• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REFUGJATËT E LINDJES SË MESME DHE SHQIPËRIA

March 15, 2016 by dgreca

Nga  Kristo Zharkalliu-Athine/

Para disa viteve, kur sapo kishte filluar kriza në vendet  e Lindjes së Mesme, sidomos në Libi, Egjipt dhe më vonë në Siri,kisha shkrojtur një artikull ku paralajmëroja krizën politike ekonomike në këto vende,rrezikun e islamizmit ekstrem dhe, kryesisht përgjegjësinë e madhe të vendeve  europjane dhe të Sh.B.A. që po nxisnin dhe përkrahnin forcat që predikonin demokracinë kundër diktatorëve Khadafi, Mubarak dhe Ashad. Dukej qartë se vendet demokratike perendimore nuk kishin nxjerrë mësimet e duhura nga pësimi në Afganistan dhe Irak,ku me ndërhyrjet e tyre kishin krijuar një kaos gjakderdhës në këto vende ku akoma nuk  dukej se si do të përfundonte . Thanë se kërkonin “demokratizimin” e këtyre vendeve dhe se ato forca që ishin ngritur kundër “diktatorëve” në fjalë (me ndihmën dhe nxitjen  e vendeve perendimore) kishin si synim që t’u jipnin popujve të tyre demokracinë dhe…mirëqënien. Por  forcat kryengritëse nuk e fshihnin se synimi i tyre ishte të mirrnin pushtetin dhe të vendosnin në vendet e tyre regjimin e islamizmit më të errët…Por dukej se fuqitë perendimore tjetër synim kishin. Naftën.

Nuk është folur aspak për planet që kishin ato vende perendimore që nxitën dhe ndërhynë ushtarakisht në Libi, Egjipt dhe Siri (Irakun dhe Afganistanin do t’i lëmë mënjanë por nuk mund të mos theksojmë se sa gabim ka qënë politika e vendeve demokratike edhe në këto vende: askush nuk di se kush drejton fatin e Irakut që pothuajse është copëtuar e përgjaket përditë,kurse në Afganistan u ndihmuan Talibanët gjoja kundër sovjetikëve,por  dihet se këta sapo lane hesapet me rusët me armët amerikane,i kthyen këto armë po kundër amerikanëve…këtu kemi të bëjmë me atë…ushqeje këlyshin që të të hajë kokën!). Pata fatin të njoh nga afër jetën në Libi dhe Egjipt kur në pushtet ishin Khadafi dhe Mubaraku. Libia ishte shndërruar në një kantjer i madh ndërtimi, madje për arsye se një shoqëri teknike greke ku punonte një i afërmi im (ishin të shumta shoqëritë greke që punonin në atë vend) e cila,me makineritë e saj të renda punonte për gjelbërimin e shkretëtirës,udhëtova disa ditë në këtë vend dhe jo se kisha pasur miqësi rinore me vetë diktatorin. Nuk ka asnjë dyshim se Khadafi ishte diktator i rreptë dhe qeveriste me dorë të hekurt,por nuk duhet harruar se ai çliroi vendin nga dinastia e degjeneruar e Idrizit dhe kishte mundur të bashkonte në një shtet të gjithë fiset e vendit që  më pare ishin të shpërndarë kudo duke pasur kanunet dhe ligjet fisnore; shtetëzoi burimet e mëdha të naftës që më pare i kishin në duart e tyre shoqëritë e huaja ,shkolloi popullin,ndërkohë që në të gjitha universitet e mëdha europjane dërgoheshin student libianë për t’u arsimuar dhe për të përfituar përvojën e duhur që të ktheheshin ne vendin e tyre si teknikë dhe intelektualë të zotë. Kujt i binte në qafë Khadafi? Askujt në se nuk do të marrim parasysh diktaturën e rreptë në vendin e vet dhe, sigurisht, se kontrollonte vetë burimet e naftës dhe nuk ja rrëmbenin të huajt si më pare. Për këtë duket se nuk e falën asnjëherë  “demokracitë” perëndimore. Dhe pas kësaj ç’po bëhet? Asnjeri nuk e di se kush po drejton fatet e atij vendit dhe, ndërsa më pare në Libi punonin dy milionë të huaj, sot me mijra libianë braktisin vendin e tyre, shumë here duke u mbytur pranë brigjeve të Italisë… Fatmirisht Egjipti nuk pati të njëjtin fat, falë gjeneralëve që janë edukuar me idetë e Mustafa Qemalit (Ataturku). Kur islamistët morën pushtetin (me ndihmën perendimore) askush nuk kishte parashikuar se këta do të vendosnin në vend regjimin e tmerrëshëm të islamistëve ekstremistë dhe se do të shndërronin Egjiptin në një Iran të ri. Veçse ushtarakët u prenë rrugën. Duke derdhur shumë gjak,por së fundi dua të besoj se vendi u shpëtua dhe nuk pësoi atë që pësoi Libia, Iraku dhe atë që pëson përditë Siria. Merreni me mënd sikur edhe Egjipti afro njëqind million, të mbushte detin  Egje me mijra varka refugjatësh për t’u shpëtuar ndjekjeve islamiste…

Do të thoni se të gjitha këto janë të njohura,por sa janë ata që guxojnë të thonë të vërtetën, sa janë ata që kuptojnë fatin tragjik të këtyre popujve falë gabimeve kriminale të disa qarqeve perendimore? Të gjithë shajnë dhe akuzojnë islamistët fanatikë, por nuk kanë kurajon të thonë se këta janë krijesa të një politike të verbër të fuqive të mëdha ushtarake dhe ekonomike të Europës dhe të Amerikës. Prandaj sot kjo botë-europjane-po përballohet me dukurinë tragjike të refugjatëve që braktisin vendet e tyre-kryesisht Sirinë dhe Irakun- dhe duket sikur ka humbur torruan. Sigurisht vendet më të afërta të këtyre vendeve,si Turqia, Greqia dhe Italia po shndërrohen në kampe të papërballueshme refugjatësh. Turqia,duke mos mundur të përballojë kalimin masiv të kufijve të saj,megjithse ky vend nuk mund të quhet se nuk ka vënë gisht në krizën e Sirisë dhe të Irakut dhe përderisa refugjatët duan të shkojnë në Europë,u a lehtëson-ose më mire nuk i pengon- të kalojnë me mijra përditë detin Egje dhe të arrijnë në ishujt greke. Nga ana tjetër europjanët,sidomos ato vende të ish kampit lindor, sikur duan t’u a hedhin fajin grekëve pse nuk i pengojnë, ose t’ i kthejnë prapa të mjerët që kërkojnë shpëtim. Madje ka nga ato qarqe fashiste dhe ultra të djathta që kërkojnë t’i mbysin bashkë me varkat në det! Vendet ballkanike- sidomos ato të ish Jugosllavisë- kanë mbyllur kufijtë duke ngritur mure e gardhe me tela me gjëmba, që të mos kalojnë emigrantët dhe refugjatët sirianë-irakianë dhe afganistanë që duan të shkojnë në Europë. Historia përsëritet!

Sot Greqia përballon një problem që nuk mund kurrsesi ta zgjidhë vetëm ajo.Deri tani Shqipëria nuk është prekur nga refugjatët dhe kjo se  ata nuk duan të qëndrojnë në këto vende por duan të shkojnë në Europë ku mund t’u sigurojë një jetesë më të mire. Greqia ka bërë ç’është e mundur, por rrethanat dhe kushtet se si jetojnë këta dhjetra mijra njerëz-shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë- janë të padurueshme, çnjerëzore. Askush nuk kishte parashikuar se do të vërshonin në këtë vend rreth një milion të mjerë nga brigjet e Turqisë. Dhe mundësitë e Greqisë-që kalon një krizë të thellë ekonomike-janë të kufizuara. Në këto kushte pra gazeta Kathimerini disa ditë rresht po përmend kufirin greko-shqiptar! Pikërisht këtu kujtojmë se edhe në vitin 1948 kur në Greqi bëhej lufta vëllavrasëse dhe ushtria “demokratike” e drejtuar nga komunistët po pësonte disfatë, “vëllezërit”jugosllavë mbyllën kufijtë që të mos hynin grekët që donin t’i shpëtonin “hakmarrjes” të ushtrisë kombëtare, e cila nuk kujtohet për butësi në atë kohë.Nga ana tjetër mbyllja e kufijve po e zgjaste luftën civile vllavrasëse në Greqi. Kujt i mbeti barra pra të hapte kufijt që të hynin në vend me mijra gra, fëmijë dhe sidomos të plagosur grekë që mbushën spitalet e pakta shqiptare të asaj kohe? Shqipërisë së varfër që sapo kishte dale nga lufta vetë. Këtu nuk do të flasim për regjime e diktatura, këtu bëhet fjalë për humanizëm. Dhe populli shqiptar atëhere u tregua bujar, megjithë varfërinë e tij. Me mijra grekë që kaluan kufirin të ndjekur nga kundërshtarët e tyre,gjetën strehim e ushqim si dhe kujdes mjekësor,paçka se po këta të ndjekur nga ushtria dhe të bllokuar nga Titoja,kur u bë lufta në Kosovë,të gjithë përkrahën me fanatizëm Milosheviçin duke harruar se dikur populli shqiptar kishte qënë shpëtimtari i tyre në çastet më kritike të jetës së tyre.

Këtu del pyetja pra: duhet apo jo që Shqipëria të pranojë refugjatë sirianë e irakianë për të lehtësuar sado pak barren nga shpina e dobët e Greqisë? Shqipëria ka një përvojë të mire në këtë drejtim. Fill pas mbarimit të dy luftrave, u detyrua të strehojë me mijra bashkëkombës që ishin dëbuar me force nga shovinistët fqinjët ballkanikë si veriorë ashtu dhe jugorë. Sigurisht është ndryshe kur kemi të bëjmë sakrifica për vëllezërit e një gjaku e kombi, por kjo nuk e ndryshon situatën: si bashkëkombësit ashtu dhe të huajt (grekët më 1949) kishin të njëjta nevoja për të jetuar. Populli shqiptar ndau me ta kafshatën e gojës. Por edhe me luftën e Kosovës afro një milon kosovarë kaluan kufirin të ndjekur nga bisha sërbomadhe, dhe gjetën strehim dhe ushqim në vatrat e vëllezërve të tyre në Shqipëri. Si rrjedhojë populli shqiptar e kupton hallexhiun, e kupton muhaxhirin, e ndien të çrrënjosurin nga vatrat e veta. Të mos harrojmë se pas shëmbjes së diktaturës pothuajse gjysma e popullsisë shqiptare kaloi në vendet e tjera, kryesisht në Greqi ku gjetën një cope bukë për vete dhe familjen  e tyre. Jo se shqiptarët i kanë borxh dikujt. Ata nuk lypën, nuk kërkuan lëmoshë por punë dhe me djersën e ballit-shumë here të shfrytëzuar- mundën të kapërxenin rrezikun e zisë së urisë që u kanosej. Akoma dhe sot qindar mijra shqiptarë punojnë dhe jetojnë në vende të tjera, ku në shumë raste dallohen, por edhe kanë bërë dhe prokopi.

Prandaj besoj se Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Europës duke ndihmuar refugjatët dhe emigrantët që po vërshojnë në brigjet e Greqisë dhe Italisë. Besoj se Shqipëria do të ketë mundësi të strehojë dhe sistemojë përkohësisht disa mijra prej tyre, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë të mitur. Sigurisht Europa  do të jape ndihmën e saj në këtë drejtim dhe Shqipëria edhe njëherë duhet të tregojë bujarinën dhe fisnikërinë që ne karakterizon duke sfiduar edhe njëherë qëndrimin jo njerëzor të vendeve sllave. Jam i bindur se qeveria shqiptare dhe kryesisht populli shqiptar do të tregojë edhe njëherë se nuk ndikohet nga idetë racisten fashiste por se është një popull përparimtar me ndienja humanitare, pa fanatizëm e pa frikë nga njerëzit e ndryshëm, si e ka treguar se mund të bashkëjetojë me të gjithan besimet fetare dhe me pakicat e ndryshme. Ka ardhur edhe njëherë koha që populli shqiptar të dallohet në botë,të bëhet shëbull njerëzor,të madhështisë së historisë së tij të lavdishme. Nuk duhet pra të humbasë këtë rast Shqipëria që t’i tregojë botës se  nuk “eksporton” vetëm emigrantë vëndas,por është gati të “importojë” duke u shtrirë dorën të mjerëve nga Lindja e Mesme.Në këtë mënyrë do të lehtësojë dhe barren e madhe nga  shpatullat e dobëta të Greqisë që,jo në të kaluarën e largët,priti dhe ndihmoi shqiptarët.

KRISTO ZHARKALLI,  8 MARS 2016.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Shqiperia, KRISTO ZHARKALLIU, REFUGJATËT E LINDJES SË MESME

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT