– Ramize Gjebrea vuri gjoksin para automatikut të mos pushkatonin vëllain/
-Babai, Hasani, ka qenë luftëtar i luftës së Vlorës, theu rregullat e luftës si djalë i vetëm/
– Deri para Mukjes, në shtëpinë tonë kanë ardhur Ali Demi, Qazim Çakërri, Hysni Lepenica, Hysni Kapua/
-Hasan Ormënaj parakaloi para tribunës me kalë, me shpatullat që i rridhnin gjak/
-Babai me dy vëllezërit u larguan për Mal të Zi, mua më lanë në Shqipëri/
– Vëllai i madh la gruan 20 vjeç, djalin një vjeç e gjysmë dhe vajzën dy muajshe dhe iku/
-Babai im u vra në Laç, në nëntor 1944, eshtrat i gjeta pas 46 vjetësh/
– Si u takova me vëllain pas 48 vjetësh, shumë lot dhe gjendje kllapie në Rinas/
-Gruaja e vëllait e priti 48 vjet vëllain dhe rriti me nder dy fëmijët e tij/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Quhet Xhevit Hasan Ormënaj nga Velça e Vlorës. Fshati i tij Velça është një fshat burrëror dhe fisnik, që e përkrahu, e mbrojti hapur dhe pse ndaj familjes së tij ra grushti i hekurt i diktaturë së proletariatit. Nderim dhe respekt për këtë fshat (thotë ai) ku kam pasur nderin të jetoj, ku jam lindur dhe rritur dhe nëna më mëkoi me dashurinë për atdheun. Kam detyrime ndaj këtij fshati, njerëzve të tij, që mu ndodhën pranë në momentet më të vështira. Këtë e thotë me zemër, pasi dhe pse me dy vëllezër të “arratisur”, dhe pse me babanë e vrarë nga partizanët, velçjotët e trajtuan si të barabartë në atë luftë të tmerrshme klasash.
Mund të na flisni dy fjalë për babanë tuaj?
Babai im ka qenë patriot, si shumë nga bashkëfshatarët e mi. Ai ka pasur një aktivitet shumë të pasur patriotik. Ka marrë pjesë në shumë luftëra për të mbrojtur atdheun, por pika kulmore e tij si patriot ka qenë lufta e vitit 1920. Në këtë luftë, drejtuesit e luftës morën një vendim që djemtë e vetëm të përjashtohen nga kjo luftë, me qëllim që të mos shuhej fisi. Babai im ishte djalë i vetëm por e theu këtë ligj apo urdhër. Babai im quhej Hasan. Ai mori vendim se do të marrë pjesë në luftën ndaj italianëve. Madje, babai u zgjodh komandant i çetës së Velçës. Çeta e Velçës ishte një ndër çetat kryesore, që kishte mbi 120 luftëtarë. Në betejën më të madhe, në Qafë të Koçiut, ku u përplasën fyt më fyt, ku çeta e Velçës kishte detyrën kryesore. Në këtë luftë u plagosën 27 burra trima dhe u vranë 19 kryetrima. Ishte një luftë që bëri bujë. Midis të plagosurve ishte dhe babai im, i cili mori dy plagë në secilën shpatull. Por megjithatë ai nuk e la luftën. Kur italianët u larguan nga Vlora, çetës së Velçës i takoi nderi dhe privilegji, që të parakalonte para tribunës së nderit, për fitoren. Në krye të çetës, në parakalim, ishte babai im mbi kalë, i cili dhe pse plagët i kishte lidhur ato i pikonin gjak. Pas këtij eventi babai u titullua oficer i kësaj lufte, me gradë dhe rrogë. Pra ai u caktua si oficer në kufijtë e Shqipërisë. Në fillim u caktua në veri. Pikërisht në vitin 1922 ai u plagos sërishmi në kufirin verior nga bandat serbo-malazeze. Pas kësaj kishte bindje politike fanoliste dhe ishte mik me Avni Rustemin. Kur Ahmet Zogu bëri reforma dhe u vetëshpall mbret, babai nuk ishte për këtë lloj qeverisje, por për qeverisje demokratike. Për këtë fakt babai u largua nga ushtria dhe u kthye në fshat, në Velç. Më 7 prill 1939, babai ishte ndër të parët që e priti pushtuesin me luftë. Me organizmin e Partisë së Ballit, duke qenë se e njihte personalisht dhe kishte miqësi me Mit’hat Frashërin, kaloi me këtë parti. Nga ana tjetër, ai nuk kishte fare simpati për komunizmin, pasi fara e saj ishte përhapur kudo dhe njerëzit e dallonin atë sistem. Nuk ishte sistem që nxittë zhvillimin. Ishte një sistem me sovkoze dhe kolkoze, me kolektivizim, që nuk kishte bosht orientues dhe përjashtoi pronën private. Në atë kohë, në Vlorë, për organizmin e Partisë Komuniste vepronte i dërguari i Komitetit, Dushan Mugosha. Babai im kishte një urrejtje për serbët pasi e kishin plagosur në kufi. Kështu përfundimisht babai im u rreshtua me Ballin Kombëtar. Kur ikën ushtarët italianë dhe erdhën ata gjermanë, çeta e babait tim i priti me luftë .
P.sh cila është beteja që ka bërë kjo çetë e Ballit Kombëtar kundër gjermanëve dhe a është shkruar në histori?
Lufta më e madhe e kësaj çete ka qenë lufta e Drashovicës dhe lufta e Gjormit. Kjo ishte luftë frontale, luftë ku u rrethuan forcat gjermane ku më tej ishin dhe forcat partizane. Aty thuhet që vetë lufta e tij në front të parë me mitraloz, bëri që gjermanët të zmbrapsen dhe ti shpëtojnë rrethimit forcat partizane. Dua të them se shtëpia jonë ishte një nga bazat më të mëdha të luftës antifashiste. Para Mukjes, si Partia Komuniste dhe ajo e Ballit, kishin program të përbashkët. Pas Mukjes u ndanë. Deri para Mukjes në shtëpinë tonë kanë ardhur ilegalisht ish anëtari i KQPKSH Pali Terova (që më vonë u vra), Ali Demi, Qazim Cakërri, Hysni Lepenica, Hysni Kapua, e tjerë . Më 4 nëntor 1944, Komiteti Partisë së Qarkorit të Vlorës, me në krye Hysni Kapon, bëjnë një mbledhje në fshatin Ramicë me të gjithë komandantët, komisarët e Qarkut të Vlorës. Aty ishte dhe Dushan Mugosha. Në këtë takim u mor vendimi fatal që të bëhej luftë frontale dhe të digjeshin tre fshatra që ishin me influencë në Ballin Kombëtar, Velçë, Gjorm. U caktuan disa njësite partizane për të djegur shtëpitë tona. Babai im kishte ardhur në shtëpi nga lufta. Partizanët atë natë kishin rrethuar shtëpinë tonë. Gruaja e vëllait tim të madh kishte lindur djalë dhe del jashtë për të parë derën e jashtme. Kur shikon shtëpinë të rrethuar. Shkon me vrap dhe zgjon babanë. I thotë: baba jashtë jemi të rrethuar. Unë në atë kohë isha 10 vjeç. Në fillim shtangëm. Babai u vesh dhe mori një mitraloz të lehtë anglez në dorë, se ajo ishte arma e tij kryesore dhe i drejtohet gruas (nënës time): Sulote dëgjo, mua mund të më vrasin, por më jep fjalën se nuk do qash. Djemtë tu rritën, tani ke dhe nipër. Kujdes për nipin dhe nusen. Ai doli në oborr dhe ne prisnim të dëgjoheshin të shtëna. Por për çudi, jo. Partizanët nuk bënë zë, pasi e njihnin kush ishte. Ai doli pa përplasje dhe iku në mal. Pasi iku babai, komandanti i njësitit, Mehmet Jaho, (me pseudonim Luftari, ai ishte bashkëfshatar i nënës time dhe kishin hyrje dalje) i thotë nënës se kam urdhër ta djeg shtëpinë. Shtëpia jonë ishte dy katëshe, me gur. Nëna i thotë digje, unë do rri bashkë me të gjithë brenda. Jo, i thotë Mehemti, të gjithë do dilni jashtë. Nusja e vëllait, atëherë20 vjeçe, i thotë Mehemtit me lot në sy. Të lutem të nxjerr jashtë pajën, se kam kujtimet e prindërve të mi. Komandanti nga lotët e nuses u ndje keq. Po moj motër, nxirre pajën, vendose ku do ti. Kur erdhi vëllai nga Amerika, pas 48 vjetësh, më tha mua, a rron Mehemet Jahua, se dua ta falënderoj, për pajën e nuses. Vëllai tjetër, më i madh se unë, ishte në gjumë. Ishte 18 vjeç. Kur u çua, partizanët ashtu si ishte me rroba gjumi i grisën bluzën ku kishte stemën e Ballit dhe me qytë të dyfekut i përplasën kokën nën dysheme. Ai ra pa ndjenja. E ngritën i hodhën ujë dhe e sollën në vete. E lidhën dhe e morën me vete në Ramicë, ku ishte dhe Mugosha. Aty donin ta pushkatonin. Vendosën një partizan me automatik ta qëllonte. Fati i tij ishte se para automatikut vuri gjoksin Ramize Gjebrea. I thotë mos e vrisni se është i ri, nuk ka asnjë faj. S’duhet të ngjallim vëllavrasje. Vëllai, Hysua, ishte bërë dyllë i verdhë. Ftohtë, pa rroba, i qëlluar pa mëshirë dhe tani para automatikut. Vëllai dridhej. Bardhosh Halimi nga Ramica, heq pallton dhe ja vesh. Ai ishte një nga udhëheqësit e luftës në atë kohë. Vëllain e lanë të lirë. Ishte kohë e vështirë. Shumë anëtarë të Ballit Kombëtar pushkatoheshin pa gjyq. Babai në këtë kohë na merre të tre djemve dhe shkojmë në Tiranë tek inxhinier Kujtim Beqiri, i cili na ftoi për drekë. Babai kishte vendosur që me ne të tre të largohej nga Shqipëria. Nuk e diskutonte këtë gjë. Por inxhinier Kujtimi ju lut duke i thënë, të lutem Xhevitin mos e merr, është i vogël dhe do të vdesë rrugës. Babait nuk i mbushej mendja. Por inxhinieri pas disa orësh ja mbushi mendjen. Atë darkë, babai me dy vëllezërit u nis për të ikur në Mal të Zi dhe më vonë ku të mundte. Unë ndenja në Tiranë. Të nesërmen babai ishte vrarë në afërsi të Laçit (dy klm para se të futeshe në Laç, aty ja gjetëm eshtrat shumë vonë). Inxhinieri e mori vesh, por mua nuk më tha gjë. Babanë e vranë në pritë, ndërsa dy vëllezërit çanë rrugën dhe pas disa ditësh, në fund të nëntorit 1944, ikën në Itali. Pastaj nga Italia ikën në Amerikë .
Kur janë kthyer vëllezërit nga Amerika?
Pra nga 1944 deri në vitin 1991, ne nuk kishim asnjë haber nga vëllezërit. Kur hyri demokracia, vëllai i mesit, pra ai që ishte 18 vjeç, në 17 janar të vitit 1991 vjen në Shqipëri. E kishte pikur malli. Erdhi në fshat dhe qante. Nuk çmallej. Më vonë erdhi vëllai i dytë. Ai kishte lënë djalin një vjeç e gjysmë dhe vajzën e kishte lënë në bark. Pra djali ishte bërë 44 vjeç, vajza 42 vjeç. Gruaja e tij ishte stërlodhur në kooperativë duke prashitur dhe ishte vjetruar shumë. Vëllai ishte shumë i mbajtur. Tani mendonim si do takonim vëllain me nusen e tij, tashmë plakë. Vëllai ishte tepër i mbajtur. Nusja e tij nuk u martua kurrë, madje ajo më rriti dhe mua. Ajo e vuri shaminë e zezë 20 vjeç dhe se hoqi më. As e mendoi të martohej. Por edhe vëllai im në Amerikë nuk u martua. Për ne, vëllezërit u ngjallën nga të vdekur. Pra si do takoheshin pas 48 vjetësh? I pari që e takoi vëllain e madh isha unë. E pashë që kur zbriti. Sa vuri këmbët në tokë u ul dhe puthi tokën shqiptare. Ra në gjendje të fikëti nga emocioni. Jashtë, në aerodrom, po na prisnin mbi 100 veta, të afërm. Disa policë e ngritën dhe e futën në një dhomë të veçantë. Aty futem dhe unë dhe i them, jam Xheviti. Ra mbi mua duke qarë. Kur e mblodhi veten, u nisëm për tek njerëzit. Ata e kishin nxjerrë para Sanijen, gruan e tij, që e kishte lënë 20 vjeç dhe e gjente plot 60 vjeç, të kërrusur nga hallet. Ai ndalon dhe i thotë Sanije, u ndamë në të ri dhe po takohemi tani në pleqëri, por kjo fatkeqësi nuk qe vetëm për mua dhe për ty, mos e pastë më Shqipëria. Më mbajte shtëpinë hapur, më ruajte nderin, më shtove derën. Të faleminderit dhe e përqafon. Pas kësaj ai mori fëmijët dhe gruan në Amerikë .
Ju çfarë pune bërët gjatë regjimit?
Unë murator. Punoja në çdo cep të rrethit të Vlorës ku kishte ndërtime. Bëra 7 fëmijë dhe sot kam dhe 17 nipër dhe mbesa. Sot jam baba dhe gjysh i lumtur, më i lumturi në botë. Të gjithë fëmijët i kam në Itali, edhe nipërit dhe mbesat. Këtu kam një nip që ka mbaruar për arkitekturë në Firence, ka mbaruar shkëlqyeshëm dhe tani është arkitekt në Qarkun e Vlorës.
Si i gjetët eshtrat e babait?
Eh, eshtrat e babait, Hasanit! Aty ku është vrarë ai ka vetëm pyje dhe këneta. Madje nga të ftohtit dhe moti i keq, as vëllezërit se dinin si u vra. Në vitet e demokracisë fillova të interesohem në Milot, Fushë Krujë, rrethinat e Krujës deri afër Laçit. Përfundimisht shkoj afër Laçit, ku ishte një shtëpi. Aty, në atë shtëpi kishte dy pleq që ishin nga Farka e Tiranës. Kishin qenë bujq. I sqarova si e kisha punën. Më thonë, kur mendon se është vrarë babai? U them në nëntor 1944. Më thotë burri po në këtë muaj këtu poshtë është bërë një luftë. Se mes kujt nuk e di. Lufta është bërë natën. Kur shkoj në mëngjes, gjej një burrë të vrarë. Por më parë duhet të them se babait tim i këndonin këngë me ngjallje. Kush u hodh mbi tel i pari, Hasan Hyso faqebardhi, asllan dhe soj asllani, i shkëlqen trupi si ari. Burri vazhdon: Personit i kishin hequr xhaketën, pistoletën, por gjerdanin ja kishin lënë. Gjerdanin ja mora unë. Më përshkruan të gjitha detajet (ky ishte në fshatin Zhej). Por unë e lashë aty kufomën, por do shkosh në fshatin Gjorm më tej (jo Gjormi i Vlorës) do kërkosh filanin, se ai e bënte rrugën atë kohë andej. Ky fshat ishte në rrëzë të malit të Krujës. Shkoj aty. Në të hyrë të fshatit takoj të birin e personit që doja. Ai më çon në shtëpi tek i ati. I ati ishte me kancer në grykë dhe pas disa ditësh ndërron jetë. Isha me fat që e takova. Djali i thotë: Babë ky zotëria do të flasë me ty. E sqaroj. Menjëherë ai më thotë, ka qenë partizan babai yt? I them që po të kishte qenë partizan, do të kishte varr dhe do të ishte dëshmor. Mos e quajnë Hasan babanë tuaj më tha? Unë në këtë kohë i hidhem dhe e përqafoj. E ndjeva se e dinte. Unë qaja, ai qante. Pastaj, ai filloi ti binte kokës. Babë pse i bie kokës i thonë fëmijët. I bie se nuk e kreva detyrën si shqiptar. Atë që nuk e bëra unë, do ta bëni ju tani me birin e tij. Do të shkoni në filan vend (pikërisht aty ku më tha personi i parë ). Filloi të tregojë: Mua më mobilizoi dy ditë Brigada e 23. Atë natë ishte shumë ftohtë. Këtu ku diskutojmë. Shkova aty se mos më ishte vrarë vëllai. Por në vend të vëllait, gjeta babanë tënd. Në gjoks i kishin vënë një letër me emrin e tij. Të tjerat ishin si më kish thënë personi i parë. Pra i kishin hequr xhaketën, revolen, fishekët dhe i kishin lënë me këmishë. Në letër shkruhej Hasan Hyso, Vlorë. Unë sapo e lexova ika me vrap se kisha frikë mos më vrisnin. Ky ishte tregimi. U nisëm të gjenim trupin. Djemtë e tij më ndihmuan shumë. Sipas tij, komandanti i Kompanisë partizane me mbiemrin Delia, kishte shkuar aty për në Milot dhe kishte parë babanë tim të vrarë. Ky kishte qenë mik i babait tim dhe kur lexoi emrin, qëndroi me respekt para trupit të babait pasi kishin qenë të dy fanolista. Pastaj jep urdhër, që këtë burrë ta varrosnin. Këta fëmijë më çuan tek vendi i varrit të babait dhe me traktor ne mundëm të gjenim eshtrat. U lehtësova. Kam qarë nën zë. Ishte një amanet i heshtur. Gjeta eshtrat e babait. Gjeta eshtrat e atij që më dilnin në ëndërr. Pastaj eshtrat e tij u varrosën me ceremoni në varrezat e Vlorës, të ngritur enkas për dëshmorët e vrarë nga regjimi. Në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë babai im u shpall Nderi i Qarkut të Vlorës.