• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një sqarim për mikun tim Pullumb Kulla

September 28, 2013 by dgreca

Nga Reshta KRIPA/

Po ju shkruaj me vonesë, pasi vetëm mbrëmë lexova në internet letrën e hapur që ju i drejtonit zotit Sali Berisha. Për këtë letër më njoftuan disa miq të mi që e kishin lexuar në gazetën “Dita”. U bëra kurioz, hapa internetin, gjeta shkrimin dhe e lexova. Natyrisht, sot në sistemin demokratik, kushdo ka të drejtë t’i shpreh mendimet e tij hapur dhe pa pasur frike, si dikur, se mos e persekutojnë. Unë, gjithashtu, mendoj se nuk ka te drejtë askush të kundërshtojë mendimin e tjetrit, për sa shkruan ai për një individ çfardo, kushdo qoftë ai. Ndaj unë nuk do të shfaq asnjë opinion për të gjitha ato që shkruani për Sali Berishën, qofshin merita apo dështime. Ato janë e drejta juaj personale t’i paraqisni sipas mendimit që ju keni për të. Kjo është e drejta juaj ekskluzive. Mua mund të mos më duken të gjitha të drejta, por nuk është detyra ime të ndërroj opinionin tuaj. Por unë do të përqëndrohem në disa çështje që dalin nga shkrimi juaj dhe që më përkasin personalisht mua dhe shoqatës që përfaqësoj. Lidhur me këtë mendoj se një gjë e tillë ka ndodhur pasi ju, për vetë faktin që ndodheni larg atdheut, keni mungesë informacioni lidhur me aktivitetin tim dhe të shoqatës tonë. Për sa më sipër dua të bëj sqarimet e mëposhtme.

Në artikullin tuaj ju shkruani: Ju i kërkoni qeverisë së re “Komuniste” që të shlyejë brenda dy vjetësh detyrimet financiare ndaj të përndjekurve. Nuk ia kërkuat kështu qeverisë “antikomuniste” të “premtimeve të mbajtura” që ju dha solemnisht zotimin se do t’i shlyente brenda tetë vjetëve.”

Një kërkesë e tillë nga ana e ime, i dashur Pullumb, nuk është një ultimatum që unë i drejtoj atij. Ajo është një kujtesë që unë i bëj për premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale prej tij dhe grupit të punës së ngritur për këtë qëllim me përfaqësues të të përndjekurve politikë. Unë mendoj se premtimet në një fushatë elektorale nuk duhet të jenë “Flluska sapuni” të hedhur në erë, por  të bazuara në një realitet të prekshëm. Madje unë e përgëzoj për këtë “nismë” të tij në favor të shtresës që përfaqësoj. Por, për të thënë të vërtetën, dyshoj në realizimin e këtyre premtimeve. Kjo ka arsyet e veta. Ai ka aluduar se me ardhjen në pushtet do të amendoj ligjin për dëmshpërblimin financiar me një nen që përcakton se çdo i përndjekur duhet t’i drejtohet gjykatës për përfitimin e dëmshpërblimit. Me pak fjalë ne, ish të dënuarit nga regjimi komunist, duhet të endkemi përsëri dyerve të gjykatave.

Nuk dua të flas për periudhën 1997-2005 kur qeveria socialiste drejtohej nga Nano. Majko dhe Meta. Gjatë tetë vjetve të sundimit të tyre nuk vrejtëm asnjë shenjë se kishin dëshirë të bënin diçka të mirë për këtë shtresë. Madje edhe një ligj dëmshpërblimi që miratuan ishte një tallje pasi na jepte, për mëshirë, një kafe 50 lekshe në ditë dëmshpërblim, ligj që, me të drejtë, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Por do t’ju kujtoj periudhën 2005-2013. Është e vërtetë që qeveria demokratike dhe aleanca e drejtuar prej saj nuk i mbajtën të gjitha premtimet e bëra. Kështu për shembull ligji për dëmshpërblimin financiar u zbatua vetëm për dy këste kur duhej të ishin shlyer katër. Përveç miratimit të ligjit të dëmshpërblimit dhe ngritjes së Institutit për Hetimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist, nuk u zbatua asnjë prej pikave të tjera të Rezolutës së Kuvendit të Shipërisë për dënimin e krimeve të kryera nga ai regjim. Këto dhe të tjera tregojnë se predispozicioni i kësaj qeverie nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Por shumë herë më negativ ka qenë qëndrimi i opozitës socialiste kundrejt nesh dhe kjo opozitë drejtohej nga zoti Edi Rama. Kjo vërtetohet me nxjerrjen nga salla të deputetëve socialistë sa herë miratoheshin ligje në favor të shtresës tonë. Pikërisht për këto raste kam shkruar në shkrimin e mëparshëm. Ndaj atje i kërkoja Ramës të kërkonte ndjesë për këto veprime që, në një farë mase, do t’i quaja kundra interesave të kësaj shtrese, për të mos thënë armiqësore, gati gati si qëndrimi i dikurshëm ndaj saj.

Në artikullin tuaj shkruani se përse këto gjëra nuk ia paskemi kërkuar edhe Qeverisë Demokratike apo Sali Berishës. Edhe këtu gaboheni dhe unë jam i sigurtë se edhe kjo vjen nga mungesa e informacionit. Më lejoni t’ju rendis disa artikuj të mi lidhur me këtë çështje:

Më datën 22 shkurt 2007, lidhur me humbjen e shumë kryetarve demokratë të bashkive të mëdha në zgjedhjet lokale të zhvilluara atë vit,  në gazetën “Telegraf” kam botuar artikullin “Fitimtarët e pakicës” ku midis të tjerave shkruaja:

 

“Por së fundi dua t’i drejtohem edhe Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë ku bëjë pjesë dhe në mënyrë të sinqertë t’i shpreh mendimin tim për këto çështje. E çmoj së tepërmi kontributin tuaj në drejtimin e Partisë Demokratike dhe të qeverisë, por dua të shtoj se  përgjegjësinë kryesore në këtë humbje e keni ju. Pushteti i gjatë i konsumon njerëzit. Nuk e di se si do të veprojnë vartësit tuaj, ajo është e drejta e tyre,  por mendoj se është në nderin tuaj të tregoni fisnikërinë që ju ka karakterizuar. Bëni xhestin që ju takon burrave të shquar të politikës botërore. Jepni dorëheqjen. Partia Demokratike ka plot burra të tjerë të ndershëm dhe të zotë që mund  ta drejtojnë atë.”

Më datën 3 korrik 2007 kam botuar përsëri një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Sali Berisha ku, midis të tjerave, theksoja: “Një miku im para disa ditësh më tha se kjo është rezultat i politikës së Katovicës që po ndiqet në vendin tonë. Natyrisht unë nuk dua ta besoj një gjë të tillë. Por nuk gjej as argumenta për ta kundërshtuar. Çdo ditë ndeshem me miqtë e mi bashkëvuajtës që e venë theksin në këtë çështje. Ata më flasin për miratimin e një ligji dinjitoz për dëmshpërblimin material të tyre,  për të vrarët nga rregjimi që akoma nuk kanë një varr ku të afërmit  e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule, për rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Këshillit të Europës, për hapjen e dosjeve për të gjithë ata që pretendojnë të futen në politikë, për largimin nga administrata shtetërore të gjithë ish sigurimsave dhe njerëzve të tjerë të këtij  kallëpi,   për rishikimin e teksteve shkollore që akoma vazhdojnë të jenë shkruar nën frymën e ideologjisë komuniste, për rivlerësimin e figurave të shquara të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e memorialeve per ngjarje të shënuara të kësaj rezistence, për hapjen e muzeumeve nëpër vendet ku është ushtruar më shumë dhunë, për barazimin të paktën të statusit të tyre me atë të veteranëve të luftës në mënyrë që të mos ketë diferencim në trajtimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiprtare dhe së fundi për thirrjen e një konference me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Presidencës, Qeverisë, Parlamentit, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, mediave dhe shoqërisë civile e cila do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një komiteti me ekspertë të pavarur për shqyrtimin e krimeve të kryera nga sistemi komunist në Shqipëri.”

Le  t’i  hedhim  një  vështrim  shkrimit  tjetër me   titull “ A po zbatohet Katovica?”

botuar në gazetën “Metropol” datë 14 qershor 2012:Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë, qysh në marsin e vitit 2010, të dënonte krimet e komunizmit. Po për këtë qëllim, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë i kërkuan Sekretares së Përgjithshme për Drejtësinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zonjës Vivian Reding,  dënimin e këtyre krimeve por që, për fat të keq, kjo kërkesë nuk u përkrah nga Ministri ynë i jashtëm.”

E pra Ministër i Jashtëm ishte pikërisht zoti Ilir Meta, për të cilin ju shkruani se qenka një nga “njerëzit e paparashikuar në kornizat hoxhisto-ramiziste”.

Tani dua të flas lidhur me grevën e urisë të shpallur nga një grup të përndjekurish politikë, nga të cilët një pjesë ishin me të vërtetë të tillë. Megjithëse për këtë grevë unë kam rezervat e mia që nuk ia vlen t’i shpreh tani, po ju paraqes një fragment nga shkrimi im, botuar në gazetën “Metropol” datë 29  tetor 2012 me titull: “Greva e urise, media dhe të përndjekurit politikë” që bën fjalë pikërisht për qëndrimin e qeverisë për këtë çështje:

“Le të flasim  për menaxhimin që i bëri qeveria kësaj greve. Mendoj se ai nuk ishte i drejtë. Ajo ra në grackën e përgatitur nga organizatorët e grevës dhe zëdhënësit e saj dhe u kthye në një shkëmbim batutash jokorrekte midis tyre. Ditët e fundit Kryeministri deklaroi se ligji do të zbatohej një për një, se dëmshpërblimi do të përfundonte pikërisht në vitin 2017, se në ligj do të bëheshin edhe përmirësime dhe shtesa të tjera. Kjo është një gjë e mirë të cilën shoqata e jonë e ka kërkuar prej kohësh.  A nuk do të kishte qenë më mirë që këto deklarata t’u ishin bërë të ditura grevistëve qysh në ditët e para të saj? A nuk do të kishte qenë më mirë që një përfaqësues, për  shembull, i Ministrisë së Financave, t’u kishte bërë të ditur atyre të dhënat mbi përfitimet në privatizime e të tjera, që më vonë  u publikuan nëpërmjet organeve të medias?”

E pra këto janë vetëm një pjesë e shkrimeve të shkruara nga unë lidhur me çështjet që u përkasin të përndjekurve politikë dhe dua t’ju siguroj se asnjë nga shkrimet e mia nuk është hartuar në “kancelaritë e kryeministrit të përmbysur”, siç shkruani juve. Shkrimet e mësipërme flasin vetë për të kundërtën. Por ne jemi një shoqatë e të përndjekurve politikë dhe nuk mund të heshtim kur kryhen veprime që bien erë komunizëm nga cilido krah qofshin.

Ne kemi konstatuar dhe konstatojme ende se të dy krahët e politikës vazhdojnë të mbështeten në elementë, dosjet e të cilëve sikur të ishin hapur, nuk do të guxonte njeri t’i emëronte në detyra kyçe të pushtetit. Fjalën këtu e kam më tepër për ish punonjës të Sigurimit të Shtetit, prokurorive, hetuesive dhe gjykatave të regjimit komunist. Ne nuk kemi heshtur dhe nuk do të heshtim asnjë herë për këto raste. Jemi i vetmi vend i Europës Lindore ku individë të këtij kallëpi i gjen në majat e politikës shqiptare. Ndaj iu drejtova zotit Rama për emërimin në postin e këshilltarit të një agjenti të njohur të UDB-së dhe për këtë janë vetë kosovarët që flasin.

Para disa muajve ju dërgova për vlerësim,  një monodramë me temë sipas romanit tim “Shkallët e Ferrit”, botuar në vitin 2008. Monodrama bën fjalë pikërisht për penetrimin e këtyre tipave të cituar më sipër në postet më të larta të administratës së sotme. Ia kisha dërguar më parë disa aktorëve,  regjizorëve, dramaturgëve  të njohur të teatrit dhe kinematografisë, por asnjë nuk mori përsipër vënien e saj në skenë. Përse? Ndoshta nga frika se do t’u dogëndiste disave prej të mëdhenjve të vendit. Jua kërkova edhe juve një gjë të tillë. Pasi e vlerësuat më premtuat se kur të vini këtu në tetor do ta bisedojmë. Unë jam në pritje, por kam frikë se, përsëri tani, që u ndërrua pushteti, monodrama do t’u dogëndisë disa drejtuesve të rinj të këtij pushteti.

Këto ditë bënë një vizitë në SHBA, me ftesaë të ish Presidentit Klinton dy përfaqësues të pushtetit në Shqipëri, Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama. Ndërsa i pari, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë në të cilën ishte ftuar, u takua edhe me përfaqësuesit e mërgatës shqiptare në Amerikë dhe zhvilloi një bisedë miqësore me ta. Ndërsa i dyti, harroi se në Amerikë jetojnë një bashkësi e madhe bashkëqytetarësh, të vjetër dhe të rinj dhe preferoi më mirë të merrte pjesë në ceremoninë e dasmës së një miliarderi ultra të majtë. Mendoj se ky krahasim nuk ka nevojë për koment.

Filozofi Friedrich Nietzsche shkruante në librin e pambaruar “Vullneti për pushtet” qysh në vitin 1906:

“Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “jo” dhe te një “po”.

Unë ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.

Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”

Unë kam zgjedhur këtë të dytën, miku im. I përkas krahut të djathtë të politikës shqiptare dhe do të vazhdoj të jem i tillë deri në fund. Për mua nuk kanë rëndësi individët që drejtojnë forcat politike. Për mua kanë rëndësi programet e tyre. Jam me atë që është më afër nesh.

Ju përshëndes dhe ju uroj gjithë të mirat!

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Nje sqarim, reshat kripa

Ëndrrat e parealizuara

September 22, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Sot po afrohem te tetëdhjetat. Flokët janë zbardhur. Protezat kanë zëvendësuar dhëmbët.  Hedh vështrimin larg, shumë larg, në rininë time. Ishin vite të vështira. Nuk e di nëse mund ta quash rini atë tonën. Rini e rritur nën hijen e pleqërisë. Mjegulla e kohës që sundonte në vend, e kishte mbuluar. Donim të studjonim, por nuk na linin për të studjuar. Donim të punonim, por nuk na linin për të punuar. Donim të jetonim, por nuk na linin as për të jetuar. Këto mund t’ju duken si mendime abstrakte por, në atë kohë, jetohej në një botë abstrakte

Jetoja në botën e ëndrrave. Vetëm ëndrrat nuk mund të m’i ndalonte njeri. Mbi të gjitha, ëndrra më e bukur, ishte ajo për një botë më të mirë. Kjo ishte ëndrra e fëminisë time. Por edhe këtë ma ndërprenë. Shpata e Damokleut ma ndërpreu në mes. Më përplasën në rrethin e nëntë të ferrit, ku mbizotëronin tri gojët e Luçiferit. E përse do të thoni ju? Do t’ju duket e pabesueshme, por vetëm e vetëm sepse shkruaja nëpër mure: “Rroftë Shqipëria?”

Kështu filluan për mua, aventurat e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit, burgut të Vlorës, kampeve të punës së detyruar të Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit dhe Bulqizës. Ëndërroja të studioja dhe të dilja jurist, inxhinier, mjek, artist apo shkrimtar. Por kjo ëndërr nuk u realizua. Mbarova shkollën e vuajtjeve, shkollën e urisë, shkollën e torturave. Megjithatë pata fatin që mbeta njeri dhe kjo për hir të atyre burrave të shquar që munda të takoj në atë skëterrë, që më hodhën dorën dhe nuk më lanë të bija në greminë. Ata u bënë për mua prind, mik edhe shokë.  Ata u bënë mësuesit e mi.

Së fundi u ktheva përsëri në gjirin e familjes.Kisha një dëshirë. Kisha një ëndërr. Të shkruaja poezi, tregime dhe romane. Por druhesha se a do të më botoheshin vallë? Viti 1957. Vazhdoja vitin e parë të gjimnazit të mbrëmjes. Ora e hartimit. Profesor Milo Duni na dha temën. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Shkruajta një prozë poetike të titulluar: “Dalçë faqebardhë!”

Erdhi ora e korigjimit të hartimeve. Mora fletoren dhe vura re se profesori i nderuar nuk kishte vënë notë. Në vend të saj kishte shkruar me laps blu:

 

Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime…

 

Ndërsa më poshtë vazhdonte me laps të kuq, të vendosur në thonjëza:

 

“Po të kesh kohë të lirë”.

 

I nxitur nga ky shënim shkruajta një tregim mbi jetën e një jetimi, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës, Në fund të tregimit, jetimi gjendet i vdekur në mes të një pylli. E dërgova për botim në një gazetë letrare të kohës. Prita përgjigjen, por ajo nuk erdhi kurrë. Atëherë u binda se për mua do të mbeteshin të mbyllura për gjithnjë dyert e botimit. Edhe kjo ëndërr e imja mbeti e parealizuar.Vendosa të mos shkruaja më. Nuk e di, nëse bëra mirë apo keq, por kështu e mendova. U mbylla në veten time.  U bëra njeri i heshtur që vetëm ëndërronte. Sikur të jetonte Erih Maria Remarku do të më kishte quajtur “ I fundmi i romantikëve”, si heroin e romanit të tij.

Vitet kaluan. Kuçedra ra së fundi nga piedestali ku qëndronte prej  vitesh.  Një  botë  e  re

filloi të lulëzonte. Mendova se kishte ardhur koha që të filloja përsëri karrierën time letrare. Ishin ditët e eksodeve të mëdha të vitit 1991. Flitej për të vrarë dhe shkrehje armësh. Flitej për të plagosur, madje edhe për të humbur. Vetëm televizioni shtetëror heshte.  Shkruajta një artikull me këtë temë që e titullova “Quo vadis R.T.SH.?” E dërgova për botim në të vetmen gazetë të djathtë që botohej atëherë. Kësaj here përgjigja erdhi negative. Kryeredaktori më njoftonte se nuk mund ta botonte pasi, gjoja, nuk mund të bënte polemikë me televizionin dhe se për eksodin na paskëshin qenë shkruar mjaft deri atëherë. Në të vërteë, për këto tema, gazeta vazhdoi të shkruante edhe për shumë kohë. Madje, edhe sot, vazhdohet të shkruhet.

Një gjë e tillë më habiti jashtë mase. Nuk i jepja dot shpjegim. Fillova të mendoj me veten time:

– Mirë deri dje që nuk na lejonin, pasi i përkisnim kampit kundërshtar, po sot, në demokraci, ende do të vazhdojë çensura e shtypit?

Megjithatë, kësaj here, nuk veprova si disa vite më parë. Fillova përsëri të shkruaj dhe t’i botojë nëpër organe të ndryshme të shtypit, madje edhe në atë gazetë që ma refuzoi shkrimin e parë. Kam shkruar një mori artikujsh qysh atëherë. Shkruajta edhe një libër me tregime dhe një me kujtimet e fëminisë të cilat i botova me ndihmën e fëmijve të mi. Botova edhe dy romane për të cilat më sponsorizuan dy miq. Tani kam gati për botim një libër me përmbledhjen e publicistikës së viteve 1991-2012, një përmbledhje me poezi modeste dhe dy romane. Gjendja ime financiare është e tillë që nuk kam mundësi të përballojë botimin e tyre. Kisha dëshirë të botoja së pari përmbledhjen publicistike. Kërkova ndihmën e Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, shoqatë në cilën bëj pjesë edhe vetë. Ajo u tregua e gatshme të më ndihmojë.

Me shkresën Nr. 484 protokolli, datë 31.07.2012, shoqata iu  drejtua Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, për sponsorizimin e botimit të librit tim. Pas një periudhe prej dhjetë muajsh, më në fund njoftohem se bordi i kësaj qendre kishte miratuar sponsorizimin e botimit dhe, në mbështetje të këtij vendimi, me shkreësën Nr. 343 protokolli, datë 21.05.2013 lidha kontratën-tip me këtë qendër, që u nënshkrua nga unë dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës. Mora takim edhe me kryetarin dhe sqaruam disa pika të ndryshme të librit në fjalë.

Në pikën “A” të nenit 3 të kontratës thuhet:

 

“ 40% të shumës së akorduar subjekti e përfiton menjëherë me lidhjen  e  kontratës tip.

20% të shumës së akorduar, e  përfiton  pas  realizimit  dhe  përfundimit  të  projektit.

40% të shumës së akorduar e përfiton pas dorëzimit të gjithë dokumentëve  origjinalë                      justifikuese të projektit.

 

Qysh nga ajo datë kanë kaluar gati katër muaj dhe unë nuk kam marrë ende 40% e parë nga qendra. Jam interesuar pranë zyrave të saj por nuk më kanë dhënë asnjë arsye. Kam kërkuar të takojë kryetarin, por deri më sot ka qenë e pamundur. Më datën 16.08.2013 i kam dërguar një letër por, çuditërisht, edhe ai nuk më është përgjigjur. Heshtja e tij më kujtoi një thënie të luftëtarit të madh për të drejtat e njeriut, Doktor Martin Luter Kingut:

 

“Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë.”

 

Është pikërisht kjo heshtje që më vret më tepër. Nuk mund të imagjinoj që një nëpunës i një institucioni demokratik të heshtë përpara kërkesave të qytetarëve, aq më tepër, kur një kërkesë e tillë është bërë nga një shoqatë si ajo e të përndjekurve politikë, shtresës më të përvuajtur nga rregjimi komunist.

Ëndrrat e mia të parealizuara vazhdojnë. Tani, kur kthehem në shtëpi, hap kompjuterin dhe shkruaj diçka. Këto ua dërgoj organeve të shtypit, të cilat e botojnë ose jo, sipas orientimit të tyre. Unë vazhdoj të shkruaj, pamvarësisht nëse botohen ose jo. Fëmijtë e mi, kur të kenë mundësinë, le t’i botojnë. Në të kundërt le të qëndrojnë aty. Koha do të bëjë të vetën. Tani po punoj për një roman të ri.. Kapitujt e tij i lexoj dhe i rilexoj. Më duken si “Kangët e pakëndueme” të Migjenit.

Dhe në ato çaste më kujtohen vargjet e tij:

 

“O kangët që fleni, reliket e mia,

Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej,

Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija,

Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!”

Filed Under: Kulture Tagged With: endrrat e parealizuara, reshat kripa

Një letër për Kryeministrin e ardhshëm

September 4, 2013 by dgreca

I nderuar zoti kryeministër i ardhshm i Shqipërisë/

NGA RESHAT KRIPA/

Unë që po ju shkruaj jam një ish i përndjekur nga regjini komunist. Nuk e di nëse e keni dëgjuar emrin tim por po ju them se jam një ish i burgosur politikë nga ky regjim, sot Kryetar i Shoqtaës Antikomuniste të të Përndjekrve Politikë Demokratë të Tiranës, një shoqatë që në gjirin e saj përmbledh 37 degë nga të gjitha rrethet e vendit dhe që është, e vetmja shoqatë e të përndjekurve politikë të Shqipërisë, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, me qendeër në Berlin, qysh në vitin 1995.

Për arsyet e renditura më sipër ju drejtohem juve, si kryeministër i  ardhshëm e vendit, për problemet që shqetësojnë ish-të përndjekurit politikë. Kemi ndjekur me vëmendje deklaratat tuaja gjatë fushatës eklektorale për zgjedhjet e fundit, ku ju dolët fitimtar në mënyrë të padiskutueshme. Jemi njohur edhe me grupin, e organizuar prej jush, për zgjidhjen e problemeve që lidhen me këtë shtresë. Një gjë e tillë nuk ka se si të mos na gëzojë se, më në fund, çështjet që i përkasin kësaj shtrese, do të gjejnë zgjidhjen e duhur.. Që një forcë politike, siç është kjo e juaja, që garanton zgjidhjen e problemeve të të përndjekurve politkë, nuk ka se si të mos na entusiazmojë. Ndaj  ju drejtohem me këtë letër për të paraqitur mendimet tona, që deri tani nuk janë zgjidhur, dhe për të pritur që ato të zgjidhjen në vitet e qeverisjes tuaj.

Në plan të parë të këtyre çështjeve do të vija kërkimin e ndjesës ndaj kësaj shtrese për krimet e kryera nga regjimi komunist. Deri më sot askush nuk e ka bërë një gjë të tillë. Unë mendoj se më shumë se kujtdo një gjë e tillë ju takon juve si kryetar i asaj partie që, brenda njëzetekatër orëve, u shndërrua nga Partia e Punës në Parti Socialiste. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe shumë personalitete të larta të botës mbarë. E ka bërë Papa i Romës për të kërkuar falje për krimet e kryera nga kisha në vitet e mesjetës. E ka bërë edhe kancelarja Merkel për të kërkuar falje për krimet e kryera nga regjimi nazist. A nuk do të ishte morale, madje do të ishte në nderin tuaj, sikur të kërkonit falje publike për krimet e kryera nga regjimi komunist?

Përveç klësaj ju duhet t’u kërkonit faslje të përndjekurve politikë edhe për faktin se ishit pikërisht ju, ose vartësit tuaj, që i urdhëruat deputetët  të dilnin nga salla e Kuvendit të Shqipërisë kur diskutoheshin ligje të tillë, ndoshta edhe jo të plota, për të përndjekurit politikë. Këtu do të rreshtoja Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për dënimin e krimeve të komunizmit, Ligjin për dëmshpërblimin financiar të tyre dhe amendamentin e këtij ligji për të pushkatuarit politikë pa gjyq. Madje, lidhur me kjëtë, një nga deputetët tuaj, Pandeli Majko, i quajti ata “Plehra”. Do të doja t’u pyesja: Cilët ishin plehra, i nderuar zoti kryeministër i ardhshëm? Mos vallë të dërguarit e batalionit 4000 të NATOS që përgatireshin për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri?

Por ju keni edhe një ndjesë tjetër, familjare, për të drejtuar. Ati juaj ka nënshkruar dënimin me varje në litar të poetit Havzi Nela në vitin 1998, në kohën kur regjimi komunist kishte marrë tatëpjetën.. Unë jam i bindur se një gjë të tillë ai e ka bërë se nuk kishte rrugë tjetër, në të kundërt, do të ishte një katastrofë për atë dhe familjen e tij. Në këtë veprim monstruoz,, ati juaj nuk ishte i vetëm. Me të ishin edhe të tjerë që e nënshkruan atë vendim të turpshëm. Me këtë rast unë nuk dua t’ iu drejtohem vetëm juve, por të gjithë trashëgimtarëve të atyre që nënshkruan atë akt, kërkoni falje familjarëve të poetit për veprimin e prindërve tuaj! Kërkoni falje se do ta ndjeni veten më të çliruar nga brenga e një krimi të kryer nga prindërit tuaj. Kjo është thirrja ime.

Kjo është thirrja ime për kërkimin e ndjesës. Por le të kthehemi në lërkesat e të përndjekurve politkë dhe premtimet e bëra nga ju për këto çështje.Dua të cilësoj se mua nuk më intereson se cili grupim politik,i fitoi zgjedhjet. Si përfaqësues i një shoqate të përndjekurish politikë mua më intereson se cila forcë politke do t’i realizojë më shpejt të drejtat që i takojnë kësaj shtrese..Në rast se do të jeni ju, i nderuar kryeministër i ardhshëm, kjo do të ishte një përmbysje e mentalitetit që ka ekzistuar deri  më sot se vetëm e djathta mund të jetë e aftë të zgjidhë çështjet e të përndjekurve politkë. Ne jemi në pritje. Do të presim dhe do të shohim.

Tani le të kthehemi në çështjet konkrete. Ju keni premtuar se porsa të vini në pushtet do të miratoni një projekt-ligj sipas të cilit të përndjekurit potik meshkuj mbi 75 vjeç dhe femra mbi 70 vjeç do të dëmshpërblehen në mënyrë të menjëherëshme. Keni premtuar se masa e dëmshpërblimit financiar do të rritet deri në 25 euro për një ditë burgu. Keni premtuar se dëmshpërblimi financiar do të përfundojë brenda një afati prej dy vjetësh. Nuk e di, dhe pres një përgjigje prej jush, a do të jeni në gjendje ta mbani një premtim të tillë? Këtë dyshim e shpreh pasi shoh se, në këto ditë pas zgjedhjeve, asnjë zë nuk ndihet për këto probleme, Madje as zëri i atyre të përndjekurve që ju i mblodhët pas vetes tuaj dhe që morën përsipër hartimin e një programi të partisë tuaj për këtë shtresë. Cili është shkaku? Nuk dua të paragjykoj, por nuk ka se si të mos mendoj se ata janë bërë vegla qore të një mashtrimi. Sidoqoftë koha do të tregojë se kam të drejtë apo jo, e thashë, unë nuk dua të paragjykoj. Të njëqind ditët kalojnë shpejt, madje edhe të treqind ditët e para. Do të presim dhe do të shohim.

Por tani le të ndalemi edhe në disa çështje të tjera që i interesojnë kësaj shtrese. Ne jemi për përmbysjen njëherë e përgjithmonë të mentalitetit komunist nga jeta e shoqërisë shqiptare. Por si mund të arrihet kjo? Në asnjë mënyrë me ricklimin e figurave të regjimit komunist në sistemin kapitalist të sotëm. Unë konstatoj, me keqardhje, se ju nuk keni mundur të shkëputeni nga këto figura të perënduara, këto figura që stonojnë me Shqipërinë që pretendon të ndërtojë një shtet demokratik, Më lejoni t’ju sjell një shembull në këtë drejtim.

Në shtypin e përditshëm lexoj se keni emnëruar si këshilltar tuajin zotin Shkëlzem Maliqi. Cili është ai? Unë nuk e njoh por lexoj. Sot rrugët e internetit janë të pakufishme. Lexoj një letër që ju ka drejtuar zoti Fazli Maloku, një personalitet i shquar i Kosovës: mbi figurën e atit të Shkëlzen Maliqit:

 

Mehmet Maliqi-Cikuli, ishte njëri ndër kuadrat ma të besueshme të regjimit titist, duke vepruar në organet më të besueshme represive shtetërore jugosllave siç ishin OZN-a dhe SUP-i bile në vitet e tetëdhjeta ishte Sekretar Krehinor i Punëve të Brendshme, i njohur për krimet që ka kryer kundër shqiptarëve, sikur është rasti i pushkatimit të intelektualit të njohur shqiptar, Ibrahim Lutfiut, pastaj vënja e pritave dhe likuidimi i Atdhetarëve të shquar: Hasan Remniku, Emrush Miftari, Rifat Berisha e shumë të tjerë, militantë për çlirim dhe bashkim kombëtar!

 

          Ndërsa më poshtë zoti Maloku vazhdon:

 

Askush sot nuk e akuzon Shkelzen Maliqin për  bëmat e babait të tij kriminel, por si nuk i shkoi mendja njëherë që publikisht t’iu kërkoi falje apo edhe të distancohet nga veprimet antishqiptare, për ato krime të ndyra ndaj qindra familjeve shqiptare, pjesëtarët e të cilave i ka likuiduar me gjyq e pa gjyq, dënuar, rrahur e maltrajtuar-gjymtuar për tërë jetën mijëra djem e vajza shqiptare, pjesën më vitale të kombit ku me urdhërin e këtij krimineli, udbashët serbë e shqiptarë vërsuleshin si hijena mbi trupin e njomë të rinisë shqiptare.

 

          Nuk e di nëse ju jeni në dijeni të këtyre të dhënave. Por unë, për fat të keq, vë re se në kabinetin tuaj të ardhshëm janë edhe disa individë të tjerë, pinjollë të ish regjhimit të kaluar. Përmend këtu kandidatin për Ministër të Jashtëm. Vallë nuk mundët të gjeni në rradhët e socialistëve shqiptarë element të tjerë që nuk ishin përzierë me regjimin e përmbysur? Unë mendoj se ka plot të tillë dhe pikërisht këta duhet të kishit zgjedhur ju.

Një kërkesë tjetër e jona, që ndoshta duhej ta kisha vënë në krye të çështjeve, është gjetja dhe rivarrosja e eshtrave të të rënëve në luftën kundër sundimit komunist. Ata nuk janë pak. Janë mbi 4500 persona të humbur, pa një varr ku të afërmit të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë lule. Është detyra juaj ta zgjidhni këtë çështje. Regjimi totalitar i Enver Hoxhës i mblodhi eshtrat e të rënëve dhe u dha një varr ashtu siç e meritonin. Po shteti demokratik a mos vallë nuk duhet të mendojë për martirët e lirisë dhe t’u krijojë strehën e përjetëshme? Kjo pyetje kërkon përgjigje.

Kemi edhe shumë çështje të tjera. A do të rishikohet historia e Shqipërisë apo do të vazhdohet me frymën e vjetër komuniste? A do të rishikohen tekstet e shkollave apo ende do të vazhdojnë të helmohen nxënësit tanë me propagandën koimuniste? A do të dënohet diktatatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi, drejtuesi dhe ekzekutuesi i sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore? A do të ngrihet memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit për të cilin ka vite që është marrë një vendim i Kuvendit të Shqipërisë? A do të ngrihen muzetë e persekutimit nëpër burgjet dhe kampet më të tmerrshme të shtypjes? Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje.

Këto janë kërkesat tona, i nderua kryeministër i ardhshëm. Do të realizohen apo jo? Për shumicën e tyre ju keni premtuar. Ne jemi në pritje të realizimit të tyre. Koha do ta vërtetojë një gjë të tillë. Njëqind apo treqind ditët kalojnë shpejt. Ne jemi në pritje.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Leter Kryeministrit, reshat kripa, te radhshem te Shqiperise

Martirët e 2 gushtit 1967

August 5, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

Burgu i Burrelit, një ferr i vërtetë i diktaturës komuniste, sidomos në periudha të veçanta të saj. Një nga këto periudha është edhe viti i zi 1967 kur, si rezultat i fjalës së diktatorit të 6 marsit 1966 dhe, pas saj, letrës së hapur të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës drejtuar klasës punëtore, në të gjithë vendin filloi një fushatë e çmendur kundër atyre që mendonin ndryshe nga sundimtarët. Filloi një luftë e tmerrshme kundër besimeve fetare, duke shkatërruar që nga themelet kisha e xhamia, një luftë banditeske kundër të ashtuquajturave “shfaqje të huaja” në shoqërinë shqiptare. Në çdo faqe muri do të shihje të ashtuquajturat “fletë-rrufe” ku me emër dhe mbiemër fshikulloheshin kundërshtarët e regjimit.

Një gjendje e tillë, ndoshta edhe më tepër e egër, shfaqej nëpër burgjet e vendit. Natyrisht, burgu i Burrelit, mbante vendin e parë në këtë drejtim. Aty ishin mbledhur kokat më të ndritura të kombit shqiptar dhe ata duheshin eliminuar. Por kjo tirani e pashembullt nuk arriti të thyente dëshirën për liri të atyre që ishin ndrydhur në qelitë e errëta të burgut.

Në rradhët e të burgosurve kishte martirë që mendonin të gjenin rrugën për të shpëtuar nga kjo kasaphanë. Tre të burgosur politikë, Adem Hallçi nga Tropoja, Dhori Grinjoti nga Korça dhe Sazan Hadëri nga Tepelena kishin ditë që bisedonin për të gjetur mënyrën për t’u arratisur drejt lirisë. Së fundi vendosën.

Ishte 2 gushti i vitit 1967. Kapën rojen e brendëshme, e lidhën dhe i morën çelsat. Hapën portën e jashtme dhe dolën në oborr. Aty duke hipur në shpinat e njeri-tjetrit dhe nëpërmjet hekurave të dritareve kërcyen në tarracën e burgut. Rojet që qëndronin në karakollet që rrethonin burgun i diktuan. Një breshëri e paparë armësh shpërtheu nga të katër anët. Por trimat vraponin drejt lirisë. U hodhën nga tarraca dhe vazhduan të vrapojnë. Bateria e armëve vazhdonte. Një plumb i mallkuar kapi Sazanin. Ai ra. Shokët u kthyen ta marrin në krah.

– Ikni, – mundi t’u thoshte dhe i mbylli sytë.

– Lamtumirë, vëlla! – thanë me një zë Ademi dhe Dhori duke vrapuar drejt pyllit që ishte aty pranë. Por breshëritë e paprera të armëve e bënë punën e tyre. Dy plumba i goditën të arratisurit dhe ata ranë të plagosur. Rojet i morën dhe ashtu të plagosur, pa iu dhënë asnjë ndihmë mjeksore, i mbyllën në qelitë e tmerrshme të lidhur këmbë e duar. Të ndjerin Sazan e morën dhe e hodhën në një gropë të hapur të vendi i quajtur “qershiza”.

Në çdo vend të botës ndodhin tentativa arratisje, por kur kapen të burgosurit sillen përsëri në burg për të vazhduar dënimin që u ka mbetur. Kurse te ne ata dënoheshin për së dyti, madje ka raste edhe për së treti. Kështu u ridënuan edhe heronjtë tanë. Në akt-akuzën e tyre figuronte edhe një nen që logjika njerëzore nuk do ta pranonte kurrë, neni i terrorizmit. Do të desha t’i pyesja hartuesit e këtij neni:

– Çfarë terrorizmi zhvilluan këta djem? Mos vallë dogjën? Mos vallë vranë njerëz të pafajshëm?

Asgjë prej këtyre nuk bënë, përkundrazi, ishin këta që u vranë. Ishin këta që u masakruan. Ishin këta që u ridënuan. Përse?

Kanë kaluar dyzeteshtatë vjet nga ajo ditë e kobshme. Eshtrat e Sazan Hadërit ende nuk dihet se ku prehen. A nuk do të ishte në nderin e këtij vendi që ato të gjendeshin dhe të vendoseshin në Varrezat e Kombit? Dhori Grinjoti i mbylli sytë pak kohë më parë. Njëzetedy vjet shtet demokratik nuk mjaftuan për ta rehabilituar plotësisht. Ai iku me zemër të thyer. Jeton vetëm Adem Hallçi. A do ta verë në vend shteti shqiptar detyrimin që ka për këta shtetas  martirë?

Unë nuk e di. Do të presim e do të shohim.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 2 gushtit, martiret e, reshat kripa

Një libër për lulet dhe jetën

August 4, 2013 by dgreca

Nëpërmjet krijimtarisë së Astrit Xhaferit/

Shkruan Reshat KRIPA/

Duke lexuar librin me tregime “Rrëfime për njerëzit dhe lulet” të Astrit Xhaferit, me duket sikur ndodhem në një lulishte të mrekullueshme dhe ndiej aromën e dhjetra luleve që, në të vërtetë, janë personazhet kryesorë të këtyre tregimeve. Më duket sikur ndiej aromën e “Kalikantosit” që lulëzon në mesin e dimrit, pikërisht kur bryma dhe akulli kanë mbuluar gjithshka. Ndiej aromën e “Cidonias” që sapo çel lulen dhe lidh farën ndahet nga kjo botë. Ndiej aromën e lules “Lotët e vajzave”, që në antikitet shoqëronte nuset që derdhnin lot para ndarjes me familjen. Ndiej aromën e “Gipsofillës”, lules së Shën Valentinit që më vonë do të merrte emrin “Velloja e nuses”. Ndiej aromën e karafilit “Filodendron” ose “Lules që qan” që, siç shkruan autori, e ka origjinën nga pasioni i dashurisë së perëndeshës Diana, ndaj një bariu që s’iu përgjigj kësaj dashurie dhe ajo e zemëruar nga refuzimi, ia nxorri sytë e ia hodhi larg, e nga këta sy të rënë në tokë, mbin lulet e bukura të filodendronit.

Autori i librit nuk është florikulturist. Ai ka mbaruar Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në degën bio-kimi dhe ka punuar për një farë periudhe si mësues biologjie, por hija e zezë e biografisë së tij, që e ndjek në çdo hap të jetës, e largon nga kjo detyrë. Detyrohet të punojë si punëtor i thjeshtë. Së fundi mundi të sistemohet në lulishten e qytetit ku realizoi një ëndërr të vjetër të rinisë së tij. Kryente shërbimin ushtarak në një repart të kryeqytetit. Një mbrëmje shkoi në kinema. Para fillimit të filmit u shfaq një dokumentar mbi punën e një agronomi të qytetit të tij, që kishte ngritur , diku në periferi, një fidanishte lulesh. Që nga ai çast i lindi pasioni për to. Ja si shkruan ai:

“Tani, mbas tridhjetë vjetësh, ndihem shumë mirë në botën e luleve, në botën e krijesave të gjalla më “naive” të kësaj toke. Duke mbjellë e prurë në jetë miljona e miljona prej tyre, kam dashur e kam menduar se kam sjellë po kaq bukuri, gëzime e dashuri, për vete e për të tjerët”.

            Në lulishten e qytetit punoi me nje përkushtim të paparë, por edhe këtu nuk e lanë. Në vitin 1977 arrestohet dhe dënohet. Dënohet pse gjoja paska thënë se trëndafilat hollandezë qenkan më të bukur se ata shqiptarë. Kjo ju quajt  agjitacion e propagandë. Në vendimin e gjykatës thuhet:

“Agjitacionin e propagandën, i pandehuri Astrit Xhaferi, e ka zhvilluar në këto drejtime: Ka ngritur lart filmat e vendeve perëndimore dhe modën e huaj, mbajtjen e leshrave të gjata, veshjen e minifundeve, ka mburrur dramat “Shtëpia në Bulevard” dhe “Doktor Aleksi” të armikut Fadil Paçrami, ka interpretuar shtrembër përmbajtjen e gazetës “Zëri i Popullit” se gjoja në vendet kapitaliste nuk ka greva e demostrata dhe papunësi, dëshiron likujdimin e udhëheqjes së Partisë”.

E pra, Astriti, një tip i qetë dhe mjaft i matur që kurrë nuk mund të shkiste në këto gafa. Megjithatë ajo akuzë atij i kushtoi nëntë vjet burg në kampin famëkeq të Spaçit.

Por le të kthehemi përsëri në librin e tij. Ai është shkruar me një gjuhë dhe stil të sigurtë. Pasioni i tij për letërsi është i hershëm, Qysh në rininë e tij kishte krijuar disa skica e tregime. Një pjesë prej tyre kishte arritur t’i botonte, por hija e “luftës së klasave”, ia kishte mbyllur përgjithmonë rrugën e botimit.  Pas ndryshimeve demokratike filloi përsëri të shkruajë. Deri tani ka botuar pesë libra me tregime. Karakteristikë e këtyre është se në to ndihet gjithmonë aroma e ëmbël e luleve, pasionit të tij.

Ai shkruan me një pasion të veçantë për  dy  simbole  të  vendlindjes  së  tij,  Llogaranë  e

mrekullueshme që, në të vërtetë, është një kopësht botanik më vete, dhe kryeveprën e  saj, pishën

flamur, simbolin e pavarësisë së vendit.

Me një dhimbje të thellë përshkruan historinë e “Cedrit” që, gabimisht, e mbolli në oborrin e shtëpisë së tij, megjithë këshillën e Ilia Mitrushit për të mos e mbjellë aty, pasi nuk këshillohej, por që më vonë, kur ajo u rrit aq shumë sa u bë pengesë për bimët dhe lulet e tjera, u detyrua ta presë. Kjo ishte brenga e tij më e madhe.

Një tregim mjaft i goditur është edhe ai i titulluar ”Çifti i moshuar”. Një çft të moshuarish që me pasion e kishin kthyer kopshtin e tyre në një bahçe të lulëzuar. Plaka i prashiste, i tëharrte, i vadiste, ndërsa plaku, me gërshërë e biçak në dorë, i krasiste, i shtonte, i shartonte. Një mbrëmje autori i gjen të trishtuar tej mase. I pyet se përse kjo gjendje. Ata i përgjigjen: “Na vdiq Araukaria”, njësoj sikur do të jepnin lajmin e kobshëm të vdekjes së ndonjë fëmije. Araukaria ishte një lule që e mbanin në vazo  në sallon, të cilën ata e kishin të veçantë.

Mjaft të goditura janë edhe tregimet “Akacia” dhe “Nuk e harroj”, me subjekt nga periudha e burgut. Në të parin autori përshkruan dhimbjen që ndjeu kur komandanti i kampit urdhëroi prerjen e akacies që lulëzonte në mes të kampit, vetëm e vetëm sepse ajo kishte penguar rojet të vrisnin të burgosurin Alem që ishte drejtuar drejt telave me gjëmba për t’u vetëvratë, ndërsa në të dytin historia e të gjithë të burgosurve politikë që kur po shkonin për në minierë dhe panë në rrugë të lulëzonte lulen “Tussilago farfara” ose “Thundër mushke” i thoshin njeri-tjetrit: “Kujdes, mos e shkel!” dhe lulja nuk u shkel. Një detaj mjaft i goditur që tregon botën e madhe shpirterore të atyre që regjimi i kishte mbyllur brenda.

Galerinë e tregimeve të goditura e plotëson më së miri ai i titulluar ”Zonja e heshtur”. Një artiste e dëgjuar, mjaft e bukur, një e apasionuar pas luleve që, kur ishte kthyer nga jashtë shtetit për një turne, kishte sjellë një lule që mahniti bashkëqytetarët e saj. Ajo lule hante insektet dhe quhej “Dionea Muscipula”. Por qetësinë e kësaj zonje ia prishi Sigurimi i Shtetit që, më së fundi e theu. Ajo nënshkroi deklaratën e turpshme të bashkëpunimit dhe deponoi një djalë të ri që përfundoi në burg, prej nga nuk mundi të dalë më. Me ngjyra të gjalla autori përshkruan luftën e brendëshme shpirtërore që zhvillohet në zemrën e saj, brerjen e thellë të ndërgjegjes, gjë që e bënë, sidomos pas përmbysjes së madhe, të ndahet nga njerëzit, të mbetet e vetmuar në depresion, madje të ndahet edhe nga lulet e saj.

Tregimet ndjekin njeri-tjetrin.  Në të parakalojnë lloje të shumta lulesh që nga panjat, kaktuset, eukaliptet deri te jargavanët, trëndalilat, tulipanët, mimozat, narçiset dhe manjolat. Të gjitha këto i japin një kolorit të veçantë tregimeve të librit, duke e bërë atë të pa arritshëm në llojin e vetë.

Një karakteristikë tjetër e këtij libri është se në të autori përshkruan me një admirim të madh, madje edhe me një dhimbje të thellë për ata që nuk jetojnë më, florikulturistët më të shquar të vendit tonë, me të cilët ai ka bashkëpunuar. Përmendim këtu, Liri Dingun, drejtoreshën e kopshtit botanik, Mustafa Demirin, drejtuesin e punimeve për ngritjen e këtij kopshti, Zonjën Mari, hungarezen e bukur, bashkëshorten e profesor Ilia Mitrushit, florikulturistit të shquar, Edit Çelikun, hungarezen tjetër të apasionuar pas luleve që u detyrua të ndahej nga i shoqi shqiptar dhe të kthehej me lot në sy në atdheun e saj, Skënder Rusin, majën e florikulturës shqiptare, Zako Mustafarajn, agronomin e shquar nga Vlora që i ishte përkushtuar luleve, por edhe Hamit Qytezën, Karafil Starovën, Ligor Sqapin, Bardhyl Burimin, Edmond Numanin, Vasil Shqaun, Vasil Janin dhe Raimonda Hadon. Nuk mund të le këtu pa përmendur bahçevan Ferrikun, kopshtarin e apasionuar, që ngriti “milet baçenë” e Vlorës në një copë truall që Nuredin Bej Vlora ia kishte falur bashkisë së qytetit.

Natyrisht, për ata që e njohin autorin dhe që lexojnë librin e tij  çdo  gjë  është  e  qartë, se

kanë të bëjnë me një autor të formuar plotësisht por që dhuna totalitare  e   la  në  hije. Të tjerë që

nuk e njohin  por lexojnë veprën e tij do të pyesin të habitur:

– Si ka mundësi që nuk e kemi njohur më parë një autor të tillë?

Unë do t’iua  ktheja atyre me këtë kundërpërgjigje:

– Çfarë shkrimtari do të ishte bërë ky njeri po të mos i kishte rënë mbi krye “Shpata e Damokleut”?

Këtë përfytyrojeni vetë. Unë do t’iu thosha se sot në Shqipëri ka plot talente të tilla që hierarkia e djeshme i la dhe, ndoshta, edhe ajo e sotmja vazhdon t’i lerë në heshtje. Megjithatë ata vazhdojnë të shkruajnë megjithse, ndoshta edhe sot, veprat e tyre mbeten ende “Kangë të pakëndueme” Sidoqoftë do të vijë një ditë që ato do të hyjnë në rradhën e veprave më të njohura të letërsisë shqipe.

Kjo do të jetë e ardhmja e kësaj letërsie dhe një nga këta përfaqësues është, padyshim, edhe Astrit Xhaferi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Xhaferi, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT