Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Është e rëndë ta thuash këtë fakt, por kjo është e vërteta nën dritën e diellit. Hashim Thaçi ka 7 vjet që e keqqeveris Kosovën dhe ndërsa ka humbur zgjedhjet e 8 qershorit, është duke i zvarrisur të gjithë qytetarët zhag me pretendime që mund t’i kenë vetëm diktatorë të kalibrit të Koresë së Veriut.
Gjatë qeverisjes së tij për dy mandate rresht demokracia në Kosovë u kthye në një përbindësh, ku Thaçi dhe njerëzit e tij morën nën kontroll të gjitha pushtetet, eleminuan lirinë e shtypit dhe e përdorën pushtetin politik për t‘u pasuruar, ndërkohë që varfëria në Kosovë vazhdon të mbetet 70%, një kërcënim real për sigurinë kombëtare të vendit.
Gjatë regjimit të tij në Kosovë lulëzoi dhe u importua një lloj islamizmi brutal, jo shqiptar, i cili filloi ta përdorte fenë si ideologji ekstremiste, duke i konvertuar shqiptarët e Kosovës në ushtarë mercenarë të grupeve terroriste në Siri.
Megjithëse të gjithë ekspertët konstitucionalistë hedhin dritë dhe thonë se nuk ka asnjë arsye për ngërç institucional, Hashim Thaçi me institucionin e kapur të Gjykatës Kushtetuese, arriti që të vonojë konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës. Dhe Kosova, edhe katër muaj pas zgjedhjeve, ka mbetur një vend pa shtet dhe në anarshi të plotë.
SHBA dhe BE kanë 15 vjet që mbulojnë Kosovën dhe përmes organizmave të tyre ia kanë mësuar politikanëve të Kosovës alfën dhe betën e funksionimit të shtetit, ndërsa tani janë duke heshtur dhe nuk kanë shprehur asnjë qëndrim përpara kësaj katrahure që po ndodh në Kosovë. Nga kjo heshtje përfiton Hashim Thaçi që të nëpërkëmbë edhe më votën e Sovranit, i cili e ka nxjerrë në opozitë.
\Kemi një anëtar të Gjykatës Kushtetuese që e dha dorëheqjen si pasojë e degradimit të institucionit të lartë të drejtësisë, drejtuar nga Enver Hasani, një marionetë e Hashim Thaçit, që e nxori ilegjitime procedurën e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit të Kosovës, votuar prej shumicës, me qëllim që t’i jepte kohë ish-kryeministrit, kohë e cila de facto dhe de jure i është djegur.
\Nga ana tjetër, edhe institucioni i Presidentes të Republikës është kthyer në një kukull, e cila gjatë kësaj kohe është marrë vetëm me heqjen e dhjamit të tepërt dhe as nuk i bëhet vonë për popullin që vuan dhe për Kosovën që dergjet.
\Kur Hashim Thaçi arriti që të krijojë maxhoranca, gjatë dy mandateve të tij të para, askush nuk ia mori në diskutim pushtetin. Ky ishte fati dhe fataliteti i Kosovës. Ndërkohë për të sqaruar opinionin publik, asnjëherë partia e tij nuk i ka fituar më shumë se 190 mijë vota, ndërsa tani që i është larguar Nisma, PD nuk i ka më tepër se 150 mijë vota, nga 1 milionë e 800 mijë votues, prej të cilëve më tepër se 700 mijë morën pjesë në votimet e 8 qershorit. Pra Hashim Thaçi e ka qeverisur Kosovën gjithmonë nga pozitat e një partie me elektorat të kufizuar.
Dy mandatet e para Hashim Thaçi është mandatuar si kryeministër i Kosovës sepse ka mundur të krijojë aleanca, një herë me klanin e LDK-së, pastaj me Bexhet Pacollin me shokë, por tani kur askush nuk pranon të bashkëqeverisë dhe të krijojë aleanca me të, ai s’ka shans tjetër vetëm të largohet, sepse koha që ka qëndruar është thjesht një shkelje e Kushtetutës dhe me pasoja për Kosovën.
Dhe meqë ai nuk largohet në mënyrë kushtetuese, dhe meqë ai kërkon me çdo kusht pushtet dhe mandat të tretë, ndërsa ka filluar t’i ndërsejë zagarët e tij të kërcënojnë popullin e Kosovës me Drenicën e pushkës, ka ardhur momenti që SHBA dhe BE të dalin hapur dhe qartë me qëndrimet e tyre.