Raporti i DASH për Shqipërinë/
Përfaqësues të shtetit amerikan vijnë në Tiranë për të asistuar masat kunër terrorizmit/
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi dje raportin për terrorizmin për vitin 2016, në të cilin vlerësohen përpjekjet dhe kontributin e Shqipërisë në luftimin e këtij fenomeni.
“Shqipëria ka qenë një mbështetëse e fuqishme e luftës kundër terrorizmit në vitin 2016 dhe vazhdoi pjesëmarrjen e saj në radhët e Koalicionit Global për mposhtjen e ISIS, duke bërë donacione të shumta armësh dhe municionesh”, thotë raporti.
Dokumenti zyrtar citon rastin e datave 4 dhe 5 nëntor të vitit të kaluar, kur një operacion i mirëkoordinuar në nivel rajonal, çoi në arrestimin e 4 individëve në Shqipëri.
“Operacioni parandaloi një sulm potencial terrorist që do të kryhej gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, e vlefshme për Kupën e Botës, që do të luhej në Shkodër më datë 12 nëntor”, vijon raporti.
Departamenti i Shtetit vlerëson edhe faktin se të arrestuarit u akuzuan për mbështetje financiare dhe logjistike të ISIS, për rekrutim të luftëtarëve dhe për promovim të fjalimeve të urrejtjes.
Gjithashtu, raporti vlerëson punën e agjencive ligjzbatuese shqiptare, legjislacionin dhe përpjekjet për të luftuar ekstremizmin në aspektin social.
Në këtë kuadër, përfaqësues të DASH, mbrritën sot në Tiranë, për të afruar asistencë kundër terrorizmit.
Po sot, ekipi amerikan i kryesuar nga z.William Maxwell u takua me kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako. Gjatë këtyre ditëve përfaqësuesit e DASH do të inspektojnë strukturat e posaçme të Policisë së Shtetit si: Antiterrori, RENEA, Policia Kufitare dhe Policia e Tiranës, për evidentimin e nevojave për trajnim, asistencë, logjistikë dhe zbatimin e tyre në një plan afatgjatë.
Ata vlerësuan Shqipërinë si një partnere me kontribute reale e të drejtpërdrejta në koalicionin antiterror. Gjithashtu u vlerësua bashkëpunimi me partnerët si në reformat strukturore, trajnime dhe mbështetje me logjistikë bashkëkohore, i cili i bën këto struktura garant për mbajtjen në nivele të ulta të kërcënimit terrorist në vend dhe partnerë të denjë për hetime e operacione rajonale e ndërkombëtare, duke i dhënë një dimension të ri këtij shërbimi. {Sh.K}.