• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JU TREGOJ OXHAKUN E BAJRAM HAZIR RROGAMIT

July 24, 2013 by dgreca

Shkruan Ramiz Lushaj/
Bajram Haziri (Rrogami), i vllaznisë Gjomakaj (Gjon Maka), u lind më 2 tetor 1885 në Rrogam të Epërm të Kolgecajve, në rreth 300 m. lartësi mbidetare. Trungu i tij familjar ndihet i prejardhun nga Shkreli i Malësisë së Madhe qyshse në shek. XVII. Ndoshta kësaj kohe erdhën vet Gjon Mark Papa me dy djemtë e tij: Markun e Hasanin. Në brezni gjaku, këta Gjonmakajt e Rrogamit, janë kusherinj me Marash Vatën, bajraktarin e Shkrelit, figurë e lavdisë historike. Dera e Madhe e Gjomakajve (Rrogami), tue fillue nga Qerim Zymer Lulashi, njihet si “Oxhak”  i madh, një nga dymbëdhjetë oxhaqet e Malësisë së Gjakovës (Malësisë së Mirë), i cilësuem edhe si ma i pari ndër këta oxhakë të kohës.

Kjo Derë e madhe e burrave të shquar, ky Oxhak i pushkës e i pleqnive, kjo familje e fisme e vitale në breza, krijoi lidhje të gjakut e pragut, miqësi e kumbari, me gjithato shtëpi me emër historik si me Abdullah Hoxhën e Gashit (var nga xhonturqit më 1908 në Gjakovë, sëbashku me Shaban Binak Alinë e Mulosmanëve), Mus Zenel Qelinë (vrarë nga malazezët në luftën e Moraçës), Grosh dhe Shpend Zeqir Haklaj të Gashit (nipa të Hazir Syl Rrogamit), Miftar Matoshin e Leniqit të Bytyçit (vra nga austro-hungarezët në Qafë të Luzhës), Tahir Bek Dini – bajraktari i Shipshanit (Bek Bajraktari – vrarë në Luftën e Nokshiqit), Col Isuf Agaj nga Hasajt e Babinës, Rexhep Uk Hysenaj nga Ahmatajt e Gashit, Elez Hysen Biberaj nga Shoshani i Krasniqes, Nikë Gjonin nga Gjonpepajt e Nikajve (kumar shpie), etj.

Bajram Hazir Rrogami u lind në vit lufte të përflakshme e të përgjakshme, kur në sythim të pranverës të vitit 1885 marshall Vesel Pasha ndërmori një ekspeditë ndëshkimore otomane kundër Malësisë së Gjakovës. Një nga prijësit e formacioneve me rreth 4.000 luftëtarëve aktiv të fiseve të saj ishte edhe Avdyl Qerim Zymeri i Rrogamit, që kishte në krah të tij edhe nipin e vet: Syl Qerim Zymerin, përndryshe: gjyshi i Bajram Hazir Rrogamit. Kontributi i tij luftarak u përjetësue në kangët historike:

Avdyl Rrogami n’armë të bardha,
Vesel Pashës po i del përpara:
-Ndalu Pashë, se k’tu s’ngreh çadra!…
…Avdyl Rrogami trim duhi,
Në nizamë po ban kërdi,
Shumë po i vret, shum’ po i mbyt n’Dri,
Mos me shkel turqit n’Malësi.

 

Me marrë nizam’, me marrë vergji…
Në këtë vit lufte (1885) otomanët e dogjën kullën e Gjomakajve të Rrogamit, por kësokohe kur zot shtëpie ishte Hazir Syl Qerimi, baba i Bajram Hazirit, kjo u ngrit edhe ma e madhe e ma e bukur, si një kështjellë malësore. Edhe dy herë të tjera u dogj kjo kullë: nga otomanët në vitin 1893 dhe nga sllavët në vjeshtën e vonë të vitit 1913.

Kulla e madhe e Bajram Hazir Rrogamit i ka ruajt në trupin e vet të gurtë gjurmët e predhave të topit të serbëve, që i kanë gjuejt nga Podi i Rasofës (Maja e Dhinë) kah koha e luftërave ballkanike, pasi brenda saj ishin prijtarë e luftëtarë të lirisë e pavarësisë shqiptare si Bajram Curri, Hysni Curri, Sali Man Mulosmani, Rexhep Abdullah Mulosmani, Cen Selimi nga Llugajt e Epërm, Osman Isuf Rrogami, Brahim Sadik Rrogami, Man Rexhep Zekukaj, Sadri dhe Bajrush Musnimanaj etj., të cilët kishin pesë ditë luftë të panderprerë në rrethim, derisa mundën me u tërhjek në drejtim të Shkodrës.

Historia e vlerëson pjesmarrjen e Bajram Hazir Rrogamit në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (16-19 shtator 1943) si i vetmi delegat nga Malësia e Gjakovës.

Në dokumente të Kuvendit Themelues të kësaj Lidhjeje të ripërtrime figuron i njëzet e nanti në listën emrore, përkrah Sheh Musa Shehzade i Prizrenit, Rexhep Mitrovica nga Mitrovica, Xhafer Deva (mitrovicas, i ardhun nga Tirana), Lukë Simon Mjeda – delegat i Prizrenit, Asllan Boletini i Mitrovicës, Shemsi Ferri i Plavës – delegat i krahinës së Plavë-Gucisë, Bedri Bej Peja (pejan, me qëndrim në Tiranë),  dr. Xhelal Mitrovica (mitrovicas, i ardhun nga Tirana), Sheh Hasani nga Prizreni, Sylejman Kryeziu i Gjakovës, Maz’har Sopoti (i pranuem si delegat i Tiranës në Shqipërinë Londineze), Mentor Çoku nga Ohri (delegat i Strugës), Qemal Karahoda nga Prizreni, Tahir Zajmi i Gjakovës, Qazim Bllaca i Suharekës, Xhevat Begolli i Pejës, Adem Kurtaga i Rozhajës (sot – komunë në Mal të Zi), Mahmut Shabanpasha i Prishtinës, Mehmet Devaj i Gjilanit, Hasan Dashi i Gjakovës, Bejtullah Haxhiu i Rahovecit, Nuredin Haliti i Suharekës, Rexhë Metë Ulaj i Vuthajve – delegat i Plavë-Gucisë, Bahtjar Qaflleshi i Dragashit, Haxhi Xheledini i Shkupit, Nexhip Basha i Pejës, Jusuf Jahja i Tetovës, Safa Ulqini – delegat i Ulqinit (sot – komunë në Mal të Zi), Bajram Gashi i Pejës – delegat i Istogut, Halim Shuku i Gjakovës – delegat i Ferizaj, Ahmet Lusha i Tetovës, Esad Berisha i Gjilanit, Bedri Gjinaj i Mitrovicës, Shahin Cami i Dibrës, Lutfi Spahiu i Kolesjanit – delegat i Bicaj në Shqipërinë Londineze, Aqif Bluta i Pazarit të Ri – delegat i kryeqëndrës së krahinës të Sanxhakut, Hasan Zvediç nga Senica – delegat i Sanxhakut (krahinë etnike shqiptare, e pushtueme nga Serbia), Vehbi Hamzagaj nga Senica – delegat i Sanxhakut, Remzi Ragibi i Gostivarit, Jusuf Agushi i Prishtinës dhe Rrustem Ymeri i Dibrës.
Bajram Haziri Rrogami e ktheu kullën e tij në bazë të randësishme të LANÇ, pasi aty u strehuan antarët e Shtabit të Kosmetit (Kosovës e Metohisë – Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit) si Ymer Pulaj, Mehmet Hoxha, Metush Grezda, Xhevdet Grezda, etj.; luftëtarë nga Shkodra që erdhën partizanë në Malësi të Gjakovës si Fahri Ramadani (Hero i Popullit), Bajram Hebovija,Muho Qamo, Isa Agoviku, etj.; disa partizanë në kohën e Operacionit Armik të Dimrit si Mehmet Dermani nga Vuthajt e Plavë-Gucisë – një nga firmëtarët e Konferencës së Bujanit, mjeku Vojo Kërçiku nga Durrësi, Teofik Meçja nga Pogradeci, etj.

Nga kulla e tij në vitin 1944 u nis çeta me krye aksionin e saj në Qafë të Morinës me Mehmet Mulosmanin, Rexhep Molikën e Gjongecajve (që u plagos në këtë betejë), Ram Qerim Bashkurtin, Bajram Gjonin, Haxhi Nikoçin, Brahim Zeqirin, Ukë Buçaj, Teofik Meçe, dy partizanë malazezë, etj.

Në shtator 1943 Bajram Hazir Rrogami e çoi djalin e tij, Rrustemin, partizan në batalionin “Bajram Curri”, “Rinia”, brigadën XXV-S, brigadën VII-S , duke luftue deri në trevat shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, ku titullohet oficer (1944) dhe pas çlirimit (pushtimit komunist) kryen detyra të randësishme ushtarake në Korçë, etj. dhe nderohet me dekorata të larta.

Në maj të vitit 1953 forcat e sigurimit të shtetit komunist shqiptar e arrestojnë Bajram Hazir Rrogamin në kullën e tij, çka i befasoi të gjithë malësorët e Tropojës, pasi njihej në popull si luftëtar i lirisë dhe i pavarësisë kombëtare shqiptare. Tre ditë pas arrestimit, rreth 30 forca policore me toger Ramadan Gjokën, kryejnë përmbysje e bastisje në kullën e tij në Rrogam dhe ia marrin pjestarët e familjes dhe ia çojnë në kambë deri në DPB në Bajram Curri, ku i burgosin përkohësisht gruan e tij, Shemen dhe vajzën 18 vjeçare, Rushën. Ato lirohen prej andej vetëm kur e vrasin pa gjyq Bajram Hazir Rrogamin, të cilit ende edhe sot nuk iu ka gjet varri. Mbi familjen e tij dhe pasardhësit fillon persekutimi komunist, gjersa duan t’i internojnë për në Tepelenë, bashkë me familjen dymbëdhjetë antarëshe të mikut të tij, Sali Tahir Bajraktarin e Kasajve, një familje me histori epokale që mbajti lart në shekuj bajrakun e Shipshanit.

Filed Under: Reportazh Tagged With: i Bajram Hazir Rrogamit, Oxhaku, Ramiz Lushaj

Mali i Zi e do Plavë-Gucinë pa shqiptarë

May 14, 2013 by dgreca

Nga Ramiz Lushaj/
1. Në tokën arbnore të krahinës komunare të Plavë-Gucisë shqiptarët etnikë (të vetëdeklaruar si të tillë) renditen të dytët për nga popullsia dhe janë ma të përqëndruar në Vuthaj, Martinaj, Hot i Vendit (Hoti mbi Plavë), Kukaj-Krushevë-Vishnjevë-Hakaj, në qytetet Guci e Plavë, etj. Shqiptarët etnikë rradhavijnë pas boshnjakëve (ma së shumtit shqiptarë të asimiluar) dhe dalin para serbëve dhe malazezëve, që janë komunitete kulturore-etnike të ardhun si kolonë e ma së forti të rritun numerikisht me asimilime të shqiptarëve katolik e muslimanë në kohëna të trinjakërisë krajloviçe kundërshqiptare: Nikolla I, Tito e Gjukanoviçi.
Nistue nga numri i përgjithshëm i popullsisë etnike shqiptare përcaktohet edhe përqindja shqiptare e përfaqësimit dhe e punësimit në shtetin e pavarur të Malit të Zi të pas 2006-tës, si në institucione shtetërore e lokale që varen zyrtarisht nga Podgorica apo komuna e Plavë-Gucisë, sipas kërkesave e praktikave të përbotshme demokratike, sipas kushteve e kritereve për antarësim euro-atlantik në BE e në NATO. Politika shtetërore kundërshqiptare e Malit të Zi gjukanoviçian mbetet tejet diskriminuese ndaj shqiptarëve etnik në Plavë-Guci (realisht – mbi 20 për qind e popullsisë së saj) pasi niveli i përfaqësimit e i punësimit në këtë komunë është mbi katër herë ma i vogël se sa përqindja e duhur zyrtarisht.
2. Shifrat flasin vetë për këtë komunë alpine me 486 km2 e 14.000 banorë, me tri qendra lokale (Plavë, Guci, Murinë) dhe shtatë bashkësi lokale. Në territorin e Plavë-Gucisë janë gjithsej 959 vende pune republikane apo komunare, të cilat plotësohen nga Podgorica ose Plava sipas kritereve të tyne publike e ajzberige. Shqiptarët etnikë, sipas rregullave demokratike shtetërore dhe arsyes njerëzore, iu takon të kenë mbi 200 vende pune gjithsej në të gjitha nivelet zyrtare të atyshme. Deri kohët e fundit, sipas të dhanave nga burime të ndryshme zyrtare, partiake e qytetare, del se në krejt Plavë-Gucinë janë të punësuar mbi 50 shqiptarë. Rritja e përfaqësimit e punësimit të shqiptarëve në Plavë-Guci është tepër e ngadaltë, gjithsesi e pakët, në nivel të ulët, pavarësisht se së fundit po ndihet një erë e lehtë ndryshimi. Mjafton veç ky fakt që të shqetësoj me reflektime Bashkimin Europian e Amerikën, po veçmas edhe dy shtetet kufitare të Shqipërisë e Kosovës, që ta kushtëzojnë Malin e Zi në marrëdhaniet e integrimit e të fqinjësisë me zgjidhjen e këtij problemi përditsor të shqiptarëve plavë-gucias. Askush nuk po i kërkon askujt që të veprojnë açik, veçse siç po ban Mali i Zi që e ka njoft shtetin e ri të Kosovës, po nuk janë vendos në Prishtinë e në Podgoricë misionet diplomatike, pasi e kushtëzon me zgjiedhjen e disa çështjeve të (pa)arsyeshme malazeze.
3. Njihet (ndër)kombëtarisht kontributi politik e plebishitar i shqiptarëve në shpalljen e Pavarësisë së Malit të Zi, ku ka peshën e vet të randësishme edhe krahina e Plavë-Gucisë, e treta komunë për nga popullsia shqiptare, pas asaj të Ulqinit e të Tuzit. Shteti malazez ka mos mirënjohje të pafalshme ndaj shqiptarëve, nuk i vlerëson denjësisht si qytetarë të tij dhe në sjelljet e tij kolonizatore i sheh dhe i trajton shqiptarët si “popull i rendit të dytë apo të tretë”(!) Kjo duket qartë tek ky fakt skandaloz: policia kufitare në Plavë-Guci i ka 157 vende pune, po dekteri vonë nuk ka shqiptarë të punësuar në radhët e saj, ndërkohë që vijëkufini me dy shtetet shqiptare fqinjë, Shqipërinë Londineze dhe Kosovën dardane, shtrihet në rreth 80 km gjatësi. Një tjetër qëndrim tepër racist e mosbesues ndaj shqiptarëve: shteti malazez i merr tre qytetarë të komunitetit boshnjakë në Plavë-Guci dhe i çon në kurse kualifikime për të mësue shqipen, pasi iu duhen për me komunikue me shqiptarët në anën tjetër të kufinit, ndërkohë që shqiptarët etnikë plavë-gucias mbeten pa punë dhe kalojnë si muhaxhir nëpër këto pika kontrolli kufitar tue marrë rrugët e mërgimit të prejkohshëm, ma së shumti në Amerikën përtej Adriatikut e Atlantikut.
Sjelljet koloniale mesjetare të shtetit malazez keqshfaqen edhe në mos përfaqësimin e shqiptarëve etnikë në Plavë-Guci në organet e drejtësisë. Është vetëm një prokuror dhe asnjë gjyqtar. Në zyra të shërbimit informativ malazez të atyshëm nuk ka asnjë shqiptar. Në këto raste kemi përjashtim ekstrem të faktorit e përqindjes shqiptare në këto organe, duke mos pasë në përbërje të tyre të paktën një shqiptar-përkthyes, etj. Ndërkohë që ndihet e domosdoshme pasi numri i hetimeve e i gjykimeve ndaj shqiptarëve është disi i lartë në krahasim me boshnjakët, serbët apo malazezët, edhe për arsyen e thjeshtë se përndiqen shpesh e diferencohen gjithkund për shkak të etnisë shqiptare.
Në policinë e shërbimeve publike nga 83 punonjës (policë e punëtorë administrativ) shqiptarët punësohen vetëm rreth 4 për qind, pavarësisht faktit që shqiptarët janë të dytët në popullsinë e përgjithshme të komunës dhe ka bashkësi lokale si në Vuthaj, Martinaj, etj. me mbi 90 për qind mono-etnike shqiptare. Edhe aty ku jepen dokumente personale edhe për shqiptarët ka 15 të punësuar të komuniteteve të tjera etno-kulturore, ndërsa shqiptarët nuk përfillen në përqindje zyrtare! Një dukuri e tillë negative raciste kaq ekstremiste nuk ndodh as në disa shtete nga ma diktatorialet në botë, si në Afrikë apo në Azi. Këto dëshmojnë se shteti malazez sillet si pushtues, është neo-kolonizator mesjetar.
Absurditete që nuk kanë astenjë shfajësim politik, moral apo zyrtar: në Entin e Punësimit në Plavë nuk ka shqiptar dhe atëherë si mund të thonë se ka interes shtetëror, partiak e komunar për punësimin e shqiptarëve?! Në Drejtorinë e Pyjeve ka 37 vetë të punësuar, kurse shqiptarët zënë vetëm mbi 6 për qind dhe ende ka vende të lira për punësimin e tyre. Paradoksale: në Organin për Kundërvajtje, në Qendren Sociale, në Postë, etj. nuk ka shqiptarë, në Qendrën Parashkollore vetëm 1 shqiptar, etj. Në institucionet e larta presidenciale, parlamentare e qeveritare në Podgoricën e Çetinë dhe në selitë e partive politike shqiptare në Ulqin e Podgoricë, e mirëdijnë këtë gjendje të randë në Plavë-Guci, po nuk ndërmarrin hapa të plotë me vullnet politik e njerëzor që ta ndryshojnë realitetin katastrofal të kësaj komune nga ma të varfrat e Europës.
4. Çështja shtrohet edhe kështu: nëse në organet e drejtësisë, të sigurisë shtetërore e të policisë kufitare e të shërbimeve, të tatimeve, etj. Emnimet i ka në dorë edhe Podgorica, kryeqëndra zyrtare e shtetit malazez, po komuna e Plavë-Gucisë me mbi 100 punonjës pse ka vetëm mbi 10 për qind shqiptarë në zyrat e saj?! Në ente e organizma në varësi të kësaj komune përfaqësimi e punësimi i shqiptarëve kap rreth 8 për qind, një shifër ende e ulët, pasi flitet zyrtarisht për rreth 60 vende pune të mundshme. Përndryshe: nga 73 vende pune në organizatat komunale të Plavë-Gucisë mund të punësohen rreth 20 shqiptarë, po janë në punë të ndryshme veç nja 5 për qind e tyne. Tjetra: nga 24 vende pune në shërbimin zjarrfikës nuk ka astenji shqiptar, ndërkohë që përqindja i kërkon 6 vende pune. Në dhomat e kulturës në këtë komunë ka 27 vende në organikë dhe në to duhet të punësohen deri në 7 shqiptarë etnikë. Komuna, pavarësisht nga vështirësitë e (pa)dituna, i ka mundësitë edhe për shtimin e vendeve të reja të punës në shtrirjen gjeo-administrative të Plavë-Gucisë, si në mirëmbajtjen e liqenit të Plavës, në Parkun Nacional, në sektorin e pastrimit e deponimit të mbeturinave (që po i hedhin keqas gjithandej, paturpësisht edhe mbi varret e luftëtarëve të legjendares “Luftë e Nokshiqit”).
5. Mos përfaqësimi e mos punësimi i rreth 200 shqiptarëve etnikë të Plavë-Gucisë në vendet e tyre të ligjshme brenda përqindjeve të kuotave zyrtare të kushtëzuara nga numri i popullsisë së saj ka problematikat e veta politike, etnike, fetare, etj. Një prej tyne është zania e vendeve të punës të planifikuara për shqiptarët etnikë me të tjerë të etnisë boshnjake, serbe e malazeze. Gjithashtu ka ndikue edhe fakti se ndërvite as Podgorica dhe as Plava nuk kanë pasë vullnet politik e njerëzor për përgatitje perspektive të shqiptarëve etnikë të atyshëm nëpërmjet shkollimit e kualifikimeve të ndryshme për disa vende pune si në shëndetësi, arsim, polici, etj. Mbi të gjitha theksojmë se mos përfaqësimi e mos punësimi i shqiptarëve etnikë plavë-gucias dhe mos zhvillimi i kësaj krahine komunare të prapambetur ka të bajnë me vetë politikën shtetërore shovene raciste të Malit të Zi që don t’i shpërngulin shqiptarët për në botën e jashtme, që këta ta lëshojnë tokën e vet etnike shqiptare, etj. Realisht Mali i Zi me demagogji e vello “demokratike” kërkon ta kryejnë përfundimisht proçesin e kolonizimit në Plavë-Guci nëpërmjet shpërnguljeve e spastrimit etnik të shqiptarëve trojenik. Shifrat flasin vetë: në vitin e pushtimit malazez të Plavë-Gucisë në tetor 1912 popullsia shqiptare ishte mbi 77 për qind dhe pas një shekulli shohim se shqiptarët etnikë janë 4 herë ma pak, ndërkohë që janë mbi trefishue etnitë e tjera si boshnjakët (mbi 44 për qind), serbët (rreth 20 për qind) e malazezët (mbi 14 për qind). Gjithçka tashma po dihet dhe shihet: Mali i Zi po lufton ta kthejnë Plavë-Gucinë në një në një vend pa shqiptarë dhe bota shqiptare e ajo euro-atlantike nuk duhet të heshtin ndaj këtij kolonizimi mesjetar në Europën moderne.

Filed Under: Komente Tagged With: Mali i Zi, Plave e Guci, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT