Mesazhi i percjelle nga Imam Edini Gjonaj ne darken festive te 103 vjetorit te pavaresise se Shqiperise, organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikes dhe Bashkesia Shqiptare ne Nju Jork, ku ishin te pranishem te tre besimet fetare/Sonte, pas 103 viteve nga pavarësia e shtetit tonë, të gjithë qëndrojmë të bashkuar pranë flamurit tonë: i madh dhe i vogël, në Shqipëri dhe jashtë saj, mbi Shkumbin dhe nën të, të Krishterë dhe Myslimanë: të gjithë një gjaku dhe një gjuhe, një zemre dhe një qëllimi.Sot qëndrojmë krenarë si shqiponja dykrenore që ruajtëm substancën e kombit tonë fisnik, gjuhën tonë të lashtë dhe të ëmbël gjatë gjithë shekujve të qenies tonë …Krenarë përpara historisë së pastër si loti, për duar të papërlyera, për faqe të bardhë me të cilën serbes mund ta shikojmë çdo popull në sy…Por mbi të gjitha krenarë për një të vërtetë të madhe që e kam për borxh ta theksoj sonte dhe përherë: për mirëshkim dhe dashuri vëllazërorë ndërfetar (e jo kurrësesi tolerancë), që në këtë kohë kaosi dhe rrëmuje, na bën që të jemi shembull ekzemplar për mbarë planetin.Më kujtohet Imami dhe mësuesi im zoteri Rexhep Lika kur më fliste për fshatin tonë, Këllezën, në Anë të Malit, pjesë e komunës së Ulqinit (përndryshe fshati në të cilin ka lindur përkthyesi i parë i Biblës në tërësi, Dom Simoni Filipaj) për një rast shembullorë. Ishte ajo kohë, më thoshte ai, kur akoma fshatarët e Këlleznes së Poshtme nuk kishin asnjëfarë ore (sahati), ndërkohë që prifti i katundit kishte orë. Atëherë prifti lajmëronte fshatarëve mysliman përmes kambanave kur ta ndërpresin ushqimin dhe ta fillojnë agjërimin në agim (syfyr) gjatë muajit të Ramazanit. Por në anën tjetër, ku si në Shkodër mund ta gjeni dikë si Myftiun e saj, i cili mu në mes të fjalimit të Bajramit, që është fjalimi më solemn në vit për myslimanët, ta ndërpresë fjalimin mu në respekt ndaj kambanat e Kishës.Gjestet e vogla për nga veprimi, por të mëdha në domethënia. Gjeste që dolën natyrisht dhe pa asnjë teklif nga zemërgjerësia e Shqiptarit.Prandaj, e them sonte dhe përherë, Shqipëria e jonë është në këtë pikëpamje sikur diamanti:– Unike dhe fisnike në substancë,– Reflekton ngjyra të ndryshme kur drita përthyhet nëpër të, prandaj edhe kemi divergjencë fetare e cila asaj i jep vetëm bukuri e hijeshi dhe na pasuron si komb.– Dhe diamantin kush përpiqet që ta thyejë, në fund do ta thyej veten e vet.Më në fund:I lutem Zotit:Ta bekojë Shqipërinë, Kosovën dhe popullin Shqiptarë kudo që të jetë,Ta bekojë Vatrën tonë,Ti bekojë SHBA, këtë tokë dhe popull, për të cilën Zoti e lidhur fuqishëm fatin tonë si komb dhe si shtet dhe të gjithë aleatët tonë.Urime Përzemërsisht Festa e Pavarësisë!
LEGJENDA ILIRO-SHQIPTARE RRETH LIQENIT TË POGRADECIT
Mendime për librin “Legjendat e Enkelanës” të K. Nanushit/
Nga Prof. As. Dr. Thanas L. Gjika/
Pushtimet e gjata të trojeve iliro-shqiptare prej romakëve, bizantëve, sllavëve e osmanëve sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve e kështjellave, ndërrimin e emrave në shumë vendbanime dhe territore gjeografike. Megjithatë, popullsia vendase vijoi të mbijetonte në këto troje duke e ruajtur kulturën e vet materiale dhe atë shpirtërore. Njohja dhe sjellja në ditët tona e kësaj kulture është, pa dyshim, një vlerë e çmuar. Sidomos është e mirëpritur ajo pjesë e kulturës shpirtërore që lidhet me legjendat, mitet, gojëdhënat, besëtytnitë, ritualet e cila ende njihet pak.
Këtë pikërisht po bën Kristaq Nanushi me dy librat e tij, Legjendat e Liknidës botuar më 2002 dhe Legjendat e Enkelanës i sapobotuar. Siç kuptohet nga vetë toponimet (Liknida është emri ilir i liqenit, kurse Enkelana është emri ilir i trojeve pranë tij), autori është një studiues i lidhur fort pas vendlindjes së tij. Puna prej katër dekadash si mësues letërsie mesa duket nuk ia ka përmbushur kërkesat shpirtërore, ndaj me shtysat e brendshme dhe me formimin letraro – shkencor që e karakterizon,me zell dhe përkushtim shembullor, ai i ka mbledhur dhe i ka rikrijuar ato, duke ruajtur burimin dhe atmosferën e kohës.
Një cikël legjendash me shenjtëri, që përbëjnë kapitullin e parë në Legjendat e Enkelanës duken vërtet sikur pikojnë nga qielli e rrezëllijnë nga nëndheri. Aty nuk është e vështirë të kuptohet se autori më shumë se sa si besim ato i ka shprehje dëshire që njerëzit të lidhen në ideale të pastra e të larta morale dhe në jetë të priren drejt së mirës. Vetëm me marrëdhënie të tilla të ndërsjellta, të mbushura me ide e ideale të bukura, shoqëria mund të vetëpastrohet – ky mesazh i tyre duket sa universal dhe i gjithëkohshëm, aq edhe imediat e imperativ për shoqërinë shqiptare sot.
Legjendat e emërtimeve krijuar përmes imazheve konkrete janë emocionuese. Mbeten të pashlyeshme emërtimet e Linit, të mjellmës, guzës, pëllumbit, thëllëzës, gurnecëve etj.
E veçantë ndër to është legjenda e sirenës së liqenit. A ka patur sirena ky liqen me bukuri magjike? A ka sot? Kjo pyetje shtjellohet përmes një rrëfimi shumë të bukur dhe emocionant, që të hap para syve imazhe befasuese.
Tjetër atmosferë vjen përmes një vargu temash nga jeta shoqërore, trajtuar në pjesën e dytë të librit, të cilave autori me të vërtetë “ ua ka fryrë pluhurin e kohës dhe i ka lënë me shkëlqimin e tyre, si varg smeraldesh në gushë të popullit”. Ato lindin nga liqeni, nga Kalaja e qytetit, nga Mali i Thatë, nga Qafa e Panjës, nga Mokra e Gora. Janë subjekte të lehta e të këndshme, por që filozofojnë bukur mbi jetën shoqërore. Edhe fjala vret (Qafa e Panjës pa panjë), edhe i vogli mund të ndeshet me të pamposhturin (Bajamja që çel në dimër), në jetën tonë duhet të dallojmë lulet shëronjëse nga lulet helmonjëse (Lule helmi nën dëborë) e të tjera si këto lexohen etshëm, por të futin dhe në mendime.
Një cikël shkurtimash nga jeta shoqërore në qytet vijnë si gojëdhëna jo të thëna, por të kënduara. Në këngët popullore qytetare ka shumë histori intriguese të dashurive romantike, platonike, melankolike, kokëkrisura etj. Herë me citime e herë me evokime ato duken si rikrijime të bukura poetike të historive, të cilat, ndonëse janë të shkuara, mbeten të pavdekshme sot e përjetë.
Arkeologët tanë në bazë të gjetjeve të ndryshme mbështetur në imagjinatën dhe në formimin e tyre shkencor, krijojnë skica e vizatime për gjendjen origjinale të objekteve iliro – arbërore të zbuluara, kurse Mitrush Kuteli dikur dhe Kristaq Nanushi tani kanë rikrijuar përmes rrëfenjash e tregimesh ngjarjet dhe bëmat iliro – shqiptare që kanë shërbyer si bërthama të krijimit të legjendave dhe gojëdhënave të lashta, të cilat shpesh herë na kanë mbërritur të cunguara. Në pjesën e tretë të librit K. Nanushi zbulon dhe i rikrijon mjeshtërisht heronjtë – persona dhe personazhe – nëpër ag e mug të shekujve, vendbanimet dhe vendluftimet e tyre, kalatë dhe fortifikimet natyrore, vetitë morale dhe shpirtërore, organizimin e jetës shoqërore e familjare, etërit dhe perënditë që lutnin ata. Dy kalatë, e Pogradecit dhe e Blacës, por dhe disa të tjera më të vogla në Mokër, dëshmojnë pushtetin e të parëve tanë mbi viset tona dhe na mbushin me ndjenja idhujtarie. Idhujt në një komunitet janë si gurët kilometrikë në udhët e jetës, janë piketa të udhëve të historisë. Sa më shumë idhuj të ketë një shoqëri, aq më shumë vlera ka. Duke i zbuluar këta, siç bën K. Nanushi në librat e tij, ne ridimensionojmë kulturalisht shoqërinë tonë.
Galeria e heronjve që sillen në libër janë jo si sfond i jetës, as si asistencë, por si ekzistencë. Në panteonin e kombit, midis etërve të shtetformimit ilir Epidamn, Monun, Glauk, Pirro, Teuta, Gent… radhitet edhe Bardhyli i Enkelanës, me identitetin dhe unikalitetin e vet. Duket qartazi se portreti i këtij mbreti bëhet pas një pune të gjatë e të mundimshme, duke hulumtuar me durim një literaturë mijërafaqëshe. Është një portret që interceptohet nga të dhënat e atykëtushme historike dhe që pastaj mbushet me përfytyrime letraro – artistike. Ma sa dimë, ky është portreti i parë që bëhet për këtë mbret. Plotësohet kështu një bosh dhe një nevojë jo vetëm për pasardhësit e enkelejve në Pogradec, por edhe për gjithë këtë lloj literature. Të njëjtat konsiderata mund të themi edhe për heronjtë e tjerë të librit, si Mbreti i Malit të Thatë, Bendo Shapërdani, Sulejman Starova, Angjevini i Mokrës, Kolë Brana, Petro Kapedani, Jashar Starova e të tjerë. Tek të gjithë këta ne njohim mpleksjen e materiales me shpirtëroren dhe me lentet e shpirtit dhe forcën e imagjinatës rilindim epokat. Me fjalë të tjera, fytyrëzohet qytetërimi shqiptar rreth liqenit Liknidë.
Lidhur me legjendën e popullit tonë për trimin Ago Ymeri, të cilit i këndohen variante në gegërisht e toskërisht, na tërheq vëmendjen varianti i treguar prej Nanushit. Ky variant, që këndohet në Mokër e në Pogradec, përmend emrin e mbretit kundërshtar, mbretit që ka kapur rob Ago Ymerin. Ky mbret përmendet me emrin Krajl Marko, pra është prici sërbo-bullgar Krajleviç Marko (v. 1335-1395), për të cilin kanë kënduar e këndojnë këngë lavdëruese sërbët e bullgarët, por jo ne shqiptarët, sepse për ne ai ishte pushtues.
Koha e shkurtër e vajtje-ardhjes së Ago Ymerit (tre ditë vajtje nga pallati i krajlit tek shtëpia e tij dhe tre ditë për t’u kthyer sërisht tek krajli) na shtyn të mendojmë se varianti që përmend Spanjën si vend burgosjeje të trimit duhet të jetë variant i vonshëm. Mendimi se varianti mokrar mund të jetë origjinali, mund të mbështetet dhe nga vetë problemi themelor i baladës: mbajtja e besës së dhënë dhe shpërblimi i saj me lirimin e Ago Ymerit dhe të shokëve të tij. Kjo dukuri tregon se balada e Ago Ymerit duhet të jetë ngjizur për ngjarje që kanë ndodhur në trojet ballkanike, në troje fqinjë me trojet arbëroro-shqiptare, ku fqinjët tanë e kanë njohur dhe e kanë vlerësuar normën morale të besa-besës arbërore. Ky sugjerim kërkon studim të mëtejshëm…
Me thjeshtësinë dhe këmbënguljen që e karakterizon njeriun e punës, autori nuk mjaftohet me hulumtimet në gojën e popullit dhe nëpër libra e gazeta të vjetra të kësaj pasurie burimore. Ai punon shumë për përpunimin artistikisht të gjuhës me të cilën na i përcjell ato dhe arrin me shumë sukses një nivel të lartë bukurie në komunikim me lexuesin, duke përdorur fjalë të sakta e të bukura, plot nuancime e ngjyresa kuptimore të freskëta. Me dhjetëra fjalë e kompozita të reja melodioze ka krijuar ai në këtë vëllim. Për nga pasuria gjuhësore dhe fjalëformimi mund të thuhet pa mëdyshje se K. Nanushi ecën në rrugën e bashkëqytetarëve të tij M. Kuteli e L. Poradeci.
Ky libër, ashtu si edhe i pari, është ilustruar mjeshtërisht nga Piktori i Merituar Anastas Kostandini. Ilustrimet e tij vijnë jo si plotësuese ose konkretizuese të subjekteve, por si interpretime të tyre me mjetet specifike të pikturimit. Bashkëpunimi shkrimtar – piktor bëhet kështu një “duet” impresionues i imazheve, ku fjala dhe figura, të pranëvëna njëra – tjetrës, qëndrojnë në një harmoni të përputhur e të natyrshme.
Duke përfunduar, mund të themi se legjendat iliro – shqiptare buzë liqenit të Pogradecit, të rikrijuara në dy librat e K. Nanushit duken si në festën e tyre. Heronjtë e të gjitha kohërave janë ulur bashkë në kuvend, në odeonin e qytetit. Ata kuvendojnë, muzat dëgjojnë… Subjekte koncize, të strukturuara bukur, thënë me gjuhë të thukët, me fjalë e fjali të figurshme, me nëntekste që zgjojnë kërshëri e të vënë në mendime, mesazhe humane dhe filozofike për jetën – këto janë disa nga veçoritë që autori i ruan nga libri i parë dhe i dëshmon edhe në të dytin. Nuk kish si të ndodhte ndryshe,kur këto janë tipare të stilit të tij krijues.
Kjo punë me vlera të dukshme për rindërtimin e historisë dhe të kulturës sonë të lashtë, duhet vijuar e shpënë edhe më tej, si prej studiuesit K. Nanushi ashtu edhe prej kolegëve të tjerë, për zonat rreth liqenit të Liknidës, pra dhe në qytet Strugë, Ohër dhe fshatrat e tyre. Gjithashtu këto vepra mund të shërbejnë si shembull për punë të ngjashme në mbarë trojet shqipfolëse brenda e jashtë kufijve shtetërore, mbasi kjo është pasuri kulturore jo thjesht shqiptare, por dhe ballkanike…