Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Fjalori i rrallë dorëshkrimor i Thimi Mitkos, me 326 faqe e 30 shënime jashtë tekstit, i hedhun tok me libra të vjetër për shitje ambulante në trotuar para QNK në Tiranë, fatmirësisht më 25 qershor 2011 bie në dorë të koleksionistit e historianit Shpëtim Sala. Vepra nuk mbante ballinë të trashë (të jashtme) e të brendshme (frontespic). Ishte pa shënimet e duhuna identifikuese për autorin, titullin, vendin dhe vitin e botimit. Fashikujt të palidhun me qepje. I keqmbështjellë me letër të zverdhun ambalazhi. Letra dorëshkrimore industriale (nga celuloza e drurit) ishte në gjendje fizike të mirë: me dëmtime të vogla si ndonjë grisje, disa njolla myku, pak përthyerje fletësh në cepe e anësore, etj.
Shpëtim Sala i hyni punës misionare të historianit atdhetar. Pati konsultime të hapura, konkrete e të frytshme me gjuhëtarë, historianë, ekspertë zyrtar, krijues, koleksionistë, arkivistë. Shfletoi gjithë fondin e fjalorëve e fjalësit botuar kryesisht në shek. XIX, etj. Në 15 faqe të vëllimit të dytë Sala na jep përshkrimin numerik e tematik të fondit arkivor të Mitkos në AQSH, Institutin e Kulturës Popullore, etj., të cilat i ka shfrytëzue në mbi dy vite pune kërkimore shkencore. Një vëmendje të veçantë i kushtoi letërkëmbimit të Mitkos me albanologët Gustav Majer, Jan U. Jarnik, Francesko Krispi, si dhe me rilindasit shqiptarë: Jeronim De Rada, Dora D’Istria, Konstadin Kristoforidhi, Abdyl Frashëri, Dhimitër Kamarda, etj. Në dosje të AQSH gjeti të tjera dorëshkrime origjinale të Mitkos, të cilat i krahasoi me ekspertizë shkencore me Fjalorin e tij dorëshkrimor.
Në përfundim të këtyre hulumtimeve të shumta studimore shkencore, pa asnjë mëdyshje, saktësoi dy fakte: autori i Fjalorit është rilindasi Thimi Mitko, ndërsa përmbyllja e tij si dorëshkrim daton në vitet 1887-1888.
Rasti e solli që te dy: Thimi Mitko, rilindasi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në shek. XIX dhe studiuesi i tij, Shpëtim Sala, rilindas i ri i shek. XXI, të ishin nga i njëjti vend trojenik – nga Korça e kulturës e arsimit kombëtar shqiptar.
2.Rilindasi Thimi Mitko (1820-1890) në gjallje të vet pati përpjekje për botimin e Fjalorit në ndonjë institucion shkencor ndërkombëtar si në Austri, etj. Në një nga 33 letrat e tij dërgue albanologut austriak Gustav Majer (1850-1900), në atë të 30 korrikut 1884, shkruan për veprën në proces: “Unë nuk pretendoj asnjë përfitim, veçse të më dërgohen pesëdhjetë kopje (ekzemplarë) prej tyre, që t’ua jap si dhuratë miqve, qoftë edhe në sasi më të vogël” (Sh. Sala, Fjalori …”. Vëll. II, fq. 15).
Fjalori tregjuhësh, fryt i një pune rreth 30-vjeçare, u fletëmbyll i gatshëm për botim qyshse në vitet 1887-‘88, por mbi dy vjet ma vonë atdhetari i penës, Thimi Mitko i mbylli sytë. Vepra i mbeti në dorëshkrim, sikurse shumë fjalorë e fjalës të tjerë të shek. XIX, si ai i Konstandin Kritoforidhit, etj.
Ky Fjalor i Thimi Mitkos mendohet të ketë ardhë në fonde shtetërore të Tiranës në kohën e Zogut, ndoshta në vitin festiv të 25 vjetorit të Pavarësisë. E, prej atëherit, gjithato duar e kanë prit e përcjell këtë vepër të çmuar, disa studiues mendohet të kenë vjelë e mjelë nga kjo vepër “e fshehur”, derisa në shek. XXI përfundoi hedhtas e haptaz në tezgat e rrugës. Sa tragjike e komike! Si shumë fate e fatalitete shqiptare.
Përballë këtij krimi ndaj veprës të Thimi Mitkos vjen një ditë e bekuar e lartngrihet mirësia e njeriut të mirë, historianit Shpëtim Sala, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, i cili kreu një shenjtëri të ditës: Në të tretin shekull kalendarik (1888-2013) e botoi këtë vepër me interes historik e shkencor. Në dy vite punë hulumtuese, përgaditore e botuese investoi mbi 10.000 USD nga kursimet shtërngestare nga të ardhurave e tij vetjake e familjare.
3.Vepra “Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” përmblidhet në dy vëllime me 634 faqe. Është kontribut i shumëfishtë i kombëtarit të formatit të madh, veprimtarit të shquar të shoqërisë civile, koleksionistit ndriçues, historianit ngulmues e botuesit sakrifikues Shpëtim Sala.
Vëllimi i parë, i përgaditur nga Shpëtim Sala, është puna studimore origjinale e Thimi Mitkos, është fjalori dorëshkrimor origjinal tregjuhësh i tij i ndarë në tre kolona greqisht-italisht-shqip me tekstin e plotë anastatik në dy pjesë: atë tematik (108 faqe) dhe atë bisedimor (214 faqe).
Vëllimi i dytë është vepër shkencore mirëfilli e studiuesit Shpëtim Sala me 298 faqe gjithsej. I ndarë në dy pjesë: Transliterimi i pjesës shqip të Fjalorit të Thimi Mitkos, i cili përbahet nga dy blej: fjalori tematik (fq. 97-128) dhe fjalori bisedimor (fq. 129-182) si dhe Fjalësi Shqip (fq. 183-290). Në kit’ vëllim (fq. 79-96) zenë vend edhe aparati shkencor i veprës: Përvoja në transliterimin e veprës së Th. Mitkos. Tabela me shkronjat e alfabetit grek të përdorura nga Mitko dhe atyre të shqipes së sotme me të cilat është realizuar transliterimi. Alfabeti i përdorur nga Th. Mitko. Shënjat e pikësimit, shenjat konvencionale dhe simbolet e përdorura nga Thimi Mitko në dorëshkrimin e fjalorit. Shkurtesat. Në përmbyllje të krejt veprës dyvëllimshme (fq. 293-296) studiuesi Shpëtim Sala paraqet shkronjat e Fjalësit dhe numrin e fjalëve sipas shkronjave, ku shenjohen 5.093 fjalë të dorëshkrimit të Thimi Mitkos. Gjithashtu është edhe bibliografia me burimet arkivore të shfrytëzuara e veprat e konsultuara nga vet koleksionisti e studiuesi Shpëtim Sala.
Në veprën e dytë historiani i njohur Shpëtim Sala paraqet (fq. 5-78) një studim plotor “Vështrim monografik mbi jetën dhe veprën e Thimi Mitkos”, i cili rri krejt mirë në këmbë edhe si një monografi meritore më vete.
4.
Rilindasi korçar Thimi Mitko në auditoret e shkencës e shkollave shqiptare tashma nuk do të njihet vetëm si “babai e krijuesi i folklorit shqiptar” me veprën e tij “Bleta Shqiptare” botuar një muaj para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), por edhe si leksikograf i shquar i shqipes me veprën “Fjalori…”(2013) botuar nga koleksionisti e historiani korçar Shpëtim Sala.
Në veprimtarinë e Mitkos duket se ma shumë kohë e mundime se sa për grumbullimin e folklorit shqiptar në Shqipëri e mërgim (Greqi, Bullgari, Austri, Egjypt) i ka marrë puna studimore për Fjalorët, bile nuk u tërhoq as pas vitit 1880 kur një sëmundje kronike e syve po ia dobësonte shikimin. Edhe tek kryevepra e tij e botuar “Bleta Shqiptare” kemi një Fjalës “Shqip-Greqisht”, po ka edhe dorëshkrime të tij si Fjalor Greqisht-Shqip apo Shqip-Greqisht, veçse Fjalori tregjuhësh i vitit 1887-‘88 është më i ploti, më i madhi, ma i randësishmi, i gjithëkohshëm.
Fjalori i shek. XIX i rilindasit dijetar e pasanik Thimi Mitko për nga sasia e fjalëve (mbi pesë mijë) të leksikut të shqipes renditet mbas fjalorëve të J.G. Hanit, F. Rosit, G. Jungut e G. Majerit.
Fjalori i Mitkos, sikurse edhe ai i Pulevskit, janë të vetmit fjalorë të shek. XIX me orientim tematik, të cilët përmbajnë edhe shprehje dhe përshendetje, urime, etj. që përdoren në ligjerimin e shqipes.
Kjo vepër e Mitkos e shek. XIX nuk ishte e panjohur nga albanologët e kohës dhe as nga disa rilindas shqiptar, e cila dëshmohet edhe nga gurra arkivore të letërkëmbimeve të folkloristit e leksikografit Thimi Mitkos.
Ky Fjalor tregjuhësh, që pasqyron gjendjen e Shqipes në gjysmën e dytë të shek. XIX, ka leksik mjaft të pasur nga trevat e Veriut dhe të Jugut të Shqipërisë, përmban fjalë të reja (neologjizma), synon pastrimin e Shqipes nga gjuhët e tjera të Ballkanit e Mesdheut, etj.Vepra e randësishme leksikografike e Thimi Mitkos, fjalori tregjuhësh i tij, është pjesë e veprimtarisë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shek. XIX të vëllezërve Frashëri, Kristoforidhit, De Radës, D. Kamarda, J. Vreto, D. Boriçi, G. Benusi, etj. që dhanë kontribute edhe në gjuhësinë shqiptare. Njëherash, ky Fjalor është një nga ato kontributet e mëdha e të shumta të rilindasit Thimi Mitko krahas atyre si mbledhës e përhapës i folklorit shqiptar; autor i dhjetra artikujve në shtypin e kohës për problematika të Kombit Shqiptar; nismëtar e pjesmarrës në shoqëri patriotike shqiptare në mërgim; shtypshkrimin e shpërndarjen e librave e gazetave shqipe në vise të Shqipërisë Natyrale; botimi i disa poezive; nisma për arsimin e kulturën shqiptare, etj.
5.
Vepra “Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” (2013) në dy vëllime mirëfilli shkencore është, si të thuash, një temë doktorature e historianit korçar Shpëtim Sala me banim në Tiranë, e cila para çdo komisioni do të merrte vlerësimin ma të lartë.
Në koft se flasim edhe për botime të tjera të historianit Shpëtim Sala si monografia “Një perandor në Prizren” (Botime Françeskane, Shkodër, 2008), “Letra të panjohura të Fan Nolit, 1906-1913” (Letërkëmbime të Nolit me personalitete. Pajisë edhe me aparat shkencor. Botime Françeskane. Shkodër. 2008), “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (Tiranë, 2006, 2011), Maximilian Lambertz “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916” (Përkthimi nga gjermanishtja, si dhe parathania e shpjegimet nga Sh. Sala); përmbledhja folklorike “Këngë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme”, etj. meriton akordimin e një titulli të lartë “Profesor”, pasi të këtilla janë kontributet e tij.
Në koft se flasim edhe për veprat dorëshkrimore të historianit Shpëtim Sala, për gjashtë monografitë e tij si ato për shoqëritë patriotike, Orkestrat frymore, shtypin, fjalorët e fjalësit, etj. si dhe referate apo kumtesa të mbajtura në konferenca, simpoziume e konferenca shkencore në Tiranë, Shkodër, Korçë, Prishtinë, Strugë, Ulqin, etj. apo ligjërata si në Universitëtin Ndërkombëtar të Strugës, etj. atëherë e meriton titullin “Akademik” i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë apo të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës.
Shpëtim Sala, ky rilindas i ri, është nderuar nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës me Çmimin “Frang Bardhi” (2008) ka një pasuri të madhe e të rrallë në shtëpinë e tij: Koleksionon mbi 3.000 libra në gjuhën shqipe. Mbi 20.000 fotografi e kartpostale me tematikë shqiptare. Mbi 1.000 dokumente që kanë zanafillë nga pushtimi otoman. Ka një koleksion pothuaj plotor filatelinë shqiptare. Gjithato heraldika shqiptare, monedha e kartmonedha shqiptare, objekte etnografike druri, etj., Ky fond i madh koleksionesh shtron kërkesën para Ministrisë së Kulturës e Qeverisë së Shqipërisë për hapjen e një “muzeu” me këto vlera kombëtare shqiptare për të sotmen e të nesërmen. Historiani e koleksionisti Shpëtim Sala duhet thënë se me koleksionet e tij ka hapur ekspozita të shumta e të shpeshta dhe me frymë e shtrirje panshqiptare në Tiranë, Prishtinë, Vlorë, Budapest (Hungari), Prizren, Korçë, Strugë (Maqedoni), etj., në të cilat kanë paraqitë vlera të rralla dhe janë ndjek me interes nga mijëra vizitorë shqiptarë e të huaj.
Nisur nga të gjitha këto veprimtari botuese, studimore, koleksionuese, kulturore, etj. të historianit e koleksionistit Shpëtim Sala mendoj se ka ardhë koha që t’i akordohet nga Qeveria e Shqipërisë një pension shtetëror për merita të veçanta.
6.
“Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” (2013) është një punë shkencore “e përbashkët” e Thimi Mitkos e Shpëtim Salës, është vazhdim plotësor i veprës së njëri-tjetrit, ku këta dy rilindës të shquar në kohë të ndryshme, këta dy emra të njohur në letrat shqipe, në arsimin e kulturën shqiptare, e ndajnë lavdinë ndërveti. Rilindasit Thimi Mitko e Shpëtim Sala janë dy emra që i bajnë nder kohës e njëri-tjetrit.