im, Mefaili (1892 – 1067), pra djali i Mahmudit, në vitin 1912 kur ishte 20-vjeçar po kryente shërbimin ushtarak në ushtrinë e Perandorisë Osmane në Shkodër. Atje e zuri shpallja e pavarësisë dhe lufta për mbrojtjen e qytetit nga sulmet e ushtrisë së Malit të Zi. Në ato luftime ai u plagos nga një plumb në këmbën e djathtë dhe kur u kthye në fshat filluan ta quanin Mefail Topalli .
Nga fundi i vitit 1941, pas pushtimit gjerman të Jugosllavisë, shtetit shqiptar iu kthyen territore të gjera shqiptare që i ishin dhënë padrejtësisht Sërbisë më 1913. Struga tani bënte pjesë në shtetin shqiptar, i cili ndonëse ishte i pushtuar prej Italisë Fashiste, po shijonte kënaqësinë që solli bashkimi i trojeve etnike. Pas pushtimit të Sërbisë nga ushtria gjermane, hebrenjtë që jetonin në Beograd e në qytete të tjera të Sërbisë u detyruan të lagoheshin nga ky shtet për t’i shpëtuar ndjekjes së ushtrisë gjermane. Pikërisht në këtë kohë dyndën në Shqipërinë Veri-Lindore, pra në Kosovë, Dibër e Strugë shumë hebrenj nga qytetet sërbe. Në Strugë vijonte të shërbente pop Dane, i cili i kishte të gjalla ndjenjat e miqësisë së tij me mikpritësin shqiptar të Qarrishtës, Mahmud Biçakun. Prandaj ai, me kapitullimin e Italisë fashiste në shtator 1943, kur ushtria gjermane filloi të zëvendësonte ushtërinë italiane, i drejtoi një letër Mahmudit, ku i lutej që të priste e të mbante për një kohë të pacaktuar 26 hebrenj, shumica e të cilëve kishte shkuar prej Beogradit në Strugë. Disa ishin hebrenj të vjetër të Strugës.
Mahmudi kishte vdekur, por në familjen e tij ishte i parë djali i tij, Mefail Topalli, i cili kishte dhe një djalë 17-vjeçar, Njazi Biçakun (1926 – 2006), tim atë. Mefaili i edukuar prej babait të vet me besë, burrni e mikpritje, pranoi t’i strehonte hebrenjtë që donte t’i dërgonte miku i tij sërb. Mikpritja e familjes Biçaku, në atë kohë lufte, ishte jo thjesht mikpritje, por edhe trimëri e dashuri humane e cila la një përshtypje të pashlyeshme në zemrat e refugjatëve hebrenj.
Për ta kuptuar drejt këtë veprim që nuk ka qenë vetëm mikpritje por dhe trimëri, po ju kujtoj bisedën që u zhvillua midis gjyshit Mefail e vëllait të tij më të madh, Nebiut, kur gjyshi i dha fjalën të dërguarit të pop Danes. Bisedën ma ka treguar vetë im gjysh kur isha 16 vjeç dhe e mbaj mend si tani:
-‘More vëlla, i ke mentë në kokë, i tha Nebiu, si mund të mbajmë ne 26 hebrenj në shtëpi, në këtë kohë të vështirë kur po vijnë gjermanët dhe populli është i ndarë në partizanë, ballistë e legalistë dhe kur ka spiunë kudo? Unë, nga ana ime nuk pranoj.’
Mefaili i u përgjigj: ‘Mirë o vëlla, atëhere ndahemi, ti kalo me banim tek shtëpia e gjyshit. Për zahire po të fal gazhdaren (koçekun) e misrit, kurse prej tokave dhe bagëtive merri ti gjysmat.’
Pa humbur kohë shkoi vetë me 12 mushka në Strugë, ku bleu ushqime të shumta: miell misri, oriz, makarona, vaj, etj dhe u kthye në fshat. Kur erdhën hebrenjtë gjyshi i strehoi miqtë në katër dhoma të mëdha në katin e dytë të kullës.
I mbajti refugjatët për gati një vit e gjysëm. Shkonte herë pas here në Strugë me tre katër mushka për të blerë mallra që u duheshin muhaxhirëve, mallra që mungonin në Qarrishtë. Pas herës së parë ai nuk pagoi më me pare në dorë, por u dorëzonte tregëtarëve shqiptarë të Strugës shkresa të shkruara e të firmosura me dorë prej mjekut hebre Doksalli. Ky ishte një mjek i njohur midis tyre si pasanik, prandaj ia jepnin mallin pa pare. Shumën e grumbulluar doktor Doksalli e pagoi në dhjetor 1944 kur u kthye në Strugë. Kurse për strehimin, ushqimet e prodhuara prej familjes dhe shërbimet e shumta, familja Biçaku nuk pranoi asnjë shpërblim për gjithë periudhën shtator 1943 – dhjetor 1944. Për ta kuptuar sot se sa vështirësi e mundime kaloi kjo familje gjatë atij një viti e gjysëm për të mbajtur 26 qytetarë të hauj në shtëpi, duhet të kujtojmë se bukët duheshin gatuar e pjekur në shtëpi, mishi e qumshti duheshin siguruar prej bagëtive të familjes, ndërresat e rrobat duheshin larë me dorë duke u zjerë në kazan, etj, etj.
Ky rast mikpritjeje, mirëbesimi, trimërie, bashkë me shumë raste të tjera të ngjashme që tregoi populli ynë ndaj hebrenjve të përndjekur prej nazistëve, pas formimit të shtetit të Izraelit është shkruar te Libri i Madh i Kujtesës së Popullit. Këtë libër e kam parë me sytë e mij kur shkova në Izrael më 1993. Aty takova zotin Rafael Faraagi që ishte ende gjallë. Ai e dy djemtë e tij më kishin ftuar në shtëpi të tyre . Aty jetova një muaj e gjysëm. Nuk mund t’i harroj fjalët vlerësuese të zotit Rafael:
-“Edhe sikur të shesim gjithë pasurinë tonë që kemi sot, ne nuk mund ta shlyejmë borxhin që i kemi familjes Biçaku, sepse ajo që bëri familja juaj nuk ishte thjesht mikpritje, ose sakrificë, nuk ishte thjesht trimëri e bujari, ishte shumë më tepër: ishte dhënie jete, e jetën s’ta jep kush. Pa atë humanizëm ne dhe pasardhësit tanë nuk do të ishim gjallë.”
Mefail Biçaku në Hetuesi nuk e shkeli “Kuranin”
Duke dashur të mësoja edhe më për këtë familje, e pyeta Qemalin: – “Në Shqipëri nuk kam dëgjuar se u burgos kush për shkak se kishte strehuar hebrenj. Diktatura komuniste nuk i pa me sy armiqësor hebrenjtë, pse thua ti se familja juaj u dënua për shkak se kishte strehuar hebrenj.”
– Eshtë e vertetë që diktatura komuniste nuk i dënoi familjet që strehuan hebrenj gjatë luftës, por rasti ynë është ndryshe, më tha Qemali e vijoi të më sqarojë:Në vitin 1960 shkoi në Qarrishtë një letër dërguar nga Buenos Aires prej zotit Simon Aurest drejtuar Mahmud Biçakut. Ishte shkruar italisht. Në letër z. Simon falenderonte për mikpritjen e bujarinë gjatë Luftës. Midis tjerash ai shkruante: “Një mbrëmje duke shëtitur anës oqeanit me time shoqe, m’u kujtua jeta në Qarrishtë, mikpritja tuaj. Ende e kam në gojë shijën e bukës suaj…”.
Mahmudi kishte vdekur, kështu që letrën e mori im gjysh Mefaili i cili gjeti një përkthyes dhe iu përgjigj po italisht. I shkroi se i vinte mirë që ishin shëndoshë e mirë dhe se nuk e kishin harruar jetën që kaluan në Qarrishtë. Mirëpo organet e Sigurimit që mbikqyrnin gjithçka, pasi i lexuan të dy letrat, një ditë dërguan dy punonjës të Degës së Punëve të Brendhsme në shtëpi dhe kërkuan Mefailin. E morën në Hetuesi dhe e akuzuan se këto letra nuk ishin thjesht letra miqsh, por me to po bëheshin lidhje agjenturore, se ai bashkë me njerëzit që përmendeshin në letër kishte në plan të arratisej, etj, etj. E rrahën e shtërnguan të pranonte se kishte në plan të arratisej, etj. Gjyshi njihej në Elbasan dhe si njeri besimtar. Madje dhe në Hetuesi në muajin e Ramazanit ai agjëronte. Për t’ia fyer ndjenjat fetare, hetuesit e shtërnguan që të shkelte “Kuranin” të cilin ia hodhën te këmbët. Gjyshi e mori dhe e puthi, pastaj e vuri mbi parvazin e dritares. E rrahën çnjerëzisht, i thyen shumë kocka, i thyen dhe të gjitha dhëmbët, sa i rra ura prej floriri që kishte në gojë. Gjyshi Mefail na thoshte se u bë si i këmbyer, se nuk ndjente më dhimbje, sikur shpirti i ishte ndarë nga trupi.
Pas katër vjetësh e liruan si të pafajshëm, por urën e florinjtë nuk ia kthyen dhe nuk i dhanë asnjë shpërblim për katë vjet të dënuar kot së koti.
Ky krim i poshtër u përsërit më 1970, kur Maja Aurest, vëllai i Simon Aurest-it, duke qenë se nuk morrën përgjigjen e letrës së parë, dërgoi një letër të dytë me falenderime. Kësaj radhe letra i ishte drejtuar Burhanit, vëllait të Mefailit, duke menduar se mospërgjigja e letrës së parë ndoshta ishte shkaktuar nga vdekja e plakut Mahmud dhe e djalit Mefail. Organet e Sigurimit nuk vonuar, e kapën dhe e arrestuan Burhanin e pafajshëm kur ishte duke shkuar në shtëpi me tre pllaka buke nën sjetull dhe e dënuan me 7 vjet burgim, duke i bërë po ato akuza të pabaza që i kishin bërë dhe vëllait të tij…
Me gjithë vuajtjet e torturat, gjyshi Mefail nuk shprehte dëshpërim dhe as urrejtje për torturuesit e tij. Madje ai përjetonte një ngushëllim të madh e thoshte shpesh: “Zotit i qofsha falë që më dha fuqi të duroja torturat e të mos dorëzohesha, të mos pranoja shpifjet e të mos e shkelja “Kuranin”…
– “Të gjitha ua kam falur, më tha një ditë, por nuk mund ta kuptoj sesi bukën e pakët që ma jepnin në ditët e Ramazanit ma lyenin mender me mut që të më thyenin agjërimin… Ky veprim më bën të mendoj se shqiptarët që shërbenin nëpër burgje e hetuesira nuk janë njerëz si ne të tjerët. Çuditem si më dalin përpara duke u kapardisur dhe nuk skuqen për ato veprime çnjerëzore.”
Në udhëtim me Qemalin
Si thashë më lart, Qemal Biçaku është jo vetëm i punës por dhe i muhabetit. Ai tregon bukur ndodhi nga jeta dhe udhëtimet e tij. Për ta njohur më konkretisht punën e rëndë, iu luta të më merrte me vete në një nga udhëtimet e tij kur kalonte përmes qytetit tim Worcester MA. Desha të shihja nga afër si punonte, si e përballonte punën me orar të zgjatur duke ngarkuar e shkarkuar arka të shumta me mall dhe duke ngarë pa fjetur makinën e rëndë frigorifer, 10 tonëshe. Më sqaroi se do të udhëtonim më shumë natën sesa ditën. Pranova dhe shkova në ora 21:00 PM tek exiti 9 i autostradës 290 që i kalon Worcester-it nga veriu në Jugë. Ai kishte filluar punën që herët në mëngjes. Kishte ngarkuar makinën dhe kishte shkuar në Boston ku e kishte shkarkuar mallin, pastaj ishte kthyer në Manchester NH ku kishte ngarkuar mall të ri. Kishte shkuar në shtëpi dhe pasi kishte fjetur disa orë, më 7:30 PM ishte nisur për të shpënë mallin në dy magazina në shtetin New Jersy. Kur iu afrua qytetit Worcester, më mori në telefon si e kishim lënë. U takuam te parkimi i dyqanit të madh SHOW’ S, ku lamë makinën time dhe vijuam rrugën me kamionin e tij të ngarkuar. Ishte mbrëmje, rrugët jashtë qyteteve ishin të errëta. Mendova netët e dimrit me shi, borë e akull. Kaluam midis qyteteve Hartfort CT dhe Waterbury CT. Qetësia sundonte gjithandej. Kaluam urën e gjatë Paterson dhe hymë në New York, në kryeqytetin botëror, ku jetojnë të gjitha kombet e racat njerëzore ku sejcili lufton e konkuron për të kapur suksesin. Ky qytet ka njerëz që lëvizin e punojnë si ditën dhe natën. Kishte kaluar mesnata, por disa hanin mëngjezin, disa drekën e disa darkën, sejcili sipas orarit të punës së vet. Ne morrëm kafetë e dyta.
Hymë në shtetin New Jersy. Qemali ia mori një kënge elbasnse. Këndonte me zë të fortv. Pastaj më sqaroi: “Kur më vjen nga pak si gjumë ia marr këngës, kurse kur fillojnë e më mbyllen sytë nxjerr makinën anash rrugës dhe marr një sy gjumë për ndonjë gjysëm ore.”
Në ora 2:00 AM arritëm tek magazina ku do të shkarkonim ngarkesën kryesore në qytetin Clifton NJ. Qemali e afroi me kujdes makinën mbrapsht dhe ndali gati puq me derën e madhe të magazinës. Zbritëm, Qemali mori çantën e nxori çelsat. Hapi derën e vogël të magazinës. Hymë brenda. Ambjenti ishte plot me arka bosh të vëna njëra mbi tjetrën anash dhomës së madhe. Më tej dy frigoriferë të mëdhenj dhe një makinë lift (makinë ngritëse mallrash me dy pirunë të gjatë). Qemali nxori nga çanta disa shkresa dhe i la mbi tavolinën që ishte ngjitur pas murit. Pastaj filloi nga puna.
Hapi portën e madhe të magazinës pasi e çkyçi fundin e qepenës dhe e ngriti lart deri te tavani. Hapi dy dyert e mbrapme të karrocerisë së makinës së tij. Atëhere pashë se sa shumë mall kishte aty brenda. Mori makinën lift e afroi te makina e tij dhe hipi sipër në karroceri. Afroi një stivë me arka të ngarkuara me mall dhe e shtyu për t’i futur pirunët nën të. Pastaj zbriti nga makina dhe hipi në makina lift. Filloi nga puna për ta ngritur stivën e arkave e për ta tërhequr. Pastaj e vërtiti makinën lift dhe shkoi deri nga mezi i sallës. E uli në tokë ngarkesën dhe e tërhoqi makinën. Kështu viojoi nja dy orë duke hipur e zbritur si djalë i ri herë te karoceria e makinës së vet e herë te makina lift. Pasi e shkarkoi mallin e porositur për këtë magazinë shkoi hapi derën e frigoriferit të madh, ku futi stivat e arkave. Kësaj radhe nuk përdori makinën lift, por duart e tij të fuqishme me të cilat herë i tërhiqte e herë i shtynte stivat e arkave derisa i rregulloi ngjitur me njëra tjetrën brenda frigoriferit. Pastaj mbylli frigoriferin e madh, fshiu djersët në fytyrë e trup dhe filloi mbushjen e frigoriferit më të vogël. Kur e mbaroi dhe këtë punë, hoqi kanatjeren, fshiu djersët dhe veshi kanatjeren që i kishte larë dhe hekurosur zonja Mukadez.
Ngarkoi arkat bosh dhe i mbylli dyert e karrocerisë së makinës. Mbylli dhe dyert e magazinës, hipëm në kabinën e makinës së lehtësuar dhe shkuam tek magazina tjetër, ku ai shkakroi pjesën tjetër të mallit. Asnjë roje nuk ishte në këto magazina, Qemali ishte i plotfuqishëm: shofer, ngarkues – shkarkues, magazinier, dorëzues inventari e shkresash… Mua nuk më la ta ndihmoja për asgjë, sepse kishte frikë mos bëja ndonjë lëvizje të gabuar dhe mund t’i bëja dëm e t’i hapja punë. Kur u nisëm për t’u kthyer ora ishte 7 e mëngjezit. Rrugës mua m’u varr koka. Qemali vigjilent më pa dhe më tha: “lidhu se mos bëj ndonjë frenim të papritur dhe e pësojmë të dy”. Pasi u lidha më zuri një gjumë i lehtë. U zgjova kur u ndal makina. Qemali tha: “tani kam dhe unë nevojë të fle një sy gjumë”. Kështu dremitëm të dy një gjysëm ore.
Në Waterbury CT arritëm afër orës 9 e gjysëm. Shkuam tek dyqani i zotit Bardhyl Agastra, mik i Qemalit. Bardhi, si i thoshin shkurt, ishte me origjinë nga Devolli dhe kishte ardhur që më 1992. Bardhyli është një burrë rreth të pesëdhjetave trupmadh e i shëndetshëm. Pamja e tij manifeston shëndetin e një devolliu punëtor që ka bërë jetë të rregullt. Në dyqanin e tij shiteshin mallra ushqimore të shumëllojshme. Më bënë përshtypje sallamra, djathra, mjaltë, çajra nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, etj. Bardhyli nuk kishte kohë të vinte me ne tek “Kafe Tirona”, ku mbidhen shqiptarët e Woterburyt. Aje u takuam me shqiptarë nga të gjitha krahinat. Muhabeti vlonte me zë të lartë si kudo nëpër kafenetë e shqiptarëve. Kur i shikon shqiptarët në kafene, harron që ata janë punëtorë të mirë, të duken sikur janë një popull dembel e llafazan që e kalon jetën në kafene…
Gjatë kthimit për Worcester, e pyeta Qemalin se si mendonte për shoqërinë “Vatra”. Ai m’u përgjigj: “Vlerësimi që i bënë shoqëritë dhe fondacionet e hebrenjve të SHBA-ve gjyshit e babait tim për bëmat e tyre të 60-70 vjetve më parë, më shtyn të mendoj se edhe ne shqiptarët duhet ta forcojmë shoqërinë “VATRA” për ta bërë atë një shoqëri e fondacion të fuqishëm që të ketë mundësi reale të vlerësojë punën e shqiptaro-amerikanëve që ecin në rrugën e Faik Konicës e të Fan Nolit. Prandaj pranova të jem anëtar i Vatrës, kur më the ti…