Elokuenca shpëtimtare/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin/
1.
Ka kohë që shtypi gjerman është mbushur pezm i gjithi për një miqësi të çuditshme, dendësia e së cilës vete përtej privatsisë njerëzore dhe mirësjelljes politike. Kishte patur shkas një hendikep dhe do të vijonte e prushtë përballë sfidash dhe mënirjesh rrotull saj. Mbahej takimi i G8-es në verën e largët, tash 14 vjet, dhe, meqë anglishtja e ish-kancelarit Schröder që do të humbiste më pas nga një Zonjë enigmatike, çalonte, ai ndihej pak i vetmuar. Në atë çast, thuase pikaste orën e tij, do ti gjendej pranë Shefi i Kremlinit (i kësaj „ngrehe satanike“, „strehe tiranësh“, „mbeturine dinosaurësh“, e „banese qenjesh të Apokalipsës“, sipas frëngut Marquis de Custime, cituar nga libri „Kremlini“ të brites Catherine Merridale) që, si ish-spiun i Luftës së Ftohtë, fliste rrjedhshëm gjuhën e tij. E bashkëndjesia do t‘hidhte, ashtu, fillesën njohjes së gjatë. Mandej, ndër vite, ajo, e shndërruar në patneritet utilitar, do të përshkohej njëj filli të errtë përfitimesh të dyanshme: monetare për të parin dhe politike për të dytin. Për Gerdin (si e quan me politesë miku i tij) ajo do t‘bëhej vjegë e kamjes së dyshimtë, kurse për Wladimirin, ose ”demokratin e kulluar” (si e cilësonte kameradi berlinez), kje një pëlhurë mashtrimi për të përligjur despotinë dhe njëherësh mbështetje e fortë në kulme krizash përulëse të perandorisë së shthurur. Të tilla ishin ato të vitit 2000, kur arka shtetërore ruse, e zbrazur krejtësisht, injektohej me 6 miliardë Mark nga tagërdhënësit gjermanë. Apo tani kur shtjella ukrajinase e ka vënë në leçitje kompromituese dhe, kur, gati si tek baladat e moçme, ç’ndërton ditën kryediplomati i vyer, e rrëmon dora e pamirë, me ndryshimin se tani kjo dorë nuk është as mistike dhe as e huaj. „Lidhja“ e paepur nuk është rastësore, nuk ka rënë si murmurimë në qiellin pa rè. Socialdemokratët tradicionalisht kishin njëlloj squllosje, afeksioni të ndonjëhershëm sllavolindor. I shkonte krejt ndesh rrjeshtimit dhe ishte disonante distanca e Helmut Schmidtit nga „antiputinizmi histerik“ që, pohon ai, rritë probabilitetin e Luftës së tretë. Vështrimi se „Kombi ukrajinas nuk ekziston“, („Bild“) mund të pretendojë të vërtetën, (sipas këtij rezoni real, as identitet e komb maqedonas nuk mund të ketë), por konteksti dukej rëndshëm i gabuar. Konformohej në plotëri me pozicionin rus dhe është ky flatrim i tij arrogant që paraqet rrezikun e Luftës së përbotshme. Akoma kujtojmë të Majtën (Gregor Gysit) të dalë nga gjiri i Partisë punëtore të Honeckerit, tek kundërshtonte hapur e plot agjitim negativ, ndëshkimin natoist të regjimit millosheviqjan. Si për të konsoliduar përshtypjen, Mathias Platzeck (Premier disavjetësh i Brandenburgut) i pyetur se a ka një mirëkuptim të heshtur në Landet e reja që i përkisnin ish-kampit sovjetik për aneksionin e Krimesë a për copëtimin e Ukrajinës dhe athua shpjegohet kjo rezervë e fshehtë me zhgënjimin e tyre pas Ribashkimit, do t‘përgjigjej shkurt – marrëzi! Ndoshta, njëmend, ngjan të jetë ashtu, por vetë pyetja ndrynë në vete një gjasë përceptimi të tillë, një vrajë të ndrydhur nostalgjie…
2.
Urtia e njohur se çdo e keqe sjell një të mirë, rrah të provojë sërish praninë e saj. Kjo miqësi tek keqermon aq padurueshëm, megjithatë ka përnxitur dhe mbërritje të mëdha. Jemi mësuar këto motet e mbramë të konsumojmë eksperienca e dije vetëm nga landet sipër Vjenës. U bëmë, si me thënë, njësh me to dhe arealin e tyre qytetnues e përjetojmë si aspiratë të ligjshme të natyrshmërisë sonë. Po kësaj radhe, në vend të dogmave e tabuve të dikurshme, një zhdërvjelltësi e mrekullueshme gjuhësore vjen nga moskovitët e harruar. Përveç dalëzotës interesash të ngushta jetike, ky shoqërim i rrallë elitar shohim të ketë ndikuar dhe begatimin elokuent të leksikut politik, sa që në Rusi është farkuar një term i ri interesant. Për të shitblerë një politikan që do të kryente punë pas perdes në hemisferën perëndimore, sugjerohet prerë e shkurt: ”Schroderisazja” (“Focus”), që i bie një si „shrëderim“ apo ta “shredërosh” dikënd, që s’është pos një ekuivalent i shprehjes për korruptimin e tij. Në fakt, rusët kanë prore për të bërë në oborrin e vet të kënetëzuar. Rendi i oligarkëve, përndjekja e opozitarëve, përsekutimi i mendimit të lirë – janë tipare shenjëzuese të këtij kapitalizmi të egër e brutal. Veçse gjetja e tyre ingjenioze i referohet, tashmë jo përplasjeve vetore, por relatave globale. E tillë, frymëzuese dhe e kursyer, ajo mund të ketë përhapje të gjerë drejt kulturash të tjera gjithandej botës.
Por, ah kjo e bekuara gjuhë shqipe! Më lehtë dhe elegantisht se asnjë tjetër, identifikon mesazhin e saj. Fjalërënda „me e shredërue“ (ta shredërosh ose shredëroje), përkon asociativisht përfekt me fjalën e kategorisë morale, “me shnderue”, (pra, shnderim, ta shnderosh) një fatkeq. Po a s’është kjo e njëjta gjë? Nëse, ndaj, t’ia trafikosh dikujt shpirtin, ta çmoralizosh atë, qenkësh „shredërim“, aherë a nuk është bëma e barasvlershme me „shnderimin“, madje më keq ende, me „shnjerëzimin“ e tij? Aq më tepër kur ai, paraprakisht, është vetëpajtuar me groposjen mjerane…
3.
A do të aplikohej dhe si do të fjalëformohej, pra, ky përskajim i bekuar në Kosovë? Sigurisht, porse ka një pengore. Për dallim nga mjedisi europian, aty zvarranikët e shumtë si krimbat pas shiut, vriten e priten për vendzënje në tempullin e lavdisë korruptive. Dhe është, që këtej, vështirë të gjendet se kush do të bënte masën apo emri i cilit hierark politik do të krijonte nocionin e njësojtë, aq të nëvojshëm për të definuar dukurinë dhe, poashtu, për të racionalizuar debatet e lodhshëm! Rrjedhimisht, në vend të dhjetëra fjalëve të mërzitshme për të përshkruar nyjëtimin e fenomenit me bartësin e tij, mbase lirisht do t’mund të thoshim, „me e hashimue (ta hashimosh) dikënd, ose, më drejtë akoma, “mustafim” a ta „mustafosh“ , që nënkupton ta prishësh, çorodisësh, shnderosh e shnjerëzosh atë. Por, sidomos kur vepërliga është totale, kur përveç vesit të pështirë të mitosjes, ngërthen dhe përbetimin e dhimbshëm kundër votrës, aherë përcaktori “pacollizim” ose “pacollizoje” shfytyranin, do të jepte saktësisht këtë neologjizëm shpëtimtarë. Kurse, në praktikën rutinore, mbase, do të thuhej „hysenizim“ i ndokujt, mandej, sa paq o Zot, “grabovcoje” a “bukoshizoje” të shkretin, ose poaq përkitshëm „ardiangjinoje“ e, pse jo, ta “halitosh”, madje dhe, ah, “fatmiroje” derëziun… Kjo e fundmja e sprovës, ndërkaq, më ngjan dhe njëkohësisht e bukur, sepse sikur e bën fatmirë, e pra të lumtur atë që i dorëzohet me gaz darëve të ëmbla të shpërdorimit.
Natyrisht, renditja nuk mbaron kurrësesi se, thjeshtë, Galeria e tyre është e paskaj. Duke qenë i gjatë vargoi edhe konkurrenca, si pasojë, është tepër e ashpër. Mirëpo, si ndodh shpesh, pikërisht kur oferta është bujare, përzgjedhja bëhet e vështirë. Kjo punë kërkon konsultim të gjerë me njohës të tregtizës politike, me linguistë, pastaj me mjeshtër të kumbimit artistik dhe, padyshim, me stilistë të dëshmuar e analistë të rryer të sedërhollës shqiptare. Formulimi i përshtatshëm, mbase, do vonojë pak, por do të kumtohet gjithësesi. Është një përfundim që vlen pritjen, po fundja, a nuk është pritja heroike e të mirës (që si thotë Poeti, i kemi lënë takim në varrezë) virtyt dhe fat yni i rezervuar përjetshëm?!
Berlin, qershor 2014
TRADHTARËT E NATYRSHMËRISË!
Nga REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
(Pledoaje etike)/
1.
Të bezdisshme e shpresëpakta janë ditët e lojës elektorale të Kosovës. Figurinat që pështillen ndër sheshe, rrethuar truprojash e nga ata që militojnë si në trans, janë ose të pakultivuar ose të inkriminuar, ndonëse shpesh, gati si rregull, i kanë dy tiparet bashkë. “Gjithçka që thuhet në komunitet, duhet të çojë në dashuri” (thotë Shkrimi i vjetër), por ata nuk mund ta bëjnë këtë. Fjala a bëma e tyre s’përçon tjetër pos brëngë, urrejtje dhe helm. Mirëpo, për paradoks, tash sa vite ato nuk morën asnjëherë formën e votës refuzuese a të ndërgjegjës së organizuar qendrestare. Një gjëndje ambivalente ngurtësohet përherë: mëllefosje e zhgënjim i thartë, në një anë, dhe apati e mpakje, në anën tjetër.
Në demokracitë e mirëqena, ai që delegon vullnetin dhe tjetri që merr n’dorëzim atë, ndërtojnë një mirëbesim të ndërsjellë e absolut. Këtë (veç shtypit të lirë, avokatisë së shtetit…) do ta sigurojë, së paku në vendin e gjermanëve, dhe një institucion i veçantë, Këshilli i Etikës, që ndjek jetësimin e premtimeve fluturake, duke denoncuar vesin e lig të mospërmbushjes së tyre. Sepse, para se të shpërthejë kriza politike, fillimisht etika jep shpirt…Ky kallëzim faturohet rëndë qysh gjatë legjislaturës, e sidomos në mbarimin e saj, kur kërkohet sërish verdikti sovranor. Po edhe kur ajo s’është e tillë, apo kur, në një kapërcyell historie përdhunohet egërsisht duke nxirë jetën qytetare, aherë përligjen krejtësisht referencat e qytetnisë që (neni 35 i Kushtetutës franceze të vitit 1793) sanksionojnë të drejtën e Kryengritjes popullore për të rrëzuar kastën e molepsur politike.
2.
Po, anise ende e largët si yjet, një natë kisha një prehje çastësore që s’kje veç deshirake dhe, e tillë, do të tretej shpejt, si vesa, para diellit të së vërtetës hidhtuese.
Ndërsa ndiqja një edicion lajmesh pashë një politikan, një nga krerët që rreket ti prijë Kosovës, tek gjithë shend, mori kazmën në dorë në aksionin e rrëmujshëm për dëlirjen e Kryeqytetit. Kje një pamje aq mahnitëse, autentike dhe e hirshme në natyrshmërinë e saj. Fqinjëronte me pikturën ideale…Më kujtoi dhe mote të ikura. Thuase kishte lënë bazën proletare dhe, për të mbushur kuotën klasore, si mësonin herët sovjetët popullorë, ishte ngjitur shkallësh të kierarkisë, e tani rikthehej simbolikisht tek lavdia e turmës. Veçse, me një diferencim të hollë e domethënës. Vegëza e përvijimit që pasonte shërbimet e pazë, është thelbësisht tjetërfare: në vend fijesh nga instanca e autokracisë, është nëntoka e krimit të karteluar, që e mban apo e shtynë përpjetë në fronin tempullor.
Sidoqoftë, për një çast, gjithësesi të shkurtër e mashtrues, pata një ngazëllim dhe ndjesi plotësie. Sa i kishte hije almisja e dashur, mendova. Ndaj, s’kish si të mos thoshja: ja si do të dukej rendi i mbarë i gjërave. Pa përçmim për kazmën e bekuar bukëdhënëse, ky liderth fjalëkotë e me hijerëndesë të stisur, ashtu duhej të ngryste orën e tij. Sepse, ajo e ai, të ndarë padrejtësisht, rivendosën lehtësisht dhe përplot emocione e ngrohtësi, marrëdhënien e prishur të mirëkuptimit, si mes dy të njohurish të vjetër. Statura e palëmuar e tij, përdorimi i veglës, gjuha burimore, mandej dhe ashpërsia finoke e saj (as ajo s’krenohet dot për elokuencë) e, pse jo, nevojësia kontributore – a nuk jepnin mallëngjimin e djegshëm dhe harmoninë e përkryer? Lamtumira e tyre aksidentale kje një mëkat, një rrëzomë pasojash largvajtëse për Republikën e mosvarme…Ato ndihen gjithkund e do të krusmojnë më shumë, vdekshëm më shumë në kohët që vijnë!
Se, gjithësesi i lig është kaptimi, tashmë i kryer, i udhës së matanshme: sfida e vizionit dhe moralit, është, thjeshtë, e papërballueshme për të a tipologjinë e shartuar të llojit. Madje dhe ëndërrliga e kamjes prrallore apo shndrizës meteorite, nuk bëjnë një ngushëllim të paqëtuar. Kosova, sado e vogël dhe e vetmuar, i ka duruar gjatë, por ka ditur ti mallkojë përjetë sundtarët e zinj.
3.
Por, jo! Ekuilibrat janë përmbysur.Thënja e Niçes se kudo që ka një luftë, ajo është luftë për pushtet, sikur gjen në këtë copëz të ishulluar mbrapsije, pasqyrimin dhe dëshminë e vet të mnertë. Kështu ishte gjatë, këputshëm gjatë. Janë ndërruar sundtarët, por pothuaj gjithçka vulosej prej të drejtës së mujshisë verbtane. Shqiptarët vetë i përfaleshin fuqisë dhe përtallnin dijen, magjinë e saj çliruese. Nuk patën dhjetë shekuj inteligjencë (Kamy) që të mësonin artin e barasvlerësimit ekzistencial mes forcës dhe njohurisë. Ndaj, mendtarët nuk i lënë as të vdesin denjësisht, ndërkohë që “trathtarët e kazmës” bujare dhe, më pas, të vetë idesë së shtetit, rrëmbejnë parësinë e keqsundojnë!..Harbohen në ethe triumfi me përkushtim shtinjak për punët e mëdha, ndërkohë që kanë vënë në furrik favoresh klanësit e shumtë, e s’dinë a s’duan të kenë imagjinatë dhe ndjesi detyre për statusin e njeriut të vogël, atij që u kalvaros netësh bizantine, e përulet sërish…Pikërisht kështu portreton Enciklopedia e britëve ballkanësin tipik, të shplarë në ndërdymjen groteske: servil ndaj eprorëve dhe mizor ndaj vartësve. Përveç kësaj amze gjallimi, titullari i epërm politik i Kosovës, gjithnjë i dyzuar, ka dhe suplementin vendar, këtë ndajshtesë t’rrallë të hipokrizisë përfekte. Është viktimë e dyfishtë e shantazhit rrënues: me hipotekë faji para të huajve dhe, si pacient kronik i tyre, shantazhues i pamëshirë ndaj të vetëve.
A do ta iluminojnë atë ciklet e normalitetit elektoral dhe kur? A mund ta krijojë një format të emancipuar politik, pararendësi, mentori i tij vulgar, vjedhës e vrasës? Që vulgarizon miljeun social dhe vjedh e vret të ardhmen e brezave të pafat? Vështirë! Ata, (me pak besë të vakët tek kauza e Vetëvendosjes) fosilë nga të gjithë ngjyrat e distinktivët, riqarkullohen në rreth të mbyllur. Kultura e munguar e ndëshkimit dhe teknologjia plutokratike e pushtetësisë, i mban në bashkëjetesë nga një alternancë në tjetrën, deri në lodhje. Deri aherë kur një ftomë a rrëfe e botës ti marrë në pakthim. Po ky është një ngushëllim i vogël. Stuhi të tilla rrokullisëse nuk ndodhin shpesh dhe, fundja, përse duhet vetëvuajtur me gëzim në pritje qindvjetësh të rinj?
Ndonjëherë ndotësia shihet më qartë prej distancës, por zgjedhja është prore autoktone. Ndërkaq, frymëzimi i largët frëng gëzon, tashmë, statusin e shkollës që ka dhënë provën e parrëzueshme të kthjelltësisë.
Të luftosh të keqen jashtë teje dhe, poashtu, atë brenda teje, nuk është e njëjta gjë, por caku a epilogu është gjithmonë ai: qenja i lirë! Kjo e dyta, madje, është poaq e lartë e sublime. Rrezja e reflektimit civil, e dyshimit të paprerë, pa drojë e lëkundje, për despotitë nacionale, janë fryma e gjallnisë ndanë trishtimit të vetëkalbjes. Aroma e jaseminit nuk përhapet dot përballë erës, por ajo e virtytit shkon dhe kundër saj, deri në skutat më të errta të Rruzullimit, (fliste Buda) e, unë, teksa lexoja në një revistë berlineze titullin vëmendës që përshfaqte merakosjen e bijëve të këtij Dheu të madh:” Europa duhet ta konfirmojë vlerën e saj, ndryshe, do ta kapërdijë thithka globaliste”, shprehja çudinë sesi e gërryejnë krijesën vetiake elitat kosovare dhe, njëkohësisht, sesi relatorët e specializuar, i prezantojnë të poshtëvënët e tyre me shkallë të zjarrtë optimizmi e lumnie!
Mitet e besimet e lashtë, shpesh diktojnë sjelljet mondane. Mbase punë boshe, por biles, meriton nder e përfillje, përpjekja për mirë e fatësi. Një bestytëri kineze, Fengshui, parathotë kob kur Shtëpia ngrihet me portën në drejtimin e gabuar. E, me gjasë, Porta e Kosovës është vënë andej, nga nuk e hapin dot rrëshqanorët e kohës sonë…
Ajo lëngon për gjak e dritë të re. Megjithë interesin për aleancat jetike, asnjëra syresh, as drita as gjaku, nuk gjenden jashtë truallit arbënor. Janë aty, bimësi e parë e fillimjetës!..
“VENDI I DYTË I HUMBËSIT”
(Një fitore e vetëvuajtjes heroike)/
Nga Rexhep KASUMAJ/
1.
“Mbaje mend mirë biri im, vendi i dytë i përket humbësit”, i thoshte në fillimvitet 60-të i ati Xhosef, pasunar e diplomat i shquar, Xhonit të ri, që i kishte hyrë betejës e gatitej të fronsohej në Shtëpinë e bardhë! Dhe punët do rridhnin ashtu që (diku me votën rregullare e diku të trafikuar nga Monro e Sinatra nëpër kazinot e tymta) ai t’ia dhuronte kundërshtarit politik vendin e të dytit, e pra të humbësit deshpërimtar.
Saherë reflektoj për sprovimin elektoral të vullnetit politik në Maqedoni, më pëlqen ta rievokoj, si një çelës të artë, këtë mendim të vyer të emigrantit irlandez. Urtia e plakut të Kenedëve, s’do të dëshmohej e njëmendtë vetëm në Amerikën e largët. Më dramatikisht se atje, ajo do t’nxënte jetë në Ballkan, ku vendi i humbësit nuk është vetëm politik e personal, por, mbi të gjitha, jetik e kolektiv. Atje, e shumta, do të shuhej një karrierë, kurse këndej në arenën e ashpër të mbijetetesës historike, prishen përjetë fatet e vogla në stuhinë e kohëve të mëdha. Madje, ndërsa nëvojat komunitare në shoqëritë e lira, kanë një dimension e interpretim tjetërsoj, kryesisht rivandikues e individual – në hemisferën e mugët përplot “hazjajinër” të idolatruar e shpupuritës, çdo përplasje cënon djegshëm vetë ekzistencën e tij: gjëndjen dhe ardhmërinë e tejandejme!
2.
A do gjente, vite më pas, truall e kuptim këshilla proverbiale “për vendin dytë humbëtar”, në atdheun e Ali Ahmetit, si ka qejf ta quajë ai me dedikim përulës Maqedoninë? Absolutisht! Veçse me një të lehtë ndryshim: këtu humbësi nuk përjeton blamazh publik a demisionim të justifikuar – por glorifikohet si triumfator! Si ngaherë, në një ornament oriental, ranë e jehuan këmbanat e fitores në njërin dhe u zymtuan dritaret e mbyllura në kampin tjetër. Po kush kje fitimtari i lumtur dhe cili humbësi i pikëlluar? Pyetja duket e palëndë sepse kjo ndarje rolesh nuk është aspak klasike: humbamanë të vërtetë janë krejt bashkë! Që nga agu i shumëpartisisë, ata do të mundnin alternativisht njëri-tjetrin në orët e farsës zgjedhore, por të dy, për vetë kundrimin kryeposhtë të gjërave, do të dilnin përgjithmonë humbës!.. Natyrisht, efekti i “fitoreve humbëse” do t’ishte i keqvlefshëm veç për votrat politike me ndjekës, ithtarë e vdektarë të thjeshtë në fatamorganën e lirisë! Kasta meskine do ti shijonte fort favoret pushtetare, legalisht a dorëfshtësisht, ndër vitet e balsamit që pikon vajtueshëm nga Shkronjat e gjakosura të Ohrit. Mirëpo mrekullia libertare, ajo fitorja e ëndërruar që pajisë me fuqinë e vetëvendosjes, nuk do të ndodhte kurrë.
Ç’mjerim! Fitimtari, edhe kësaj here nga radhët e Integrimorëve të ekzaltuar ahmetjanë, ngjan, prandaj, iluzorisht i tillë: një levë e mirëmbrehur në përpjekjen për të mashtruar si turma altari elektorët e shkretë, po duke rënë ngadalë dhe viktimë e besimit të gënjeshtrës së vet. Në fakt, Ai, dashnori i përbetuar i koekzistencës (që nëse s’do të mbruhet një ditë n’politikë – si parashikon naivisht B. Blushi – do të ngjizet në shtratin bashkëshortor) ka fituar, ndaj, vetëm kundër shqiptarëve të krahut përballës, kurse ka humbur keqas në raport me bllokun e sllavëve, të rrjeshtuar në armiqësi e përçmim. Ndërkaq, kriter, masë reale e fitores dhe, pra, çështje e të gjitha çështjeve nuk është kurrësesi mundja e shqiptarit, por mposhtja e sllavit. Një mposhtje që do arrinte njëjtësinë e baraspeshuar mes korpusit etnik dhe votës së ligjëruar në shkallë të vendimmarrjes paritive në Kuvendin qendror, atje ku akoma ndjehet tehu a prapaskena e teatrit bizantin!..
Por, jo! Prijësi i tipit të mbetjeve sovjetike zonash të iruna kaukazjane, por që, për origjinalitet, ngërthen dhe veçanësi stili autoritar (nuk merr poste, si kudo në botën e qytetnisë, po tërheq fije nga thellësia e errtë mistike), gjëndet prore andej: në anën tjetër të arsyes së lartë të shtetit dhe pozitës së brishtë të kombit! Po si? Ja pra: në mënyrë të suksesshme e besnike ia del, tash sa vite, të mundë shqiptarin dhe të disfatohet nga rivali sllav. Ky është përfundimi dhe asnjë stoli a sofizëm terminologjik nuk e rrotullon dot. Poashtu ky është motivi i ngrohtë i mburrjes çekulibruese dhe i vetëdehjes snobiste në mejhanet e intrigave provinciale. Një skemë trishtuese që, duke pasur në magmën e saj paedukatën kombëtare dhe padijen monumentale, i ka rezervuar stoikisht popullit shqiptar i cili bën gjysmën (në mos më tepër) e banorësisë maqedonëse, një vend përpjestimisht të poshtëm, tepër të poshtëm: vëndin e dytë të humbësit, të një humbësi tragjik!
Ky status lexohet edhe në prekjen e përditshmërisë edhe në strategjinë e afatgjatësisë: në rangimin konstitucional, në të drejtat politike dhe në emnesën shtetërore. Në rangim – sepse sllavët rezultojnë gjithnjë bartës unitar të shtetësisë, e shqiptarët spostohen “ndër të tjerë”, pastaj në të drejta – sepse, civilisht e nacionalisht, bashkëvendësit e Ahmetit, këtij këmbëputhësi të sllavomëdhenjëve artificialë, janë të nënshtruar dhe, së mbrami, me emërtimin sepse sllavët, duke arnuar biografinë e rreme etnike me copëza të vjedhura, i kanë dhënë nocionit gjeografik atribut të nyjëtuar kombëtar, kurse shqiptarëve, nga ana e tyre, u mbetet veçse pozicioni i një bashkësie të huaj minoritare në trojet e tyre autoktone që nga mbamëndja njerëzore.
Janë infantile a spekuluese teoritë se këso udhe ushtrohet vlera mondane e demokracisë multikulturale. Asaj kanë filluar ti tundin fletëvdekjen dhe në Europë. Para ca vitesh pati një debat të ethshëm gjerman mbi “Leit-kulturën” dhe përparësinë e saj ndaj kulturave dytësore të ngulimtarëve të vonë. Për dallim nga përvojat europianiste me emigrantë, këtej kultura e maqedonësve sllavë, anise inferiore në objektivitetin historiko-etnik, pretendon sipërinë duke prodhuar e ushqyer, ashtu, segregacionin brutal ndaj mbipranisë së rrënjësve shqiptarë. Çdo lektyrë shkollore e fushës shpjegon se segregimi e demokracia e bekuar nuk takohen e s’kohabitojnë dot asnjëherë. Është kjo dyta që, si një formulë, tretet në bizhu falsiteti të neotiranisë! Nuk admirojmë qasjet etnofauliste (si ajo e Miss Durhamit për ta), por shtrëngohemi të kujtojmë se sllavët maqedonës nuk posedojnë as resursin e as legjitimitetin për këtë hierarki tabelare që shtynë shqiptarët drejt fundit të saj!..
3.
A bëjnë, vallë, shqiptarët rezistencë, luftë e parlamentarizëm me një të vetmen yshtje e bilans, mundjen edipiane të vetëvetes? Ndërkohë që maqedonësit sllavë organizohen në principin e rrezikut shqiptar, këta vetë, për çudi, pa kultivuar maturisht një kauzë të ngjashme simetrike, organizohen me një perfeksion negativ poashtu mbi rrezikun, tashmë brendashqiptar! Ideja politike është shmagjepsur fare dhe, në leckërinë e saj, ngrihet kulti i pushtetit të kuotës së mëshiruar! Dhuratë më danaike s’mund të prisnin flamujt e krekosur të renesancës folklorike sllave në ngasjen për të asgjësuar vendarët e hutuar dhe për të pronësuar territoret e tyre të lashta! Dhe ja akti dëftues: Ngadhnjysi mbi njeriun e vet dhe rrëzimtari i përulshëm në pragun e njeriut sllav, shpallet krenueshëm kurorëmbajtës i lavdisë! Një krenari mizore që endet shesheve të injorancës me përkushtim kopshtari të devotë për ruajtjen e “mëkatit të zanafillës” që pat përcaktuar nismërisht natyrën e kësaj tampon-sajese të ndërgjegjes robnore.
Marrëzi, oh ç’marrëzi që përtall kulturën elementare politike dhe trondit themelet e kodit moral kombëtar! Njëj gjirizi të tillë ndotës mund të prehet vetëm shpirti i çoroditur politik shqiptar, që, si do thoshte Niçe, feston ende saturnalet, këtë orgji të dhimbshme të vetëvuajtjes heroike!
PRANGAT E LAVDISË
(Obama e Demaçi në peshoren krahasimtare)/
Nga Rexhep KASUMAJ/
1.
“Zoti krijoi luftën që amerikanët të mësonin gjeografinë”, pat thënë njëherë i shquari M. Twain, mendim shpotitës që do t’më kujtohej, ashtu vetishëm, ndërsa bëja një shkrim mbi betejat e Amerikës për Europën e lirë në qindvjetin e fundit, këndvështruar nga Siujdhesa sfidante e Krimesë. Ndonëse Hyu ndërmjetësoi mënyrën, më i pushtetshmi burrë i Rruzullimit, me gjasë, nuk del ta ketë mësuar atë mirë.
Natyrisht, s’i bëjmë apologji aventurës beliciste vetëm për protagonizëm historik, por sërish, sikur nuk shqitet shtysa kryeneçe e një pyetjeje: Përse? Në kërkim të shpjegimit nuk e di pse do t’më fanitej një koinçidencë rastësore, një analogji segmentarisht e pazakontë, mes dy personalitetesh, poashtu, të pazakontë: Adem Demaçit, shqiptar i kulluar dhe Barak Obamës, amerikan i natyralizuar.
Krahasimi, ndërkaq, nuk i referohet formatit, jetëshkrimit a prejardhjes së tyre. Është tjetërgjë që, anise në realitete të pangjashme, shenjëzon paralelen interesante: diadema e lavdisë!
Çmimet, rëndom, jepen aposteriori për kulmet e arrira të laureatit në art, shkencë a politikë, dhe kurrësesi për paragjykime pritmërish, me shpresën e rezervuar se të përzgjedhurit do ti justifikojnë ato, duke kryer veprën sipërane dobiprurëse për njerëzinë e munduar.
2.
Dhe, pra, ndërkohë që Demaçi gëzonte kryehershëm lavdinë, Obama, nga ana e tij, do t’rrekej ta shijonte pjalmin e ardhshëm të saj. Po, njëkohësisht, ata do t’kenë të njëjtën amzë hapërimi: i pari duhej ta shfytyronte portretin e idhullit glamuroz, për ta konfirmuar revidueshëm në trajtë e vlerë tjetër, kurse ky i munxosuri i dytë, duhej ta pasmeritonte famlartin atribut, duke zbaltur hullinë e pararendësve të tij zulmmëdhenj.
Ndaj, për t’ua lehtësuar mundin, do të pajiseshin me ftohmën e gatitur nga mjeshtër të hollë të zejes dinake: njëri në mes të udhës së largët, e tjetri teksa hidhte çapin e parë në formatin e fuqisë eprore të “amerëve”, pa vrujimin e së cilës, jeta në këtë Planet do t’ishte më e padrejtë dhe e trishtuar!
Mëtej, nëse Demaçi do t’stolisej me shndrizën verbuese për një kauzë të milituar gjatë, dhimbshëm gjatë – Obama do të parzmohej njëj vezullimi lëbyrës, paraprakisht, ante rem, me të shkelur pragun legjendar të Shtëpisë së bardhë. Mirëpo, megjithë ndryshimin, komparacioni s’e humb aspak saktësinë. Shtigjet e të dyve, njërit e tjetrit, do të takoheshin prore ndër kumte njëjtësore në milje e kohë të ndryshme. Udhëzimet nuk ishin të shkrojtura, por, si mësimet rendeve të fshehtë ezoterikë, merreshin sugjestivisht e me besë të padhënë. E ato sikur parathoshin pa fjalë, se teksa njëri duhej të mekej në arenën e jashtme, tjetri, për fatin e pamirë të atyre që e kishin glorifikuar ndër vite, do të gozhdohej – edhe brënda edhe jashtë!
Njandej, Obama do të nobelizohej, jo për të bërë, veçse për të kundërten, për tu plogështuar keq: për tu tërhequr, gati, nga të gjithë imenjimet ku Amerika e tij mbronte veten apo principe e liri të nëpërkëmbura në skuta të errta të botës. Ridefinimi i përparësive strategjike nuk është çelësi i duhur i bindshmërisë. Pretendimin e dëshmon, fjala vjen, dhe njëlloj shkrehjeje e ndjeshme për Kosovën, të lënë nën këmbë europianësh që, duke lëmuar Belgradin, synojnë tejndërtimin e organizmit komunitar heterogjen, në dëm të substancës sovranësore të saj. Pastaj a nuk e provojnë këtë, poaq, tërheqja e shurdhër nga instalimi i “Ombrellës” raketore në Lindjen e vjetër, recidivi kubanez, Palestina e braktisur a irlandezët e harruar?.. Si për të parashestuar afrinë, Asambleja e Europës do t’a naltçmonte më herët Demaçin me njohjen Saharov, poashtu, jo për kazamatet serbiane (sepse asnjëherë gjatë moteve të dergjës së tij nuk e çeli njëherë të vetme gojën), pra jo për atë që kishte bërë, por për atë që pritej, ngashnjehej e duhej të mos bënte. Lufta është nxënje e lirisë, pohonte Niçe tek i shpallte gjëmën altruizmit njerëzor, porse çmimi e cythte heshtur që, në rastisi t’vepronte, aherë ta vijonte shtruar, paqësisht dhe, madje, vllezërisht me pushtues, rrugëtimin e lirisë së nacionit të tij t’sfilitur.
Dhe zotërinjët kjenë qetësuar: i kishin vënë medaljonin e gravuar që i hapte enkas (si Obamës së tevonshëm) dosjenë shifrore me sqarimin specialistik: i trajtuar, i parrezikshëm! Pasandej, kur vrulli i ngjarjeve që rimën tokën n’gjak, do ta linte anësh, ai do t’ngutej për tu bërë pjesë e tyre, veçse trivialisht dhe rrëmueshëm. Ende ruhet si një përhitje pikëlluese njoftimi uratar dhënë medias franceze, se si milicia serbiane i pat trokitur në portë, por me dy-tre fjalë ishte marrë vesh (sa e kulturuar paskësh qenë kjo falangë!) dhe ajo kishte vajtur në punë të vet!
Obama, tutje, për ta denjësuar shpërblesën e Oslos (veç recesionit ekonomik që, mbase, mund të jetë dhe fatalitet konjukturash globale), do të përshfaqte proliksitet, indolencë dhe mangësi imagjinate a vendosmërie prijëse në vend e jashtë tij. E kjo, gjithnjë me urdhërin e padiktuar çmimor, do të ndikonte ringjitjen përballëse të “armikut numër një” (si e quante Romny Rusinë e Putinit të hallakatur), për riskicimin e sferave interesore në shkrepje nyjëtimesh ndërkombëtare. Mandej, posi Obama i dyzuar, Demaçi duhej të mos lëvizte, aq më pak fortësisht, po të prehej e tretej në midisnajën e hiçit. A nuk pat rezultuar, njëmend, kështu? Përfillte athua zotnisht e me ritual kalorsiak, emblemat e një konstelacioni politik të posangjizur në fillim të 90-tave, apo abstinenca vinte nga inspirimi nguctar i Strasburgut finok, gjysma e dytë e emrit të të cilit, për simbolikë, ishte burg, një pasqyrim i trishtuar i gjëndjes apokaliptike që jetonte populli tij rreth 100 vjet?! Sidoqë ta shohësh, njandej mpikset ky përfundim dyshimtar: do të deklamonte ai, po në këtë frymë, ose Ballkaninë, si sajesë reintegruese me sllavë, të porositur pa letër e traktat nga rrezja saharovjane ose, e shumta, një rezistencë të kadifenjtë që, si e shpjegonte vetë, do ti ngjante brumit të bukës! E pra, as luftë kryengritëse e as memecëri nënshtrimtare: një asnjanësi amorfe, kronike dhe e pashpresë!..
Pastaj, brënda kësaj logjike, udhëheqësi i fuqisë planetare, Obama përherë i sprapsur, do të hidhte në Kuvendimin fillimtar të Kajros tezën kthestare, se Amerika nuk do të eksportojë më “revolucione demokratike” për të zbardhur “gropat e zeza” të rrokullisë. Për çudi, i zënë nga shndriza e dafinës, edhe Demaçi kishte eksponuar po këtë filozofi, që tani adoptonte pasvajtshëm dytësi i tij i madh. Në mbarim të kapitullit të përgjakshëm të Luftës, si një pasthënje e saj, do të pohonte zhgënjyeshëm për shtypin boshnjak se ne (dmth banorët e “gropës së zezë ballkanëse” që atij i vegonte hijadhë si qelqëtore lulesh), do të kishim gjetur vetë, pa përzierjen brutale të armëve liriprurëse atllantike, formulën e koekzistencës së rinuar. Me serbë e sllavë të tjerë të jugut, natyrisht!
Së mbylluri, për korrektesë të peshores, nuk shmanget dot vlerësimi idhnak se, mes të dyve, si një lavjerrës moral, lëkundet një ngushëllim i pahir: duke i shkuar Obamës, ai sikur diferencon thellë duarlidhjen e tyre. Atdheu i tij, kur ai mori primjen, ishte i lirë dhe, gjithnjë sot, mban epitetin krenar të tokës së premtuar. Ndërsa Demaçin, kur ai do shkëputej nga terri burgëtar, e priste Kosova, një vënd i vogël e i robnuar egërsisht, diku në Juglindjen e harruar dhe zymtore të Europës.
Ja, kështu, krejt origjinalisht e pa seanca të rëndomta depersonalizimi, do ti përpunonte kurora dehëse e Çmimeve largndikuese të madhështisë: Barakun, shtetar cakhuqur e aksidentar dhe Ademin tonë, tribun difuz e pendestar!
3.
Kam dëgjuar e parë shumë burra të nderuar që janë satisfaksuar për veprën, sakrificën apo flijimin e bërë, me çmime prestigjioze, por dhe ato, në një mënyrë, janë fisnikëruar vetë me emrin a krijimin elitar të tyre. Mirëpo për protagonistët e kësaj skice, me gjasë, do të ketë ndodhur e ndryshmja: Saharovi e Nobeli, këta korifenj të pafaj të shpirtit të lirë, do të bëheshin, në fakt, pranga, prangat e rënda të tyre.
REPUBLIKA E MBIKQYRUR?!
(Një moskuptim i përsëritur)
NGA REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
1.
“Ah, sa bukur po digjet zemra e këtij qyteti të lashtë”, pëshpëriste zëshëm e gjithë gëzim Arthur Harris, gjenerali i aviacionit mbretëror britanik që, në fror të vitit 1945, dha urdhër të bombardohet Dresdeni, një ndër qytetet më kulturore të Gjermanisë. Dhe s’do ti bëhej kurrë gjyq barbarisë tij smirzezë ku gjetën vdekjen rreth 30.000 njerëz, në çastin kur metropoli hitlerian, tashmë, ishte thyer e kapitulonte. Bhy 6, Do të evokoja këtë dromcë historie, i përnxitur nga ideja e një gjykate të paralajmëruar speciale për Kosovën që përhihet në horizont. Ajo, për mirë a keq, do të ngrihet dhe shqiptarët, të pandehur e dëshmitarë, do kalojnë nëpër bankat dhe përballjen e saj. Në fillesën e këtij pohimi, ndërkaq, nuk qëndron assesi logjika e fajpranimit apo e qyqarisë që sikur do sugjëronte: le të ndodhë ajo që s’mund të sprapset dot!
Nisma është, gjithësesi, e rëndë, racialisht mosbesuese dhe revansh i fuqive të errta të Europës së nënujshme. Por ajo, si një prurje e mirë dytësore e fatkeqësisë, së paku do të provojë dy gjëra fundamentore: ose fiktivitetin e pretendimeve penale – e aherë do shplahej përfundimisht fytyra kolektive e shqiptarëve nga përshkëllima e shpifur ose ndëshkimin e krimeve reale – e aherë ata do të bënin tutje, por pa peshën frenuese të tyre në ndërgjegje a në shtetndërtimin e emancipuar politik.“Unë nuk dua asnjë lloj madhështie për vëndin tim, nëse ajo është prej gënjeshtre dhe gjaku të pafaj”, i shkruante Kamy mikut imagjinar gjerman gjatë ferrit që pat pllakosur Europën në messhkull, etikë e çmuar që mund të transponohet fare mirë dhe në hullinë e lirisë.
2.
Megjithatë, në qarkullim të ligjshëm mbeten dy pyetje të vështira e me përgjigje të pazot. E para, një Instancë drejtësie për krime lufte në ish-Jugosllavi, pra edhe për Kosovën, vijon të jetë ende mandatplotë. Në filtërin e saj defiluan mundimshëm shqiptarë që, përpjestimisht me banorësinë e përgjegjësinë, kjenë më të shumtë se ndër të gjithë fiset sllave. Po të quhej e nëvojshme ata do defilonin prapë dhe për hiret e Dick Martyt spekulativ. Ndaj, përse tani ky institucion i posaçëm gjyqësie për shqiptarë? Dhe e dyta, në mbyllje të Luftës së mbramë botërore, nuk pati një “Nyrnberg” të përzier shumëpalësh dhe as dy të ndarë e të veçantë: një për okupatorë, pra për Hessin e projekteve të shfarosjes, dhe një tjetër për çlirimtarë, pra për britin Harris apo për partizanët e qendrestarisë franceze. Kishte, logjikisht, një të vetëm: për shëmtinë arianiste!
Tragjika që shkaktuan serbët në Ballkanin perëndimor dhe përmasa e ndëshkimit ishin krejt asimetrikë. Meqë kjenë të njëllojtë për kauzën, a pati si për nacistë, një “klauzolë faji” dhe, prandaj, një “Nyrnberg” vetëm për idenë marroke të shtetomadhësisë dhe epërsisë së gjenit sërbian? A u formua, poashtu, një Komision defashistizimi që do të bënte spastrimin e shpirtërave të helmuar me dogmën groteske të “popullit qiellor”? Dhe a do të pasonte, mandej, ndalesa e forcave politike që parashestuan e nisën marshin e përtritjes së “shekullit të artë”serbian? Ai ishte i përbashkët (okupatorë e çlirimtarë) kurse frymësia e programeve ekspanduese gjallon ende fort, përfaqësuar gjithnjë nga partitë që, aherë e sot, i prijnë Sërbisë! Që këtej, sado vogëlsore të ngjajë, sikur nuk shmanget dot hatërmbetja për njëlloj dileme imorale të Europës: e rëndon, vallë, më shumë brejtja e ndërgjegjës për krimet serbe apo pendesa për dënimin e tyre?
Në Kosovë, ndërkaq, gjithçka rrjedhon ndryshe. Matet e ç’matet mijëra herë. Megjithë vonesën historike dhe vargun e pakëputshëm të të zezave, peshorja kurdiset me një delikatesë e përpikëri të lodhshme. Ndërkohë që për anglezë, pastaj amerikanë që behën nga përtejdetet, degolistë të Frontit fisnik të Rezistencës a për rusë që rrafshuan egërsisht tokat e lulëzuara pas dorëzimit gjerman, nuk pati asnjë tribunal – për shqiptarët që iu përfalen po këtij ideali dhe po kësaj të drejte, ka dy të tillë: i pari në Hagë dhe tash kjo pasrendësja e posaideuar, me selitë alternative dhe misionin e turbullt. E mendonin të mbyllur periudhën adoleshente të mbikqyrjen së pavarsisë, po, me sa duket, paskësh qenë veçse një farsë abrogimi i saj. Survejimi dorëfshehtë i krijesës së brishtë vijon në formë e format tjetër, sikur shqiptarët të jenë trollëzuar gabimisht a idhnakësisht në hapsirën ku zënë n’thua të gjithë!..
Do të ishte e mirëpritshme përndjekja e krimit, politik e ordiner, të pasluftës që ka kërrusur shumë qenien kombëtare, gati në kufi të ekzistencës. Rikëndellja nga plagët e tyre do të përjetohej si një çlirim i dytë, i vërtetë i Kosovës. Këto, e jo të paprimet e luftës që, ndonëse nuk pati presedan e as praktikë, sërish u lustrifikuan në proceset maratonike të Sheveningenit, duhej shenjuar si e keqja megashtegtuese e Kosovës së lirë. Jurisprudenca kosovare për shkak të mendësisë së trashëguar, kulturës së munguar dhe armaturës mafiokratike, nuk mund të vënte dorë të mbarë mbi asgjë. E ç’punonin, prandaj, drejtësiprerësit e zhurmshëm europianë (“Eulex”) për të zbardhur, pakësuar a pastruar ato? Apo, ndoshta, kjenë të zënë me statusin e Republikës dhe bënin politikë? Më keq akoma: mos, vallë, u bënë dhe vetë pjesë fijesh të tyre? E krejt së mbylluri: athua dhe Gjykatorja speciale të ketë përbetimin thelb e shtysë të pikësynimit të saj?
Njëmend shumë nga titajt e moteve paskolonialiste, luftëtarë të devotë të dikurshëm a figurantë uzurpatorë të legjendës së saj, janë inkriminuar, deri animalizuar keq dhe ngujimin e tyre pas grilave nuk do ta vajtonte kush. Por dyshimi (ah, dyshimi sokratik) për lojën e madhe, në të cilën, pasi tashmë Krimeja ndërroi zot, rikonsiderohet roli i djegur hegjemon i Sërbisë së kreshpërosur, lë shijen e një zhgënjimi të hidhur. Mbase përligjet, kështu, një raport, në dukje simbolik, por që dërgon larg fillin e pasojave të pallogaritshme për Europën vetë: vrasësi thirret të ngrejë ballin lartë e të ndjehet krenar, kurse viktima e tij të ulë kryet e të ndjehet me turp. E drejta e saj natyrale e lirisë kthehet, ashtu, në kundërvlerë, në atribut ilegal e të papërkitshëm me substancën etnike dhe konfigurimin gjeopolitik që lëviz e përvijohet vazhdimisht!..
Por ja, kështu duket, gati si e shkruar: shqiptarët nuk kanë një dalëzotës që, me prirje e orientim aleancash armiqësore ndaj Europës, të shantazhonin interesin e saj jetik. Janë europianistë të kulluar dhe s’kanë ku të venë. Ajo e di këtë, ndaj, veç inercies së vjetër, kjo është arsyeja që në sferat e epërme komunitare nuk vërehet një ngut për ti qasur, për ti nxjerrë nga rezervati kënetor ku janë zhytur e mbytur. Në ftoma të kalesës, mes tyre dhe saj, ka pasur shpesh marrëdhënie e përkatësi natyrshmërie, po jo rrallë dhe moskuptim të thartë. Do t’ishte fatale për të dytë, sikur ky i fundmi të hidhte sërish pëlhurëzën merimangëse të tij…
R.Kasumaj/ Berlin, prill 2104
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- 11
- Next Page »