Kryeministri Edi Rama ka takuar paraditen e sotme homologun e tij kosovar Isa Mustafa.
Kjo është vizita e parë e kryeministrit Mustafa në Shqipëri që prej kohës që ai u zgjodh kryeministri i Kosovës.
Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, Mustafa bëri me dije se mbledhja e radhës e përbashkët mes dy qeverive do të mbahet më 23 mars, ku pritet të firmosen marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtuar se këto marrëdhënie do të intensifikohen në fusha të tjera për të arritur objektivin e përbashkët, integrimin evropian.
“Marrëdhëniet mes nesh janë të shkëlqyera. Mbledhja e dytë e përbashkët mes dy qeverive do të mbahet në Tiranë më 23 mars. Atëherë do i japim një raport të hollësishëm publikut për sa kemi bërë deri tani në lidhje me marrëveshjet dhe projektet e përbashkëta”, tha Rama.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës shprehu mirënjohjen për kontributin që Shqipëria ka dhënë ndaj populli dhe qeverisë së Kosovës në ndërtimin e shtetit të ri si dhe përkrahjen për njohjen e Kosovës nga vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende dhe përkrahjen në anëtarësimin e misioneve shumëkombëshe.
“Jemi mirënjohës për çdo gjë që kemi bërë së bashku dhe për mbështetjen e qeverisë dhe popullit shqiptar në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë. Kemi arritur rezultate shumë të mira në projektet e përbashkëta në arsim dhe kulturë dhe tani duhet punuar në projekte ekonomike”, tha Mustafa.
Kryeministri Mustafa, veç takimit me homologun Rama, do të pritet edhe nga Presidenti Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.