…Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë./
Nga Enver Bytyçi/
Duke reflektuar dhe me tej pas kaq ditë ditirambesh dhe mburrjesh per “suksesin” e vizitës së zotit Rama në Serbi, duket se njeriu vjen e kthjellohet, pra shkëputet nga vala e entusiazmit të turmës dhe lexon realisht ngjarjen, ndonëse ende nuk është larguar afshi që krijuan lëvdatat e deklaratës së kryeministrit tonë në konferencën e shtypit me homologun e tij serb në Beograd. Edhe pse koha kalon dhe dehja po bëhet esëll, ka njerëz që i qëndrojnë idesë fikse se zoti Rama bëri “heroin”, duke na rikthyer kujtesën jo shumë të largët, kur ne shqiptarët mburreshim me “heroizmat” e diktatorit. Atëherë dhe sot përjetimi është i njëjtë: “Udhëheqësi ynë është më i miri, më trimi, më i guximshmi, më i lavdishmi, ndaj dhe ne duhet të ndjehemi krenar për të”. Krenarinë për udhëheqësin e përjetojmë si krenari kombëtare, e ndërkohë dinjitetin tonë e masim me muskujt dhe forcën që udhëheqësi shfaq përballë “armikut”. Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë.
U ndala në këtë krahasim, jo për ta denigruar dhe zhvleftësuar vizitën në Beograd të kreut të ekzekutivit shqiptar. Eshtë e vërtetë se ai bëri “heroin”, por nuk jam I sigurt nëse sot në kohën e globalizmit i duhet kjo Shqipërisë dhe shqiptarëve. Megjithatë edhe ashtu si u bë, ajo ka një kuptim, ka një konotacion dhe në përgjithësi mund e duhet konsideruar si e nevojshme. Por përjetimin postvizitë, postkonferencështypi, thuajse e shohim të njëjtë. Pikërisht kjo ndjesi duket se na vjen si pluhur fosforie na bën dritë të rrejshme, pasiqë duket se ne shqiptarëve na pëlqen shumë rrena, duam në çdo kohë të bashkëudhëtojmë me iluzionet e për pasojë kemi gabuar e gabojmë aq shumë, sa me gabimet tona kemi dëshmuar se nuk jemi përgjegjës në atë masë sa duket gjatë brohoritjeve nacionaliste për fatin tonë e për fatin e kombit tonë.
Në këtë këndvështrim besoj se ndodhia e Beogradit do të duhet të shihet e analizohet në dy këndvështrime: Në aspektin diplomatiko-politik dhe në aspektin e komunikimit bashkëkohor.
Në aspektin politiko-diplomatik deklarata e zotit Rama dukej e pa vend dhe jashtë çdo dyshimi nuk mund të prodhonte efekte pozitive në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Në politikë e në diplomaci kontaktet, bisedimet, vizitat reciproke nuk bëhen thjesht për shfaqje publike me ultimatume dhe receta absolute. Zoti Rama veç deklaratës se “Pavarësia e Kosovës është një realitet i pandryshueshëm. Atë e kanë njohur 108 vende si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, si dhe një darke me humor dhe mizikë live nën melodinë e zërit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, nuk u përpoq të promovonte diçka më shumë. Nëse shkohet për vizitë në një vend thjesht për të lëshuar një deklaratë, atëherë që këtu ajo vizitë do të konsiderohej e dështuar. Ndërsa në rastin e një vizite pas gati 70 vitesh, si ajo që analizojmë, reduktimi i saj në motivin e një deklarate si ajo e zotit Rama, është më shumë se një dështim. Duhet thënë se ajo deklaratë ishte formuluar mirë, ishte e argumentuar si për një konferencë shkencore, por nuk kishte lidhje me diplomacinë e shefit të një qeverie, cilido të ishte ai. Mësë shumti ajo ishte e pranueshme në ndonjë forum ndërkombëtar, por aspak e goditur në një konferencë shtypi.
Vizita e zotit Rama duhej të kishte tri dimensione, dimensionin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, dimensionin e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë sipas marrëveshjeve të nënshkruara midis palëve, si dhe dimensionin e respektimit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Kësaj vizite të ashtuquajtur historike i munguan pikërisht përmasat e tilla, aq sa të krijohet përshtypja se kryeminisri shqiptar e kërkoi me ngulm një vizitë të anuluar së paku katër herë, thjesht për të promovuar “nacionalizmin” e tij dhe për të fituar kapital politik te shqiptarët në rajon. Ai nënshkroi dy marrëveshje, të cilat mund të nënshkruheshin nga kushdo në Tiranë, ose në Beograd, madje dhe nga ndonjë drejtor drejtorie të dikastereve përkatëse të Ramës. Ato marrëveshje qenë si për të thënë “Ja, bëmë diçka më shumë!”, por që nuk kanë ndonjë peshë në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve dhe serbëve. Ne fund te fundit ai që merr rrugën të udhëtojë jashtë vendit do ta ketë patjetër pasaportën dhe kështu udhëtimi me karta identiteti do të regjistrohet rrallë në pikat e kalimit kufitar me Serbinë. Kjo do të thotë që vizita duhej të kishte në dosjen e saj një objektiv konkret në këtë drejtim, ndoshta në formën e një memorandumi, ose të një dokumenti që së paku në parim i jepte fund një të kaluare dramatike në marrëdhëniet midis dy vendeve, duke marrë përgjegjësi të reja në qëllimet e përbashkëta në integrimet europiane e rajonale. Përcaktimi i angazhimit parimor të palëve për paqe e stabilitet, për integrime dhe projekte të përbashkëta rajonale zhvillimi diktonte nevojën e nënshkrimit të një memorandum të tillë. Por në Tieranë, e më duket se edhe në Beograd, gjithë skenari u përgatit për të luajtur shoun e radhës përballë spektatorëve përkatës me kombësi shqiptare e atë serbe. Prandaj edhë këtë mundësi historike zoti Rama e humbi, pavarësisht se kjo vizitë në Beograd u motivua dukshëm prej tij me interesat e përbashkëta për integrime europiane.
Në raport me Kosovën kryeministri Rama nuk arriti të artikulojë as kërkesën e domozdoshme për angazhimin e palës serbe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis Prishtinës e Beogradit, marrëveshje, të cilat ende nuk gjejnë zbatim për shkak të refuzimit të serbëve. Ndërkaq thelbi i asaj që do të duhej vënë në dukje dhe për të cilin duhej insistuar kishte të bënte me çeshtjen që. Kosova të mos vuajë mosnjohjen e pavarësisë nga Beogradi. Njohja e Kosovës nga Beogradi do të duhej të lidhej me nevojën e Shqipërisë, Serbisë dhe gjithë rajonit për integrimin euro-atlantik. Madje duhej garantuar qeveria serbe se qeveria shqiptare do ta përkrahte anëtarësimin e Serbisë në NATO, si interes jetik për të dy palët, sidomos për ne shqiptarët dhe jo si lëmoshë për krimet e Serbisë në Kosovë. Kosova vuan secesionin serb në veri të Mitrovicës, vuan ndërhyrjen e provokimet serbe në implementimin e shtetit të pavarur të Kosovës, vuan mungesën e bashkëpunimit të minoritetit serb me institucionet e Kosovës. Pikërisht këto çeshtje zoti Rama i anashkaloi dhe as që i përmendi në takimet dhe konferencën e shtypit me homologun e tij serb. Formulimi i një kërkese dhe madje tentimi për të marrë një përgjigje positive nga Beogradi për këto çeshtje do të ishte një nga sukseset e zotit Rama në Beograd.
Ndërkaq sa i përket dimensionit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilën Aldo Bumçi preferon ta konsiderojë si “Serbia Jugore”, zoti Rama vetëm kur erdhi në Tiranë dhe u shfaq në foltoren e kryeministrisë tha se kishte nënshkruar një marrëveshje për njohjen e diplomave. Por se është nënshkruar ose jo një marrëveshje e tillë, ende nuk është dhënë një konfirmim nga ana e Beogradit dhe ende nuk shohim diçka të shkruar në portalin e kryeministrisë. Nuk e dimë kush e nënshkroi e në emër të kujt. Megjithatë në Preshevë zoti Rama tha se ia kishte kërkuar zotit Vuçiç ndërtimin e një materniteti në Luginë dhe se ai nuk priste “provokacia”, dmth mosmbajtjen e fjalës prej tij. Ky ishte “suksesi” i zotit Rama për shqiptarët që jetojnë në Serbi. Asnjë fjalë e asnjë premtim për respektimin e të drejtave kombëtare, për zhvillimin e kulturës, arësimit, gjuhës, teksteve shkollore, traditave, vlerave historike të hershme e të gjalla në kujtesën e shqiptarëve.
Duke analizuar gjithë këtë situatë duhet thënë se vizita e zotit Rama ishte krejt e pasukseshme, nuk solli asgjë të re sa i përket shtrimit dhe zgjidhjes së problemeve tredimensionale që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Dhe duke mos i zgjidhur problemet politike në rrugë diplomatike, zoti Rama krijoi dhe një precedent tjetër të rrezikshëm dhe të dëmshëm, gjithnjë në aspektin e komunikimit. Mosadresimi i problemeve dhe shmangja e ballafaqimit me to bëri që kryeministri i Shqipërisë e për pasojë edhe kryeministri i Serbisë të krijonin një marrëdhënie komunikimi tashmë jo midis tyre, por me zgjedhësit përkatës të secilit. Zoti Rama dukej se nga Beogradi donte të komunikonte me shqiptarët, të bisedonte gjithashtu po me shqiptarët, ndërsa përballë kishte homologin e tij serb në kryeqendrën administrative e politike të Serbisë. Deklarata e tij nuk ishte apel, as mesazh për liderët e Beogradit, përkundrazi ishte shfaqje ekzaltimi për shqiptarët. Ndërsa reagimi i kryeministrit serb ishte gjithashtu një shfaqje rrjedhojë e liderit për turmën. Të dy në konferencën për shtyp në Beograd komunikuan me turmat përkatëse, pa u shqetësuar aspak për të shfrytëzuar ndonjë mundësi për zgjidhjen e problemeve të mëdha e të shumta që ekzistojnë midis të dy vendeve. Nëse zoti Rama do të donte të komunikonte më homologin e tij serb, do të duhej që pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ta integronte në konceptin e tij të integrimeve europiane e rajonale si dhe me konceptin bashkëkohor të bashkëjetesës në paqe, siguri e stabilitet, si parakushte të një Europe të Bashkuar e të një vendi të nderuar të shqiptarëve, serbëve dhe gjitha ballkanasve në këtë Europë. Kjo kërkesë mund të lidhej me normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit me epilog njohjen e shtetësisë së Kosovës.
Por ai nuk deshi ta bënte këtë, nuk u përpoq të jepte mesazhe e të bënte ndonjë apel ndaj bashkëbiseduesve që pati përballë, ai ishte i preokupuar me “dronin e tij” që të dërgonte mesazhe nacionaliste te shqiptarët, mesazhe që vinin si jehonë e atmosferës që krijoi “droni I vëllait të tij”. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë u kujdes më shumë të “krijojë një familje dronësh” dhe e shfrytëzoi vizitën në Beograd për të realizuar disa qëllime e synime të tij në politikën e brendshme. Pikërisht kjo e bën jo vetëm të dyshimtë, por të papranueshme një sjellje të tillë. Se është kështu, ai e pranoi në një emission televiziv, kur u shpreh se “Sikur të mos thoja unë ato që thashë për Kosovën, si do të reagonin kundërshtarët e mij?!”. Ndërkohë që ai nuk bëri atë që do ta kishin bërë kundërshtarët e tij, pra të dërgonte mesazhe të qarta te mikëpritësit, siç ndodh e duhet të ndodhë në çdo vizitë politike e diplomatike në botë.
Në komunikim ka gjithmonë dy palë: Folësi dhe dëgjuesi. Një palë flet me synim që të japë një mesazh ose të dërgojë një apel te pala që dëgjon. Folësit ishin Rama dhe Vuçiç. Ata ishin gjithashtu dëgjues të njëri-tjetrit. Por të dy luajtën role aktorësh në monolog. Nuk bënë asnjë lloj apologjie, thjesht shfrytëzuan skenën për të shit sa më shumë nacionalizëm te përkrahësit e tyre. Pra, dëgjues nuk pati në sallë. Sikur të mos ishin prezente mediat, dëgjuesit mund të kërkoheshin në eter, do të ishin imagjinarë. Mediat bënë që dëgjuesi të merrte lajmin e “trimërisë” së pashoqe të kryeministrit shqiptar. Ndryshe këto çeshtje Rama do t’i diskutonte me të njëjtën forcë në takimin kokë më kokë me homologun e tij serb. Ndryshe e njëjta atmosferë do të shfaqej në darkën e mandolinës së Daçiçit.
Shkurt të dy kryeministrat konkuruan dukshëm e me virtuozitet në fushën e nacionalizmit të shtirur dhe u shmangën nga detyrimi themelor për tu përkujdesur për rritjen e cilësisë së jetës së popujve që ata përfaqësojnë. Kosova ishte edhe këtë radhë kurbani i rritjes së popullaritetit të Ramës dhe Vuçiç. Deklarata e Ramës përveçse si nxitje në kahen e kundërt, nuk ka shërbyer në asnjë rast për zgjidhjen e problemeve reale që ekzistojnë. Në këtë kuptim edhe Hashim Thaçi është dëshmuar më konsekuent se Edi Rama.
Kjo lloj konkurence nuk ka sjellë ndonjë dobi as për shqiptarët, as për serbët. Serbët kanë fituar në 100 vite, sepse dijtën të luajnë rolin e viktimës përballë shqiptarëve. Ndërsa shqiptarët fituan luftën më 1999-ën, sepse Ibrahim Rugova dhe liderët e UÇK-së mundën ta bindin botën se viktimat e vërteta të konfliktit shqiptaro-serb ishin shqiptarët në ish-Jugosllavi e në Kosovë. Edi Rama bëri të kundërtën, luajti rolin e fituesit, ndërkohë që është viktima, shpresoj e fundit e këtij konflikti. Një rol të tillë të heroit e luajti për shumë dekada dikatori shqiptar, Enver Hoxha, derisa na izoloi dhe pas izolimit total të dështuar na dha nga një “fletë-hyrje për në varr”, derisa i detyroi shqiptarët që t’ia mbathin nga sytë-këmbët e të shpërndahen si zogjtë e korbit nëpër botë. Nacionalizmi patetik i zotit Rama dhe mbrojtja që ai i bëri pas kthimit këtij nacionalizmi të shëmtuar të stilit të vitit 1981 i ngrohu zemrat e enveristëve kudo në hapësirën shqiptare. Por çdokush që gjykon me gjakftohtësi sot do të kuptojë se vizita e Ramës në Beograd ishte po aq e dështuar sa vzita e Enver Hoxhës e vitit 1947. Përkohësisht vetëm dy veta dolën të fituar: të dy janë kryeministra të të dy vendeve respektive, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, ndërsa viktimat mbeten si gjithnjë ata që besojnë verbërisht te sinqeriteti dhe “ndërshmëria” e këtyre dy burrave, të cilëve do t’u duhen prova të tjera më borrërore për tu thirrur “Burra shteti”.
Ajo çfarë i bën kombet të konkurojnë sot midis tyre nuk është reatorika nacionaliste, përkundrazi përkushtimi për të ndërtuar një botë të lirë e në stabilitet. Pas 12 qershorit 1999 shqiptarët kanë qenë dhe janë më komod në këtë linjë konkurimi, gjë që ende nuk është kuptuar nga zoti Rama dhe shumë politikanë të tjerë në Tiranë. Ndërkohë që Beogradit I shërben më shumë parimi “I fitores përmes konfliktit”, ne shqiptarëve na duhet t’I fitojmë betejat e humbura përmes rrugës së kundërt, papes e dialogut. Por mesa duket zoti Rama këtë kurs e ka të pamundur për shkak të natyrës së tij konfliktuale si në opozitë dhe sot në pushtet. Nëse ai do të sillej ndryshe në Beograd, do të plasnin kritikat e ashpra në Shqipëri, pse mbron dhe mban standarte të tjera në sjelljen e tij ndaj opozitës dhe popullit opozitar?!
UK LUSHI: KRIZA NË KOSOVË ËSHTË SERIOZE, VIZITA E RAMËS NË BEOGRAD E SHKËLQYER
*”zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt”/
* Duhet të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt: Rama pat një paraqitje të shkëlqyer në Beograd. Zoti Rama pa mëdyshje meriton lëvdata personalisht, por duhet të rikujtohet se si arritëm në këtë ditë kur Serbia detyrohet të shoh krejt shtatin e peshës dhe kapacitetin e kombit shqiptar në Ballkan midis Beogradit./
Intervistë e gazetarit Beqir Sina me biznesmenin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Uk Lushi
NEW YORK : Ish-ushtari i UÇK-së i Batalionit të luftërave shqiptarë nga SHBA – “Atlantikut”, Uk Lushi, i cili është një nga intelektualët e respektuar në qarqet amerikane, i shkolluar në perëndim me diplomën e Columbia University në Nju Jork, ekspertë i ekonomisë dhe financave, por aktiv edhe në jetën politike, ekonomike dhe sociale në SHBA, fletë në një intervistë të posaçme mw gazetarin e komunitetit Beqir Sina, lidhur me ngërçin politik, që ka nisur prej nga zgjedhjet e qershorit në Kosovë.
– Uk Lushi – publicit dhe biznesmen shqiptaro – amerikan në këtë intervistë me gazetarin tonë në Nju Jork, Beqir Sina, fletë për atë se si do të mund tejkalohje kriza politike në Kosovë, e cila ka pesë muaj që ka nisur. Ai mendon se edhe Tirana – presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mundet të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike në Kosovë. Si dhe vlerëson “sinjalet” e dërguar nga Washingtoni për zgjedhjen e kësaj krize.
-Ai thotë se beson se nuk do të ketë zgjdhje të reja. Mbasi sipas tij zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt. “Zgjedhjet e qershorit 2014 janë zgjedhjet e fundit për disa politikanë të shpenzuar dhe kompremetuar” tha ai.
-Kanë kaluar mbi pesë muaj që nga përfundimi i Zgjedhjeve të Përgjithshme në Kosovë dhe institucionet e reja nuk janë krijuar ende. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë ngërç politik në të cilin e gjejnë veten sot politikanët e Kosovës?
-Ky ngërç sistemor në Kosovë gati qe një gjysmë viti, pasi që sovrani kreu detyrën votuese me 8 qershor 2014, është dështimi më i madh i politikanëve prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008. Shantazhet meskine që partitë politike i bëjnë njëra-tjetrës në vend se të komunikojnë dhe punojnë si të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve dhe kështu t’u shërbejnë qytetarëve për çfarë marrin rroga shumë të larta janë paturpësi e cila megjithatë nuk do të kalojë pa u dënuar nga elektorati. Kjo sjellje e pacipë dhe arrogante e kastave politike të Prishtinës dëshmon se ka ardhur koha që përfaqësuesit egoistik dhe të vetë-fiksuar duhet të ndiqen nga skena politike. Nuk ka asnjë dyshim që qytetarët dhe politikanët e rinj brenda disa viteve do të hedhin nga politika pjesën më të madhe të gardës së tashme që nuk po e lë të marrë frymë shlirshëm Kosovën. Të gjithë që janë futur me bërryla në politikë apo janë atrofizuar nga korrupsioni dhe keqpërdorimet skandaloze shumë shpejt do të përjetojnë ditën e gjykimit të tyre. Politikanët respektivisht poltikanet që kanë bërë krime dhe vepra të dënueshme do të përfundojnë në burg.
-Javën që shkoi ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë ka përçuar një mesazh të fortë publik dhe të pambuluar me dekorim diplomatik për liderët e Kosovës. Ajo në mënyrë qortuese i paralajmëroi ata duke u thënë: “Mos e dhieni punën!” Si e shihni dhe çfarë mund të thoni ju për deklaratën e Ambasadores amerikane Tracy Jackobson?
-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar ushtarakisht, politikisht dhe diplomatikisht shumë në Kosovë. Pa Amerikën, Kosova dhe shqiptarët, ndoshta akoma do të ishim duke u marrë me mbijetesë dhe përpjekje për liri fizike, ndërsa tash mund të merremi me mëkëmbje dhe ringritje. Amerika vazhdon t’i përkrahë si Kosovën si shqiptarët për arsye të harmonisë së interesave të përbashkëta amerikano-shqiptare, dhe për shkak të angazhimit dhe lobimit të mbi gjysmë milioni shqiptaro-amerikanëve në Washington D. C. Kështu që kur ka zhvillime negative në Kosovë ngecjet shihen edhe si dështime të investimeve të Amerikës. Përveç kësaj, amerikanët e dinë që shqiptarët janë popull aleat dhe mik në Ballkan dhe partnerit— nëse nuk ndalon me dëngla dhe budallallëqe— duhet folur pa dorëza.
-Zonja Ambasadore ka transmetuar këshillat e saj dashamirëse për udhëheqësit e partive për disa muaj përmes kanaleve që përdorin ambasadat në një vend të pavarur, por liderët në Prishtinë vetëm sa janë futur më thellë në bunkerët e marrëzisë së moskomunikimit me njëri-tjetrin duke treguar se gjuha e vetme që kuptojnë është gjuha e papërpunuar.
-Është krejt në rregull që të tentosh të mundish kundërshtarin, por politika nuk është luftë ku nuk duhet të ulesh me oponentët dhe rrahish e debatosh probleme deri sa të arrihet një zgjidhje optimale. Në fund të fundit asnjë nga politikanët shqiptarë nuk po refuzojnë të takohen më me përfaqësues të Serbisë, e cila edhe pas çlirimit vazhdon me ndërskambëcat dhe agresionin e fshehur ndaj Kosovës. Si e arsyetojnë moskomunikimin me njëri-tjetrin këta njerëz atëherë?! Si duhet t’u drejtohet një përfaqësues diplomatik i një vendi që ka bërë dhe bën më shumë se çdo vend tjetër për Kosovën njerëzve që nuk duan ta shohin se po e çojnë vendin drejt hatasë?! Politikanët e Prishtinës duhet të kenë kujdes sepse populli i Kosovës duron, por kur reagon e keqja më e madhe do t’u ndodh pikërisht shkapërdarëve që mund të kujtojnë se do t’u ecë kungulli mbi ujë përgjithmonë.
-A mendoni se ngërçi politik në Kosovë duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera? A munden politikanët e Kosovës të zgjidhin çështje të vështira pa ndërhyrjen e Uashingtonit e Brukselit?
-Natyrisht që ngërçi do të duhej të zgjidhej nga të zgjedhurit. Me kandidim një njeri kërkon besimin e votuesve se do të angazhohet për interesin e përgjithshëm nëse e nevojshme edhe duke dhënë jetën në mbrojtje të interesave të shoqërisë. Politikanët e Kosovës e patën rastin e parë kur plotësisht do të përdornin demokracinë për të krijuar institucionet dhe zgjedhur ekzekutivin që duhet të mirret me probleme të shumta si papunësia e madhe, sistemi i edukimit për turp, shëndetësia që është e sëmurë për vete, sektori i energjisë i vetmi në Europë ku nuk ka drita 24 orë pa ndërprerje, sistemi financiar primitiv dhe oligopolist që rrjep depozitorin dhe dënon investitorin dhe diplomacia, e cila na merr fytyrën në pjesën më të madhe të përfaqësive të saj në të katër qoshet e botës. Nuk ka mbetur edhe shumë kohë— mbase dy-tri javë që t’i vihet kapak këtij turpi.
-Sidoqoftë, unë megjithatë jam optimist sepse çdo alternativë tjetër përpos një marrëveshjeje— sado e keqe qoftë ajo— mund të rezultojë në prekjen e abisit. Bazuar në zhvillimet e dy javëve të fundit duket që ka një reflektim te klanet politike vendore dhe lojtarët kyç ndërkombëtarë dhe më në fund mbase do të ketë një zgjidhje të arnuar. Më duhet të them që kjo zgjidhje duhet të jetë vetëm e përkohëshme dhe të jetë në fuqi për dy vitet e ardhshme deri në zgjedhjet e reja kur në shprehje dhe pushtet duhet të vije një gjeneratë e re e politikanëve të përgjegjshëm dhe profesionistëve të aftë, të cilët mund të jenë ata dhe ato që do e fusin Kosovën në demokraci meritokratike dhe bëjnë atë si krejt Europa.
-A mendoni se Tirana sado pak mund të luante dhe ndoshta ende mund të luaj rol në zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë— dhe a ka pasur deri tani— nga këndëshikimi juaj— njëanëshmëri të trajtimin e kësaj çështje nga Tirana zyrtare?
-E kam thënë në një prononcim publik para disa muajsh që do të ishte mirë që Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama të ndihmonin. I pari është më i afërt me LDK-në dhe AAK-në, kurse i dyti me PDK-në dhe VV-në. Të dy përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë miq me liderët e partive të Kosovës dhe duke u përfshirë do të mund të ndikonin në uljen e vëllezërve të tyre rreth një tavoline të përbashkët. Ka plot shqiptarë që ftojnë Gjermaninë, Britaninë e Madhe apo SHBA-në të ndihmojnë, pse jo Republika e Shqipërisë, kur deri më tash Tirana ka qëndruar dinjitoze përkundrejt evoluimit të keq të krizës ndërsa vazhdon të punoj në përkrahjen sidomos diplomatike të Kosovës në forume dhe zyre ku Kosova nuk ka qasje? Ende mendoj që Presidenca dhe Kryeminstria shqiptare duhet të nisin një të dërguar të përbashkët te Presidentja e Kosovës dhe të pyesin atë se si mund të kontribuojë Tirana— qoftë me ndikim indirekt, qoftë direkt. Mos të harrojmë që gjatë krizave në Tiranë ka pasur së pakut tentime për ndihmë nga Kosova PD-së dhe PS-së kur njëra apo tjetra kanë bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë. Sigurisht që Shqipëria dhe Kosova janë shtete më vete, por interesi reciprok i të dyjave është që tjetra të jetë stabile dhe të përparojë.
-Heqja dorë nga Kryeparlamentari a e zbeh fuqinë e veprimit të Bllokut? A mendoni se këtu me këtë rast “veproi” ose pati ndikim deklarata e Ambasadores amerikane ne Prishtinë?
-Nuk e di sa ka pasur ndikim deklarata e Ambasadores amerikane, por sigurisht që kur flet shteti amerikan me zë ky është sinjal se duhen veprime ose përndryshe do të veproj Amerika vetë. Pranimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Kryekuvendarin nga Blloku tregon reflektim pjekurie dhe vakje të shpresave që arsyeja do të ngadhnjejë. Në fakt, Blloku ka mundur të vepronte kështu më herët dhe të përqendrohej në koordinimin dhe përmirësimin e ofertës qeverisëse. Sido që të bëhet, pozita e Kryeparlamentarit nuk ka qenë dhe nuk do të jetë nyja gordiane e ngërçit. Nyja që nevojit zgjidhje është komunikimi i emancipuar i subjekteve dhe lojtarëve politik. Kushdo që do të qeverisë apo mbesë në opozitë në Prishtinë do të duhet të bashkëpunojë me të gjithë. Çështjet si bisedimet me Serbinë nën patronazhin e Brukselit, integrimet europiane dhe ligje si ato për veteranët e UÇK-së apo rivitalizimin e aseteve si Trepça ose Kosova e Re nevojisin koncensus shtetëror dhe gjithëpartiak. Nuk e kuptoj se si shumë politikanë shqiptarë kudo në Ballkan nuk e kuptojnë që vendit mund t’i shërbehet si në pozitë ashtu edhe në opozitë.
-Ban Ki Moon tha të mërkurën e kaluar: “Liderët e Kosovës duhet ta zgjidhin krizën politike.” A është kriza aq serioze sa që edhe kreu i OKB-së detyrohet të flasë për të?
-Po, kriza është serioze. Shteti i Kosovës tashmë ka realizuar humbje konkrete financiare, diplomatike dhe politike si pasojë e ngërçit dhe bile pasoja do të ketë edhe në vitet në vijim. Në vend se drejtuesi i OKB-së të flasë për pranimin e Kosovës në mekanizma global apo edhe në OKB, ai u tërheq vëmendjen liderëve të Kosovës për gjëra rutinore si krijimi i organeve të shtetit. Shqetësimi i të parit të shteteve të botës është i sinqertë dhe ai duhet të mobilizojë politikanët në Prishtinë që të veprojnë sa më shpejt. Ka ngecje në njohjet ndërkombëtare dhe ka anëtarë të KS të OKB-së që u kënaqet zemra ndërsa shohin problemet e Kosovës sepse kjo u jep municion në betejat e tyre gjeostrategjike. Kosova dhe shqiptarët nuk duhet të lejojnë këtë. OKB duhet të jetë në anën tonë. Mos të harrojmë se ne nuk do ta kemi fituar luftën e Kosovës derisa ta fitojmë betejën e anëtarësimit në OKB. Ajo ditë largohet për çdo ditë që liliputët e politikës sonë nuk e kuptojnë që bota dhe Kosova nuk sillet rreth boshtit të ekzistencës së tyre, por liliputët rreth boshtit të Kosovës dhe botës.
-A mendoni se nëse në këtë mënyrë po shkohet drejt zgjedhjeve të reja dhe a mund të shërbejnë këto zgjedhje si zgjidhje e këtij ngërçi?
-Nuk e besoj që do të ketë zgjdhje të reja. Zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt. Zgjedhjet e qershorit 2014 janë zgjedhjet e fundit për disa politikanë të shpenzuar dhe kompremetuar. Këto personalitete politike mund të mos mërziten për intetresin e Kosovës, por kur vjen puna te interesi i tyre nuk kanë problem të jenë të gatshëm për “lëshime”. Më e rëndësishmja, rreziku i zgjedhjeve të reja do të riaktivizonte nivelet më të larta të shteteve aleate dhe protektore të Kosovës, gjë që miqtë tonë nuk duan ta bëjnë sepse kanë çështje më emergjente dhe më të rëndësishme globale.
-Kryeministri Rama sapo përfundoi vizitën e tij në Beograd dhe Preshevë. Si e komentoni vizitën e tij dhe sa lidhet ajo me situatën në Kosovë?
Duhet të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt: Rama pat një paraqitje të shkëlqyer në Beograd.
-Zoti Rama pa mëdyshje meriton lëvdata personalisht, por duhet të rikujtohet se si arritëm në këtë ditë kur Serbia detyrohet të shoh krejt shtatin e peshës dhe kapacitetin e kombit shqiptar në Ballkan midis Beogradit. Janë me qindra mijëra dëshmorë, të dëbuar e të dëmtuar, fëmijë dhe pleq që kanë vuajtur, studentë dhe studente që kanë dorëzuar ëndërrat personale për idenë e madhe të barazisë, gra dhe burra që kanë humbur shumë dhe kanë punuar shumë, vajza dhe djem që kanë jetuar jetë të idhta që të triumfojë e vërteta dhe liria. Jemi këtu ku jemi sepse kemi kontribuar të gjithë, dikush më shumë e dikush më pak, por të gjithë kemi qenë bashkë. Kjo është me rëndësi të rikujtohet. E çmoj sidomos vizitën e Ramës në Kosovën Lindore dhe guximin e tij ta thotë të vërtetën e thjeshtë që shqiptarët në Serbi duhet të kenë të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë. Trajtimi i barabartë i njëri-tjetrit në Ballkan është themeli i një Ballkani më të mirë dhe paqësor. Republika e Shqipërisë dhe Kosovës janë të një rrënje dhe nuk ka se si aktet dhe veprimet e njërës të mos kenë lidhje me tjetrën.
Zoti Rama ka sjellur një energji të re në Tiranë. Mirëpo, për shkak të punës së madhe që kemi përpara kudo jetojnë shqiptarët në Ballkan, tash nuk është koha për medalione dhe shprehje kënaqësie. Pres më shumë nga kryeministri Rama në gjërat konkrete. P.sh. asnjë shtet shqiptar nuk ka bursë për listim dhe tregtim të aksioneve dhe bonove; nuk ka projekte të mëdha ekonomike të përbashkäta si fjala vjen Porti i Shëngjinit, i cili pritet t’u jepet kinezëve, por Tirana mund ta përfshijë me 33% aksione edhe Kosovën në këtë investim me rëndësi kombëtare dhe regjionale; nuk ka bashkëinvestime në sektorin e energjisë ku Tirana dhe Prishtina mund të bashkëfinancojnë me mbështetejen e mekanizmave financiarë global dhe privat Termocentralin në Kastriot në shumën deri në 600 milionë euro pa kurrfarë problemi; dhe nuk kemi universitete elitare që po ashtu mund të jenë të mbajtura bashkërisht me vija buxhetore nga të dy qeveritë. Vizita dhe nokautimi politik i kryeministrit serb në selinë e tij ishte një surprizë e bukur, por jeta vazhdon dhe ne duhet t’i kthehemi realitetit, i cili nuk është edhe aq pitoresk sa mund dhe duhet të jetë. Lëvizjet gjeopolitike janë në favor të faktorizimit tonë, mirëpo se sa do të arrijmë pikësëpari varet nga rregullimi i çështjeve të brendshme në oborret tona.
Së fundi një pyetje personale. Bazuar në agazhimin tuaj të vazhdueshëm a keni menduar ndonjëherë të përfshiheni direkt në politikën shqiptare në Ballkan?
Kjo është një pyetje që mund t’i shtrohet çdo shqiptari. Unë, ndoshta, pa dëshirë, në politikë jam që prej se di për vete. Jam rritur nën okupim, kam ikur nga okupimi për shkak të veprimtarisë politike dhe jam kthyer në atdhe për të ndihmuar gjatë çlirimit. Nuk ka ditë që nuk përpiqem të kontribuoj për popullin tim në SHBA. Janë edhe shumë të tjerë që bëjnë të njëjtën këtu në Amerikë, Europë dhe deri në Azi e Australi. Shqiptarët e sotëm nuk janë më ata të djeshmit. Nuk kam plane për hyrje në politikën aktive, por duke qenë në kontakt direkt me më shumë se një duzinë intelektualësh, veprimtarësh dhe pjesëmarrësish politik në Ballkan, Europë dhe Amerikë, disa prej tyre pjesë e institucioneve dhe shoqërisë civile, jam në rrjedha direkte të zhvillimeve shoqërore-politike. Shumë gjëra do të varen nga proceset e fundit dhe qasja e elitave tona. Nëse vendi futet në rrugë që e çojnë në qorrsokak dhe unë mund të kontribuoj direkt, atëherë, në bashkëkëshillim me Washingtonin, mund të inkuadrohemi në politikën aktive duke ofruar alternativa konkrete për zhvillim dhe mirëqenie të qytetarëve.
REAGIME TE PD PER VIZITEN E RAMES NE SERBI
*Berisha: Konferenca degradim, Rama u prit si vizitor i dorës së dytë/
* TRITAN SHEHU: Viti “Zero” nuk fillon sot per maredheniet Shqiperi-Serbi!/
Dr. SALI BERISHA, ka reaguar permes rrjetit social Facebook. ai e ka zhvelresuar ate qe po bejne mediat apo rrjetet sociale, duke e vleresuar si qendrim burreror e trimeror, qendrimin e Rames perballe Vucic- Konferenca e shtypit Vuçiç -Rama degradoi sikur te ishte konference shtypi midis Dukes dhe kreut te federates serbe te futbollit!!/
***
Ndërkohë me herët përpara, kur kryeministri Rama mbërriti në Beograd, ish-kryeministri Berisha në një postim në rritjen social facebook ka shkruar se Rama u prit pa flamur dhe si asnjë kryeministër tjetër, si vizitor i dorës së dytë.
“Me mungesën e flamurit shqiptar në aeroport, Beogradi pret Ramën si asnjë kryeministër tjetër, si vizitor të dorës dytë si për t’i thënë se t’i nuk ke flamur! Ky akt fyes, të rikujton fishkëllimat në stadiumin e Beogradit gjatë hymnit tonë kombëtar më dt 14 tetor. Por ajo ndodhi në një sadium fanatikësh kurse në aeroportin e Beogradit ishte protokolli më i lartë i shtetit serb.“
***
Rama dhe mediat e tij e trajtojne viziten e sotme ne Beograd si pelegrinazh. Beogradi e pret ne aeroport me protokoll zyrtar por jo me flamurin shqiptar!
TRITAN SHEHU:Viti “Zero” nuk fillon sot per maredheniet Shqiperi-Serbi! /
1-Cili eshte mendimi juaj per momentin kur behet vizita e kryeministrit te Shqiperise ne Beograd? E shumeperfolur, e shtyre disa here…
Pergjigje: Takimet dhe shkembimet e opinioneve midis vendeve tona te Rajonit, inkluziv dhe Serbine jane kurdohere pozitive. Kjo eshte bota e re ku jetojme sot edhe ne gadishullin tone. Pra gjithmone ka vend per dialog. E tille ka qene diviza jone politike qe me 1992, duke u kthyer keshtu ne nje faktor te rendesishem per stabilitetin e Rajonit. Mos te harrojme gjithashtu se nje dialog frutdhenes po ndodh sot dhe midis Kosoves e Serbise. Mua gjithmone me duket pozitive politika e bisedimeve. Ne lidhje me maredheniet tona me Serbine ketu dua te theksoj se ato kane ekzistuar dhe me perpara. Vizita ne fjale e Z.Rama nuk eshte ndonje “permbysje” per shkembimet tone. Ajo eshte vecse nje rritje niveli ne linjen e takimeve te fundit. Ne fakt ka pasur dhe vizita te tjera te niveleve te larta reciproke, qe heret pas vendosjes se demokracise te ne atehere me ish Jugosllavine, si dhe me tej me Serbine. Keto maredhenie kane hyre tashme ne rrugen drejt normalizimit te tyre dhe ne saje te ketij rrugetimi te perbashket prej disa vitesh. Ne kete menyre une nuk e gjej kete vizite si dicka te “jashtezakoneshme”. Te them te drejten mua me cudit tendenca e qeverise se majte per t’i dhene kesaj vizite vlera apo rendesi te “fryra”. Viti “zero” nuk fillon sot per vendin tone. Shqiperia e Serbia nuk kane qene ne “lufte” midis tyre ne kete periudhe post millosheviciane, qe sot te paraqitet sikur kjo vizite do te hape nje epoke te re midis nesh apo ne Rajon. Dhe as ka pse te tentoje ta beje kete. Perkundrazi maredheniet tona bilaterale, tashti qe Kosova eshte e lire e aq me shume qe ka nje dialog Prishtine-Beograd, jane shume me te lehta per tu zhvilluar pozitivisht. Nga ana tjeter per te qene te sinqerte e realiste duhet te konfirmojme ate qe Serbia per ne eshte vetem nje partner rajonal dhe asgje me shume, me te cilin ne prej vitesh po punojme per te pasur maredhenie sa me pozitive. Jam dakort qe ka ceshtje te hapura, vecanerisht te tilla qe lidhen me qendrime akoma arkaike te disa qarqeve serbe. Por nga ana tjeter rruga e zhvilllimit ka qene e do te jete e favoreshme. Pra e perseris, eshte iracionale perpjekja per ta hiperbolizuar kete vizite dhe per t’i dhene asaj elemente, qe nuk i takojne.
Ju me pyesni per momentin? Une nuk i jap shume rendesi atij tashme. Rendesi ka te jete e mirepregatitur qe te arrije disa qellime pozitive, si ne planin e mesazhit te mirekuptimit, rritjes se shkembimeve bilaterale, influencimit pozitiv per procesin e integrimit te Rajonit tone etj. Duke uruar qe te perfundoje keshtu, le te presim e ta shohim kete nga rezultatet konkrete. Por dicka dua te shtoj ketu, ne te gjithe keta muaj Z. Rama ka tranzmetuar nje mesazh te gabuar, ate te dimensioneve te ekzagjeruara te vizites, si dhe te pa durimit per ta realizuar ate. Keto kane bere qe edhe te niset per aty pa e pregatitur mire ate, gje qe i ka kushtuar jo pak nga anullimet e saj. Pra nuk jam i sigurte se sa e pregatitur eshte kete here.
2- E pare ne kete sfond ‘armiqesor’ vecanerisht pas ndeshjes/perleshjes se futbollit ne Beograd mendoni qe takimet do te mbartin fryme konstruktive, dhe me konkretisht a mund te kete rezultate qe te justifikojne kete ndermarrje diplomatike?
Pergjigje: Mesazhet e ardhura nga Beogradi jane kontradiktore. Duket qartesisht qe aty ekziston nje dualizem i thelle dhe ndaj ketyre zhvillimeve reciproke, qe une do t’i konsideroja pozitive dhe ne perputhje me filozofine tone te bashkejeteses ne keto vite demokraci. Ketu nuk eshte ceshtja e ndeshjes se futbollit. Ajo ishte vecse nje moment ku problemet u bene te dukeshme. Ne fakt ato kane ekzistuar midis politikes e mentalitetit te disa grupimeve serbe. Ashtu si dhe atje ka shume forca progresive e vizionare ndaj te ardhmes sone te perbashket europiane. Pra kjo kontradikte serioze e brendeshme serbe i ve ne dyshim dhe rezultatet reale e konkrete te vizites. Nga ana deklamative une besoj se duhet dhe do te kete nje kujdes per ta nxjerre sa me “roze” ate.
3-Askush nuk e ve ne dyshim rendesine e dialogut bilateral dhe rajonal, por a do ta bente kete vizite me frutdhenese ne rastin e Serbise konsultime, shkembim mendimesh me te gjithe faktoret politike dhe specialiste te diplomacise ne Shqiperi? Kam parasysh edhe pervojen tuaj si ish minister i jashtem i ketij vendi.
Pergjigje: Absolutisht kjo eshte e vertete. Jo vetem qe konsultimet me faktoret ne vend jane gjithemone te domosdoshme, por vecanerisht ne kete rast marrin vlere shume me te larte. Dhe ketu dua te permend ne radhe te pare domosdoshmerine e shkembimit te opinioneve paraprake me opoziten. Normalisht keshtu duhej te veprohej. Gjithshtu une do ta konsideroja pozitive dhe nevojen e shkembimeve te ideve dinamike me faktorin nderkombetar perpara se kjo te realizohej.
4-Per te qene me konkret. Kush del me i ‘fituar’ nga kjo vizite kur edhe dy dite para vizites se Z. Rama presidenti i Serbise Nikolic i deklaroi kryeministrit te Frances, sipas agjencise Tanjug, se projekti i te ashtuquajtures Shqiperi e Madhe dhe rritja e provokimeve shqiptare ne rajon mund te kthehen ne nje problem qe edhe BE nuk do te jete ne gjendje ta zgjidhe?
Pergjigje: Une nuk do ta shtroja keshtu ceshtjen. Zhvillimi i maredhenieve ndermjet vendeve te rajonit eshte ne dobi te te gjitheve. Ne Shqipetaret ne te gjithe keto vite, prej 1992, jemi dalluar per nje politike te emancipuar e konstruktive, qe ka influencuar pozitivisht ne stabilitetin e Rajonit. E ritheksoj, ne sot jemi nje faktor i rendesishem i tille. Pra ketu, ne keto dite nuk ka te reja thelbesore ne kete strategji. Ne e kemi luajtur kete rol shume te rendesishem me koshience e dinjitet prej reth 22 vitesh. Pa dyshim qe dhe ky qendrim i yni ka influencuar fuqishem per pozitivitetin e zhvillimeve te viteve te fundit per neve ne teresi. Kosova tashme eshte e lire, shqiptaret jetojne ne vende e ne shoqeri demokratike e po integrohen ne hapesiren Euro-Atlantike. Ne e kemi treguar qartesisht se aspirojme vetem te e ardhmja jone e perbashket europiane, ku dhe kur kufijte do te cvleresohen. Ky eshte i vetmi plan qe ne kemi per te ardhmen. Ne nuk kemi nje plan tjeter “B”. Ne kete logjike une do te thoja se nuk duhet te na shqetesojne disa deklarata provokuese, nga kushdo qe te vijne. Dhe keshtu kemi vepruar deri tashti. Ne duhet te vazhdojme te tranzmetojme gjithmone dhe me shume mesazhe europiane e perendimore. Por dicka duhet ta theksojme qartesisht e kurdohere. Ne kemi qene e jemi faktore, qe kemi zgjidhur probleme e kemi krijuar stabilitet ne Rajon dhe jo e kunderta. Dhe kete e kemi bere prej dy dekadash, me qetesi, vizion e bindje te thelle. Kjo eshte strategjia e jone stabilizuese dhe vizionare afat gjate. Kjo nuk filllon sot me viziten e Z.Rama ne Beograd. Kjo vizite duhet te ndertohej e konsiderohet vecse si nje hap tjeter ne kete shtegtim. Cdo perpjekje per te tranzmetuar mesazhin e gabuar sikur neve vecse sot po fillojme te luajme nje rol te tille ne Rajon, jo vetem qe eshte iracionale, por eshte demtuese si per kete vizite, ashtu dhe ndaj meritave e interesave tona.
5- Dhe nje pyetje e fundit, pak jave me pare disa e komentuan nje prononcim te Z. Basha si nje kundershtim te kesaj vizite. Komenti i juaj?
Pergjigje: Ato komente nuk ishin aspak te sakta dhe as ne perputhje me te verteten. Z.Basha asnjehere nuk eshte shprehur kunder nje vizite te Z.Rama ne Beograd. Ai ato dite tensioni mbas asaj qe ndodhi ne ate stadium me te drejte kerkoi qe ajo vizite te shtyhej. Dhe kjo ishte e domosdoshme ne ate periudhe qe gjerat te qetesoheshin dhe vizita te pregatitej me mire, duke marre ne konsiderate dhe ato ngjarje te renda. Ne fakt keshtu u veprua me tej dhe nga vete Z. Rama, mbas bisedes se tij telefonike me homologun serb. Vizita u shty. Shpresoj qe koha e shtyrjes te jete perdorur me racionalitet e seriozitet per te pasur rezultate konkrete pozitive nga ky takim i nivelit te larte.
Botuar ne Gazeten “Albanian Daily News”/