Shkuran: MA. AGIM ALIÇKAJ/
-Kundërshtimi i politikës së gabuar të ambasadorit Grenell është veprim pro-Amerikan dhe detyrë kombëtare/
Kemi pse të krenohemi me bukurinë, kulturën, traditën, historinë dhe vlerat e larta njerëzore të kombit shqiptar. Por kemi edhe pse të turpërohemi me mangësitë, vlerat e ulëta dhe të këqijat e shumta të një pjese të vogël të kombit. Punët e liga bëhen më lehtë dhe janë shumë të rrezikshme. Duhet një numër tepër i madh i atdhetarëve për ta mundur një numër shumë të vogël të tradhëtarve.
PSE E DUAM AMERIKEN?!
Shfrytëzimi i pro dhe kundër amerikanizmit për nevoja politike dhe interesa personale është bërë i mërzitshëm dhe i kalon kufijtë e absurditetit. Më duhet ta përsëris për të disatën herë. Populli shqiptar, me shumicë, me të drejtë, me zemër dhe pa hile e do dhe e respekton Ameriken, për shumë arsye.
-Është vendi më demokratik, më i drejtë dhe më i fortë në botë, simbol i lirisë dhe garantues i vetëm i ruajtjes së paqes dhe rendit botëror.
-Kombi amerikan është i vetmi në botë i përbërë nga gati të gjitha kombet, racat dhe religjionet e tjera.
-Garanton plotësisht lirinë e fjalës, besimin fetar, individualitetin, pronën private, mirëqënien, dhe lumturinë personale.
-Qindra-mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet tona e kanë gjetë vetën dhe janë duke e përjetuar ëndrrën amerikane.
-Gjatë gjithë historisë ka qënduar në mbrojtje të kombit shqiptar, që nga presidenti Wilson, deri te presidentët Klinton dhe Bush.
-E ka ndihmuar çlirimin e Kosovës nga thundra shekullore serbe, e ka përgaditur dhe realizuar shpalljen e pavarësisë, ka investuar shumë në zhvillimin e Kosovës.
-Është i vetmi vend në botë, i cili mund ta mbrojë kombin shqiptar nga armiku i përbetuar, shumë i fortë, shovinizmi dhe hegjemonizmi Serbo-Rus.
Amerika nuk është pa të meta, por ato luftohen me mjete demokratike në mënyrë të përherëshme.
Dashuria e përhershme e popullit shqiptar për Amerikën është e sinqertë dhe dallon shumë prej “dashurisë” së përkohëshme vetëm për interes të klikës serbe. Interesat strategjike të popullit shqiptar janë në përputhje me interesat strategjike të popullit amerikan. Populli serb me shumicë është pro-rus dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë.
AMERIKA DHE DIALOGU KOSOVË-SERBI
Përkrahja amerikane për popullin shqiptar nuk bënë të merret si e garantuar. As nuk duhet menduar se Amerika ka kohë të merret me punët tona në mënyrë të pafund. Ka shumë probleme botërore më të mëdha se çështja e Kosovës. Ne duhet ta ndërtojmë dhe forcojmë vetë shtetin tonë. Duhet të punojmë shumë dhe pandalë për ta merituar dhe siguruar përkrahjen e përherëshme amerikane. Ekziston mundësia që armiqët tanë me diplomaci shtetërore dhe veprime të fuqishme lobiste të depërtojnë te zyrtarë të lartë amerikanë, siç është rasti me Ambasadorin Richard Grenell. Presidenti serb Vuçiq për interesa të Serbisë, i ndihmuar nga presidenti Thaçi për interesa personale dhe kryeministri Rama për tu treguar dikushi, kanë arritur ta bindin atë se shkëmbimi territorial është zgjidhja më e lehtë. Ai e filloi këtë duke anuar nga Serbia dhe duke bërë presion mbi Kosovën. Roli i tij në koordinimin me Thaçin dhe Mustafën e LDK-s në rrëzimin e qeverisë demokratike të Kosovës ishte i qartë. Kjo u bë me qëllim të krijimit të një qeverie kukull të kontrolluar nga Thaçi, e cila në dialog me Serbinë do ta pranonte shkatërrimin e Kosovës.
Këto veprime anti-shqiptare dhe anti-amerikane e kanë ngritur popullin shqiptar në këmbë në mbrojtje të shtetit të Kosovës. Ky popull i shumëvuajtur nuk ka rrugë tjetër veçse të kundërshtojë me të gjitha mjetet demokratike, përfshirë edhe protestat paqësore kudo në trojet tona dhe diasporë. Në Amerikë Liga Shqiptaro-Amerikane më në krye ish-kongresistin Joseph DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi janë duke punuar me të madhe me Kongresin Amerikan dhe administratën e presidentit Trump për ta ndryshuar politikën e gabuar të Ambasadorit Grenell në Kosovë. Pritet që kjo ligë sapo të lejojë situata, të organizojë demonstrata masovike në Uashington si në vitet e 90-ta kundër ndarjes së Kosovës. Po ashtu të bëjë dëgjime në Kongresin Amerikan ku Ambasadori Grenell do të jetë i detyruar t’i arsyetoj veprimet e veta. Kushdo që dyshon në aftësitë dhe mundësitë e Ligës mund ta vizitojë Web-faqen “aacl.com”dhe të njihet me punën e saj 30 vjeçare në shërbim të kauzës kombëtare. Kundërshtimi i një politike të gabuar të një zyrtari apo një pjese të një administrate amerikane është më vend. Nuk ka logjikë të dëgjohet verbërisht dikush që kërkon nga ti për të bërë vetëvrasje. Administratat dhe ambasadorët e Amerikës janë gjithmonë të përkohshëm. Miqësia në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan është e përherëshme.
Nëse vazhdohet me rrugën e ndarjes së Kosovës, populli shqiptar e rezervon të drejtën për të kërkuar bashkimin e të gjitha tokave shqiptare, të okupuara nga Serbia, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Greqia. Të njëtën gjë mund ta kërkojnë edhe popujt e tjerë, të cilët jetojnë jashtë shteteve nacionale. Gjermania dhe shtetet e rëndësishme të Evropës e kundërshtojnë këtë ide. Ky do të ishte një gabim katastrofal me përmasa të rrezikshme destabilizuese për Ballkanin dhe mbarë Evropën.
Dëshira e Ambasadorit Grenell për zgjidhje të shpejt të konfliktit shqiptaro-serb mund të realizohet nëse orientohet kah e drejta dhe realiteti. Ai duhet të bindet se njohja reciproke në kufijtë ekzistues me sigurim të drejtave të njëjta nacionale dhe njerëzore për serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Serbi është e vetmja zgjidhje. Nuk mund të bëhen bisedime për dëmtimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Kjo gjë ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë me 17 Shkurt të vitit 2008. Kjo pavarësi në kufijtë ekzistues është njohur nga Amerika dhe më shumë se 100 shtete të botës, është konfirmuar nga Gjykata e Drejtësisë në Hagë. Krimet e luftës nga shteti terrorist serb kundër popullit të pafajshëm shqiptar nuk mund të falen kurrë pa u dënuar fajtorët. Çështjet të tjera mbeten temë e bisedimeve të mëtutjeshme. Kjo zgjidhje mund të bëhet e shpejtë nëse Amerika dhe Evropa bëjnë presion të vërtetë mbi Serbinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo duhet të vihet para vendimit, a don të bëhet pjesë e Evropës demokratike me të gjitha të mirat që vijnë me të apo të mbetet nën thundrën e Rusisë dhe Kinës me të qjitha të këqijat e sistemeve totalitare. Koha e ledhatimeve dhe lëshimeve ndaj agresorit serb duke i bërë presion viktimës shqiptare ka përfunduar. Kosova është gati, ajo e ka zgjedhë rrugën e vet Evropiane pro-Amerikane.
GJYKATA KUSHTETUESE NË MBROJTJE TË SHTETIT
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është para një vendimi shumë të vështirë me përmasa historike. Presionet e ndryshme mbi Gjykatë, nga cila do anë qofshin janë të papranueshme. Vendimi për pezullimin e Dekretit të presidentit deri me 29 Maj tregon qartë seriozitetin dhe përkushtimin e saj ndaj drejtësisë. Duhet shpresuar se GJK do të përcaktohet për zgjedhje të lira, në favor të vullnetit të popullit
e jo të nji presidenti me sjellje të qarta diktatoriale, anti-shtetërore, jashtë kompetencave të tij që mund të kualifikohen si antikushtetuese. Harta aktuale elektorale ka pësuar ndryshime qenësore dhe dallon shumë nga zgjedhjet e 6 Tetorit. Vetëm zgjedhjet e lira mund ta reflektojnë realitetin dhe janë mënyra e vetme e krijimit të legjitimitetit qeverisës. Në favor të kësaj është deklaruar publikisht edhe njëri ndër hartuesit e kushtetutës nga radhët e PDK-s, profesor Arsim Bajrami. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë dhe shtylla e fundit e mbrojtjes së shtetit e përbërë nga gjykatës të kualifikuar me vlera të larta profesionale dhe njerëzore. Ata e dijnë fare mirë peshën e vendimit të tyre, i cili duhet të respektohet. Vendimet e Gjykatës Kushtetutese, të mira apo të këqija i vlerëson ardhmëria. Punët e këqija dhe dështimet e qeveritarëve i gjykon populli. Populli është mbi të gjithë dhe nuk ka forcë që mund ta ndalë në realizimin e të drejtave dhe aspiratave të veta.
PARTITË POLITIKE DHE SHPËTIMI I KOSOVËS
Partitë politike janë subjektet më të rëndësishme të zhvillimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit. Ato konkurrojnë për pushtet në bazë të programeve dhe arritjeve të tyre. Pa hyrë në analizë të thellë të sukseseve dhe dështimeve, mund të thuhet me kompetencë së vetë fakti që pas 21 viteve lirie dhe 12 vite pavarësie ende duhet të merremi me mbrojtjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës, paraqet dështim të turpshëm të partive, të cilat qeverisën vendin gjatë kësaj kohe.
Vetëvendosja ka arritur të bëhet partia më e madhe në Kosovë. Arsyet janë të thjeshta. Deri në zgjedhjet e 6 Marsit ishte parti opozitare. Lideri i saj Albin Kurti me kuadro të tjerë udhëheqës posedojnë aftësi dhe kualitete të larta. Rinia dhe një pjesë e madhe e popullit, me arsye e konsiderojnë VV-n të vetmen shpresë për ndryshime dhe shpëtimin e Kosovës. Luftimi i pakompromis i korrupsionit dhe kundërshtimi i ndarjes së Kosovës janë çështje kyçe të përkrahjes. Rrëzimi i padrejtë jodemokratik i qeverisë Kurti e ka shtuar shumë përkrahjen për VV-n. Çdokush bën gabime në qeverisje. Qeverisja kërkon aftësi, urtësi, maturi, vendosmëri, diplomaci, përshtatje në rrethana dhe situata të reja. Është e dobët kritika për dike pa ju dhënë mundësia për ta treguar veten me punë. Gabimet e së kaluarës në opozitë, nuk kanë peshë të madhe. Veçse, Vetëvendosja duhet të ruhet shumë nga rreziku i majtizmit, ekstremizmit fetar dhe mos tolerancës ndaj kundështarëve politikë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e vjetër ka mbijetuar në sajë të autoritetit të pafund të presidentit të urtë historik Dr. Ibrahim Rugovës. Përçarjet, servilizmi, pjesëmarrja në korrupsion dhe qeverisje të keqe e gardës së vjetër më në krye Isa Mustafën e dobësoi dukshëm këtë parti. Në zgjedhjet e 6 Tetorit arriti për ta zënë vendin e dytë duke ju falënderuar znj.Vjosa Osmani me disa kuadro të reja. Bëhen qesharak ata që thojnë ndryshe. Me rrëzimin e qeverisë Kurti pjesë e së cilës ishte edhe vetë dhe përpjekjen për të krijuar qeveri të re të kontrolluar nga Thaçi dhe Lista serbe, garda anti-rugoviane e Mustafës është duke e dëmtuar rëndë LDK-n, demokracinë dhe ekzistencën e shtetit të Kosovës. Shpresa e vetme për të mbetur e fortë në skenën politike është lirimi nga detyra dhe dalja në pension e kryetarit të LDK-s Isa Mustafës, tërheqja nga formimi i një qeverie “Thaçjane”dhe përkrahja e kryeparlamentares Vjosa Osmani. Me sinqeritetin, edukatën e lartë shkollore, aftësinë profesionale, vendosmërinë, guximin politik, atdhedashurinë dhe vlerat familjare ajo është padyshim një nga figurat më të mëdha të vendit dhe pasardhëse e denjë e presidentit Rugova. Duke e shpëtuar vetveten, LDK-ja do të luante një rol shumë të rëndësishëm në shpëtimin e Republikës së Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka dalë nga shpirti i luftëtarëve të lirisë të UÇK-s
dhe komandantit legjendar Adem Jashari. Pritej se kjo parti do të ishte garancia më e
fortë e mbrojtjes dhe ndërtimit të shtetit. Por lidershipin e saj e përfshiu vetëkënaqësia,
meritoria, lakmia, korrupsioni, interesi personal dhe frika nga Gjykata speciale. Meqë
qeverisi me Kosovën për një kohë shumë të gjatë PDK-s i takon përgjegjësia kryesore
për gjëndjen e vështirë në të cilën gjindet ajo sot. Ekzistenca e shtetit të Kosovës është
e rrezikuar nga veprimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi. Bisedimet me Serbinë
për shkëmbim territori janë shkelje e rëndë mbi vlerat e luftës dhe gjakun e dëshmorëve të cilët e dhanë jetën për liri. Shihet se ai është i futur pakthim në botën e vet të fantazisë dhe nuk e kupton lojën e presidentit serb Vuçiq me te dhe me fatin e
Kosovës. Largimi i tij nga politika do të kishte ndikim pozitiv në forcimin e PDK-s dhe
do të ndihmonte shumë në shpëtimin e Kosovës nga domiminimi serb. Edhe miku madh i Kosovës, ambasadori William Walker i tha Thaçit se është i lodhur dhe duhet të merrte pushim. Mjaft e ka “ndihmuar” Kosovën. Supozohet se arsyeja kryesore e
përuljes së tij ndaj Serbisë është frika nga dosjet dhe mundësia e perfundimit në burg.
Por, më mirë e ka të shkojë në burg para, se sa pas shitjes së Kosovës.
Nëse PDK arrinë të riorganizohet, lirohet nga Thaçi, prononcohet kundër shkëmbimit të territoreve dhe vazhdon me kërkesën për zgjedhje të reja, ardhmërinë e ka të sigurtë.
QEVERIA E SHQIPËRISË NË SHËRBIM TË INTERESAVE SERBE
Populli shqiptar nga të gjitha trojet tona e tregoi shpirtin e madh vëllazëror dhe
atdhedashurinë, me përkrahjen e popullit të Kosovës gjatë vitit 1999. Të dhemb zemra kur e sheh kryeministrin Edi Rama në shërbim të Serbisë kundër interesave të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Këtë e bën të qartë përkrahja e tij për projektin serb mini-Shengen, bisedimet e fshehta me presidentin Thaçi dhe ate serb Vuçiq në dëm të Kosovës, vrapimi i turpshëm pas Vuçiq, lavdërimi i tepruar i serbëve dhe nënçmimi i popullit dhe liderve të Kosovës. Shtrohet pyetja, a ia merr mendja atij se pas përqafimeve serbe fshihet qëllimi i nënshtrimit të Kosovës, krijimit të “Serbisë së madhe” dhe daljes në detin Adriatik nëpërmes tokave shqiptare? Dhe, çfarë mund të pritet nga një qeveri, e cila i përkrah armiqt e deklaruar të popullit shqiptar, shkatërron nga mbrenda vlerat kulturore kombëtare dhe demokracinë shtetërore?!
Askush nuk ka të drejtë të bëjë pazare me tokat shqiptare. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë
*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës