• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CAR DUSHANI VJEN NË SHKUP SI PAJË KALITROJE E PANSLLAVIZMIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR

December 15, 2013 by dgreca

Shkruan:Ramiz LUSHAJ/

Kryeparlamentari maqedonas, Trajko Veljanovski, gjatë putranimit politik në Tiranë doli në të ftohtin e dhjetorit nga selia e Kuvendit të Shqipërisë dhe deklaroi ballë mediave (ndër)kombëtare: “Kemi për detyrë që shteti maqedonas të japë kontribut sa më të madh për marrëdhëniet ndëretnike të cilat nuk duhet të vlerësohen nga një hap apo nga vendosja e një përmendoreje”.

Kësisoj, ky i derguar jo rastësisht, e pranoi “de fakto” në sy botës se djallpolitika maqedonase e kishte pru shpejtas, zyrtarisht e hjeksisht në Shkup në mesnatën e fill dhjetorit të sivjetëm monumentin e Car Dushanit të Serbisë të shek. XIV.

Pas kësaj, politika zyrtare maqedonase nuk duhet të vazhdoj të luaj në guzhina e ballkone të institucioneve shtetërore me kartën Car Dushani si tek ajo loja fëminore: mbylli sytë, prit të gjuej shplakë, ndal ta fshehi dorën, tashti gjeje se kush të goditi ty nga njerëzit përreth teje(!)

Djallzore duket ministre e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, teksa hiqet si shenjtore, si krejt e pastër, si e pa përbaltun. Pse e themi këtë? Kjo  zyrtare e lartë ishte dhe përshendeti në emër të partisë në pushtet VMRO-DPMNE në Kongresin e V të Partisë Serbe në Maqedoni (9 nëntor 2013), kur kryetari i kësaj partie serbe, Ivan Stoilkoviç, paralajmëroi ngritjen së shpejti në Shkup të Monumentit të Car Dushanit, stërgjyshi i tij etno-politik. Pra, kjo ministre ishte në dijeni paraprake të stuhisë politike shovene të ngritjes së monumentit. Për ma tepër: Kryeshefja e policisë maqedonase luan kukamsheftas rolin e të paditunes keqanike, ndërkohë që e ka rrethatue Car Dushanin me roje me e pa armë tue e ruejt ditëenatë këtë monument “klandestin”. Në kësi rasti dredhanik m’u kujtua një vjershë humoristike për fëmijë: një gic i përbaltun donte të fitojnë konkursin “Mis Pastërtia”.

Disi sherrajkë e jo pak prapshtajkë del në (prapa)skenë ministre e Kulturës e Maqedonisë, Elizabeta Kamçevska Milevska, e cila nxjerr gjuhën e fjalëve të bardha dhe fsheh dhëmbët e zi të kërcenimit prosllav me monumentin e Car Dushanit. Pra, na hiqet si “ëngjëllore”, ndërsa strucon sikur institucioni i saj që merret drejtpërdrejt me të këtilla punë:  “nuk është as porositës, as vendosës, dhe as nuk ka ingerenca për ndërtimin e përmendoreve” (4.12.2013). Si mund të shfajësohet kjo ministre kur monumenti i Car Dushanit është lartangrit në një vend të përzgjedhur si për figura mesjetare, bash aty tek Muzeu Arkeologjik i Shkupit.

Një rebus politik, një farë mbrapshtie tipike sllave-maqedonase, më duket sikur po shkrryen, kalkulon e kapton kryetari i ri i komunës Qendër (Shkup), Andrej Zhernovski, i cili “nuk e ditka” se kush e ngriti monumentin e Car Dushanit në territorin administrativ komunar të tij, e cilëson atë si “ndërtim pa leje” dhe po e degdis këtë çështje të nxehtë për ta ftohë e zvarrit në kalandat greke duke sipërmarrë formimin e aktivizimin e një komisioni hetimor për të zbardhë të vërteten (të vërtetat), që i vetëdijnë qyshse në nisje zanafillore. Kryekomunari Zhernovski i opozitës maqedonase, e pati ngrit edhe sivjet në gusht 2013 një komision hetimor të dështuar, të nënshtruar e të mohuar për statujat e vendosura në vargimin “Ura e Civilizimeve”, sipas “Projektit Shkupi 2014”. A thue të njëjtin fat do të ketë edhe ky komisioni hetimor i dhjetorit 2013 për monumentin e Car Dushanit, etj.?!

Këta tre zyrtarë të pozitës e opozitës maqedonase nuk ditkan kurrgja për monumentin e Car Dushanit: as ministre e Punëve të Brendshme, as ministre e Kulturës, as kryekomunari i Qëndres në Shkup (!) Atëherë, patjetër, duhet të dijnë ma shumë, ma fort, tërësisht, “tre të mëdhenjtë” e FYROM-it: kryeministri Nikola Gruevski, presidenti Gj. I. dhe kryeparlamentari T. V.  Të tre këta janë në kryevende të larta shtetërore si kandidatura përfaqësuese të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, kryetari i të cilës është “cari i vogël”, Gruevski kundërshqiptar.

E keni parë kryeministrin maqedonas Gruevski teksa i haparav krahët drejt shqiptarëve në pozitë e opozitë për t’i lakafyt me shovizmin e vet të egër, të fshehtë, të sprovuar dhe, njëherash, iu fut stërkambsha për me i keqalanë shqiptarët autoktonë deri në cofani politike e etnike, pa kokë e pa tokë, siç po vepron edhe tashti me ngritjen e monumentit të Car Dushanit në qendër të Shkupit dardan, kryeqyteti i sotëm i Maqedonisë ballkanike.

Një diçka a e mirëdijnë këto tri kryekoka të nxehta të shovinizmit sllavo-maqedonas (Gruevski me dy të tjerët) se monumenti i Car Dushanit në Shkup është si tërmeti gjeo-politik i  pesëdhjetë viteve ma parë, tërmeti shkatërrimtar i 26 korrikut 1963, kur u shpërngulën forcërisht e pabesisht shumica shqiptare nga ky kryeqytet i Jugosllavisë së Dytë(RSFJ).  Dridhjet e tërmetit të ri politik shoven po ndihen përgjatë këtij dimri, valët goditëse të të cilit do të bien tmerrësisht mbi shqiptarët jo vetëm në Shkup.

Car Dushani (Stefan Urosh V Dushani) vjen në Shkup me putrat putiniane, me simbole ortodokse lindore, me veshje bizantine lindore, me kurorë nga manastiri i Çetinës në Cerrngore.

Po ma e rrezikshmja: vjen si pajë kalitroje e pansllavizmit në Ballkanin Perëndimor, si hijenë e pritshme dhe e frikshme e Jugosllavisë së Katërt, si ngucamë gurgace ndaj Europës së Bashkuar,

Krejt msheftas Vardarit e Atlantikut, në mes të ftohtit ballkanik, nga terrovina mesjetare e Nemanjiqëve të Serbisë, somnabulon e mafiozon monumenti i Car Dushanit, në Shkupin dardan, kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë, bash tek dritarja e hapur e kryeministrit shoven Gruevski.

Car Dushani (Stefan Urosh V Dushani) vjen në Shkup me putrat putiniane, me simbole ortodokse lindore, me veshje bizantine lindore, me kurorë nga manastiri i Çetinës në Cerrngore.

Po ma e rrezikshmja: vjen si pajë kalitroje e pansllavizmit në Ballkanin Perëndimor, si hijenë e pritshme dhe e frikshme e Jugosllavisë së Katërt, si ngucamë gurgace ndaj Europës së Bashkuar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Car Dushani ne Shkup, Ramiz Lushaj

NË HOTIN E VENDIT MBI PLAVË ENDE KA DITË ME DIELL…

December 10, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.

            Në trevën historike të Hotit të Vendit në juglindje të liqenit të Plavës, në shek. XVIII jetnonin disa vllazni hotjane qëndrestare vitale: Mahmudët e Kurtët e Hotit – derë e hershme, e madhe, e fortë. Gjonët e Hotit – rriten në këtë truall në vargbrezni me dy barqe, të Haxhaj e Sinanaj, dhe nga Haxhajt krijohen degëzime të reja: Mehaj, Hysenaj e Mujaj. Gjokët e Hotit – tevona çvendosen brenda krahinës, në Dosugja të Gucisë, tek pllaja e Dodës, të njoftun edhe si Beqirhotaj apo Gjelaj.

Disa vllazni hotjane shtegtuan pakthim trojenik kryesisht rrjedhave lumore të Limit, Tarës, Valbonës e Moraçës. Markët e Hotit u ngulën me truall e kulla në Rahovecin e sotëm, në Krushë të Madhe e, prej kësaj vllaznie, është politikani martir, filozofi e shkrimtari i shquar, Ukshin Hoti. Gjeloshët e Hotit nga lugina e Jasenicës u  shpërngulën në Sanxhak-Tregu i Ri, ku tashti, në bashkari me hotjanë të tjerë, numërohen mbi 200 shtëpi. Nga vllaznia Sinanaj ka të larguar për në Rrozhajë, të cilët kryebigohen ndërveti me lidhje gjaku tek Gjoni i Hotit. Nga të gjitha vllaznitë e Hotit të Vendit ka të ikun në vise shqiptare nën Malin e Zi, drejt Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, etj.. Në Nju Jork të Amerikës këto pesë dekadat e fundit është formue një komunitet i madh e aktiv etno-kulturor i hotjanëve, një “Hot i Dytë i Plavës”.

Vllaznitë e sotme hotjane në vendlindje, në Hotin e Vendit e në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, si edhe në çdo vendbanim tjetër shqiptar e mërgimtar e mbajnë emrin e një paraardhësi të tyre të shquar për mbiemër të vet. Nganjëherë, familje apo individ e mbajnë për mbiemër edhe emrin e fisit të tyre të lashtë, etnik, historik. Mehajt e kanë emblemë të mbiemrit të vet: Mehin, i cili veprimtaroi emërmirë për shtëpinë, fisin e kombin e vet deri në kufijtë e legjendave, deri në ditën e fundme të jetës.

2.

Lindja e Mehi Ujka Haxha i Hotit të Vendit ka mbajamendje, pasi përkon me një ngjarje historike tragjike, me vrasjen e Kara Mahmud Pashës, Vezirit të Shkodrës, në fundshtator 1796, pas një çarje rrethimi në Pipër, teksa u fut në kishën e Palabardhit, gjatë një përballje luftarake për rikthimin gjeo-politik të tri krahinave shqiptare: Kuçi, Pipëri, Palabardhi në juridiksion plotor të Pashallekut të madh të Shkodrës.

Ujka (Ujkani), baba i Mehit, sëbashku me qindra malësorë nga Hoti i Vendit e Plavë-Gucia, mori pjesë në këtë luftë në mbështetje të Vezirit të Shkodrës. Pas tërhjekjes sprapsuese prej kurthit luftarak të betejës, duke luftue në rrethim, bash në Pipër, u vra atdhetari i flaktë Gjyla Begu i Rexhepagajve, sundimtari i pashoq i Plavë-Gucisë. Ky ishte mik i fismë i derës së Kara Mahmud Pashës, i cili ka verue shpesh herë në brigje të liqenit të Plavës, ndaj ende majemali në këtë trevë thirren “Maja e Vezirit”. Këta dy burra të mëdhenj, probatima ndërveti, në këto kohë tepër të vështira, e kanë mbrojt Plavë-Gucinë për mos me u pushtue e aneksue si krahinat e tjera etnike shqiptare në brigje të Moraçës nga Mali i Zi i shovinistit vladika Pjetër I Petroviç-Njegosh.

Ujka Haxha i Hotit të Vendit, baba i Mehit, i mori disa plagë në trup gjatë këtyre luftimeve dhe falë kalit të tij mjaft të stërvitur mundi të tërhiqej nga fronti i përgjakshëm me pjesën e ushtrisë së mbetur, të mundur e në largim. Diku përtej sheshbetejës e kanë marrë me veti hotjanët e Rrafshit, të cilët e kanë njoft me nji të pame me sy. Kah mesi i dimnit ka mujt me ecë në kambët e veta. Në të çelun pranvera me gjethe lisi e lule fushe e kanë ngjit në Hotin e Vendit. Rrnoi disa vite. Mesa dijmë i la mbrapa vedit tre djemë trashëgimtarë: Haxha, Muja, Mehi, të cilët, këta dy të fundit, tevona dolën bark më vete, ndanë toka e ngritën kulla.

Mehi, i pari i Mehjave të derisotëm, ishte ma i madhi ndër tre vëllezërit e tij dhe kishte shumë motra. Kjo, atij, i dha krahë mirësie me i forcue lidhjet e miqësisë me krahina të tjera përrreth Limit, Moraçës e Drinit.  Tek Mehajt traditor nuk ka ndodh me pasë marrje e as dhanie me martesa në Hotin e Vendit.

3.

Kajmekani faqezi i Gucisë, Zija Beg Rexhepagaj, kunat me Hudaverdi Pashën e Mahmudbegollëve të Pejës, pas luftës së gjatë austro-otomane (1683-1699), i shpërnguli përdhunshëm dhjetra familje etnike shqiptare (jo)kryengritëse nga Brezovica, Metehi e deri në afri të Hotit, në luginën e lumit Gjyriq (i thirrun dikur “Lumi i Mirë”). Vendoj në këto territore rreth 241-360 familje nga Moraça, Palabardhi e Ciklina e Çetinës duke iu dhanë toka vrrini si edhe lartësi bjeshktare në Çakorr, Babinë, Bogiqe. U çue në kambë Hoti i Vendit për mos  me i lanë me u shpërngul forcërisht asnjë familje hotjane dhe mos me e lëshue asnjë hap tokë të vet për këta kolonë të rinj, pasi boll ishin rrudhë hotjanët e Plavës me territore etno-historike përgjatë shekujve. I ngjeshën armët. Hipën në kuajt e luftës. Kajmekan Riza, ma i keqi i kazasë së Plavë-Gucisë në dymbëdhjetë breza sundimtarësh nga dera e Rexhepagajve, u nis me të vetët me iu dalë para hotjanëve tek Guri i Gjokës. Ai nuk donte me e mësy trimat e Hotit të Vendit deri tek “Sokaku i Hotit”, tek territori i hershëm i tyre në afri të liqenit të Plavës. Fjala e Hotit shkoi deri në vesh të Zotit. Askush nuk ia shkeli asnjë fije bari kësaj treve etnike historike.

Kit’ histori thuhet se e kishte mjaft për zemër Mehi Ujka Haxha i Hotit të Vendit, ashtu sikurse edhe pasaardhës të tij bio-genetik të Mehajve e të vllaznive hotjane Haxhaj, Sinanaj, Mujaj e Hysenaj. Kjo, qyshse në hershmëri, kallxohej në oda hotjane e në kuvende tek Kodra e Rexhës, tek kisha skej lumit në Jasenicë. Kudo. Edhe kjo histori i ka frymëzue në breza hotjanët e tri luginave të hershme e hotjanët e sotëm në dy faqet e luginës lumore të Hotit, nga Shkambi i Zi deri në bjeshkën e Horolacit tue fillanis vrrinit me 1.050 m e mbrri deri në 2.199 m. lartësi mbidetare në bjeshkë.

Herët, bjeshkët alpine janë kanë me ndore të shtetit otoman. Ato jepeshin me traminë (porestin). Hoti i Vendit bante përjashtim prej kësaj rregullsie shtetërore të kohës. Mirëpo, tregimohet se një ditë Mujë Ujka Haxha, i pari i vllaznisë Mujaj, e pati pa një andërr sikur ua morën bjeshkët “me ba haraç”. I thirri Mehi Ujka Haxhës, të parit të Mehajve, e dolën bashkarisht në Koshuticë të Hotit. Aty panë zyrtarë të qeverisë osmane. Fjalafolën me ta. Po s’u tërhoqën nga marrja e bjeshkës. Ua nisën pushkën. Bjeshka i mbeti prapë Hotit të Vendit. Tashti ata i kanë varret në Koshuticë, në krye të Çardaqeve.

Pas akteve të tilla me shembuj qëndrestarie dekteri në fillime të shek. XX nuk i hyni kush në pjesë toke Hotit të Vendit, veçse kur hotjanët i dhanë ato në raste apo rrethana të caktuara me klering apo valutë të kohës, si fjala vjen ofertuesve Rexhepagaj.

Në kohën e Kraljevinës, në vitin 1924, me të ashtuquajtunen “Reformë Agrare”, iu morën Hotit të Vendit kullota e male nga Jugosllavia e Parë, që iu kanë rikthye veçse një pjesë e vogël 181 hektarëshe tek Koshutica e Hotit. Prapë në kohën e Titos, Jugosllavia e Dytë, me tjetër platformë e praktikë të ashtuquajtun “Nacionalizimi”(1955-1961) ua mori gjithato prona hotjanëve e, prej asaj dite e deri më sot, kanë mbet’ prona shtetërore. Vitet e fundit, ky shteti i Gjukanoviçit, në këtë kohë të riaktivizimit në rrugë diplomatike e politike të ashtuquajtunes “Jugosllavia e Katërt”(!), prapë po synon e sulmon marrjen e tjetërsimin pronësor të tokave të Hotit të Vendit me anë të Parkut Ballkanik të Paqes “Prokletje”(!)

4.

            Gati një çerek mijëvjeçari po kalon nga kohëlindja e Mehi Ujka – i pari i Mehajve dhe, ende hotjanë, plavë-gucias e të tjerë, fjalaflasin me admirim për emrin e bëmat e Mehit aqsa një bashkëvendas i moshuar më pohon krenarisht: “veçse krahët nuk i ka pasë”.

Luftëtari i maleve shqiptare, Mehi Ujka, sëbashku me disa hotjanë të Plavës, patën konflikte të përgjakshme me armë me ekstremistë nga  Vasojeviçi i Epërm (Nahija e Vasojeviçit), krahinë e sapo futun forcërisht nën Sanxhakun e Cerrnagores, në kohën kundërshqiptare të peshkopit-princ Peter I Petroviç-Njegos. Kjo i detyroi përkohor me e lanë Hotin e Vendit dhe me ra në qytetin e Shkodrës, kryeqendrën e Sanxhakut të Shkodrës, kaza e të cilit ishte edhe Gucia me rrethina të hapëta nga ana administrative.

Mehi Ujka i Hotit tue ecë me kusherinjtë e vet nëpër Shkodër ndal tek një dugajë. Hyjnë brenda. I sheh do patkoj të varun aty. Fjalathotë: “Po sa i kie ata patkoj, o dugajxhi, se po më duken pak si të hollë?! Dugajxhia i përgjigjet tue e ndjek terezinë e vet, duke e reklamë mallin e vet. Atëherë, Mehi ia pret: Unë me i kap qitash i thej me dorë, i baj dy copësh! Dugajxhia ia kthen: N’mujsh me i thye, i kie një teste (50 copë) me patkonj dhe për çdo patkue edhe nga nji thumb falas…

Si u tha edhe u ba. Mehi e tereziti mirë patkoin në dorë, i dha vetes kivet e ta këputi në mes. I dha krahut me forcë e ta ngjujti neltas një pjesë të patkoit, i cili u ngul në një tra të tavanit të dugajës. I mori patkonjtë e thumbat e premtuem prej dugajxhisë. Iu dha prej tyre edhe kushërinjve të vet, sepse dihet: hotjanët janë tepër të dhanun pas kuajve, një traditë e kahershme, e mbartun dhe e përcjellë qyshse nga paraardhësit e vet, nga Autariatët ilirianë.

Një ditë tjetër, bash në qendër të (krye)qytetit të Shkodrës, u borokatke një shkodran truplidhun e shtatlartë tue piskatë me ritme daulleje: O në këtë sanxhak, në 12 fise të Malësisë, nuk ka burrë si më del me u ndesh përballë!

Shumkush në Shkodër ia kishte ndie zanin ose pa faktikisht forcën Mehi Ujkës së Hotit të Vendit, prandaj e thirrën një ditë vere me u kap trupas me shkodranin bejlegxhi. Kusherinjtë e vet iu lutën me e hjek “gujen”, veshjen malsorçe, hotjane, po ai iu gjegj atyne me bindje të ngultë: “Gujen nuk e hjeki. Ajo delme që nuk e ban bashkën e vet nuk i duhet gja kujt…”.

Mehi po don me hjek merak për mos me çue në Hotin e Vendit ngatrresa të idhta e as gjakderdhje hakmarrëse, prandaj ia bani me dije paraprakisht shkodranit, i vnon kusht para se me u ndesh ndërveti: O burrë i dheut, në kit Shkodrën tonë, në kit’ ditë, ba me ia thye dorë a kambë njani-tjetrit, me e mbyt shoqi-shoqin, nuk kena fjalë e as pushkë mbrapa? Shkodrani ia dha besën se kurrgja kësosh nuk do të ndodhin në këtë ditë tregu, në këtë ndeshje force mes tyre, në mes farefisnisë së tyre.

Njerëz si bleta ishin mbledhë me plot kureshtje e komente përrreth tyre, në pritje të duelit e të fitimtarit. Një spektakël i tillë force kishte ngjarë shpesh në kryeqëndren e sanxhakut, në ditën e pazarit të madh.

Kur e kapi rrokas po dvet shkodrani: A je kap Mehi? E ky hotjani me urtësi force  ia kthen turrtë: Po, po. Mos kie gajle! Prapë shkodrani në kit ndeshje force po don me e  dit’ me atë kryelartësinë e vet: “A po m’i jep ti para trupit apo unë me t’dhanë ty?” Ia pret Mehi: “Jo, ti epëm mue…!”  Shkodrani boll i dha vetes fuqi po nuk mujti me e luejt Mehin prej vendit. Rrinte si lis bjeshke.

Rradha po i vjen Mehit. I vikati për me ndie edhe të tjerët: “Tashti unë po due me të dhanë ty para! Pritëm mue!”. Ia ngjiti fort, çobanisht. E cingloi prej toke. I lvritshin kambët sikur miut. E gjuejti plastim për tokë. I gufi gjaku prej goje e hundësh. Ia mbyti byrykamen. Shkodrani nuk doli ma në mejdane të tilla.

Atëherë njerëzia, të mbledhun aty, e morën Mehin dhe e ngritën mbi supe, tue ecë një copë kohë e rrugë nëpër pazarin e Shkodrës. Jehonin thirrjet e fuqishme: Mehi! Hoti!… Këtë histori dueli e mori vesh edhe sanxhakbeu i Shkodrës…

Mehi Ujka i Hotit ishte jetëgjatë e fort i mbajtun. Thuhet se e kapërceu qindin tue ecë mbi kali shale për në bjeshkë të Koshuticës. Me pamje nga afër nuk i dallohej mosha e madhe. Ndoshta të gjitha këto e shpjegojnë faktin se Mehi mori pjesë edhe në të madhen e të përgjakshmen “Betejë të Ostrogit” (1853) në krahinën e Bjellopavliçit kundër forcave pushtuese e aneksuese të Malit të Zi të princit shoven Danilo I Petroviç-Njegosh.

Plaku i moçëm Mehi Ujka i Hotit thuhet se e ka varrin e tij në atë të përpjetën ku Jasenica kap prej bjeshke, atje tek Vorret e Vjetra.

5.

Tahir Meha i Hotit të Vendit nuk ishte njeri i pazakontë, trupmadh e muskulfortë si i ati, po nuk i pati lanë gja mangut për nga trimëria e zgjuarësia.

Ai kishte edhe një vlla tjetër disa vjet ma të madh se vetin, Isufin, i cili ishte çoban i zoti dhe pati një vdekje natyrore të parakohshme tue lanë një djalë të vetëm, Sinanin, e katër çika njana pas tjetres.

Luftëtari atdhetar Tahir Meha i Hotit të Vendit shquhet në një nga betejat ma të mëdha e ma të vështira shqiptaro-malazeze, në atë të Grahovës (28 prill–1 maj 1858), si dhe ka marrë pjesë në disa luftëra lokale në mbrojtje të Plavë-Gucisë me rrethina.

6.

Shaban Tahir Meha i Hotit të Vendit duket se i përngau gjyshit të tij, Mehit, pasi ishte një burrë i fuqishëm. Në fletore të shenimeve për Hotin e Vendit disa bashkëbisedues në Plavë-Guci e në Nju Jork-Amerikë ma përshkruajnë si “një trup mjaft leshtor” aqsa edhe dimrave tepër të ftohtë “e mbante vetëm një goxhup”. Ai ishte aq punëtor i rrallë sa edhe toka ia njihte dorën dhe ia ndiente frymën.

Asokohe, Shaba, siç e thirrnin shkurt e me afri, e ngriti një kullë trekatëshe në truallin e vet, sikurse edhe Alush Smajli Haxhaj, Ukshin Arif Sinanaj, Malë Rrustem Hysenaj, Ibër Mustafa Haxhaj (dykatëshe) e, ndonjë tjetër. Këto kulla e banin Hotin e Vendit edhe ma të bukur e ma të lumtur, iu jepnin forcë qëndrese e frymë zhvillimi ekonomik e kulturor hotjanëve. Kur Mali i Zi e pushtoi e aneksoi me gjak e flakë Plavë-Gucinë (1912-nëntor 1913) i dogji edhe kullat e besës e qëndresës të Hotit të Vendit.

Edhe sot e kësaj dite, afër kullës të dikurshme të Shabës trim e gjallnik, gjenden gjurmët e dy furrave gëlqereje që i ka pasë ndërtue në kohën e vet. Këtij vendi, ku e pjeki e nxorri gëlqeren për veti e për treg, i ka mbet’ toponimi i përhershëm: “Qerrshahe e Shab Tahirit të Mehajve”.

Shab Tahiri me djemtë e Mehajve të kohës së vet gjerdanonin në unison me bashkëfistarët e vet hotjanë në Hot, Jasenicë, Zabel, tek “Balli i Gjahut” (kodër thepore, në hymje të Hotit, kah lindja, në të majtë të liqenit të Plavës), tek ngjiteshin e dirgjeshin nga bjeshka, kur merrnin udhë për në tregun e Plavës e atë të Gucisë, kur rrugëtonin për në Pejë apo Shkodër. Këta të tre i jepnin bukuri e krenari vendit e kuvendit, udhëtimit e argëtimit. Burrat e Hotit, edhe brenda krahinës (kaza, kapiteni, komunë) në qytetet Plavë e Guci, binin në bashkari deri në mbi 20-30 vetë, me kuaj shale e armë, të veshur si për ditëmadhe pazari, etj.

7.

4 Dhjetori 1879 i kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është sipari i një prej luftërave kombëtare ma të mëdha në historinë shqiptare: “Lufta e Ultinës së Epërme të Limit “ (Nokshiq, Arzhanicë, Pepaj, Brezovicë…), e cila u përmbyll me gjak e flakë më 11 janar 1880. Kjo luftë njihet ndryshe edhe si “Dy betejat e Nokshiqit” (dhjetor 1879, janar 1880). Mbi të gjitha historiografia shqiptare e vlerëson si një nga faqet e ndritura të “prologut” të Pavarësisë së kryer më 1912 në Vlorën e Ismail Qemalit.

Pak kush e din se heroi i kësaj dite historike, dëshmori i parë i kësaj lufte historike, është një luftëtar i madh, njeriu i thjeshtë, (Murat) Osman Murati i Mahmudëve të Hotit të Vendit, një personazh historik i padalun në dritën e vërtetë të historisë kombëtare, në breza të shuar nëpër luftëra me sllavë të Jugut e otomanë të Lindjes.  Ai i përket një vllaznie të vjetër sa vet Hoti, trime si vet Hoti, ndaj thirrej edhe me emra simbolik: “Mahmud-hoti”,“Murati”. Gjithandej cilësohej si njeri “i lindun me orë”, më fjalathonë Ahmet Murati i Sinanajve, Rexhë Mehmeti i Sinanajve, Sinan Isufi i Mehajve, Halil Ukshini i Sinanajve, Ilmi Murat Mujaj, etj. Boshnjakët e Plavë-Gucisë, ma së forti shqiptarë të asimiluar, thoshin shpesh se nuk ka luftë pa Muratin, e përdornin shprehjen e njohur: “Nema rata bes Murata”. Ky, në syçelje të dritës, në syfyr, lëshoi kushtrimin tek Kodra e Rexhës e dukej se eci ma shpejt se jehona e zanit të tij nëpër luginën e Hotit e të Gjyriqit, trupon urën e Limit, i bie përfund Brezovicës e pa hi në Pepaj i paradalin nja 100 shkije në fushim. Mbante me veti buzdavanin, shpatën e thikat e mprehta. I ka zhdrip kalit të shalës tek grupi ma i parë ulandejas i shkijeve e iu tha: Kam ardh me iu pru i xhevap… E nxori shpatën nga brezi e thuhet se i ka pre 15 krena pushtuesish malazezë. Ai shkoi si hero, e dha jetën si hero, tue e ndez luftën e pashembullt.

Alush Smajl Haxhaj, Dera e Parë e Hotit të Vendit, përcjell jehonën e kushtrimit luftarak e, hypi në kalë të bardhë dhe, sëbashku me vëllezërit e vet: Asllanin, Currin, Medin, Tahirin, Rexhin i cokatin e i ngjeshin armët për luftë kundër ushtrisë malazeze.

Luftëtari trim, Shab Tahiri Mehaj, rreth 30 vjeçar, siç shkruhet tek monografia “Epopeja e Luftës së Nokshiqit” (Zenel R. Haxhaj, USA, 1998) kushtrimon malsorçe “nga shkëmbi i Horllacit, nga Mehajt, rranxë bjeshkëve të hotjanëve” dhe mori pjesë ballas në të dy betejat e Luftës së Nokshiqit, duke marrë edhe një plagë më 11 janar 1880.

Nga Hoti i Vendit, 33 apo 37 ose 43 luftëtarë nga vllaznitë Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj e një i Dedushaj, Bajram Musa, ranë tek kulla e Jakup Ferrit në Plavë e, siç më kuvendon në Nju Jork veterani diamantor, Rexhep Gali Balidemaj, “dolën në ballë të luftës në Nokshiq”. Strategjia e luftës së Ultinës së Epërme të Limit (Lufta e Nokshiqit) kishte planet e veta të (pa)shpalosura, po të parët strategë të saj atdhetarë idealistë e luftëtarë të pakompromis ishin hotjanët, që u ndoqën njëherash e përflaktas nga nokshiqasit…e rugovasit… Historia ka fillue me folë…

8.

Isuf Shab Mehaj, i dyti ndër djemtë, ishte e mbetet në kujtesën e vllaznisë së tij e të hotjanëve të Plavës si “sokol djalë”.  Sipas traditës hotjane të lashtë, ishte i dhanun mbas garave me kuaj, biles me kalin e tij të bardhë dilte shpesh i pari ndër të tjerët. Si ai ma, me talent të rrallë e ushtronte currulajen me soha. Ishte shtëpiak, dinte me vnue e me mbajt pasuni. Në “kohën e Krajlit”ka dalë kaçak se e ndiqte shteti jugosllav. Në vitet ’30 i erdhi papritur vdekja natyrale e parakohshme, duke lanë tre djemë: Ramadanin, Bajramin e Sinanin, e, ndër vite, plot nipa e mbesa me vila në vendlindje e në Amerikë.

Djali i tretë i Shab Tahiri Mehaj, Hamza, i shkathët e i zgjuar, e ka humb jetën aksidentalisht në lumin Buna në moshën 18 vjeçare.

Brezi i dytë i Isuf Mehajt, Ramadani, ishte i aktivizuar me forcat nacionaliste antikomuniste, pjestar me djemtë e Haxhajve të Hotit, po aksidentalisht e preu kambën e nuk mujti me shkue me ta në terren. Kryeplaku i fshatit të Hotit të Vendit, Musë Sadiku, i çon fjalë se forca partizane e kanë në shenjestër të hakmarrjes, prandaj për dy metra borë ra në Deçan e, prej andejna, në pranverë, ndejti tek dajtë e vet, tek Mulosmanajt e Krasniqes në Malësinë e Gjakovës.

 

9.

Sadri Shab Mehaj, i lindur kah fundshekulli XIX, i rritur në një familje me tradita e kontribute atdhetare, që me mend e sakrifica kishte arritë të jetë një nga ma të pasurit në Hotin e Vendit, biles në vitet ’20 deri më ’40 veçohej si një nga pasanikët ma të mëdhenj në krahinën e Plavë-Gucisë. Përveç angazhimit të përditshëm të familjes së vet kishte të punësuar edhe 5-6 punëtorë aktiv, të përhershëm.

Kur ka hy komunizmi në Hotin e Vendit, në kohën e Jugosllavisë së Dytë, Sadri Shab Mehaj, kishte 112 dhenë, rreth 30 lopë, 12 penë kije (qe), të cilat i çoi për dimnim në Kosovë e, me të dalë pranvera, shumicën i përcolli në Shqipëri. Në Gjarpën të Mulosmanajve ia dha Halil Alisë të Llugajve (Tropojë) 112 dhenë përgjysmë për tre vjet e çka të shtohen me i nda përgjysmë ndërveti. Nja 8 lopë i çoi në Selimaj të Valbonës (Tropojë) dhe nja 8 lopë në Lugun e Beranit në Pejë. Kur u interesue për pasurinë e vet të shpërndarë iu dha një përgjigje e njëjtë: Na i kanë marrë komunistat… e Enverit e të Titos! Mazen e bylmetnat ua morën partizanët. Asokohe, edhe një lopë me e pasë duhej me i pague taksimin, përndryshe, “reksvecicia”, një farë politike që e shkretoi Hotin e Vendit.

Sadri Shab Mehaj ishte njeri i ditun, pleqnar, i ndihej dhe i ecte fjala, folke me rend e me vend ne kuvende, i lypej mendimi në odat malësore. Atij i peshonte fjala dhe i ndihej hapi. Ai pati një djalë: Xhemën, që me fëmijët e tij i mbajtën mirë traditat e vllaznisë së vet.

Luftëtari Sadri Shab Mehaj ishte pjesmarrës në Luftën e Dytë Botërore. Kujtime për Sadrinë nga kjo kohë lufte më përcjell edhe 86 vjeçari Halil Ukshin Sinanaj në shtëpinë e tij në Amerikë më 3 shtator 2012. Pas qëndrimit në Shqipëri në vitet 1945-1946, Sadria, me t’u kthye në Hotin e Vendit e prangosen në burg për shtatë muaj proçes hetimor. Kur doli nga burgu jetoi disa vite gjersa ndrroi jetë në vendlindjen e vet.

Hotjanët kanë një betim të moçëm: Pasha Tokë e Qiell! Duket se hotjanët flasin lirisht me Tokën e me Qiellin, pasi në vendlindjen e tyre ende ka ditë me diell…

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: e vendit mbi Plave, ende ka Diell, Ne Hotin, Ramiz Lushaj

NJË KAFE ME TAHIR GJONBALËN

December 1, 2013 by dgreca

NJË KAFE ME TAHIR GJONBALËN/

Nga Ramiz LUSHAJ/

Atë kafe me Tahir Gjonbalën në qytetin Plavë/

Ende e hurbi ashtu të nxehtë në rrugëtimin tim,/

Se burra të tillë i takon rrallë e për mallë./

Ende më dritërojnë fjalë nga ai kuvendim./

 

E pagëzuan prindrit: Tahir, përdryshe i pastër, krejt ar’.

Mbiemrin e ka të përbamë historikisht në Gjon dhe në Balë.

Gjon – emër klasik, biblik, që na kujton trima e princa shqiptarë.

Bala – rrjedh nga ilirishtja – me kuptimin: qëndrestarë në ballë.

 

Shpesh shkoj e vij me mall e krenari në Vuthaj, Plavë, Guci.

Tahir Gjonbalën gjithmonë e gjejmë lis në trollin e vet.

Ai ka krahë të ikin mërgimtar në Amerikë apo Norvegji,

Po çdo një gusht me festën “Alpet Shqiptare” na prêt…

 

Me fol për krahinën thërret zëra emblematik në shkencë,

Me i ndie deri në palcë guri e lumi, rrënjasi e mërgimtari.

Mos me ndrrue kapuçin e bardhë me kapicën e zezë.

Malet, toka, njerëzit me pasë forcë e zemër shqiptari.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne Plave, nje kafe me Tahir Gjonbalen, Ramiz Lushaj

KRYEHEROI ADEM JASHARI DËSHMON DIFERENCAT POLITIKE E PUBLIKE TË LULZIM BASHËS ME EDI RAMËN

November 28, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Në ditën e sotme të 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, teksa kryebashkiaku i Tiranës e lideri i PD e i opozitës së djathtë në opozitë, politikani i ri Lulzim Basha, po bante homazhe në Memorialin e Adem Jasharit,(foto 1) po mendoja se burrat e shtetit të çdo kohe e të çdo moshe përveçohen e lartohen si të tillë në karierën e tyre politike e publike edhe nga sjellja shpirtërore e jetësore në gjithanshmëri e vazhdimësi ndaj figurave emblematike të kombit. Kjo duket kjart në koft se iu bën një përballje krahasimore Edi Ramës e Lulzim Bashës me qëndrimin e tyre ndaj kryeheroit të Pavarësisë së Kosovës, legjendarit Adem Jashari.

Edi Rama, prej shtatë vitesh kryebashkiak i Tiranës e prej dy vitesh kryetar i PS e përuroi më 28 nëntor 2006 Bustin e vogël të Adem Jasharit në Rrugën e Durrësit, në anë të Bllokut të Ambasadave, (foto 2) të Cilin edhe në vizitën e parë kryeministrore në Prekaz, në shtator 2013, e cilësoi si “frymëzim e motiv për rilindje”. Kjo vepër e Skulptorit të Popullit, Thoma Dhamo, qëndroi aty, ashtu, për mbi gjashtë vite. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Lulzim Basha, prej dy vitesh kryebashkiak i Tiranës e, aktualisht, kryetar i PD e koalicionit të Opozitës së Djathtë, i dha përmasat meritore Adem Jasharit duke ia naltue një shtatore të madhe e të bukur, vepër e të shquarit Skulptor i Popullit, Muntaz Dhrami (foto 3). Një bust kaq i vogël për një burrë kaq të madh si Adem Jashari nuk e justifikon Edi Ramën, një piktor kariere, një pedagog të Institutit të Lartë të Arteve, një ish ministër i Kulturës në tre mandate qeverisëse, kryebashkiak me dy mandate, kryetar i ma të madhes parti të majtë në opozitë(!)

Edhe diçka tjetër dëshmon diferenca të ndjeshme të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës. Kryebashkiaku Edi Rama një muaj para përurimit të bustit të Adem Jasharit doli me vendim të këshillit bashkiak për ngritjen e tij, ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha, më 28 nëntor 2011, gjatë homazheve tek memoriali i Adem Jasharit (foto 4) premtoi publikisht se do të ngrinte një shtatore. Plot një vit kohë dhe ajo u përurue në 100 vjetorin e Pavarësisë.

Një tjetër dallim madhor: Edi Rama e kreu ceremonialitetin e përurimit të bustit me pjesmarrje pothuaj partiake. Nga Tirana zyrtare ishin kryebashkiaku Edi Rama, njëherash kryetar i PS, Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes e kryetar i PR, ndërsa nga Kosova një delegacion i PDK i kryesuar nga kryetari i saj Hashim Thaçi e Fatmir Limaj (nënkryetar), Jakup Krasniqi (sekretar i përgjithshëm), Xhavit Haliti e Ramë Buja, antar kryesie. Lulzim Basha, në përurimin e shtatores së Adem Jasharit, më 27 nëntor 2012, siguroi një pjesmarje mbarëkombëtare e mbipartiake: kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, etj.; nga Kosova: presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, etj.; nga familja e Jasharave, Rifat Jashari, vllai i heroit; nga Maqdonia: kryetari i BDI, Ali Ahmeti, etj.; nga Lugina e Preshevës, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, etj; përfaqësues nga shqiptarët e Malit të Zi dhe nga diasporat shqiptare në botë.

Sivjet, Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës e i Partisë Demokratike, në Ditën e Pavarësisë,në këtë 101 vjetor,  bani prapë homazhe tek shtatorja madhështore e Adem Jasharit. Është një ritual i tij i përvitshëm qyshse kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, është nderim e mirënjohje për Adem Jasharin e UÇK-në, është vet ndërgjegjia e përkushtimi kombëtar i tij. Krejt ndryshe ngjet me Edi Ramën ndër vite: kur ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit, kryetar i socialistëve e i opozitës së majtë, kryeministër i Shqipërisë, që pas përurimit të bustit u pa aty vetëm një herë.

Në të njëjtin vit, më 1998, Edi Rama kthehet nga Parisi e bahet ministër i Kulturës, ndërsa Lulzim Basha nga Hollanda shkon në Kosovë, në UNMIK-un e OKB-së. Faktikisht Lulzim Basha është nga të parët e të vetmit liderë shqiptar që iu dha kënaqësia e mundësia të shkonte shpesh në Prekaz të Drenicës, edhe para se të ndertohej tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, pasi  deri në fundvitin 2004 ishte në Prishtinë. Edhe Edi Rama ka shkue disa herë tek varri i Adem Jasharit, qyshse më 28 nëntor 2008. Po të marrim në krahasim vizitat e tyre të fundit: Lulzim Basha ishte me 12 qershor 2013 në Kosovë, kur iu dha titulli i lartë “Qytetar Nderi” i Prishtinës dhe Medaljen e Artë “Shkëlzen Haradinaj” në Deçan, bani vizita tek varri i Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës, tek Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë e në Gllogjan të Deçanit, tek busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë më 13 shtator 2013 foli në Kuvendin e Kosovës po nuk e përmendi Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, ndërkohë që në fillniset e përmbyllet me Rexhep Qosjen, pati takime me liderët e Kosovës, po bani vizita vetëm tek varri i Adem Jasharit dhe i Ibrahim Rugovës. Ndaj kur fjalatha tek varri i Adem Jasharit se Prekazi është frymëzim e motiv për rilindje, duket se është ma së shumti demagogji

Mendimi, qëndrimi e veprimi edhe ndaj Adem Jasharit është një nga treguesit që dëshmon se çfarë diference të madhe kanë ndërveti Lulzim Basha me Edi Ramën, se cili është portreti e pushteti real i tyre, se cilët janë parametrat e tyre politik e publik si burrshtetas të rinj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adem Jashari, Lulzim Basha, Ramiz Lushaj

KA RA BORË NË TROPOJË

November 27, 2013 by dgreca

Ramiz LUSHAJ/

I thinjur, po më merr malli të lodroj si fëmijë mbi borë,/

Si dikur, me kluca me i nxanë tricat me i trohë bukë./

Po peni nyjelidhun i kësaj kohe më ndjek çdo orë,/

Vet vitet e jetës e hapat në rrugë më kanë fut në klucë…/

 

Dua të rrëshqas me koritë druri mbi Alpe e hapësirave të globit,

Mbi thinjat e mija  çapërpik në letra e në orbitat e kohës.

Pas çdo boheme drejt Tiranës, Johanesburgut e Nju Jorkut.

T’i rikthehem engjëllor e mëkatar,  i ri e i mplakur, Tropojës.

 

Dua të ngjitem mbi kullen time alpine me e çplue prej borës.

Aty lotët e mallit deri në maje të oxhakut kallkin janë tuj ngri’

O, më kanë mbetë vetëm kulla e fëmijëria në fijatje të kohës.

Shpesh rikthehem i thinjur, me mirësi, si Babagjysh i Vitit të Ri.

 

Dua t’i mbathi rrathët e borës e të fluturoj mbi borën e dimrit alpin.

Të luaj me topa bore në Tropojën hyjnore si dikur kur isha fëmi.

T’ia shkrijë sa të muj ortiqet e politikës që i dalin para në udhëtim.

Të gjuaj me topa akulli ata që vendlindjes m’i bahen zhingaxhi…

 

26 Nëntor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT