• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ Emigrantja” roman i Elvi Sidherit

November 8, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Nën përkujdesjes së Filozofisë Urbane -Libraria elektronike e Prishtinës u botua këto ditë romani  në formatin elektronik ,”Emigrantja” e autorit Elvi Sidheri ,publicist nga Tirana

“Emigrantja” nuk është thjesht dhe vetëm një histori e zakonshme emigrimi,jo se emigrimi në vetvete përbën dhe ngërthen diçka banalisht të cilësueshme si të thjeshtë.

“Emigrantja” është së pari historia e një gruaje shqiptare,e cila si shumë bashkëatdhetare të sajat,mori me vetëmohim dhe vetëdije të plotë udhët e emigracionit 20 e më tepër vite më parë,me bashkëshort në krah e bijën përdore,në kërkim të një jete më të mirë,të një të ardhmeje të re dhe më të gjallë e me perspektivë,sesa e tashmja që ajo dhe familja,jetonin në përditshmërinë e Shqipërisë së kolapsuar të post-vitit 1990-ë,një kohë tranzicioni,vështirësish të patregueshme,privimesh dhe arome lirie që vinte sa nga Perëndimi aq i ëndërruar,por aq edhe nga një vend fqinj,Helladha e ngarkuar vërtetë plot gjurmë shovinizmi anti-shqiptar,por po aq edhe e banuar në shekuj…dhe e ndërtuar nga e para disa herë nga shqiptarë,gjaku arvanitas,çam ortodoks etj.

Një libër që flet për Marianën,personazhin padyshim kryesor të një romani të tërë,kujtimet e saj të gjata dhe të rrjedhshme,që nisin nga Tirana e vitit 90-të,që dalin më tej edhe në kryeqytetin shqiptar të zhytur ende nën regjimin e egër totalitar,për të riardhur më pas në Greqinë e këtyre mbi 20 viteve emigrim masiv shqiptar,duke kaluar nga Naousa në Selanik,Athinë,Pire e Patra,për t’u gjendur më andej papritmas në Stambollin madhështor,ku takohet pashmangshmërisht me të tjerë shqiptarë të harruar,të kërcënuar sërish nga asimilimi gjuhësor dhe kombëtar,në periferitë e pluhurosura dhe tërë baltë të qytetit simbol të shtetit turk.

Është një libër i ndjerë,realist dhe që synon të tregojë faqen e vërtetë të emigracionit shqiptar në fqinjin tonë jugor,të na njohi me të vërtetën e pranisë shqiptare vendase dhe autoktone jo vetëm në Greqi,por na njeh edhe me një kapitull,shpesh të lënë në cepin e interesit tonë kombëtar,siç janë shqiptarët e shumtë të Turqisë.

Një libër që rrjedh mes lidhjes së fortë ndër-shqiptare të emigrantëve të rinj dhe elementit shqiptar vendas,aq sa edhe tregon se Ballkani është shpesh shumë i vogël për t’i njohur vetëm anën konfliktuale.

Libri është i formatit elektronik , shkarkohet falas http://www.librariaelektronike.com/libri/89

Filed Under: Kulture Tagged With: Elvi Sidheri, Emigrantja, Fahri Xharra, roman

“NUSE NË DERËN E HASMIT”

March 26, 2013 by dgreca

Nga PIERRE-PANDELI SIMSIA*/

– Unë sot, pas kësaj që mësova nga ti, duhet të ndihem i lumtur. Më lejo ta përsëris edhe njëherë: unë sot duhet të ndihem djali më i lumtur, më fatlumi,
ashtu siç ndihet çdo mashkull për krijesën e tij të parë… U mendua një çast nëse ishte e përshtatshme dita e sotme për t’i treguar atë plagën e rëndë që e kishte ruajtur sekret prej saj. Vendosi t’i hapej, nuk mund të priste më.
– Mua më ka dënuar fati pa ardhur akoma në këtë jetë, e dashur Lea! Nuk dua që krijesa ime e parë, nëse është djalë, të dënohet nga fati, ashtu siç jam dënuar unë. Mbase të duken marrëzira të çuditshme këto që po t’i them tani. Ke dëgjuar ndonjë mashkull që fëmijën e parë nuk e do të jetë djalë?… Ja, unë jam një i tillë. Ndoshta nuk i kushtove shumë rëndësi bisedës sime në fillim. Të kërkova falje. Po, po, falje të kërkova….

– Lea! Lea e dashur! Qetësohu! Ndihesh mirë? – Zëri i doli i shurdhët. “O Zot! Të lutem më ndihmo!” – foli me vete ankueshëm dhe dhimbshëm.
– Lea… – bërtiti fort. I preku mjekrën duke i tundur lehtë kokën. I fërkoi supet dhe damarët e qafës.
Ajo po e vështronte përhumbshëm.
– Liridon, të lutem më ndihmo të ulem në stol… – mezi i foli. Zëri i doli i çjerrë dhe i përvajshëm.
Ai psherëtiu i lehtësuar; e kapi nga krahët dhe e tërhoqi lart. U ulën në stol. I hodhi dorën në qafë. I preku flokët, ia mikloi kokën dhe ia mbështeti në kraharorin e tij.
Midis dënesës dhe dhimbjes nga ajo e papritur, me zë pikëllues dhe të trishtuar, regëtiu vetëm fjalët: “Pse Liridon?”.
– E dashura ime! Këtë pyetje ia bëjmë edhe ne shpesh vetes. Pse ky fat për ne? Pse duhet të dënoheshim edhe ne, unë dhe motra ime, pa dalë akoma në këtë jetë?! – Zëri i tij dilte i dëshpëruar. Fytyra i rrezatonte dhimbje.
– Si ndihesh? … Të përgjërohem, e dashur!… Të dua shumë, shumë!
– Ah, more Liridon! Po më rëndojnë si plumb në zemër fjalët që po dëgjoj. Nuk dua ta besoj. Më thuaj, të lutem, se nuk janë të vërteta të gjitha ato që më the. Më thuaj, i dashur, se e gjitha kjo është një shaka e hidhur, mizore… – Fytyra e saj kishte marrë ngjyrën e dheut.
– Besomë në çdo fjalë, e dashur!… Besomë! … Kjo është e vërteta, një e vërtetë e hidhur, e kobshme.
Në kulmin e dëshpërimit, ajo foli me zë të ulët dhe vajtues, por ai e dëgjoi
………………………….

Nuk ia falim as Liridonit, as juve që e keni ruajtur të fshehtën deri tani, kur djali juaj e la shtatzënë Lean! Ndoshta mendonit se kështu do të na futnit në çark!…Gaboheni!
Liridoni shtrëngoi fort dhëmbët. Në fytyrë iu dallua lëvizja e nofullave. I gëlltiti mundimshëm ato fjalë të Vjolës. Donte përsëri të fliste, por respektoi prapë të atin të vazhdonte bisedën.
– Vjola, je me shkollë të lartë, moj bijë, je intelektuale dhe mos fol me gjuhën e çarqeve. Nuk kemi ardhur sot këtu të nxjerrim viktimën nga çarku, sepse askush nuk është viktimë, as Lea. Ajo është nusja e djalit tonë.
– Nëse do bëhet nusja e djalit tuaj… Ata tani janë akoma të fejuar, – ndërhyri Vjola, përsëri e prerë në ato që mendonte.
– Lea është nusja e djalit tonë, – vazhdoi përsëri Fuati. – Unë jam akoma gjallë dhe këta të dy do të martohen dhe do të trashëgohen me jetë të gjatë e të lumtur. Fëmija që është ngjizur në barkun e Leas, do zhvillohet e do rritet i mbarë. Nuk jemi për abortim, siç mendoni ju.
– Abortimin as ne nuk e dëshirojmë, kurrsesi! Besojmë në Zot, por në rastin tuaj, të familjes suaj, pra, abortimi është i pranueshëm dhe… – Këtu Vjola e ndërpreu bisedën. Ajo donte të thoshte: “Fejesa duhet të prishet sa më parë”.

……………………………………………………………………………………………………
– Vërtet do na vritet babi, Liridon?!… Oh, Zot i madh! Më beso vëlla, çdo ditë, kur kthehem në shtëpi, një mendim i dhimbshëm më ngacmon e s’’më lë të qetë, ma godet trurin si me çekiç, një pyetje dyshuese i bëj vetes: do ta gjej babin brenda vallë, apo… do të
ketë shkuar në Shqipëri… për të ikur nga kjo jetë? – Zëri i doli i dridhur, i dhimbshëm dhe fjalët të shkëputura. – Oh, unë e mjera, sa më dhimbset babai! Oh, sa shumë e dua, Liridon! Është babai më i mirë në botë…
Liridoni nuk po gjente dot fjalët e përshtatshme që t’i përgjigjej të motrës, pastaj me zë të dridhur tha: – Pse nuk po na lënka edhe neve fati i mbrapshtë ta gëzojmë jetën, moj motër! Të gjithë e duam babin tonë të mirë, të shtrenjtin tonë. Më duket sikur jam unë fajtor, Xhilda, sikur dhe Lea e djali im janë fajtor, që babi ka marrë atë vendim të dhimbshëm. Vdekja, për çdo njeri është e paparashikueshme dhe askush nuk e di se kur dhe nga i vjen. Por, të nisesh me dëshirë, ose më mirë të them, i detyruar me dëshirë në udhën e hidhur të vdekjes, t’i shkosh asaj vetë me këmbët e tua e t’i dorëzohesh, ky është, ndoshta, i vetmi rast që po ndodh me babanë tonë…
– Liridon, po më këputet shpirti. Më beso, vëlla! Edhe nga fjalët e tua që po dëgjoj tani, më vijnë të dridhura. Por Arbrin, ama, nuk duhet ta zësh asnjëherë me gojë. Ai është krijesa e re e Zotit. Ai është shpirti, jeta, gëzimi, lumturia i të gjithë familjes sonë. Ai është një engjëll. Një engjëll i pafajshëm, si mundet të jetë fajtor?!… Ç’po flet, vëlla i dashur?
– Sepse, pikërisht motër, duart vrastare duan të vrasin edhe engjëj të pafajshëm. Xhilda, ti këtë e di prej kohësh. A nuk isha edhe unë atëherë një engjëll i tillë që duhet të vritesha? Madje edhe sot kërkojnë të më vrasin!
– Liridon, të lutem, mjaft! Mjaft, vëlla! Por edhe për Lean më vjen shumë keq. Unë jam vetë vajzë dhe e kuptoj shumë mirë gjendjen e saj shpirtërore…

…………………………………………………………………………………….

“Dora njerëzore, thua ti vëlla! Ashtu është, vërtet. Veç, ajo dorë njerëzore bën të mira e të liga. Shkon në kishë njeriu, zgjat dorën dhe me të merr dhe ndez qiriun. Me dorë, me gishtat e dorës njeriu bën kryqin, i falet Zotit për shëndetin e tij dhe të familjes, për faljet e mëkateve… Faljen! Faljen e mëkateve! Me dorë prek ikonat e shenjtorëve si për të marrë bekimin e tyre. Por, është po e njëjta dorë njerëzore që shkrep armën vrastare për të marrë jetë njerëzish të pafajshëm…” Ashtu po i ndodhte edhe në atë çast, ndërsa mbante
në dorë qirinjtë. Dora po i dridhej. Afroi qiriun e parë për ta ndezur te një tjetër. Nuk po e kuptonte se pse dylli i lëngësht që i derdhej poshtë iu duk si rrjedhë loti. Çuditërisht, ndoshta nga dridhja e dorës, ndoshta nga flladi i lehtë që po frynte në atë çast, qiriu i tij u fik sapo e vendosi në mbajtëse. I trokitën përsëri në vesh fjalët e Evelinës duke ia goditur ndërgjegjen. Tundi kokën trishtueshëm… Hapi pëllëmbën e dorës tjetër me gishta të bashkuar për të penguar erën dhe e ndezi përsëri. Më në fund ndezi edhe qirinjtë e tjerë dhe i vendosi me radhë në mbajtëse. Ndërkaq, e shoqja i kishte ndezur të sajat dhe po e priste pak hapa më tutje…

*Fragmenti eshte marre nga romani I Pandeli Simsise, i sapo botuar nga Shtepia Botuse”Toena” ne Tirane.
BOTIMET TOENA
Tiranë, 2013
Botuese: Irena Toçi
Redaktor: Bardhyl Xhama
Korrektore letrare: Arlinda Rrushi
Përkujdesja grafike: Albana Kura
Kopertina: Lavdie Cenmurati
ISBN 978 – 99943 – 1 – 886- 5

Filed Under: Kulture Tagged With: e hasmit, nuse ne deren, Perr Pandeli Simsia, roman, Toena

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT