• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dita e sotme e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve

March 30, 2013 by dgreca

Dita e sotme e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, lidhur me jetën e Krishtit, nuk ka asnjë lajm për ne. E ndoqëm me mend Mësuesin e munduar, përmes Ungjillit, në Betani, në Tempull, në Çenakull, në Kopshtin e Ullinjve, në shtëpinë e kryepriftit, në prokurorinë e Pilatit, në Udhën e dhimbshme, mbi Kalvar. Dëgjuam fjalët e dashurisë, që u ngritën mbi fjalët e urrejtjes, të përsëritura pambarimisht në historinë e njeriut e pambarimisht të kota. Kotësi e kotësive! E pamë kur vdiq, kur e ulën nga druri ku e kishin mbërthyer pa kurrfarë mëshire, kur e lyen me vajra erëmira, e mbartën në rrugëzat e një ullishteje, e mbyllën në varr. Dëgjuam zhurmën rrënqethëse të gurit, që rrokullisej për të mbyllur grykën e varrit. Si zhurma e gozhdëve mbi arkivolet, që mbyllin trupat pa jetë të të dashurve tanë. Mbaroi! E s’dimë asgjë më. Armiqtë ngadhënjimtarë kthehen në shtëpitë e tyre tejet të kënaqur. Edhe për ta gjithçka u krye: nuk do ta kenë më nëpër këmbë kundërshtarin e padëshirueshëm. E zhdukën përgjithmonë, pa frikë kthimi. Nuk do t’ua vrasë më sytë rrugëve të Palestinës, as do t’i dëgjojnë më anatemat e tij të tmerrshme. E kujtojnë mirë. Nuk besojnë se do të kthehet më por, për të davaritur dyshimin e fundmë, vënë roje për ta mbikëqyrur varrin. Nuk harrojnë të vënë edhe vulat e tyre. Sigurohen kështu se askush nuk do të mund të vërë dorë mbi këtë varr, që e dëshironin aq shumë e që i trembeshin edhe më shumë. As dishepujt e interesuar për trupin e tij e as rojet, që mund të bliheshin lehtë, si Juda. S’ mendojnë fare për gjithëpushtetin e Hyjit! E shkojnë të kremtojnë Pashkët e tyre, tashmë pa pikë kuptimi, të sigurtë se Hyji është me ta.
Po nxënësit, ku janë? Ungjilli, në këtë orë ngushtice, përmend tre emra, me fat krejt të ndryshëm: Judën, tradhtarin, që shkon e varë veten, sepse nuk është në gjendje ta shndërrojë brerjen shkatërrimtare të ndërgjegjes në shpresë përtëritëse; Pjetrin, që e mohoi Mësuesin, por që, i penduar thellë nga vështrimi i tij, nuk pushon s’e lari mëkatin e vet me lot të hidhur; Gjonin, që ngjitet në Kalvar e merr nën kujdes, plot dashuri, Nënën.
Të tjerët ia kanë mbathur. Por gjithsesi, edhe ata kanë shkuar të shikojnë ç’do të ngjasë. Pavarësisht nga ligështia, fati i Nazarenit ishte tepër i lidhur me fatin e tyre. Edhe ata ishin në Udhën e Kryqit, të ngatërruar mes turmës, për t’u ruajtur nga rreziqet. E panë edhe ata, deri në fund të fundit, e shkuan, me zemër të plasur e shpresa të copëtuara. Nuk i kujtojnë më profecitë e Mjeshtrit, që janë avulluar nga mendja e tyre, e paaftë për të depërtuar në të mbinatyrshmen. Për ta, ashtu si për armiqtë, ndonëse në një mënyrë tjetër, gjithçka ka marrë fund. Vdekja nuk lejon epilogë.
Mbyllen në shtëpinë mike, që i ka strehuar herën e fundit së bashku me Jezusin. Juda ka vdekur. Nuk do t’i spiunojë askush. Mund ta konsiderojnë veten të sigurtë, në se nuk do të bien në sy. Pastaj, si të ketë kaluar tronditja e thellë, do të kthehen në shtëpitë e tyre, larg rreziqeve, në Galile, për të rifilluar jetën e tyre të paemër, të pashpresë, në të cilën nuk pritet më asgjë e jashtëzakonshme.
Përveç dishepujve, ka edhe të tjerë, që interesohen për Jezusin: Nikodemi e Jozefi i Arimatesë, të cilët i përkasin shoqërisë së kamur të Jeruzalemit, madje vetë Sinedrit, që e dënoi Jezusin. Jetuan në hije, nuk i miratuan metodat e kolegëve, madje edhe protestuan, gjithnjë me druajtje, pa rënë shumë në sy. Por tani që ai vdiq, nuk kanë ç’të humbasin më e dalin haptazi, pa kurrfarë droje. I bëjnë nderimet e fundit e pastaj edhe ata shkojnë në punë të vet, sepse edhe për ta gjithçka ka marrë fund. Vetëm grupi i vogël i grave nuk dorëzohet. As ato nuk e mendojnë ringjalljen. Por kanë një dashuri që s’njeh mort e presin t’u krijohet mundësia për ta shprehur edhe një herë mbi kufomën e njeriut të dashur. Edhe ato kthehen në shtëpi; edhe për ato gjithçka ka marrë fund. E megjithatë, janë gjithë sy e veshë, në një pritje, për të cilën u jep të drejtë dashuria.
Thua shkuan në shtëpinë e asaj që, e vetme pret ende, me bindje se mund të ndodhë gjithçka?
Nëna është pritur me krahë hapur në shtëpinë e Gjonit, birit të ri që ia dha Krishti mbi Kryq. E Gjoni bën çmos të gjejë mënyra për të zëvendësuar Birin e pazëvendësueshëm, të vetmin, Birin e Hyjit.
Askush nuk merr guxim t’i thotë një fjalë Marisë, e as ajo s’e kërkon. Shpirti i saj nuk është i vetmuar. Rri në pritje të zbulesës së re, duke kaluar nëpër mend çaste të tjera pritjeje, shprese, që nga çasti i parë, kur e lajmëroi Engjëlli, tek ditët e amësisë së saj të pazakontë, tek hapat e para të Jezusit, fakte që i meditonte e i ruante në fshehtësinë e zemrës së saj, ashtu si ruante në arkë petkat e birit misterioz, që dukej sikur e mohonte, që e priste, pastaj, në majën e kodrës e i besonte misionin e një amësie të re, për Gjonin, për njerëzimin e shëlbuar, për të gjithë ne.
E ne, bandë tekanjoze, e lënë nën kujdesin tënd, duam të rrimë me ty, Nënë, për ta jetuar me ty këtë natë, plot me fe, shpresë e dashuri. Nata jonë shpesh është e ngarkuar me dëshpërim. Edhe ne, si dishepujt, nuk shikojmë asgjë përtej pragut të vdekjes. Krishti e kapërceu këtë prag, e ne nuk e pamë duke u rikthyer. Besojmë se u rikthye plot lavdi, por nganjëherë besimi ynë lodhet. Shikojmë sesi miqtë, vëllezërit, ata që duam, shkojnë edhe ata, kapërcejnë pragun pa kthim e e dimë se do të kemi të njëjtin fat. Pritja është plot ankth, dridhemi nga errësira e përtej pragut, nga e panjohura.
Pranoi, o Nënë, lutjet e zemrave të trazuara, e na shoqëro në vetminë e vdekjes sonë, të pritjes së ftohtësisë së varrit. Lutu për ne, Nënë e Hyjit, tani e në orën e mbramë. Na e ndriço errësirën e mendjes me dritën e fesë sate; ngrohe ftohtësinë tonë për të vërtetat qiellore me zjarrin e dashurisë sate; tërhiqe zemrën tonë, të habitur pas fantazmave të jetës që kalon, që të presë plot shpresë të mbinatyrshme ngjalljen e Krishtit Shëlbues.

E Shtuna e Madhe: ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve

E Shtuna e Madhe: ‘Exultet’ – ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve
O natë, më e ndritshme se dita.
Natë në të cilën dashuria
del nga terri.
Natë që çliron
Jezusin nga varri.
Natë më e bardhë se dëbora,
më e ndritshme se drita e qirinjve,
më e kthjelltë se dita.

Nata më e ëmbël e qiellit.
Nata-roje e korpit të Krishtit,
natë kur Fryma e Zotit
tokën përshkon.
Natë që mbushet me yje,
natë e fitores,
që vdekjen e mund.
Më e ëmbla natë e qiellit.

Nata më e pasur me paqe.
Natë që fiton mbi botën e errët.
Natë e hirit që ndrit si lumnia.
Natë që josh historinë,
zemrën e përlyer që e kullon.
Nata më e pasur me paqe.

O natë, më e fortë se koha.
Natë e të Gjallit mbi univers.
Natë e fjalës
që mbush çdo heshtim.
Natë në të cilën Kisha
del në dritë.
Natë e ujit të gjallë,
pas ngricave dimërore.
O natë, ti më e fortë se koha”.
Natën e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës. Janë të pranishëm të krishterët që duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen të gjitha simbolet, lexohen të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme për të rijetuar ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të vdekurve. Faleminderit Zotit, të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin përplot Kishat në të katër anët e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin e madh: “Krishti u ngjall! Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten:
“Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!
Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë
e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës!
Ti, Fjalë e gjallë e Atit,
jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë
kuptimin e vërtetë të jetës së tyre.
Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun
e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe.

Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit,
mësona fjalë e gjeste paqeje:
paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt;
paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës,
ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké:
paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë
rreziku i luftërave vëllavrasëse”.

Krishti kërkon drejtësi e solidaritet bujar për masat njerëzore që edhe sot vuajnë e vdesin nga mjerimi e nga uria, të dhjetuara prej epidemive vdekjeprurëse e të thyera më dysh nën peshën e katastrofave natyrore. Nëpër forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin edhe ata pjesëtarë të një jete të re.
“Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë,
kemi nevojë për ty, o Zot i Ngjallur!
Rri me ne deri në fund të kohëve.
Bëj që progresi material i popujve
të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore
që janë shpirti i qytetërimeve të tyre.
Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë.
Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë,sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…”.
(Kortezi Radio Vatikani)

Filed Under: Kulture Tagged With: Dita e shtjnes, e te shenjte te Pashkeve, Radio Vatikani, se Madhe

KUVENDI KISHTAR I ARBËRIT DHE MBROJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR

January 15, 2013 by dgreca

Kuvendi Kishtar Shqiptar i Arbërit i vitit 1703 mbrojti të vërtetat e fesë së krishterë dhe identitetin kombëtar e gjuhën e popullit shqiptar./

 Më 14 e 15 janar të vitit 1703 në Mërqi afër Lezhës qe organizuar Sinodi apo Kuvendi i Kishës katolike Shqiptare, i njohur si Kuvendi i Arbërit. Është fjala për një Sinod apo Koncil i Kishës Katolike në trojet Shqiptare, organizuar me kërkesën e Papës Klementit XI Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare shqiptare, ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit
Kështu, në Kishën e Shën Gjonit të Merqisë, tri kilometra në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, mblidhej Kuvendi i Arbënit, apo mbledhja e parë e Krerëve të klerit katolik mbarë shqiptar, ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare e të identitetin kombëtar e të gjuhës shqipe ndër shqiptarë. Ishte pra data 14 janar 1703 e Kuvendi do të vijonte edhe të nesërmen, më 15 janar gjithnjë të vitit 1703.
Më 28 janar të vitit të largët 1704 Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin “Propaganda Fide” miratonte botimin e dokumenteve të këtij Konçili.
Askohe në fronin e Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc Zmajeviçit, Kryeipeshkëv i Tivarit, të kryente vizitën kanonike në të gjitha kishat dhe qendrat katolike të Shqipërisë. Pas vizitës, që e kreu brenda tre muajve; në dhjetor 1703, prelati mblodhi në Kuvend kryetarët e klerit: 5 ipeshkvijtë e dioqezave të vendit dhe provincialin e Françeskanëve.
Në përfundim, vendimet e Konçilit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin “Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtatqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin”.
Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me letrën që vijon, përmes së cilës shihet qartë se kleri shqiptar i qëndroi pranë në gaz e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar pothuajse treqind vjet që kur u shkrua, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin:
“Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, – uh, ç’dhimbje, – vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë.
Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m’u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s’pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqendrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue.
Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t’iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.
Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate.
Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n’e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t’u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t’ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe…
Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre”. Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI

Po radhisim më poshtë ipeshkvijtë dhe etërit katolikë që nënshkruan Koncilin e Parë të Kishës Katolike të Shqipërisë, mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkëlqesisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit:
Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipni.
Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.
Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.
Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës.
Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.
Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.
Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t’Arbënisë.
Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.
Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.

Radio Vatikani

Filed Under: Histori Tagged With: Kuvendi Kishtar I Arberit, Radio Vatikani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT