Nga Gezim ZILJA/
Kush të ket’ nji fyshek’ me m’dhanë
I ap tokën anembanë!
I ap tok’ i ap shpi
I fal bjeshk’ i fal vërri!
RËNIA E LIDHJES SË PRIZRENIT
BETEJA E SHTIMLJES DHE E SLILOVËS
Dimër 1880 – Vjeshtë 1881
Menjëherë pas dorëzimit të Ulqinit më 26 dhjetor 1880, Dervish Pasha iu turr egërsisht degës së “Lidhjes” në Shkodër, duke arritur ta shpërndante dhe të vendoste administratën turke kudo. Arrestohen pabesisht dhe internohen ne Anadoll, Hodo Sokoli e Preng Bib Doda. Daut Boriçi internohet në Stamboll. Në fund të dhjetorit Dervish Pasha, i kërkon Portës së Lartë 40 batalione për shtypjen përfundimtare të “Lidhjes Shqiptare” në të gjitha trojet shqiptare veçanërisht në Veriun e Shqipërisë. Gjysmën e këtyre batalioneve do ta mbante në Shkodër dhe gjysmën në Shkup. Të ndodhur në këtë situatë në Kosovë filluan veprimet e armatosura fillimisht nga banorët e Prizrenit, të cilët dëbuan administratën turke. Njëkohësisht ajo u dëbua nga, Gjakova, Luma, Gucia, Kumanova e Tetova. Në fund të dhjetorit u riorganizua “Komiteti Kombëtar i Lidhjes” ku mbeti shumica e anëtarëve të mëparshëm, që ishin dhe themeluesit e “Lidhjes”si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra, etj.
Dhjetë ditshin e dytë të janarit 1881, u mblodh “Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes” ku kërkohej një shtet autonom shqiptar. Nëse nuk do të njihej nga Stambolli, do të vazhdonte kryengritjen e armatosur. Komiteti Kombëtar shpalli Qeverinë e Përkohëshme me kryetar Ymer Prizrenin e nënkryetar Shuaip Spahiun me dhjetë anëtarë, midis të cilëve Abdyl Frashëri i ngarkuar me punët e jashtme dhe Sylejman Vokshi i ngarkuar me punët ushtarake. Në janar 1881 kryengritësit e “Lidhjes” shtinë në dorë Shkupin, e më vonë Prishtinën e Mitrovicën. Në fund të shkurtit Qeveria e Përkohëshme u shtri në Pejë, Tetovë, Vuçiternë, Tetovë, Gostivar e Dibër dhe vendosi pushtetin e saj në pesë sanxhakët e Kosovës, Prizrenit, Pejës, Shkupit e Prishtinës. Ajo synonte ta shtrinte kryengritjen në vilajetin e Shkodrës, të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Në një letër që Sami Frashëri i dërgonte më 20 shkurt 1881 Jeronim De Radës midis të tjerash theksonte: “Lidhja shqiptare e Prizrenit mori emrin e Kuvernës së Përdorme (Qeverisë së Përkohshme) dhe përzuri kuvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës edhe nga Prizreni, nga Gjakova, Dibra, Tetova e 10.000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Shkupnë dhe udhën e hekurt. 10.000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një ngritje (kryengritje) të madhe në Shqipëri… Në u bëftë Shqipëria më vete nuk do të kemi nevojë për princër, as të krishterë e as muhamendanë, që të na rrjepnë e të na pijnë gjaknë. …”
Konsulli austro-hungarez nga Shkodra shkruante: “Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga “Lidhja.” Gjyqtar është një qytetar i Prizrenit. Taksat që nxirren nga popullsia derdhen në llogari të “Lidhjes”; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht. “Lidhja” ka kujdes mbajtjen e rendit në qytet dhe në fshat. Sigurimi publik tani është shumë më në rregull seç ishte në kohën e administartës turke…”
Shtatë gjeneralë nën komandën e Dervish Pashës me 15 batalione, me 15.000 ushtarë të armatosur rëndë dhe të paisur me artileri të fuqishme (veç 15.000 që ndodheshin në Shqipëri) u ngarkuan të shtypnin autonomistët shqiptarë.
Dervish Pasha i’ faqezi,
Kenka nis për Rumeli,
Prej Stambollit me vaporre,
Me ushtri, me shtatë taborre.
Ushtria e Dervish pashës, zbarkoi në Selanik dhe prej këndej u nis për në Shkodër e Kosovë. Tre vargjet e mëposhtëme japin zbarkimin e ushtarëve turq dhe paralajmërojnë mënxyrën, që ata do të sillnin:
Shumë asqer po qet’ pamporri
Tan po i qet’ ma zi se korbi,
Si me qen asqer moskovit.
Menjëherë Dervish Pasha drejtohet kundër krerëve të kryengritjes, duke shprehur qartë porosinë e Portës së Lartë:
Dervish Pasha prej Stamolli:
Ku i ka çadrat Mic Sokoli?
Ku i ka çadrat, ku i ka t’part?
M’ka çu mreti me ia çart…
Dhe më tej sqaron arsyet e shtypjes së kryengritjes:
Shah’ ndër veti do me kanë ,
kurrgja mretit mos me i dhanë,
As redif’ e as nizamë.
Tashmë shqiptarët kanë tre vjet, që bëjnë luftë, në Gjakovë, Tivar, Ulqin, Plavë e Guci, Hotë e Grudë, duke kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha dhe të Turqisë për copëtimin e trojeve të tyre. Këtë herë lufa do të jetë edhe më e përgjakshme. Një grusht njerëzish janë ngritur në luftë kundër shtatë Fuqive të Mëdha dhe vetë Perandorisë. Në “Historinë e Ballkanit” me autor Misha Glenny, botim i vitit 2.000 thuhet: “… Kështu shqiptarët qenë të vetmit që arritën të revizionojnë Traktatin e Berlinit me forcën e armëve…” (faqe 154)
Nuk është tashmë vetëm Mali i Zi, armiku i shqiptarëve, por vetë Perandoria. Përfundimisht shqiptarët nuk kanë mëdyshjen më të vogël se varri i tyre do të jetë Turqia, nëse nuk shpëtojnë nga zgjedha e saj:
Mic Sokoli po bërtet,
Ali Ibrën po thërret:
Merr bajraqet hajde shpejt,
Na rrethoi asqeri mret (sulltani)!
E. F. Knigh do të shkruante gjatë udhëtimit për në Malësi: “ …Në Koplik e lamë pas rrugën anës liqenit dhe u kthyem djathtas, drejt vargmalit të zhveshur e kryelartë. Pikërisht këto ishin malet që turqit në Helm, ua kishin shumë frikën, sepse thoshnin, që këtej banonin fiset më të çartura e më krenare të arnautëve, që u binin pa dallim si turqve ashtu edhe malazezëve… (Faqe 173)
Dervish Pasha, arrestoi pabesisht (i thirri për bisedime) 11 anëtarë të “Lidhjes” për Shkupin, me në krye Jashar bej Shkupin dhe pasi i shëtitën në qytet të lidhur me pranga, i dërguan në burgun e Selanikut. Shkupi ra pa rezistencë edhe për arsyen se “Lidhja” nuk bëri zëvendësimin e administratës turke me shqiptarë. Dervish Pasha, vendosi përkohësisht shtabin në Shkup. Lidhja shqiptare lëshoi kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët. U formua Shtabi i Mbrojtjes me Sulejman Vokshin komandant e anëtarë: Ali Ibrën, Mic Sokolin, Binak Alinë, Sef Kosharen, Halim Efendiun, Zeqirja Agën, Mullah Hysenin, Mustafa Agën, Halil Efendiun. Fillimisht u mblodhën 5 mijë luftëtarë tashmë të rregjur në luftime me malazestë dhe turqit. Këtë herë lufta do të ketë qëllim shkëputjen nga Turqia dhe do të jetë pa kthim prapa. Në ballë janë prijësit e “Lidhjes”. Ja si vijnë vargjet e Mic Sokolit dhe betimi solemn para nënës së vet:
Mic Sokoli nji fjal po flet,
Po i thotë nanës: tu mir’ meç’,
Pa u farue Malsia krejt,
Ktu nuk hyn as kral as mbret!
Më tej përshkruhet organizimi i shqiptarëve nën udhëheqjen e prijësve të tyre:
Ymer Prizreni trim shqiptar,
Sylejmani ni komandar,
I tubuen tre mi luftarë,
Tan’ malsorë në plisa t’bardhë.
Sylejmani matke fjalë:
Ngoni vllazën shqiptarë,
Do t’i dalim turkut përballë!
Është interesante biseda e një vullnetari, që pyet plot sinqeritet “Efendiun”se çfarë do të bëhet, a do të luftojnë me pushkë kundër turkut e mretit (Sulltanit)?
Efeni na ç’ka me ba?
A ban turkut n’pushk me i ra?
Përgjigjen ia jep vetë hoxha, që ndodhet aty e që përfaqëson sigurisht një nga njerëzit me autoritet të krahinës. Del edhe një herë në dritë thënia monumentale e Pashko Vasës: “ Feja e shqiptarit është shqiptarija” në një motërzim pak të ndryshuar, por në thelb i njëjti. Hoxha i përgjigjet, se kush vret jo vetëm një ushtar turk por vetë Sulltanin (mretin) shkon në parajsë (Xhenet).
Myderrizi kish pas thanë:
Kur është fjala për vatanë,
Jo veç turkut e ati tjetrit,
Po ni plum’ kush ia nep mretit,
ka me shku n’lula t’xhenetit!
S’njohim pash-o, kral as mret,
Venin ton’ e sunojmë vet!
Më 15 prill 1881 “Lidhja” i dërgoi një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku shprehte vendimin për të mbrojtur me armë të drejtat kombëtare. Më 20 prill ushtritë turke të ndara në dy kolona filluan sulmin mbi forcat kryengritëse në Slilovë dhe Shtimlje.
Forcat kryesore ushtarake vullnetare të shqiptarëve nën komandën e Mic Sokolit nga Krasniqja dhe Ali Ibrës nga Gashi, u mblodhën në afërsi të qytetit Shtimlje, ndërsa pjesa tjetër nën komandën e Sulejman Vokshit u grumbulluan në grykën e Cernalevës, pranë fshatit Slilovë. Qëllimi ishte të mos lejohej Dervish pasha të marshonte për në Prizren. Më 21 prill 1881 u bë beteja midis të dy ushtrive në Shtimlje midis Ferizajt dhe Prizrenit. Rreth 3.000 shqiptarë të armatosur me pushkë me çark u matën me disa batalione turke, trefish më të mëdha në numër, të armatosura mirë dhe të pajisura me dy bateri malore Beteja zgjati mbi pesë orë. Fatin e betejes e vendosi artileria. U vranë 1800 ushtarë turq dhe 800 vullnetarë shqiptarë.
Pas betejës në Shtimlje shqiptarët zunë vend në fshatin Slilovë, të vendosur që Dervish Pashës t’i jepnin një betejë të dytë. Në krye të forcave shqiptare ishin Mic Sokoli, Binak Alija dhe Sulejman Vokshi. Më 22 prill u bë beteja e dytë vendimtare më e rreptë se e para. Pati përleshje trup me trup ku shqiptarët treguan heroizëm të rrallë. Duke parë vendosjen e një baterie armike, që po u shkaktonte dëme të mëdha kryengritësve, komandanti i atij sektori, Mic Sokoli, me disa luftëtarë mori përsipër asgjësimin e saj. Të gjithë u vranë në këtë sulm:
Mic Sokoli ban me dorë:
Bini shok se s’muj me fol!
Se m’ka ra do gjak në gojë,
Se m’ka ra do gjak në bark,
Shtatë martina i kam në shtat.
Është një figurë madhështore ajo e Mic Sokolit! Në vargjet dhe gojëdhënat thuhet se ashtu “me shtatë martina në trup” iu hodh topit në grykë, veprim që u përsërit tridhjetë vjet më vonë nga Selam Musai, në Luftën e Vlorës.
Mic Sokoli si po lufton,
Drejt kah topi ai po shkon.
Grykn’ e topit ai e mësyni,
T’tanë asqerët i mloi timi.
Vargjet e tjera përcjellin kobin:
Mic Sokolin e vrau reja,
E vrau reja e vrau moti,
E vrau Dervishi me gjyle topi!
Heroizmi i shqiptarëve edhe këtë herë i kapërxeu kufijtë e Shqipërisë. Ndrin figura madhështore e Sulejman Vokshit jo vetëm si luftëtar por edhe si prijës i rrallë. Ai fton në luftë shqiptarët, duke përmendur krahinat nga ata vinë dhe cilësitë e tyre të veçanta:
Sulejmani ka hip n’thep,
Bash si zana po pisket:
Ju Kabash bini he burra,
Qitni n’thika n’kacaturra!
Suharekë trima ozgana,
Bini n’pritë merrni n’nishana!
O Pojan o djem çobana,
preni turqit n’jatagana!
Ju hasjanë prej Malsie,
Mësyni hasmin si u ka hije!
Podrimçakë he inatçi,
Mos ta lam pashën me hi!
Ja si bien dëshmorët në fushën e betejës për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë:
Ba(j)ram Rama i Malsisë,
Ia jep dorën Isuf Alisë,
Isuf Alija dvetke fisin:
A m’i patë Zmajlin (Hyseni) e Micin?
Fejt(fyt) më fejt tha, me Dervishin.
Më tej vjen amaneti i luftëtarit, që bie në fushën e betejës:
Zmajl Hyseni ish kan drague:
Nan’ e bab’ ju met pa mue,
Nan” e bab’ ju met pa djalë,
N’fush të Shtimjes sot jam nalë
Mos ma leni gjakin pa marrë!…
Por ndodh edhe kështu me trimat, që derdhin gjakun për atdheun:
Zmajl Hyseni hup’ e tretë,
Kurrkush vorrin s’ia ka gjetë.
Beteja vazhdon e ashpër trup me trup me betimin solemn:
Pa u farue malësia krejt
Ktu nuk hyn as krajl as mbret!
Ashtu si në këngët e Jugut, rapsodi popullor kujdeset që në vargjet e tij të gdhenden të gjithë emrat e luftëtarëve si: Ali Ibra, Ismail Hyseni, Niman Sula, etj., secili duke rënë për atdhe, e ka një fjalë, një amnet, një porosi të fundit:
Ali Ibra n’vraç të zi,
Po i shkon gjaku për zinxhi.
Bini djem t’desim me ner,
Se shqiptari dy h(g)zime ka,
Ni kur le dhe n’luft me ra!
Niman Sula trim dragua,
Nisi luftën me liftue,
Pushka kamën ia ka coptue,
T’madhe shokëve iu ka gërmue:
Bini shok mos pritni mue!
Në një luftë të tillë ku të gjithë hidhen në sulm pa kthim prapa, madje edhe mbi grykën e topit pa llogaritur jetën, vështirë të bësh dallime. Po vargjet për Sef Kosharen kalojnë përtej imagjinatës njerëzore. Ato janë njëherësh lejtmotiv, thirrje, krenari, vajtim e britmë pavdekësie për luftëtarin e rënë në fushëbetejë. Sef Kosharja kapet i plagosur rëndë dhe turqit bënë atë që kishin bërë nëpër shekuj kundër kryengritësve shqiptarë. Pa gjyq, menjëherë, pa mëshirë, i vrisnin ose i varnin në degën e parë të lisit (në Veri) ose të rrapit (në Jug) luftëtarët shqiptarë.
I varur në degën e lisit bashkëluftëtarët e nderojnë, duke u përkulur para trupit të tij, që tashmë është kthyer në flamur qëndrese:
Sef Kosharja i pari i fisit
Hije t’paska maja e lisit!
Sef Kosharja përgjigjet, duke pohuar përjetësisht :
Hije m’paska o djelmt e mi,
Kam dhanë shpirtin për Shqipni!
Midis të vrarëve në luftimet që u bënë në Shtimlje e Slilovë qenë: Mic Sokoli, Rustem Sadria, Seit Suhareka, Memet Smaili, Ali Brahimi, Ali Nimani, etj.
Në vjeshtën e vitit 1881 “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” u shpërnda. Vendosja e administratës turke u shoqërua me një terror të pashëmbullt. Dervish Pasha arrestoi dhe dënoi pa gjyqe rreth 7 mijë udhëheqës, veprimtarë e luftëtarë të “Lidhjes”, tre mijë në Kosovë e 4 mijë në vilajetet e Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Të gjitha figurat kryesore të Lidhjes, u dënuan pa gjyq, u internuan ose u burgosën nga marshalli turk, Dervish Pasha si: Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Abdyl Frashëri, Shuaip Spahiu, Zija Prishtina, Omer efendi Narta, Jusuf Dohoshishti, etj.
Edhe në Jug ndodhi e njëjta gjë. Krerë të “Lidhjes së Jugut” si Mustafa Nuri Vlora, Omer Pashë Vrioni, Memet Ali Vrioni, Dalip bej Përmeti, Seit bej Gjirokastra, Sulejman bej Dino, Qazim bej Preveza, etj., u arrestuan dhe u internuan në Çanakala.
“Lidhja e Prizrenit” pati rëndësi të jashtëzakonshme sepse për herë të parë qysh nga vdekja e Skënderbeut, shqiptarët u bashkuan për të mbrojtur tokat amtare me armë, duke tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha. Çështja shqiptare tashmë u bë e njohur ndërkombëtarisht. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua nga patriotët shqiptarë që zotëronin fuqi ekonomike dhe pushtet politik dhe u përkrah nga gjithë shqiptarët.
Megjithatë do të derdhej ende gjak edhe për tridhjetë vjet të tjera, deri më 28 nëntor 1912, dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Qëndrimi i Portës së Lartë ndaj shqipatrëve deri atë ditë, do të qe i pandryshueshëm dhe është shprehur nga poeti popullor në dy vargje monumentalë:
Kudo vu njaj turk’ kamë
Gjak e vorre e ka bamë.