(Me rastin e 50vjetorit të vdekjes)/
NGA REMZI PERNASKA/
50 vjet më parë, më 20 korrik 1965 vdiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin e vogël bregdetar të Port Jefferson-it, Nuçi Kotta, njeri i ditur, jurist i së drejtës ndërkombëtare, politikan, sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i Komitetit Qendror të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit.
Nuçi Kota nuk njihet ndër ne sa dhe si e meriton. Edhe aq pak sa njihet, njihet më së forti si politikan, dhe thuajse aspak si njeri i ditur, studiues, pedagog, shkurt si intelektual. Kjo është arsyeja kryesore që në shkrimin e pranishëm i mëshohet më fort kësaj ane të dytë.
Lindi në Korçë më 21 dhjetor 1919 në një familje me tradita atdhetarie. I ati, Kostaqi (Koçoja).(1889-1949) i vuri djalit emrin e babait të vet Nuçi. Koçoja vetë, i diplomuar për shkenca politike në Athinë, ka qenë Kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në qeverinë e Ismail Qemalit, deputet i Korçës në Kongresin e Lushnjes ku u zgjodh sekretar i Kongresit, prefekt i Beratit (1921-1923), Ministër i Punëve Publike (1924), Ministër i Arsimit (1925), Kryetar i Parlamentit (1925-1928, 1930-1936), dy herë Kryeministër i Shqipërisë (1928-1930 , 1936-1939). Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, u dënua me burgim nga Gjyqi special në prill të vitit 1945 dhe u dërgua në Burgun e Burrelit, ku edhe vdiq nën torturë.
Marigo Poçi, tezja e Nuçit, qëndisi flamurin që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Nuçi u mëkua kësisoj me atdhetari dhe qytetari qysh fëmijë. Djalit që i lindi në vitin 1962 ia vuri emrin Gjergj në kujtim të Gjergj-Kastriotit Skënderbeut. Bashkëshortja, zonja Susan, dhe dy djemtë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, në Korçë, i vazhdoi në shkollat e mesme më në zë të Parisit, në Liceun Michelet (1933-1936), në të famshmin Lice Louis-le-Grand merr bakaloreatin e parë më 1938 dhe del i pari në frëngjisht, latinisht e gjermanisht; bakaloreatin e dytë më 1939. Studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin Drejtësisë të Universitetit të Parisit, fakultet ky i njohur si mjaft i vështirë për t’u ndjekur.
Më 1942 diplomohet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Sorbonës, ku edhe mbrojti një tezë në fushë të së drejtës ndërkombëtare me titull L’Albanie et la question des frontières albano-grecques «Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë», ku rrëzon rivendikimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut dhe ku del edhe fryma atdhetare që e udhëheq. Mbrojtja me sukses e kësaj teze i dha gradën Docteur ès lettres «Doktor letrash». Kjo doktoratë e hartuar në një frëngjishte të hajthme është përkthyer e botuar edhe në anglishte po aq të hajthme nga bashkëshortja e vet Susan Kotta. Megjithëse kjo doktoratë është botuar në frëngjisht dhe në anglisht, dhe megjithëse është me vlerë të veçantë për historinë e Shqipërisë, sidomos me shumë interes për historinë e marrëdhënieve me fqinjët tanë, veçanërisht për marrëdhëniet me Greqinë, me gjithë disa përçapje të mia për të nxitur përkthyes dhe botues, ajo ende nuk është përkthyer në shqip, ndaj edhe është e panjohur për lexuesit shqiptarë.
Mbrojtja me sukses e doktoratës për të drejtë ndërkombëtare «Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë», i dha mundësinë për të punuar në shkolla të mesme franceze dhe amerikane: si mësues i frëngjishtes dhe i historisë në shkollën private Ronsard-Montesquieu të Parisit (1945-1949), dhe në Hunter College të Nju-Jorkut (1960-1961), ashtu edhe në shkolla të larta: si i ngarkuar për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Shkollën Kombëtare të Gjuhëve të Gjalla Lindore (1947-1949) në Paris, si lektor i frëngjishtes (1961-1964) në Universitetin Kolumbia të Nju-Jorkut dhe si profesor i asociuar i frëngjishtes në Stony Brook University, Long Island të Njy-Jorkut (1964 e deri sa vdiq më 1965). Si mësimdhënës i talentuar dhe serioz, u shqua ndër kolegë si në Paris, ashtu edhe në Nju-Jork. Në një çertifikatë të lëshuar më 19 dhjetor 1958 nga administratori i Shkollës Kombëtare të Gjuhëve të Gjalla Lindore mund të lexohet : «Zotëri Kotta ka pas qenë ngarkuar gjatë viteve shkollore 1946-1948 dhe 1948-1949 me një kurs të lirë të gjuhës shqipe, të cilin e kreu me kompetencë të përsosur dhe ndërgjegje të denjë për të gjitha lavdërimet». Shqiptari që u mësonte frëngjishten francezëve dhe amerikanëve, e bënte edhe më mirë këtë për t’u mësuar francezëve dhe frankofonëve shqipen. Ai i donte ngjuhët, ndaj mësoi e fliste, veç shqipes, frëngjishten si francez i lindur, anglishten si gjuhë pune, latinishten, gjermanishten dhe italishten, si gjuhë kulture.
Intelektual i dorës së parë, Nuçi Kota ia doli me sukses të hartojë, më 1965, në Nju-Jork një doktoratë të dytë me titull L’homme aux quarante écus. A Study of Voltarian Themes (Njeriu me dyzet eku). Studim me temë volteriane, të cilën e botoi në Hagë më 1966. Volteri pat botuar në muajin shkurt të vitit 1768, novelën L’homme aux quarante écus, në një kohë kur kishte dalë libri i parë për ekonomi politike dhe kur ishin në modë trajtesat për financat dhe bujqësinë, sepse fiziokracia, teoria e parë e ekonomisë politike, shkollë e mendimit ekonomik e politik, sipas së cilës pasuritë e një vendi vijnë kryesisht nga bujqësia, ishte themeluar në Francë qysh më 1750. Dhe Volteri i merr në shenjë fiziokratët.
Në këtë libër, me parathënie nga George Havens-i, Nuçi heton çështjet që fshikullon Volteri në tregimin e vet filozofik e shoqëror, si korrupsioni dhe mosbarazia në pasuri dhe se njeriu mund të jetë I lumtur edhe me dyzet grosh pasuri. Cilësia e hetimit dhe qartësia e saktësia e parashtrimit e radhiti Nuçin me Volterologë të njohur. Cilësia e analizave të Nuçit është vënë në dukje nga shumë recensues të huaj, si, p.sh., recensioni i R. L. Frautschi-t botuar në The French Rewiew published by The American Association of Teachers of Fench, april, 1968, f. 738-739; i John Pappas-it botuar në Diderot Studies X, Genève, 1968, f. 328-335; i M. Fontius-it botuar në Deutsche Literarurzeitung, Academie verlag, Berlin, October, 1968, f. 888-890; i L. Thielemann, Comparative Literature, 1970, f. 362-364, si dhe recensione të tjera nëpër revista shkencore të specializuara.
Nuçi, njohës i veprës së Volterit, hartoi në anglisht një artikull tjetër për një shkrim politik të filozofit të madh francez me titull «Voltere’s Histoire du parlement de Paris», të cilin e botoi në revistën zëmadhe Studies on Voltaire and the eighteenth century, XLI, 1966, f. 219-230.
Ka qenë pjëmarrës aktiv në jetën e gjallë të shumë shoqatave dhe forumeve ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në Kongreset e Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve. Ka qenë gjithashtu anëtar i dy shoqatave të mëdha : International Bar Association, Patron, (1953-1965) dhe Modern Language Association, (1964-1965).
Dhe tani dy fjalë për karrierën e tij politike, për të cilën jepet informacion i gjerë në numrin e veçantë të gazetës Atdheu N° 5-6, tetor 1965, kushtuar vdekjes së themeluesit dhe botuesit të vet Nuçi Kottës. Ka qenë :
– Anëtar i Komitetit Kombëtar për Një Shqipëri të Lirë (National Committee for a free Albania. Executive Member), (1949-1954).
– Nënsekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve Europiane të Robëruara A.C.E.N. (Assembly of Captive European Nations, New-Jork, Deputy Secretary-general), (1955-1960).
– Sekretar i përgjithshëm dhe Kryetar i Komitetit Qendror i Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, (1962-1965).
Do të ishte me shumë interes që dikush nga diaspora shqiptare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të lidhej me Zonjën Susan Cort-Kotta, ose me njërin nga të bijtë, Gjergj (Georges) ose Thoma (Thomas) Kotta, për t’u marrë me dorëshkrimet që ka lënë Nuçi, sidomos me dorëshkrimet nga fusha e letërsisë se krahasuar, si ato për Anouilh-in, Michelet-in, Bodëlerin, Molierin dhe për disa filozofë, çka do të lejonte të portretizohej Nuçi edhe si kritik letrar dhe studiues i filozofisë, shkurt si intelektual i radhës së lartë, që i kalon caqet e Shqipërisë. Lidhja me zonjën Kotta do të lehtësonte invetarizimin e shkrimeve të tia të shumta të botuara, ndër të tjera, në organin A.C.E.N News të Asamblesë së Kombeve Europiane të Robëruara.
Dhe në mbyllje të këtij shkrimi, më 20 korrik 1965, në mëngjes, Nuçi pati një infarkt të rëndë në zemër dhe, megjithëse një ambulancë e shpuri urgjentisht në spital, Nuçi nuk u kthye më në shtëpi, duke lënë Gjergjin dy vjeç e gjysmë dhe gruan shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë. Dhe Nuçi prehet në varrezën familjare, në Long Island të Nju-Jorkut.