• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fan Noli, mes botës njerëzore dhe hyjnore

March 5, 2015 by dgreca

IN MEMORIAM -50 VJETORI I VDEKJES SË FAN NOLIT/
Esse-nga Raimonda MOISIU/
Ndërsa kthejmë kokën përgjatë viteve, në perëndimin e tyre, dallon gjurmët e arta të kujtesës së një kombi. Janë gjurmë që gjithmonë do të kujtohen si shprehi e ndodhisë në etapa të ndryshme dhe e ekzistencës së tyre, për tu përqendruar në erudicionin e një prej figurave që është çmuar shumë prej shqiptarëve dhe amerikanëve, si një figurë aktive e letrave shqipe, Rilindjes Kombëtare, çështjes kombëtare dhe të të drejtave të shqiptarëve jo vetëm në trojet etnike shqiptare, por në Amerikë e kudo në botë, Fan Stilian Noli. Ndërsa vitet rrjedhin, aq më shumë rritet edhe ndërgjegjësimi kombëtar për t’u kthyer pas ideve, erudicionit, veprave, penës, së këtij kolosi të letrave shqipe, për të eksploruar në vlerën e tyre. Vepra e Nolit të Madh është shumëdimensionale, e krijuar në përkushtimin dhe vëmendjen, poezi, prozë, publicistikë, pamfletist, eseist, historian, fetare, muzikë, përkthime të shkrimtarëve të shquar të botës, midis atributit të një lideri popullor dhe shpirtëror, midis lavdisë e modestisë që e karakterizonte, gjithmonë sipas kontributit që ai kishte ndërtuar në thënien biblike që shprehte shpesh: “Një popull pa vizion zhduket”. Poliedriku dhe eruditi Fan Noli, nuk u përqendrua vetëm te një pjesë e veçantë e historisë së kombit shqiptar, por ai adaptoi atë pjesë integrale të vlerave dhe historinë e kulturave të tjera, pikërisht asaj amerikane, ku ai jetoi dhe veproi deri ditën që vdiq, – dhe – hodhi një bazë të shëndoshë të rizbulimit të identitetit kombëtar dhe të ruajtjes së tij nga asimilimi kulturor pas disa shekujsh shtypje. Muaji mars tashmë është bërë një muaj i veçantë për të përkujtuar, poliedrikun dhe eruditin, Nolin e Madh, dhe krahas tij, ne sjellim në kujtesë një sërë figurash të shquara të letrave shqipe, atdhetarizmit e patriotizmit, si Konica, Pipa, Zef Oroshi, Rexhep Baba Bardhi, Qerim Panariti, Antoni Athanas, Kristaq Trebicka, Petraq Turtulli, Sotir Peci, At Arthur Liolini, Bill Kamenica, Thanas Laskaj, etj. Përgjatë gjithë kësaj kohe, forca e kujtesës, e vizionit, e mendjes dhe e penës së njerëzve të letrave shqipe, nëpërmjet aktiviteteve në dedikim të vlerave kombëtare e historike, sikurse kanë bërë ata vetë dhe pararendësit e tyre. Ata besojnë në parimin bazë e jetësor se vepra dhe kontributi i Nolit flasin shumë, si një domosdoshmëri që vlen edhe në ditët e sotme, ka aftësi universale për të evokuar të kaluarën ngadhënjyese me njerëzoren. Ndërgjegjësimi kombëtar i njerëzve të letrave shqipe, lëviz drejt vizionit të së ardhmes drejt atij vizioni që predikonte Noli i Madh, në ruajtjen e traditës, gjuhës, kulturës, identitetin e tyre, për të treguar se jemi një komb me botë, shpirt e mendim të lirë, ecim, jetojmë, tregojmë me penën e krijimtarinë, organizimin e aktiviteteve me taban kombëtar e historik, se jemi aty, në tokën e mundësisë e demokracisë, dhe kjo është një arsye që ata e përkujtojnë 50- vjetorin e përjetësisë së Nolit tonë të Madh. Është ndjesia më e fuqishme e krenarisë kombëtare, është aftësia e talentit dhe penës së shkrimtarëve, ndjesitë që poetët e prozatorët i koordinojnë me ndjesitë e pararendësve të tyre, si gjënë më të bukur e të shtrenjtë të përjetësimit të vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar ashtu si pati bërë dikur ky uragan i shqiptarisë në Amerikë.

Noli…nuk besoj të ketë patur ndonjë armik personal

Ai ka qenë njeri i letrave dhe i humanizmit të thellë njerëzor, në ato përmasa, saqë nga burrë shteti u bë prift. Të bëhet prift dikush, do të thotë të jetë idealist patjetër, njeri që jeton mes botës njerëzore dhe asaj hyjnore, pra, njeri tolerant, i dhimbsur për njerëzit, i gjendur për ta, dhe, Noli, e pati të thjeshtë krejt të vishte rason e zezë. Me dhënien e meshës së parë në gjuhën shqipe dhe shkëputjen e ortodoksisë shqiptare nga ajo greke, janë dëshmi të një kthese historike në historinë e Rilindjes Kombëtare. Noli ynë i Madh ka qenë kryeredaktori i gazetës më të vjetër shqipe, “Dielli”, President Nderi i Shoqatës Pan Shqiptare “Vatra”, u diplomua në Universitetin e Hawardit, botues i “Adriatic Review”, “Republika” dhe përfaqësuesi i Lidhjes së Kombeve, Ministër i Punëve të Jashtme, Kryeministër i Shqipërisë, filozof, botues dhe përkthyes i shumë veprave letrare e fetare, dhe i vlerësuar nga kritika e kohës amerikane, në veçanti nga Presidenti Linden B. Xhonson. Një deklaratë brilante e Fan Nolit i kapërceu me të shpejtë kufijtë e mijëvjeçarit kur ai jetoi. Ai tha se populli shqiptar, me një shumicë dërmuese myslimane, zgjodhi në krye një prift ortodoks, siç vdiq ai. E ku ka kompliment më të bukur, se ky mesazh i tolerancës dhe bashkëjetesës fetare që mund t’i bëjë dikush popullit të tij se sa ky? Sidomos sot, kur ngado gëlojnë përplasjet fetare? Fan Noli i ka kapërcyer kufijtë e kulturës së intelektualëve të kohës, shqiptarë dhe jo shqiptarë. Ai është parë si një personalitet i shquar për atributet e një lideri shteti që ai i atribuoi vetes me restaurimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve mbas disa shekuj të pushtimit otoman. Jo vetëm si kishtar, historian, studiues, shkrimtar, eseist, pamfletist por edhe si një burrë shteti, bëri që atdheu i tij të njihej në arenën ndërkombëtare, duke e shquar Nolin si një arkitekt i zgjimit e dinjitetit kombëtar, besimit dhe pika e bashkimit të shqiptarëve, sidomos në Amerikë. Brilantet e tija të veprave origjinale dhe të përkthyera, janë deri më sot, të pakritikueshme nga askush. Si poeteshë dhe publiciste, si një adhuruese e patjetërsueshme e Nolit të Madh, do të vëreja një shembull të mrekullueshëm për mua, për ne, njerëzit e letrave dhe për ata që aspirojnë galaktikën e letërsisë. Në qoftë se ne i themi “çifut” dikujt që është kurnac dhe që i tërheq gjithmonë kërraba nga vetja, Noli i madh ka qenë “çifut” i fjalës së përkorë. Ai ka qenë kur shkruante, si një punonjës i arit apo i zemberekëve të orëve. Aq poezi sa na ka lënë Noli, janë, që të gjitha, të derdhura në flori, ku nuk ke kurajën të heqësh apo të redaktosh, qoftë edhe një rrokje. Mirëpo, Noli, Konica, Mjeda, Migjeni, Fishta, etj, kanë lënë trashëgiminë e tyre që ne jemi të detyruar t’i referohemi, si zotërues të tyre. Pra, duhet të përkulemi me nderim përditë te “Profesor Noli” në përzgjedhjen dhe koncizitetin e fjalëve. Tregojnë se Noli, vetëm për të gjetur fjalën e bukur shqipe “gërdallë”, i ka shkruar letër një shoku të tij të fëmijërisë, që nga Amerika, ndërsa po përkthente Servantesin. Dhe kush na qe më në fund “gërdalla”? E kush tjetër, përveçse Rosinantit. Apo, tjetër. Pas luftës, kur i dërguan Nolit vepra të tjera të Shekspirit, të botuara në atdheun e tij, ai, si i përgëzoi për punën e lavdëruar me gjeniun anglez, i këshilloi nga ana tjetër duke u thënë se; “por, shqipja ka fjalë të tjera më të bukura, more djema”.

Noli, në tërë parametrat ka qenë modern

Kur udhëhoqi revolucionin e njëzetekatrës, i tërë Ballkani ishte monarki, pra, në një mënyrë arkaike e të drejtuarit. Noli, krejt ndryshe, organizoi republikë vendin e qeverisur prej tij, dhe, për më tepër, ai kërkoi të lidhej me pushtetin komunist të Rusisë së Leninit, duke vepruar me një diplomaci marramendëse. Fundja Lenini qe ai që denoncoi traktatin e fshehtë të Londrës për copëtimin e vendit tonë, por, nga ana tjetër, në atë kohë, komunizmi sovjetik u bë aspiratë e shumë popujve, shteti qe i madh, dhe nuk ishte aspak keq të kishte edhe simpatinë e kësaj fuqie që po rritej me bum të paparë. Dhe, rrëfanën e kishte…. Noli ishte aq energjik, humanist e reformator, diplomat, njohës i shumë gjuhëve të huaja, historisë e kulturës së popujve të ndryshëm, dhe mbrojtës i flaktë i çështjes kombëtare dhe i të drejtave të patjetërsueshme të kombit shqiptar, kur fati i Shqipërisë ishte në një rrezik të madh për t’i ndarë përsëri kufijtë, ai takohet me Presidentin e SHBA-së të asaj kohe, Wilson, duke i kërkuar mbështetjen e padiskutueshme të tij, dhe falë saj, Noli ynë i Madh do të ndalonte masakrën tjetër që donin të bënin shtetet evropiane me kufijtë e Shqipërisë. Duke e vlerësuar ndihmën e Presidentit Wilson dhe mbështetjen e patriotëve të vjetër dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, përveçse zërit të tij të fuqishëm kombëtar, në Konferencën e Parisit më 1919, ai do ndërgjegjësonte zgjimin e kombit, me vargjet “Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë…” Aktualiteti dhe mesazhi i këtyre vargjeve vazhdon edhe për të sotmen për zgjidhjen e çështjes kombëtare, si një apel që i bëhet botës dhe Evropës për më shumë vëmendje ndaj kombit shqiptar dhe Kosovës, njohjen e Pavarësisë së saj ndërkombëtarisht. Pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Noli e vlerëson si një arritje nga më të mëdhatë e shpirtërore të kombit e çështjes shqiptare. Kur e përzunë forca të financuara nga armiku shekullor i shqiptarëve, shteti serb, Nolin, këtë figurë poliedrike dhe që krahasohej me kokat më të ndritura të kohës, e zëvendësoi një njeri tjetër. Ai, për fat, që nuk e kishte as kulturën, as edukatën, as bagazhin, as elegancën e të qeverisurit dhe as qytetarinë e tij, por ishte një fshatar i zgjuar dhe manovrator nga Burgajeti i Matit, pretendenti se vinte nga familja mbretërore e Topiajve, Ahmet Zogu. Noli i madh u detyrua të ndahej fizikisht nga populli i tij. Atij nuk i mbeti tjetër, veçse atë pjesë të jetës që i kish mbetur, të vishej prift. Pikërisht në Amerikë. Ai e dinte se kush do të bëhej Amerika. Falë kishës së tij, shqiptarët e Amerikës ishin dhe janë të bashkuar më shumë se në asnjë vend tjetër të botës. Nën shembullin e Nolit të madh i mbajnë bashkuar shqiptarët sa e sa klerikë të nderuar si At Arthur Liolini, Federata Panshqiptare Vatra , Gazeta Dielli dhe shumë patriotë dhe atdhetarë të tjerë.
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe hyjnore, fan noli, mes botës njerëzore, Raimonda Moisiu

CARRIE HOOPER, E DASHURUAR ME SHQIPERINE DHE GJUHEN SHQIPE

February 19, 2015 by dgreca

Profesoresha amerikane, Carrie Hooper: Ëndrrat e mija; Dua ta ndaj me njerëz të tjerë pasionin tim për Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe të këndoj me Inva Mulën në skenën shqiptare./
(Intervistë me profesoren, artisten amerikane që flet, këndon dhe shkruan shqip ndërsaështë edhe e vërbër që në lindje)/
Bisedoi Raimonda Moisiu/
Eshtë vetëm 37 vjece dhe e verbër që nga lindja, por kjo nuk e ka penguar aspak, Pedagogen e gjermanishtes dhe të italishtes, njohëse e 9 gjuhëve të huaja mes tyre edhe gjuhën tonë shqipe, sopranon dhe poeteshën shqipfolëse, vajzën e talentuar amerikane Carrie Hoooper të ecë në rrjedhën e jetës drejt dijeve dhe promovimit të vlerave që ajo atribuon.
Ka krijuar kontakte miqësie e dashamirëse me botën shqiptare në Diasporë, të cilat sic shprehet edhe vetë shqipfolësja amerikane, kanë qënë një ndihmesë e mrekullueshme e profesionale për mësimin dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe shumë mirë, me saktësi gramatikore, letrare dhe rrjedhshëm në të folur e shkruar. Talenti, aftësia, kontributi i saj është shëmbulli më njerëzor i dashurisë për jetën dhe universalen. Për këtë ajo po ashtu është vlerësuar shumë nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
“E papritura më e bukur për “Kuvendin” në këto dhjetë vjet – do të shprehej botuesi i revistës “Kuvendi” në Michigan, z.Pjetër Jaku- Një vajzë amerikane që dinte gjuhën shqipe më mirë se një shqiptar i ardhur me arësim të mesëm në Amerikë, që dinte Historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që fliste me aq respekt për shqiptarët. Ishte Carrie Hooper” Që prej asaj dite vajza amerikane, poetesha shqipfolëse është bashkëpunëtore e rregullt e revistës “Kuvendi”
Ndërsa Producenti i Pasqyra Shqiptare, Toronto Kanada, z.Ilir Lena, në një kontakt telefonik me amerikanen e verbër shqipfolëse do të shprehej:
“Jam shumë i cuditur, por edhe shumë i entusiazmuar nga shqipja Juaj. Shqipfolëse shumë e mirë me saktësi gramatikore. Shëmbull i shkëlqyer jo vetëm për amerikanët por edhe për shqiptarët, brezin e parë që po humbasin shqipen. Ju jeni amerikane dhe jo shqiptare, nuk kini lidhje gjaku, e megjithatë flisni shqip shumë mirë, jeni një mesazh shumë i mirë për ata prindër shqiptarë që ngurojnë t’u flasin shqip fëmijëve, gjuhën amëtare, gjuhën e vet. Shpresoj ta kenë marrë këtë mesazh nëpërmjet Ju!Gjuha shqipe në familje duhet të transmetohet në brezat”.
Gazeta “Dielli” në SHBA-s, në një artikull të vecantë me titull: “Carrie Hooper, poetesha që adhuron kombin shqiptar”,- krashas botimit të poezive të saj në gjuhën shqipe shkruan:” Carrie Hooper është një talent i rrallë; ajo ka një pasion të jashtzakonshëm për gjuhët. Ka mësuar deri tani 9 gjuhë, mes tyre edhe gjuhën tonë të ëmbël, gjuhën shqipe. Carrie shkruan në gjuhën shqipe jo vetëm në prozë, por edhe poezi.’
Mbas prezantimit që më bëri mikja dhe kolegja ime Merita Bajraktari McComarck me artisten dhe poeten Carrie Hooper, unë bisedova në telefon me të për më shumë se një orë dhe më pas via internet zhvillova këtë intervistë. Jam emocionuar, entusiazmuar mahnitur nga forca dhe fuqia e shpirtit, e talentit, aftësisve të saj për të folur e shkruar gjuhën shqipe aq saktë nga ana gramatikore, letrare, rrjedhshëm, ngrohtësisht dhe ëmbëlsisht. Po kush është Carrie Hooper, sfidat, ambicjet dhe aftësitë e saj ajo do të na i rrëfejë në këtë bisedë të ngrohtë e miqëesore.
-Zonjusha Carrie, është kënaqësi tejet e vecantë të bisedoj me ju në gjuhën shqipe. Jeni diplomuar në Universitetin Mbretëror të Muzikës në Stokholm dhe pedagoge e gjuhës gjermane dhe italishtes. Cilat janë disa nga kujtimet e mbresat tuaja të asaj periudhe?
Së pari duhet të sqaroj se në fakt nuk u diplomova nga Shkolla Mbretërore e muzikës në Stockholm por kalova një vit atje si bursiste Fulbright pasi kisha kryer studimet në ShBA. Pasi mbarova shkollën e mesme kreva studime për bachelor në kanto te Mansfield University në Mansfield, Pennsylvania jo larg qytetit tim të lindjes, Elmira, New York. Kalova mirë atje dhe mësova shumë. Meqenëse Mansfield University është universitet i vogël, kisha mundësi t’i njoh studentët e profesorët në një nivel më personal. Verbëria nuk më pengonte dhe profesorët kuptonin mirë nevojat e mia si e verbër. Kisha shumë mundësi për të kënduar dhe t’i bie pianos si dhe t’i shoqëroja studentët të tjerë me piano të cilët studionin kanto ose një vegël muzikore tjetër.
Në këtë kohë fillova të mësoja gjermanisht dhe kështu u ndez interesi im për të mësuar gjuhë të huaja. Kisha mësuar frëngjisht në shkollën e mesme por në atë kohë nuk kisha interesin për gjuhët që e kam tani dhe prandaj nuk e mësoja mirë frëngjishten. Por kur fillova të mësoja gjermanishten, që nga dita e parë e dija që desha të bëhesha pedagoge e gjermanishtes.
Pasi mora Bachelor nga Mansfield University në vitin 1997, mora një master në gjermanisht nga State University of New York at Buffalo në vitin 1999. Pastaj mora një master në kanto nga i njëjti universitet në vitin 2001.
Në atë kohë fillova të mësoja suedisht sepse drejtori i orkestrës së universitetit erdhi nga Suedia dhe kisha dëshirë të flisja suedisht me të. Për ta ushtruar gjuhën dëgjova Radio sweden që transmetohej në radion e valëve të shkurtëra. Radio Sweden kishte transmetime në anglisht si dhe në suedisht. Në transmetimin anglisht një herë në muaj kishte programi In Touch Ëith Stockholm që ua jepte dëgjuesit mundësinë të bisedonin me suedezë për të ditur më shumë për Suedinë ose aspekte të jetës suedeze. Bisedat që bëheshin në telefon, transmetoheshin gjatë programit. Unë desha të dija më shumë për situatën e të verbërve në Suedi dhe prandaj në nëntor të vitit 1999 ia dërgova një email programit. Radio Sweden më vuri në kontakt me Ulrika Norelius, studente tek Universiteti Mbretërore e Muzikës në Stockholm në Suedi. Biseda jonë u transmetua në radio në dhjetor të vitit 1999 dhe që nga atëherë Ulrika dhe unë mbanim kontakt. Ajo më tregoi për një program tek Universiteti Mbretërore e Muzikës në Stockholm ku të huaj mund të studionin atje për një vit. Ngaqë isha e interesuar të dija më shumë për muzikën suedeze, në veçanti këngë suedeze, vendosa të aplikoja për programin në Stockholm. Shkolla më pranoi dhe aplikova për një bursë Fulbright për t’i finanzuar studimet atje.
Studiova në Suedi nga gusht 2001 deri në qershor 2002. Kisha mësime për kanto gjatë të cilëve mësoja shumë këngë suedeze. Gjithashtu ndoqa kurse për mësimdhënien e kantos. Për më tepër këndova në një korin ei një kishe suedeze. Kisha edhe mundësinë të këndoja për klube rotarianë në Suedi dhe Gjermani dhe këndova edhe në një koncert në Berlin që ishte pjesë e një jave aktivitetesh të organizuara nga komisioni gjerman Fulbright për të përkujtuar vjetorin e dyzetë të bursës Fulbright. Gjatë asaj jave në Berlin takova një cift amerikan që po jetonte në Hungari meqenëse burri ishte bursist fulbright atje. Nëpërmjet lidhjes me ta m’u dha mundësia të këndoja dy koncerte në Hungari: një te shkolla e të verbërve dhe një në një kishë në Szeged. Koha në Suedi ishte e paharrueshme dhe u njoha me shumë njerëz të dashur me të cilët mbaj kontakt deri më sot.
-Kur e keni kuptuar se ju kishit dhuratë për të kënduar me një zë të tillë të bukur?
Gjithmonë më pëlqente të këndoja. Këndoja në korin e shkollës si dhe kor fëmijësh dhe pastaj korin e të rriturve të kishës sime. Në moshën 15-vjeçare gruaja e pastorit ndihmës të kishës sonë më dha mësime për kanto si një dhuratë për ditëlindjen dhe që nga ajo kohë fillova të zhvilloja teknikën e zërit. Së pari doja të studioja për piano por kur mësova për operan në shkollë fillova t’i dëgjoja operat që u transmetuan në radio dhe kjo më prymëzoi të studioja për kanto. Mendoja që doja të isha këngëtare lirike profesionale por më vonë zbulova që kisha më shumë dëshirë të bëhesha pedagoge. Mirëpo më pëlqen të japë koncerte.
-Në formimin tuaj si këngëtare soprano cfarë ndikimi kanë shfaqur artistët e famshëm si Domingo, Shirley Verret, Pavaroti e të tjerë.
Më pëlqen të dëgjoj këngëtarë si Pavarotti dhe Domingo por nuk mund të them se më kanë ndikuar në zhvillimin tim si këngëtare. Nuk ka qenë qëllimi im të këndoja si dikush tjetër, por të zbuloja zërin tim të veçantë.
-Ku keni lindur. Na tregoni pak në lidhje me prejardhjen e familjes tuaj?
Kam lindur në Elmira, New York që ndodhet në pjesën jugore të shtetit të New Yorkut afër kufirit me Pennsylvania. Familja ime është me prardhje angleze në anën e nënës dhe angleze dhe gjermane në anën e babait.
-A ka DVD ose rregjistrime në repertorin tuaj të tanishëm që ju besoni se keni bërë një punë të mirë për kapjen e zërit?
Vitin e kaluar shoku im Timi më ndihmoi të inçizoja disa këngë shqiptare, disa këngë nga Shqipëria dhe disa këngë që kompozova unë me tekste në shqip. I rashë pianos elektrike dhe këndova. Regjitruam këngët në kaset dhe pastaj një burrë që e njeh Timi i transferuan këngët në cd. Janë inçizuar edhe disa koncerte që kam dhënë.

-Ju jeni amerikane dhe jetoni në Elmira New York, SHBA. Ju flisni 9 gjuhë të huaja. Mes tyre, ajo që mua më mrekulloi e befasoi, ju flisni shqipen rrjedhshëm, gjuhësore dhe letrare. Si keni arritur ta mësoni këtë gjuhë. Cilat kanë qenë kontaktet e para me gjuhën shqipe? Ku qëndron forca e inteligjencës emocionale dhe shpirtërore për të mësuar gjuhën shqipe?
Fillova të mësoja shqip në tetor 2008 pasi kisha një student nga Shqipëria në kursin e italishtes që i dhashë. Duhej të kërkoja shumë për të gjetur një libër në brail ose audio por në fund gjeta një libër në brail nga Biblioteka e të verbërve në Angli, Colloquial Albanian nga Isa Zymberi. Pasi e mbarova librin e Zymberit, lexova një libër audio me përrallë shqiptare që mora nga Biblioteka e të verbërve në Suedi. Për më tepër bleva një fjalor shqip-anglisht që një grua në qytetin tim më transkriptoi në brail. Tani lexoj artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur një kompjuter me një tastaturë dhe një display braili. Gjithashtu dëgjoj programe nga Interneti me laptopin tim të aksesshëm. Më parë shoku im Timi më inçizoi programe nga Interneti në kaset që më dërgoi. Dy verat e kaluar ndoqa kurse në gjuhës shqipe tek Arizona State University.
Kam ushtruar shqipen jo vetëm duke e dëgjuar por edhe duke folur me shqiptarë. Kontaktet e para ishin studenti tim nga Shqipëria si dhe një studente tjetër tek universiteti ku jap mësim. Kam edhe kontakt me një studente te Cornell University dhe jemi takuar dy herë për të folur shqip. Telefonova disa universitete për të pyetur nëse kishin studentë shqiptar. Një punonjëse në laboratorin e gjuhëve te Boston College më vuri në kontakt me Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Telefonova te kisha dhe rashë në kontakt me At Artur Liolinin. At Arturi më ndihmoi të gjeja shqipfolës duke u dërguar një email disa njerëzve në të cilit shpjegoi kush isha dhe se isha e interesuar të flisja shqip. Një shok i shokut tim Timit më vuri në kontakt me një suedez, Ullmar Qvick, që flet shqip. Ullmari më vuri në kontakt me gazetën Illyria në qytetin e Nju Jorkut. Nëpërmjet gazetës rashë në kontakt me kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York. Prifti atje më dërgoi dy cd me muzikë krishtlindjes si dhe një cd me urata të Nënë Terezës. Ky material ma dha mundësinë të dëgjoja edhe më shumë shqip. Më tej u njoha me disa shqiptarë në Arizonë me të cilët mbaj kontakt. Njoh edhe dy shqiptarë në Huntsville, Alabama, që punojnë në një kishë luterane.
Forca për të mësuar shqipen, për të bërë gjithçka vjen nga Zoti. Kam besim shumë të fortë te Zoti dhe pa këtë nuk do të mund të bëja asgjë. Të gjitha dhuratët e mia vijnë nga Zoti dhe e falënderoj dhe e lavdëroj për bekimet e tij.
-Ju jeni edhe poete. Shkruani poezi në shqip. A ka pasur diçka të pazakontë që iu hapi rrugën për tu bërë poete shqipfolëse? Si e vlerësoni gjuhën shqipe?
Më pëlqen sfida të shprehem në një gjuhë tjetër. Gjuha shqipe është e bukur dhe muzikore dhe është e lehtë të rimoj fjalët. Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar nga të gjitha gjuhët që kam mësuar. Dua ta flas, ta dëgjoj, dhe ta shkruaj.
-Mund të na recitoni ndonjë poezi shqipe tuajën?
Kam shkruar poezinë O popull i dashur për të shprehur ndjenjat e mia ndaj shqiptarëve që i dua me gjithë zemrën. E shkruajta pasi kisha qenë në Boston në tetor për të kënduar në Kishën e Shën Gjergjit. U preka thellë nga mikpritja dhe dashuria e shqiptarëve ndaj meje dhe kur u ktheva në shtëpi, u frymëzova të shkruaja këtë poezi.
O popull i dashur,
Që unë për zemër kam,
Një fëmijë të Shqipërisë
Në shpirt dhe zemër jam.
Menjëherë më keni pranuar
Dhe mirëpritur me dashuri.
Mes njerëzve kaq të ëmbla,
Ndiej që jam në shtëpi.
E dua vendin tuaj
Me malet e lumenjtë e tij,
Me natyrën e tij tërheqëse,
Ah, sa madhështi!..
– Ju këndoni edhe shqip. Ka qenë tepër emocionuese kur kam dëgjuar të kënduar nga ju, Hymnin e Flamurit shqiptar. Cili ka qenë emocioni kur e keni kënduar për herë të parë?
Ndjeva krenarinë të mund ta këndoja një këngë kaq të fort që pasqyron luftën e gjatë të shqiptarëve për lirinë e tyre. Zemra ime qan për kombin shqiptar kur mendoj sa shumë kanë vuajtur shqiptarët gjatë shekujve të kaluar.
-Mund të na thoni sa këngë shqip këndoni? Si keni arritur t’i mësoni ato? Kush është kompozitori i tyre?
Këndoj trembëdhjetë këngë shqip: Himni i flamurit, Për ty, atdhe, Luleborë, Çobankat, E dua Shqipërinë, O bilbil, o more i mjerë, Në zaman t’njasaj furie, As aman, o trandafili çelës, Kroi fshatit tonë, Kur më vjen burri nga stani, Pranvera me një lule jo nuk vjen, Kur pata një lule të bukur, dhe Moj e bukura More. Shumicën e këngëve e kam në cd të ndryshme dhe i mësova duke dëgjuar inçizimet kurse këngë të tjera kam mësuar duke i dëgjuar në kompjuter. Meqenëse mund të jetë e vështirë të kapësh fjalët, shqiptarë të ndryshme më kanë dhënë fjalët për këngët që doja t’i mësoja.
-Bota e artit dhe muzikës shqiptare i ka dhënë artit botëror sopranon me famë botërore, shqiptaren Inva Mula. A keni dëgjuar për të? A do dëshironit të këndonit me Inva Mulën në skenën shqiptare?
Po, kam dëgjuar për Inva Mulën dhe e kam dëgjuar duke kënduar. Ka zë shumë të bukur dhe është këngëtare shumë e zonjë. Do të dëshiroja të këndoja me Inva Mulën në skenën shqiptare. Do të ishte një nder të madh.
-Cili është momenti më i paharrueshëm që ju ka bërë të ndjeheni e lumtur në kontaktet me gjuhën shqipe, por edhe me komunitetin shqiptar në Diasporë?
Do të thosha që momenti më i paharrueshëm ishte kur udhëtova në Boston për të kënduar në Kishën e Shën Gjergjit në tetor të vitit 2010. Qëndrova te Neka Doko, një shqiptare shumë e dashur dhe mikpritëse dhe kisha shansin ta njihja nga afër familjen e saj. Koncerti në Kishën e Shën Gjergjit shkoi mirë dhe njerëzit atje më mirëpritën me shumë dashuri. Kurrë nuk do të harroj fjalët e At Arturit i cili më tha: Kjo është kisha juaj.
-Duke qënë e huaj në origjinë, por edhe shqipfolëse e shkëlqyer, mesazh ky shpirtëror qytetar dhe intelektual, për komunitetin shqiptaro-amerikan, do të dëshironit të jepnit mësim në gjuhën shqipe?
Do të dëshiroja shumë të jepja mësim në gjuhën shqipe. Dua ta ndaj me njerëz të tjerë pasionin tim për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.
-Çfarë do tu sugjeronit shqiptarëve të Amerikës për të trashëguar gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare në tokë të huaj? Pra, mesazhi juaj për Diasporën shqiptare.
Është e rëndësishme që shqiptarët të ruajnë gjuhën e tyre dhe ta flasin sa më e bukur. Kam dëgjuar shumë shqiptarë që flasin shpejt por duke folur shpejt, humbet qartësia dhe pengohet komunikimi. Prandaj, shqiptarë, flisni ngadalë dhe merrni kohën e duhur të formoni fjalët plotësisht. Nuk dua të them që dialektet janë të këqia, përkundrazi krijojnë shumllojshmëri dhe janë shumë interesante por në të njëjtën kohë njerëz kanë nevojë të zotërojnë gjuhën letrare dhe të komunikojnë mirë në çfarëdo situate. Është e rëndësishme që prindërit t’u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe si dhe traditat dhe kultura shqiptare sepse gjuha, kultura, dhe traditat i jep popullit identitetin e tij dhe e bashkon kudo që të jetojë. Jepuni fëmijëve mundësinë të shkojnë në Shqipëri.
-Dëshironi të shtoni diçka?
Kam bërë shumë prezantime për Shqipërinë gjatë vitit e fundit. Në këto prezantime flas për Shqipërinë dhe eksperiencën time duke mësuar gjuhën. Më tej këndoj disa këngë shqiptare. Kam bërë prezantime te takimet e klubeve Rotary dhe Kuwanis në Elmira dhe dhashë një prezantim tek Elmira College ku jap mësim në gjermanisht dhe italisht. Në shtator dhashë një prezantim në Kishën e Shën Elia në Jamestown, New York. Disa nga poezitë e mia janë botuar në gazetën Dielli në New York dhe revistën Kuvendi në Michigan.
Suksese dhe Faleminderit
Bisedoi Raimonda Moisiu

Filed Under: Interviste Tagged With: bisede me Carrie Hooper, Raimonda Moisiu

AGIM HUSHI, ZERI I MREKULLUESHEM QE MAGJEPS SKENAT BOTERORE

February 14, 2015 by dgreca

Intervistë me Artistin e Shquar shqiptar me famë botërore Agim HUSHI/
Bisedoi Raimonda MOISIU/
Muzika ka qenë pjesa më integrale e jetës njerëzore që në kohët e herëshme. Në Egjyptin e lashtë muzika është e njohur si “mjekësia e shpirtit”. Kur këndon zëri del i gjallëruar, sepse është ai që jep fuqinë për të lëvizur dhe gjallëron në të njëjtën kohë jetënnjerëzore. Ndjenjat dhe mesazhi me zë hyn përmes veshëve, që janë “portat e shpirtit njerëzor”, udhëton thellë në zemër, zgjon atë dhe stimulon reagime, të cilat më pas manifestohen me veprime. Botës së magjishme të muzikës, pa e ditur se cfarë talenti fshihej pas kordave të zërit të tij, ju bashkua që në moshë fare të re edhe tenor i shquar me përmasa kombëtare e famë botërore, Agim Hushi. Me një zë të bukur, ndjenjë ritmi muzikor të përsosur, cilësia dhe fuqia e tingullit me influencë burrërore dhe entusiazëm, melodinë elegante dhe dramatike, emocionante me talent, mjeshtëri artistike dhe mendim të thellë filozofik, duke përballuar parte vokale të diciturave të ndryshme, të interpretuara këto, nga Tenori i shquar Agim Hushi gjatë gjithë këtyre viteve na kanë dëshmuar se ai i ka të gjitha cilësitë, që ëndrrat e karrierës së tij, t’i bëjë realitete të prekëshme të jetës së një artisti famoz.
Artisti i shquar shqiptar ka shkëlqyer në gamën e gjerë të roleve të lëvruara dhe interpretuara prej tij, nga skena e TOB-it në Shqipëri dhe më pas në Teatrot nga më prestigjiozet dhe me emër në botë, në Europë, SHBA, Azia dhe Australia e Largët. Duke i hedhur sytë te karriera e tij artistike madhështore dhe e magjishme, që ka pushtuar tashmë skenat botërore dhe vetë tenori i shquar shqiptar Agim Hushi shprehet se është një ndryshim i madh në jetën e karrierën time: “Është një ëndërra ime e madhe që në ato ditë të largëta të fëminisë time të varfër, tek dëgjoja i mahnitur atje në shtëpinë time përdhese, në Kavajë, mrekullinë e zërit të Di Stefanos, Tito Skipos, Ferrucio Tagliavinit”. Kur e pyet artistin shqiptar për rolin e tij më të dashur ai të përgjigjet se CD-ia “Amore Grande” është jo vetëm një nga sukseset e tij triumfuese në botë, por edhe një nga ngjarjet më të bukura të jetës së tij. Në këtë intervistë, Artisti Shqiptar me famë botërore Agim Hushi, na rrëfen se si ndodhi që nga studimet për gjuhë letërsi, ai arriti të bëhej një nga tenorët më të shquar në botë, atë ëndërr që shumë këngëtarë në botë e kanë, por pak e realizojnë. Me ndjenjë admirimi dhe mirënjohje ai falenderon të gjitha ata që e kanë mbështetur këtë talent shqiptar me emër në botë –sikundër edhe e kanë vlerësuar kritikët e artit botëror që;-Botës njëherë në 50 vjet i vjen ky zë i rrallë! Për të mësuar më shumë ndiqni intervistën.

Bisedoi:Raimonda MOISIU

-Kini studiuar për letërsi e psikollogji në Tiranë. Por më pas u zbuluat për zërin e jashtëzakonshëm prej tenori. Na tregoni dicka për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një tenor e bën të jetë i vetëdijshëm, se si ka qenë zëri i tij, dhe kur keni filluar të këndoni?
Pas mbarimit të gjimnazit, duke qenë se librat dhe letërsia ishin dashuria ime e parë, pa e ditur as vetë se cfarë talenti fshihej pas kordave të mia vokale dhe duke qenë se kisha shkruar plot vjersha, tregime apo dhe drama në shtypin e asaj kohe, bile isha vlersuar edhe me cmime kombëtare, vazhdova studimet e larta universitare për letërsi. Studime, që më vonë jo vetëm patën atë vlerën dhe rëndësinë e tyre formale, por ato do të ktheheshin në themel të artiti tim vokal duke i dhënë një permasë të vecantë interpretimit tim si tenor operatik në karrierën time. Pas mbarimit të studimeve kuptova, se nuk mund të jetoja dot pa kënduar, jo vetëm zëri im, por dhe pasioni për të kënduar po i kalonin kufijtë e vetpërmbajtjes. Më duhej te sfidoja gjithashtu idenë një ankthi të frikshëm; Të jesh një këngëtar opera është gati e pamundur, është një ëndërr shumë e madhe. Por dirigjenti i famshëm, drejtori i parë i Operas shqiptare, Mustafa Krantja pasi më dëgjoi bëri një vlersim përtej imagjinatës time.
Ai deklaroi me një kurajo që edhe sot e kësaj dite mua më ushton në veshë:- se një zë i tillë një kombi i duhet 50-ë vite t’i vijë. Filluan të më dëgjonin të gjithë ekspertët shqiptarë të vokalit, legjendat e operas shqiptare sikundër; Marije Kraja, Ramiz Kovaci, Avni Mula, Edit Mihali, Nina Mula, Simon Gjoni,Feim Ibrahimi. Ministri i Kulturës i asaj kohe, profesori i famshëm i estetikës, Alfred Uci mori vendimin më të jashtëzakonshëm në historinë e Operas Shqiptare.Unë u emërova solist në Operan Shqiptare, pa asnjë ditë arsimim muzikor. Ishte një ndryshim i madh, i paparë në jetën time dhe tashmë me duhej të tregoja përvec zërit edhe mjeshtërinë time interpretative përkrah yjeve të operas shqiptare sic ishin tenorët; Ibrahim Tukici, Hysen Kocia, Tatjana Kora, Shqipe Zani, Rozmari Jorganxhi, Mentor Xhemali, Petrika Rambeci, etj. Për këtë arsye kërkova studime të plota të rregullta në Konservatorin e muzikës në Tiranë, sot Universiteti Shtetëror i Muzikës, studime që i kreva me rezultate të shkëlqyera në vitin 1991-ë.
– Ju keni bërë debutimin e rolit kryesor të një prej operave më të famshme, -Tosca, Cavalleria Rusticana and Il Trovatore, në Tetarin e Operas e Baletit, në Shqipëri, në vitin 1991-1992. Më pas ju debutuat në role kryesore e të rëndësishme në Hungarian State Opera, duke përfshirë Manon Lescaut, Turandot, Il Tabarro, Il Lombardi dhe Amel. Si do t’i krahasonit këto eksperienca të jetës suaj? Besoj se nuk ishte e lehtë kjo shkëputje?
Pas një viti. pas premierës të operas Toska dhe pergatitjes së roleve kryesore nga Opera Trovatore dhe Cavaleria Rusticana, fitova të drejtën e specializimit të plotë pasuniversitar në Akademin e Muzikës -Ferenz Liszt- në Budapest. Qysh në provimet e vitit të parë komisioni vendosi që unë të ushtroja kanton si solist në Teatrin e Operas të Budapestiti dhe pas tre vitesh studimi, në vitin 1995 unë u emërova si solist me kontratë të plotë në Teatrin Kombëtar të Operas në Hungari.
Këtu filloj karriera ime ndërkombëtare ku pas interpretimit në kryerolet e operave; Toska, Manon Lescout të Pucinit, Il Tabarros, I Lombardi etj, me ftesë të Tetrit të Operas së Australisë së Jugut unë udhëtova drejt kontinentit të largët. Sapo kisha vënë këmbët në një skenë prestigjoze dhe me një familje te re nga pas, me djalin e vogël dhe bashkëshorten u nisëm për një jetë të re….
Por fati sic dukej ishte me mua.
Dirigjenti legjendar Richard Bonynge, zbuluesi i Pavarotit të madh dhe bashkeshorti i sopranos legjendare Joan Sutherland, që drejtoi produksionin, u shpreh se në jetën e tij, bashkëpunimi me Agim Hushin kishte qenë zbulimi më i madh në jetën e tij.
Suksesi i Manon Lescout ishte i jashtëzakonshëm dhe bashkë me partneren time Laura Niculesku, ne u quajtëm kasti më i mirë në botë.Dhe nga Opera e Adelaide-s, Opera famoze dhe e magjishme e Sydnei-t hapi dyert për mua dhe bashkë me të skenat prestigjioze të botës mbarë. Në Australi m’u bënë të gjitha vlerësimet e mundshme, tituj nderi, qyetar Australian me motivin talent botëror, më krahasuan me Beniamino Giglin dhe me quajtën tenorin më të mirë të kontinetit për 70 vite. Ka qenë një udhëtim igjatë, i bukur, i lodhshëm, shpeshherë dhe me zhgënjime por rruga e artit është padyshim një kompleks ndërthurjesh, që gjithsesi në fund i ngjajnë bukurisë së një meteori në qiellin e një nate vere.
-Që do të thotë se kini bashkëpunuar me një sërë orkestrash të huaja. A ishte e vështirë të bashkëpunoje me to? Cilat kanë qenë çastet më kulminante të kësaj karriere?
Prej tetë vitesh jam vendosur në kryeqytetin e muizkës Vienë, bashkë me familjen.
Prej këtu e kam më të lehtë të udhëtoj në cdo cep të botës dhe Europës. Po ashtu të këndoj edhe në Tiranë ku kam pasur fatin të jem Radamesi i parë shqiptar, Kalafi i parë shqipatër, Kavaradosi i parë shqiptar dhe Manrico i produksioneve historike të TKOB në operat -Aida, Turandot, Tosca dhe Trovatore. Kina është padyshim shpirtërisht atdheu im i dytë pas Shqipërisë, bile para Australisë shtetas i të cilit jam. Në Kinë e kam ndjerë veten jo vetëm i mirëpritur, i respektuar por dhe i vlerësuar maksimalisht.
Universiteti i Qingdaos më ka dhëneëtitullin Profesor Nderi.
Kam dhënë koncerte në Qingdao, Tianjing, Peking, Harbin…
Kam dhënë orë mësimi Master, në shumë qytete dhe kam studentë të shkëlqyer kinezë që jo vetëm më duan dhe respektojnë, por dhe më ndjekin nëpër koncertet e mia nëpër botë.
Janë studentë të shkeëlqyer, me shpirt të madh si kombi dhe kultura mijëra vjecare që ata përfaqësojnë.
-CD juaj Amore Grande është konsideruar si një sukses sot. Si kini arrituar në realizimin e saj?
Mund të them pa frikë se Amore Grande është ngjarja më e bukur e jetës time.
Një grumbullim përvoje shumë vjecare, një akumulim shpirtëror i dhimbjeve dhe gëzimeve të jetës sime, i ëndrrave dhe zhgënjimeve të mija humane dhe artistike, i përvojës time vokale dhe i maturitetit tim muzikor e profesional, i një përvoje njerëzore në të gjithë dimensionet e saj, duke patur para sysh lëvizjet e mia nëpër botë si këngëtar operistik dhe si banor i Budapestit, Adelaides, Sidneit, Singaporit, Kuala Lumpurit, Mynihut, Milanos, Vienës, Londrës, Parisit, Tiranës…Amore Grande erdhi si një fryt i ëndrrave të mija që, nga ato ditë të largëta të fëminisë time të varfer, tek dëgjoja i mahnitur atje në shtëpine time përdhese, në Kavaje, mrekullinë e zërit te Di Stefanos, Tito Skipos, Ferrucio Tagliavinit.
Atje në qytetin tim të varfër un dëgjova për herë të parë edhe Franko Korelin: mësuesin tim të ardhshëm, Pavarottin, Domingon, Carreras.
Megjithëse ëndrrat e mija të karrierës ishin kthyer në një realitet të prekshëm të jetës time prej tenori. Në pjesën më të madhe të tyre, dalja me një CD-ë timen për publikun botëror vazhdonte të qëndronte para meje si një sfidë edhe më e madhe se vetëe Sydney Opera House apo edhe se role të tillë si Radamesi, Deus Grieux, Manrico apo Calafi, Turiddu apo Canio; kryerole të tenorit që unë i kisha kënduar me shumë sukses në skena të mëdha e të vogla, por i vlerësuar maksimalisht dhe gjithmonë i krahasuar nga publiku dhe kritika me tenorët më të mëdhej të botës.
Amore Grande erdhi gjithashtu si një kërkesë e kohës tonë, për të plotësuar atë nevojë të dashamirësve të artit të belkantos, që sot, cdo ditë e më shumë po zëvendësohet me një stil të kënduari të thatë, ku skrupuloziteti teknik dhe matematik i muzikës po dominon mbi kantilenën dhe vetë mesazhin shpirtëror të pjesës muzikore.
Dhe në një farë mënyre nuk kishte si të mos ndodhte ai reagim pozitiv që erdhi, me gjithë frikën dhe ankthin tim të natyrshëm të fillimit, pas tërë asaj pergatitje kolosale të studimit të repertorit, stilit, detajit artistik të cdo pjese; të një orkestre aq të shkëlqyer si Neë Europe Simfonik Orchestra dhe punës së jashtëzakonshme të dirigjentit austriak Andrija Pavlic.
Richard Winter, President i Gramolas, shtëpisë më të vjetër diskografike në Austri ishte i pari që pasi dëgjoi CD-në, më telefonoi i pari në Vjenë, i entuziasmuar.
“Për mua, megjithëse kam 50 vjet në biznes, CD-ja tuaj -Amore Grande- është vazhdim i denjë i asaj mënyre të interpretuari dhe arti i të kënduarit, që u ndërpre diku në ditët më të mira të Di Stefanos. Ka kaq shumë emocion dhe art në zërin tënd.”
Ai përmendi dhe një numër tenorësh me emër që këndojnë sot nëpër botë, por mua s’më interesonte asgjë përvecse të dija c’mendonte për *Amore..*-n time. Këto fjalë më emeocionuan pa masë dhe z. Ëinter, më kërkoi që të lejoja t’ia dërgonte CD-ë, mikut të tij Zotit Hayman, pronarit të Naxos, në Hong Kong. Por unë i thashë Zotit Ëinter, vjenezit fisnik, se do t’i jepja eskluzivitetin Gramoles në Austri, por i shpjegova se ia kisha lënë në dorë menaxherit tim në Berlin, z.Richter t’i gjente vendin e duhur Amore Grande-s, ndërkohë që edhe Deutche Gramaphone and disa kompani sollën vlerësime të jashtëzakonshme.
Mund të them se kush e ka dëgjuar *Amore Grande*, janë shprehur maksimalisht dhe pothuajse të entuziasmuar për të.Kam marre mesazhe të panumërta nga shumë prej tyre që e kanë dëgjuar CD-në time.
-Dhe gjatë kësaj karriere mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoz apo i lodhur?Është e vërtetë se të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën dhe të njëjtin motivim për punën e tyre?
Në historinë e incizimeve, unë gjithashtu kam bërë për herë të parë një gjetje artistike që hap CD-në, si një parathënie, një bashkëbisedim muzikor i këngëtarit me dëgjuesit e tij.
Dhe aty unë theksoj me fjalët e mija nën shoqërinë e një muzike gati hyjnore, faktin se Amore Grande, ka si qëllim të sjelli më shumë dashuri tek secili prej dëgjuesve.
Të sjelli më shumë dashuri në cdo shpirt, të zbusi sa më shumë dhimbje e të frymëzoj sa më shumë humanizëm ashtu sikundër në thelb e duam dhe e ëndërrojmë të gjithë realitetin në të cilin jetojmë. Në një botë kaq të agrivuar si kjo e jona sot, jo vetëm ekonomikisht, por dhe me luftra e urrejtje, kur edhe artit të vërteë po ia zenë vendin shitsat e shpirtrave dhe menaxherët biznezmen, ku pak ose aspak mendohet për vlerat e vërteta dhe për efektin shkatërrues në shoqërinë njerëzore, që shkakton mungesa e edukimit shpirtëror, sentimental, ndjenja e së bukurës reale, Amore Grande vjen si një apel për shërim shpirtëror të botës, që po jetojmë dhe një rikthim në vlerat e artit të vërtetë.
Njerëzit me gjithë hallet e tyre, kanë nevojë më shumë se kurrë për artin e madh që e bën shpirtin njerëzor, jo vetëm më të bukur, por dhe më të arësyeshëm, më rezistent ndaj agresionit mediatik, ku e vërteta ka pak rëndësi para fitimit dhe parasë.
Amore Grande shpreh gjithashtu dashurin time për gjithcka kam dhënë dhe kam bërë në këtë CD-i, dhe sheh me sytë e shpirtit tim këtë botë kaq të bukur, ku jetojmë dhe dëshirën time të sinqertë, për të jetuar të gjithë dhe kudo në harmoni.
Amore Grande është një amalgamë i fuqishëm emocionesh pozitive që bashkë me momentet sentimentale, ndoshta dhe me ca pika lotësh, sjell forcë dhe rizgjim për cdo shpirt njerëzor të fjetur.
-Cili është sekreti i suksesit tuaj profesional në jetën e përditëshme? Jeni vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare? Sa ndjeheni i vlerësuar për punën tuaj, dhe cfarë do të thonë cmimet për një artist, si Ju? Kanë thënë për tenorin Agim Hushi…
Të jem i sinqertë me ju, reagimet e para për CD ishin kaq befasuese sa ato nuk kaluan as vëmendjen e zyrtarëve të rrangjeve të ndryshme.
Ishte ideja e menaxhmentit tim që t’ia dërgonte edhe disa personaliteteve botërorë, CD-në, si dhuratë, nisur nga fakti se CD-a në vetëvete ishte një arritje e nivelit botëror.
Dhe reagimi s’vonoi.
Kam marrë letra dhe vlerësime me fjalët më të bukura dhe mjaft prekeëse nga Giorgio Napoletano, Kancelarja Merkel, Elisabeta e II e Anglisë, Fisher, Barrosa.
Janë shumë dhe nuk mbahen mend të gjitha. Nga mesazhet më të bukura mund të rendis atë të gazetares Anila Basha, që tha se nëse doni ta jetoni jetën më bukur dëgjoni *Amore Grande* të Agim Hushit. Më lejoni t’i referohem një burri të mëncur dhe artdashës shkodran, një artist dhe hulumtuesi të artit dhe historisë së Moisiut dhe Diasporës këtu në Vjenë, z. Pjetër Logoreci. Ja cfarë shkroi ai në Face Book-un, e tij:
“Agim, nuk pushoj së ndigjuemit diskun, ska të numrueme sa herë e kam vu në I-pod dhe zani jot asht frymëzimi i ditës, pranvera e cilun nëpër sythat e pemëve, flladi i lehtë qi peërkund valët e Danubit, gëzimi e dashnija për familjen, kanga e zogjve të prandverës qi vjen e shtohet. Nuk di ma c’ka me shkru; DISKU YT ASHT NJI VULLKAN NDJENJASH, PASIONI E MIRËSIET! I lumi ti për këtë vepër madhështore qi ka me mbet’ në historinë e muzikës. Ke arritë majat, të tjerët janë tanë mbas tejet.” Kuptohet cfarë ndjen një artist kur lexon si vlerësohet kënga e tij, kur zëri dhe mesazhi tij shpirtëror kthehet në një impakt të fuqishëm emocional, frymeëzues tek deëgjuesit e tij. Mesazhit të Robert Brandshtoter, drejtorit të Viena Konservatorium që më tha: “Kjo është CD-a e parë në jetë, që e kam dëgjuar dy herë familjarisht pa e ndaluar për asnjë moment. Ndërsa Deuthche Gramafone e ka quajtur një lumë i furishëm ndjenjash. Janë vërtet shumë mesazhe. Pa dashur të bëj modestin, ju siguroj se cmimi më i madh për artistin janë njerëzit e zakonshëm cdo ditë, kudo ku më takojnë dhe më shprehin mirënjohjen dhe vlerësimin e tyre për artin tim.
Nuk ka cmim më të madh se sa kur njerëzit pavarësisht dekoratave apo vlerësimeve formale luajnë CD-në tënde në shtëpia, në makinat e tyre…
Sigurisht që dhe vlerësimet institucionale janë shprehje të vlerësimit zyrtar dhe nuk mund të rrij pa falenderuar në këto momente Presidentin Bamir Topi për cmimin Mjeshtër i Madh, Bashkinë e Kavajës për titullin Qytetar Nderi, Kryeministrin e Australisë për titullin Emerging Artist of the Year 2000, Fondacionin Jean Potter për Titullin e Karrierës, Universiteti i Qingdaos në Kinë për Titullin Professor….
Cdo titull është një vlerësim, por dhe një mirënjohje nga ana ime, që me kalimin e kohës vec rritet për të gjithë ata persona të mëdhej dhe institucione që nderuan kaq shumë punën dhe arritjet e mia.Por s’mund ta fsheh se Titulli Qytetar Nderi nga qyteti im, Kavaja është gëzimi dhe nderi më i madh, që i është bërë jetës dhe arritjes time profesionale…
-Ju gjithashtu keni debutuar në Australi, Zelanda e Re, , Kinë, SHBA, Malajzi, Singapor, Brunei, Dubai, Hungari, Gjermani, Rusi, Sllovenia, Maqedoni, Kosovo, Kroaci, Cekosllovaki, Rumani, Bullgari, Francë, Greqi, Qipro, Danimarkë, Itali, Spanjë, Brtani, Zvicër, Shqipëri dhe Austri. Besoj se nuk ishte e lehtë kjo shkëputje?
Padyshim cdo koncert apo evenimet artistik sado i vogël apo i madh qoftë ai ka vlerën e tij unike.
Njohja me kultura të ndryshme, takimet me liderë dhe personalitete të ndryshme të botës i kanë dhënë karrierës time jo vetëm larmi por dhe e kanë pasuruar atë. Kam lënë gjurmë në Malajzian Lirik Opera në produksionin e parë historik të kësaj kompanie, duke kënduar dhe marrë vlerësimet maksimale me Operan Toska, në rolin e Kavaradosit, ku ka qenë i prënishëm dhe ambasadori shqiptar i asaj kohe në Kuala Lumpur, z.Hajdar Munekaj dhe mbase kjo ka qenë ngjarja më e bukur e jetës time.
Kam kënduar me gjithë shpirt dhe kam marrë jo vetëm duartrokitjet, por dhe vlerësimet e maksimale nga mijëra spekatorë nëpër botë dhe kritikët janë shprehur me nota maksimale kudo ku kam interpretuar.
Të këndosh për njerëzit, të lëvizësh shpirtin e tyre, është dicka që vetëm forca religjioze e Zotit dhe e Artistit të vërtetë mund ta bëjë.
Kudo ku kam shkelur kam dhënë nga shpirti im dhe kam marrë urime nga e gjithë bota.
Në Manila, ku isha si i ftuar i Gloria Arroja, jam mahnitur, kur pas koncertit tim presidentja në darkën e shtruar me këtë rast më tha se dramaturgu më i madh filipinas, -Sheksipiri Filipinas- emrin e të cilit për fat të keq nuk e kujtoj. Disa nga ngjarjet e dramave të tij i kishte me subjekt nga Shqipëria.
– Në cdo lloj karrierë –nënkuptoj karrierën tuaj në botën e artit e të muzikës operistike, keni menduar ndonjëherë se do të ishte më mirë të zgjidhje një karrierë tjetër? Cfarë nënkupton shpirtërisht dhe në karrierë Australia për Ju?
Jo. Asnjëherë s’kam menduar se kam gabuar në zgjedhjen time.
Artin e Operës e kam dashur dhe punën me zërin e konsideroj si një nga misteret më të mëdha dhe ende të pazgjidhura të qenies njerëzore, me hapësira dhe potencial të jashtëzakonshëm ende të paeksploruar plotësisht.
Australia është vendi që kurorëzoi ëndrrat e mija së pari për një jetë më të mirë për mua dhe familjen time.Vendi që më bëri shtetas të saj për 9 muaj me motivin ‘Talent botëror’, vendi që më dha nderet dhe ato mundësi të jetoj me dinjitet si qenie njerëzore, por dhe si artist, duke punuar në një nga operat më të bukura të botës, Sidny Opera House dhe me personalitete botërorë si Richard Boninge apo bashkëshortja e tij legjendare Dame Joan Sutherland që u bënë edhe miqtë dhe përkrahësit e mij më të mirë në kontinentin më të largët. Cdo ditë që kam jetuar në Australi është e mbushur me kujtimet më të bukura ne skenë, me njerëzit e mrekullueshëm dhe natyrën magjepëse të saj.
Si e shihni kritikën a artit sot për sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë? Në opinionin tuaj si muzikant,qytetar dhe intelektual, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe ato ndërkulturore? Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë edhe si shoqëri njerëzore
Është e vërtë kjo, megjithëse ka një relativitet në cdo vlerësim ashtu si dhe subjektivitet.
Por duke u nisur nga kriteret e vlerësimit profesional të vokalit nuk është e vështirë për një specialist të vërtetë të dalloj një tenor të madh nga një tenor i zakonshëm apo dhe mediokër, që paguan për të bërë zhurmë të madhe në media e kudo…
E të tillë sot në botë ka plot, që paguajnë të ashtuquajturit menaxhere dhe kompani PR, për t’u bërë reklamë dhe krijuar emër.
Por zhurma dhe emri në fund zbehen dhe ajo që mbetet është vetëm zëri…
Sot bota nuk është më ajo e dikurshmja.
Është sofistikuar biznesi dhe ia ka zënë vendin e vlerave reale me vlerën e fitimit…
Është fat që unë vazhdoj të këndoj kur në fakt me cilësitë e mija vokale konkuroj pikërisht me ato më të mëdhenjt për të cilët kompanitë e mëdha bëjnë investime kolosale për emrin e tyre.
Mjafton të degjoni disa nga linket e mia në youtube me disa nga emrat që mbahen për të mëdhenj sot në boë dhe mund të nxirrni edhe vetë përfundimin, pa qenë domosdoshmërisht specialist i mirëfilltë, se kush është Agim Hushi.
Ka plot nga ata që e thonë me zë të lartë këtë, artistë shqiptarë që kanë punuar me mua, kritikë dhe artistë të huaj, specialist.
Por gjithsesi, për fat Shqipëria dhe bota e artit operistik vazhdon të ushqehet me ushqim PR, që kalon nga dyert e pa specializuara të redaksive të gazetave dhe të rubrikave kulturore. Do duhet kohë që njerëzit të dallojnë tingullin e vërtetë përtej zhurmës së paguar.
Personalisht ndihem plotësisht në paqe me vehten dhe arritjet e mija dhe mbi të gjitha e dij shumë mirë se kush jam dhe cilat janë vlerat e mija.
Mendoni në të ardhmen të riktheheni në Shqipëri?
Unë në Shqipëri kam filluar karrierën time, shumë i ri dhe është normale, që të kontribuoj për atdheun tim. Jam i bindur se do të kthehem një ditë në atdhe i mirëpritur nga publiku im, që më ka ndjekur dhe duartrokitur ndër vite.
-A jeni duke punuar në ndonjë projekt tani-për –tani? A mund të na jepni ndonjë informacion në lidhje me të?
Janë vërtetë shumë!
Unë nuk jam supersticioz, por s’më pëlqen të flas për ato që do të bëj, por për ato që i kam bërë.
Mund tju them se koncertet nëpër botë, një CD tjetër me ariet më të bukura për tenor, të kompozoj, të përfundoj librat e mijë master klasat, të hap ekspozitën e parë të piktures.
Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: AGIM HUSHI, QE MAGJEPS SKENAT BOTERORE, Raimonda Moisiu, ZERI I MREKULLUESHEM

MBRTERESHA ,LA DIVINA HYJNORE, E MAGJISHMJA INVA MULA

February 7, 2015 by dgreca

Intervistë e Raimonda Moisiut me Sopranon Lirike, Artisten e Shquar me famë botërore,Inva Mula/
Bota e Operës është një piramidë gjigande, ku shumë pak arrijnë të kapin majën e e saj. Madhështore po aq edhe magjepsëse, të intepretuarit në stilin klasik, madhështia e talentit dhe kredencialeve të arritjeve dhe sukseseve të saj, e kanë rradhitur Artisten e Shquar shqiptare, Sopranon lirike operestike, Inva Mula, këtë artiste, në krye të Epokës së Artë të Sopranove të shquara me famë botërore. Kritikët e artit dhe të operas në Shqipëri dhe në mbarë botën e kanë vlerësuar teknikën, vokalin, zërin dhe intepretimet dramatike të saj, si nga më të talentuarit e profesionalë. Repertori i Artistes Shqiptare me famë botërore shkon nga veprat klasike të Verdi-t dhe Pucini-it, George Bizet, etj. E lindur, rritur dhe edukuar nga dy prindër artistë dhe muzikantë, Inva Mula e filloi karrierën si soprano që në moshë fare të re. Në lidhje me teknikën e zërit që në moshën 16 vjecare, ajo ka marrë mësime në piano dhe ka studjuar muzikën seriozisht. Në vitin 1987-ë ajo fitoi konkursin e Cantante d’Albania në Tiranë dhe në 1988-ë fitoi kompeticionin George Enescu në Bukuresht. Në vitin 1992 ajo fitoi një tjetër kompeticion Butterfly në Barcelonë, duke u vlerësuar me Cmimin të Placido Domingo në Operalia International Opera në Paris, 1993-e. Ndër vitet më pas Inva Mula debuton krahas tenorëve të famshëm në Opera Bastille në Paris, në Bruksel për Europalia Mexico, në mynih dhe në Oslo. Në 1996-ë, ajo interpretoi në Opera Médée, të Luigi Cherubini-dhe ju rikthye operës së George Bizet, La Jolie fille de Perth, dhe në vitin 1998-ë ajo incizoi La RONDINE të Pucini-t, së bashku me Angela Gheorghiu për EMI, dhe në 2005-ën, ajo mori rolin kryesor atë të Magda-s, gjatë cfaqjeve në Tuluzë dhe Paris. Artistja Shqiptare do të interpretonte versionin klasik të Ivan IV-t të George Bizet- me debutimin e saj recital, në Salle Pleyel në Paris. Më pas ajo debuton në Itali , duke përformuar Falstaff të Verdi-t në Teatro Alla Scala dhe Rigoletto në Verona Arena. Inva Mula ka intepretuar në Lucia di Lammermoor, La Boheme, dhe Manon, ndër të tjera. Ajo është shumë e njohur dhe e famëshme si Violetta në La Traviata, jo vetëm si roli i parë në TOB, por do të ishte ky rol që i hapi dyertë e shumë Teatrove botërore dhe për shumë vite unë ka interpretuarViolettën, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit operistik të saj, duke e interpretuar këtë rol në shumë qytete e shtete në mbarë botën, duke përfshirë Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto, por që i dha edhe famën Artistes Shqiptare. Në vitin 2007-ë, ajo interpretoi , Adina në operën L’elisir d’amore në Tuluz, dhe në 2009 ajo interpretoi rolin kryesor të Mireille e Gounod-së në Opera e Parisit, Palais Garnier. Ajo gjithashtu është e njohur duke përformuar zërin e Diva Plavalaguna në film Fifth Element.Artistja Shqiptare nuk ndalet! Ajo vazhdon të debutojë në skenat prestigjioze botërore. Talenti i saj muzikor, i kanë dhënë asaj vlerësimin në botë si La DIVINA-Hyjnore! Në këtë intervistë –që unë e quaj veten me fat e të privilegjuar të intervistoj një Artiste të Shquar me përmasa botërore,-Inva na rrëfen se cilat janë dashuritë e dhe sukseset e saj. Për më shumë ndiqni intervistën
Bisedoi Raimonda MOISIU /
-Përshëndetje, më pëlqen të jem e drejtpërdrejtë me Ju. Ju jeni tashmë një prej sopranove me popullaritet botëror dhe më të mira shqiptare, që po debutoni me shumë sukses në skenat europiane, botërore dhe sigurisht ato të origjinës, shqiptare. A është karriera gjëja më e rëndësishme në jetën tuaj?
Edhe unë për të qenë e drejtpërdrejtë, dëshiroj të them se dikur kam menduar që karriera ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Unë nuk egzistoja si person, por ajo që unë ndërtoja artistikisht ishte, qenia ime etj. Etj. Kur mendoj tashmë sa larg të vërtetës sime kam qenë, më vjen të buzëqesh me veten.
Në fakt një artist në vitet e para të suksesit duhet t’i kaloj këto faza, por ka kolegë, që nuk e kalojnë asnjëherë këtë fazë, ndërsa une jam e cliruar nga kjo ndjenjë narciziste, e cila i ka lënë vendin egzistencës time personale dhe përparësive që unë kam zgjedhur në jetë.
-Na tregoni dicka për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një sporano e bën të jetë e vetëdijshëme, se si ka qenë zëri i saj, dhe kur keni filluar të këndoni?
-Historia ime ka qenë e ndryshme, duke qenë se edhe prindërit e mij, ishin këngëtarë operistikë. Fillimisht doja të bëja si nëna ime dhe si gjithë fëmijët, të cilët kanë dëshirë të imitojnë. Bëja të njëjtat ushtrime dhe pjesë nga arjet që këndonte mamaja deri në momentin kur një ditë ata më thanë nëse do vërtetë të bëhesh këngëtare lirike duhet të mësosh teknikën vokale. Nëse jo, do ngelesh në nivel amator dhe kjo nuk mjafton për t’u bërë dikushi në jetë!
– Ju keni bërë debutimin e rolit kryesor të një prej operave më të famshme,(vendos titullin e operes e dashur Inva ) në TOB –Kombëtar –Tiranë dhe në disa shtete të Europës e gjetiu në botë,.Si do t’i krahasonit këto eksperienca të jetës suaj?
Në fakt roli im i parë në TOB ka qenë Violetta në La Traviata dhe po ky rol më ka hapur dyertë e shumë Teatrove botërore dhe për shumë vite unë interpretoja Violetten, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit operistik. Nëse nuk do t’i kisha hedhur këto hapa të parë të ndrojtura, por me entuziazmin e një 22 vjecare në TOB, nuk besoj se do kisha sigurinë ta interpretoj këtë rol në Scala të Milanos, në Arenën e Veronës, në operën e Parisit në Coven Garden të Londrës etj etj. Dhe besoj se po të këndosh në këto maja të teatrove operistike, e kupton që sa afër dhe sa larg është suksesi. Larg kur nuk e ke akoma , afër kur e përjeton, por gjithmonë me dyshimin nëse je në një ëndërr, të paktën kështu kanë qenë përjetimet e mija .
Për kohë të gjatëka qenë roli i Violettës roli im i preferuar për forcën e madhe dramatike dhe faqet e shkëlqyera muzikore që Giuseppe Verdi i ka gdhendur këtij personazhi.
-Kush janë disa nga sopranot e shquara nga Epoka e Artë e operistikës botërore, në rregjistrimet e të cilave ju gjeni veten?
Unë dëgjoj shumë dhe mundohem të frymëzohem nga shëmbujt më të mirë. Kur jam përpara një roli të ri, e dëgjoj në shumë variante dhe nxjerr mësime nga të gjithë. Kam shumë këngëtarë të preferuar. Por ajo që të mëson vetëm nga mënyra se si këndon pa e parë, është Mirella Freni dhe e kam patur gjithnjë si një pikë referimi .
-Mekanizmi tuaj debutues është mbresëlënës. Në cfarë moshe keni filluar të mendoni në lidhje me teknikën, si ta përmirësoni atë,-dhe cila nga këto mekanizma në kulturën tuaj muzikore është më e vështirë për Ju?
Në lidhje me teknikën e zërit kam filluar në moshën 16 vjecare, por që e vogël kam marrë mësime në piano dhe kam studjuar muzikën seriozisht. Nëna ime ka qenë shumë rigoroze dhe si një profesioniste nuk mund të linte që unë të edukohesha muzikalisht vetëm për argëtim. Ka patur momente kur dëgjoja zërat e shoqeve të mija që luanin në oborr dhe unë duhet të luaja ushtrimet e pianos pa lëvizur nga vendi. Po ju them se kjo nuk është aspak e lehtë për një fëmijë, por vendimtare për një artist të ardhshëm .
-Dhe gjatë kësaj karriere mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo e lodhur?
Të ndjehesh nervoze apo e lodhur është pjesë e lojës dhe nuk mbaron vetëm me kaq !
-Është e vërtetë se të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën dhe të njëjtin motivim për punën e tyre? Sa individualizëm mund të përballojnë orkestrantët?A ju motivojnë ata? Si e gjeni ekuilibrin e duhur mes përformancës individuale dhe përformancës të orkestrëës?
Nuk di të them nëse të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri dhe passion. Kjo varet nga individi, ashtu si dhe në jetë nuk jemi njësoj mendoj. Njerëzit e një profesioni nuk mund të jenë të tillë.Kur jam në skenë mendoj gjithnjë: Ç’e shtyn një artist të përballojë sfidën e përgjithësisë dhe kush ja jep këtë forcë për të përballuar sytë dhe veshët e mijëra spektatorëve, të cilët fokusohen në një “trim të vetëm në fushën e betejës”, ndërsa muzikantët e orkestrës ndajnë përgjithësinë e grupit dhe ekspozimi i tyre nuk është i kësaj përgjithësie natyrisht.
-Një nga aspektet më interesante të punës tuaj duhet të jetë me siguri sfida e koordinuar mes këngëtarëve të operës dhe aktorëve. Cili është sekreti i komunikimit të ideve tuaja me ta në një vepër operistike?
Një këngëtar operistik duhet të jetë dhe një aktor i mirë. Sot nuk mjafton vetëm një zë i bukur, por një artist i kompletuar. Gjithnjë e më shumë kërkohet nga regjizorët një “aktor që këndon bukur” dhe jo një këngëtar që aktron, pasi janë kërkësat e tilla. Madje kërkohen dhe këngëtarë operistik me fizik të mirë, nuk mjafton vetëm zëri i bukur në një botë arti kaq kompetitiv .
-Si arrini ju të krijoni rolin me partnerët meshkuj në një skenë dashurie? A ka ndonjë mënyrë për të vepruar natyrshëm, që të vazhdoni ta mbani atë në nivelin profesional?
Pyetje që më bëhet për herë të parë në një intervistë, por që është shumë interesante për t’u shtjelluar. Më ka qëlluar të interpretoj një skenë dashurie me partnerin dhe nëse provat kanë filluar më përpara dhe të kem ardhur me vonesë, të mos dij as emrin e personit në fjalë. Në fakt kësaj i thonë të jesh në “pozitë të vështirë”. Por, qëllon të kesh partner një koleg, shok me të cilin ke interpretuar më parë dhe ti kalosh këto momente në mënyrë sportive.Vërtet vjen një moment që ti harron se kush je dhe futesh në petkun e personazhit, kështu kalon dhe momenti i ndrojtjes, duke i lënë vendin profesionalizmit. Është vërtetëgjuha e trupit dhe personazhi që rilind në personin tënd, i cili futet në kontakt me ngjarjen dhe raportin me të tjerët, të bën të harrosh kush je dhe cilën epokë apo ngjarje je duke përjetuar.
-Do doja t’iu pyesja se në ç’raport është lidershipi i sopranos me muzikën simfonike kundrejt asaj operistike? A keni më shumë liri në interpretim?
Të interpretosh një personazh operistik dhe të jesh në skenë ne versionin koncertal janë dy këndvështrime të ndryshme. Sigurisht në versionin e dytë ke lirinë, për të krijuar një spektakël pa petkun e personazhit, kështu ti krijon dhe jep në njëfarë mënyre më shumë nga vetvetja .
-C’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike në Shqipëri? Cfarë do të dëshironit të kishte bota shqiptare nga kultura muzikore e atyre vëndeve të huaja ku ju keni debutuar, vecmas e Parisit?
Arti dhe kultura i një kombi shkon paralel me zhvillimin e tij ekonomik. Kur sot në Shqipëri akoma diskutohen dritat, uji, rrugët nuk mund të pretendojmë që lulëzon arti. Fatkeqësisht ne diskutojmë sot për probleme egzistenciale, për shumicën e popullsisë, por nuk mund të mohojmë arritje të individëve të talentuar, të cilët nuk i kanë munguar dhe i mungojnë kombit tonë. Sot të jesh artist në Shqipëri dhe të paguhesh si i tillë, është shumë larg asaj që duhet, prandaj dhe shumë syresh i janë kthyer artit komercial , që është për të mbushur mbi të gjitha barkun. Problemet janë të ndryshme dhe në të gjitha fushat e artit, të diskutosh për to, nuk ke nga ta fillosh, pasi dhe zinxhiri i funsksionimit të dikurshëm të institucioneve artistike është prishur. Ajo që dhemb më shumë është se shteti nuk e ka në listën prioriteteve të tij mbështetjen e artit e anash kalon për t’i lënë vendin zhvillimit kaotik që po merr cdo hallkë e zinxhirit artistic. Nuk e di deri kur do vazhdojë kjo, por frytet e kësaj gjendje do t’i paguajnë brezat që do vijnë dhe do të jenë të pariparueshme konseguencat.
-Sipas mendimt tuaj, cfarë është qëllimi maksimal i Artit?
Definicioni im për Artin është: Liri e shpirtit për ta shprehur atë në formën me sublime të krijimit të formës artistike .
-A jeni duke punuar në ndonjë projekt tani-për –tani? A mund të na jepni ndonjë informacion në lidhje me të?
Projektet janë të shumta në fushën e interpretimit, por ajo që për mua është tepër interesante dhe e vecantë është një bashkëpunim që do të kem në muajin maj me TOB për të interpretuar dhe vënë në skenë operën Pagliacci të kompozitorit italian Leoncavallo. Unë vij për herë të parë si regjizore e spektaklit, por e kam thënë dhe më parë, jo për të filluar një karrierë të re, atë si regjizore, por për të realizuar dhe konceptuar një produksion, i cili është frut i eksperiencës dhe vizionit tim të spektaklit nga fillimi në fund. Kjo do jetë një sfidë e re në karierën time dhe jam duke punuar fort për t’ja arritur qëllimit .
-Kur jeni ndjerë krenare për punën tuaj?Dhe pse?
Kur realizova koncertin Rrugëtimi i Kombit në 28 Nëntor 2012-ë, në Pallatin e Kongreseve, për rëndësinë e ngjarjes, por mbi të gjitha kushtet e vështira të realizimit të këtij projekti.
-Cfarë është dashuria për Ju, dhe kur e ndjen një grua se është e dashuruar!
Dashuria për mua është përjetim, i cili nuk përkthehet me fjalë. Nuk pres të ma japin dashurinë të tjerët, për ta ndjerë atë, si dhuratë, por jap në cdo moment dashuri nga e imja, për ta ndjerë që ajo egziston dhe atë që ti jep, të kthehet e shumëfishuar.
-Cfarë ju lidh me Kosovën, vecmas me Gjakovën? Po me Rusinë?
Kosava dhe Rusia janë dy vendet ky u lindën prindërit e mij dhe sigurisht unë si fëmijë jam rritur dhe me imagjinatën e këtyre dy vendeve të kulturave dhe gjuhëve të ndryshme dhe pa patur mundësinë për t’i vizituar në ato kohë. Thënë kjo në ambientin ku unë jam rritur, ëshëe folur për gjithshka dhe ka patur gjithnjë shumë hyrje dalje, shumë shoqëri, shumë miq, shumë festa. Kështu unë u rrita si një vajzë kryeqyteti, ku dhe nëna ime e donte pafund Tiranën megjithëse erdhi në moshën 28 vjecare, për mos folur për babain që ishte 16 vjecar kur zbarkoi në Tiranë .
Kur mendoj qëedhe unë u largova nga Tirana në mosheën 28 vjecare dhe vazhdoj të udhëtoj pafund nëpër botë pa gjetur akoma vend-qendrimin ideal, e kam vështirë të përkufizoj cfarë kam marrë dhe cfarë kam lënë nga “rrënjët e mija ”
Përsa i përket formimit tim artistik këtë ja dedikoj prindërve të mij, që më dhanë në radhë të parë dashurinë për artin, dijen për artin, sakrificën për artin, seriozitetin dhe profesionalizmin për artin dhe bënë që jeta ime falë artit të ishte më bukur dhe një ëndërr që jetohet cdo ditë.
-Sa ju mbështet familja në karrierën tuaj artistike?
ARTI është përkushtim. Shumë herë jam ndjerë në faj për kohën që nuk mjaftonte për t’u kujdesur për familjen dhe fëmijët e mij, por një gjë e di që perkushtimi im shpirtëror për familjen time është në të njëjtin intensitet, për atë që në jetë quhet ART.
Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: flet Per Diellin, Inva Mula, Raimonda Moisiu

Flet Pandeli Gëllci: Si ndërhynte Ministria e Brendshme në sportin e volejbollit

January 16, 2015 by dgreca

Intervistë me një nga korifejtë e volejbollit spektakolar të viteve ’70, ish-trajnerin historik të ekipit të volejbollit, “Skënderbeu” të Korçës, profesor Pandeli Gëllci./
Bisedoi:Raimonda MOISIU/
E kush nuk do të dëshironte të përligjte sot, të sillte në kujtesë, elitën e shquar historike të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e futbollit shqiptar, si legjendat, Arben Minga, Ilir Përnaska. Foto Strakosha, me armatën e tyre nga pas, apo në historinë e lojërave me dorë, për femra e meshkuj, si trajnerët historikë: Kreshnik Tartari, Pandi Gëllci, Vangjel Koja, Th. Kuke, apo legjendën Asllan Rusi e shumë të tjerë, të cilët, me mprehtësi e zell, talent e përkushtim, me njohuritë dhe eksperiencën e tyre ekstensive në taktikat e lojës -na dhanë volejbollin spektakolar të viteve ’70, një volejboll me përmasa jo vetëm evropiane, por në shkallë botërore. Me “fenerin internetik”, në dorë gjeta një nga këta korifenj të volejbollit shqiptar, aty – në Quincy Massachuset, USA, -bashkëqytetarin tim korçar, profesorin e nderuar Pandeli Gëllci, ish-trajnerin historik, të skuadrës së volejbollit, për femra: “Skënderbeu” të Korçës, me të cilin zhvillova një intervistë. Bashkëkombasit e tij shqiptarë e kanë cilësuar: “Shkolla e volejbollit shqiptar”, “Kollosi i Volejbollit, “Mbreti i Volejbollit” dhe ish-Presidenti Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i sportit shqiptar” Ndërsa të huajt: “Një nga trajnerët më të mirë që ka Europa”. Rusi Karpol: “Është vështirë të gjesh në botë një trajner kaq të talentuar që të dijë të stërvitë njëherësh fillestarë e të rritur”. Ndërsa amerikani Terry Condon -Head Volejball Coach, UMass, Boston: “Pandeli është një njeri jashtëzakonisht i përkushtuar me njohuri, plot talent e tregon një interes gjenial. Ai është një trajner ekstensiv”. Por mbi të gjitha profesor Pandi Gëllci karakterizohet nga një modesti e fisnikëri e veçantë. Cilat janë sakrificat, dashuria, pasioni për sportin e bukur të volejbollit, sfidat, konseguencat, mbijetesa, dhe si arriti ai ta ngrejë volejbollin korçar në lartësinë europiane e botërore, në një kohë kur Shqipëria ishte nën regjimin komunist dhe e mbyllur totalisht nga bota

-I nderuar profesor, së pari ju faleminderit që pranuat të intervistoheni. Kush është Profesor Pandeli Gëllci dhe diçka nga fëmijëria e juaj?

Kam dashur, dëshiroj e do të dua që për fëmijërinë time të theksoj: Qarjen e parë, të ardhjes në jetë e lëshova në Korçë, duke përkëdhelur gëzimin e dy prindërve të mi, Dhoksi e Vasil. Vdekja shume shpejt, pas lindjes sime, e babait tim, më çoi në Dardhë, fshatin e mamasë, për të zgjidhur vështirësitë e jetës ekonomike të kohës. Kështu gjatë 13 viteve të fëmijërisë, përfshi edhe pubertetin u ndodha, jo vetëm në kudhrën autoritare të dashurisë, sakrificës, punës së gjithanshme dhe të shumëllojshme, predikimit fetar, këmbënguljes, pranimit të së vërtetës, dhe kundërshtimit hapur të së keqes, nga ana e mamasë sime, por edhe në dhuratat intelekt-formuese -organizuese të komunitetit të Dardhës. E kam për nder që të mësuarit tim filloi dhe hodhi shtat në shkollën moderne të këtij fshati, nën drejtimin e mësuesve fshatarë dhe nxënësve, -zor që e njihnin grindjen. Ky formim, ishte stimulimi i prezantimit në shoqërinë e Korcës, së lindjes, në të cilën përparova si një nxënës dhe një aktivist i shumanshëm, midis tyre edhe i sportit. Kam mbaruar Institutin e Lartë Pedagogjik, në Tiranë, në vitin 1957, u diplomova si mësues i gjuhës ruse, kam qenë pedagog dhe zv/drejtor në Pogradec, më vonë pedagog dhe zv/drejtor në shkollat e mesme të qytetit tim, Korçës, e më vonë në Institutin e Lartë Bujqësor, Sot Universiteti Fan S. Noli.
-Ndonjë kujtim nga jeta e shkollës së mesme apo e lartë?

Kam shume kujtime nga shkolla e mesme. Do ju përmend njërën, që më ka mbetur në kujtesë. Flitej se midis Korçës e Shkodrës, ruhej një miqësi e vjetër. Kjo edhe në linjën e sportit. Në vitin 1952, nëntor-dhjetor, kam qenë dëshmitar dhe aktor i një prezence të tillë mbresëlënëse. Në muajin nëntor erdhi në Korçë një ekip i gjerë e kompleks i shkollave të mesme të Shkodrës. I pritëm shumë mirë, duke zhvilluar aktivitete sportive, biseda, veprimtari të tjera argëtuese. Unë u aktivizova në basketboll dhe volejboll. Ishte kënaqësi e madhe. Fushat u mbushën me nxënës e qytetarë. Mezi pritej kthimi i vizitës. Ajo u vendos në ditët e fundit të dhjetorit. Megjithëse pragu i vitit te ri, ne e ndjemë veten si në shtëpinë tone. Ndeshjet u shoqëruan me vizita të ndryshme. Në to gufonte jo thjesht përpjekja për fitore, por solidariteti i ndërsjelltë në mënyrën e realizimit. Ndërsa për jetën e shkollës së lartë do të doja të kujtoja dhimbshëm një moment, të ndryshëm nga i pari. Shumëkush e dinte që unë dëshiroja të ndërroja fakultetin për diferenca në vite, që kishte mësimdhënia e kësaj lënde në Korçë. Mos pranimi i kërkesës më bëri të mbyllem në vetvete e të pasigurt, mbasi unë vija aty me cilësi studimi shumë të mira. Ndërsa iu vura rusishtes, duke neglizhuar lëndët e tjera, një pjesë e kolektivit, më afroi dhe inkurajoi për aftësitë e mija. Shenjë vlerësimi shërbeu kalimi shumë i mirë i gjuhës shqipe me profesorin kompetent por edhe rigoroz.

-Si trokiti te ju dashuria për sportin, në mënyrë të veçantë pasioni për volejbollin?

Fshati Dardhë ka patur vlera të gjithanshme. Me lojërat e verës, ajo na bëri të shkathët, me ato të dimrit na bëri të fortë, të guximshëm, dhe rezistentë. Në Korçë unë spikata në përdorimin e “hekurushkave”, në tatëpjetën e rrugës së ngrirë prej nesh. Me rritjen në moshë, lindi mundësia e përdorimit të skive. Ndërsa çdo ditë luaja futboll, shpesh herë merresha me volejboll. Të luajturit volejboll, më ka joshur qysh në klasën e tretë të shkollës fillore. Mësuesi ynë Dh. Kere ishte i pari që na njohu me rregullin kryesor të saj. Lënia e rrjetës gjithmonë në oborrin e shkollës dhe struktura e fshatit na ndihmuan që ta shfrytëzojmë si mjet argëtimi. Prandaj, me zhvendosjen time në qytetin e Korçës, që në shkollën unike, kam luajtur volejboll. Në vitin 1951, duke qenë në shkollë të mesme, kam marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar të Volejbollit, nën drejtimin e Mjeshtrit të Lojërave me dorë F. Meka. Në shkollën e lartë u aktivizova në tre sporte, por volejbollin e stërvita çdo ditë me shokët. Merrja pjesë në Skuadrën e Institutit të Lartë. Më vonë kur u formua skuadra “Studenti”, për herë të parë, luajta me të në kampionatin e kryeqytetit. Duke qenë në prag të profesionit të mësuesit, mendova se mjeti më i mirë për të mësuar nxënësit lëndën, që do u jepja, do të ishte ngritja e një ekipi volejbolli, në shkollën ku punoj. Për të qenë më i saktë në përgatitjen e tij, u pajisa me materiale në gjuhën ruse për këtë sport. Nxënësit e mi, pogradecarë, të dashuruar pas volejbollit, sapo panë te unë pasionin për këtë lojë, u mblodhën rreth meje. Pa e kuptuar stërvitja morri formën dhe ekipi u bë i njohur. Në përfundim të vitit të parë, ekipi i shkollës me tre të jashtëm, mori barrën e përfaqësimit të rrethit. Zumë vendin e tretë. Në vitin 1960, u shpallëm kampion për Kategorinë e Dytë, duke i dhënë Ekipit Kombëtar të të rinjve tre lojtarë. Këto tre vite stërvitje dhe vetëmohimit praktik të djemve pogradecarë, janë diploma ime autodidakte të Volejbollit të Madh.

-Ç’mund të na thoni si u gjendët trajner i skuadrës së volejbollit, “Skënderbeu”?

Isha në Korçën time të zemrës që nga gushti i vitit 1962. Megjithëse transferimi im u pranua në kushte të vështira kuadri, për vlerën si trajner, deri në maj 1965 nuk u pa ndonjë interes për mua. Një ditë të bukur Maji, të vitit 1965, kur po zhvillohej një lojë e femrave të volejbollit, ishte edhe titullari i rrethit. Përgjegjësia e tij mesa u pa, u ndje nga mënyra e të luajturit dhe nga humbja e cila e shpuri ekipin në kategorinë e dytë. Të nesërmen u thirra në Komitetin Ekzekutiv, për të marrë këtë ekip. Fillova të mendoj se si mund të organizohej ky ekip i vështirë. Dikujt i deklarova praninë e vështirësive, por kurrsesi nuk do të lejoja diskreditimin.

-Falë kontributit të çmuar energjik, brilant, plot talent e profesionalizëm, ç’mund të na thoni se ku qëndronte forca e suksesit tuaj, në volejbollin korçar, që me pasion të veçantë arritët të ngrinit një skuadër në nivel kombëtar e botëror?

Pak më lart iu shpjegova, se në Korçën time, unë isha kthyer si një trajner i Kategorisë së Parë, vendase. I rëndësishëm ishte fakti se praktika e stërvitjes ishte një zbërthim dhe evidentim i asaj që rekomandonte teoria Dhe teoria mbi volejbollin e ndjekur prej meje ishte ajo e shkollës më të mirë botërore, për kohën. Momenti më ndihmoi të kapërcej inferioritetin e ndjerë nga mbivlerësimi i trajnerëve të cilët vinin nga të qenët kuadro të edukimit fizik. Praktika krahasuese tregonte se pesha e njohjes rëndonte në favorin tim. Me fillimin e stërvitjes provova të tërheq mendimin e trajnerëve më të mirë të Shqipërisë, për të parë ku isha unë ndaj njohurive të tyre. Përgjigjet e tyre shprehnin njohuri të krahasueshme me të mijat. Mbetej si domosdoshmëri, fillimisht, organizimi i stërvitjes korrekte. Dëshiroj të mësoni një dukuri. Ditët e para disa nga vajzat, që rrëzuan, ekipin, refuzuan të mësuarit metodikisht drejt. Si pedagog, vendosa të zë lepurin me qerre. Ato u lodhën duke luajtur, por pa fituar kënaqësinë e gjuajtjes, për të cilën, përpiqeshin. Ditën tjetër u organizua mbrapsht, metodikisht, por e ashtuquajtura gjuajtje sigurohej prej meje. Iluzioni, se ato dinin të sulmonin, u rrëzua. Kërkuan t’i nënshtroheshin, organizimit stërvitje-mësim, lojë kontroll-shprehish. Një sekret tjetër i punës sonë është njohja e së resë botërore, sa më shpejt, që në lindje, dhe vënia e shpejtë në praktikë. Në këtë mënyrë, ne u njohëm, me konceptet e Periodizimit, të Etapave, dhe përmbajtjes së tyre, të llojeve te Mikro, Messo, Makrociklieve, të relatives, midis Volumit dhe Intensitetit, në etapë e mikrocikël. Kjo ndihmoi zgjerimin e vazhdueshëm, të të gjithave koncepteve, të nevojshme, duke përdorur metodikën e posaçme. Gjithë ekipet e volejbollit të femrave të vendit u stërvitën 2 orë në ditë. Ekipi ynë kaloi tre orë më 1973, në 5 orë, tre herë në javë, stërvitje mëngjesi dhe lojë zyrtare pasdite, sepse, jo vetëm D. Matsu, një “arkitekt” i volejbollit, bëri 4 deri 8 orë në ditë, por edhe mjeshtrat botërorë, teoricienët, Matvejev, Smirnov, Angelman, dhe Ozolin, qysh më 1971, na rekomanduan, metodat e stërvitjes funksionale. Në rrugë ngjitëse stërvitja u mbështet në shtyllat: Stërvitje fortë-Periodizim -shkencor me praktikë funksionale: Teori -Edukim-Riaftësim. Këtu qëndron esenca e punës së fortë me femrat qysh sa mbushin moshën 15-vjeçare, këtej lindën talentet në një periudhë 3-4 vjeçare: Dhorkë Koco, Myska, Vali, Tamara, Kalemi, Aliko, Ropi, Ismaili, Duni, Qirici, Tasho, Mico, Mati e pas tyre, Stavre e Burda.

-Profesor, më kujtohet që ndeshjet me klubin e volejbollit të “Dinamos” për femra, të udhëhequra nga një tjetër korife, të mirënjohurin, ish-profesorin dhe trajnerin tim z. Kreshnik Tartari, ishin “shume ndeshje të forta”. Si ishin marrëdhëniet tuaja kur humbnit apo fitonit me skuadrën kundërshtare?

Një fitore me “Dinamon”, sillte kënaqësi jo vetëm të mundësisë së klasifikimit maksimal, por edhe të epërsisë të metodave të stërvitjes. Në mënyrë si është ushtruar influenca e Ministrisë së Punëve të Brëndshme në volejbollin për femra, fitorja ishte një “grusht”, mbi të keqen. Me të gjithë kolegët e mi ruaja e ruaj marrëdhënie miqësore. Për Zotin Kreshnik Tartari dëshiroj të sjell shprehjen e tij shprehur zj. Ibrahimi (sekretares së tij): -A e njihni? Është Pandi Gëllci, rivali im më i madh. Kemi mbetur miq falë qëndrimit të tij. Kolegët e mi në Korçë çuditeshin kur më shihnin në stërvitje të nesërmen e humbjes, më aktiv. Unë synoja cilësinë, humbjen ja lija keqdashësve.

-Ju arritët të grumbullonit në skuadrën tuaj, volejbolliste nga më të mirat në historinë e lojërave me dorë, që mund t’i quaj me plot gojë “Gjigandet” e volejbollit shqiptar spektakolar të viteve ’70, si: të ndjerën Tamara Nikolla, apo shuteren më të mirë të vendit Dhorkë Kocon, Myzejen Hoxhën, Kalemin, Foton Qiricin, etj. Si arritët i nderuar profesor ta realizonit këtë?

Më vjen mirë që volejbollistet e mija i quani “Gjigande”, të tilla janë. Unë numrit të atyre që sapo përmende do ju shtoj edhe te tjera, duke i krahasuar me simotrat e tyre, të ekipeve kombëtare. Të tilla janë Duni, Silva Turdiu, Tasho, Mico, Aliko, Burda, Stavre, Eva Kavaja, Ela Tase, Mati. E lashë në fund emrin e Ismailit. Jo se e harrova. Ajo është supertalent i pasimit shqiptar. Nëqoftëse është nënvlerësuar, e kam për nder, detyrë e krenari unë ta kujtoj. Fitorja e Ekipit Kombëtar në Turqi, ajo me Kinën, në Shqipëri, janë gëzime të nivelit shembullor të organizimit të lojës prej saj. Këto u bënë talente në sajë të diferencimit të aftësive të tyre drejt talentit. Një pjesë i takon grupit me aftësi të mira fizike, edukative, dhe intelektuale, me të cilat ato udhëhoqën veten e tyre, ose fizike, intelektuale, në procesin e stërvitjes për të fituar një talent të veçantë. P.sh. Kalemi nuk luante një lloj me lojtaret Tamara e Duni, në të njëjtin pozicion, por ajo paraqiste veten të tillë me ato elemente teknike që kishte mundur, te ngritur në talent, duke e bërë të pakapshme nga kundërshtari.

-Ju jeni martuar me ish-mësuesen time të fillores, të dashurën e nderuarën Roza, sa ju kanë mbështetur bashkëshortja dhe familja, në atë kohë, të bukur por shumë punë, stres, edhe kur shijonit gëzimin e fitores e kur humbnit?

Sukseset e punës sime dhe cilësinë profesionale, të verifikuar në ballafaqimet botërore ia dedikoj, Rozës, bashkëshortes sime. Ajo përballoi nevojat familjare për të patur kohë të mjaftueshme për tu marrë me stërvitje deri në atë masë sa ajo pranoi të mbajë rreth 8 muaj një volejbolliste në shtëpi.

-Cilat kanë qenë ndeshjet që të kanë lënë më shumë mbresa?

Ndeshja me ekipin kombëtar të Kinës, në Korçë, me atë jugosllav në Rumani, me “Dinamon”, në Vlorë dhe me Kampionen polake në Korçë. Ndeshja e parë ka qenë e një cilësie të krahasuar në nivelin botëror. Ela Tase në ndihmë, ka bërë lojën më të bukur, Pronjari po ashtu, i dha përgjigje çudisë sime përse unë e mora. Katër korçaret e talentuara të lojës, Tamara, Kalemi, Ismaili dhe Aliko, ishin dëshmi e gjallë e punës së bërë me ngarkesa të larta. Në Rumani, Tase, kulmore, refuzoi ndërrimin e propozuar nga trajneri i klubit të saj, në momentin që jugosllavet, ishin vënë poshtë, katër korçaret, e përmendura më lart, e zbërthyen bllokun e lartë me lojë të shpejtë. Shaka dhe Iftiu, në ndërrim, midis tyre i shërbyen fitores. Në Vlorë, “Skënderbeu”, fitoi, ndaj “Dinamos”, por përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, thirrën, arbitrin, para setit të pestë, për t’i dhënë fitoren “Dinamos”. Ndeshja me polaket u fitua, Duni, Ismaili, Tasho, Mico, Burda, e Mati: Llogaritje matematikore e forcë në sulm, dhe mbrojtjen e dyanshme. Loja-Konfirmim, e përllogaritjeve, shkencore, të marrjes së Formës Sportive.

-Aktualisht ndodheni jashtë atdheut, në SHBA, A i ndiqni zhvillimet në sportin shqiptar, ç’mund të na thoni për volejbollin sot në Shqipëri?

Tregoj shumë interes për volejbollin, veçanërisht atë korçar. Më vjen keq që ende, është larg, asaj që duhet. Korça ka elemente, adapt femëror, Universitetin dhe para. Duhet kthyer së pari, dashuria për Korçën. Për këtë është e pamjaftueshme të qenit korçar, fizikisht. për të qenë i tillë duhet të ekzistojnë brenda vetes, virtyte morale madhore.

-Ka rastisur që të kanë kritikuar?

Në sport ka shumë të tilla. Unë i ndaja kritikat. Respektoja ato që dilnin nga thelbi i zemrës, të shikuesve, të shumtë, të cilët, mbushnin këndin sportiv apo Pallatin e sportit. Te tjerat të cilat dilnin nga mediokriteti profesional, bëja sikur nuk i dëgjoja. Ndërsa ato që mbanin erë përfitimi profesional, aq me keq antikorçarizëm, ju qëndroja përballë me aftësi logjike e kurajo qytetare.

-Një fenomen i shëmtuar sot në sportin shqiptar është shitja e ndeshjeve. A ndodhte kjo në atë kohë?

Po ndodhte. Disa persona e përdornin si kumar. Ndonjë sportist e përdorte për interesa personale. Kishte kohë që një volejbollistja ime vepronte në këtë mënyrë. Oreksi i madh e bëri të bjerë viktimë e atyre që deshën të përfitonin. U gabua duke më akuzuar se unë e akuzova pa arsye. Por ndodhja para titullarit të rrethit rrëzoi “të keqen”. Frymëzuesit mezi morën frymë kur unë u shpjegova me fakte qëndrimin e saj.

-A është i kënaqur profesori me atë ç’ka ka arritur në atë kohë?

Jam shumë i kënaqur. Studiova shkencë, punova për të krijuar shkencë në bukuri, luajta me model shkencor që i takon shekullit të 21. Aktivizimi si trajner në Greqi, Kroaci, dhe USA. me cilësi stërvitore rezultative ma jep këtë të drejtë.

-Si ndjeheni kur lexoni dhe dëgjoni se ka korrupsion në sportin shqiptar? Dhe nuk ka më volejboll spektakolar si dikur? Si mund të ndihmojë shoqëria shqiptare për reduktimin e këtij fenomeni të shëmtuar?

Është një problem me të cilin nuk mund të pajtohet karakteri im. Është korrupsioni që u bë shkaktar, për largimin tim, nga Ekipi “Skënderbeu”, në vitin 2002. Në rast se do të vazhdojë ta drejtojë sportin korrupsioni, volejbolli shqiptar do të mbetet, mbrapa. Le të mos fryhet dikush se mund të fitojë me Qipron, apo Gjibraltarin. Volejbolli shqiptar ka fituar ndaj “shkollave më të përparuara në botë”, si me Italinë, Rumaninë, Poloninë, Kinën, etj, Por në ç’gjendje është sot krahasuar me to: A e mposhtim sot volejbollin e klubeve greke e turke? Më vjen keq ta them, por volejbolli është pjesë e jetës së përgjithshme se ajo është mbërthyer keq. Unë mendoj se duhet të fillojë edukimin e vetvetes në dy drejtime: Duke vendosur trajnerë dhe drejtues të verifikuar për figura të pastra. Të zbulohet e dënohet çdo rast shkeljeje. Në SHBA, kohët e fundit u konstatua se një fituese olimpike përdorte drogë. U dënua nga gjykata dhe u detyrua të kërkojë falje publike. Ju hoq medalja.

-A ka ndonjë gjë në jetën tuaj që ja sheh gjurmët edhe sot?

VOLEJBOLLI!-Ai është profesioni e jeta ime. Nëpërmjet tij provova kënaqësinë e punës shkencore, të shprehur në art. Volejbolli kërkoi nga unë aftësimin e vazhdueshëm pedagogjik, psikologjik, njohjen adaptimin dhe vendndodhjen e gatishmërisë fizike, të lidhur me shkathtësinë (ajrore e tokësore), krijimin e shprehjes origjinale zhvendosjeje në fushë, të kërcimit. Ai më bëri pronar të teknikës, duke përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së topit me aftësitë bashkëkohore për të dalë në ekzekutimin taktik, elegant, e spektakolar. Volejbollit i atribuoj, njohjen fiziologjike të njeriut, për të vjelë aftësitë maksimale të tij, në moshë e aftësi të caktuara. për këto arsye e ndjej veten kompetent, të pavarur e të paplakur edhe këtu në SHBA, ku jetoj. Aktivizimi im në UMASS, dhe një marrëveshje e pritshme janë diplomë e kohës. Kështu e kam parë dhe e shoh të qrnët trajner.

-Çasti më i vështirë për profesorin…?

Prill- Maj 1976. Sekretari i Federatës së lojërave me dorë deklaroi në një mbledhje speciale, se “Dinamo”, nuk dëshironte të dërgonte lojtaret e veta në Ekipin kombëtar, të Th. Kukes. Kuptohet pse. Ju dërgua një letër një titullari të lartë qeveritar për këtë. Kërkohej edhe mendimi im, diskutimi im që u parapri nga fjalët “Ky është qëndrim reaksionar”. Sugjerova fillimin e stërvitjes, diskutohej qëndrimi i im dhe i TH.Kukes të mos ndërpritej. O Zot i madh! Çfarë intrigash, prapaskena deri në “terrorizëm të hapur shtetëror”. Duke i drejtuar letër ministrit të Arsimit të kohës, për të nderuarin Thoma Kuke e qëndrimin një farë Pandi Gëllci. Falsifiteti i këtij veprimi jo vetëm u diskreditua me humbjen e ekipit, por edhe me rithirrjen time si trajner i parë.

-Jetoni në Quincy, Massachuset, SHBA, a e ndiqni volejbollin amerikan dhe çfarë do të dëshironit të kishte volejbolli shqiptar nga ai amerikan?

I njoh të gjitha e i ndjek të gjitha nivelet e volejbollit amerikan. ai plotëson të gjitha kërkesat e të interesuarve, në shkolla e jashtë saj. Niveli më i mirë është ai kombëtar. Ai është konkurrues për top- rezultat Pas këtij janë kolegët dhe Universitetet, që kanë nivel shumë të mirë. Divizioni i parë -quhet. Koncepti për stërvitjen ndryshon nga ai shqiptar. As trajneri dhe as lojtari nuk diskuton se sa orë stërvitje do të kryejë 3-6-apo 8 orë.

-Cilën ëndërr, nuk keni realizuar?

Kam dëshirë të punoj me një ekip të Divizionit të parë, Do të vija në provë veten dhe dy tregues themelorë, që më kanë munguar: Gjatësia e lojtareve dhe në të njëjtën kohë mundësia e të qenit të tyre lojtare të përgatitura për disa vjet. ëndërroj të ballafaqohem.

-Diçka që doni të shtoni për veprimtarinë tuaj?

I kam borxh atij kolektivi vajzash, i cili në shtrirje kohore është i madh dhe i ndryshëm, i paharruar. Puna, lodhja, sakrificat, kontributi, gëzimi i fitores, pjekuria si e prisnin humbjen, dhe eleganca e lojës, janë të paharrueshme. Ndjej përgjegjësi moralë ndaj volejbollit korçar e kombëtar, që eksperienca dhe historia, e cila u krijua me modele të avancuara të kohës, të vlerësohet dhe eksperimentohet, të mos neglizhohet për interesa përfitimi, si kanë bërë deri më sot.

-Mesazhi që doni t’i përcillni brezave të ardhshëm të sportit shqiptar, në veçanti atij korçar?

Mesazhi im është ky: Shqipëria dhe Korça, si në volejboll edhe në degë të tjera të sportit i ka potencialet, talentet, burimet energjike, intelektuale, fizike e mendore, për aftësi konkurruese, në Evropë e botë. Trajnerë të mirë e të afirmuar, vendi ynë ka plot. Të jetosh e të bësh sport volejboll, përballë krijuesit e metodistit V. Koja, teoricienit të talentuar A. Kona, trajnerëve K. Tartari, Çifti Lala, LL. Llupo, I Cironaku, F. Sharofi, L. Tase, Gorenxa dhe femrave M. Hoxhalli dhe A. Demiri, ta kesh nder, meritë dhe fat. Duhet hequr dorë nga metodat burokratike për të vendosur specialistin sipas konsideratave politike e personale. Specialisti është produkt i trurit të aftë dhe investimit të madh. Duke mësuar me punën e fortë dhe të madhe, nuk ka rezultat pa punë, , nuk ka garë pa ndeshje pa riaftësim, të organizimit. Vonesa ka pasoja për cilësinë. Shpresoj që volejbollin e Korçës ta shoh me cilësi udhërrëfyese, atë shqiptar mbi nivelin europian

Intervistoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Pandeli Gellci, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT