Shkruajtur nga Eugjen Merlika/
“Nёse nё republikёn e bimёve do tё kishte votim tё pёrgjithshёm hithrat do tё kishin syrgjynosur trёndafilёt dhe zambakёt”- JEAN LUCIEN ARRÉAT (1841 – 1922), shkrimtar e filozof francez/
Votimet e 4 marsit 2018 nё Itali pёrmbysёn nga themelet raportet e forcave dhe krijuan njё tabllo tё re tё kuadrit politik. U ngritёn, me rezultate qё tejkaluan edhe parashikimet mё optimiste, dy forca politike tё Opozitёs: Lёvizja 5 yjet dhe partia e Lidhjes sё Veriut e cila, si pasojё e ndryshimit tё strategjisё sё saj tridhjetёvjeçare, doli me etiketёn “Ne me Salvinin”, nё kuadrin e njё aleance parazgjedhore tё Qendrёs sё Djathtё, sё bashku me Forza Italian tё Berluskonit dhe Vёllezёrit e Italisё tё Giorgia Melonit.
Pёrfundimet e votimeve sipas njё ligji tё pёrzier proporcional e maxhoritar dhanё njё kuadёr nё tё cilin asnjё rrjeshtim politik nuk mori shumicёn. Zyrtarisht Qendra e Djathtё, si aleancё, arriti tё ketё shumicёn relative prej 37%, e ndjekur nga 5 yjet me 32,7%. Partia demokratike nё pushtet, prej pesё vitesh, u rrjeshtua e treta, duke shёnuar rezultatin mё tё ulёt tё gjithё historisё politike tё mbas luftёs sё dytё botёrore, gjё qё detyroi sekretarin e saj dhe ish kryeministrin Renzi tё jepte menjёherё dorёheqjen.
U deshёn tre muaj bisedimesh mes forcave politike nёn regjinё e ndritur tё Kryetarit tё Shtetit, Sergio Mattarella, pёr tё çmbёshtiellё lёmshin qё mblodhёn pёrfundimet zgjedhore. Pёr herё tё parё nё jetёn politike tё pёrtej detit, rezultati i tyre u quajt jo njё marrёveshjeje mes partish nё kuadrin e njё koalicioni, pas zgjedhor, por njё “kontratё” mes dy forcash, 5 yjet dhe Lidhja, tё cilat kishin qёnё nё kundёrshti tё theksuar me njёra tjetrёn gjatё fushatёs zgjedhore e mё pas. Ёshtё interesant tё vihen nё dukje deklaratat e ndёrsjellta tё mosbesimit mes kёtyre dy forcave. Po sjell kёtu vetёm njё frazё tё sekretarit tё Lidhjes, njё javё para kontratёs, pёr udhёheqёsin politik tё 5 yjeve: ”Kush ndryshon mendim ndonjё herё mё pёlqen. Por kush ndryshon mendim çdo njё tё katёrt ore, e mendoj pёr Di Maion, mbi shkollёn, taksat, punёn, euron, imigracionin…. Jooo! Un nuk i jap kyçet e Vendit tim nё dorё njerёzve qё kanё ide kaq konfuze”
Ҫuditёrisht etja pёr pushtet qe kaq e fortё saqё i davariti paqartёsitё brёnda njё jave, i bёri tё firmosin “kontratёn”, tё caktojnё kryeministrin e madje tё bёjnё edhe listёn e ministrave, duke marrё mbi vete edhe pёrgjegjёsitё qё Kushtetuta i cakton Kryetarёve tё Shtetit e tё Qeverisё. Shkuan tek Presidenti me kёtё “plan rregullator” tё drejtimit tё Vendit, por u zemёruan shumё se ai nuk pranoi tё firmoste emёrimin si ministёr i ekonomisё tё prof. Savonёs, njё ekonomisti tё njohur pёr idetё e tij kundёr Bashkimit evropian e kundёr euros. Zemёrimi qe aq i madh sa Di Maio vendosi t’i bёjё thirrje masave tё dalin nё protesta tё fuqishme pёr tё vёnё nё akuzё Kryetarin e Shtetit si atentator tё Kushtetutёs. Mbas 48 orёsh Di Maio shkoi pёrsёri tek presidenti qё ndёrkaq po bёhej gati tё dekretonte njё qeveri teknike pёr tё organizuar zgjedhje tё reja. Presidenti, njё zotёri i vёrtetё, i akuzuar pёr “tradhёti kombёtare” prej njё çunaku 31 vjeçar, i dha kohё pёrsёri qё tё merren vesh dy kontraktuesit. U thirr pёrsёri profesori Conte, qё pat dhёnё dorёheqjen e u vendos tё pranohej njё listё tjetёr ministrash, me zhvendosjen e Savonёs nё njё tjetёr ministri. Kёshtu 2 qershori, festa e Republikёs, nё vend tё manifestimeve oqeanike tё idhtarёve tё kursit tё ri, u festua normalisht.
5 yjet dhe Lidhja, tё cilat nuk ishin votuar pёr tё qeverisur sё bashku, janё dy forca “populiste”, tepёr kritike kundrejt Evropёs dhe institucioneve tё saj pёrfaqёsuese. Prandaj edhe fitorja e tyre nё njёrin nga Vendet themeluese tё BE, nё fuqinё e tretё ekonomike tё tij, shqetёsoi mjaft ata institucione dhe vetё qeveritё evropiane, kryesisht ato tё zonёs euro. Nё bazёn e atij shqetёsimi ёshtё kontrata e firmosur, nё vazhdim tё njё fushate zgjedhore me premtime nga mё tё ndryshmit, pёr plotёsimin e tё ciёve llogaritё e ekspertёve luhaten nё shifrat 100 – 130 miljard euro, shuma tё cilat janё krejtёsisht jashtё mundёsive reale tё njё vendi qё mban mbi shpinё njё borxh mbi 2300 miliardёsh. Por ky borxh i stёrmadh, nё pёrqindje i dyti n’Evropё, mbas atij tё Greqisё, duket se nuk i shqetёson aspak “djemkat” e politikёs italiane, tё cilёt nuk kanё arritur tё marrin as edhe njё diplomё universiteti nё jetёn e tyre.
Tani pёr ta çёshtje sedre mbetet sendёrtimi i premtimeve zgjedhore, qё vёrtetё njё pjesё shkojnё nё dobi tё shtresave nё nevojё, por qё kanё njё çmin qё tremb kёdo qё kupton sado pak nga ligjet e ekonomisё.Nё njё buxhet tё pёrgjithshёm vjetor prej 830 miljard eurosh, harxhohen vetёm pёr tё paguar interesat mbi borxhet mё shumё se 60 miliardё. Nёse ky borxh do tё vazhdojё tё shtohet pёr t’u dhёnё nga njё rrogё gjithё nёnshtetasve tё papunё, apo pёr t’i nxjerrё nё pension punonjёsit para kohёs qё parashikon ligji Fornero, tё ndёrthurura kёto me zbatimin e taksёs sё sheshtё qё pakёson me 40 miljard t’ardhurat, nuk janё tё pakёt ata qё parashikojnё njё falimentim tё Italisё nё kohё relativisht tё shkurtёra. “Italia ёshtё shumё e madhe pёr tё falimentuar, por ёshtё po aq e madhe pёr t’u shpёtuar” u shpreh kёto ditё Kancelarja gjermane.
Por teoritё e idhtarёve tё borxheve thonё se investimet e mёdha, edhe nё borxh publik tё pafrenuar, mund t’a ndryshojnё gjёndjen, duke sjellё njё rritje ekonomike tё atillё qё tё jetё e aftё tё shmangё problemet e papunёsisё e tё ketё t’ardhura tё tilla qё tё kompensojnё vetё borxhet. Nuk jam ekonomist e nuk mund tё bisedoj me kompetencё n’atё drejtim, por mua mё duket se thёnia popullore “shtrij kёmbёt sa ke jorganin” ёshtё njё shprehje e urtё e njё pёrvoje tё gjatё tё historisё sё popujve. Si e tillё ajo ёshtё e vlefshme si pёr individёt ashtu edhe pёr popujt. Madje kёsaj konsiderate do t’i shtoja edhe barrёn morale tё shkarkimit tё tyre mbi brezin e ardhshёm, gjё tё cilёn e quaj sa tё padrejtё aq dhe imorale.
Ka pasur njё periudhё tё historisё sё Italisё, nё vitet 80, kur punonjёsit nxirreshin nё pension mbas 19 vjetёsh, 6 muajsh e njё dite nga fillimi i punёs. Atёherё nuk kishte forca, t’ashtuquajtura populiste, por pasojat e atyre vendimeve tё marra pёr interesa zgjedhore e tё ligjёruara pёr hapje vёndesh pune rёndojnё prej dhjetёvjeçarёsh mbi taksapaguesit italianё, nё njё kohё kur raporti i atyre qё marrin pension, me ata qё paguajnё kontribute ёshtё i shpёrpjestuar nё dobi tё tё parёve. Premtimet pёr tё marrё vota e pёr tё mbajtur pushtetin kanё qenё gjithmonё njё kostante pёr politikёn botёrore, edhe nё vitet mё tё suksesёshme tё saj.
Duke kёrkuar nё njё fjalor italisht kuptimin e termit “populizёm”, hasa nё kёtё pёrkufizim: “Ideologji e njё lёvizjeje politike ose artistike qё sheh nё popullin njё model etik apo shoqёror.” Ideja e pёrkufizimit ёshtё e lashtё sa bota dhe mbart ne vetvete gjithё demagogjinё, nё gjёndje tё hipnotizojё turmat, pёr tё pёrdorur fuqinё e tyre si bazё pёr t’u ngjitur nё pushtet, pёr tё zbatuar pastaj mbi kurrizin e tyre diktatura nga mё tё ndryshmet. Shёmbulli mё shprehёs i kёsaj tё vёrtetё janё sot Vendet e Amerikёs latine, kryesisht Venezuela, e kthyer nё gjendje urie kronike nga shteti mё i begatshёm i kontinentit, si pasojё e njё qeverisjeje “populiste” prej njёzet vitesh.
Bazat teorike tё populizmit mbijnё nga ideologjitё, kryesisht tё majta, tё demagogjisё sё koncepteve tё barazisё shoqёrore e prirjeve pёr tё ndёrpretuar çdo vёshtirёsi tё jetёs shoqёrore, si rrjedhojё e “politikёs sё padrejtё” tё klasёs drejtuese qё kёrkon tё shkarkojё mbi popullin e thjeshtё tё gjitha sakrificat e mundёshme. Jo rastёsisht, njё nga emblemat e populizmit italian, qё ka tё veçantёn e tij nё marrёveshjen mes sё majtёs e sё djathtёs, ёshtё shprehja “populli kundёr elitave”. Njё koncept i tillё dasor i shoqёrisё pёrbёn demagogjinё mё tё dёmshme e mё regresive qё mund tё pёrfytyrohet. Pёr tё patur idenё se ku mund tё çojё pёrqafimi i tij, duhet tё kthehemi mbrapa, nё pёrvojat e viteve 60 – 70 tё shekullit tё shkuar, tё zbatuara nga Kina e Mao Ce Dunit dhe akoma mё keq nga Kamboxhia komuniste e Pol Potit.
Jo rastёsisht drejtuesi aktual i Lidhjes sё Veriut, Matteo Salvini, ka qenё para disa vitesh “themeluesi i komunistёve padanё” nё Itali. “Qeveria e ndryshimit”, e kryesuar formalisht nga profesori Conte, ka shpallur nё programin e saj njё sёrё parimesh e detyrash qё pёrbёjnё gjithshka dhe tё kundёrtёn e tyre, djallin dhe ujin e shenjtё, si nё strategjinё ende jo tё qartё ekonomike, ashtu edhe nё politikёn e jashtёme, qё me fjalё mbetet besnike e NATO-s dhe BE, por qё me prirjen filo Putin tё drejtuesve efektivё tё saj, i ve minat gjithё kundёrvёnies sё Perёndimit ndaj politikёs agresive ruse nё zona tё ndryshme tё botёs. Madje, simbas Salvinit, NATO, si aleancё mbrojtёse, nuk duhet t’i mbajё sytё tek Rusia, nga e cila nuk vjen asnjё lloj rreziku, por t’a “mbrojё” Italinё nga “sulmi” qё vjen nga Jugu, nёpёrmjet varkave tё mbushura me emigrantё. Sa e pёshtirё ёshtё kjo kёrkesё, e kthyer nё njё strategji zgjedhore, me tё cilёn katёrfishoi votat nё zgjedhjet e fundit, mund tё kuptohet kur tё sjellim ndёrmёnd se shtete me mundёsi ekonomike shumё mё tё pakta se Italia, si Jordania apo Libani, i bёjnё ballё nё heshtje e me zemёr tё hapur qindra mijra tё shpёrngulurve nga zonat e luftёs tё Sirisё apo Irakut.
“Qeveria e ndryshimit”, pёr mirё apo pёr keq do t’a vertetojё shpejt koha, e ngritur kёto ditё nё Itali, dashje pa dashje, bёhet njё problem pёr Evropёn, mbasi nё tё do tё gjejnё mbёshtetje gjithё forcat kundёr sistem tё kontinentit, tё cilat nuk e duan atё nё rrugёn e tij tё integrimit tё plotё, mbasi ndjehen tё “kёrcёnuara” nё sovranitetin e tyre, nё zbatimin e rregullave qё pranohen bashkarisht. Ato quhen “sovraniste” e qeverisin nё vendet e lindjes, nё Austri, janё tё fuqishme nё Francё (Bashkimi kombёtar), Gjermani (Alternativa pёr Gjermaninё), nё Hollandё , nё Spanjё dhe arritёn tё shkёpusin Anglinё nga Evropa nёpёrmjet Brexit-it e gjejnё mbёshtetje edhe tek mendёsia e politika e presidentit tё SHBA.
Vёnien e interesave kombёtare mbi çdo gjё ne, shqiptarёt, ndoshta e ndjejmё mё shumё se tё tjerёt si domosdoshmёri, sepse jemi ende njё komb i ndarё nё pesё shtete. Por sovranizmi i disa Vendeve tё Bashkimit nuk ёshtё njё dukuri e dobishme pёr tё, sepse sa mё shumё tё vonohet proçesi i integrimit tё Evropёs, sa mё shumё Vendet e saj tё ngurojnё nё dhёnien e kompetencave organeve tё Bashkёsisё, aq mё shumё do tё zgjatet periudha e kalesёs nё Shtetet e bashkuara t’Evropёs, aq mё e dobёt do tё jetё ajo nё pёrballimin me botёn nё tё gjithё drejtimet.
Para pak ditёsh dёgjonja njё komentator tё njohur tё shtypit shqiptar qё, duke folur mbi zhvillimet e politikёs italiane, shprehte keqardhjen pёr faktin se tek ne nuk ka forca antisistem. Desha t’i them atij zotёrie se duhet tё falёnderojmё Zotin qё ende nuk i kemi ato forca. Ёshtё e vёrtetё se Shqipёria ka nevojё pёr njё shndёrrim rrёnjёsor tё klasёs politike tё saj, por prania e forcave antisistem do tё na hidhte nga shiu nё breshёr. Me drobitjen nё tё cilёn ka arrtur Vendi, njё fitore e atyre forcave do tё ishte varrimi i tij i plotё. Nёse rrezikohet tё çojnё nё falimentim Italinё merret me mёnd si do t’a kishin katandisur Shqipёrinё.
Pёr tё kuptuar mё mirё thelbin e dukurisё qё sot po trondit Evropёn dhe institucionet e saj, sё bashku me shpresat tona pёr tё qenё njё ditё jo tё largёt pjesё e saj, po e mbyll kёtё shkrim me njё fragment tё njёrit prej politologёve mё tё mirё italianё, prof. Angelo Panebianco, qё nё njё artikull tё botuar nё Corriere della Sera tё 21 marsit tё kёtij viti shprehet:
“Njё qeveri 5 yje – Lega do t’i detyronte tё gjithё tё kujtojnё se krisja politike themelore, jo vetёm nё Itali, nuk ёshtё mё ajo e majtё – e djathtё (socialistё – konservatorё) e kohёve tё bukura nё tё cilёt bota perёndimore ishte mjaft e qёndrueshme dhe e rregullt, aq sa t’i lejonte politikёs, tё ndihej ndёrmjet mёdyshjeve mё shumё Shtet apo mё pak Shtet, mё shumё apo mё pak Shtet shoqёror e tё tjera.
E çara themelore tani ёshtё ndёrmjet forcave qё kundёrshtojnё shoqёrinё e hapur dhe atyre qё e mbrojnё atё. E me qё shoqёria e hapur, e themeluar mbi demokracinё pёrfaqёsuese dhe ekonominё e tregut ёshtё njё prurje e pёrkatёsisё sonё botёs perёndimore, kush e kundёrshton duhet tё kundёrshtojё edhe atё pёrkatёsi, duhet tё dobёsojё lidhjet me Evropёn dhe Shtetet e Bashkuara, duhet tё zhvendosё hap mbas hapi Vendin drejt njё aleance me Rusinё (nёnkuptohet me shoqёritё e mbyllura)”
Me qё ne shoqёrinё e mbyllur, madje tejet tё mbyllur, tё ngjajshme me burgun, e provuam pёr gjysmё shekulli, duke paragjykuar jetёt e dy brezave, nuk duam tё biem as nё shembёlltyrёn sado tё zbehtё tё saj. Duke mbajtur parasysh tё mirat e shoqёrisё sё hapur, edhe nё kufizimet e saj, duhet tё jemi tё vendosur nё mos pranimin e sё kundёrtёs sё saj, edhe nё format mё tё sheqerosura e mё ndjellёse, tё cilat nuk mungojnё tё na serviren çdo ditё.
Qershor 2018