• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARASHQEVI SAHATÇI—ZONJA E FOTOGRAFISË

January 27, 2013 by dgreca

                        NGA QERIM VRIONI/ Michigan/

Në fushë të fotografisë shqiptare nuk janë të shumta femrat që janë marrë gjatë me aparatin fotografik. Ndër të paktat mes tyre e që dallohet për larmi veprimarish në lëm të fotografisë, është padyshim Parashqevi Sahatçi (Salepi), “Zonja e Fotografisë“, siç e quajnë ndonjëherë në Berat. Ajo, dhe tani në moshën, rreth tetëdhjetvjeçare (i mbush më 20 janar 2013) nuk shkëputet asnjë çast nga fotografitë dhe Berati i saj i dashur.

E lindur në një familje me tradita të lashta qytetare, Parashqevia, pas mbarimit të  Shkollës Pedagogjike të Beratit, shërbeu si mësuese në Çorovdë (Skrapar), pastaj u transferua në vendlindje. Në dyvjetshin 1963-65, ajo kreu studimet në Institutin 2-vjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, për gjuhë-histori. Pas emërimit për të punuar në qytetin e saj, filloi të dallohej si mësuese e aftë dhe femër e emancipuar. Lëndën e historisë ajo e zhvillonte duke e konkretizuar edhe me fotografi e kartolina të vjetra (kryesisht të Beratit), të cilat “afronin” para syve të nxënësve shkuarën dhe u mësonin atyre mjaft gjera të reja. Nisi, kështu tu kushtonte vëmendje të posaçme fotografive, t’i grumbulloj ato, t’i përzgjedhi e, grupoj sipas kohës së realizmit dhe përmbajtjes së tyre. Gjeti në këtë kohë edhe foto të hershme të fillimshekullit XX. Njera prej tyre që datonte vitin 1906 (pa autor) e ngazëlleu shumë dhe, shpesh e kalonte para syve si një gjë të çmuar. Njëkohësisht mësuesja e historisë, filloi të fotografoj vet e, shtysa për këtë ishte përqasja midis pamjeve të vjetra të Beratit me gjendjen e tyre të përditëshme. Krahasimi pamor për Parashqevinë, ishte më i prekshëm  duke krahasuar fotografitë e shkrepura disa dhjetvjeçarë më parë me ato të realizuara nga mendja dhe dora e saj. Pamjet që fotografoi e, që përfaqësonin ndryshimet e qytetit të lindjes, jo gjithmonë e kënaqën. Vërente me shqetësim se po zhdukeshin mjaft vlera arkitektonike shekullore që shërbenin edhe si simbole të Beratit, që dëshmonin, përveç të tjerave për jetë të civilizuar prej kohësh. Natyrisht, ajo gëzohej kur ndonjë ndërtim i ri, apo sistemim banesash nuk dëmtonte atë çka ishte tradicionale dhe karakteristike. Ngushëllohej disi se në letrën fotografike mund ta shihte mirë Beratin, “qytetin e shtatë kodrave” dhe “katër pazareve”, ose siç emërtohej më së shumti, “qyteti i një mbi një dritareve” (të tria përcaktime të goditura).

Ndërkohë, mbledhja e fotografive iu kthye Parashqevisë në pasion e, për këtë udhëtoi edhe në qytete të tjera për të gjetur  fotografi (kartolina) të Beratit, kur gjithashtu dhe në vendlindje, herë pas here zbulonte në familjet e vjetra qytetare,  ekzemplarë të pashikuar më herët. Aparatin, ashtu si fotografët profesionistë, nuk e ndante nga vehtja e, me të, dalngadalë, po krijonte “portfolio”-n e saj me imazhe të zgjedhura të vendlindjes. Disa foto të ndërtesave,  rrugicave dhe lagjeve tipike të realizuara në vitet ’70 prej Parashqevi Sahatçiut, qëndrojnë sot jo vetëm si dëshmi pamore, por fare mirë mund të kundrohen edhe si krijime të mirëfillta arti. Ajo, i kuadron me mjaft shije pamjet, i zgjedh ato me kontraste të përshtatëshme tonale (b/z), duke realizuar shkrepje nga më të arrirat për jesën tradicionale të Beratit. Shënojmë se, në qytet fotografia ishte lëvruar qysh prej fillimit të shekullit XX, ndër të parët e kësaj fushe përmendim, Koçi Kusta, Naun Vruho, Ilia Xhimitiku, Lil Koçi e, duke arritur tek kolegët e bashkëkohësit e saj, Eshref Vrioni e Dhimitër Topi. Pra, fotografimi këtu ishte traditë e hershme, e cila i kish vlejtur dhe Parashqevisë.

Gjatë viteve ’70-’80, Parashqevi Sahatçi, nisi të shkruaj në shtypin lokal e qëndror për ngjarje e persona historik, në raste përvjetorësh jubilarë, por kurdoherë me shtysë nga fotografitë e vjetra. Ajo shtoi me këtë, ndoshta dhe si pakuptuar, lidhjet me fotografinë,  duke krijuar një bashkëjetesë që nuk u ndërpre asnjëherë e vazhdon edhe sot e gjithë ditës. Zemërgjerë nga natyra dhe vizionare nga idetë, Parashqevia, mendoi se fotografitë e mbledhura nga ajo duhet t’i shihnin sa më shumë njerëz, bashkëqytetarë, por edhe  kultivues të kulturës dhe historisë nga i gjithë vendi. Për këtë ajo mendoi t’i përmbledhi e të publikoj në ekspozita e albume të gjitha fotot e vjetra të qytetit. Kështu, më 1984, ajo si hap të parë, çeli ekspozitën fotografike, “Berati i Ri, Berati i vjetër”, e cila ndonëse me  frymën propagandistike të kohës, u prit me kureshtje të dukëshme nga shikues të shumtë e të niveleve të ndryshëm arsimore e kulturore të qytetit. Ekspozita ishte ngjarje kulturore e, vazhdoi të qëndronte si temë bisede për disa ditë në qytetin e lashtë.

Në vitin 1991, vitin e ndryshimeve të mëdha politiko-shoqërore në vend, Parashqevi Sahatçi, antarësohet në  Shoqatën Kombëtare, “Koleksionisti”, me qendër në Tiranë, duke shënuar femrën e vetme pjestare në të. Filloi të bashkëpunoj në këtë kohe, edhe me organin e shoqatës, revistën “Koleksionisti”. Atje, shkroi për historinë e fotografisë në qytet dhe mbi fotografët më të vjetër të Beratit. Artikujt ngjallën interes jo vetëm në njerëzit e fotografisë, por edhe tek historianët e studjues të ndryshëm. Dy vjet më vonë, maj1993, Parashqevi Sahatçi, hapi në Tiranë një ekspozitë fotografike me foto të vjetra dhe të reja (këto nga aparati i saj). Pas dy viteve të tjere, më1995, çel në Berat, ekspozitën tematike fotografike “Veshje tradicionale”, ku shpërfaqi jo vetëm talentin si fotografe, po dhe kulturën e horizontin saj në lëm të etnografisë dhe historisë.

Një konkretizim të dobishëm të punës së Parashqevi Sahatçiut përbën dhe botimi në vitin 2007 të albumit-monografi, “Berati në fototeka”, një punim tjetër plot vlera njohëse por dhe studimore. Në të përmblidhen shume foto të qytetit, prej më të vjetrave deri tek ato më te rejat, të dala nga aparati i saj. Gjithashtu, “Berati në fototeka”, mund t’u shërbej fare mirë të gjithë atyre që merren me historinë e fotografisë shqiptare, por edhe arkitektëve dhe urbanistëve.

“Zonja e fotografisë“, ka fotografuar edhe ndodhi të ndryshme të qytetit, ngjarje historike, shoqëroe e politike, ka realizuar shkrepje në të gjitha stinët, që nga pranvera e butë e kodrave e, deri tek daljet e herëpas herëshme “inatçore” të Osumit. Pjesa më e madhe e tyre meritojnë të arshivohen nëpër albume për memorjen historike, që do përbëjnë një dhuratë të veçantë dhe të çmueshme për brezat e ardhshëm.

Si fotografe, për Parashqevi Sahatçiun, do mbetet, i paharrueshëm, ndër të tjera takimi në Shkodër në vitin 1981, me “të fundmin e Marubëve”, Gegën. Sipas fjalëve të saj, mjeshtri shkodran u ngazëllua tepër nga puna e madhe e kësaj  femre fotografe e, në të njëjtën kohë, edhe historiane. Fotoja që i tregon të dy duke biseduar, përzemërsisht me njeri-tjetrin, “flet” qartë për respektin e ndërsjelltë të tyre  e, njëkohësisht, përbën një kujtim të vyer për fotografen.

Puna si mbledhëse e fotografive për  Parashqevi Sahatçiun, nuk ka ndalur asnjë çast e, sipas saj, “Koleksionisti mbetet gjithë jetën duke kërkuar, për atë s’ka moshë“. Këtë e ka vërtetuar më së miri vet ajo, kur kohët e fundit, bash në vitin 2011, botoi veprën e saj madhore, “BERATI-Etnografia në shekuj” (Toena, 2011), një libër-album me shumë vlera për studjuesit dhe historianët, por edhe për njerëzit  e thjeshtë që dëshirojnë të njohin të shkuarën e qytetit të tyre të veçantë e shumë të moçëm.

Një gjë mund të thuhet me siguri për të, se dashuria për qytetin e lindjes i ngjizi pasionin për fotografinë. Të dyja këto, u kthyen, si të thuash në “dy shinat” mbi të cilat ka ecuar e vazhdon të eci treni i jetës së saj.

Siç u përmend më sipër, thënien së saj për vijimësinë e punës së koleksionistit, ajo e ka sendërtuar prej kohësh. Gjithashtu, shënojmë se Parashqevia, prej disa vitesh punon me kompjuter e internet ( jo fare e zakonëshme për moshën) e, kur udhëton jashtë qytetit, bashkë me sendet vetjake, përfshin edhe lap-topi-n. Në të,  qëndrojnë të renditura e sistemuara me qindra foto të vjetra e të reja, si dhe të gjitha shkrimet e studimet e saj, të botuara e në dorëshkrim. Për veprimtarinë e saj të veçantë në fushë të fotografisë, jo pa vend i kanë ngjitur emërtimin “Zonja e fotografisë, e cila mund të merret  shembull për pasionin dhe seriozitetin në lëmin të fotografisë.

 

Michigan, janar 2013

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: parashqevi Sahatci, Qerim Vrioni, zonja e fotografise

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT