Në vitin 2016, qeveria trajnoi 75 gjyqtarë dhe 20 oficierë policie për hetim dhe ndjekje penale të trafikantëve dhe për mbrojtjen e viktimave. Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale apo denim të punonjësve qeveritarë si bashkëfajtorë në kundravajtje trafikimi. /
Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raprotimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje duke ndjekur penalisht dhe dënuar më shumë trafikantë dhe duke përdorur për herë të parë “fondin e posaçëm” të saj për mbrojtjen e viktimave nga asetet e kapura prej trafikantëve. Qeveria rriti financimin për Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Anti-Trafikim (ZKKA) dhe rregullisht mblodhi aktorët e mekanizmit kombëtar të referimit dhe komitetit anti-trafikim. Megjithatë, qeveria nuk arriti të përmbushte standardet minimale në disa fusha kyçe. Policia vazhdoi të pasqyronte të kuptuar të kufizuar të trafikimit njerëzor dhe dështoi në disa raste të identifikonte viktimat e trafikimit mes individëve të përfshirë në prostitucion të detyruar apo si shërbëtorë shtëpie. Qeveria hetoi dy viktima dhe dënoi një viktimë për akte të jashtëligjshme kryer si rezultat i nënshtrimit ndaj trafikimit, edhe pse ligji përjashton viktimat nga ndëshkimi për krime të kryera si rezultat i shfrytëzimit të tyre.
REKOMANDIME PËR SHQIPËRINË
Të zbatohet ligji që përjashton viktimat nga dënimet për akte të jashtëligjshme të kryera si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e nënshtrimit ndaj trafikimit, sidomos viktima të trafikimit seksual që shfrytëzohen në prostitucion; të trajnohet policia, inspektorët e punës, si dhe zyrtarë të tjerë të vijës së parë për identifikimin proaktiv të viktimave; të vazhdohet me rigorozitet hetimi, ndjekja penale dhe dënimi i trafikantëve sipas neneve 110(a) dhe 128 (b); të ngrihen mekanizma të qëndrueshme financimi për njësitë e lëvizshme që administrohen nga ligjzbatuesit dhe grupe të shoqërisë civile për të identifikuar viktimat; të rritet mbrojtja për viktimat kundrejt kërcënimeve dhe kanosjeve gjatë seancave gjyqësore duke lehtësuar pjesëmarrjen në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe duke zgjeruar trajnimin për prokurorë që merren me dëshmitarët viktima; të rritet financimi për strehat e administruara nga OJQ për viktima të trafikimit dhe të ofrohet financim në mënyrë të rregullt; të përmirësohet kapaciteti i policisë së kufirit dhe migracionit për kontrollin e migrantëve të parregullt për tregues të trafikimit; si dhe të rriten përpjekjet për të kontrolluar fëmijët e rrugës për shenja të trafikimit. NDJEKJA PENALE Qeveria vazhdoi përpjekjet e ligjzbatimit për anti-trafikimin. Nenet 110(a) dhe 128(b) të kodit penal ndalojnë trafikimin për qëllime seksuale dhe të punës dhe parashikojnë ndëshkime prej tetë deri në 15 vite burg; këto janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, të tilla si përdhunimi. Policia e shtetit hetoi 69 raste me 69 trafikantë të dyshuar në vitin 2016, krahasuar me 80 raste me 90 të dyshuar në vitin 2015. Qeveria nuk bënte ndarje në të dhënat e ligjzbatimit për të demonstruar përpjekjet kundër trafikimit për qëllime seksuale dhe punë të detyruar, por mbante shënime nëse viktimat ishin të rritur apo fëmijë. Njëzetenjë nga këta të dyshuar në vitin 2016 u hetuan për trafikim të fëmijëve dhe 48 për trafikim të të rriturve. Zyra e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndoqi penalisht 18 trafikantë të dyshuar, krahasuar me 15 në vitin 2015. Nëntë nga këta të dyshuar u ndoqën penalisht për trafikim të fëmijëve, krahasuar me dy të dyshuar në vitin 2015. Gjykatat dënuan 24 trafikantë, krahasuar me 11 në vitin 2015. Njëmbëdhjetë nga këta trafikantë u dënuan për trafikim të fëmijëve dhe 13 për trafikim të të rriturve. Të gjithë trafikantët e dënuar morën dënime me burg, të cilat varionin nga dy deri në 25 vite. Autoritetet vazhduan të ndiqnin penalisht disa trafikantë për krimin më të lehtë të shfrytëzimit të prostitucionit. Autoritetet raportuan konfuzion midis elementëve të mbivendosur të prostitucionit dhe trafikimit dhe, hera-herës, aplikuan akuzën më të lehtë sepse kërkonte më pak specializim dhe kohë ose për shkak të besimit të gabuar se krimet e trafikimit kërkonin një element ndërkombëtar. Trafikantët e akuzuar për shfrytëzim të prostitucionit mund të merrnin dënime më të lehta se ata të akuzuar për trafikim për qëllime seksi. Në vitin 2016, qeveria trajnoi 75 gjyqtarë dhe 20 oficierë policie për hetim dhe ndjekje penale të trafikantëve dhe për mbrojtjen e viktimave. Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale apo denim të punonjësve qeveritarë si bashkëfajtorë në kundravajtje trafikimi. U rritën përpjekjet për ligjzbatimin ndërkombëtar. Qeveria bashkëpunoi në dy hetime të përbashkëta me ligjzbatuesit italianë dhe spanjollë. Në vitin 2016, tetë shqiptarë u arrestuan në Holandë, Gjermani, Greqi dhe Itali për përfshirje të dyshuar në trafikim; tre nga këta të dyshuar u ekstraduan në Shqipëri. Shqipëria ekstradoi tetë trafikantë të dyshuar të huaj në Itali, Maqedoni dhe Moldavi. MBROJTJA Qeveria vazhdoi përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Qeveria dhe OJQ-të identifikuan 95 viktima të trafikimit dhe viktima të mundshme të trafikimit, krahasuar me 109 në vitin 2015. Nga këta, 55 ishin të rritur dhe 44 ishin fëmijë (61 të rritur dhe 48 fëmijë në vitin 2015), 11 ishin meshkuj dhe 84 ishin femra (22 viktima meshkuj dhe 87 viktima femra në vitin 2015), dhe tetë ishin të huaj (katër viktima të huaja në vitin 2015). Gjashtëdhjetë e dy u identifikuan si viktima të mundshme dhe 33 u identifikuan zyrtarisht si viktima, një status i akorduar pas një interviste të përbashkët kryer nga përfaqësues si ng ashërbimet e ligjzbatimit ashtu dhe nga ato të shërbimit social shtetëror. Ligji garantonte shërbime të barabarta për si për viktimat e mundshme ashtu edhe për viktimat e njohura zyrtarisht. Tri streha të specializuara administruar nga OJQ dhe një strehë e administruar nga shteti ofronin asistencë për viktima të trafikimit, përfshi ushqim, këshillim, asistencë ligjore, kujdes shëndetësor, shërbime shkollimi, shërbime punësimi, asistencë për fëmijët e viktimave, ndihmë financiare, strehim afatgjatë, veprimtari shoqërore, trajnim profesional, dhe ndjekje për pasintegrimin. Strehat e administruara nga OJQ-të mbështetën 75 viktima të trafikimit dhe viktima të mundshme ndërsa streha e administruar nga shteti mbësheti 30, 10 prej të cilave ishin nga viti 2015. Qeveria ofroi 21.7 milionë lekë ($169,231) për strehën e administruar nga shteti, më pak se sa 23,970,000 lekë ($186,900) në vitin 2015. Qeveria ofroi 15.3 milionë lekë ($119,093) për strehat e administruara nga OJQ-të për të mbështetur pagat për 24 anëtarë të personelit, çka shënon rritje nga fondi prej 10 milionë lekë ($77,972) për të mbështetur pagat për 12 anëtarë të personelit në vitin 2015. Për herë të parë, qeveria shtoi 4.7 milionë lekë ($36,647) për buxhetin nga asetet e konfiskuara kriminale për të financuar shërbime të riintegrimit dhe mbështetjes. Mbështetja me ushqime për strehat e drejtuara nga OJQ-të u ul në 1.8 milionë lekë ($14,035) nga 3 milionë lekë ($23,392) në vitin 2015. Strehat e drejtuara nga OJQ-të vazhduan të operonin në kushte të shtrënguara financiare dhe mbështeteshin në burime të jashtme për kostot operative. Mekanizmat financiare të përdorura për të financuar këto streha gjatë vitit mbetën të ndërlikuara dhe të prekshme nga manipulimet nga qeveritë vendore. Financimi i qeverisë për tre streha të drejtuara nga OJQ-të u vonua me dy muaj dhe një strehë nuk arriti të merrte ndonjëherë financimin për ushqime. Strehat e drejtuara nga OJQ-të lejuan viktimat e rritura të largoheshin nga strehat në mënyrë të vullnetshme, ndërsa streha e drejtuar nga shteti iu kërkonte viktimave të kërkonin miratim nga drejtuesi i strehës. Qeveria ofronte falas trajnim profesional, tekste për viktimat fëmijë, si dhe karta shëndeti që ofronin akses falas në kujdesin shëndetësor. Vetëm një strehë e drejtuar nga OJQ-të ofroi shërbime të specializuara për viktima fëmijë nën moshën 16 vjeç. Viktimave meshkuj iu ofroheshin apartamente me qera, ku merrnin ndihmë nga OJQ-të. Viktimat e huaja kishin akses në të njëjtat shërbime si viktimat vendase, përfshi ndihmën ligjore. Personat përgjegjës në vijën e parë ndiqnin një procedurë standarte pune për identifikimin dhe referimin e viktimave tek shërbimet; megjithatë, qeveria kishte çaktivizuar njësitë lëvizëse të identifikimit sepse donatorët e huaj nuk ofronin më mbështetje dhe qeverisë i mungonin fondet për të vazhduar me njësitë. OJQ-të raportuan se ligjzbatuesit burgosnin viktimat për akte të jashtëligjshme si rezultat i drejtpërdrejtë i nënshtrimit ndaj trafikimit njerëzor. Për shembull, një viktimë femër e trafikimit u dënua për prostitucion me 16 muaj burg, nga të cilat kreu nëntë muaj. Një tjetër viktimë u dënua me 18 muaj provë por e fitoi çështjen në apel. OJQ-të raportuan se policia shpesh e shoqëronte trafikimin me lëvizjen dhe nuk ishte në gjendje të identifikonte viktimat e rekrutuara dhe shfrytëzuara në të njëjtin rajon të vendit. Vëzhguesit raportuan raste kur rojet e kufirit dhe zyrtarë të migracionit nuk kryenin procedurat standarte të kontrollit. Qeveria, në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare, trajnoi 388 zyrtarë në 12 rajone për identifikim, referim dhe ndihmë për viktimat. Ligji iu siguronte viktimave të huaja një periudhë tremujore reflektimi me status të përkohshëm banimi dhe autorizim pune për deri dy vite, edhe pse qeveria ende nuk ia kishte akorduar këtë status ndonjë viktime. Viktimat mund të merrnin kompensim nga qeveria ose të ngrinin padi civile kundër trafikantëve; tre viktima aplikuan për kompensim por çështjet e tyre ishin pezull gjatë periudhës së raportimit. Vëzhguesit raportuan kërcënime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre gjatë seancave gjyqësore. Gjykatat lejonin dëshmitë me anë të viedokonferencave dhe viktimat që dëshmonn kundër trafikantëve kishin akses në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, por asnjë viktimë trafikimi nuk mori pjesë në program.
PARANDALIMI
Qeveria rriti përpjekjet për parandalimin e trafikimit. Qeveria rriti financimin për ZKKA në 5.7 milionë lekë ($44,444) nga 5.2 milionë lekë ($40,546) në vitin 2015. Qeveria miratoi një plan veprimi të rishikuar pas një vlerësimi nga ZKKA në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare. ZKKA vazhdoi të publikonte raporte të rregullta për veprimtarinë në faqen e internetit dhe mblidhte aktorët e përfshirë në mekanizmin kombëtar të referimit. Dymbëdhjetë komitete rajonale anti-trafikim (KRAT), përbërë nga zyrtarë vendor dhe OJQ, punuan për parandalim dhe ndihmë për viktimat. Kryeministri nxori një urdhër për të forcuar KRAT duke formalizuar raportimin, vendosur afate, dhe duke rritur përpjekjet për rritje ndërgjegjësimi. KRAT dhe koordinatorët kombëtarë anti-trafikim nga Mali i Zi dhe Kosova nënshkruan një deklaratë të përbashkët që siguronte aplikimin e një procedure standarde pune për mbrojtjen dhe riatdhesimin vullnetar të ndihmuar të viktimave. Qeveria sponsorizoi fushata ndërgjegjësimi mbi praktikat e shfrytëzimit për punë; një organizatë ndërkombëtare raportoi se vetëm 28 nga 47 agjenci punësimi operonin në mënyrë të ligjshme. ZKKA trajnoi mbi 1,000 punonjës të qeverisë, gjyqtarë, prokurorë dhe partnerë të shoqërisë civile mbi çështje të trafikimit. Qeveria nuk bëri përpjekje për të reduktuar kërkesën për shfrytëzimin e seksit për tregti. Qeveria ofroi udhëzime anti-trafikim për personelin e saj diplomatic dhe koordinatori kombëtar informoi diplomatët shqiptarë të vendosur në nëntë qytete mbi rregulloret lidhur me trafikimin njerëzor. PROFILI I TRAFIKIMIT Siç është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria është një vend burimi, tranaziti dhe destinacioni për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar. Femrat dhe fëmijët shqiptarë i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, sidomos gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rreme të tilla si oferta për martesë apo punësim për t’i detyruar viktimat të përfshihen në trafikimin seksual. Trafikantët përdorin gjithnjë e më shumë median sociale për rekrutim viktimash. Fëmijët shpesh detyrohen të lypin ose të kryejnë të tjera tipe pune të detyruar si shitje e artikujve të vegjël. Fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom, shfrytëzohen në Turqi për punë sezonale. Pati edhe raste fëmijësh që detyroheshin të punonin në fusha kanabisi në Shqipëri dhe disa trafikantë me gjasë janë të përfshirë në trafik droge. Viktimat shqiptare i nënshtrohen trafikimit seksual në vende kudo në Europë, sidomos Kosovë, Greqi, Itali dhe Mbretëria e Bashkuar. OJQ-të raportojnë rritje në numrin e fëmijëve shqiptarë që detyrohen të punojnë në Kosovë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat e huaja nga vende europiane, Filipinet, Nigeria iu nënshtruan trafikimit seksual dhe punës së detyruar në Shqipëri. Migrantët e parregulltnga Azia punësohen gjithnjë e më shumë si punëtorë shtëpie nga familje të pasura ku janë të prekshëm nga kushtet e skllavërisë në familje.
Migrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Afrika kalojnë tranzit në Shqipëri për të arritur në Europën Perëndimore dhe janë të prekshëm nga trafikimi.