Mendime rreth vëllim poetik “Qyqja në hanin e Ferrit”, të Mëhill Velaj/
NGA PËLLUMB GORICA/
Me tre fjalë një poet mund të thotë më shumë se me treqind të një njeriu të zakonshëm.“Qyqja në hanin e Ferrit”,e poetit Mëhill Velaj është titull, që ngërthen në vetvete një simbolikë jetësore, e cila nuk është e lehtë të deshifrohet që në krye.
Në kërkim të një simbolike, që është e aftë të personifikojë vajin e vetmisë, dhe fatkeqësisë, autori zgjedh Qyqjen, si përmallim therës për atë lumturi që ekzistonte dikur, por që erdhën dhe e vodhën arbitrarisht padrejtësitë e kohës në shekuj.
Hani, është vendstrehimi, vendfshehja e mistereve, e ëndrrave të pafjetura, i kujtimeve të nxehta, që ndizen e pikojnë mall të përvëluar, e duhet të ndjekin pas brezat.
Ferri, është simboli i së keqes së përjetshme, i gjykimeve dhe ndëshkimeve shpirtërore e fizike, i dhënies llogari për mëkatet e kryera nga çdo moshë në jetë.
Por merita kryesore e poetit është se të tria këto si simbolikë e së keqes që jeton bashkë me njerëzimin, autori i shpalos si ana tjetër e medaljes së një jete, që gjen forca të mbijetojë e t’i mposhtë ato gjithmonë në dobi të së mirës sëtij. Poeti ka meritën e veçantë se të tria etapat: të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, i sheh të lidhura dialektikisht, duke argumentuar artistikisht se asnjëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën.
Vëllimi me poezi “Qyqja në hanin e ferrit”, i poetit Mëhill Velaj është i konceptuar në pesë cikle, të lidhura me mesazhin e qartë se gjithçka në këtë botë është ëndërr e shpresë, luftë e paqe, humbje e fitore, por asgjë nuk zhduket e humbet, që tjetërsohet e përmirësohet në ardhmërinë e saj, duke mbajtur të pazbehur vulën e kohës. Poeti gërmon në kujtime, për të rindezur traditën, e për t’i mbushur brezat me krenarinë e ligjshme për këtë vend ku “rrodhën më shumë lumenj gjaku se sa lumenj me ujë”. Të shkruara në varg të bardhë, dhe me një ritmikë këmbëngulëse, poezitë e vëllimit “Qyqja në hanin e ferrit” të Mëhill Velaj kanë larmi tematike, figuracion disi të errët, që nuk është i lehtë në të kuptuar. Me simbolikën dhe guximin e shprehjes, çdo varg kullon dhimbje e mall për atdheun, shpalosen dëshira dhe mesazhi i madh, se pavarësisht pengesave e brengave jeta meriton të jetohet. Ndaj edhe pse i brengosur për gjithçka që nuk është realizuar, i përmalluar nga ndarja me atdheun e tij, riafirmon lidhjen e përjetshme me jetën si nocion biologjik e filozofik me Kosovën e tij, nënë të pavdekshme kur shkruan: “Unë do të vij përsëri / E ardhmja e fatit tim/ Je ti Kosova ime/ Emrin zemër ke”.
Në vargjet e vëllimit poetik,“Qyqja në hanin e ferrit” të Mëhill Velaj shprehet më së shumti thelbi i dëshirës së madhe të poetit, për ta kthyer lotin në ëndërr, dhimbjen në dashuri, dhe dëshpërimin në shpresë: “Ende gjenim guximin, forcën e brendshme/ Dhëmbjet dhe humbjet tona ishin/ Lotët e shpresës e të dashurisë”. Poeti njeh humbjen dhe pranon fatkeqësinë si një fenomen i natyrshëm që ndodh, pavarësisht nga dëshira jonë. Ai analizon të kaluarën dhe nxjerr mësim nga realiteti që jeton dhe pastaj thjesht e pa jehonë, jo nga pozita e heroit apo e martirit, por të ushtarit që sakrifikon për jetën: “Dhimbjet dhe humbjet tona ishin/ Lotët e shpresës dhe të dashurisë”. Dhe për ta garantuar e qartësuar më mirë këtë proçes të pashmangshëm, thërret në ndihmë zërin e të parëve: “Dëgjojmë zërin e largët të etërve:/ Mos kini frikë dhimbjen e vdekjen/ Hapni portën e së ardhmes / Aty do të gjeni PAQEN”.
Poezia e Mëhill Velaj është si një këngë e papërfunduar kurrë për jetën, si një ëndërr në zgjim. Ndaj kur lexon vargje, që rrezatojnë vetëm mall atdhedashurie e shpresë të ringjallur, që i thurin hymne ardhmërisë së bukur njerëzore, të sjellin padashur në mendje mendimet e humanists, Nënë Tereza. Ja si shkruan poeti: “Ndjeni dashuri, kur ju jepni dashuri/ Jo vetëm kur ju merrni/ Drita është me ju/ Mos harroni“. Malli e brenga, pengesa dhe vështirësia e ngacmojnë përtej njerëzores poetin. Fakti që “qyqja këndonte vargun në një degë të thatë“ e bëjnë poetin “të varet në litarin e vargjeve”, por qartëson se ai këtë nuk e bën në emër të humbjes, por të optimizmit dhe ringjalljes, e të përtëritjes së jetës. Poeti si një krijesë e shkrirë dhe shpirt e mendim me mjedisin që e rrethon shkruan: “Jeta është e bukur/ Jeta jam unë/ Vargjet që i thur për të”. Poeti pasi njeh deri në palcë gjithçka që ngërthen në vetvete nocioni jetë, mposht gjithçka që i kundërvihet logjikës së zhvillimit, e drejton vështrimin nga dashuria dhe njerëzorja, dhe jep garanci për të ardhmen e kombit të tij: “Unë e di se secili prej nesh nuk i beson më vdekjes/ Unë e di atë, siç nuk i besoj më vetë/ Unë e di se secili prej nesh udhëton drejt dashurisë patjetër/ Ngulur thellë në themele të shtëpisë së vjetër”. Çdo invid e komb ka një të kaluar, jeton një realitet e ka një të ardhme, por gjithmonë mbështjellë me veçantinë e traditës dhe kulturës së tij. Kombi që i përket poeti e ka zgjedhur vetë rrugën e tij: “Me eshtrat e ngurosura shtruam rrugën e lirisë/ Tabanin e përjetshëm të atdheut tim”. Dhe në një poezi tjetër vazhdon po me atë gjuhë e zemër: “Jeta nuk është shtrati me trëndafilla/ Jeta është vallja për tu kërcyer deri në fund/ Jeta është e mbushur me zhgënjime/ Jeta ka mistere energji trishtim, dashuri/ Jeta është dhuratë fat, tragjedi entuziazëm/ Jeta është vetmi e sfidë”.
Poezinë e Mëhill Velaj e ndriçon simbolika dhe e bën të ndjeshëm vargu i lëmuar me kujdes, e i vënë me siguri në vendin që i takon, si një gur kështjelle, dhe i jep ritmin e ngjyrën e së veçantës gjuha e rrjedhshme pa sforcime e zbukurime, por edhe tematika e zgjedhur, rima e goditur, e sidomos aliteracioni, e forca e mendimit. Megjithatë poeti duhet të shmang një përsëritje jo të justifikuar të leksikut poetik, e cila vihet re nga njëra poezi tek tjetra. Gjithashtu duhej edhe një lidhje më organike të pesë cikleve në funksion të një tematike të vetme, duke e bërë vëllimin më të ngrohtë.
Rrallë mund të gjesh metafora, simbole e krahasime të tilla si: “Varrosa shpirtin sallatë prej thike”; “Pranvera merr një lule nga lulet e mia”; “Lotët e motrës vaditin pluhurin e dëshpërimit”; “Mbi kokë qëndrojnë retë si flamuj argjendi”; “udhë me krahë zogjsh”; “Sa ngushtë midis tokës dhe qiellit”; “E ardhmja ka ardhur në të kaluarën”; “Delet kullotnin bar e gjak”; “Zgjoheshim nga një ëndërr e binim në një tjetër”; “Fara u bë zogj që fluturuan në kaltërsi“; “Me kohën nën sqetull” etj, që bëjnë të gumëzhijë vargu për një kohë të gjatë e të lërë gjurmë të pashlyeshme në mendje.
Por për poetin është dashuria ajo që mban në këmbë njerëzimin, jetën, dhe ai duke dashur të falë vetëm dashuri, kërkon që të vdesë për të, si martir i saj. Ndaj, e ka zgjedhur rrugën e tij, e ka përcaktuar atë fat, të cilën kërkon që të mbajë në buzë përjetësisht me këngën e dashurisë: “Ky është fati im/ Të vdes duke kënduar”. Dhe s’ka fat më të bukur e më të madh, se ky. Fat që e pati: Dantja, Hajne, Pëtefi, Gëtja, Esenini, Pushkini, Petrarka, Migjeni, Noli, e shumë këngëtarë të tjerë të poezisë. Se ata që vdesin duke kënduar, në fakt nuk kanë vdekje kurrë.