– Ndër mejtime/
Nga Arlinda Çausholli/*
Jam në gjendje të përhershme kureshtjeje të njoh ndjesinë e brendshme të Gegë Marubit në 1970-ën, kur i dorëzoi një shteti që nuk e meritonte të kishte zë në histori, trashëgiminë e jashtëzakonshme të dinastisë ku bënte pjesë, përfshirë vlerën e paçmuar të 500 mijë negativëve.
Përtej dhimbjes së qenësishme të një profesionisti vizionar, pyetjet e tij duhet të jenë lidhur edhe me të ardhmen e këtyre fotografive, që përpos karaktereve dhe imazheve në to, ishin dëshmi të gjalla jete, solemniteti, etnografie, pasurie apo lidhjeje njerëzore në Shqipërinë e asokohe.
Po çdo gjë rikthehet. Dhe këtë herë fotot e Marubit nuk shpalosen në muze, ku dy fije te holla filispanje mbajnë hijen e rëndë të imazheve bardhezi – ndonjëhere sepje – të luftëtarëve apo emrave të njerëzve të njohur për kohën. Marubi iu kthehet qytetarëve. Në një Muze Virtual, me dy klikime kërkimi, nga çdo cep ku gëlojnë shqiptarë, paraardhësit tanë zënë e shfaqen, në një paradë hijeshie historike të fundshekullit IX dhe fillimeve të shekullit XX.
Rreth 45,000 fotografi zgjuan nostalgjinë e familjeve të njohura të Shkodrës këto ditë, ku pasioni i katalogimit fenomenal të Pjetër, Kel dhe Gegë Marubit, u përcoll nga shtatë qytetarë shkodranë që me devotshmërinë e një pune pa zhurmë, dixhitalizuan çdo imazh, çdo datë dhe çdo emër të kahershëm për t’i hedhur në lundrimin virtual të sotëm.
Marubët u shërbyen qytetarëve për 112 vjet. Nuk besoj se Pjetër Marubi e nisi punën e tij profesionale me qëllim biznesi në vetvete, pasi nuk arrij ta shpjegoj dot saktësinë e ezistencës së çdo fotoje, me emër dhe datë shkrepjeje. Më tej, zelli i pashembullt i Gegës për të shënuar në letër çdo të dhënë të fotografive në celuloid, dha rezultate të shkëlqyera në identifikime personazhesh dhe ngjarjesh. Tre artistët, mund të klasifikohen pa hezitim, si ndër statisticienët më të famshëm të kohës, të artit të fotografisë.
E këtë nuk e prodhon paraja. Këtë e prodhon dashuria e pakushtëzuar për njerëzit, dëshira për të njohur, për të hulumtuar, për të zgjedhur të bukurën, dëshira për të dhuruar – të palëvizur – një moment jete që nuk kthehet më. Këtë e prodhon forca e ruajtjes së identitetit kombëtar, humanizmi, dhe largëpamësia që këto cilësi të jenë të destinuara për trashëgim…Dhe ishin tre nga ne.
*Shkrimi u dergua nga autorja. Faleminderit
Rikthimi i Ismail Qemal Vlorës
Nga Harilla Koçi/.-Pas dorëheqjes, pasojë e asaj ngjarjeje që njihet në histori me emrin “Komploti i Beqir Grebenesë”, Ismail Qemal Vlora, ideatori, strategu i Pavarësisë Kombëtare dhe Kryeministri i parë i Shqipërisë së Pavarur, u largua nga vendi. Por, largimi i tij, nuk ishte përfundimtar. Njihet pak nga historia, aktiviteti i tij deri në momentin kur ndërroi jetë në vitin 1919, në Perugia(Itali), ndërkohë që është shkruar shumë më pak për rikthimin e tij në Shqipëri, në një moment delikat që po kalonte vendi.
– Pas dorëheqjes, Ismail Qemali kthehet sërish në Shqipëri –
Historiani Bardhosh Gaçe, hedh dritë mbi një pjesë të aktivitetit të Ismail Qemalit, pas largimit të tij nga Shqipëria në 24 janar të vitit 1914, që pasoi aktin e dorëheqjes me pëlqimin e Fuqive të Mëdha dhe që u shoqërua me ardhjen në vendin tonë, të Princ Vidit. “Fillimisht ai u vendos në Nisë(Francë) ku qëndroi vetëm pak muaj”, sqaron Gaçe. Në qershor të atij viti, Ismail Qemali, i shqetësuar për problemet e mëdha me të cilat po përballej vendi dhe me situatën dramatike që po përjetonin rreth 100 mijë muhaxhirë, që ishin zhvendosur në zonën e Vlorës nga rajonet e kërcënuara nga shovinistët grekë, u kthye në Shqipëri në krye të një delegacioni të përbërë prej 15 vetësh. Në qershor të vitit 1914 ai u takua me Princ Vidin në Durrës, ku i parashtroi gjendjen e rëndë të vendit, pushtimin e Shqipërisë së Jugut nga shovinistët grekë dhe ndihmën që duhej t’u jepej muhaxhirëve që ishin vendosur në ullishtat e Vlorës. Të njëjtën gjë kërkoi Ismail Qemali edhe nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit(KNK) që kishte marrë kontrollin e pushtetit në Shqipëri pas largimit të qeverisë së Pavarësisë.
-Ismail Qemali, kryetar i Komitetit për Shpëtimin Kombëtar, në vitin 1914-
“Në 15-16 korrik, në qytetin e Vlorës u zhvillua Mbledhja e Popullit ku morën pjesë përfaqësues nga 13 qytete e krahina të vendit dhe ku u krijua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar, ku kryetar u zgjodh Ismail Qemali”, tregon historiani Bardhosh Gaçe.
Nga ky Kuvend, u hartua një thirrje drejtuar Fuqive të Mëdha, Princ Vidit dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, nënshkruar nga 30 përfaqësues. “E vetmja masë pas mendimit tonë që mund të mbajë Sovranin mbi fron, është të sigurojë paprekshmërinë tokësore dhe bashkimin e kombit dhe të shpëtojë nga shfarosja e plotë 100 mijë qenie njerëzore, të cilët duke ikur nga zjarri dhe hekuri e duke lënë mallin e shtëpinë, ishin strehuar në të vetmin kënd të Shqipërisë që ishte ende i lirë, në qytetin e Vlorës dhe rrethet e tij”, shkruhej mes të tjerash në këtë thirrje.
-Shpresa e Ismail Qemalit për Shqipërinë, tek SHBA dhe Presidenti Uillson-
Siç shkruan në gazetën “Dielli” të Bostonit në 1 dhjetor të vitit 1915, Ismail Qemali pranonte me dhimbje se, Shqipëria e kishte humbur pavarësinë e saj “e shtërnguar prej të gjitha anëve prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve…”. Edhe pse i bëri thirrje Francës për të ndihmuar Shqipërinë përmes qarqeve diplomatike, zëri i tij ra në vesh të shurdhër.
Me krijimin e Partisë Kombëtare Politike të shqiptarëve të Amerikës, në fund të vitit 1917, Ismail Qemal Vlora, sipas historianit Bardhosh Gaçe, u zgjodh delegat i saj në Evropë. Por, e vetmja shpresë që ai ushqeu në vitet e fundit të jetës, ishte që vendi ynë të mbështetej tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tek Presidenti Uillson, për zgjidhjen e çështjes kombëtare”, shprehet Gaçe. Për këtë shkak, ai u largua nga Franca për të qëndruar në Madrid e Barcelonë, ku vazhdoi të zhvillonte një veprimtari të gjerë politike e diplomatike.
Kjo reflektohet edhe në një letër të tij ai shkruan mes të tjerash: “Lipset me çdo mënyrë të fitojmë Kosovën, Manastirin dhe Janinën e Çamërinë…..Unë dua Shqipërinë nën regjimin demokratik federal për popullin shqiptar”.
Këto aspekte të panjohura për publikun e gjerë, provojnë sipas historianit Bardhosh Gaçe, vizionin e Plakut të Vlorës për rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes perëndimore, si një shtet i pavarur dhe i konsoliduar.
Pëllumb Kulla, me rrëfenja nga ambasada, rikthehet Leka Bungo
Drama satirike “Shshsh…ule zërin”, me regji të Leka Bungos, i ka rrënjët gjatë kohës që dramaturgu ishte pjesë e shërbimit diplomatik shqiptar/
Emri i dramaturgut Pëllumb Kulla lidhet në mënyrë të pandashme me skenën e “Bylisit”, por këto tri vitet e fundit vepra e tij ka rikthyer në skenë emra të njohur të skenës që prej vitesh i mungonin publikut. Me komedinë “Milioneri” e shfaqur në fund të vitit 2010, Pëllumb Kulla riktheu në skenën e teatrit një emër të njohur si Luftar Paja, po ashtu dhe Arqile Lipen. “Milioneri”, një komedi që trajtonte përmes satirës problemet e brezit të tretë, të lënë në harresë nga shteti dhe fëmijët e tyre. Komedia u prit me duartrokitje në Fier dhe më pas në Tiranë, ndërsa në Festivalin e Dramës Shqipe që u zhvillua në fillim të 2011-ës, kjo vepër e Kullës rrëmbeu trofe të rëndësishme; çmimin “Drama më e mirë e festivalit” dhe Luftar Paja mori trofeun e “Aktorit më të mirë”. Pas suksesit të “Milionerit”, Kulla rivjen sërish në skenën e “Bylisit” me një tjetër dramë satirë, kësaj radhe edhe si regjisor me pjesën “Dikush duhet të vdesë”. Sërish rikthen në skenë një emër të njohur të skenës së humorit, si Koço Devole. Së fundmi suksesi i Kullës në skenën e “Bylisit” vazhdon me “Shshsh…ule zërin”, me regji të Leka Bungos. “Pas suksesit në teatrin e ‘Bylisit’, kjo dramë do të vihet edhe në Tiranë në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë javën që vjen”, – konfirmoi dramaturgu Pëllumb Kulla. Kjo dramë satirë, e cilësuar si ndër më të mirat e krijimtarisë së Pëllumb Kullës edhe nga vetë regjisori Bunga, e çon publikun pak vite larg, diku nga ’91, në mjediset e një ambasade. Sapo është përmbysur sistemi komunist dhe një staf me ide “të reja” vjen në ambasadë. Ambasadori i ri në fakt është idealist, beson se mes së mirës dhe së keqes fiton gjithmonë e mira, beson tek e vërteta dhe se gjithmonë drejtësia zë vend. Por kur ai e gjen veten të ngatërruar keqazi në vorbullën e intrigave të zëvendësit të tij (një mbeturinë e së kaluarës), e humb betejën për të ndryshuar gjërat. E djeshmja duket se nuk është shkëputur ende nga e sotmja, aty mes të dyjave përplasen bindjet politike, korrupsioni, mashtrimi, luhet loja e “bërrylave” mes një diplomati që luan gjithmonë ndershëm dhe një zëvendësi që bën gjithçka për ta zëvendësuar derisa ia arrin.
Ambasadori idealist largohet i zhgënjyer. Të gjitha këto të ndërthurura mes tyre shkaktojnë humor situatë pas situate. Vepra përcjell mesazhe të forta në realitetin shqiptar. Të mëson ta kuptosh gjuhën e ligësisë, kur e flasin të tjerët…
Kjo vepër siç thotë Kulla, i ka rrënjët gjatë kohës që ai vetë ishte pjesë e shërbimit diplomatik shqiptar. Por nuk është një histori personale, ajo është historia e të gjithëve.
Me një kastë aktorësh të shkëlqyer, skenari i Pëllumb Kullës dhe regjia e Leka Bungos, janë kombinuar bindshëm për të sjellë në skenë një vepër të realizuar në të gjithë komponentët e saj, rezultat i bashkëpunimit të më të mirëve të skenës. Për të realizuar në skenë dramën satirike “Shshsh…ule zërin”, regjisori Bunga ka zgjedhur gjithaq aktorë të dy brezave; Robert Ndrenikën (Nderi i Kombit), Viktor Zhustin, Astrit Hasanin, Todi Llupin, Arqile Lipen, Fatmir Xhelilin, Shpëtim Shehu,, Miola Sitaj dhe më të rinjtë Klajdi Marku, Julia Ilirjani, Dafina Llupo etj. Robert Ndrenika në këtë ka rolin e një ish-komandanti burgu, ndërsa Viktor Zhusti, të zëvendësambasadorit shqiptar dhe Astrit Hasani, të ambasadorit. Skenografia është realizuar nga Ilir Martini dhe muzika Robert Hoxha.
Rikthimi i Leka Bungos
I rikthehet skenës pas shume viteve mungesë. Aktori dhe regjisori Leka Bungo i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, për t’iu bashkuar stafit realizues të projektit të radhës në skenën e Teatrit “Bylis”. Lidhja e regjisorit me këtë teatër është e hershme. Ai është një ndër themeluesit. Shfaqja e parë “Hijet e natës” me regji të Leka Bungos hapi skenën e ‘Bylisit’, por dhe shumë shfaqje të tjera që pasuan do të mbanin firmën regjisoriale të Bungos, i cili për shumë kohë ishte dhe në krye të Teatrit të Fierit. Leka Bungo rikthehet pas 10 vjetësh në skenën e teatrit që themeloi, me një vepër të mikut të tij Pëllumb Kulla. Të dy jetojnë mes Amerikës dhe Shqipërisë dhe ky është bashkëpunimi i parë mes dy miqve të vjetër, që është pritur ngrohtë nga publiku fierak e që shumë shpejt do t’i prezantohet edhe publikut kryeqytetas.(Kortezi Gazeta “MAPO”)