Nga Albert R. HABAZAJ/ studiues/*
1.1 BOTIMI I PARË HISTORIK I NIVELIT AKADEMIK PËR LV/
Vepra kolektive e nivelit akademik “Historia e Shqipërisë” (vëll. I – II, 1959, 1956 përkatësisht) është dëshmia e parë dokumentare historike, që paraqet në mënyrë të përgjithshme historinë e Shqipërisë nëpër rrjedhat e kohës. Pikërisht në vëll. II të HSH marrim një informacion sintetik edhe për Luftën e Vlorës. Ishte akademiku Aleks Buda (1910 – 1993), një personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare, i pari kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai që ideoi dhe konceptoi këtë tekst madhor për kohën, të rëndësishëm si pikë reference për periudhat e pastajme dhe dëshmi historike krahasuese e përfillshme për studiuesit. Një vepër krejt e re për kohën si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit e të vështrimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të procesit historik në rrjedhën e ngjarjeve.
Kishin shkruar edhe më parë për LV disa autorë të veçantë. Ndoshta i pari apo ndër të parët që rrok temën e LV në botimet e viteve ’20 – të të shek. XX është Sali Hallkokondi, jurist, publicist dhe historian nga Vranishti i Vlorës, ndër intelektualët e njohur të kohës (1877 – 1936). Ai la gjurmë të thella në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve me librin me kujtime “Histori e Shqipërisë së re” (1923), ku përveç pasqyrimit të ngjarjeve të lëvizjes kombëtare e demokratike pas shpalljes së Pavarësisë, duke qenë edhe pjesëmarrës në LV, na paraqet të dhëna interesante, të pasura e të vlefshme për ndërtimin e historisë së kësaj ngjarjeje, aq më tepër që avokati i njohur i ka botuar shkrimet e tij në gazetat “Mbrojtja Kombëtare” e “Fjala e lirë”, gjatë v. 1921 dhe në “Politika” në v. 1923 – ‘24. Sejfi Vllamasi (1883 – 1975), duke qenë dhe senator, deputet si dhe dy herë anëtar kabineti luajti rol të rëndësishëm në përkrahjen e LV më 1920, apo edhe në përballimin e ndërhyrjes së forcave ushtarake jugosllave në Koplik më 1920. Në dorëshkrimin e tij “Shënimet dhe kujtimet historike”, një kopje të të cilit ia dorëzoi AIH nga fillimet e vitetve 1960, por që dritën e botimit për herë të parë e pa vetëm më v. 1995, me titullin “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897- 1942, autori i ka kushtuar dhe 10 faqe LV, të cilat, sipas studiuesit Maringlen Verli, janë të vlerësuara për informacion historik dhe analizat politike[1]. Gjithashtu, studiuesi M. Verli na sjell informacionin se, “falë ndershmërisë dhe ekuilibrit që e karakterizonte, S. Vllamasi u konsiderua nga qeveria e Sulejman Delvinës si personi i përshtatshëm për të përballuar misionin delikat të tatimit të pulsit të Beogradit dhe të sigurimit të armëve jashtë vendit për Luftën e eVlorës”[2] Tajar Zavalani (1903 – 1966), që ishte sekretar i Komisionit Ndërkombëtar për Caktimin e Kufijve, (1923) ka një botim tjetër më vonë “Histori e Shqypnis” në dy vëllime: vëll. 1 ‘ Nga ilirët e deri në kongresin e Berlinit”: Londër, 1957, dhe “ Nga 1878 deri 1965”: Londër, 1966. Në vëll. 2, te “Lirija e rifitueme” ka dhe shënimet entuziaste “Triumfi i Vlonës”, që gjithsesi na pëlqejnë, por problemi është se në tekstin e botuar ka edhe pasaktësira. Po citojmë një paragraf “…Mesazhin e dorëzoi trimi legjendar Selam Musai, i cili ra i vramë te praku i Vlons, porsa u lanque ofensiva kundër okupatorit”[3]. E vërteta historike është se bëhet fjalë për ultimatumin që fshatari trim nga Mallkeqi i Vlorës, Mehmet Selim Shahaj, dhe jo kryeheroi i LV dhe legjenda e EHLV, Selam Musa Salaria, i dorëzoi gjeneral Piaçentinit, etj. Edhe historia e shkruan këtë fakt, edhe folkori e këndon bukur e fortë këtë histori trimash. Ne e dimë të vërtetën, por jo të gjithë e njohin në Shqipëri. Aq më tepër që ky libër është botuar dhe jashtë shtetit e pikërisht në Angli, ku mendojmë se nuk ka se si të mos jetë lexuar nga të huajt ky tekst. Informacioni i pasaktë krijon imazh të shtembëruar dhe qortohemi për mungesë të korrektesës shkencore dhe të seriozitetit në trajtimin historik. Personat që përmendëm e të tjerë si Ago Agaj e Gani Abazi, që kanë shkruar libra individualisht dhe jo si bashkëautorë në grup pune, janë mbështetur kryesisht në kujtimet e tyre si autorë, aktorë apo faktorë (aqsa) për LV. Gjithsesi janë gjurmë a përshtypje vetiake, jo të zyrtarizuara, dhe vetvetiu vërtetësia e fakteve apo argumenteve mund të jetë e diskutueshme, nga që subjetiviteti nuk shmanget dot, kur bëhet fjalë që autor është një person i vetëm dhe jo grup autorësh apo kolektiv hartuesish, si dhe kur autorët nuk përfaqësojnë institucione të larta shkencore shtetërore, organizata apo shoqata të përhershme dijetarësh e njerëzishtë kulturës që merren me organizimin e drejtimin e punës shkencore dhe me kërkime e me studime për zhvillimin e shkencës e të diturisë në tërësi dhe të disiplinave të veçanta si historia (e periodizuar, në rastin konkret për LV, 1920) apo folkoristika (konkretisht mbledhja, seleksionimi, përzgjedhja, studimi, përgatitja dhe botimi i EHLV).
E ndjejmë veten më të qetë në studimin e tekstit HSH, 2, sepse mendojmë që Profesor Buda ka patur krahë të fortë, për temën që ne na intereson, punimin e Kristo Frashërit “Lufta Çlirimtare e Vlorës” (1920) dhe “Shqipëria prej fillimit të luftës së parë botërore gjer në mbarimin e luftës së Vlorës” të Muin Çamit. Futemi në situatë: Lufta e Vlorës zhvillohet në një etapë të re për historinë e vendit. Përballë nuk kemi më pushtuesin osman, fantazmën pesë shekullore, që ishte perandori e botës për kohën, por u katandis në një gërdallë. Ikën ata. Erdhën të tjerë. Pushtues të rinj dalin në teatrin luftarak, më të hollë, të veshur “allafrënga”, me kollaro, borsalinë e pantallona të cohta, më të dhemshur për hallet e shqipatërve. Për fatin tragjik të shqiptarëve memorandum që paraqiti në Konferencën e Londrës më 17 dhjetor 1912 delegacioni i qeverisë së Vlorës i përbërë nga Mehmet Konica, Filip Noga dhe Rasih Dino nuk u përfill nga të mëdhenjtë e të fortët dhe la jashtë Shqipërisë Kosovën dhe Çamërinë, përkatësisht në mars dhe në gusht të 1913-ës së mbrapsht për ne. “Gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në Londër” shkëputën nga trungu i Atdheut krahinat më pjellore, që kishin qenë dhe vatra të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare…[4]
Siç po rridhnin ngjarjet, erdhi momenti që shqiptarin “ ta puthë halla në të dy faqet”. Çfarë dy faqe?! Nga të katër anët. Serbi lart e greku poshtë, italiani para e francezi prapa. Dublikatë malli shfaqën edhe austrohungarezi e malazezi. Por, shqipo- lumi ishte rrahur me vaj e me uthull dhe, si komunitet, nuk qe aq naiv sa ta hante sapunin për djathë. Gjendja social – ekonomike zvarritet me ritme të ngadalshme. Ndyshimi i kushteve ekonomike shoqërore ishte metaforizimi më i keq i shembullit të gaforres, pra, bëhej me “hapin e breshkës” Nuk mund të themi qartësisht se shoqëria shqiptare u shkëput nga marrëdhëniet feudale, sepse nuk buisën shëndetshëm marrëdhëniet kapitaliste në prodhim as në Vlorë, as në Shkodër, as në Korçë, as në Janinë, as në Shkup, as në Prizren e as në Ulqin e Durrës. Përmbajtjen social – politike e përbëjnë lëvizja kombëtare kundër pushtuesve të ndryshëm fqinjë, ballkanikë dhe matanas, si dhe lëvizjet demokratike për përmirësimin dhe përparimin e mënyrës s ë jetesës së shqiptarëve në komunitet. Objektivi themelor i luftës ishte ruajtja e pavarësisë së fituar e të njohur në arenën ndërkombëtare. Historikisht e shkurtër, LV është shumë e pasur mengjarje me karakter të ndryshëm, gjë që ndoshta e ka bërë të nevojshëm një miniperiodizim të saj, duke u nisur nga përmbajtja dhe rëndësia e fenomenit historik në këtë fazë të caktuar, në kuadrin e periudhizimit të historisë së Shqipërisë nga koha e shpalljes së Pavarësisë në nëntor 1912 deri në pushtimin e vendit nga Italia fashiste dhe fillimin e lëvizjes antifashiste Nacional – Çlirimtare në prill 1939, që sot cilësohet e tëra periudha e Pavarësisë, brenda së cilës ka peshën e saj specifike dhe LV. Shqipëria, e dalë nga tallazet e luftës, e gjysmuar nga diktati i Fuqive të Mëdha imperialiste, dhe filloi jetën e saj të pavarur si një shtet çifligaro – borgjez, i rrethuar prej armiqsh lakmitarë, të cilët nuk hoqën dorë nga synimet për ta copëtauar ose për ta vendosur në orbitën e ndikimit të tyre. LV, si pjesë e HSH në këtë fazë lidhet ngushtë me ngajrjen e madhe të historisë botërore – luftën e parë imperialiste botërore, gjatë së cilës FM dhe shtetet fqinje ballkam\nike e pushtuan atë ushtarakisht dhe rrezikuan ekzistencën e saj, jo më rimëkëmbjen e shtetit kombëtar shqiptar. Nuk bëhej dot fjalë për demokratizim të jetës së brendshme shtetërore e sociale. Italia po luante rolin e babaqaforit…Shqiptarëve po u rëndohej ajri, po u bëhej e padurueshme jeta sidomos me sjelljet morale të matanasit apenin. Retë e zeza tregonin se do të vinte furtunë…
1. 1. 1 LUFTA E VLORËS (vështim historik)
1. 1. 2 Komitet i “ Mbrojtjes Kombëtare”
Teksti i HSH, vëll. 2; 1965 na informon me gjuhën e kohës, se disa rrethe politike të vendit të bindura se bisedimet shqiptaro – italiane nuk po jepnin ndonjë rezultat, kërkonin të organizohej një veprim energjik, që mund të arrinte deri në luftë të armatosur kundër ushrive italiane në Shqipëri. Zëdhënësit më aktiv të kësaj rryme ishin Qazim Koculi dhe Spiro G. Koleka, deputet të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Sipas tyre, një veprim i tillë jo vetëm do t’i tregonte opinionit publik botëror vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të atdheut të tyre, por, po të realizohej me sukses, do t’u jepte shqiptarëve një armë më të fortë për të kundërshtuar pretendimet tokësore jugosllave e greke në kurriz të Shqipërisë.Përkrahës të kësaj rryme ishin dhe vetë kryeministri Sulejman Delvina (1884 – 1933) me shumicën e anëtarëve të qeverisë. Por S. Delvina nuk pranonte të merrte si kryetar qeverie përgjegjësinë e një veprimi të tillë, pasi e konsideronte gjendjen e brendshme akoma të pakonsoliduar. Veç kësaj, ai u trembej pasojave që do të rridhnin në rast se ky veprim, që kërkonte forca të mjaftueshme ushtatrake, do të dështonte.Duke i kuptuar arësyet që e shtynin kryeministrin t’i shmangej një konflikti të hapur shtetëror midis Shqipërisë dhe Italisë, në rrethet patriotike të vendit dhe, në mënyrë të veçantë, në ato të krahinave të pushtuara, lindi nevoja e organizimit të një veprimi të armatosur joqeveritar kundër ushtrive italiane, gjë që do ta çlironte qeverinë nga çdo përgjegjësi zyrtare. Kjo ide gjeti një terren të përgatitur qysh më parë nga aktivistët e lëvizjes kombëtare.
Për të drejtuar këtë lëvizje, në prill u krijua përsëri brenda më Vlorë, ashtu si më 1919 një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, në të cilin hyri dhe Q. Koculi. Deputeti tjetër S. Koleka u ngarkua të kryente funksionet e përfaqësuesit të fshehtë të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri e aprovoi programin e komitetit. Për të fituar kohë deri në përgatitjen e kryengritjes, u vendos të vazhdoheshin bisedimet e Durrësit. Në të njëjtën kohë, qeveria bëripërçapje për të normalizuar marrëdhëniet me shtetet fqinje ballkanike. Në fund të prillit ajo dërgoi një përfaqësues të saj (Sejfi Vllamasi: shën. im – AH) me mision të fshehtë në Belgrad për të kërkuar ndihmë në armë e municione për veprimin e armatosur që po përgatitej kundër ushtrive italiane. Qeveria jugosllave dha disa premtime, gjë që i dha të kuptonte qeverisë s ëTiranës se ajo, në rast të një konflikti të armatosur me Italinë, mund të mos shqetësohej përsa u përkiste kufijve lindorë e veriorë. Qeveria shqiptare mori me rrugë gjysmëzyrtare sigurime për mosndërhyrje edhe nga Greqia, e cila në këtë kohë ishte e zënë me aventurën e saj në Azinë e Vogël. Përveç kësaj, bisedimet italo – shqiptare, që filluan në Palanca më 11 maj 1920, për shkak të krizës qeveritare që plasi në Itali, undërprenë. Ndërprerja e tyre e shtynte për më vonë edhe vendimin e FM në lidhje me ÇA. Ky ishte një fitim i ri kohe për shqiptarët, të cilët po përgatiteshin për kryengritjen e armatosur. Në këtë kohë vetë Anglia dukej se nuk po e përkrahte më projektin për t’i dhënë mandatin mbi Shqipërinë, për arësye se po flitej gjithnjë e më shumë për pasuritë e mëdha vajgurore të zbuluara gjatë luftës në Shqipëri nga ekspertët italianë dhe austriakë, mbi të cilat ajo synonte të vinte dorë.
Këtu e kishte burimin vendimi që mori komisioni i punëve të jashtme të parlamentit britanik për t’i kërkuar kryeministrit englez që ky të kujdesej për çlirimin dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë në kufijtë e 1913 – ës dhe për vënien e saj nën mbrojtjen e FM. Të bindur tanimë se rruga e shpëtimit mbetej vetëm në kryengritjen e armatosur, anëtarët e KMK zhvilluan një veprimtari të gjerë organizative në krahinat e pushtuara. Autoritetet italiane të pushtimit të cilat, duke e ndjerë rrezikun, kishin shpallur në Vlorë qysh në prill gjendjen e jashtëzakonshme, kryen më 9 maj një varg arrestimesh brenda në qytet. Nga ana tjetër, duke përdorur si preteks humbjen e një topi në Durrës, reparti italian që qëndronte në Skelë e pushtoi qytetin përsëri më 10 maj. Një javë më vonë, kur autoritetet qeveritare hynë në Tepelenë për të marrë në dorëzim qytetin, që ndodhej jashtë zonës së pretenduar për aneksim nga qeveria e Romës, ushtarët italianë grisën flamurin e Shqipërisë, dëbuan komisionerin qeveritar dhe e shpërndanë brutalisht popullsinë që ishte grumbulluar për të kremtuar kthimin e qytetit në gjirin e Atdheut. Si pasojë, marrëdhëniet shqiptare – italiane u acaruan edhe më shumë. Ato ditë KMK e vuri në dijeni qeverinë mbi gatishmërinë për të filluar kryengritjen.
Kryeministri i premtoi komitetit ndihma materiale me kanale jozyrtare. Me urdhër të tij u ndërprenë bisedimet shqiptare – italiane. Ndërsa popullsia e krahinës së Vlorës ndodhej në pragun e shpërthimit të kryengritjes, gjendja në krahinënë e Korçës u duk se u keqësua përnjëherësh. Autoritetet ushtarake franceze, që i mbanin gjithnjë nën kontrollin e tyre Korçën dhe rrethin e saj, po përgatiteshin për t’u larguar nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë, matanë kufirit një brigadë greke nën komandën e gjeneralit N. Trikupis (Nikolaos Trikoupis, 1869 – 1956, shën. im – AH), që ndodhej në Follorinë, filloi të lëvizte drejt kufirit të Shqipërisë me qëllim që të shtinte në dorë Korçën. Qarqet patriotike korçare, ashtu si edhe qeveria e Tiranës, të shqetësuara nga afrimi i ushtrisë greke, organizuan me të shpejtë forcavullnetarësh dhe më 26 maj 1920 ngritën atje flamurin kombëtar, shpallën bashkimin e krahinës së Korçës me qeverinë e tiranës dhe vendosën të mbronin me armë në dorë krahinënë e tyre nga invazioni grek.
Shembullin e Korçës e ndoqën edhe Pogradeci me Bilishtin. Qeveria e Athinës, e cila shpresonte se marshimi i trupave greke, në saje të befasisë, do të bëhej pa patur qëndresë, u shqetësua nga kundërveprimi i shqiprarëve. Duke mos dashur të hapë një front të ri në një kohë kur vazhdonte luftën me Azinë e Vogël, gjë që do të ishte në përfitim të Italisë, dhe i këshilluar nga qeveria engleze, kryeministri grek E. Venizellos (Eleftherios Venizelos, 23. 08. 1864 – 18. 03. 1936: shën. im – AH) e urdhëroi gjeneralin N. Trikupis të ndërpriste marshimin në tokën e Shqipërisë dhe të lidhte me autoritetet shqiptare një marrëveshje të përkohshme. Më 28 maj në fshatin kufitar Kapshticë u nënshkrua protokolli, sipas të cilit ushtria greke e ndalte marshimin e vet “ për ta bërë më të lehtë – sikurse thuhej në këtë protokoll, – marrëveshjen midis qeverisëë greke dhe shqiptare”. Ky protokoll do të mbetej në fuqi deri sa çështja të rregullohej qoftë nga Konferenca e Paqes, qoftë nga një marrëveshje e drejtëpërdrejtë midis qeverive greke dhe shqiptare. Gjatë kësaj kohe ushtritë greke do të mbanin 26 fshatrat kufitare, që kishin pushtuar gjatë marshimit. Protokolli i Kapshticës pati rëndësi të veçantë për qeverinë shqiptare, pasi largoi konfliktin prapa shpine me Greqinë, në një kohë kur ishte vendosur fillimi i kryengritjes kundër ushtrive italiane në Vlorë.
1.1. 3 Fillimi i Luftës së Vlorës
Pasi u bënë përpjekjet e duhura për fillimin e kryengritjes, KMK thirri me urgjencë parinë e qytetit e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës në një kuvend që do të mbahej ilegalisht në Barçalla, një shpat mali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Të gjithë pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes.
Kryetar i komitetit u zgjodh përsëri Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh nën kryesinë e Qazim Koculit, ish oficer i marinës. Komisioni ngarkoi kapitenin Ahmet Lepenica të organizonte formacionet ushtarake. Kuvendi mori vendim t’u bënte thirrje për të rrëmbyer armët gjithë qytetarëve dhe fshatarëve të krahinave të pushtuara dhe sidomos të Labërisë. Më 2 qershor 1920 disa mijra vullnetarë me armë e pa armë u paraqitën në Beun dhe në pikat e tjera të caktuara, të organizuara në çeta, secila nën komandën e një fshatari trim, të zgjedhur nga vetë vullnetarët. Thirrjes iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej gati 300 vetash, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish prej afro 4 mijë vullnetarësh patriotë.
Nga Beuni KMK i drejtoi një ultimatum gjeneralit S. Piaçentini (Settimio Piacentini, 06.01. 1867 – 2. 11. 1921; shën. im – AH). “Populli shqiptar, – thuhej në ultimatum, – nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915…Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Evropës si shpërblim italo – greko – serbëve, vendosi të marrë armët dhe të kërkojë nga Italia administrimin e Vlorës, Tepelenës e Himarës, të cilat t’i dorëzohen me të shpejtë qeverisë kombëtare të Tiranës”. Komiteti e ftonte pastaj komandantin italain që t’i përgjigjej kësaj kërkese deri në mbrëmjen e 4 qershorit; përndyshe, siç lihej të kuptohej në ultimatum, shqiptarët do të fillonin kryengritjene armatosur. (Ultimatimi ishte një notë diplomatike, që KMK, si përfaqësues popullor i krahinave të pushtuara të shtetit shqiptar [dhe qeverisë së tij, që, edhe pse nuk u prononcua zyrtarisht, nënteksti i strategjisë së saj kombëtare lexohej qartë, që e mbështeste popullin e saj të pushtuar për të ngritur krye në kërkim dhe plotësim të së drejtës së tij për çlirimin e trojeve të zaptuar padrejtësisht nga i huaji] i dërgonte nëpërmjet Piaçentinit shtetit italian me kushte e kërkesa të prera, me afat kohor brenda 24 orëve, mospranimi i të cilave solli deri shpalljen e luftës. Kërkesa qe e fortë, e prerë, e rreptë dhe e padiskutueshme, sepse kishte vatur atje ku s’mbante më ujë pilafi, siç thotë populli. Për këtë çast historik shkrimtari i nderuar Petro Marko [1913 – 1991], i njohur edhe si Kalorës Rrebel i Lirisë ka botuar romanin etnologjik “Ultimatum”; Tiranë: Naim Frashëri, 1972 cili është ribotuar: Tiranë; Omska – 1, 2002. Shën. im. – AH).
Trupekspedita italiane në Shqipëri përbëhej nga një efektiv prej afro 20 mijë ushtarësh nën komandën e gjeneral S. Piaçentinit. Në gjirin e Vlorës ndodhej e ankoruar një skuadër e flotës ushtarake, e përbërë nga një duzinë luftanijesh dhe anije të tjera më të vogla. Pjesa më e madhe e ushtarëve ishte e përqëndruar në qytetin e Vlorës, ndërsa pjesa tjetër ndodhej jashtë qytetit, në pozita me rëndësi strategjike. Garnizonet më të forta kishin zënë vend gjatë rrugës Vlorë – Gjirokastër, sidomos në Drashovicë, Kotë, Gjorm, Vajzë e Tepelenë dhe gjatë gjithë rrugës bregdetare Vlorë – Sarandë si Dukat, Llogora e Himarë.
Në pritje të përgjigjes së ultimatumit, KMK mori masa të shpejta për shpërndarjen e forcave të veta sipas planit të kryengritjes, të hartuar ngakomisioni ushtarak. Ky plan parashikonte në fillim shpërthimin e sulmit të njëhershëm kundër garnizoneve të avancuara të ushtrisë italiane dhe blokimin e rrugëvë për të penguar tërheqjen e tyre në Vlorë. Synimi i këtij sulmi ishte të asgjësoheshin këto garnizone, të shtiheshin në dorë armët dhe municionet e tyre, të cilat u mungonin shumicës së kryengritësve, të ziheshin sa më shumë ushtarë e oficerë robër që të siguronin duke i mbajtur si peng, jetën e patriotëve vlonjatë të arrestuar e të internuar në ishullin e Sazanit dhe të hapnin kështu rrugën drejt Vlorës. Pasi nuk mori përgjigje nga gjeneral Piaçentini, KMK urdhëroi fillimin e kryengritjes.
Në mbrëmjen e 5 qershorit 1920 kryengritësit filluan sulmin në të katër anët e zonës së pushtuar. Brenda pak orëve ata zunë shumicën e postblloqeve të karabinierisë dhe të presideve të vogla ushtarake. Por kundër garnizoneve të fortifikuara u zhvilluan gjatë natës luftime të ashpra. Veçanërisht të rrepta qenë luftimet që u zhvilluan kundër garnizoneve të Kotës, Gjormit, Llogorasë dhe Tepelenës. Në Kotë fshatarët kryengritës treguan shembuj të shkëlqyer heroizmi. Kundër regjimentit të gjeneralit Goti (Enrico Gotti, 18. 07. 1867 – 6. 06 1920: shën. im – AH), që mbrohej nga fortifikatat e betonuara dhe nga zjarri i artilerisë së rëndë, patriotët trima nën komandën e Ahmet Lepenicës kaluan disa herë me radhë në sulm. Më në fund, afër mëngjezit, duke hedhur gunat e tyre mbi gjerdhet prej telash me gjemba, kaluan përmbi to, hynë brenda gazermave dhe i detyruan ushtarët dhe oficerët italianë që kishin lënë shumë të vrarë, midis të cilëve edhe vetë gjeneralin Goti, të dorëzoheshin. (Nga kjo ngjarje që u shënua në HSH morën motivin për skenarin Duro Mustafaj e Muharrem Fejzo, regjisori M. Fejzo e kompozitori Kujtim Laro për të realizuar filmin artistiko – historik “Gunat përmbi tela”, 1977dhe frymëzoi artistikisht dhe kombëtarisht aktorët Thimi Filipi, Fatos Sela, Stavri Shkurti, Luftar Pajo, Rajmonda Bulku, Liza Laska, Sulejman Pitarka, Serafin Fanko etj., për atë interpretim mjeshtërorqë i falën publikut. Burim frymëzimi u bë LV dhe për piktorët e njohur Fatmir Haxhiu, Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, Ilmi Bani, Agron Dine, Skënder Milori, Petrit Ceno e po thuaj për të gjithë piktorët vlonjatë etj.
Për LV ka gdhendur vargje shumë të bukura një nga poetët më të dëgjuar shqiptarë Agim Shehu në baladën e paharruar “Para bustit të Selam Musait”, që me kompozimin e Feim Ibrahimit, e ka kënduar siç di ajo, këngëtarja legjendare Vaze Zela. Për këtë ngjarje, nga EHLV shkëlqejnë perla të folklorit si, fjala vjen kënga: “Obobo se ç’ qënka Kota/ më e bukur se Evropa/ bytym mitroloz’ e topa!…” apo “Çobanët mbi gjeneralë”, e cila ka, edhe pse nuk është krijuar në flakën e luftës si e para, por daton v. 1980, e thurur spontanisht, edhe kjo mbi parimin e zbukurimit, ka një fillesë krijuese individuale, që është shndërruar në krijimtari folklorike, sepse ka hyrë në qarkullimin folkorik të bashkësisë rurale të Bolenës së Kurveleshit, Vlorë, me krijues dhe marrës të këngës Nertesi Asllanin, që e këndon me miqtë e tij, por që e pëlqejnë dhe të tjerë në atë komunitet dhe e këndojnë dhe sot e kësaj dite. Shën. im. – AH). Sulmeve të shqiptarëve nuk mundën t’u qëndronin as garnizonet italiane të Gjormit dhe Llogorasë, të cilat u dorëzuan. Me rënien e Tepelenës, ku u zhvilluan luftime të ashpra për pesë ditë rrjesht, më 10 qershor ishte çliruar e gjithë krahina e pushtuar, me përjashtim të Vlorës e të Kaninës. Gjatë këtyre luftimeve luftëtarët shqiptarë zunë robër më tepër se 1000 ushtarë dhe oficerë italianë. U zunë gjithashtu 7 topa, rreth 70 mitralozë, me mijra pushkë dhe municion e material i shumtë ushtarak. I inkurajuar nga sukseset e shpejta, KMK i dërgoi më 9 qershor 1920 gjeneralit S. Piaçentini një thirrje tjetër për dorëzimin e qytetit pa luftë. Në këtë thirrje gjeenrali italian paralajmërohej se, po të mos dorëzohej Vlora pa Luftë, kryengritësit do ta sulmonin qytetin. Në të njëjtën kohë komiteti ngarkoi komisionin ushtarakqë e kishte vendosur selinë e vet në Drashovicë, të hartonte planin e sulmit mbi Vlorën. Me gjithë kundërshtimin e mjaft oficerëve të komisionit, të cilët kërkonin një sulm demonstrativ mbi qytetin, KMK nën presionin shumë të fuqishëm të masës së kryengritësve vendosi të organizonte sulmin me të gjithë forcat e mundshme. U vendos gjithashtu q ë sulmi nga jashtë të koordinohej me kryengritjen e armatosur që qytetarët do të shpërthenin në të njëjtën kohë brenda në qytet.
Komanda italiane e pushtimit i intensifikoi punimet për forcimin e sistemit mbrojtës të Vlorës dhe më 10 qershor organizoi një kundërsulm për t’i dëbuar kryengritësit nga kodrat e qytetit. Me dështimin e kundërsulmit dhe duke parashikuar ardhjen e përforcimeve të reja në Vlorë, komiteti urdhëroi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin e rrethuar. Sulmi filloi në orët e vona të mbrëmjes së 11 qershorit 1920. Me mijëra luftëtarë, duke e ftuar njeri – tjetrin në garë për të hyrë sa më parë në qytet, u hodhën mbi pozitat e armikut. Por zjarri i dendur i artilerisë fushore edetare dhe dritat verbuese të prozhektorëve të luftanijeve bënë që kryengritësit të përparonin shumë ngadalë. Heroizma treguan luftëtarët veçanërisht në kodrat e Babicës, në Qafën e Koçiut dhe në kështjellën e Kaninës. Shembull të lartë heroizmi tregoi në këto luftime fshatari plak nga Salaria e Tepelenës Selam Musaj komandant i çetës së fshatit të vet, i cili ra dëshmor në ullishtet e Vlorës. Luftimet vazhduan me ashpërsi gjatë gjithë natës. Afër mëngjezit luftëtarët trima i thyen pengesat e armikut dhe filluan të hynin në lagjet e jashtme të qytetit, në një kohë kur brenda në Vlorë qytetarët rrëmbyen armët dhe filluan të sulmonin ushtrinë italiane prapa krahëve. Me depërtimin e luftëtarëve në Vlorë, sistemi i mbrojtjes së ushtrive italiane u shthur. Për të shpëtuar ushtritë e veta nga asgjësimi komanda italiane arrestoi në masë qytetarë tëtjerë, midis tyre edhe gra me fëmijë, dhe njoftoi se do të hakmerrej mbi gjithë të internuarit, në rast se nuk do të pezulloheshin luftimet. Krerët e komitetit ngurruan përpara këtij kërcënimi që rrezikonte jetën e 1700 bashkatdhetarëve, midis të cilëve kishte dhe shumë famijlarë të tyre.
Luftëtarët, të prekur në ndjenjat njerëzore, iu bindën urdhërave të komitetit dhe u tërhoqën nga qyteti. Shpërthimi kryengritjes çlirimtare dhe sukseset e para të saj ngajllën një entusiazëm të përgjithshëm në masën e popullsisë së Sqipërisë. Në qytetet e mëdha të vendit me inisiativën e popullsisë u krijuan komisisone për të ndihmuar luftën patriotike kundër shkelësit italian. Këto komisione mblodhën brenda pak ditëve ndihma të konsiderueshme në të holla, në drithë e në bagëti. Komisionet filluan edhe regjistrimin e vullnetarëve. Më tepër se një mijë vullnetarë u grumbulluan për t’u nisur në drejtim të Vlorës. Vullnetarë për në Shqipëri u nisën dhe nga kolonitë e mërgimit. Vetëm disa bejlerë çifligarë dhe agjentë të shitur te imperializmi italian si Myfit Bej Libohova, Fejzi Alizoti, Mustafa Kruja, Eqerem Bej Vlora etj. nuk u solidarizuan me luftën patroitike të Vlorës. Qeveria e Tiranës, sikurse ishte vendosur, nuk u shpreh as në favor dhe as kundër kryengritjes çlirimtare. Në të vërtetë ajo i ndihmoi kryengritësit, u dërgoi atyre armatime dhe lejoi të shkonin në Vlorë ndihma materiale e vullnetarë nga anët e ndryshme të vendit. Për t’u siguruar nga çdo e papritur që mund të shkaktonin bandat e rebelëve esadistë në Shqipërinë e Mesme në kohën kur do të fillonte LV, qeveria, pasi kishte grumbulluar forca të mjaftueshme, vendosi të bënte kundër tyre një operacion ushtarak, drejtimin e të cilit ia besoi Bajram Currit, i emëruar ato ditë ministër pa portofol. Operacioni filloi më 4 qershor dhe brenda pak ditësh rebelët esadistë u shpartalluan plotësisht. Në të njëjtën kohë, më 13 qershor, demokrati trim Avni Rustemi me përkrahjene e një grupi patriotësh i dha Esat Pashë Toptanit dënimin e merituar, duke e vrarë me atentat në rrugët e Parisit.
1. 1. 4 Jehona e LV jashtë vendit. Solidariteti dhe ndjeshmëria në shoqërinë italiane
Lajmet mbi fillimin e kryengritjes antiimperialiste gjetën një pritje të ngrohtë dhe jashtë vendit, kryesisht në qarqet përparimtare të vendeve ballkakine dhe të Italisë. Shprehje e kësaj simpatie qenë lajmet entusiaste që u botuan në shtypin e huaj rreth suksese të forcave patriotike në Vlorë, si dhe inkurajimet që u erdhën shqiptarëve nga personalitet të ndryshme evropiane. Një qëndrim shumë të favorshëm për luftën çlirimtare të Vlorës mbajti në përgjithësi proletariati italian. Në rrugët e qyteteve të Italisë, në shtypin përparimtar italian dhe në parlamentin e Romës u ngritën zëra të fuqishme proteste, që kërkonin nga qeveria e Nitit (Francesco Saverio Vincenzo de Paola Nitti, 19.08. 1868 – 20.02. 1953, ka qenë kryeministër i Italisë në v. 1919 – 1920, shën. im – AH) tërheqjen e trupave pushtuese nga Vlora dhe respektimin e të drejtave sovrane të popullit shqiptar.
Pas sulmit të 11 qershorit 1920, gjatë të cilit shqiptarët rrezikuan seriozisht fatin e ushtrisë italiane në Vlorë, pozitat e qeverisë së Romës në lidhje me pretendimet e saj në Shqipëri u tronditën edhe më tepër. Në qytetet kryesore të Italisë proletariati italian kalopi nga protestat e thjeshta në greva dhe demonstrata. Luftën e tij që drejtohej kundër ngritjes së çmimit të bukës si dhe kundër intervencionit të imperialistëve italianë në Rusinë sovjetike, proletariati italian e lidhi me luftën për at detyruar qeverinë e Romës t’i jepte fund LV, duke tërhequr trupat nga Shqipëria. Në skelat e Adriatikut, në Trieshte, Ankona, Bari, Brindizi, u afishuan thirrjet e Partisë Socialiste Italiane, të cilat ftonin ushtarët të mos pranonin të niseshin për në Shqipëri. Kundër nisjes së ushtrive italiane në Vlorë u bënë edhe manifestime punëtorësh. Një manifestim i tillë në Trieshte më 12 qershor 1920 përfundoi me një përleshje të përgjakshme. Bashkë me punëtorët morën pjesë edhe shumë ushtarë italianë. Po atë ditë grupi i deputetëve socialistë i paraqiti për aprovim parlamentit italian një rezolucion, me anën e të cilit kërkohej largimi i trupave italiane nga Shqipëria; por ai nuk u pranua nga shumica e deputetëve që mbronin interesat e qarqeve imperialiste. Më 13 qershor gjendja e brendshme politike e Italisë u acarua në kulm.
Ato ditë vendin e qeverisë së F. Nitit e zuri ajo e Xhovani Xholitit (Giovanni Giolitti, 27. 10. 1842 – 17. 07. 1928, shën. im – AH). Edhe qeveria e re u orvat në fillim të shtypte luftënçlirimtare të popullit shqiptar me anën e forcës. Në mbështetje të udhëzimeve, gjenerali S. Piaçentini i dërgoi më 16 qershor 1920 KMK-së një ultimatum, me të cilin u kërkonte kryengritësve që brenda 24 orëve të largoheshin nga pozitat luftarake, të dorëzonin armët dhe robërit, duke i kërcënuar, në rast të kundërt, me një ofensivë ndëshkimore. Luftëtarët iu përgjigjën ultimatumit duke rrëzuar me pushkë në mëngjezin e 18 qershorit një hidrovolant italian që vëzhgonte pozitat e shqiptarëve në rrethet e fshatit Peshkëpi ( në tekst është shkruar Peshkupi).
Të nesërmen, 19 qershor 1920, reparte arditësh (it. – gximtarë, reparte të zgjedhura të ushtrisë italiane; shën. im – AH) dhe alpinësh, të ndihmuara nga autoblinda dhe të përkrahura nga zjarri i artilerisë detare, nën komandën e gjeneralit Pulieze (Emanuele Pugliese, 1874 – 1967, shën. im – AH) ndërmorën një ekspeditë ndëshkimore në drejtim të Drashovicës, ku kishte selinë komiteti; por ato u detyruan të ktheheshin të mundura në Vlorë, pasi lanë në afërsitë e Drashovicës qindra të vrarë. Qëndrimi i Xh. Xholitit në pozitat imperialiste të qeverisë së mëparshme italiane e ndezi edhe më tepër zjarrin e protestave në Shqipëri. Në qytetet e vendit u zhvilluan mitingje të shumta proteste kundër imperialistëve italianë. Telegrame protestash iu drejtuan Romës edhe nga kolonitë shqiptare të mërgimit. Brenda dhe jashtë vendit u aprovuan gjithashtu rezolucione që iu drejtuan KP, me anën e të cilave shqiptarët solidariziheshin me kërkesat e luftëtarve të Vlorës.
Një valë e re e madhe protestash shpërtheu gjithashtu në Itali nga ana e proletariatit italian dhe e qarqeve përparimtare të atyshme kundër politikës kolonizuese të qeverisë imperialiste italiane. Më 26 qershor repartet e bersalierëve në Ankona nuk pranuan të niseshin për në Shqipëri dhe u përgjakën me karabinierët. Më 29 qershor 1920 deputetët socialistë e përparimtarë italianë i paraqitën përsëri parlamentit të tyre për aprovim, por pa rezultat, një rend dite, me të cilën kërkohej tërheqja e trupave të pushtimit nga Shqipëria. Po atë ditë Partia Socialiste Italiane dhe Konfederata e Përgjithshme e Punës u drejtuan punëtorëve dhe ushtarëve një thirrje të përbashkët me anën e së cilës i ftonin të ishin gati që, në rast se forcat e reaksionit nuk do t’i tërhiqnin trupat nga Vlora dhe në qoftë se do të dërgonin atje përforcime të reja, ta kthenin luftën imperialiste kundër Shqipërisë në një luftë klase, në një revolucion proletar.
1. 1. 5 Protokolli i Tiranës. Çlirimi i Vlorës.
Shpërthimi i kryengritjes së Vlorës në kohën kur Roma e ndjente vehten të siguruar diplomatikisht për tërealizuar synimet e saj imperialiste ndaj Shqipërisë, i përmbysi planet e diplomacisë italiane. Kryeministri Xh. Xholiti u bind , më në fund, se me këtë faktor të ri – me kryengritjen e armatosur të shqiptarëve dhe me jehonën që ajo gjeti në opinionin publik evropian – nuk kishte shanse për të siguruar vendimin mbi aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi Shqipërinë. Gjendja e vështirë ushtarake italiane në Vlorë dhe rritja e lëvizjes antiimperialiste brenda në Itali, si rezultat i të cilave, sikurse shprehej Xh. Xholiti, “Kishte filluar në shthurje në vetë organet e shtetit, e detyruan qeverinë e Romës të fillonte bisedimet me qeverinë e Tiranës për t’i dhënë fund luftës snë Shqipëri. Por në të njëjtën kohë ajo synoi që, me anën e bisedimeve, të shkëpuste nga qeveria e tiranës të drejtën për të mbajtur ushtritë e veta në disa pika strategjike të bregdetit shqiptar. Më 29 qershor 1920 Roma vendosi të dërgonte në Shqipëri si ministër fuqiplotë agjentin e regjur të imperializmit italian, baronin Alioti (baron Carlo Maria Alberto Aliotti, 19. 02. 1870 – 1923, shën. im – AH), “për të sistemuar, – sikurse thuhej në komunikatën zyrtare – interesat italiane në Shqipëri dhe për të arritur paqësimin”.
Alioti arriti në Durrës në ditët e para të korrikut dhe ra menjëherë në kontakt me qeverinë e Tiranës. Gjatë bisedimeve që pati me palën shqiptare diplomati italian me anën e shantazheve dhe kërcënimeve u përpoq ta bindëte qeverinë e S. Delvinës të pranonte projektin e romës. Por pala shqiptare, në të cilën merrte pjesë dhe Spiro Koleka si përfaqësues i padeklaruar i KMK, si edhe më parë, i hodhi poshtë këto propozime. Duke kujtuar se, po të bindeshin udhëheqësit e Komitetit të Drashovicës që të pranonin kërkesat italiane, do të përulej edhe qeveria e Tiranës, baroni Alioti i ndërpreu përkohësisht bisedimet dhe ndërmori një udhëtim deri në Vlorë, ku ra në kontakt me krerët e Drashovicës. Por edhe kjo orvajtje dështoi. Atëhere autoritetet italiane kaluan përsëri në provokime e e kërcënime të hapura. Më 17 korrik 1920 komanda ushtarake e pushtimit në Vlorë shpalli një urdhër – dite, me të cilin njoftohej në mënyrë kategorike se ushtritë italiane jo vetëm nuk do të largoheshin nga Vlora, por se ishin në gjendje edhe ta shtypnin “rebelizmin shqiptar”. Përballë këtij provokimi nuk u tërhoqën as qeveritarët e Tiranës edhe as luftëtarët e Vlorës.
Madje, këta të fundit natën e 22 korrikut 1920 shpërthyen një sulm të furishëm kundër ushtrisë italiane në Vlorë dhe pas disa orë luftimesh hynë përsëri në lagjet e jashtme të qytetit. E bindur më në fund se shpresat e saj për të qëndruar në Shqipëri kishin dështuar plotësisht dhe me qenë se në këto kushte të reja nuk i shërbente më marrëveshja e 29 korrikut 1919 me Greqinë për të përkrahur pretendimet e njera tjetrës në Shqipëri, më 22 korrik 1920 qeveria e Xholitit e
anulloi marrëveshjen Titoni – Venizellos. Nga ana tjetër, ajo u detyrua t’u jepte fund edhe manevrave diplomatike. Xh. Xholiti thirri në Romë baronin Alioti dhe në vend të tij dërgoi në Tiranë kontin Manxoni (Gaetano Manzoni, 16 .10. 1871 – 18. 08. 1937) për të përfunduar traktatin në bazë të kërkesave të palës shqiptare. Në këtë mënyrë borgjezia imperialiste italiane pranoi disfatën që pësoi nga populli shqiptar. Duke shprehur keqardhjen për këtë disfatë, Benito Musolini (Benito Amilcare Andrea Mussolini, 29.07. 1883 –28. 04. 1945, i quajtur Duçe, i cili qysh më 23 mars 1919 themeloi lëvizjen e tij politike fashiste në Milano, falangat fashiste të luftës, bërthama të partisë fashiste, shën. im – AH), përfaqësuesi i rretheve më reaksionare të borgjezisë italiane, shkruante më 28 korrik në artikullin e tij me titull “Amarissimo” (it.: i hidhur; këtu: shumë i hidhur deti Adriatik) “ Kaporetoja shqiptare është shumë më e rëndë se tjetra që u zhvillua midis Izoncos e Piaves;¹) atëhere humbëm pozita, materiale, njerëz dhe dy krahina, por nuk humbëm vullnetin për të rifilluar dhe rifituar; këtë herë disfata jonë është e rendit moral dhe tanimë diplomatikisht kemi vulosur si një fakt të pranuar dhe të kryer: pak mijërashqiptarë pa artileri na hodhën me furi në Vlorë dhe, për të shmangur hedhjen në det, hapëm bisedime pa ndonjë rezultat”[5]. Bisedimet shqiptare – italiane përfunduan më 20 gusht 1920 me nënshkrimin e një protokolli paraprak në Tiranë. Në të thuhej se qeveria italiane e respektonte sovranitetin shqiptar dhe integritetin tokësor të Shqipërisë dhe, në përputhje me këtë, do të tërhiqte trupat e saj nga Vlora dhe pjesët e tjera të vendit, me përjashtim të ishullit të Sazanit. Në pikën e fundit theksohej se protokolli do të mbahej i fshehtë, por me kërkesën e palës shqiptare, në të u shtua edhe se ai do të përdorej nga të dy palët, në rast se çështja shqiptare do të vihej në diskutim në KP. Sipas marrëveshjes që u bë më voë, largimi i trupave italiane do të fillonte më 17 gusht dhe do të merrte fund brenda 15 ditëve, deri më 2 shtator 1920.
Protokolli i Tiranës qe një fitore e madhe për popullin shqiptar. Me luftën e tyre heroike shqiptarët, të përkrahur nga proletariati italian, e detyruan qeverinë imperialiste të Romës të tërhiqte trupat ushtarake nga Shqipëria dhe të njihte, sipas protokollit, sovranitetin shqiptar mbi Vlorë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, të cilën e kishte shkelur me marrëveshje të fshehta dhe me pëlqimin e fuqive të tjera të mëdha.. ministri i jashtëm i Italisë konti Karlo Sforza, në raportin që mbajti më 6 gusht 1920 përpara parlamentit italian, u përpoqt’i qetësonte qarqet e egërsuara imperialiste duke pohuar: “Duhet të pranojmë se nuk mund të qëndronim të sigurtë të qetë në Vlorë dhe njëkohësisht të shkaktonim pakënaqësinë dhe keqardhjen e shqiptarëve për pakte ndërkombëtare që duhej të ishin të fshehta, por që nuk mbetën të tilla” (ishte fjala kryesisht për Traktatin e Londrës, të botuar nga qeveria sovjetike) dhe se kur u nënshkruan këto pakte “mbase nuk u muar parasysh zgjimi i ndjenjës kombëtare shqiptare, mdjenjë e cila taniështështrirë në masat dhe i kavënë ato në lëvizje, të shkëputura nga sundimi i vjetër i bejlerëve”. Psika e kalbur e këtyre pak bejlurçinave ndotëte ende nga kutërbimi i Perandorisë Osmane të sulltan Mehmetit V që mbretëroi në v. 1909- 1918 dhe sulltan Mehmetit VI që sulltanoi në v. 1918 – 1922, sepse më nëntor 1922, në ballë të reformatorëve përparimtarë turq, Ataturku (Mustafa Qemal Pasha, i quajtur Qemal Ataturku: 1881 – 1938) me revolucionin e njohur turk rrëzoi sulltanin, hodhi në ferr gërdallën perandorake dhe i dha një fytyrë të re qytetare Turqisë, duke u bërë themelues i Turqisë moderne dhe mik i afërt dhe i sinqertë i shqiptarëve.
Sipas kushteve të protokollit, më 17 gusht 1920 ushtritë italiane filluan të tërhiqeshin nga Vlora në Skelë dhe prej këtej të riatdhesoheshin në Itali. Pas disa ditësh shqiptarët liruan robërit e luftës, gati 1400 ushtarë e oficerë italianë, të cilët gjendeshin në fushate përqëndrimit në Vajzë e Tepelenë. Qeveria e Tiranës dërgoi menjëherë së bashku me forcate xhandarmërisë edhe autoritetet civile, të cilat morën në dorëzim qytetin. Më 3 shtator 1920, të pritur me gëzim të papërshkrueshëm nga mijëra qytetarë e fshatarë, luftëtarët patriotë me flamurin kombëtar në krye hynë në Vlorën e çliruar dhe të bashkuar me atdheun e pavarur.
LV ishte një fitore e madhe me një rëndësi jetike për pavarësinë kombëtare dhe sovranitetin e shtetit shqiptar. Ajo mbeti e gjallë në kujtimin e popullit shqiptar si një faqe e lavdishme e historisë së tij dhe u përjetësua në këngët popullore, të cilat u thurin lavdi heronjve fshatarë të rënë në këtë luftë si Selam Musaj, Zigur Lelo, Toto Hosi, Sino Micoli, Dule Dalani etj.
Fitorja e LV pati pasojë të menjëhershme në zgjidhjen e “çështjes shqiptare” nga FM. Sukseset e patriotëve shqiptarë dhe nënshkrimi i protokollit të tiranës i hoqën Romës çdo të drejtë për të kërkuar nga KP njohjen e pretendimeve të saj ndaj Shqipërisë. Veç kësaj, qeveria italiane, duke humbur pozitat e veta në Shqipëri, nuk kishte asnjë interes që të lejonte që të lejonte realizimin e pretendimeve greke e jugosllave mbi Shqipërinë. Kështu “çështja shqiptare”, me të cilën nënkuptohej çështja e copëtimit të Shqipërisë, nuk u shtrua në diskutim nga KP. Me luftën e tyre heroike shqiptarët i detyruan FM ta dërgonin dosjen e “çështjes shqiptare” në arkivë dhe të vulosnin një herë e për gjithmonë pavlefshmërinë e TFL.
1.1. 6 Interpretim i fakteve historike nga vëllimi II i Historisë së Shqipërisë, 1965
Duke interpretuar këtë tekst, mund të themi se në faqet e tij kushtuar LV gjejmë substancën e mjaftueshme të mendimit historik të kohës. Ka kaluar gati një gjysmë shekulli nga viti i botimit të këtij teksti dhe koha vërtetoi e vërteton që HSH, 2 i rezistoi e po i reziston denjësisht dhe seriozisht ndryshimit të sistemit dhe gjykimit të kohës. Informacioni i marrë nga ky burim historik është dhënë në mënyrë enciklopedike, është i rëndësishëm dhe bazal si në rrashin kombëtar dhe në planin lokal. Kur një tekst që trajton historinë e Shqipërisë mbarë qysh nga v. 1839, me fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e deri më nëntor 1944, me kurorëzimin e fitores së luftës kundër pushtuesve gjermanë për çlirimin e plotë të Shqipërisë, i kushton LV 13 faqe (nga f.484 – 496), një hartë dhe dy fotografi, kjo na tregon për seriozitetin shkencor, koherencën dhe racionalitetin e hartuesve të këtij libri: Aleks Buda, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Jusul Alibani e Ndreçi Plasari.
Nga HSH, 2 marrim informacionin se LV qe zgjidhja finale e mundshme e shqiptarëve ndaj pushtuesve italianë, që u përdor kur dukej sheshit mosfunksionimi i mjeteve diplomatike dhe formave të tjera paqësore. Mund të themi se LV mori karakterin e një lufte të organizuar me armë. Ajo u zhvillua kundër shkelësve të trojeve shqiptare,kundër atyre që përdhosën vatrën e shqiptarit, simbol i së cilës më 1920 qe Atdheu. LV shpërtheu kundër asaj pjelle koloniale, të cilën historia e cilëson “imperialistët italianë”, ndërsa populli e quan “Italia e parë”. Mendojmë se ia vlen të theksojmë që kjo luftë ishte e drejtë, nga që shqiptarët, si çdo herë edhe në luftërat e mëparëshme, nuk sulmuan asnjë shtet tjetër. Ata u ngritën për të mbrojtur vendin e tyre dhe jo për të sulmuar të tjerët dhe, si rrjedhojë nuk dolën matanë kufijve të tyre, që të shkelnin të drejtën e tjetrit. Në këto situata për luftëtarët vullnetarë të LV besimi dhe siguria kanë pasur rëndësi të madhe psikologjike. Në këto rrethana ke aleatë jo vetëm njerëzit e ty, por edhe terrenin, që për ta ishte krejtësisht i njohur, ndërsa kundërshtari sado i përgatitur nuk e ka favorin për të qenë mjeshtër i terrenit apo t’u vjelë rezultate pozitive sulmeve të befasishme, atje ku s’e pret armiku dhe sidomos te pika e dobët – sulmet natën.
LV qe e organizuar dhe thuhet që struktura organike e organizimit është një element me peshë. LV pati karakter heterogjen, sepse, jo vetëm popullata e zonave të pushtuara nga ushtria italiane, u ngrit me armë në dorë për të shporrur pushtuesin, por erdhën vullnetarë dhe ndihma nga krahina të ndryshme të vendit. Luftën e udhëhoqi Paria e Vlorës, që kishte mendje, kapital dhe shpirt atdhetar. Në të morën pjesë pë pasur, nga shtera e mesme e popullsisë, fshatarët , totalisht të mobilizuar, qytetarët, njerëz të religjioneve të ndryshme, të cilët i lanë shërbesat fetare për hir të një shërbimi më të madh: nderit të Atdheut. U mishërua shkëlqyeshëm në praktikë thënia lapidare e rilindasit të madh Pashko Vasa: “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria”. Një komunitet i ngritur për të drejtën e tij të madhe, siç isin shqiptarët pati mbështetje të fqishme dhe nga vetë populli italian që mallkonte pjellën e tij më të keqe, sepse po i binte në qafë kot tjetrit. Këto janë vlera morale të popullit italian që respekton të drejtat e njeriut, të drejtat e kombit tonë për vetëvendosje, sipas parimit të respektimit të ndërsjelltë dhe të të drejtave të palëve dhe shfaqi solidaritet të fuqishëm për të drejtën e popullit shqiptar. Kjo argumenton faktin që, në se raporti i forcave të luftimit ishte ishte 1: 5 në favor të ushtrisë pushtuese, raporti i të drejtës shqiptare ndaj të padrejtës koloniale ishte tërësisht dhe i padiskutueshëm në favor të forcave shqiptare të mbrojtjes së Vlorës, Tepelenës, Himarës dhe zonave të tjera të pushtuara.
Në tekst përmenden disa emra që ndikuan pozitivisht në zhvilliin e drejtë të LV, që nga kryeministri S. Delvina dhe Spiro J. Koleka, i cili ishte nga Vunoi i Himarës (1880 – 1940), veprimtar i lëvizjes kombëtare, inxhinier ndërtimi i diplomuar në Austri…anëtar i Këshillit Kombëtar në KKL (1920) dhe për një kohë të shkurtër nënkryetar i tij. Në LV luajti një rol me rëndësi si ndërlidhës midis KMK dhe qeverisë së Tiranës. Përmendet me të drejtë edhe emri i Qazim Koculit, (si duket, ende qe e pa u ndikuar historia akoma nga ideologjia sunduese, apo pak e ndikuar, jo shumë siç “e mori përroi më vonë” për shumë personazhe historikë me dritëhije në personalitetet e tyre, që kishin bërë histori. Përmendet edhe emri i Osman Haxhiut si kryetar i KMK dhe i Ahmet Lepenicës si oganizator i formacioneve ushtarake dhe kaq. Vërtet nuk është HSH një libër i historisë lokale, ku jepen ngjarje, data historike e personazhe me hollësi, në imtësi, me detaje ku ka dhe shumë gjëra intersesante e të vlefshme, por ku ka dhe jo pak “byk” historik, por për sa i përket përshkrimit të LV, mendoj se HSH është treguar ca e ngurtë, e mbyllur e hermetike. Nuk përmenden të 12 emrat e krerëve të KMK, ose “dymbëdhjetë komisionë”, siç fliste e u këndonte populli me mënyrën e tij, me gjuhën e tij. Emrat e tyre janë “emblema e LV” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historsë së Popullit Shqiptar, sepse qenë pikërisht ata që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Nuk i përmend HSH, 2 – këta emra që i ngritën Shqipërisë Pavarësinë e ulur, që ia grisën “esnafët e mëdhenj të mëmës plakë”. Duheshin përmendur, të paktën emrat dhe gjykojmë kështu se historia është histori, nuk është ideologji, sepse na kujton një shprehje të prof. Luan Malltezit: “Politikanët kanë të drejtë të japin mendime, por jo të ndikojnë mbi historianët”[6].
Sot Shqipëria po integrohet atje ku ka qenë, ku i takon, në familjen europiane me larmi identitetesh qytetare e kulturore të kombeve që jetojnë në gjirin e saj, por që që ndër ne ende kullon gjak lirie në Kosovë e Çamëri. Nuk kemi pse të pengohemi nëpër kompleset e të kaluarës, por as të mbyllim sytë fare s’kemi pse: “Ku rafsha, mos u vrafsha!…”. Nga vendi i Shqipeve, zogjtë e saj ngrihen, marrin lartësi të fluturojnë të lirë drejt qiellit të pastër, drejt botës së qytetëruar, drejt Perëndimit që na përket, drejt jetës dinjitoze që meritojmë të jetojmë. Me gjithë problemet apatike që na shfaqen gjatë udhës, ne mund t’ia dalim, por mendojmë se kyçi është bashkëpunimi global jo urrejtja arkaike. Nga fillimi, zhvillimi dhe fitorja e LV mund ta nxjerrim këtë mesazh që interpretojmë, sa me koherencë aq edhe me emocion, sepse në objektivitetin e punës e misionit tonë, ma thërret gjaku që na gëlon në deje, sepse “çamër, labër, kosovarë/ jemi një fis e një farë,/ jemi një e të pandarë/ sepse jemi shqipëtarë”, sepse kemi besim që komuniteti ynë po i flet mendjes dhe po kujton porosinë e Skënderbeut të Madhërishëm, kur mblodhi kapedanët e tij princër dhe me fabulën e thuprave, që të ndara e një nga një i thyen kushdo, ndërsa të tëra tok, të bashkuara e të lidhura si një trup i vetëm, s’u bën dot “derman” askush, as bajlozi i detit me skalione hordhish, as katallani i zi me taborre egrane e me dyndjet barbare të pasosura… Edhe në LV u bënë bashkë të gjithë shqiptarët me KMK, me vizionin e qartë, sa diplomatik aq kombëtar të qeverisë së Tiranës, me një dëshirë për një qëllim dhe prandaj fituan. Bashkimi sjell fitore, fitorja sjell besim e shpresë në perspektivën e progresit[7].
Krahas faktorit të brendshëm një rol shumë të rëndësishëm luajti dhe faktori ndërkombëtar, që nga denoncimi i TFL, qëndrimi i vendosur dhe i drejtë i popullit Italian në përkrahje të së drejtës shqiptare, pati ndikim pozitiv jo vetëm për të ruajtur fqinjësinë e mirë, “për të ndarë shapin nga sheqeri”, por edhe për përshpejtimin e zgjidhjes së asaj barre të rëndë në supe të shqiptarëve, që u realizua në rrugë diplomatike me përcaktim – detyrim me protokollin e Tiranës. Edhe në shtypin zyrtar u botuan mjaft shkrime për LV, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit, sidomos në Itali, po ashtu dhe nga emigrantët shqiptarë në Rumani, Boston etj., por dokumentat dhe materialet historike të kohës do t’i trajtojmë në kapitujt vijues.
Historia nuk harron të përmendë emër për emër ata që dëmtuan Luftën e drejtë të Vlorës dhe kjo mendojmë se është gjë e mirë, që të njihet nga brezat, që në se x figurë ka patur ato të mira, ka patur dhe këto të meta. Ndërsa EHLV s’merret me ta emër për emër, i shpërfill, i kalon indiferendshëm, s’do t’ja dijë fare për ta, s’i interesojnë e nuk i klasifikon me emra të përveçëm, por ashtu në përgjithësi, me emra të përgjithshëm, me neveri u flet “pes’ a gjashtë risiliotë” apo në një variant tjetër “pes’ a gjashtë kaninjotë”. Saktësia toponimistike për “bejlurçinat” ndoshta kërkon një verifikim në vijim të punimit. Përmendet emri i S. Musait dhe dëshmorëve të tjerë të Njëzetës si Z. Lelo, Toto Hosi, Sino Micoli e D. Dalani, të cilët ranë në fushën e nderit për nder të Vlorës dhe të Shqipërisë. Mund të përmendeshin edhe heronj të tjerë si Sali Vranishti, Kanan Maze, Sado Koshena, Memo Mete, Selman Hyseni, Hodo Zeqiri etj., për të cilët kemi gjetur në EH, 3. për secilin hero nga 3 deri në 14 njësi folklorike.
Telegrafsht, ashtu siç i takon, përmend historia rastin kur luftëtarët i përgjigjen shqiptarisht ultimatumit piaçentinoist, duke rrëzuar me pushkë hidrovolantin e pushtimit. Ky fakt historik i vlen folklorit: kënga bëhet me krahë: “Aroplanin kush e shtiu?/ trim Avdurramën Aliu./ Këta djemt’ e Shqipërisë/ e hodhë’ për tok’ si mizë”, që këndohet dhe sot në komunitetin e Vërmikut, por që është shpërngulur tërësisht nga vendlindja gjatë v. të tranzicionit demokratik dhe është vendosur në një lagje – mëhallë në Babicë të Vogël, në periferi të Vlorës, duke marrë me vete traditat e të parëve dhe folkorin e tyre, për ta aplikuar në mjedisin ku u vendosën. Këto vargje i këndojnë dhe i hedhin valle vërmikasit, nga që Avdurraman Aliu ishte nga Vërmiku. Një variant tjetër për rrëzimin e avionit në fushë të Peshkëpisë është: “Në fushë të Peshkëpisë/ ra ballon’ i Italisë./ këta djemt’ e Shqipërisë,/ me manxerrat e Turqisë/ e hodhë në shesh si mizë!” Kjo i intereson folklorit të EHLV, se fakte të tilla historike i mjaftojnë që, edhe në rastin konkret, të ndizet imagjinata e shpirtit krijues të krijuesit popullor, sa që litota të ndihet si princeshë në leksikun lakonik të komunitetit të Vërmikut tek kjo njësi folklorike vetëm me pesë vargje.
Na bën përshtypje për vëmendje pasazhi i shkruar në tekstin e HSH, 2, ku Musolini shprehet se disfata e Vlorës për ta ishte e rendit moral dhe diplomatik. E rendit moral. Interesant! Për ç’moral flet i pamoralshmi, i paskrupullti?! Një lexim i ftohtë i dokumentit na bën të kuptojmë se ky është këndvështrimi italian i kolonizatorit. Këndvështrimi ynë është ky: Ata na shkelën tokën tonë, jo ne tokën e tyre. Ata na prekën nderin tonë, jo ne moralin e nderin e tyre. Nga antropologjia kemi informacionin se Malinovski kishte parimin e reciprociteti: ekonomia e dhuratës: më jep, të të jap; merr, jep. Ekonomia e Nderit ishte më e fortë ndër shqiptarë se ekonomia materiale. Dhe Simbolika e Gjakut: dhurimi i gjakut për liri, siç ngjau dhe më Njëzetën, ishte shenjë mirënjohjeje – më e shtrenjta e njeriut, më e shenjta për Atdhe. Simbolika e Nderit ishte kuptimi i jetës për shqiptarët, ishte vetë identiteti i tyre kryelartë e me dinjitet. Morali ishte faqja e bardhë si metaforë për banorët e këtyre trevave, ishte vetë shenjtëria për shqiptarët. Amoraliteti ishte turpi, faqja e zezë. Sot kujtojmë se “Deklarata universale e të drejtave të njeriut” neni 12, thotë: “Askush nuk mund të jetë objekt ndërhyrjesh arbitrare në jetën e tij private, në familje, në banesën ose letërkëmbimin e tij, as objekt cënimesh të nderit dhe të reputacionit të tij. Çdo person ka të drejtën të ketë mbrojtjen e ligjit kundër ndërhyrjeve të tilla ose cënimeve të tilla”[8].
Italiani i preku në nder shqiptarët, banorët e Vendit të Shqipeve. Si duket, matanasit nuk i kishin problem çështjet morale, por për psikën shqiptare të kohës, ashtu siç qe miku në vend të zotit, ashtu morali, nderi i femrës, i gruas, i vajzës, i motrës, i nënës ishte mbi të gjitha, ishte gjithshka. Me këtë botëkuptim, në këto rrethana, qysh nga të parët ka dalë fjala e madhe për ta dhe e rëndë: “Ne për një nder rrojmë”!
Ja si trajtohet kjo çështje ndër shqiptarë: Sipas Kanunit të Labërisë pesë janë parimet kryesore të kulturës së lashtë juridike të popullit të kësaj krahine, si pjesë përbërëse e kulturës shpirtërore e materiale të kombit shqiptar. Këto pesë parime janë Liria, Barazia, Nderi, Besa, Mikpritja, që bazën e kanë në filozofinë e vetëqeverisjes vendore, elementë të një strukture etike të shoqërisë pa autoritet shtetëror, siç ishin shqiptarët dikur, ku dhe labët janë po ajo rracë, sikurse ishin kodet etiko – morale dhe në shoqërië homerike. Në KL, Neni 24. Nderi vetjak dhe burrëria, ndër të tjera te pika 2, thotë: “Askush nuk mund ta prekë në nder tjetrin. Atij që i merret nder zihet i vdekur. “Më mirë i vdekur e me nder, se sa i gjallë e i turpëruar”, “Vdekja me nder është kapak floriri”. Pika 3: “Nderi, karakteri dhe burrëria nuk ndahen. Ai që ka karakter, është burrë dhe di të mbrojë nderin e tij. Kush humbet nderin, humbet dhe burrërinë. Burrëria është vlerë e njeriut me karakter, i vendosur në veprimet e tij në jetën e përditshme. “Si je more burrë”,” Cili je ti more burrë”, “ Ke burrëri apo jo”, “ Fjalë burri”. Burrëria nderohet e respektohet nga të gjithë. Nderi, karakteri, burrëria, fisnikëria dhe bujaria janë viryte të njeriut të mirë’. Ismail Qemal Vlora në kujtimet e tij shkruan se tri janë vetitë kryesore të shqiptarit: nderi, familja dhe atdheu. Neni 25/ 1. Prekja e nderit të burrit bëhet me fjalë poshtëruese (sharje) apo veprime të tjera të turpshme (Le të kujtojmë rastin e Piaçntinit kur Mehmet Selimi i dorëzoi ultimatumin). Pika 3. Humbja e nderit është barazi me vdekjen morale të burrit. Neni 26/ 2. Nderi dhe turpi i çdo pjesëtari të shtëpisë , të vëllazërisë ose farefisit është i barabartë për të gjithë, të pasur e të varfër. Pika 4. Çdo shtëpi, vëllazëri ose farefis e ka për detyrë të mbrojë nderin e pjesëtarit të saj. Neni 27 /1. Nderi i gruas është i paprekshëm dhe mbrohet në mënyrë të posaçme. Pika 2. Gruaja e ndershme e ruan nderin vetë dhe quhet burrëreshë, e fisme, sojlleshë. Nderin e gruas kur preket e vë në vend burri ose babai apo vëllezërit e saj. Pika 3. Ai që prek nderin e gruas, zakonisht vritet. Neni 28/ 1. Nderi i vajzës së pamartuar mbrohet me rreptësinë më të madhe. Kush prek nderin e saj prek nderin e shtëpisë (familjes), të vëllazërisë, farefisit e deri të fshatit dhe dënohet me vrasjen e fajtorit[9]. Një lexim i vëmendshëm i tekstit na lë të kuptojmë se ndihet, sadopak, gjuha, terminologjia e kohës kur u shkrua, kur sundonte shteti monopartiak. Këtë shprehje e argumentojmë me faktin se në HSH, 2 vërtet dhe me të drejtë përmendet kontributi i Leninit [(Uljanov) Vladimir Iliç (1870 – 1924)] për denoncimin e TFL të vitit 1915 që parashikonte copëtimin e Shqipërisë; përmendet ndikimi pozitiv për dinamikën e LV i rrymës socialiste italiane dhe patjetër ndikimi i revolucionit të Tetorit, por pse nuk përmendet dhe kontrituti potencial pro shqiptar i Udro Uilsonit (Thomas Woodrow Wilson, 1856 – 1924) , president i SHBA në v. 1913 – 1917 dhe 1917 – 1921, kryetar i delegacionit amerikan në KP në Paris (1919 – 1920) që ishte dhe ideatori i Lidhjes së Kombeve?! Uilson hartoi deklaratën e 14 pikave të shpallur më 8 janar 1918, ku kërkohej vendosja e paqes mbi bazën e parimit të kombësisë dhe të vetëvendosjes së popujve. Uilson kundërshtoi kompromisin anglo – franko – italian të janarit 1920, që parashikonte kalimin e Shkodrës dhe të Shqipërisë së Veriut në kufijtë e Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene ( MSKS) dhe kërkoi respektimin e përmbajtjes së memorandumit anglo – franko – amerikan të dhjetorit 1919, i cili i njihte MSKS vetëm të drejtën e një daljeje ekonomike në territorin e shtetit shqiptar. Ndërhyrja e Uilsonit ishte fitim kohe për lëvizjen kombëtare shqiptare, e cila organizoi KKL dhe LV, 1920, që siguruan tërësinë tokësore dhe Pavarësinë Konkrete të Shqipërisë[10].
Në teksin e HSH, 2 është dhe një pamje nga Vlora më 3 shtator 1920, ku shihet kremtimi i fitores së luftës çlirimtare, që ia rrit vlerat librit për trajtimin e kësaj ngjarjeje edhe me fotografi origjinale të kohës. Është edhe një fotografi tjetër, e heroit me më shumë këngë të regjistruara në komunitet, Selam Musait me 14 njësi folklorike. Në fakt është një portret i piktorit Vasil Talo “Selam Musai” (1959), sepse heroi nuk la pas fotografi, sipas informacionit të marrë nga nënë Safa, motra e heroit. Ndoshta do të ishte më serioze të vendosej në libër fotografia e Osman Haxhiut liderit të LV, siç është vendosur, ndër të tjera edhe fotografia e S. Delvinës, lider i Kongresit të Lushjës dhe i Qeverisë së Tiranës, që doli nga ai Kongres. Duke u futur në hapësirën dhe në kohën kur u zhvillua LV, me shpërthimin e faktorit të brendshëm, me ndikimin e faktorit ndërkombëtar, me dinamikën elastike dhe të hollë të diplomacisë shqiptare, që gjykojmë se ka kontribute të përfillshme për vendin, mund të themi se ishte një rrethanë e caktuar për fatin e LV Protokolli i Tiranës për 3 Shtatorin e festës çlirimtare në Vlorë. Në kushte e sotme, nuk është e dobishme që LV të trajtohet, të gjykohet me vizion të vjetër; është e vlertë të shikohet me vizion të ri, bashkëkohor, duke e parë atë në kontekst, duke u futur në kohën e shpalljes së luftës, në mjedisin ku u zhvillua ajo, në hapësirat që preku, në shtrirjen teritoriale të teatrit luftarak të Njëzetës, në shkaqet e pasojat e saj, në përputhje me logjikën e ngjarjeve e të rrethanave në kohë, në hapësirë e në komunitet. Përfundimisht, mund të themi se në HSH, 2 gjithsesi, trajtimi i LV, si nga ana faktologjike ashtu edhe nga ana metodologjike vlerësohet pozitivisht me një varg trajtesash me vlera të mirëfillta shkencore për luftën çlirimtare të Vlorës, 1920. Ndoshta LV është tashmë një temë shteruese, por mendojmë se parë nga këndvështrimi si raport midis dy disiplinave shkencore të Historisë dhe Folklorit ka hapësira të mjafta për të shestuar e realizuar punë kërkimore shkencore interesante sidomos në terre, punime seioze, të mira, të bukura dhe të dobishme[11]. Pjesa II vijon nesër
[1] Shih FESH, vëll. 3; Tiranë, 2009, f.2908
[2] shih VLLAMASI,Sejfi: “Ballafaqime politike në Shqipëri (1897 – 1942). Bot. 2 me il. Përg. për bot. dhe il. Prof. Dr. Maringlen Verli: Parathënie, f. 6; Tiranë: Neraida, 2000
[3] shih ZAVALANI, Tajar : Histori e Shqipnis; Tiranë: PHOENIX, Bot. 2, 1998, f. 261
[4] gazeta “Dielli/ on line, 30. 03. 2013; gazeta “Telegraf”, 02. 04. 2013, f. 17; gazeta “Kombëtare”, 02. 04. 2013, f.10: HABAZAJ, Albert : Në nderim të gjakut të derdhur për vatrën
[5] Në Kaporeto (krahina e Goricias në Italinë Verilindore) ushtritë italiane pësuan një disfatë të rëndë nga forcat austro – gjermane në fund të tetorit 1917
[6] Shih gazeta “Telegraf”: e enjte, 04 prill 2013, f.11
[7] Shih revista te drejtat e njeriut, se ka gjera ne kete kontekst
[8] Rev. Të drejtat e njeriut, v. III, nr. 2 qershor, 1997, f. 48
[9] ELEZI, Ismet: Kanuni i Labërisë; Tiranë, Toena, 2006, f. 37 – 41
[10] FESH, v. 3, Tiranë, 2009, f. 2784 – 2785
[11] Historia e Shqipërisë, vëll. 2 : bot. i USHT, IHGJ, Tiranë, 1965, f.484- 496
*DREJTOR I BIBLIOTEKËS “NERMIN VLORA FALASCHI” UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI”, VLORË, ALBANIA