• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga dosja e krimeve komuniste: PLAGET TONA

August 18, 2014 by dgreca

RIVARRIMI I NËNËS/
Nga Teki dhe Memisha Gjonzeneli – Tragjasi/
Qysh vdiqe moj nëna ime,/
Me një det me hidhërime,/
Me burgje dhe internime,/
Ajo çika zemër trime./
T e k i u /
Më datën 5 gusht 2014, arritëm të rivarrosëm në vendlindje, Tragjas, prindërit tanë të dashur. Me shumë vonesë, pasi më 5 gusht të vitit 1990, ne emigruam nga atdheu për në Shtetet e Bekuara të Amerikës, për t`i shpëtuar vuajtjes së pa fund që kishim provuar në atdheun tonë.
***
Unë Tekiu, arrita së fundi të hedh një grusht dhe, mbi varrin e nënës sime të dashur, sepse kur ajo dorëzoi shpirtin e saj të bardhë dhe të vuajtur, më 15 prill të vitit 1982, unë nuk u ndodha pranë saj, pasi vuaja në burgun komunist të Ballshit, për idetë e mia.
E kujtoj si sot, se atje ku isha, në skëterrën komunistë, atë natë pashë një ëndërr që më tronditi jashtë mase: M`u bë sikur u ndërpre lidhja telefonike me nënën. U besoj ëndërrave dhe prandaj menjëherë i nisa nënës një telegram. Pasi nuk mora përgjigje të nesërmen nisa një telegram tjetër, por përsëri asnjë përgjigje. Në përgjigje të telegramit të tretë më shkruhej: ”Personi që kërkoni ka vdekur. Në fund të telegramit ishte shënuar dërguesi:Posta”.
Me telegramin në duar që më dridheshin pa fund, nuk e durova dot dhimbjen dhe ulërita si fëmijë. Shumë më vonë, mara vesh se kjo përgjigje ishte kthyer nga Zonja e nderuar, bashkëshortja e të ndierit Leka Kruta, që punonte në postë.
Vdekja e nënës, ndodhi në kohën kur kisha vetëm 5 ditë që kisha dalë nga labirinthet e skëterrshme të Sigurimit të Shtetit, ku vuajta 5 muaj hetuesi çnjerzorë, tmerr, që besoj se helmoi dhe përshpejtoi vdekjen e nënës sime të dashur e të vuajtur.
Në gjendjen që u ndodha, bashkëvuajtësit në burg, Safa Çeloaliaj dhe zotrija që sot më nderon në këtë ceremoni përkujtimore Dilaver Çeloaliaj, brenda pak minuatve shtruan një batanije në fund të kapanonit me dërrasa, ku ishte ulur Faik Margaritari, një i moshuar i burgosur rreth të tetëdhjetave, mik i familjes time por më fatkeq se unë, i cili më përqafoi dhe pasi fshiu dy pika loti, drodhi një cigare dhe ma tha:
– Djalë bëhu i fortë! Pasi heshti pak e hoqi në zemër vazhdoi:
– Mua më dënuan pa asnjë faj 25 vjet, më pas më pushkatuan djalin, ndërsa djali tjetër vdiq nga vuajtja dhe mungesa e barnave në burgun e Spaçit dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto tmerre,- më pushkatuan edhe dhëndërrin: Sezai Çeloaliaj dhe prapë bëj durim dhe bëhem i fortë.
Kështu filluan bashkëvuajtësit e mi, të vinin e të më ngushëllonin, atje tek batanija e shtruar për tokë duke më hedhur edhe nga një cigare dhe duke treguar sejcili historinë e tij.
Njeri më thoshte unë kam qënë në Burrel me babanë tuaj, një tjetër më tha jam shok i Muratit, vëllai jonë që vuante në burgun e Spaçit dhe për çudi ndryshe nga të tjerët më dha dy cigare: një për mua dhe një për vëllanë tonë Muratin, pasi nuk kishte se ku e gjente dhe ta ngushëllonte edhe atë për vdekjen e nënës.
Pastaj erdhi duke qarë Sherif Merdani, ai këngëtari i famshëm, Sherua siç i thërrisnim ne, me të cilin kisha qenë edhe ushtar në repartin e punës në Dushk- Lushnje. Edhe ai duke qarë bashkë me mua, më tha: ”Po mbi një batanije, në burg, i priti cigaret për babanë, edhe vëlli juaj dhe shoku im, Murati. Ishte 29 qershor i vitit 1976, atë ditë nuk do ta harroj kurrë. Në se një ditë do të hapen dosjet e diktaturës komuniste, drama e familjes tuaj do t`i tronditë shqiptarët!”
Miku i familjes tonë Pipi Konomi erdhi bashkë me një mikun e tij: një burrë të gjatë me trup të drejtë, i cili më dha dorën dhe më tha:
– Burrat nuk qajnë! Unë u befasova, kur Xha Faiku më tha se ai ishte komunisti Andon Sheti nga Vunoi i Vlorës. Vuajtja dhe burgu ia kishin zbutur zemrën këtij komunisti…
Kështu të dashurit e mi, këta që përmënda dhe shumë të tjerë, më ngushëlluan për vdekjen e së mirës nënës sime.
Të nesërmen i nisa një letër Finlandës, bashkëshortes sime, e internuar në fshatin e Tragjasit, të cilën e porosisja që të mbante afër fëmijët dhe ta duronte dhimbjen, siç ishte mësuar edhe ajo t’i duronte dhimbjet, kur i kishin pushkatuar babanë, kur ishte arratisur xhaxhai, dhe kur e kishin internuar familjen e saj.
Në fundin e asaj letre i shkrova një elegji për nënën:
Qysh vdiqe moj nëna ime,
Me një det me hidhërime,
Me burgje dhe internime,
Ajo çika zemër trime.
***
Ne u njohën me komunizmin që fëmijë dhe që athere kuptuam, se ai sistem nga luga e floririt që premtonte do ta shpinte popullin të hante me lugën e drurit! Ishte 24 dhjetor i vitit 1944, kur dy partizanë erdhën në shtëpinë tonë, në lagjen Skelë, buzë detit, dhe arrestuan babanë. Ne, katër vëllezër, ende fëmijë, iu qepëm nga prapa babait duke qarë, por komunistët e pa shpirt na shtynë me urrejte, me qytat e pushkëve duke shfryrë:
– Kulishët e ballistit! Fjalë që ne nuk arrinim t`i kuptonim asokohe…
Kurrë nuk mund ta harrojmë nënën tonë të dashur, e cila edhe ajo duke qarë dhe mallëkuar, na mblodhi rreth vetës si zogj shqiponje duke na thënë se babai do të kthehej shpejt, ndofta edhe ajo, nëna jonë, besonte se ai, babai jonë do të kthehej me të vërtetë. Por babai u kthye në shtëpi pas dhjetë vjetësh, kur ne në vuajtje e mjerim, tashmë ishim rritur…
Kjo e keqe na ndoqi gjithë jetën. Pas babait, vëllai jonë Qamili u hodh në det nga brigjet e Sarandës dhe doli me not në Korfuz. Më pas Memishahu, në moshën 16 vjeçare përfundoi në burg. Pas Memishahut radhën e kishte Murati i cili vuajti në burgjet komuniste mbi 18 vjet të jetës së tij dhe i fundit isha unë Tekiu…
Finlanda bashkëshortja e Tekiut e tregon kështu ditën e arrestimit të tij: “Pas arrestimit të Tekiut të Vlorë, ia behën në shtëpi 5 oficerë të Sigurimit të prirë nga i famshmi Xhebro Shalari… Ata do të kontrollonin shtëpinë e armikut të popullit tashmë të arrestuar, por edhe do të terrorizonin një grua pa mbrojtje dhe fëmijët,- më i madhi vetëm 14 vjeç… Në largim Xhebro Shalari i drejtohet Finlandës, me një krenari prej krimineli:
– Ku e ke Tekinë ? Dhe ajo si grua vërtetë shqiptare iu përgjegj:
– Sa herë që Tekiu vinte në Vlorë ne dilnim në shkallë dhe e prisnim. A do të kthehej, apo do arrestohej? Tani që ju e morët nuk kemi se ç`farë të presim më. Na i pakësuat vuajtjet, shtoi ajo me një qëndrim burrneshe… „
***
Që nga 24 dhjetor i vitit 1944, familja jonë kishte vuajtur e provuar kalvarin çnjerzor komunist. Vuajtjet shpirtërore ndofta as varri nuk do t`i shërojë, por u ndamë nga vuajtjet fizike, 24 vjet më parë, pikërisht në një ditë si sot më 5 gusht të vitit 1990, kur u lartguam zemër djegur nga atdheu ynë që na kishte bërë të vuanim aq shumë.
Atë ditë kisha hipur në traget i përcjellë nga tre- katër miq, ndërmjet tyre edhe profesor Bejkush Birçe, që më ka nderuar edhe sot me praninë e tij në rivarrimin e nënës…
Ndërsa trageti u nis, hodha sytë me mallëngjim në brigjet e Adriatikut, atdheut tim të dashur, po mendimet e mia m’i ndërpreu Finlanda, bashkëshortja ime dhe im bir Fatmiri, athere 11 vjeç të cilët më thanë:
– A ke forca ta fillosh jetën nga e para?
Përgjigjia ime ishte: Po!
-Athere, më thanë ata në nje gojë, ne do ta gëzojmë jetën dhe sot e tutje nuk do të guxojë njeri të na diskriminojë e të na fyej si komunistët e Tragjasit. Jeta nën diktaturën komuniste na mësoi si të duronim dhimbjen fizike e shpirtërore.
Në varrimin e babait morën pjesë vetëm 15 vetë…
Kur dola nga burgu, nje njeri i mirë nga lagjja Llonxhë ku banonte nëna, me ftoi për një kafe dhe më tha: „Kam qënë këtu, ulur, kur është përcjellë nga kjo lagje, në përjetësi nëna juaj vetëm me 7 vetë. Në fund ishte Beshiri, varrmihësi, por edhe ai u ndalua nga një anëtar i Këshillit Popullor, sepse gruaja që përcillej ishte e veja e një Ballisti, dhe grua që kishte lindur vetëm armiq të popullit të cilët partia i kushte burgosur… „
***
Një familje e tërë, e dënuar mizorisht: Babai, Muhamet Gjonzeneli (1907 – 1978) i dënuar me 30 vjet burg, Qamili, djali i madh, i arratisur jashtë shtetit,Tekiu i dënuar me 8 vjet burg, Memishahu i dënuar me 6 vjet burg, Murat Gjonzeneli dënuar me 20 vjet në burg.
Zonja (1908 – 1982), nëna e katër djemëve të dënuar, ajo grua heroinë që e kishte kalur gjithë jetën nëpër dyert e burgjeve dhe që i kishte larë udhët e Shqipërisë me lot, duke ndihmuar sado pak bijtë nëpër burgje dhe kampe e qante të shoqin me lot hidhërimi:
Muhamet e varfëra,
Po e keqia s`tu nda,
S`të qan motër, as vëlla
As fis as akraba.
Për ta kuptuar dhimbjen e kësaj nëne, për ata që nuk e jetuan atë kohë, sqarojmë se Muhameti si shumë të tjerë në atë kohë ishte njeri i braktisur nga njerëzit, më të afërt, nga fisi dhe miqësia sepse ishte “armik populli”! Edhe në përjetësi ai burrë i rëndë u përcuall nga një grusht njerzish.
***
Më 5 gusht 2014, ne bijtë e atyre prindërve të vuajtur arritëm që prindërit tanë t`i rivarrosim në vendlindjen e tyre në Tragjas, në baltën që i kishte lindur, rritur dhe vuajtur pa fund, pranë të afërmve dhe të dashurve të tyre nga të cilët ishin ndarë në gjallje dhe ndofta Perëndia i bashkonte në atë jetë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Memisha, Nga dosja e krimeve komuniste: PLAGET TONA, Rivarrimi i Nenes, Teki Gjonzeneli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT