-Në Presidencë, në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, sot për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj/
-Derisa nuk ishin së bashku sot në tryezën te Presidentja Jahjaga, tre subjektet opozitare dje kanë bërë një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se “më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare”/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,8 Shkurt 2016/ Nuk ka ndonjë marrëveshje, liderët ritheksuan qëndrimet e mbajtura deri tash, edhe pasi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi sot në mëngjes një takim të përbashkët me drejtuesit e subjekteve politike parlamentare, për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend. Në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, sot për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të subjekteve politike të komuniteteve pakicë.
Në Presidencë kanë shkuar në takim edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, si edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
“Takimi i sotëm te Presidentja, me pjesëmarrje të një prej liderëve të opozitës, ishte një zhvillim i ri, derisa situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës me bllokime nga opozita që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës.
Në dy përpjekjet e deritashme, të vitit 2015, për t’i ulur në një tryezë dialogu pozitën e opozitën, së pari në tetor, e pastaj në dhjetor presidentja e Kosovës, ka zhvilluar vetëm takime të veçanta.
“Ajo që na ndan është shumë më e vogël përballë asaj që na bashkon”, shprehej në 4 dhjetor 2015, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke njoftuar në konferencë shtypi se një ftesë zyrtare u kishte dërguar atë ditë drejtuesve të tre partive opozitare për një takim, i cili nuk ndodhi.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare. Ndërsa Kuvendin e Kosovës e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e presidentit të Republikës, pasi presidentes aktuale i kalon mandati pas dy muajsh, në 6 prill, e sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe zgjedhjet e parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Derisa nuk ishin së bashku sot në tryezën te Presidentja Jahjaga, tre subjektet opozitare dje kanë bërë një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se “më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare” dhe se “zgjidhja janë zgjedhjet, jo thjesht për të ndryshuar fytyrat, por për të ndryshuar një herë e mirë mënyrën e të bërit qeverisje”.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë 13 deputetë opozitarë, të cilët ndërkohë janë liruar.