Artistë serbë dhe kosovarë kanë filluar të punojnë mbi veprën e famshme ”Romeo dhe Xhulieta” të William Shakespeare, që do të drejtohet nga aktori i njohur serb Miki Manojlovic.
Projekti do të financohet nga Zyra për Integrim me qendër në Beograd dhe nga Qendra Multimedia me qendër në Prishtinë.
Detajet e këtij projekti u paraqitën në një konferencë për shtyp në Beograd nga dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj dhe nga aktorët serbë Anita Mancic dhe Goran Jevtic.
“Seleksionimet janë mbajtur tashmë në Prishtinë dhe rreth 71 artistë nga ky qytet, nga veriu dhe jugu i Mitrovicës dhe nga Shkupi aplikuan, që do të thotë se kjo ide është mirëpritur”, tha Manojlovic
”Mendoj se është e rëndësishme dhe e dobishme që të zgjerojmë rrethin e integrimit në qytetet tona, kombet dhe fqinjët”, vazhdoi ai.
“Kjo pjesë do të luhet në serbisht, shqip dhe anglisht dhe premiera do të mbahet në Beograd dhe Prishtinë nga fundi i vitit dhe më pas do të luhet në skenat e vendeve të tjera të Ballkanit” theksoi Manojlovic.
Neziraj tha se projekti ka tërhequr vëmendjen e medias dhe të artistëve. Njëkohësisht ai shprehu kënaqësinë që kjo tragjedi do të vihet në skenë edhe në Beograd.