Ne Foto: Nga e majta-Dine Dine, Jozef Radi, Faslli Haliti, Gezim Hajdari
Nga Dine Dine /New York/
Meqë ishte herët vendosëm të vizitojmë si çdo vit varrezat e prindërve tanë. Kaluam Savrën ku kisha kaluar 20 vjet, u kthyem te Pushimi i Shoferit, kaluam Krutjen, Fier Semanin, Gjazën e famshme, ku edhe aty kisha kaluar 20 vjet të tjera të kalvarit të dënimeve komuniste dhe mbrritëm te varrezat e Ngurrzës, ku prehen edhe sot e kësaj dite njerzit tanë të afërm. Në një ambient të qetë dhe plot gjelbërim u ulëm të heshtur, duke kujtuar ata njerëz që dikur kishin qenë pjestarët më aktivë të familjes, xhaxhain me të shoqen, xhaxhaicën tjetër, nënën dhe djalin tim të parë. Dhe ashtu, të përhumbur ndër kujtime menduam vuajtjet dhe sakrificat e tyre, tensionet, ankthet e gazit të degës që vërshente në çdo kohë për të bërë arrestimet e rradhës… dhe me thënë të drejtën na kapi një lloj trishtimi që çuditërisht pse jo edhe lot ngashërimi dhe dënesa si të ishim fëmi. Kujtime trishtuese, të dhimbëshme, të ëmbla e të hidhura të një kohe që iku përgjithmonë, për mos t’u kthyer më kurrë. Edhe pse varrezat që dikur i kishim bërë vetë me beton, tani krahasuar me të tjerat duken si të dala jashtë mode përsëri ngushllohemi kur shohnim atë pastërti shëmbullore dhe ku dora e dikujt vazhdimisht kujdeset për to. Ishte kujdestari i varrezave që vazhdimisht na thotë, se atë punë e bën për shpirt, por natyrisht që i gëzohet çfarëdo lloj shpërblimi sado të vogël që të jetë, sepse i ndihmon sadopak “kotheres së kalamajve”. Veçanërisht fshatarët kanë mbetur në nivelin e varfërisë. Megjithatë, falë fëmijëve, që shumica kanë çalltisur në perëndim e herëpashere dërgojnë ndonjë ndihmë, kanë mundur të mbijetojnë. S’kishim mbaruar akoma së qari hallet me kujdestarin e varrezave kur ra zilja e celularit. E kishim lënë të hamë një drekë me drejtorin e shkollës “18 Tetori” Skënder Gegën. Kur mbrritëm në Lushnje, shoku im i kahershëm Gëzim Baruti po më priste te rruga. U gëzua pa masë. Ndër mbresat e njerëzve të mi të shtëpisë që vdiqën të helmuar e pa parë kurrfarë gëzimi në jetë, isha përfshirë nga një ndjenjë kotësie e boshllëku dhe të them të drejtën s’kisha dëshirë për asgjë. U sforcova mos ta jap veten, e të dukem disi i gëzuar, por mendja përsëri vërtitej nga vërtitej dhe shkonte te varrezat e Ngurrzës dhe përsëri mendoja se përse duhej patjetër ta kryenim atë formalitet. Përse, pikërisht mua më kish ftuar drejtori për atë drekë?! Për një koinçidencë të keqe, Gëzimin s’e kisha takuar qysh nga koha kur isha larguar për Amerikë.
Në 1998, marr një telefonat nga shoku i cili me një gëzim të papërshkruar më tregon se revista “MEHR LICHT”, duke vazhduar traditën e shkollës serioze të përkthimit, atë vit kish botuar në pesë variante shqipërimi e poezinë e famëshme të Kiplingut “IF”. Për t’u dhënë lexuesve poezinë “IF” revista u mbështet në punën e përkthyesve Fan S. Noli, Vedat Kokona, Robert Shvarc, Ukzenel Buçpapaj dhe Dine Dine. Variantet po i sjellim sipas renditjes së saj… “E mbaj si bibël poshtë jastëkut – më thoshte vazhdimisht në telefon – dhe më duket se të shoh me sy”.
***
Sapo futëm këmbët në hyrje të shkollës në një kollonë, me një kornizë me përmasa të mëdha, ish varur përkthimi im i kësaj poezie dhe… në fund autori, ish nxënës u kësaj shkolle… U befasova sapo hyra në korridorin e gjërë, të dekoruar me shumëllojshmëri fotosh, të jetës 50 vjeçare të kësaj shkolle, stenda ekspozitash të viteve të shkuara e të tashme. Diku më tej m’u shfaqën fotografi të viteve të para të këtij gjimnazi e unë njoha veten e të gjithë shokët e shoqet e mia… Në atë shkollë njoha De Radën e Fishtën e fshehur, Konicën e përbuzur e Mavromatin, aspak të zi, madje të kuq, gjenia shpërthyese e të cilit na solli në shqip Shekspirin, Servantesin, Khajamin, Ibsenin, etj. Aty lexova Bajronin, Kardailin, Gëten, Shellin, Dikensin, Saadiun, Khajamin etj. Është e paharrueshme kjo shkollë për mua e shokët e mi. Ndaj ndjej një sëmbim në zemër, e më kujtohet vazhdimisht i vogli Zhan Kristof, heroi i veprës së Romeu Rolandit. …Shoku im e ndjeu ngashërimin tim, më futi krahun dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku drejtori i shkollës z. Gega na priti përzemërsisht duke na gostisur sipas zakonit. Pas një bisede të shkurtër doli me premtimin se do të kthehej shpejt. Nuk pata kohë as të kundroja dekorin e zyrës së tij, kur ai qe kthyer përsëri. Na foli për shkollën e re dhe atë të së kaluarës. Fliste thjesht, larg terminologjisë pedagogjike e profesionale (ishte biokimist). Fliste ngadalë. Të shihte ngultas në sy, e ti nuk mund t’i harroje ato çka thoshte. Kordat vokale i ishin tronditur thellë për 40 vjetët e mësuesit asket të fshatrave. Zëri dyngjyrësh ishte një dëshmi sa ai kishte punuar me pasion e përkushtim me nxënësit. Dhe tani, drejtësia e ardhur vonë e kishte vlerësuar punë e tij të gjatë… U njoha me gjëra të reja në shkollën time. Laboratorë kimie të kompletuar, kabineti i fizikës. Nëpër korridore afishohej shkenca e natyra, ilustruar me pamje krejt origjinale. Anshtajni e Frojdi, përkatësisht gjenij të Fizikës e Psikanalizës, zbukuronin një kënd të veçantë. Pak më tej, Lord Bajroni dukej sikur këndonte sërish këngën: “Të rreptë bijt e shqipes…”. Lutja e tij e fshehur (për vetitë e shqiptarëve: “veç të ishin ca më të arrira”) tashmë ishte realizuar… Fishta, i fshehur, i nëmur e i përndjekur nga komunizmi përjetësisht, hijeshonte një kënd me anën tjetër të korridorit. Homeri ynë tashmë, ka zënë vendin e vet për t’u lexuar ëndshëm e pa frikë. Ndjehem i privilegjuar i fatit (të keq a të mirë!…) që pata mundësinë ta lexoja aq herët. Informatika, kompjuterat, biblioteka; të gjitha specialitetet që ushtrohen në jetë, paraqiteshin në këtë shkollë, thjesht, bukur dhe përkushtueshëm shpirtërisht e financiarisht. Vërtetë drejtori e kishte organizuar punë në këtë shkollë, duke e bërë model, por ama edhe stafi i tij ishte treguar i palodhur për t’ja arritur asaj që ne e kundronim me sytë tanë. Ejani, – na tha drejtori. Një auditor ju pret të shpreheni për jetën tuaj këtu e për jetën e re në Amerikë. U befasova sërish… Nuk e kisha menduar se do të flisja para nji auditori të tillë, të rastësishëm, por të përgatitur e që përfaqësonte një brez të ri intelektualësh të të gjitha profesioneve. Ishin ata që premtonin për shtyllat e reja të shtetit të ardhshëm shqiptar, të zhveshur nga ajo ideologji që bën të vuajnë shtetasit e vet, nga ideologjia komuniste, pothuaj e harruar tashmë… Para tyre po fliste një nxënës si ata, i kaluar në moshë e më pak në mendime… Amerika, ju thashë, është e tillë sepse punohet. Nëse shqiptarët punojnë si tek ne në Amerikë, atëherë Shqipëria do të ndriçojë sa që Evropa do ta ketë zili. Pedagogët që asistonin (ishin mjaft nga këta), pohonin njëzëri, duke përçuar tek nxënësit se puna e mendja e urtë e ndrisnin një komb, sado i prapambetur të jetë… Aty takova pedagogë, prindërit e të cilëve, bashkë me mua mësuan në këto banga. Irma Idrizi quhej njëra syresh, mbesë dhe vajzë e poetëve të talentuar Halil e Bexhet Jaçellari. Le të më falin të tjerët, emrat e të cilëve nuk mundem t’i kujtoj!… Pas asaj bisede, e ndjeva veten tamam një nxënës mes shokësh e shoqesh të së njëjtës shkollë. Ndjeva keqardhje që nuk isha moshatar me ta por kënaqësia që më jepte biseda më ngushëllonte, gjithsesi… Qe një bashkëbisedim i mrekullueshëm pedagogë-nxënës. Falenderova drejtorin për auditorin cilësor dhe dola me atë ndjesinë e këndëshme, si një ish nxënës i kësaj shkolle isha bërë i njohur… me një përkthim!! “Kur dua të shmang vulgaren me vartësit e mi kolegë – tha drejtori – u them: Shiko poezinë e Kiplingut; lexoje!… a gjen aty diçka nga vetja jote?!… nëse jo… ke pak kohë të rregullohesh, sepse përkthyesi është një ish nxënës i kësaj shkolle…”. Unë, i nëmuri, i përbuzuri, i përndjekuri zbulova në ish shkollën time se arti i pranimit të diçkaje është thuajse, i barabartë me atë (art) të krijimit të saj, dhe se shija e vërtetë e këtij arti, konsiston në interpretimin e drejtë të domethënies së tij… Kjo poezi – i thashë drejtorit – është një mermer i gdhendur mrekullisht nga Kiplingu, dhe unë veç mund ta kem dëmtuar duke e përkthyer. Më pas u kënaqa me sallën e informatikës. Më shumë se 40 kompjutera servireshin në këtë sallë. Njohuritë mbi internetin ishin përvehtësuar nga të gjithë nxënësit e shkollës. Pra ndryshimet ishin të dukëshme dhe në kahjen e duhur. Nuk pata kohë të vizitoj laboratorë të ndryshëm që përbënin didaktikën, mësimdhënien e kësaj shkolle. Drejtori me një libër në dorë mu drejtua: Merre, është për ty. Ishte një libër me autorë nxënës-pedagogë, nën kujdesin e drejtorit e të gjithë stafit të tij. Ishte një punë e mrekullueshme për pasqyrimin e vitit shkollor 2007-2008. Puna këmbëngulëse e këtij stafi bëri të mundur botimin e tij. Retushimi i librit ishte mjaft cilësor. Pas leximit të shpejtë të një pjese të tij, më bëri përshtypje puna e tyre krijuese, recensionet për një sërë veprash të njohura, si dhe përkthimet e sidomos krijimet e nxënësve në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht etj. Aty për aty, m’u kujtua James Becker në Tiranë “Liria jep rezultate”. Në një cep pashë të afishuar nga vëllimi poetik: Antologji 2008, vargje nga nxënësit e kësaj shkolle: Izidor Beqiraj, Klaudia Çarçani, Renalda Koduzi, Klelia Mone etj., prozat nga Elis Sholla, Eriola Arapi e Klaudia Shima. Binte në sy një poezi në anglisht, shkruajtur nga nxënsja Klaudia Brahimaj, ndërsa në prozë (në anglisht përsëri) krijimet e F. Gjyla, G. Qorri, I. Haxhiu, e në frengjisht B. Bozo, A. Liko. Krijimet në italisht mbanin emrat e I. Karame, E. Bazi e M. Tabaku etj. të gjithë nxënës të këtij gjimnazi… Krijimi në gjermanisht përfaqësohej nga Esmeralda Zela. U ndjeva krenar që kisha mbaruar mësimet e maturës në këtë gjimnaz që kishte përgatitur kaq krijues të zotë, të një moshe fare të re… Sikur mos të ishte kaq e egër kjo diktaturë 50 vjeçare (a thua se ka diktatura të buta?!), sot do të numroheshin me qindra krijues të moshuar e me siguri të një cilësie të lartë, sepse në atë kohë, etja për dituri e njohuri jashtëshkollore, ishte edhe më e fortë se etja për ujë në një ditë korriku… Në libër kishte recensione për vepra e autorë të njohur vendas e të huaj. Më tërhoqi vëmëndjen, veçanërisht, një recensë psiko-kritike mbi dashurinë në tragjedinë e Shekspirit “Hamleti” shkruajtur nga mësuesja e letërsisë Flora Çarçani. Ishte vërtetë diçka e re për dashurinë e herojve, të kësaj vepre të pavdekshme… Nuk mungonte (përveç mjaft të tjerash) edhe një analizë mbi Mateo Falkonen e Prosper Merimesë, aq shumë i pëlqyer në kohën e studimeve të mia të shkollës së mesme. Libri në fjalë hijeshohej nga një tufë lulesh, apo kurorë vjollcash më mirë të them, të gjitha krijime të stafit pedagogjik e nxënësve të shkollës, më së shumti… Nuk më premton koha të shkruaj për gjithçka shkruhet në këtë libër, por krijime e puna e palodhur e drejorit të gjimnazit z. Skënder Gega dhe stafit të tij, meritojnë të merren në konsideratë dhe unë në një të ardhme jo fort të largët, do të mundohem të shkruaj, anipse pretendimet e mia krijuese s’do të mund të shprehin dot, atë punë të admirueshme artistike të nxënësve të gjimnazit “18 Tetori” Lushnje ku studiova edhe unë gati gjysëm shekulli më parë… I kënaqur që kalova ca kohë në ambientet e pasura të ish shkollës sime të varfër, i kërkova drejtorit të dalim. E kisha jetuar aty, edhe një herë rininë time të hershme kujtimhidhur, paçka se, nën rreze të ngrohta të një dielli në perëndim. …Kjo retrospektivë kishte mbaruar nëse mund të mbarojnë ndonjëherë ato… Dolëm sakaq… Oborri gumëzhinte nga zërat gazmorë. Ishte një gjuhë korale, pothuasje skenike, plot emocione, ku nuk mungonin as përbetimet idilike, rreptësisht të ndaluara në moshën time të shkollës… Opopo! Kështu pse më dilnin para syve papushim?!… O ditët e djalërisë, o moj kohëz e të rit tim?!… …u kujtova dy miqve të mi vargjet e Naimit, e Skënder Gega si për të më ngushulluar, aty për aty, deklamoi: Vërtetë se syri i djalit shkrep xixa, flak e zjarr Po syri i plakut, llaps me dritë të kulluar…
***
Qeshëm çiltas të tre… Hygoi paska pasur të drejtë… Automobili i drejtorit mori rrugën e Beratit. Kaloja për herë të parë në atë rrugë. Lexuesi nuk duhet të habitet për këtë. Pothuajse gjysma e shqiptarëve, nuk lejoheshin të dilnin larg vendbanimeve të tyre para vitit 1990. Pa e kaluar urën e Kuçit, pak djathtas, mes një gjelbërimi të hijshëm e çlodhës, buzë lumit Seman, uji i të cilit ngjan vërtetë si një përzierje ujë çimento, rrëzë një çuke të vogël, plot jeshile e ferra, merr frymë një fshat i vogël, që ekspiron këtë frymë në formë të një tymi kaltërosh. Quhet Çukas. Restoranti nuk të “mbushte” në pamje të parë. Të gjitha tavolinat ishin buzë lumit e të mbuluara me drurë natyralë e gjith blerim. Ishte një vend piktoresk. Romantika s’tundej vendit, dhe pse vizitorët ishin të shumtë. Heminguej, me siguri që do ta kishte hedhur grepin në lumë e do ta harronte gotën e verës… Pula e zogjtë e pulës, patat e rosat me të vegjël e tyre, harabelët në anën tjetër që vërtiteshin të patrazuar, harmonizoheshin me dekorin shumëngjyrësh të pemëve, luleve e jeshillëkut. S’pata kohë të sodis të tërin atë mjedis të mrekullueshëm e çlodhës sepse ia behu kamarieri. Për meze porositëm zogj të pjekur me saç e turshi nga më të ndryshmet, patlixhana, lakra, speca etj, ashtu siç dinë ti qëndisin fshatarët. Pothuaj gjithëkund përdorej saçi. Pilaf orizi me pulë të pjekur në saç, qumështur i pjekur në saç etj. Kur na serviri zogjtë e pjekur, në një tepsi goxha të madhe nuk m’u besua; e kush do t’i hajë të gjithë këto?! Më vjen keq se do të shkojnë dëm!… Për çudinë time vetëm kockat mbetën në tepsi. Drekosëm duke biseduar, Homeri e Virgjili, Tuqididi e Demosteni, si edhe Kotoni e Ciceroni ishin të ftuar tanë të parë. Bëmat e tyre i shtruam në tavolinë, duke korrigjuar njëri tjetrin… Da Vinçi, Pjer Ronsari, Petrarka, Dante si dhe Volteri, Rusoi e Luigji XIV-të ishin një objekt i veçantë për ne. I ngritëm në qiell veprat e tyre. Gjynah veç që s’kishin pirë verë buzë lumit të vendit tim…
LAVDI o Zot, që dhe këtë balsam Që na shëroi e më shëndet na mbushi. Kishte mbërritur Omer Khajami… me një qelq verë, si rubin. Na e la mbi tavolinë e u largua. Folëm për të e për Saadiun. Diskutuam pa rreshtur për këtë poet. Para tavolinës sonë kaloi si në një revistë një qimiter i tërë mbretërish e njerëzish të mëdhenj si Keopsi, Ramsesi, Sardanapali, Jul Qezari, Aleksandri, Kleopatra, Shekspiri, Shatobriani, Shopenhaueri, Napoleoni, Balzaku, Gëtja, Tolstoi, etj. Pastaj u përqëndra tek letrarët e qytetit tonë, Faslli Haliti, Visar Zhiti, Halil Jaçellari, Evgjen Merlika, Izet Shehu, Tahsim Demiraj, etj. Unë veçanërisht fola me superlativa për të gjithë. Faslliut – iu thashë – i shkon për shtat një thënie e Shopenhauerit që pak a shumë thotë se: “jo çdo gjë e thjeshtë është gjeniale, por mund të jetë e thjeshtë e njëkohësisht gjenniale…” të bën përshtypje se me çfarë dhimsurie e pa kurrfarë kompleksesh shkruan për ata që u persekutuan padrejtësisht. Kur, dikur lexova një shkrim për Seit Selfon, të cilin pata fatin ta njoh personalisht, dy tre herë e ndërpreva leximin… sa bukur!… dhe më vinte keq që vetë ne, nuk dimë të shkruajmë aq bukur për persekutimet e vuajtjet e shokëve tanë që i njohim aq mirë sa ç’dimë për veten tonë. Me Faslliun e nja dy poetë të tjerë, para dy vjetësh pata rastin të ha një drekë diku në një fshat (emrin s’ia kujtoj) përballë Hajdaraj. Edhe pse nga natyra një neglizhent i pariparueshëm, nuk ia fala vetes që s’mora mundimin të marr nja dy shënime sa për kujtesë… ishte një drekë e këndëshme me biseda tejet të çiltëra, e pa harruar… Për Visarin folëm gjithashtu gjatë. Dikur shkrova një shkrim për 2 romanet e tij “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i Çarë” më mbeti peng dhe s’e di si më mbeti pa futur një thënie e Artur Kosteler që thotë: “Shënja kryesore e gjeniut nuk është perfeksioni por origjinaliteti…” i përshtatej më së miri natyrës e shkrimeve të tij. Për shokun e vuajtjeve Evgjenin, u fola ndoshta edhe më shumë se duhej. Një poezi të tij “Muzgu” në dorëshkrim, që mbase edhe ai vetë mund ta ketë harruar, e mbaj si relike, dhe më duket se shuaj mallin, që s’e kam parë prej kohësh, duke e lexuar herë pas here. Gazeta “ILLYRIA” e ka bërë korrespondent të jashtëm. Në një kioskë aty pranë punës, ku shitet gazeta mesi pres, që të vijë e të lexoj ndonjë shkrim nga Evgjeni. Kur s’e shoh emrin e tij më duket se edhe gazeta ka diçka mangut. Bën analiza me një llogjikë të fortë e me kulturë. Për Halil Jaçellarin fola me një pasion të veçantë. Në shkollë të mesme as që e dija që ky njeri të cilin padrejtësitë e bënin të humbiste durimin, e papritmas bëhej agresiv, një ditë do të shfaqej me romanin e tij të parë “Nesër është e djelë” e për çudi në kohën e diktaturës! E lexova me një frymë derisa i dhashë fund dhe u befasova me talentin e tij. Edhe Kadareja dikur ashtu si për Faslliun kish vlerësuar talentin e Halilit. Pastaj diskutuam edhe për tregimet e romanin e tij të fundit… Pasi diskutuam për tregimet e poezitë e Izetit u ndalëm tek artikujt e tij në gazeta. Në një pjesë të madhe të shkrimeve të tij në gazeta dominon “subjekti” Katovician që me të drejtë u bë shkak i fatkeqësisë së tranzicionit në Shqipëri. Malli na kish bërë disi llafazanë, pse jo edhe vera e rakia kishin bërë punën e tyre. Pasi folëm pothuaj për të gjitha talentet e qytetit të Lushnjes, papritmas drejtori shpërtheu: harruam diktatorët, Neroni, Kaligula, Hitleri, Stalini, Polpoti… Mos fol – e ndërpreva, – nuk ia vlen t’i përjetojmë në këtë shkrim… Edhe ato që thamë pak më parë nuk ishin subjekt i këtij shkrimi, lexuesi të na ndjejë. Paguam e dolëm. Dielli kishte marrë të tatëpjetën. Kishte kohë që frynte një erë e mbarë nga ai drejtim. Dëgjohej fërfërima e gjetheve. Edhe pemët i gëzoheshin atij flladi perëndimor..