• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRAJLIZIMI I MALIT TË ZI

April 23, 2014 by dgreca

Milo Gjukanoviç, ky “krajl i ri” i shek. XXI, kërkon që edhe me figurën e krajl Danilo I Petroviç-Njegos, edhe me zgjedhjet e 25 majit 2014, të “krajlizojnë” Malin e Zi./
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
25 maji i sivjetëm i zgjedhjeve lokale në ma shumë se gjysmën e komunave të Malit të Zi si në ato me popullsi etnike shqiptare si në Podgoricë e dy komunat urbane të saj (Tuzi/Malësi e Golluboci/Zeta), në Plavë, Tivar, Guci, Rozhajë, etj. përkon jo rastësisht me përvjetorin e ditës të lindjes të krajlit malazez antishqiptar Danilo I Petroviç-Njegos (1826-1860).
Mali i Zi, pasi fjeti mbi tetë dekada me ëndrrën fillkëputun të krajlisë nga Jugosllavia e Parë Versajiste, u zgjua në vitin 2006 kur kryeministri Gjukanoviç e Co e tij kërkuan të organizonin referendumin për pavarësi më 13 korrik, në përvjetorin kur Kongresi i Berlinit (1878) e njohu botnisht si principatë, si krajli ballkanike. Kjo u kundërshtua nga Komuniteti Ndërkombëtar, pasi e shihnin si rrezik të ringjalljes të nacionalizmit malazez të krajlisë në këtë shtet të vogël multietnik.
Atëherë, Gjukanoviçi që i parapëlqente eventet madhore në muajin e tij të lindjes në shkurt e përzgjodhi muajin Maj për organizimin e refendumit. Përndryshe: “muajin e krajl Danilo”, me synim rrënjas e perspektiv krajlizimin e Malit të Zi. U përcaktua data 21 Maj për referencumin, e cila tashma është festë zyrtare, Dita e Pavarësisë të Malit të Zi.
Prej kësaj kohe nisi kremtimi e promovimi i muaji Maj si”Muaji i krajl Danilo I”. Faktet flasiv vet, sikur të marrim në shqyrtesë vetëm zgjedhjet lokale: A nuk u kryen më 23 maj 2010 zgjedhjet lokale në 12 komuna të Malit të Zi si në Podgoricë, Ulqin, Tivar, Rozhajë etj ?! A nuk u përzgjodh 28 maji 2013 për zgjedhjet në komunën e re të Petnjicës?! Po këto të sivjetmet pikërisht më 25 Maj 2014?!
Çështja parashtrohet edhe ndryshe: zgjedhjet e vjetme për komunën e re të Petnjicës me shumicë boshnjake pse nuk u lanë më 28 shtator, në Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve?! Apo këto të sivjetmet në komunat shqiptare në Guci e në Plavë pse nuk u shtynë për 28 Nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Shqiptarëve?!

2.
Krajl Danilo I Petroviç-Njegos nuk e ka Majin vetëm muaj të lindjes së tij, po edhe të shovinizmit të tij gjakatar ndaj shqiptarëve etnik që kulmon me Betejën e Grahovacit (1 maj 1858), e cila u zhvillua në komunën e sotme Nikshiq. Kryeministri Gjukanoviç (me klanin e tij politik nikshiqas) u rrit e mburrej me historinë e kësaj lufte, e kishte dhe e ka rituale shkuarjen tek vendi i saj gjatë gjithë jetës së vet.
Ky krajl, Danilo I Petroviç-Njegos, djali i luftëtarit të madh njegosh, Stanko Stijepov, kushëri i princit-bishop Pjetri II (1813-1851) është një figurat ma të shquara në historinë diplomatike, politike e fetare të Malit të Zi. I etnisë serbe dhe gruaja e tij Darinka Kreviç (Petroviç-Njegosh) ishte serbe, femën e ditur e frankofone, nga një familje shumë e pasur në Trieste. Nga princ-bishop Danilo II (1851-1852) kthehet në princ (krajl) Danilo I (1852-1860) i një principate laike të vogël me 1.500 km2 e cila përfshinte katër krahina: e Katundeve, e Rijekës, e Cërmnicës, e Leshanit. Kjo principatë, kishte marrë (për)forcime në vitin 1833 nga Car Nikolla I mbi 18.000 rubla ruse, nga të cilat 8.000 vetëm për ngritjen e institucioneve, si dhe Kisha Ortodokse Ruse i dha mbështetje për institucionet fetare, po e ndihmonin e mbronin edhe Vjena e Parisi, Serbia. Krajlit Danilo I Franca i jepte çdo vit nga 200.000 franga, etj.
Krajli Danilo I Petroviç–Njegos, kit’ principatë me mbështetje ndërkombëtare, e dyfishoi në 3.000 km2, e cila kishte 80.000 banorë sipas rregjistrimit zyrtar të vitit 1855. Pas betejës së Grahovacit (1 maj 1858) të ndërmarrë e fituar sëbashku me të vllain, Vojvoda i Madh Mirko (baba i Krajl Nikolla I) i zgjeroi prapë territoret e principatës së tij me pushtime të përgjakshme, aneksime me masakra e asimilime të pashembullta, marrëveshje me otomanët, etj. si qytetin e Grahovës me rrethina e Rudinat e Nikshiqit, Danilovgrad, kah Shavniku, Pluzhina, Zhabjak, Vasojeviçin e Epërm e Kuçi, etj., të cilat u formalizuan padrejtësisht në Kongresin e Berlinit (1878), në kohën e Krajl Nikollës.
Nipi i tij, krajl Nikolla I Petroviç-Njegos ia hyjnizoi emrin e famën krajlit paraardhës Danilo I Petroviç-Njegos, që ia rriti me rreth 3.000 km2 sipërfaqen Malit të Zi, etj. duke marrë territore etnike shqiptare. Djalit të tij të parë, ia vuni emrin Danilo Nikolla Petroviç-Njegos (1871), princi që drejtoi Grupimin ushtarak të Qëndres me 13.000 ushtarë për pushtimin e Shkodrës… Qyshse në maj të vitit 1870, krajl Nikolla I filloi ndërtimin e një kryeqyteti malazez (projekt) me emrin e krajl Danilo I, përndryshe: komuna e sotme Danilovgrad, midis Nikshiqit e Podgoricës, në brigjet e lumit Zeta, vendbanim i fisit të madh të Palabardhëve shqiptar.

3.
Menjëherë pas shpalljes e njohjes së Malit të Zi shtet i pavarur e sovran, Gjukanoviçi e Co politike, sikurse edhe krajl Nikoll I Petroviç-Njegosh (1860-1918) filluan promovimin e figurës së krajl Danilo I Petroviç-Njegosh.
Në maj të vitit 2006 përuroi memorialin e Betejës së Grahovës në 150 vjetorin e saj, e cila ishte tjetër përpjekje për ringritjen simbolike të antishqiptarit krajl Danilo I Petroviç-Njegos e vllait të tij, Vojvoda i Madh Mirko apo ndryshe: “Duka i Madh i Grahovacit”.
Pra, eventet e majit ndër vite, të paktën nga Referendumi i 21 majit 2006, i kremtimit të 150 vjetorit të Betejës të Grahovës (2008), zgjedhjet lokale në maj 2010, 2013 e këto të fundit të 25 majit 2014 kanë vetëm një domethanie: krajlizimin e Malit të Zi.
Tregues burimor e ballor është edhe vet kryeministri antishqiptar Milo Gjukanoviç, i cili prej 15 shkurtit 1991 e drejton Malin e Zi, herë si president e herë si kryeministër. Ky është edhe kryetar i Partisë të Socialistëve Demokratë (PDS), parti e cila e ka zgjedh nga radhët e saj edhe Presidentin Filip Vujanoviç (president prej vitit 2003 e kryeministër në vitet 1998-2002). Nga koalicioni partiak i Gjukanoviçit është edhe kryetari i Parlamentit Ranko Krivokapiç (prej vitit 2006). Uzurpim të pushtetit nga Gjukanoviçi ka edhe në pushtetin lokal si kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha prej vitit 2000 e ministër nga viti 1990, etj. Përndryshe: këta janë “oborrtarët” e Gjukanoviçit.
Ky është viti i 24-t që Milo Gjukanoviç drejton Malin e Zi, një mandat si president e shtatë mandate si kryeministër, si asnjë politikan tjetër në të gjitha shtetet antëre në BE e në NATO. Përndryshe është një “krajl i ri” i Malit të Zi.
Milo Gjukanoviç, ky “krajl i ri” i shek. XXI, kërkon që edhe me figurën e krajl Danilo I Petroviç-Njegos, edhe me zgjedhjet e 25 majit 2014, të “krajlizojnë” Malin e Zi.

Filed Under: Opinion Tagged With: KRAJLIZIMI I MALIT TË ZI, Ramiz Lushaj

ELIDA BUÇPAPAJ – VETËVETJA NË POEZI E NË PËRJETËSI

April 21, 2014 by dgreca

Shënime nga Ramiz Lushaj, për veprën poetike.“Unë jam e përjetshme” e poetes Elida Bucpapaj”/
1.
Si astenji shembullim tjetër bashkëkohor shqiptar, zonja mediatike Elida Buçpapaj, ka një shtatrritje të trefishtë në vite dhe në personalitet poetik: Vajzë e poetit historik, lirik, atdhetar – Vehbi Skënderi, i dekoruem nga Presidenca e Shqipërisë së tij me titullin e lartë të nderit “Mjeshtër i Madh” dhe i cilësuem me të drejtë nga kryeministri aktual prof. dr. Sali Berisha si “personalitet i letrave shqipe dhe i mendimit intelektual shqiptar”. Nuse e poetit emblematik – Skënder Buçpapaj, një “Uollt Uitman shqiptar”, një kreshnik i fjalës poetike në Alpet shqiptare e zviceriane. Vet Elida poete, në udhaecjen e saj në këtë truall poetik familjar, në hapakrahë të këtyne dy majemaleve poetike, në pengesat e lartësitë e kohës, ujëvaron me rrjedhën e vet krijuese dhe në fjalahapa të pandalun shtatmatet me gen e penë me këta dy emra të mëdhenj që asnjani të mos i bajnë eklips opinional tek të tjerët dhe të mos mbetet në hijen e tyne.
Në përditje e stade kohore, veçmas në dy vëllimet poetike të njipasnjishme në muajt e fundit, ia ka mbrri të ketë universin e vet poetik, diellin e vet poetik, individualitetin e vet poetik. Përndryshe, Elida Buçpapaj në jetë e përtej jete, në gene gjaku e pragu – si bijë e nanë, në adhurim e me mirënjohje iu përket të dyve (të atit dhe bashkëshortit të saj), veçse në vekin e vet poetik, në pajën e saj poetike për lexuesit, është Vetvetja.
Kësisoj, në një farë mënyre të drejtpërdrejt, Elida – kjo poete e njohur, qyshse me librin e parë “Vij” trokonte e heponte me ngulmim, ravijëzime e nivelime për të qënë e mbet Vetëvetja. Në hulmet e gurrat poetike të vëllimit tjetër, i dyti i rradhës, rivjen me unin e vet poetik, me frymëmarrjen e vet poetike, si për t’i prapëthënë muzës së saj, vargut të saj, lexuesit të saj: “Unë nuk jam e përjetshme”, por Vetëvetja.
Treshes poetike: Skënder Buçpapaj, Vehbi Skënderi, Elida Buçpapaj, dikund e dikah në hapaecje të demokracisë iu diellet rruga e vendlindjes dhe e mërgimit, ashtu sikurse dikushi e askushi nuk mungon e nuk priton me iu mbrapshtue me gurna e ngrica. 18 vite jetë në tranzionionin shqiptar dhe në azilin zviceran ia shtynë librin e tretë: “Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit” (2012). Realisht tek ky vëllim poetik është krejtësisht Vetvetja. Ndoshta dhe kjo pritje kaq e gjatë do të përforconte vetëm një fjalë: Vetvetja.
Kjo vërtetësi e identitetit poetik të saj e merr natyrshëm vulën e kohës bio-poetike tek vargvepra ma e fundit: “Unë jam e përjetshme”.
Tashti Elida Buçpapaj është më shumë se Vetvetja në krijimtarinë poetike. Kjo poete po vjen e motivueme dhe e pozicionueme, e vlerësueme dhe e kërkueme, si një avangardë në krijimtarinë poetike të kohës sonë, jo veç në vrellalumin e poeteve femna.
Poetja Elida Buçpapaj është një princeshë e poezisë moderne shqipe.
2.
Tek vëllimi “Unë jam e përjetshme” poetja Elida Buçpapaj me letërnjoftimin e vet poetik ndjehet e tillë – e përjetshme: për vet udhëtimin e saj të veçantë në jetë e në letërsi, për vet progresin e shenjuem të shekullit të ri.
Tashma e ka dëshmuar me artin e vet se bota planetare është e saj, sepse nuk ka forcë politiko-ideologjike si në diktaturën e kuqe komuniste që të ndalte të drejtën e botimit, të kufizonte liritë e fjalës poetike, t’i çonte librat e ndaluem për karton. Tek poezia “Ky perëndim dielli” na flet për Adriatikun e Jonin, malin e Dajtit e liqenin e Pogradecit, por edhe për “diellin brazilian, haitjan…”, “liqenin Miçigan në Amerikë”, etj. (fq.113-114), ndërsa tek poezia “Jam duke pritur shiun” flet për konfliktet në Kosovë, Irak, Afganistan, Bosnje, për Pranverën Arabe (fq. 127-128), etj.
Poetja e përveçme Elida Buçpapaj me atributet e kontributet e saj të derisotme i jep të drejtë vetes dhe koha i jep të drejtë asaj të jetë e përjetshme, sepse në fillimet e demokracisë së re shqiptare ishte korrespondente e radios “Zëri i Amerikës” duke shpërndarë në eterin e globit fjala-zërin e saj për ecuritë e vështira dhe arritjet e mira demokratike në Shqipërinë postkomuniste, një nga vendet më të izolueme, më të varfëra, më diktatoriale të botës.
Kjo poete emigrante, prej vitit 1998, jo pak, po një dekadë kohë, ishte redaktore-koluministe tek gazeta kombëtare – ma e madhja media shqiptare: “Bota Sot” në Zvicër, që shpërndahej shpejt e pandalun në Kosovën e Lirë, në Europën Perëndimore (Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Austri, Itali, Hollandë, etj.), në Tempullin e Demokracisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prapë fjala e saj e shkrueme dritëron në kombëtaren “Bota Sot” tue pasqyrue kohën e sotme e kombin e përjetshëm shqiptar.
Elida Buçpapaj është e përjetshme. Ndoshat ndokush don argumente. Nuk mungojnë. Aq ma mirë – nuk janë të pakët. Kjo është një përkthyese aktive, produktive,cilësore. Në shtypin shqiptar të letrës dhe elektronikës si në ato të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Podgoricës, në ato të Diasporës shqiptare në Zvicër, Amerikë, Athinë, Itali, Australi, Kanada, Belgjikë, Suedi… vijnë majemalet e poezisë botërore, si: Thomas Stearns Eliot, Carlsandburg, Rabindranath, Tagore, Ëislaëa Szymborska, Uilliam Blake, Edgar A. Poe, Guillaume Apollinaire, Arthur Schnitzler, Jorge Luiz Borges, Cesare Pavese, Jacques Marqucz, etj., etj.
Gjithsesi nuk po due me e heshtnue edhe një tjetër argument, që gjithsesi nuk është i fundit: Gazeta elektronike “Voal Online – Zëri i Shqiptarëve”, elitare në llojin e vet, që ta jep botën në pëllëmbë të dorës, që ta sjell para syve Shqipërinë Londineze, Kosovën sovrane, Luginën e Preshevës (Kosova Lindore) me krahinën e Sanxhakut të okupuem nga Serbia, Malësinë nga Ulqin në Plavë-Guci të okupuem nga Mali i Zi, Çamërinë me rrethina shqiptare të okupueme nga Greqia. Aty shqiptarët e botës pikapjekën me njani-tjetrin. E kjo gazetë e përminutshme, përcjellëse e lajmit më të shpejtë shqiptar e (ndër)kontinental, drejtohet me profesionalizëm nga dyshja që janë një e përbashkët: Elida e Skënder Buçpapaj.

3.
Diçka duhet të kemi të kthjelltë: Elida Buçpapaj nuk është e përjetshme se iu ka mbushur mendja asaj ta deklamoj botnisht në titullin e varglibrit të rradhës. Ajo është e mbetet e tillë nga vet-mbushjet e mëdha shpirtërore, intelektuale, poetike…të saj, nga vet-përmbushjet misionare të saj si qytetare, si nanë, si krijuese, si veprimtare e letrave shqipe, si përcjellëse e vlerave (ndër)kombëtare letrare.
Në magjen e saj krijuese brumapjeket mirësisht poezia engjëllore “Magjia” (fq. 77-79) teksa artnon vargjet e bardha: ”Me “Labeatin”/ notojmë/ përgjatë rrjedhës/ së Drinit/ nëpër Dardani/ dhe në frymëzimin e saj mirëkrahason “anija luhatet si djep”. Mrekullisht i portretizon shumëdimensionet e saj: “jam Zana/ Tanusha/ apo një dhi e egër/ e pakapshme/ shkrepëtimë/” dhe “jam Orë/ në gji kam qumësht/ të trashë/ të bardhë/ real”. Kjo poete tue udhaec krenarisht me anije përmes liqenit të Komanit, bash në trevën gjimbajtëse të Eposit të Kreshnikëve, na e paraqet vetëveten sa tokësore edhe qiellore, sa mitologjike edhe reale.
Kjo, poetja Elidë, jo se don të paraqitet si frymëzim çasti në këtë poezi të saj, po ndjehet prej hejcekuri përjetim real i Tanushës të Eposit legjendar të Kreshnikëve. Ajo është Tanusha e mirë e kohëve moderne. Njejtësisht e denjësisht është vajza e një “krajli poet lirik”- Vehbi Skënderit, nga një familje korçare me tradita atdhetare e fetare. Babain e saj, poet i rrallë, partizanin me dy plagë në trup, me disa vepra poetike të mbrrime, nuk e deshti të tillë koha e komunizmit enverian, ndaj çuen për dënim politik në veprën ndërtimtare energjitike të Fierzës – aty ku Drini bigohet me Valbonën. Për koinçidencë: pak kilometra ma andej shtrihet në një rrafshinë të plantë Tplani – vendlindja e “Dinastisë poetike Buçpapaj”.
Poetja Elida Buçpapaj, kjo Tanushë shqiptare kërkon Kreshnikun e saj në një histori tjetër moderne. Dhe ai vjen: erdhi nga Toka, zbriti nga Qielli, e solli Dielli. Nuk e di. Diçka e kam të sigurtë: Ai ishte kreshniku poetik, jo veç nga shtati tipik malësor dhe nga artfjala e veçantë poetike, po edhe i lindun dhe i rritun në trevën e Eposit të Kreshnikëve, në Malësinë e Gjakovës, përndryshe: Malësinë e Mirë. Ai ishte Skënder Buçpapaj, një kreshnik i kohës moderne, një nga lisat poetikë rrënjadegë në kohëna; që e deshën larg të gjitha rregjimet kuq e blu, një mal që e ban vendin e vet në rritje, që i lumturohet idealisht vetësakrifikimit shpirtëror, poetik…biblik për të Tjerët, që ata të mos vuajnë nga dhimbja dhe krenaria.
Kjo Tanushë shqiptare, në një epokë moderne, në një kohë me frymëtime demokratike, në një jetë më vuajtje e shpresa, vjen si Nanë në një trevë me histori e kulturë të përjetshme. Edhe vetë është e përjetshme edhe për këtë fakt hyjnor: Nana Elidë i jep jetës jetë me të dy djemtë e saj: Prizrenin dhe Endritin, si dy yje me kulturë bashkëkohore, të dhanun pas ditunisë, përkthimeve, vendlindjes së prindërve. Nana Elidë, poetja Elidë, në poezinë “Magjia” ndjehet jetësore e hyjnore teksa “nxjerr gjirin dhe mënd” ushqen Prizrenin e paksa rritun dhe “Endritin / ende të palindur”/ dhe për ma tepër legjendarizon realen: “pik-pik / pikon qumështi / në bashin e anijes / dardane / me emrin “Labeat’’’/. Si në Eposin e Kreshnikëve kur Zanat i jepnin fuqi Mujit me qumështin e dhive të egra, kur iu prinin Orët në beteja… edhe Elida, nana “me gjirin plot qumësht / të bardhë / të bukur / dhe poetja me fantazi të ndezun reale të rrugës së qumështit deri tek Kashta e Kumtrit dhe tek “Theqafja e Drinit” na dijenon se “jam Nëna / Ora / Zana / dhija e egër / probatesha e tyre / dhe kreshnikët e eposit të lashtë, siç artnon nëna-poete “kanë dalë / e më presin /në “Theqafje të Drinit”/ kërshe më kërshe /(duhet ma shqip – shkëmb më shkëmb, shënim nga R.L.)/dhe më presin / me nderim”/. Dhe patjetër kreshnikët e rinj të bjeshkëve të Eposit të Kreshnikëve, të Etnosit Shqiptar, do të jenë edhe dy djemtë e saj, nipat e mbesat e saj.
Elida Skëndëri si talent u shfaq shumë herët në amzën poetike familjare. Rruga poetike e Elida Buçpapajt (Skënderi) mbetet tepër e gjatë, e përjetshme. Kjo poete nuk ka veç një poezi “Magjia”, po vet krijimtaria e saj është magjike kur buron si krijim hyjnor, si hymn jetësor, si yllsim i realiteteve. Në krijimtarinë e saj poetike e publicistike ka fuqi ajzberige magjike për të shpreh dhimbje e krenari, ka një fuqi ullake magjike për t’iu kundërvënë deri në rebelim rrjedhave të padrejta të jetës, ka një fuqi flakadane magjike ndaj mbrapshtinave që i vetarsyeton në segmente apo klane të politikës së ditës e të kohës.
Kjo që po e ceki në përmbyllje nuk është aspak e tepërt: Nëse poetja Elida Buçpapaj është shumëdimensionale në legjendarizim të vargjeve në poezinë – hymn i jetës “Magjia”, ku ndjehet si Nanë, si Zanë, si Orë.., ajo duket se ndjehet e tillë, realisht shumëdimensionale, edhe në jetën e prejardhun, të sotme dhe të përtejme të saj. Edhe në vargveprën e saj poetike: “Unë jam e përjetshme”.
Ajo është shumëdimensionale, se është poete, është përkthyese, është publiciste, është botuese, është kulturologe, është veprimtare e shoqërisë civile, është… Padyshim është një nga simbolet e kohës që rrezaton vlera e visare për brezat. Padyshim është një nga femnat model që dëshmojnë fuqi e lartësi për kohën e sotme. Sigurisht është dhe mbetet Vetëvetja në poezi e në jetë, në Atdhe e në Mërgim, në lodhjet e në lumturinë e saj, në dhimbjet e në krenarinë e saj.
Poetja Elida Buçpapaj – kjo vajzë korçare, nuse tropojane, qytetare e Shqipërisë e Zvicrës, emigrante politike e Tiranës zyrtare dhe e Europës së Bashkuar – është poete e botës, me zërin e saj tokësor e qiellor, me individualitetin e saj jetësor e poetik, me fondin e saj fletëhapun e vrellarrjedhë kristaltë, me vargveprat e saj poetike, tek ma e para e deri tek kjo e sotmja “Unë jam e përjetshme”. E thonë latinët: “Heronjtë vdesin një ditë, po shkrimtarët, poetët e historianët nuk vdesin kurrë”. Ata janë të përjetshëm në breza. Ata janë përjetësia e kohnave.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramiz Lushaj

SHQIPTARËT I DHANË PAVARËSINË MALIT TË ZI

April 20, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Shqiptarët ishin “Pro” Pavarësisë të Malit të Zi herët, qyshse në ma të parin Referendum, atë të 1 Marsit 1992. Me deklarata politike e publike dhe me bojkot e votim dolën hapur kundër federalizimit në Jugosllavinë drejt shpërbërjes.
Kujtesa historike dëshmon: Në fushatën e këtij Referendumi (1992) kryeministri i atëhershëm e i sotëm, Milo Gjukanoviçi me partinë e tij të Demokratëve Socialistë (DPS), lëshonte thirrje lumnuese e kërcenuese për bashkim federal me “Jugosllavinë e Tretë” të pas Titos, me Jugosllavinë e mbetur, me mikun e tij të ngushtë Sllobodan Millosheviçin. Trevat etnike shqiptare në brigje të Adriatikut deri në liqenin e Plavës dhe rrjedhave të Moraçës e Limit ia kanë ndie Gjukanoviçit hapat e fjalët evokuese e provokuese për “lidhje gjaku me serbët, krenari për luftërat sëbashku, shtet të përbashkët me zemër të hapur…”, etj. Shoveni e diktatori Gjukanoviç shkoi aq larg e lart sa i quajti “separatistë” shqiptarët nën Malin e Zi, pasi, sipas tij, këta dashkan shpërbërjen e Jugosllavisë, etj.
Përkrah federalistit Gjukanoviç, aleate ma kryesore ishte Partia Popullore, e themeluar më 1906 në kohën e krajl Nikollës dhe e rithemeltuar më 1990, parti e cila ende sotekësajdite e mban kryemoto të saj Hymnin e Krajl Nikollës të kënduar në luftëra pushtuese e aneksuese ndaj shqiptarëve, hymn që ban thirrje për të pasë kryeqytet Prizrenin (!) E treta parti që e mbështeste fort ishte Partia Radikale Serbe e antishqiptarit pa skaj, Vojisllav Sheshel, që tevona do ishte i shumkërkuar e i dënuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Ish-Jugosllavinë.
Krejt ndryshe nga shqiptarët etnik nën Malin e Zi vepruan masivisht e aktivisht malazezë e serbë, etj. të cilët të prirë nga disa parti me frymë federaliste e prosllave, me ndikime e frymëzim edhe nga kisha ortodokse sllave në Rusi, Beograd e Çetinë, morën pjesë 66.04 për qind në votime dhe votuan 95.96 për qind e tyre “Pro” bashkimit me Jugosllavinë, të cilën tevona dashamiri me tepri i sllavëve, Havier Solana, do ta pagëzonte “Unioni Serbi e Mali i Zi” e do të thirrej si me humor politik “Solanda”.
Kontributi shqiptar për Pavarësinë e Malit të Zi duket qartë, qoftë edhe me nji krahasim të vetëm mes tri komunave “kampione” për nga popullsia e nacionaliteteve: Çetina me shumicë absolute malazeze (kryeqytet kushtetues i Fronit malazez) dhe Andrejavica, me shumicën ma të lartë serbe, votuan “Pro” federalizimit me Serbinë, përkatësisht me 95.24 për qind dhe 99.61 për qind. Ulqini, me mbi 80 për qind shqiptarë etnik, nga 15.363 banorë të rregjistruar për votim në Referendumin e 1 marsit 1992 mbi 15 për qind e tyre (2.411 vetë) ma së shumti malazezë e serbë të atyshëm, votuan për bashkim me Jugosllavinë.
2.
Shqiptarët etnik dhanë kontribut me pjesmarrjen masive e aktive në votim në Referendumin e 21 majit 2006 për Pavarësinë e Malit të Zi.
Pse pjesmarrja e shqiptarëve në Referendum ishte vendimtare?
E para: Bashkimi Europian për t’u njoft ndërkombëtarisht rezultatet e Referendumit kishte vendos kushtin “Lajçek”, i cili përcaktonte 50 për qind kufirin minimal të pjesmarrjes në votim.
E dyta, në Referendumin e vitit 1992 pjesmarrja e përgjithshme në votim ishte 66.04 për qind. Në rastin ma të keq kjo përqindje mund të ulej po të kemi parasysh se disa parti me ndikim elektoral të derisotëm si PzP (Lëvizja për Ndryshim) e Medojeviçit, LD e Bardhit, etj. banë thirrje për “neutralitet”. As “Jo” e as “Po”.
E treta: Bojktimi nga shqiptarët do të ishte problem për kritere e vlerat e Referendumit, pasi në shtetin multietnik të Malit të Zi shqiptarët etnik ishin në vend të katërt për nga popullsia.
Prapë, tjetër krahasim, me komunat me popullsi ma të madhe: Çetina, vend tradicional me popullsi malazeze deri në mbi 90 për qind, arriti në 89.7 për qind pjesmarrjen në votim. Andrejevica me mbi 65 për qind serbë (e mbi 23 për qind malazezë) siguroi 89.9 për qind pjesmarrjen në votim. Ulqini me mbi 80 për qind shqiptarë (rreth 10 për qind malazezë) kapi shifren rekord 81.7 për qind pjesmarrje në votim. Rozhaja, kryeqendër e boshnjakëve (81 për qind) ka pasë 77.5 për qind pjesmarrjen në votim.
Në këtë Referendum pjesmarrja e votuesve në Malin e Zi ishte 86.5 për qind. E kapërceu kuotën minimale të Bashkimit Europian. Pjesmarrja e shqiptarëve ishte 80 deri 90 për qind, sikurse e vet malazezëve dhe e serbëve.
3.
Shqiptarët etnik dhanë kontribut me votën e tyre “Pro” shkëputjes nga Unioni federalist me Serbinë në Referendumin e 21 majit 2006 për Pavarësinë e Malit të Zi.
Pse vota “Pro” e shqiptarëve në Referendum ishte vendimtare?
Bashkimi Europian me “kushtin Lajçek” kishte vendos një kufi të pazakontë, duheshin 55 për qind e votave “Pro” Pavarësisë për të njohur rezultatin e Referendumit, për të njohur Malin e Zi shtet të pavarur e sovran. Ndaj edhe tek një votë e vetme mund të varej fitorja e Pavarësisë ose humbja e saj.
Vota shqiptare në Referendum ishte përcaktuese për disa arsye. Së pari: struktura etnike e komunave në mes malazezëve e serbëve ishte e njëjtë: 9 me 9, sikuse edhe sot: Komuna me shumicë malazeze ishin Çetina, Danilovgrad, Nikshiqi, Podgorica, Mojkovaci, Kolashini, Kotorri, Budva e Tivari, ndërsa komunat me shumicë serbe: Andrejavica, Plevla, Zhabjaku, Shavniku, Berana, Bjellopolje, Tivat, Pluzhina, kurse në tre komunat e tjera si në Rozhajë e Plavë-Guci ishin shumicë boshnjakët e në Ulqin shqiptarët. Së dyti: mbi 70 për qind e rreth 200 mijë serbëve në Malin e Zi kishin lidhjet e veta të gjakut, tamblit, derës e pragut me Serbinë, veçanarisht në Veri, në komunat kufitare apo në afri me Serbinë e Republikën Serbe të Federatës të Bosnje-Hercegovinës. Së treti: politika unioniste me Serbinë kishte në ballë disa parti tejet aktive si Partia Popullore Socialiste, një parti social-demokrate me antarësi serbe e malazeze, e themeluar më 1997; Partia Popullore e kohës së krajl Nikolla Petroviç-Njugosh e zëdhënëse e idealeve të tij antishqiptare; Partia Demokratike Serbe, parti nacionaliste, kristian-demokrate e themeluar më 2003; Partia Popullore Serbe (tashti NOVA), parti nacionaliste, themeluar më 1998; etj. Së katërti: rezultate paraprake (sipas sondazheve) të botuara në media malazeze, ballkanike, etj. parashihnin që rreth 34 për qind e popullsisë të jenë për Pavarësinë e Malit të Zi, 31 për qind për Unionin me Serbinë dhe 24 për qind e votuesve ishin ende të pavendosur.
Nëse Mali i Zi nuk do të fitonte Pavarësinë me votën popullore të Referendumit të 21 Majit 2006, atëherë sipas Marrëveshjes së përbashkët Serbi-Mali i Zi të vitit 2003 i duhej të priste edhe tre vjet të tjera Mali i Zi për të organizuar një referendum të dytë. Kjo do të ngadalsonte zhvillimin ekonomiko-kulturor e do të vononte integrimin euro-atlantik të derisotëm në BE e NATO.
Kryetari i Komisionit të Referendumit, Frantisek Lipka, shpalli legjitimitetin e fitores së Pavarësisë të Malit të Zi me rezultat të ngushtë: mbi 55.49 për qind (55 për qind). Me një gjysëm pike diferencë. Përndryshe, për të pasë një ide ma të qartë për faktorin e faktorizimin shqiptar: 2.301 vota mbi kufirin e sanksionuar nga BE. Kësokohe, popullsia shqiptare ishte 31 mijë banorë apo mbi 5 për qind e krejt popullsisë së Malit të Zi.
Komunat në kufi me shtete ballkanike sllave patën përqindjet ma të larta “Pro” bashkimit me Serbinë: në kufi me Republikën Serbe të Federatës të Bosnje-Hercegovinës komuna Pluzhine 75.36 për qind, Plevla 63.36 për qind, Zhabjak 60.85 për qind; në kufi me Kroacinë komuna Herceg Novi me 60. 75 për qind; komuna në afri apo vijë kufi me Serbinë komunat Andrejavica me 71.89 për qind, Kolashini 57. 23 për qind, Shavniku 56.38 për qind, Berana 52. 46 për qind. Numri i shqiptarëve në këto komuna është tepër i vogël: Berana mbi 40 shqiptarë, Herceg Novi rreth 30 shqiptarë, Plevla mbi 10 shqiptarë, Kolashini e Mojkovaci dy-tre familje shqiptare, Andrejavica, Zhabjaku, Pluzhine, Shavniku asnjë shqiptar.
Komunat në kufi tokësor e ujor me Shqipërinë dhe Kosovën, që kanë popullsinë ma të madhe etnike shqiptare, kanë votue “Pro” Pavarësisë së Malit të Zi si Ulqini 87.69 për qind, Tivari 63. 07 për qind, Podgorica (përfshi edhe Tuzi-Malësi me shumicë të lartë shqiptare) me 53.22 për qind; Rozhaja 90.79 për qind (gjithë shqiptarët e atyshëm), Plavë-Gucia (si komunë–sëbashku-shqiptarët etnik e komunitetet, 78.47 për qind). Tue pasë parasysh faktin se në kit’ Referendum ndikonte edhe një votë e vetme shqiptare duhet cek edhe kontributi votues “Pro” Pavarësisë i rreth 400 shqiptarëve në komuna në brendësi të Malit të Zi si në Tivat, Budva, Kotorr, Çetina, Nikshiq e Danilovgrad.
Politikanë e analistë në dy anët e Atlantikut, personalitete zyrtare të BE, OSBE, etj., liderë malazez në Çetinë e Podgoricë deri edhe kryeministri Milo Gjukanoviçi, kanë shpreh vlerësime për kontributin e shqiptarëve në Shpalljen e Pavarësisë të Malit të Zi. Shqiptarët si territore etnike, si popullsi etnike, me votën e tyre referendare e vendimtare “Pro” Pavarësisë janë shtetformues të Malit të Zi. Shqiptarët me besën e tyre, me vlerat e virtytet e tyre, me kontributet e tyre, janë faktor progresiv në zhvillimet e integrimet e këtij shteti të vogël ballkanik, i cili në vend që t’iu jetë mirënjohës, vlerësues, bashkëpunues, po ua mohon keqas të Drejtat e Liritë Kushtetuese, po i diskriminon ashpërsisht, po i asimilon në vazhdimësi e shpërngul në tërësi nga trojet e veta etnike. Veçse diçka duhet të ketë leksion e aksiomë Mali i Zi: nuk mund të shkojë në BE e as në NATO pa Shqiptarët. Kjo po ndihet, shihet e kushtëzohet veçmas pas demonstratave kundër politikave të Gjukanoviçit të organizuara më 6-8 prill 2014 nga shqiptarët atdhetarë e demokrat në Tuzi (Malësi), Plavë-Guci e në Uashington.

Filed Under: Analiza Tagged With: MALIT TË ZI, Ramiz Lushaj, SHQIPTARËT I DHANË PAVARËSINË

AMERIKA ËSHTË NË TUZ, PO TUZI NUK ËSHTË AMERIKË

April 16, 2014 by dgreca

Statusi komunar i Malësisë-Tuzi u suprimua nga Tito, u ndalua nga Millosheviçi , nuk po jepet nga Gjukanoviçi
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Prapë, në fill prilli 2014, isha shkurtas në Tuzi-Malësi, një nga trevat shqiptare ma amerikandashëse në shek. XXI. Prej knejna, nga visi i Shipshanikut e kam prejardhjen e kahershme të fisit tim të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës.Ndjej krenari se në Malësi-Tuzi kanë rrënjë e lartësi malet-fiset-bajrakët-krahinat historike emblematike të kombit: Hoti e Gruda, Triepshi e Koja (degë e Kuçit) që kanë hy edhe në anale të diplomacisë botërore si luftëtarë qëndrestarë në mbrojtje të trojeve të veta etnike. Njëherash ndjej dhimbje palcnore se kufini i padrejtë (1913) ra si gurë mes dy syve edhe në këtë trevë etnike shqiptare, e ndau thiktë më dysh Hotin: bajraku Traboini mbeti nën Malin e Zi e bajraku Rapsha në Shqipëri. Po u ngjite tek kulla e Dedë Gjon Lulit e po dredhe nëpër Leqet e Hotit e sheh e ndjen ma fort këtë padrejtësi të pandrequn mbishekullore. Patjetër, e ndjen një siguri ende të lartë se këto vise do të mbeten etnike shqiptare. Tuzi-Malësi, e para për nga popullsia e besimit katolik (në numër e përqindje) në Malin e Zi, është edhe një nga shembujt e pëlqyer të bashkëjetësës e harmonisë fetare në mes feve të ndryshme: katolikë, muslimanë, ortodoksë, si edhe në mes etnive të ndryshme: shqiptarë, malazezë, boshnjakë, serbë, etj.
Mali i Zi, anipse në kushtet e Rendit të Ri Botëror e vend kandidat për në BE e NATO, anipse Gjukanoviçi e vetdeklaron mburrtas “kampion i demokracisë në Ballkan”, ende nuk po i jep Tuzi-Malësisë një nga të drejtat demokratike, elementare, themeltare: të drejtën e vetorganizmit qeverisës e zhvillimit ekonomiko-kulturor si komunë e plotë, e pavarur, më vete, si 23 komunat e tjera.
Malësia në kohën e Jugosllavisë Avnjoiste nga pesë komuna u reduktua për dy vjet (1955-’57) në dy komuna: Tuzi e Stjepoh (Triepshi) dhe prej v. 1957 katër krahinat etno-historike të saj u keqfutën nën komunën e Podgoricës për t’i pasë nën kontroll sipëror, përditsor e gjithanshmërisht për përvuajtje, asimilim e shpërngulje të shqiptarëve etnik.
Statusi komunar i Malësisë-Tuzi u suprimua nga Tito, u ndalua nga Millosheviçi (!) Po pse nuk jepet ky status nga Gjukanoviçi, i cili mund ta kryente kaherë kit’ akt zyrtar demokratik e meritor, pasi ka 23 vite në mazhorancë me një mandat si president e shtatë mandate si kryeministër i Malit të Zi. E, përveç kësaj,Tuzi-Malësinë e ka skej vilës e zyrës së tij të ekzekutivit e partisë DPS në pushtet.

2.
Shteti, Kishat Ortodokse Sllave, Akademitë e Shkencave në trekëndshin Rusi-Serbi-Mali i Zi hartuan e zbatojnë platforma kundërshqiptare nga koha e Krajl Nikolla I e deri tek “krajli i ri” Millo Gjukanoviçi, pjesë genocidiale sllave e të cilave është edhe Malësi-Tuzi nën komunën e Podgoricës.
Dinastia Petroviç-Njegosh e pinjolli i tyre Krajl Nikolla i Malit të Zi i bani dy shekuj luftë edhe me Malësi-Tuzi (me katër fiset e saj) prej se nga koha e Bushatllinjve, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e mujtën me ardhë deri tek dera e Podgoricës iliro-arbnore vetëm me ndore të padrejtë të Fuqive të Mëdha, vetëm pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1913. Presidenti i “Jugosllavisë së Dytë”, Josif B. Tito, e ktheu Podgoricën në kryeqytet të dytë të Malit të Zi dhe ia vnoi emnin e vet, Titograd. Millosheviçi i “Jugosllavisë së Tretë”, e miku i tij, Gjukanoviçi i Malit të Zi, tashma shtet i pavarur, u sollën ndaj shqiptarëve etnik njësoj si paraardhësit e vet: pushtues, aneksues, diskriminues, genocidial.
Krejt Malësia-Tuzi ka votue më 2006 me e shpall Malin e Zi shtet i pavarur e sovran nga vartësia 88 vjeçare e Serbisë e jo mos me ia dhanë të drejtën ligjitime për me votue e me e pas komunën e vet të pavarur, jo nën komunën e Podgoricës, jo me shpik gjukanovisht terma (anti)juridik e provokativ si “komunë urbane” apo kjo ma e fundit “Komunë e kryeqytetit”(!)
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit statusin që ia dhanë krajlët kundërshqiptarë të Jugosllavisë së Parë (Pjetri I, Aleksandri I, Pjetri II) të cilët asokohe e ndanë në pesë komuna: Tuzi (Tuzi), Triepshi (Stjepoh), Hoti (Skorraq), Gruda (Priftën), Kuçi i Poshtëm (Ubla). Nuk po i fjalathemi Gjukanoviçit t’i respektoj vendimet e mbretërve karagjorgjeviç të Serbisë, të cilët ishin dhëndur, nipa e stërnipa të Krajl Nikollës së Malit të Zi, pasi çika e madhe e tij, Zorka (Ljubica), e shkolluar në Rusi, ishte nuse e krajl Pjetrit I, e Aleksandri ishte djali i saj, e Pjetri II ishte nipi i saj.
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit, statusin e nivelit të lartë: “Nënprefektura e Tuzit” në vartësi të Prefekturës së Shkodrës, sikurse ia dha në “Koha e Shqypnisë” (1941-1943) Viktor Emanueli III i Italisë, dhandrri i Krajl Nikolla I, i martuar me mjeke Helenën, e cila kësokohe mbante edhe titullin fronësor “Mbretëreshë e Shqipërisë”(!)
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit statusin e dhjetëvjetëshit të parë të Titos (1945-1955) që e ndau në pesë komuna miniaturale tue shpërfill edhe identitetin fisnor të krahinës: Tuzi (Tuzi), Vuksan-Lekaj me seli në Vuksanlekaj (në vend të asaj Hoti, në Skorraq), Ubla (Ubla), Dinosha me seli në Dinoshë (në vend të asaj Gruda, Priftën) e Stjepoh (Triepshi). Askush nuk po i thotë Gjukanoviçit të aplikojnë këtë status të Titos, megjithëse ishte idealist besnik i tij, pasi ende pa i mbush 18 vjeç (1979) hyri në të vetmen parti të shtetit federal, në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) të Titos e pa kalue një dekadë arriti të jetë sekretar i saj për Republikën e Malit të Zi, derisa u krijue partia e tij, Partia Demokrate e Socialistëve (DPS), parti në pushtet tash 23 vjet.
Shqiptarët kombëtar e ndërkombëtarët euro-atlantik po i kërkojnë kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç, njëherash lider i mazhorancës qeverisëse, që t’iu rrijnë në kambë premtimeve të tij kokrrane të kohëpaskohshme. Pra, po i kërkojmë çka ka thanë vet, si më 23 shtator 2012 në QIK Malësia në Tuzi, ku sipas gazetës “Vijesti” e Radio Televizionit të Malit të Zi, deklaroi: “…kemi obligim që të respektojmë edhe të drejtën e vullnetin tuaj se në çfarë komune dëshironi të jetoni duke pasë parasysh interesat tuaja…” dhe i porosit që të mos shqetësohen aspak, pasi ai, qeveria e partia (DPS) e tij “…do të jetë garant, se vullneti i tyre do të respektohet…”. Fjalaflitet shpeshtas për kryerjen e Referendumit, etj.
Çështja e statusit të komunës Tuzi-Malësi, kësaj pranvere 2014, mbetet e hapur ma fort, ma shumë e ma mirë se astenjëherë tjetër: E para: me e mbajt Gjukanoviçi statusin komunë urbane ka me u rrëzue në thonin e vet. E dyta: me e mbrojt politika shqiptare e Malësisë, etj. statusin “komunë e kryeqytetit” kena me ra në klucen e Gjukanoviçit, bile ai po i hedh do troha dhe po rri sy hapët e hakrryeshëm me e hjeksue spangon e klucimit…
Protesta shqiptare e 6 prillit 2014 në Tuzi (Malësi) dhe veçmas demonstrata e shqiptaro-amerikanëve në Uashington D.C. më 8 prill 2014 dhe lëvizjet diplomatike amerikane e ato kombëtare politike shqiptare në ditët e vizitës së Gjukanoviçit në Uashington kishin një kërkesë të vetme për Tuzi-Malësi dhe presin një zgjidhje të vetme: komunë të plotë, të pavarur, më vete, si dy komunat e reja alpine: Petnjica (28 maj 2013) e Gucia (25 maj 2014).

3.
Ende në prill 2014 në Malësi, në visin e Grudës, tek vendbanimi Dheu i Zi (Shtëpitë Rakiq) ritmonte vrullshëm ngritja e një lagjeje urbane model me boshnjakë të ardhun nga veriu i Malit të Zi, nga brigje të degëve të Limit. Joshja për të ardhurit-kolonë është e madhe, pasi aty kanë infrastrukturë arsimore, mjekësore, etj. të re, i kanë magazinat 25 kompani biznesi, etj. Kjo është pjesë shovene e strategjisë të pambyllun për ndryshimin e strukturës etnike të Malësisë dhe çdo shtyrje e statusit të komunës të plotë të Tuzi-Malësi kërkon e jep kohë për realizimin e tij përshpejtues. Përveçse lojrave e kërcenimeve politike të PDS, partia kryesore në Mali i Zi, po ndikon ngeativisht me turravrapin oreksal shoven edhe Partia Boshnjake, aleancore në pushtetin malazez e me degë edhe në Tuzi-Malësi.
Në demonstratën e Uashingtonit të 8 prillit 2014 ceket edhe një fakt i tillë: në vitin 1993 Malësia, në tokën e saj etnike, kishte 93 për qind të popullsisë së saj shqiptarë etnikë, ndërsa në vitin 2003 pati një rënie deri në 80 për qind, kurse vjet, më 2013, arriti në 65 për qind (!) Ky është një “genocid modern” i Qeverisë së Malit të Zi e i komunës së Podgoricës me politikat e tyre të moszhvillimit, mospunësimit, mosfunksionimit të shërbimeve jetësore, të shpërnguljes , etj. ndaj shqiptarëve etnik në Tuzi-Malësi.
“Gjukanoviçi i dytë” apo ndryshe: Miomir Mugosha, “kopja e keqe e Gjukanoviçit”, ministri ma jetëgjatë në Malin e Zi (1990-2000), i zgjedhur në tri dekada në kryesi të DPS, kryebashkiaku i Podgoricës prej vitit 2000, është fati i keq i shqiptarëve të Malësi-Tuzit, i cili e ka pengue ma së forti e ma së tepërti statusin e komunës së plotë. Ai rrgallet me gjithato akrobacina politike e juridike për statusin, kryen pengesa artificiale për vijën kufitare, për elaboratin e komunës nga një firmë e posaçme, etj., ban akte, tarafe, barrikada vote me këshilltarë e etnitë e tjera ndaj shqiptarëve, shfaqet me kërcenime force publike edhe ndaj mediave, etj. Ai është doktor në profesionin e tij, po vet ka një sëmundje të pashërueshme “antishqiptarizmin”, të cilin ka me e manifestue me ortakëritë e tij edhe pas moskandidimit të sivjetëm për kryebashkiak i Podgoricës.
Tuzi-Malësi ka rreth 13 mijë banorë dhe siguron rreth 2.6 milionë euro të ardhura në vit, të mundshme për qëndrueshmëri ekonomiko-financiare të komunës së plotë. Diçka dihet e duket qartë: Gjukanoviç, Mugosha e Co, po e duan Tuzin-Malësi pa shqiptarë në tokën e vet etnike e në institucionet e ngritura në territoret e saj. Një dukuri të tillë shovene e hasa edhe në ecje rrugëtare pas një qëndrimi disaorësh “bllokim”(!) në Pikëkalimin Kufitar e Doganën e Hanit të Hotit, e cila ndodhet në territorin e Tuzit, ku nuk ishte asnjë shqiptar në detyrë tek dyert e trari i saj (!)
4.
Para disa ditësh, kam lexue në lajme të agjensisë “MINA” në Mali i Zi se Malësia (Tuzi) cilësohet si “Amerikë”.Diçka duhet me pasë parasysh: Amerika është kudo, po jo kudo është Amerikë. Po, realisht: Amerika është në Tuzi dhe Tuzi është në Amerikë. Po, fatkeqësisht: Tuzi nuk është Amërikë!
Tuzi-Malësi, sikurse edhe Plavë-Gucia janë dy krahina etno-historike shqiptare në Ballkan (Iliri) që e kanë ma të madhe diasporen e vet në Amerikë se sa popullsinë shqiptare në vendlindjet e veta. Vetëm në shtetin e Miçigenit (Detroit) numri i malësorëve është i barbartë (në mos ma i madh) me numrin e atyre që jetojnë në Malësi-Tuzi.
Shqiptaro-amerikanët e Malësi-Tuzit në Detroit, Nju Jork e afrinat (treshtetëshin), Boston, etj. janë lobues të mëdhenj, aktiv, të frytshëm, tejet qëndrestarë për të mbajt rrënjas në jetë identitetin shqiptar të vendlindjes dhe për të luftue për të drejtat e liritë e mohuara nga regjimi antishqiptar i Gjukanoviçit. Në përpjekjet e tyre përngjasin me hebrejtë. Ata janë kombëtarë të ëmdhenj e qytetarë të thjeshtë. Mos ua harroni Nderen, lartësojuni Emrin. Në qëndrimet e veprimet e tyre në Diasporë mbeten shqiptar gjithëkohor, si bashkatdhetarët e vet në vendlidnje, si motit, edhe sodit. Ata i kanë sytë, mendjen e zemren në vendlindje. Ata e mbajnë dorën në xhhep e në çek për vendlindjen. Edhe malësorët e viseve të Tuzit që kanë ndrrue jetë në Amerikë e kanë shpirtin në Malësi.
Malësorët e Tuzit në Amerikë ishin në lartësi kombëtare qytetare edhe në demonstratën e 8 prillit 2014 në Uashington, si nga pjesmarrja dhe toni e ritmi i saj. Aty kishte disa parulla edhe për Malësinë. Event piedestal i shqiptaro-amerikanëve të Detroitit nga vise të Tuzit ishte leximi i mesazh-përdhendetjes të kongresmenit amerikan Gary Piters nga Miçigeni, ardhja e fjala e Don Fran Kolaj, famulltar i Kishës së Shën Palit në Detroit, fjala e zjarrtë e veprimtarëve kombëtar Luigj Gjokaj e Pashko Gjokaj nga Miçigeni dhe e politikanit Nikoll Camaj i ardhun enkas nga Tuzi, etj.
Tejet madhor në këtë demonstratë panshqiptare kundër politikave antishqiptare të Gjukanoviçit është fakti emblematik se aty në Uashington, para Shtëpisë së Bardhë e Ambasadës së Malit të Zi, folën shqiptarisht e mrekullisht: asambleisti i Nju Jorkut, Mark Gjonaj nga Reçi i Ulqinit (kryefjalës i demonstratës), Esad Gjonbalaj, president i Fondacionit Plavë-Guci e koordinator i shoqatave shqiptare me origjinë nga trevat shqiptare nën Malin e Zi e me seli në Amerikë; anamalasi Xheladin Zeneli, ish deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi i cili lexoi Peticionin me kërkesat për të drejtat e liritë e mohuara të Shqiptarëve nën Malin e Zi; atdhetari i përkushtuar, Xhevat Kukaj, moderatori i zëshëm e meritor i zhvillimit të kësaj demonstrate; kandidati i sfidës për në Kongresin Amerikan, Emin Eddie Egriu që garon fortmirë në Distrikti 20 të Nju Jorkut; kryetari aktiv i shoqatës “Ana e Malit”, Ismet Kurti; nënkryetari i Shoqatës Pan-Shqiptare “Vatra”, z. Asllan Bushati i cili foli në emër të kryetarit të saj fisnik, dr. Gjon Buçaj; kryetari i shoqatës “Kombi”, Artur Vrekaj – penë zemërflaktë e Shqiptarisë; presidenti organizator i organizatës “Rrënjët Shqiptare”, z. Maro Kepi; veprimtari atdhetar Naim Balidemaj, e të tjerë.
Një nga kulmet e demonstratës ishte edhe takimi i një përfaqësie të demonstruesve me kryesues të përzgjedhur e nderimtar, asambleistin Mark Gjonaj, të cilët u takuan në mbrëmjen e 8 prillit 2014, pas demonstratës, me kongresmenin Eliot Engel e kongresmenë të tjerë, ku iu banë të njohura kërkesat e shqiptarëve, ndër të cilat edhe çështja e statusit të komunës së Tuzit. Këto iu përcollën edhe nga shqiptarët, zyrtarisht e ballas, edhe kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, gjatë vizitës së tij në Amerikë (8-10 prill 2014). Në koft se nuk i kujtohen mirë patjetër që do t’i vijnë në mendje shpejt.
Zoti e Shqiptarët e Malësisë në Trojet e veta etnike dhe në Amerikë, si edhe në Europë, e kanë ruajt Tuzin etnik shqiptar: i kanë mbajt genet e pastra shqiptare e nuk i kanë lëshue për krejt vendbanimet në relievin e saj gjeo-strategjik. Para do ditësh i ndjeva malësorët në Bardhaj të Hotit të Dedë Gjo Lulit tue u dvet ndërveti: A je te kulla e moçme apo ke ra në Tuz? Pra, ende në kullat shqiptare del tym, çprushen kujtime, çelin ëndrra, bashkëjetojnë eposi i kreshnikëve dhe epoka euro-atlantike.
Komuna e plotë Tuzit (Tuzi-Malësi) vërtetë është barometër për Demokracinë euro-atlantike e mburojë për Malësinë etnike shqiptare ndaj diskriminimit, asimilimit e shpërnguljes së shqiptarëve të saj, po nuk është zgjidhja e vetme e as e fundit, po as Malësi-Tuzi nuk është e vetme në mbijetesën e saj, në vetqeverisjen e saj plotore, në mangësi, vështirësi e arritje të sotme e të nesërme të saj.
Amerika është në Tuzi e Tuzi është në Amerikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: AMERIKA ËSHTË NË TUZ, PO TUZI NUK ËSHTË AMERIKË, Ramiz Lushaj

TË HIQET TERRI NGA REFORMA ADMINISTRATIVE TERRITORIALE

April 13, 2014 by dgreca

Opinion Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Cilësori “terrovinë” do i shkonte ma për shtat “Reformës Administrativës Territoriale të Shqipërisë”, e cila po kryhet disi nëpër labirinthe të politikës, larg traditës etno-historike e administrative, jashtë syve të publikut, po veprohet ndryshe nga disa shtete fqinjë, po ecën me kushtëzime (ndër)kombëtare e partiake.
Ndarja e Shqipërisë së vogël gjeografikisht në gjashtë rajone të mëdha do të sillte copëzime të panevojshme apo të parakoshme të territorit të saj, të cilat mund t’i shembullojmë me “principatat mesjetare” apo ndarjes në “kantone” moderne. Në koft se i hulmojmë politikë kisha me thanë se kemi të bajmë me jetësime të refleksioneve, të ideve të liderit të sotëm të PS të trajtuara në një botim të tij (me bashkautor) të vitit 1991. Kjo është një çështje që s’do i rikthehem në detaje, pasi kam shkruar dikur në shtyp, në vitet ’90.
Gjithësesi, me çka shoh në një hartë pune të publikueme në media të elektronikës e letrës në mars 2014, kisha me thanë se ndarjet (prerjet) administrative horizontale të rajoneve të Shkodrës në veri dhe të kaonëve në jug të Shqipërisë Londineze, pa u thellutë në histori të derisotme të pas Shpalljes së Pavarësisë (1912), janë si “gurë kilometrikë” të ëndrrës vorio-epiriote (grekëve) dhe sllavëve (serbëve e malazezëve). Në këto dy ekstreme të rajoneve në ndarjen administrative territoriale nuk duhet të ketë vetëm prerje horizontale, por edhe prerje vertikale, sikurse shfaqet tendenca me “Rajonin ELKO”.
Tue u pjekë demokracia shqiptare nga kushtet e rrethanat e kohës dhe nga shpirti ynë iliro-arbnor ndoshta ka me arritë dikur një ditë jo e mirë që këto rajone të kenë të drejtë kushtetuese referendumin e t’na djegin zemrën duke iu bashkue ndonjë shteti tjetër të afërt. Sot për sot në “Rajonin e Kaonëve” grekët kanë “ardhë” (fut kthetrat) në Gjirokastër e Këlcyrë me varreza greke e po kërkojnë kishë në Përmet, etj. Në “Rajonin e Shkodrës” në vitet 1912-1913 mbretëria e Malit të Zi dhe ajo e Serbisë ngatërroheshin ndërveti për Prizrenin e kufinin për gjatë rrjedhës së Drinit. Këto nuk janë gjana të pandigjueme, as nuk duhet të kemi bindje të tepruar se nuk do të ndodhin asgja në të ardhmen, asnjë përpjekje e tillë shovene nga fqinjët.
Aty në hartë shenjohet edhe “Rajoni i Arbrit”, që përfshin qarkun e Dibrës e të Durrësit, një pjesë të qarkut të Tiranës e rrethin e Kurbinit, ndërkohë që e përjashton Mirditën etj., e cila hynë në “Rajoni Shkodër”. Kjo nuk përkon me historinë shqiptare të Mesjetës. Principata e Arbrit, përndryshe – shteti i Arbrit 800 vjeçar, i kishte rrënjët e degët edhe në Mirditë, bile nuk mund të kuptohet plotërisht pa këtë krahinë etno-historike, pa Mirditën e Madhe.
2.
Terrovina me Reformen Administrative Territoriale bahet jo pak e pakuptimtë politikisht kur kemi parasysh faktin se Shqipëria Londineze e Tiranës zyrtare po e zvoglon numrin e bashkive (komunave), ndërkohë që Mali i Zi me kryeqytet Podgoricën, tokë etnike shqiptare, e Kosova Euro-Atlantike po e shtojnë numrin e komunave të tyre (!)
Mali i Zi në dy-tre vitet e fundit ka formue disa komuna të reja: Nga komuna e Beranës e shkëputi Petnjicen me shumicë boshnjake. E copëzoi Plavë-Gucinë shqiptare në dy komuna – në atë të Plavës e të Gucisë. Tani po ecën edhe drejt ndarjes të Plavës edhe në dy komuna të tjera: Murina e Brezovica. Pritet që komuna urbane e Tuzit të shpallet komunë më vete, me status të plotë komunar (Gjukanoviçi pritet ta publikoj “lajmin” këto ditë të paskthimit nga Amerika). Edhe komuna urbane e Zetës do të kthehet së shpejti në komunë të pavarur.
Kosova, vitet e fundit ka shtuar të paktën shtatë komuna të reja duke e çuar numrin e tyre në 37 komuna. Pritet shtimi me komuna të tjera të reja.
Shqipëria Londineze, sipas projektit të publikuar e të pa miratuar përfundimisht, e ka në plan të krijojnë 89 bashki në të gjithë territorin e saj. Pra, po ecën drejt uljes të numrit të tyre të derisotëm.
Shqipëria e ka relievin e saj gjeo-fizik ballkanik pothuaj të njëjtë me të dy shtetet fqinjë, Kosovën e Malin e Zi, ndërsa sipërfaqen territoriale mbi dy herë ma të madhe se këto dy shtete. Popullsia e Shqipërisë (sipas të dhanave të CIA-s, 2014) është mbi 1.1 milionë banorë më shumë se Kosova (1.9 milionë) dhe mbi 2.3 milionë banorë ma shumë se Mali i Zi (650 mijë).
Pra, këta tregues kërkojnë që Shqipëria në Reformën Adminitrative Territoriale të mos ketë terr’, Përkundrazi: të ecet me tepër kujdes, me konsensus politik, me mendim popull, me maturi demokratike e etno-historike, etj.
3.
Në krahasim me shtetin tjetër fqinjë, Maqedoninë me 25.713 km2 e 2.1 milionë banorë (sipas CIA-s, Libri i Fakteve, 2014) shihet se Shqipëria me 28.748 km2 e rreth 3.1 milionë banorë ka vetëm 18 komuna (bashki) ma shumë.
Në koft se përllogaritim disa tregues krahasimor si popullsia (Shqipëria po i jep randësi të tepërt këtij treguesi) etj., del se zvogëlimi i numrit të bashkive e komunave po kthehet qëllim në vetëvete nga mazhoranca qeverisëse. Aq ma keq, ma randë, i pafalshëm, pasi kjo është strategji politike elektorale, që nuk parasheh interesat e popullit po planifikon vota për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015.

4.
Prapë rreth territ të Reformës Administrative Territoriale një tjetër krahasim i Shqipërisë më Malin e Zi fqinjë.
Në ndarjen e pritshme territoriale të Shqipërisë Londineze, sipas gjasave aktuale, nuk ka asnjë komunë të madhe si Nikshiqi malazez me 2.065 km2 dhe asnjë komunë të vogël si Tivati me 46 km2 .
Shqipëria e ligjëron se nuk do të ketë asnjë bashki me më pak se 10 mijë banorë, ndërsa Mali i Zi i ka disa të tilla, gati një e treta e komunave të këtij shteti të vogël ballkanik si komuna Savnik me mbi 2 mijë banorë, Pluzhime me mbi 3 mijë, Zhabljak me rreth 4 mijë, Andrijevica me mbi 5 mijë, Petnjica me rreth 6 mijë, Herceg Novi me mbi 8 mijë, Mojkovci me 9 mijë banorë.
Në Shqipëri, kësaj dukurie pa cen e cak, duket se i përnget historia e ndërtimit të hekurudhës Shën Petërsburg-Moskë sipas asaj historisë të “gishtit tregues të Carit”, pasi specialistë e zyrtarë e deri tek Komisioni Parlamentar (vetëm pozitar, gjysmak, hakrrimtar) po punojnë me hapa e harta sipas “menysë politike” të bashkëkryetarëve të mazhorancës, në dy kulme të pushtetit ekzekutiv e legjislativ.
Si përfundim duhet aksiomue se vërtetë mazhoranca ka sot 85 vota për të vendos si shumicë e cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë, po i duhet kujtuar se nuk është as 11 prillin e as në 16 tetorin 1985, por në mijëvjeçarin e tretë, me dekadën e tretë të demokracisë postkomuniste, një vend antar i NATO-s e në udhën drejt Bashkimit Europian.
Kjo Reformë Administrative Territoriale e terrtë po kryhet me dy kushte të pashmangshme: Kushti i parë: të kryhet para zgjedhjeve elektorale për Pushtetin Vendor më 2015. Kushti i dytë: ndikon në marrjen apo dhanien e Statusit Kandidat për në BE në qershorin e sivjetëm kur të piqen qershitë apo, ndryshe: kur të piqet rrushi i fabules të dhelprës. Tashti po del në skenë edhe një kushtëzim kërcenues tjetër ndaj opozitës: Do ta bëjmë “Reformën” edhe pa Opozitën. Dhe kjo ka tri përgjigje: Protesta në sheshe e rrugët e Shqipërisë Londineze. E dyta: mos pjesmarrje e Opozitës në Zgjedhjet Vendore të vitit 2015. E pashmangshmërisht, e treta, (Vet)Rënia e Qeverisë, e ndoshta, pse jo: ecje drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: administrative, Ramiz Lushaj, Reforma territoriale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT