Shkruan:Dr. Enver Bytyçi/
Një paraqitje në një televizion serb i kryeministrit tonë dhe kryeministrit të Serbisë më nxiti që të thellohem në analizat e mia rreth politikës së jashtme të Shqipërisë nën sundimin (qeverisjen e dhunshme) të rilindjes. Me herët, para disa muajsh, kam shkruar se diplomacia shqiptare është në kolaps. Duke mos i hequr asnjë presje asaj që kam shkruar atëherë, ngjarjet dhe zhvillimet e mëvonshme, deri më sot, më çojnë në përfundimin se diplomacia shqiptare mund të quhet pa frikë diplomacia e lidhjeve miqësore midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç. Për pasojë mund të konsiderohet si poltikë e diplomaci e paternalizmit me institucionet e shtetit të Kosovës. Më tej akoma si diplomaci e mënjanimit të autoritetit, sovranitetit dhe përgjegjësive të politikës shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës e Mal të Zi. Më tej akoma, si diplomaci e shërbimeve të panevojshme ndaj politikave dhe pozicionit të Serbisë në rajon. Dhe në përfundim: Diplomacia shqiptare e sotme i ngjan diplomacisë se viteve të mjaltit në marrëdhëniet midis Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Josiph Broz Titos e Aleksandër Rankoviçit. Madje dhe simbolika është shpallur si e tillë, kur thuhet se pas 70 vitesh kryeministri Rama dhe kryeministri Vuçiç shënuan historinë. Shkurt dhe qartë, diplomacia e sotme e zotit Rama është thjesht rikthimi në diplomacië e karficave të diktatorit komunist në periudhën 1944-1848.
Në parantezë dua të them se nuk ka asgjë të keqe që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë të shkojnë drejt normalitetiti. Por është asimetrike që diplomacia jonë të shndërrohet në një diplomacy ndihmëse e diplomacisë serbe, aq më keq akoma, të vihet në shërbimin e saj. Kjo është e papranueshme në çdo rrethanë. Do të duhej të kishe një eksperiencë familjare ose një dëshmi të këtyre marrëdhënieve në fshatin, krahinën ose rajonin tënd, do të duhej pra të mbartësh një sentiment bazuar në eksperiencën tënde e të brezave, që të merrje vesh për atë çfarë përfaqëson Serbia për ne shqiptarët. Fatkeqësisht ky kryeministër nuk ka patur shansin që të kishte një eksperiencë të tillë. Ai emrin e Serbisë e madje edhe të Kosovës e ka mësuar thjesht nga librat shkollorë. Prandaj ai e zhvillon diplomacinë e shtetit shqiptar me shtetin serb në të njëjtën hulli si edhe diktatori Enver Hoxha . Ai na ka rikthyer te sllogani i “Vëllazërim-Bashkimit”, sllogan që u shërbeu komunistëve serbo-jugosllavë dhe atyre shqiptarë të fundit të Luftës së Dytë Botërore të imponohej me forcë bashkëjetesa e shqiptarëve me serbët në ish-Jugosllavi. Pasojat e këtij imponimi janë tashmë të njohura: Rreth 40 mijë viktima shqiptare u asgjësuan asokohe nga makineria ushtarake serbo-jugosllave në ballafaqimin midis teorisë së “Vllazërim-Bashkimit” komunist dhe përpjekjeve të shqiptarëve nacionalistë e patriotë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Sot kohët kanë ndryshuar. Edi Rama po kërkon që “Vëllazërim – Bashkimin” e shqiptarëve me serbët ta imponojë përmes një paternalizmi, madje përmes injorimit absolut të institucioneve të qeverisjes së Kosovës. Taktikisht zoti Rama veproi me shumë dinakëri. Ngjarjet ne stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes së kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë më 14 tetor të 2014-ës, si dhe sjellja prej “nacionalisti” e kryeministrit tonë gjatë vizitës së tij “historike” në Beograd disa javë më pas, duket se kanë qenë një inskenim në marrëveshje midis dy shefave të qeverive të të dy vendeve. Në këtë rast kam shkruar se të dy kryeministrat kishin nevojë për mbështetje dhe kredibilitet te bashkkombasit e tyre. Prandaj plasën “bombën” me dronë e ultimatum reciproke të mirëkurdisur dhe mirëplanifikuar nga ekspertë të llojit Baton Haxhiu, me qëllim që Ramës t’i shtohej kredibiliteti në Kosovë e në Luginën e Preshevës, ndërsa Vuçiçit t’i rriteshin kreditet nacionaliste në Serbi.
Sot të krijohet bindja se kjo mënyrë e shfaqjes politike të të dy kryeministrave i ka shërbyer disa qëllimeve bazë:
Së pari. Vuçiç synon që të rritë mbështetjen e BE dhe SHBA-së në ambicjet e vendit të tij për ta penguar ose dëmtuar sa më shumë procesin e stabilizimit të shtetformimit në Kosovë e njëkohësisht të mos pengohet në rrugën e integrimeve europiane. Ai, mbasi udhëhoqi së bashku me Milosheviçin fushatën e shfarosjes së shqiptarëve, është thirrur në diplomacinë e tipit “Mishit ë piqet e helli të mos digjet”, pra Kosovën ta mbajmë të lidhur në çengelat e Beogradit dhe integrimin ta realizojmë sipas programit. Miqësia me Ramën i shërben atij për ta shitur pa pengesa formulën se “Ne nuk kemi asgjë me shqiptarët. Po të kishim diçka të tillë, atëherë nuk do të kishim këto marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë”. Prej këtej për ta bindur Europën se “Serbët janë engjuj, ndërsa shqiptarët në Kosovë janë të pabindur, dmth djajtë, ata që kërkojnë sherr dhe destabilizimin e rajonit”.
Së dyti, parfumi që i jëp Rama kësaj strategjie serbe është më i miri parfum në tregun diplomatik të Beogradit. Zoti Rama duket se këtë parfum e jep me shumë vullnet e dëshirë, madje me shumë përkushtim. Ai është i pari politikan shqiptar që thotë diçka të pavërtetë se Serbia është “më humane se Europa”, nëse kemi parasysh deklaratën e tij lavdëruese për sjelljen e Serbisë ndaj refugjatëve. Kjo është e pavërtetë se një shtet e një vend human, minimumi duhet të ballafaqohet me krimet kundër njerëzimit që ka bërë në të shkuarën e afërt dhe të kërkojë ndjesë për këto krime. Zoti Rama është i pari politikan shqiptar që ushqen iluzionin e humanitetit serb. Për pasojë i jep mundësi liderëve politikë në Beograd që ta shesin pa vështirësi në aspektin ndërkombëtar e të brendshëm tezën mbi “inhumanitetin” e padëshmuar asnjëherë të shqiptarëve.
Një përpjekje e tillë për rehabilitimin e krimeve serbe në ish-Jugosllavi e posaçërisht në Kosovë është e paprecedent për diplomacinë shqiptare. Esat Pashë Topotani kishte kërkuar në kohën e tij ndihmën e Serbisë e të Malit të Zi për uzurpimin e pushtetit në Shqipëri, por nuk kishte shkuar deri te deklarimin e pafajësisë së Serbisë për masakrat e saj të tmerrshme kundër popullsisë shqiptare gjatë viteve 1912-1913. Edi Rama po bën atë që nuk e kishte bërë etaloni i tradhëtisë kombetare shqiptare, sipas përcaktimit të partisë së tij, Esat Pashë Toptani.
Zoti Rama duhet ta dijë se gjatë luftës në Kosovë janë asgjësuar fizikisht rreth 15 mijë shqiptarë dhe janë varrosur thuajse të gjithë në varreza masive, pas masakrave mbi popullatën civile të pambrojtur. Duhet ta dije së rreth 2000 burra, gra e fëmijë shqiptarë të masakruar janë ende pa varr, të pagjetur. Duhet ta dije se rreth 20 mijë gra e vajza të Kosovës janë përdhunuar gjatë kësaj lufte nga paraushtarëjët e Vuçiç. Duhet ta mësojë, nëse nuk e di, se nga 120 mijë banesa dhe objekte publike, 40 mijë janë shkatërruar e djegur plotësisht, ndërkohë që 40 mijë të tjera pjesërisht. Duhet ta dijë se në çdo prag shtëpie ka një ose më shumë varre të hapura. E të gjitha këto i kanë bërë serbët nën komandën e Milosheviçit, krimet e të cilit, si ministër informacioni, i justifikonte kryeministri i sotëm serb, Aleksandër Vuçiç.
Por nga sjellja miqësore e zotit Rama me zotin Vuçiç nuk dallon asnjë rezervë , asnjë ndjenjë reflektimi, aq më pak ndjese sa i përket këtyre krimeve dhe shumë e shumë të tjerave të mëparshme. Krimet serbe e çojnë numrin e viktimave shqiptare në 120 mijë, ndërsa të të dëbuarve nga trojet e veta në 1.200.000, pa përfshirë këtu rreth një milion shqiptarë të dëbuar në pranverën e vitit 1999 e të rikthyer në vendbanimet e tyre. A mundet që një shqiptar, i çfarëdo lloj bindjeje, ideje, përkatësie fetare a krahine, si pushtetar ose jo, si kryepushtetar ose jo, të falë pa asnjë lloj ndjese të kryeministrit serb të gjitha këto krime të tij, të qeverisë e partisë së tij radikale, pra të vendit të tij, ndaj shqiptarëve?! Do të doja që kryeministri i vendit tim të mbronte, në mos bashkkombasit e tij, të vërtetën e pakontestueshme për zhvillimet e në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve. Nuk justifikohet kjo sjellje politike e diplomatike e kryeministrit tonë as me nevojën për integrime, apo ndonjë zhvillim tjetër. Ndërkohë kurtha në të cilën është mbërthyer kryeministri ynë është me efekte shumëdimensionale. Ja pse ndodh kjo:
Së pari, pas shembjes së komunizmit Shqipëria për herë të parë doli nga qerthulli i politikës dhe diplomacisë izolacioniste dhe rajonale. Dmth, për herë të parë ajo i kërkoi aleatët e saj jashtë Ballkanit, në kontinentin amerikan dhe europian, aty ku ajo e ka vendin e saj të merituar. Ky investim mbi 20 vjeçar duket se po shkon drejt tkurrjes në asimetri totale, ndonëse zotit Rama i pëlqen kur zoti Vuçiç e thërret me tallje si “lider botëror”. Kurse lideri ynë “botëror” po na kthen në kornizën e një diplomacie provinciale të pakuptimtë dhe të palogjikshme. Në mungesë të performancës së lartë në marrëdhëniet me SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së, kryeministri shqiptar, i cili nuk jeton dot pa patur vëmendjen e publikut, bën shou dhe biznes diplomatik me Beogradin. Kjo është arsyeja pse Vuçiç shfaqet aq entiziast me “lidershipin” e zotit Rama.
Së dyti, janë bërë dy vite që kur zoti Rama vendosi foton e Ismail Qemalit në zyrën e tij kryeministrore, por ai asnjë vizitë zyrtare nuk ka mundur të realizojë në Uashington. Njëherë që shkoi në Nju Jork për të marrë pjesë ne mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e katranosi në takimin me Lavrov, duke i komunikuar atij projektin e asgjësimit të armëve kimike. Ishte i pari kryeministër shqiptar i cerekshekullit të fundit që takohej kokë më kokë me shefin e diplomacisë ruse. Dhe nuk kishte veçse një muaj që kishte ardhur në pushtet. A ishte ky një sinjal i ndryshimit të linjave të zhvillimit të diplomacisë shqiptare? Ngjarjet dhe zhvillimet e mëpastajme na dëshmojnë se po. Dhe më tej a mund të konsiderohet ky zhvillim si një “rilindje” e diplomacisë shqiptare?! Pa më të voglin dyshim: Po në kahjen negative të tij, çka do të thotë se në diplomacinë tonë zoti Rama riktheu periudhën më të errët të saj në historinë e shtetit shqiptar.
Së treti, para një viti u duk se trajektorja e diplomacisë shqiptare do të zhvendosej nga Uashingtoni në Berlin. Edhe ky ishte një shans më i vogël se aleanca me amerikanët, por gjithësesi mbetej një shans. Tani pas një viti kryeministri ynë i ka shpallur luftë Europës dhe kjo do të thotë se i ka shpallur luftë Merkelit dhe vetë Berlinit, më shumë sesa Brukselit. Para dy vitesh zoti kryeministër tha se “Shqipëria do të kishte zero probleme me fqinjët”. Por përveç Serbisë, asnjë fqinj tjetër nuk ndjehet komod në marrëdhëniet e tij me Edi Ramën. Greqia jo e jo. Por as Maqedonia dhe Turqia e madje drejt pikës zero po shkojnë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë.
Së katërti, zhurma e madhe e mbledhjeve të qeverive shqiptare të Tiranës e Prishtinës në kryeqytetin e shqiptarëve, pra në Prizren, mbeti vetëm zhurmë. Dhe kjo gjithashtu në funksion të strategjisë së zbutjes pa kushte të marrëdhënieve me Beogradin. Edi Ramës I duhej në fillim roli i “nacionalistit”, që të përligjte pak më vonë rolin e vërtetë që I kishte përcaktuar vetes ende pa mbërritur në zyrën e kryeministrit. Këtë alibi e kanë kuptuar tashmë politikanët dhe analistët e Prishtinës, por ata ende nuk kanë mundur të shkojnë deri te roli I Baton Haxhiut në këtë histori. Për këtë shkak aleati më i ngushtë i Ramës në Prishtinë, Hashim Thaçi, shprehu hapur pakënaqësinë e tij për raportet diplomatike të kryeministrit shqiptar me kryeministrin e Serbisë, duke denoncuar përpjekjet e tij për paternalizëm ndaj qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.
Tani Rama ka ardhur në pikën e fundit, kur nuk e ndjen të arsyeshme as të konsultohet me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën. Madje deri te një ftohje dhe ngrirje e të gjitha marrëdhënieve të bashkëpunimit midis tyre. Para disa vitesh vetë Thaçi, si edhe presidentja Jahjaga e sidomos zonja Edita Tahiri vinin vazhdimisht në Tiranë për t’u konsultuar për projekte të ndryshme, veçmas sa i përket marrëveshjeve me Serbinë. Tani drejtuesit dhe ekspertët e institucioneve të Kosovës janë të detyruar të përballojnë të vetëm peshëm e madhe të nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë flet me Vuçiç edhe në emër të tyre e më së shumti sipas inmteresave të Serbisë. Retorika që bëjnë Rama dhe Vuçiç për njohjen e shtetit të Kosovës është përsëri në funksion të fshehjes së skenarit për rehabilitimin e Serbisë. Eshtë e ditur se Serbia do ta njohë Kosovën, pasi ajo nuk mund ta hapë rrugën e saj për në BE pa njohjen e saj. Por Serbia kërkon rritjen e çmimit për këtë njohje, ndërsa zoti Rama luan rolin e menaxherit të këtij tregu diplomatik të Beogradit.
Nëse diplomacia shqiptare e kontrolluar dhe e manipuluar në të gjitha qelizat e saj nga kryeministri i vendit do të vijojë të zhvillohet në këto konture e sipas kësaj linje, atëherë Shqipëria do të rikthehet në rilindjen e izolimit ose më së shumti të veprimit të saj në rrezen Beograd-Tiranë. Kjo do të ketë vetëm një efekt, rikthimin në kohën kur zonjat e bllokut të ish-diktaturës plotësonin kënaqësitë e tyre estetike me parfumin, karficat, pickatoret dhe kremrat e ardhur nga Beogradi, kohë e cila kujtohet e tregohet me nostalgji ende sot nga pasardhësit e tyre.