• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Virtyti i guximit intelektual të Arshi Pipës

July 20, 2017 by dgreca

Mithati Arshiu

Ne Foto:Fehime Pipa, Arshi Pipa, Mithat Gashi.Washington D.C. Qershor 1996./

Nga Mithat Gashi*/Në librin e tyne “Intellectual Virtues,” Roberts dhe Wood (2007), ndër të tjera, rreshtojnë disa virtyte cerebrale të inteligjencës njerëzore.  Ndër këto janë: 1) dashunia për ta ndjekë dijen; 2) guximi intelektual; 3) qëndrueshmënia ndaj bindjeve kur ke fakte dhe arsye edhe kur ato nuk janë popullore; 4) përultësia – mos me shkarravitë a me shkrue për me ra në sy, por se ke diçka thelbësore që don më e thanë; 5) autonomia – kur nuk pranon çdo lloj ideje pa e sitë mbarë e mirë.  I rendita këto virtyte, sepse ma kanë sjellë ndër mend karakterin e profesor Arshi Pipës.  Arshi Pipa e ka dashtë dhe ndjekë dijen. Ai kurrë nuk ka qenë i lëkundshëm në karakter dhe në mendime. Si rrallë kush, u ka qendrue besnik bindjeve të veta.  Si intelektual i përgjegjshëm, Pipa kurrë nuk ka shkrue për me u dukë, por ka dashtë me e publikue atë çka ai thellësisht, ka mendue  se asht thelbësore për t’u thanë.  Profesor Pipa ka qenë mendimtar i pavarun, në kuptimin e plotë të kësaj fjale; nuk ka pranue çdo lloj ideje pa e futë në sitën e vet të arsyes dhe llogjikës.

Në temën e sotme, unë do të përqendrohem tek virtyti i guximit intelektual të Profesor Arshi Pipës, dhe për të ilustrue guximin e tij intelektual, do të jap vetëm pak shembuj tue i bâ nji vështrim veprave të tij në: poezi, kritikë letrare, gjuhësi, analiza politike, si në publicistikë dhe veprimtari.

Roberts dhe Wood (2007) theksojnë se forma ma e dukshme e guximit intelektual asht rezistenca në mbajtjen e pikëpamjeve jopopullore.  Për të mbërri në konkluzionin e pikëpamjeve jopopullore, duhet të merren në konsideratë të gjitha faktet dhe anët e argumentit.

Kur Arshiu ishte i ri, ideologjitë marksiste kishin penetrue në rininë shqiptare, sidomos në Korçë dhe Shkodër. Pushtimin e Shqipnisë nga Italia komunistët e shfrytëzuen më rritë radhët e tyne.  Siç pohon edhe vetë Pipa, elementë të ndryshëm u munduen me e futë në radhët e komunistëve, por aj, tue përdorë synin kritik dhe intuitën, dijti të dallojë të keqen prej të mirës.  E pa qysh herët që komunizmi nuk asht sistem i mirë për njerëzimin. Dhe  për kët arsye nuk e pranoi atë idelogji.

Tash po jap disa ilustrime të shkurta të guximit intelektual të Pipës në fushat që përmenda ma parë:

Poezia e Pipës

Në “Libri i Burgut”,  jo vetëm që në kohën ma të vështirë Pipa merr guximin me i bâ kritikën e duhun sistemit komunist, por ai i len historisë së letërsisë shqipe nji testament mbi krimet e komunizmit.  Në parathanien e këtij libri, shkrue në vitin 1958, ai tregon se zgjodhi vargun, jo sepse vargu asht sintetik dhe zen vend ma pak, por donte të paraqiste jehonën e shpirtit tue kapë momentet e realitetit, ose siç shkruen ai vetë: “me ruejtë çasin, çasin vështrimplotë, herë mbas here, në mënyrë qi ndija e kohës, e asaj kohe, të mbetej e gjallë.”

Nji prej përshkrimeve të këtij realiteti asht “Kanali” që tregon vuejtjen e të burgosunve në Kampin e Vloçishtit.

Poeti shkruen:

Kanali

Nga Korça bumbullon. Currila shiu

rrjedhin prej mushamas mbi krena e shroje.

Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:

nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Kur rojeve u tekej me u zbavitun

Merrshin ndokên nga puna, zakonisht

Fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht

Lopate u hyjshin sa t’ishin mërzitun.

Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht

Qi e ngitte posi kalin tu’ e shetitun

Përgjatë kanalit, “hyja!” tue i britun…

E ja diftojshin puntoris me gisht:

 

“Sabotator i poshtër! klysh i Carit!

Sabotoni po deshët ju të tjerët!…”

Zgërdhiheshin, ngërdhesheshin. At’herë

 

dy-tre zuzarë ma t’lig, shokët e t’parit,

shtymjen i jepshin n’gjol qi nga skarpati,

dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.

Në “Kështjelli” ku përshkruen jetën e burgut në Gjirokastër, Pipa shkruen:

“Kush e mendonte se prej ktij kështjelli/do ta soditsha rishtas pamjen tande”.

“kur me prindin erdha/te shpija e etnëve.

E shumta u dogjën. Nuk i dogj i hueji, /Gregu, Italjani, por banori i tyne/Gjatë luftës qytetare…

26 vjet mbas shembjes së Murit të Berlinit, propaganda komuniste ende e glorifikon “Luftën Nacional Çlirimtare”. Pipa e ka shkrue në poezi qysh në vitin 1950, kur ishte në burg, se ajo ishte luftë qytetare, pra luftë civile.

Nëpër burgje, të burgosunve u banin edukim politik.  Mbi këte, Pipa shkruen,

“Na thonë se sot na miq i kemi Grekët, /se jemi lidhun kundër komunizmit/me ta për nji qellim!…

Dhe në pjesën tjetër të strofës, ban pyetjen:

“Shqiptarë, a i njifni? /Harruet Hormovën? Kristo Negovanin, /shërbëtorin e Zotit e t’atdheut/therun me thika?  Egzodin çam harruet?

Në pjesën përmbyllëse të kësaj strofe, Pipa deklaron:

Jo, nuk e due lirín qi m’falë anmiku!/Ma parë kalbem e vdes ndër kto bodrume/se me shpërblye kamatën e lirimit/me turpin e nji heshtjeje tradhtare!

Mund të gjejmë plot vargje të tjera ku shprehet guximi intelektual i Pipës në poezi.

Kritikë letrare

Arshi Pipa asht themeluesi i kritikës letrare shqiptare. Qysh në moshë të re, e pa se ndër letrat shqipe ekzistonte edhe boshllëku i kritikës letrare. Për këtë arsye, ai argumentoi se nuk duhet të çuditemi që nuk kemi kritikë shqipe, sepse “mungon materiali për t’u kritikue.” Në vitin 1944 nxori në botim revistën “Kritika” të cilën e drejtoi vetë.  Në numrin e parë të kësaj reviste, në faqen 27, Pipa shënon se revista ka për qellim me botue në pjesën e parë prodhime origjinale dhe përkthime dhe në pjesën e dytë, kritikë lerare.  Mbi kritikën letrare, Pipa shkruen: “N’art e ndër letra, në shkencë e në filosofi, e deri në fé, kritika asht baza e çdo ndërtimi të sigurtë. Kritika asht shêji i mendjes së pjekun. Derisa mendja nuk kthehet me rishikue atë çka ka bâ, tue e vlerësue, ajo asht ende fëminore. Ajo mund të prodhojë vepra madhështore, kur intuita e përpjek me burimin e jetës. (nxjerrë nga: https://gazetadielli.dreamhosters.com/shpirti-kritik/#sthash.hDRa0IJ5.dpuf). Pasionin e tij për kritikën letrare, Pipa e vazhdoi ma vonë në Amerikë me botimin e Trilogia Albanica (1978), Montale dhe Dante (1968), me shkrimet që botoi në revistën “Albanica” të cilën e drejtoi vetë, etj.

Gjuhësi

Në librin Politika e Gjuhës në Shqipninë Socialiste (1989), spikasin njohunitë e Pipës në lamën e gjuhësisë, të metodologjisë hulumtuese, dhe të analizave teknike në linguistikë. Pipa muer guximin me i bâ nji autopsi procesit të standardizimit të gjuhës shqipe.

Në studimin e tij gjuhësor, Pipa vê në dukje mungesat dhe të metat methodologjike të tri veprave: 1) Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973), 2) Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), dhe  3) Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980).

Me analiza statistikore, Pipa mbërrin në konkluzion se gjuha e ashtuquejtun e njësuar në Shqipni, asht nji toskënishte e standardizueme. Pipa thekson se asht përdorë modeli Stalinist në standardizmin e gjuhës, por ma  e keqja asht se tinëzisht janë marrë forma të gegnishtes me plotësue boshllëqet e toskënishtes.

Simbas Pipës, metodat e Kostallarit në përpilimin e Fjalorit janë ndikue nga Marri, nji gjuhëtar i Bashkimin Sovjetik, ku simbas teorisë së tij, gjuha ka natyrë klasore.   Kjo asht lehtësisht e vërtetueshme tashma edhe me shkrime të ndryshme në Shqipni si buletinet shkencore të kohës apo edhe në shkrime të tjera prej gardianëve gjuhësorë, tue e trumpetue si arritje të madhe të shkencës shqiptare në Shqipninë socialiste.

Pipa e pyet me ironi, Kostallarin, i cili shkruen se gjuha e njësuar asht edhe “gjuhë e spastruar”.

“E spastrueme nga çfarë?”

“Nga plehnat letrare. Nji shembull asht Fishta. Poeti-prift  që jetoi në nji periudhe që përfshihet mbrenda caqevet historike të leksikut të gjuhës së sotme shqipe. Megjithatê, leksiku i tij nuk gjen vend te Fjalori.” Dhe jep vetëm disa fjalë që ka përdorë Fishta, të cilat nuk janë përfshi në fjalorin e Kostallarit: “kryqali, shkinë, mec, shmrijak, grrec, letrac, dheske, leçitë.” Asnjena nga këto fjalë nuk gjindet te fjalori i Kostallarit. “E pra këto fjalë janë të popullit”, thotë Pipa. “Fishta nuk i ka krijue” (Koha e Jonë, f. 83).

“Tue shlye gjuhën e Fishtës, Pipa thekson se Kostallari ndëshkon popullin përveç se poetin” metodë të cilën e quen, “shembull tipik i ‘ideoshkencës’ kostallariane” (Koha e Jonë, f. 84)

Pasunimi i Fjalorit bahet për dobi të toskënishtes dhe me tjetërsimin (toskëzimin) e gegnishtes. Kriteri asht leverdia, dhe fenomeni ka emnin shfrytëzim. E pra “ideologjia proletare, marksiste-leniniste” e Tiranës lufton kapitalizmin për mort. Por kur asht puna me shitë “gjuhën e njësuar”, idelogjia “proletare” kopjon kallëpin kapitalist” (Koha e Jonë, f. 84)

Arsyen e gropës së vorrit që i asht bâ gegnishtes, Pipa udhëzon që ta kërkojmë te Politbyroja, dhe tue u bazue në nji statistikë të Peter Priftit mbi përbamjen e Politbyrosë nga 1948-1976, Pipa nxjerr se 84.8% kanë qenë toskë dhe 15.2% gegë.  Përpjestimin që nxjerr nga pikëpamja e redaktorëve të Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe asht 4 toskë dhe 1 gegë. Pra, Pipa konkludon se hegjemonia e klasës sunduese pasqyrohet në lamën e gjuhësisë.

Argumentit zyrtar që “gjuha e njësuar” bashkon popullin dhe forcon vetëdijen kombëtare, Pipa i përgjigjet me këto fjale, “E vërteta asht se gegë e toskë, kur ka qenë fjala për Shqipni dhe për gjuhë shqipe, kan qenë nji trup, së paku prej Lidhjes së Prizrenit e këndej, kur vetëdija kombëtare mori hov dhe filloi të kristalizohet. Të qenët toskë e gegë nuk e ka pengue bashkimin kombëtar ndër kohë, kur vetëdija kombëtare ishte shum ma pak e zhvillueme se sot” (Koha e Jone,  f. 87)

Me këto pak ilustrime, e vërehet guximi intelektual i Arshi Pipës në gjuhësi.

Analiza politike

Guximi intelektual i Arshi Pipës duket kthjelltas edhe në analizat politike që ai ka bâ.  Shkroi dhe botoi disa analiza politike, të cilat i ka përmbledhë në librin “Albanian Stalinism” qysh prej vitit 1958-1989. Nëpër këto shkrime Arshi Pipa, ndër të tjera, përqendrohet në dy tema kryesore; në shkeljet themelore që u bahen shqiptarëve të Kosovës, dhe shtjellimin e  dominimit të politikës shqiptare në Shqipni nga idelogjia staliniste.  Mendimet e tij në lidhje me këto tema janë të shum të qarta dhe të kthjellta.

Në fund të librit “Stalinizmi Shqiptar”, Pipa boton edhe këto vargje:

“Krushçevi ju foli hakun:

Atij vërën, ju kapakun!

Stalinuc i Shqipërisë,

Paç haram qumësht e sisë!

Paç mallkimin e një nëme:

Pizeveng, doç i satëme”.

Dhe në revistën Telos, në vitin 1989, botoi artikullin me titull “Glasnost in Albania” ku analizon situatën në Shqipni.

Si redaktor i gazetës “Dielli” botoi disa analiza të tjera politike. Artikulli që po përmend sod asht “Turqit e Rij të Shqipnisë së re” (“Dielli” vol. 83, nr. 10, maj-qershor 1992), ku autori, ban nji paralelizëm ndërmjet xhonturqve dhe ish-komunistëve në Shqipninë e mbas shembjes së Murit të Berlinit. Në kët artikull janë bâ shum parashikime dhe vlerësime. Për popullin  e Kosovës, Pipa shkruen, “Tue fillue me Lidhjen e Prizrenit (1878-81), historia shqiptare dëshmon se kosovarët kanë qenë lokomotiva e nacionalizmit shqiptar.”  Për votimet e 23 marsit 1992, Pipa i ban kritikën Partisë Demokratike dhe ndër të tjera thekson “18 parti dhe shoqata morën pjesë në zgjedhjet e dyta. Por mbasi shumica e tyne u regjistruen me vonesë (PD-ja nuk bani nji çap me shpejtue pranimin e tyne) ato nuk mundën me fitue katër-përqindshin e votavet të duhuna për me u përfaqsue në Parlamentin e ri.”

Po në kët artikull, Për Sali Berishen,  ndër të tjera, shkruen, “Asht e vërtetë se Berisha nuk asht nji tjetër Hoxhë. Por le e rritë në Shqipninë staliniste, ai ka thithë frymën e stalinizmit bashkë me sisën e s’amës. Inteligjent, trim, karizmatik, nuk mund t’i mohoet Berishës merita e krijimit të nji partie opozitare dhe të primjes së saj deri në fitore. Koha do ta tregojë a asht ai njeriu që i duhet Shqipnisë për me e nxjerrë nga humnera ku e plandosi stalinizmi.”Nga këto pak ilustrime, shohim që Pipa e kishte guximin intelektual me e thanë e me e shkrue ate çka mendonte në lidhje me zhvillimet politike në Shqipni e Kosovë.

Publicistikë dhe Veprimtari

Arshi Pipa ka mbajtë shum ligjerata ku i asht drejtue audiencës amerikane dhe shqiptare. Në ligjëratat e tij, nuk ngurroi me i bâ kritikën e duhun temës që trajtonte. Dha edhe nji seri intervistash në Zanin e Amerikës, dhe nji veprimtari për të cilën nuk asht folë fare, asht ideja dhe aktivizimi i tij me krijue nji parti politike shqiptare në New York në pranverë të vitit 1990. Ndër të pranishmit kanë qenë edhe disa antarë të Vatrës dhe të partive politike shqiptare në New York.  Unë nuk kam qenë prezent, por vallai im, Luani, ka marrë pjesë në këtë mbledhje.  Asht hedhë ideja edhe në vota, por, si duket, për arsye se nji pjesë e madhe e përfaqësuesve ishin antarë të partive politike si Bloku Indipendent, Legaliteti dhe Balli, nuk asht votue me shumicë që të formohet nji parti e re si front antikomunist. Prej kësaj, mund të konkludojmë se Pipa, në aktivitetet e tij, jo vetëmse kishte kurajo dhe guxim, por ishte edhe largpamës. Intuita e tij e ndiente se ishte çashtje kohe për Shqipninë me fillue procesi multipartiak dhe donte me qenë gati me u kthye në Shqipni me nji formacion politik.

Gjithashtu Arshi Pipa ka marrë pjesë në demonstrata kundra regjimit komunist të Shqipnisë që janë mbajtë në New York. Nuk e shihte të arsyeshme me kërkue të drejtat e shqiptarëve të Kosovës me flamurin shqiptar që kishte yllin komunist, pra stemën diktatoriale; prandaj, merrte pjesë në protestat që organizoheshin në New York dhe Washington nga grupet nacionaliste shqiptare. Në nji prej këtyne protestave në vitin 1990, kam bâ pjesë edhe unë para Shtëpisë së Bardhë në Washington, ku e kam takue Arshi Pipen për herë të dytë.

Në fund të vitit 1990, Federata Panshqiptare e Amerikës ‘Vatra’, ishte në rrezik me u marrë në dorë nga disa elementë të mërgatës që ishin të ndikuem nga regjimi komunist i Tiranës.  Kryesia e Vatrës dërgoi Dr. Gjon Buçajn dhe Z. Hajdar Tonuzi që t’i banin ftesë Arshi Pipës që të bahej kryetar i Vatrës.  Pipa e pranoi dhe shërbeu si kryetar i Vatrës dhe editor i “Diellit” për nji kohë të shkurtë, deri në vitin 1992.

Kur mbërrini në aeroportin e Tiranës, Arshi Pipa nuk ngurroi me shprehë mendimet e tij  të kthjellta e pa kompromis. Ai, thellesisht i shqetësuem prej krimeve te periudhes komuniste, tha se ata që kanë bâ këtë hukubet duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dënohen, dhe deklaroi se të gjith anëtarët e byrosë politike, sekretarët e rretheve, dhe kryetarët e degëve, duhet të arrestohen dhe të japin llogari për krimet që janë bâ në Shqipni. E di që edhe në Shqipninë e sotme, këto fjalë tingëllojnë të ashpra, por kjo ka të bâjë me rregullimin e marrëdhanieve reale të nji shoqnie, së pari në aspektin e përballjes morale me damet e shkaktueme prej asaj makinerie brutale. Në vendet e botës së zhvillueme shoqnia ballafaqohet me të vërtetat, edhe kur ato janë të hidhuna dhe u jep zgjidhje me kurajo. Athue a do të ishin vû ma së miri bazat e shëndosha të demokracisë shqiptare po të ishte ndjekë udhëzimi i Pipës? Pra, krimineli të ishte ballafaque me drejtësinë.

Për hir të vërtetës, edhe pse ende të pakët, disa  intelektualë, ndihen të shqetësuem për “harresën” e veprave të inteligjencës antikomuniste jashtë Shqipnisë, ku doemos përfshihet  profesor gjiganti i letrave shqipe, profesor Pipa. Ndër ta, Agron Tufa, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka vu në dukje se vepra e Prof. Pipës asht mënjanue nga studiuesit e klasës komuniste. Ai shprehet se: “…mendoj se ka nji faktor të natyrës politike dhe egoistike, që nuk asht i interesuar për njohjen dhe botimin e veprës së Pipës por i interesuar që Pipa të mbetet jasht kanalit të receptimit… establishment krejt i turpshëm që i ka drejtuar të gjitha punët në Shqipërinë socialiste dhe atë komuniste në vazhdim.”

Marr shkas prej kësaj deklarate, të nji studjuesi si Tufa, për të rikujtue edhe nji herë titullin e këtij shkrimi. Asht virtyti i guximit intelektual të Profesor Arshi Pipës, që e ka vendosë atê në anën e të vërtetave njerëzore, historike, shkencore, politike e letraro-artistike që, për fatin e keq të inteligjencës së spërkatun me ideologjinë komuniste, Pipa “asht kafshata që s’kapërdihet”.

Edhe pse dëshira ime asht të flas mâ e mâ për këte personalitet unik të kulturës, në respekt të hapsinës për të tjerët, detyrohem me e mbyllë tue ju falenderue përzemërsisht për pjesmarrjen dhe vëmendjen tuej.

* (Fjalim i mbajtun nga autori në New York me 27 korrik me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Arshi Pipës organizue nga Federata Panshqiptare e Amerikës, Vatra.)

Bibliografi

Pipa, A. (2004) Libri i Burgut.  Tiranë: Eurorilindja.

Pipa, A. (1990). Albanian Stalinism: Ideo-Political Aspects. New York: Distributed by Columbia University Press

Pipa, A. (1989). The Politics of Language in Socialist Albania. New York: Columbia University Press

Pipa, A. “Shpirti Kritik”. Nxjerre nga: https://gazetadielli.dreamhosters.com/shpirti-kritik/#sthash.hDRa0IJ5.dpuf

Pipa, A. “Mbi te ashtuquejtun ‘gjuhe e njesuar’” (Koha e Jone: numër i posaçëm me  rastin e 25 vjetorit të revistës, 1986, f. 79-93)

Pipa, A. “Turqit e rij te Shqipnise se re”. (“Dielli”, maj-qershor 1992,  vol. 83, nr. 10)

Roberts, R. C., & Wood, W. J. (2007). Intellectual Virtues: An Essay in Regulative Epistemology. Oxford: Clarendon Press.

Dokumentar televiziv – Nudret Kalakulla mbi arshi Pipen, intervista nga Agron Tufa.

Filed Under: Featured Tagged With: intelektual, Mithat Gashi, të Arshi Pipës, Virtyti i guximit

Profesor Ibrahim Gashi, shkencetar, intelektual dhe idealist i perkushtuar

May 9, 2017 by dgreca

1 Ibrahim Gashi2 Ibrahim Gashi

Me rastin e pesevjetorit te ndarjes nga jeta te profesorit te nderuar (23 gusht, 1935 – 9 maj, 2012)/

Sadik-Elshani

Nga Sadik ELSHANI/

Me 9 maj mbushen pese vite qe profesor Ibrahim Gashi u nda nga kjo bote. Me kete rast, e kujtojme, e nderojme jeten, vepren dhe punen me plot perkushtim te profesor Ibrahim Gashit, themeluesit dhe udheheqesit te Institutit te Integrimit te Kultures Shqiptare, mikut te shtrenjte e te paharruar te shoqates “Bijte e Shqipes’ ne Philadelphia. Kujtojme nje njeri te mire dhe atdhetar te flakte, fytyra e te cilit rrezatonte optimizem, dashuri, miresi e ngrohtesi njerezore, butesi e urtesi. Ishte si nje burre i urte i perrallave dhe rrefimeve shqiptare.

Lindi ne Kruje me 23 gusht te vitit 1935. Nen trysnine e padurueshme te regjimit te eger te Kralit te Serbise, familja me heret ishte shperngulur nga fshati Kotorr i Skenderajt (Kosove). Kur me 1941 Kosova u ribashkua me Shqiperine, familja e tij u kthye ne Kosove. Babai i tij, mesuesi i nderuar, Rrahim Gashi, punonte si mesues ne fshatrat e Drenices. Ibrahimi shkollen e mesme e mbaroi ne Mitrovice (1955). Vazhdoi Fakultetin e Shkencave te Natyres, dega matematike – astronomi, ne Universitetin e Beogradit (1955 – 1959). Para perfundimit te studimeve, UDB-ja e arreston dhe pak me vone, se bashku me familjen e tij i debon ne Shqiperi. (Ata atehere e kishin nenshtetesine shqiptare). Studimet i perfundon ne Universiteti e Tiranes. Per vite me radhe ka qene mesimdhenes i matematikes dhe astronomise ne shkollat e mesme te Rrethit te Krujes. Ne vitet 1984 – 1990 dha mesim ne Universitetin e Tiranes si Profesor i Jashtem. Eshte dekoruar me medaljen “Naim Frasheri”. Nga dhjetori i vitit 1992 deri ne shtator te vitit 1996, kur edhe u pensionua, punoi si Sekretar i Dyte ne Ambasaden e Shqiperise ne Slloveni. Jeta nuk matet me sa vite ka jetuar nje njeri, por me ate se çka ka bere ai gjate atyre viteve. Dhe profesori beri shume: Vetem pasi eshte pensionuar, ai ka botuar 13 libra, nga te cilat, 3 me permbajtje astronomike, 7 te tjera me tematike pak te rrahura ne Shqiperi, ne te cilat pasqyrohen njohuri mbi kalendaret dhe kronologjine si shkence, dhe 3 me tematike politiko – shoqerore. Profesor Gashi punoi gjate gjithe jetes se tij per çeshtjen shqiptare, çeshtjet madhore te kombit tone.

Ne vitin 2009 themeloi Institutin e Integrimit te Kultures Shqiptare. Vdekja e rrembeu kur ishte duke pergatitur, duke perfunduar redaktimin e librit, “Nje komb, nje shkolle, nje kulture” (Tirane, 2012). Ne kete liber mjaft te rendesishem per kulturen dhe arsimin tone kombetar, jane paraqitur punimet qe jane mbajtur ne Konferencen e Pare Mbarekombetare per Perparimin dhe Njesimin e Programeve e te Teksteve Mesimore ne te gjitha trevat shqiptare (Tirane, 17 – 18 shtator, 2011). Keto kumtesa jane mbajtur nga studiuese nga te gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Ndihemi krenar qe shoqata “Bijte e Shqipes” dha nje ndihme financiare per botimin e ketij libri, si dhe zoterinjte Llazar Vero e Sadik Elshani. Profesorit i kishim premtuar se kur do ta botonte librin, ne do t’i benim nje promovim dinjitoz ne shoqaten tone. Premtimin, fjalen e dhene  e mbajtem dhe me 3 mars te vitit 2013 e organizuam nje veprimtari madheshtore, por kuptohet, profesori nuk ishte me ne mesin tone. Vetem e ndienim pranine e tij, shpirtin e tij atdhetar.

Si nje intelektual atdhetar i shqetesuar per gjendjen e kombit tone te ndare ne 5-6 shtete, ai nuk mund te rrinte duarkryq, te bente sehir. Nuk priti qe dikush ta kryente kete detyre atdhetare, kete mision te shenjte kombetar, por vete iu pervesh punes, duke qene i vetedijshem per sfidat dhe problemet e shumta qe i kishte perpara ne kete rrugetim te gjate. Po te ishte kjo nje pune e lehte, me siguri dikush tjeter do ta kishte bere para profesor Ibrahimit. Puna qe ka bere profesor Ibrahim Gashi per integrimin e kultures shqiptare eshte nje ndermarrje, nje mision fisnik i nje njeriu fisnik, i nje atdhetari te vertete, i nje punetori te perkushtuar per çeshtjet madhore te koimbit tone. Profesor Ibrahim Gashi, si rralle ndonje qenie tjeter njerezore, ishte i begatuar me virtyte dhe vlera te larta njerezore: Burre i mençur, i urte, fisnik, guximtar, pedagog, intelektual, shkencetar, diplomat, bashkeshort dhe prind shembullor, atdhetar largpames i brumosur me dashurine e pakufishme per Shqiperine Etnike, gjuhen, kulturen dhe traditat e shkelqyera te kombit tone. Ky ishte profesor Ibrahim Gashi! Shkurt, ai ishte dhe gjithmone do te mbetet personifikim i miresise njerezore dhe misherim i shqiptarizmit – njeri qe me urtesine e tij, me sjelljet e tij teper njerezore, me mirekuptimin, tolerancen e tij, te bente menjehere per vete.

E patem fatin e mire qe ta kishim ate shpesh ne mesin tone dhe te diskutonim me pasion per çeshtjet kombetare, te kaluaren dhe te tanishmen e kombit tone, sfidat dhe problemet me te cilat ballafaqohen shqiptaret ne te gjitha trevat tona: Si t’i kalojme ato dhe ç’duhet te bejme ne. U gezohej sukseseve tona dhe kenaqej kur i shihte femijet qe po mesonin gjuhen shqipe ne shkollen e shoqates sone. Dhe ne mezi qe prisnim ta takonim heren tjeter. Ne maj te vitit 2010 ne mjediset e shoqates sone, “Bijte e Shqipes”, organizuam nje takim te bukur, nje mbremje te paharrueshme me profesor Ibrahim Gashin dhe familjen e tij te mrekullueshme. Ne kete takim u njohem edhe me veprimtarine e begatshme botuese te profesorit, veprimtarine dhe planet e institutit qe ai drejtonte.

Ishte idealist me ideale te pastra e te larta kombetare. Si dikur Rilindesit tane mendjendritur, edhe ai e ndjeu te nevojshme te bente diçka, iu pergjigj nje zeri te larte te dale nga historia, nga kujtesa jone kombetare: “Te bejme diçka per Shqiperione, per kombin tone”. Profesori me energjite e tij krijuese, me forcen e intelektit te tij, me kembenguljen e matemacientit dhe me vizionin e astronomit, iu pergjigj kesaj thirrje – e themeloi dhe e drejtoi Institutin e Integrimit te Kultures Shqiptare. Misioni i ketij institute ishte integrimi i kultures shqiptare, njesimi i teksteve, planprogrameve shkollore dhe terminologjise shkencore ne te gjitha trevat shqiptare. Pra, nje komb, nje shkolle, nje kulture –  ky ishte koncepti atdhetari profesor Gashit. Ishte ky nje hap i mbare ne rrugetimin tone te gjate, por te pandalshem per bashkimin kombetar. Sot veprimtaria e ketij institute eshte shtrire ne te gjitha trevat shqiptare dhe ne diaspore. Thirrjen e profesor Ali Hadrit: “Nje komb, nje gjuhe letrare kombetare”, profesor Ibrahim Gashi me punen e tij te perkushtuar e ka ngritur ne nje nivel edhe me te larte, duke i dhene kuptimin me te plote: “Nje komb, nje gjuhe letrare kombetare, nje shkolle, nje kulture kombetare dhe nje shtet shqiptar per te gjithe shqiptaret”. Le te jene keto jo vetem endrrat, por edhe perpjekjet, synimet, perkushtimet e çdo shqiptari. Ne pamundesi per ta bere bashkimin fizik, bashkimin politik, shqiptaret kudo qe jetojne jane perpjekur me shekuj te tere per bashkimin kulturor, shpirteror. Pa nje bashkim shpirteror, nuk mund te kete as bashkim fizik.

Ne keto çaste kur po e perkujtojme jeten dhe vepren e profesorit te nderuar, te reflektojme e te pyesim veten: “Ç’mund te bejme per Shqiperine, kombin tone? T’i pervishemi punes, sepse ende kemi shume per te bere. Te ndjekim shembullin e profesor Ibrahim Gashit! E ndiejme veten krenare e te lumtur qe nje njeri i tille ka qene nje dhurate ne jeten tone, ka qene dhe do te mbetet pjese e jetes sone.

I paharrueshem qofte kujtimi i Tij!

Philadelphia, 8 maj, 2017

  • Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Histori Tagged With: dhe idealist, i perkushtuar, intelektual, Profesor Ibrahim Gashi, shkencetar

Nuçi Kotta, intelektual i dorës së parë

July 16, 2015 by dgreca

(Me rastin e 50vjetorit të vdekjes)/
NGA REMZI PERNASKA/
50 vjet më parë, më 20 korrik 1965 vdiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin e vogël bregdetar të Port Jefferson-it, Nuçi Kotta, njeri i ditur, jurist i së drejtës ndërkombëtare, politikan, sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i Komitetit Qendror të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit.
Nuçi Kota nuk njihet ndër ne sa dhe si e meriton. Edhe aq pak sa njihet, njihet më së forti si politikan, dhe thuajse aspak si njeri i ditur, studiues, pedagog, shkurt si intelektual. Kjo është arsyeja kryesore që në shkrimin e pranishëm i mëshohet më fort kësaj ane të dytë.
Lindi në Korçë më 21 dhjetor 1919 në një familje me tradita atdhetarie. I ati, Kostaqi (Koçoja).(1889-1949) i vuri djalit emrin e babait të vet Nuçi. Koçoja vetë, i diplomuar për shkenca politike në Athinë, ka qenë Kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në qeverinë e Ismail Qemalit, deputet i Korçës në Kongresin e Lushnjes ku u zgjodh sekretar i Kongresit, prefekt i Beratit (1921-1923), Ministër i Punëve Publike (1924), Ministër i Arsimit (1925), Kryetar i Parlamentit (1925-1928, 1930-1936), dy herë Kryeministër i Shqipërisë (1928-1930 , 1936-1939). Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, u dënua me burgim nga Gjyqi special në prill të vitit 1945 dhe u dërgua në Burgun e Burrelit, ku edhe vdiq nën torturë.
Marigo Poçi, tezja e Nuçit, qëndisi flamurin që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Nuçi u mëkua kësisoj me atdhetari dhe qytetari qysh fëmijë. Djalit që i lindi në vitin 1962 ia vuri emrin Gjergj në kujtim të Gjergj-Kastriotit Skënderbeut. Bashkëshortja, zonja Susan, dhe dy djemtë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, në Korçë, i vazhdoi në shkollat e mesme më në zë të Parisit, në Liceun Michelet (1933-1936), në të famshmin Lice Louis-le-Grand merr bakaloreatin e parë më 1938 dhe del i pari në frëngjisht, latinisht e gjermanisht; bakaloreatin e dytë më 1939. Studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin Drejtësisë të Universitetit të Parisit, fakultet ky i njohur si mjaft i vështirë për t’u ndjekur.
Më 1942 diplomohet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Sorbonës, ku edhe mbrojti një tezë në fushë të së drejtës ndërkombëtare me titull L’Albanie et la question des frontières albano-grecques «Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë», ku rrëzon rivendikimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut dhe ku del edhe fryma atdhetare që e udhëheq. Mbrojtja me sukses e kësaj teze i dha gradën Docteur ès lettres «Doktor letrash». Kjo doktoratë e hartuar në një frëngjishte të hajthme është përkthyer e botuar edhe në anglishte po aq të hajthme nga bashkëshortja e vet Susan Kotta. Megjithëse kjo doktoratë është botuar në frëngjisht dhe në anglisht, dhe megjithëse është me vlerë të veçantë për historinë e Shqipërisë, sidomos me shumë interes për historinë e marrëdhënieve me fqinjët tanë, veçanërisht për marrëdhëniet me Greqinë, me gjithë disa përçapje të mia për të nxitur përkthyes dhe botues, ajo ende nuk është përkthyer në shqip, ndaj edhe është e panjohur për lexuesit shqiptarë.
Mbrojtja me sukses e doktoratës për të drejtë ndërkombëtare «Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë», i dha mundësinë për të punuar në shkolla të mesme franceze dhe amerikane: si mësues i frëngjishtes dhe i historisë në shkollën private Ronsard-Montesquieu të Parisit (1945-1949), dhe në Hunter College të Nju-Jorkut (1960-1961), ashtu edhe në shkolla të larta: si i ngarkuar për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Shkollën Kombëtare të Gjuhëve të Gjalla Lindore (1947-1949) në Paris, si lektor i frëngjishtes (1961-1964) në Universitetin Kolumbia të Nju-Jorkut dhe si profesor i asociuar i frëngjishtes në Stony Brook University, Long Island të Njy-Jorkut (1964 e deri sa vdiq më 1965). Si mësimdhënës i talentuar dhe serioz, u shqua ndër kolegë si në Paris, ashtu edhe në Nju-Jork. Në një çertifikatë të lëshuar më 19 dhjetor 1958 nga administratori i Shkollës Kombëtare të Gjuhëve të Gjalla Lindore mund të lexohet : «Zotëri Kotta ka pas qenë ngarkuar gjatë viteve shkollore 1946-1948 dhe 1948-1949 me një kurs të lirë të gjuhës shqipe, të cilin e kreu me kompetencë të përsosur dhe ndërgjegje të denjë për të gjitha lavdërimet». Shqiptari që u mësonte frëngjishten francezëve dhe amerikanëve, e bënte edhe më mirë këtë për t’u mësuar francezëve dhe frankofonëve shqipen. Ai i donte ngjuhët, ndaj mësoi e fliste, veç shqipes, frëngjishten si francez i lindur, anglishten si gjuhë pune, latinishten, gjermanishten dhe italishten, si gjuhë kulture.
Intelektual i dorës së parë, Nuçi Kota ia doli me sukses të hartojë, më 1965, në Nju-Jork një doktoratë të dytë me titull L’homme aux quarante écus. A Study of Voltarian Themes (Njeriu me dyzet eku). Studim me temë volteriane, të cilën e botoi në Hagë më 1966. Volteri pat botuar në muajin shkurt të vitit 1768, novelën L’homme aux quarante écus, në një kohë kur kishte dalë libri i parë për ekonomi politike dhe kur ishin në modë trajtesat për financat dhe bujqësinë, sepse fiziokracia, teoria e parë e ekonomisë politike, shkollë e mendimit ekonomik e politik, sipas së cilës pasuritë e një vendi vijnë kryesisht nga bujqësia, ishte themeluar në Francë qysh më 1750. Dhe Volteri i merr në shenjë fiziokratët.
Në këtë libër, me parathënie nga George Havens-i, Nuçi heton çështjet që fshikullon Volteri në tregimin e vet filozofik e shoqëror, si korrupsioni dhe mosbarazia në pasuri dhe se njeriu mund të jetë I lumtur edhe me dyzet grosh pasuri. Cilësia e hetimit dhe qartësia e saktësia e parashtrimit e radhiti Nuçin me Volterologë të njohur. Cilësia e analizave të Nuçit është vënë në dukje nga shumë recensues të huaj, si, p.sh., recensioni i R. L. Frautschi-t botuar në The French Rewiew published by The American Association of Teachers of Fench, april, 1968, f. 738-739; i John Pappas-it botuar në Diderot Studies X, Genève, 1968, f. 328-335; i M. Fontius-it botuar në Deutsche Literarurzeitung, Academie verlag, Berlin, October, 1968, f. 888-890; i L. Thielemann, Comparative Literature, 1970, f. 362-364, si dhe recensione të tjera nëpër revista shkencore të specializuara.
Nuçi, njohës i veprës së Volterit, hartoi në anglisht një artikull tjetër për një shkrim politik të filozofit të madh francez me titull «Voltere’s Histoire du parlement de Paris», të cilin e botoi në revistën zëmadhe Studies on Voltaire and the eighteenth century, XLI, 1966, f. 219-230.
Ka qenë pjëmarrës aktiv në jetën e gjallë të shumë shoqatave dhe forumeve ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në Kongreset e Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve. Ka qenë gjithashtu anëtar i dy shoqatave të mëdha : International Bar Association, Patron, (1953-1965) dhe Modern Language Association, (1964-1965).
Dhe tani dy fjalë për karrierën e tij politike, për të cilën jepet informacion i gjerë në numrin e veçantë të gazetës Atdheu N° 5-6, tetor 1965, kushtuar vdekjes së themeluesit dhe botuesit të vet Nuçi Kottës. Ka qenë :
– Anëtar i Komitetit Kombëtar për Një Shqipëri të Lirë (National Committee for a free Albania. Executive Member), (1949-1954).
– Nënsekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve Europiane të Robëruara A.C.E.N. (Assembly of Captive European Nations, New-Jork, Deputy Secretary-general), (1955-1960).
– Sekretar i përgjithshëm dhe Kryetar i Komitetit Qendror i Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, (1962-1965).
Do të ishte me shumë interes që dikush nga diaspora shqiptare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të lidhej me Zonjën Susan Cort-Kotta, ose me njërin nga të bijtë, Gjergj (Georges) ose Thoma (Thomas) Kotta, për t’u marrë me dorëshkrimet që ka lënë Nuçi, sidomos me dorëshkrimet nga fusha e letërsisë se krahasuar, si ato për Anouilh-in, Michelet-in, Bodëlerin, Molierin dhe për disa filozofë, çka do të lejonte të portretizohej Nuçi edhe si kritik letrar dhe studiues i filozofisë, shkurt si intelektual i radhës së lartë, që i kalon caqet e Shqipërisë. Lidhja me zonjën Kotta do të lehtësonte invetarizimin e shkrimeve të tia të shumta të botuara, ndër të tjera, në organin A.C.E.N News të Asamblesë së Kombeve Europiane të Robëruara.
Dhe në mbyllje të këtij shkrimi, më 20 korrik 1965, në mëngjes, Nuçi pati një infarkt të rëndë në zemër dhe, megjithëse një ambulancë e shpuri urgjentisht në spital, Nuçi nuk u kthye më në shtëpi, duke lënë Gjergjin dy vjeç e gjysmë dhe gruan shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë. Dhe Nuçi prehet në varrezën familjare, në Long Island të Nju-Jorkut.

Filed Under: Histori Tagged With: i dorës së parë, intelektual, Nuçi Kotta, Remzi Pernaska

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT