(Mikel Gojani: “Rrugëtim nën zë”, roman, botoi “Zef Serembe” Prishtinë 2015)/
Nga Prend BUZHALA/
Po të lexohen përnjëherësh librat poetikë të Mikel Gojanit, si ata për fëmijë, ashtu edhe ata për të rritur, do të vëresh se këto vepra i përshkon si një fill i kuq gjepografia artistike ose gjeopoetika, sikundër thuhet në interpretimet moderne letrare.Problematika e veprimtarisë, jetës, angazhimit dhe idealeve të Mësuesit e të Frymëzuesit në ambientin shqiptar nën rrethana e kohë të ndryshme, kaq komplekse, përbën boshtin tematik të këtij romani, por autori bën dhe zhdrivillime të tjera në planin shumështresor të kompozicionit artistik, aty ku ndërkëmbehet kronologjia narrative e kohëve me rrëfimin refleksiv me anë të bartësve të shumët të rrëfimit e që e bën më komplekse veprën.
- Prologu i shkrimeve:gjeopoetika e krijuesit
Rrëfimi kryesor merr rrjedhë tragjike me vetëvrasjen e protagonistit në kushtet e lirisë. Repriza targjike ksihte ndodhur kund nja gjysëmëshekulli më parë, kur ishte vrarë mësuesi Marin Sh.Kurse tash ndodh repriza dyfish më tragjike: ai që u kishte qëndruar të gjitha furtunave të paraluftës, paslufta e vret me vorbullën e shtjellat e fatit! Nëse nëpërmes personazhit të Xha Lazrit, si bartës rrëfimi e kujtese, shpalohen histori, bëma, përshkime të bukura të jetës, të traditave, të solidarësisë e të mikpritjes në fshat, shpalohen mall e nostalgji; nëpërmes bartësve të tjerë të rrëfimit (Nini S) shpalosen dija e arsimi, idealizmi e sakrifica.
Cili ishte fati i arsimtarit idealist dhe cili i kërkuesve të gjurmëve të jetës së mësuesit, si Kërkues i Frymëzuesit historik, nacional, identitar e jetësor?
Hapësira shqiptare me historinë e saj, me frymën e aktualitetit dhe përgjithësisht qenia e identiteti nacional artikulohen, shkruhen e këndohen përqendrueshëm dhe pa u ndalur. Prandaj gjithë ajo toponomastikë poetike, kjo gjeografi e tillë shpirtërore, e shtrirë në disa forma letrare e joletrare, takohet tek të gjithë librat e tij, mbi 30 tituj të botuar: tek pesë përmbledhjet poetike, tek romanet “Ai vjen me shirat e pranverës” dhe “Rrugëtim nën zë” (2014), tek tri përmbledhjet poetike për fëmijë, ashtu sikundër kjo gjeografi e kërkimeve shpirtërore haset përqendrueshëm edhe tek librat me kritika e studime letrare si “Tradita dhe bashkëkohësia”, “Mendësi krijuese” dhe “Bota e mendimit”. Ndërkaq, edhe te vëllimet e publicistikës historike, të monografive publicistike jetëshkrimore, apo të udhëpërshkrimet (gjithsej 11 të tillë, ku po i veçojmë librin “Mësonjëtorja e Zllakuqanit” me bashkautor Pal Canajn, “Kolë Mirdita edhe diellit i jep dritë” dhe “Nju Jorku, botë në miniaturë”). Tek një poezi “Dritarja e Dashurisë”, e hershme, poeti këndonte:
Shpeshherë –
Nga Dritarja e Dashurisë
Vjedh peizazhe Lure
Ndërtoj ura Bune
Ylberin mbi Tropojë, ndërtoj
Një si prolog poetik i gjeopoetikës së poetit, ku krijuesi ka investuar dashurinë e tij jetësore dhe idealin e tij krijues-estetik. Dhe, që në fillim, krijuesit i dalin në ndihmë peizazhet e Atdheut e urat…
- Kërkimi i Frymëzuesit:ose Mësuesi idealist shqiptar
Nga ana tjetër, sikur e gjithë tematika e motivimi i shqetësimeve letrare e shkrimore, ngushtohet e përqendrohet vetëm te një pikë: te poetika atdhetare dhe te fryma e amshueshme e rezistimit. Kjo poetikë bartet edhe te romani i fundit “Rrugëtim nën zë”, ku këtë gjeopoetikë ai e koncepton, prandaj, si ideologji të tijën romanore. Më saktë, do të thoshim se personazhet ideografike e autoideografike të këtij romani.
Fjala është për protagonistin mësues, Marin Shpati, dhe nuk është e vështirë për ta zbërthyer si prototip të Mësuesit Ndrecë Ndue Gjoka, për të cilin Mikeli ka shkruar dhe një libër të tërë (i botuar si fejton në vazhdime në “Rilindja”), ndërkohë që gjurmëve të tij jepet edhe protagonisti që kërkon këto gjurmë, Nini. E pra, mjediset e veprës janë këto afër nesh e pranë nesh, të fshatrave përreth, me etnopsikologjinë, etnografinë shpirtërore, me rrënjët e veta historike të identitetit kombëtar. Historia i riaktualizon imazhet e kujtesës e të tragjedive të jetuara; sfondi romanor mbulohet me metafora të trazimit shpirtëror. Madje vepra hapet me një prolog e me tekstin kërkues që në fjalitë e para:“Ndoshta nga zbrazësia e jetës, Njeriu kërkon gjurmët e humbura në errësirë pa mallkuar gjurmët e tij të jetës dhe miken kohë. Ka çaste kur Dega e Kujtimeve luhatet kur meditimet fluturojnë si zogj të ngrirë pas stinës plot lot e brenga.”
Romani strukturohet nga tekstet e një prologu në fillim të veprës e një epilogu në fund, nga katër pjesë e ku secila pjesë ka kapitujt e këtij rrugëtim-kërkimi. Ndonëse tema qendrore e romanit është ajo e mësuesit, e arsimimit, e iluminizmit kombëtar dhe e atdhedashurisë; megjithatë, nëpërmes përshkrimeve, shtresave narrative, reminishencave historike apo të kronologjisë shpirtërore, jepen edhe një fokus i gjerë temash, si ajo e dashurisë mes Ninit dhe Siborës, ajo e kërkimit të gjurmëve të së kaluarës (si “Historia e pazbuluar e varreve”), ajo e vetëmohimit për kulturën, ndërsa shtresime më vete, përbëjnë pjesët, sidomos ato të fundit, për përplasjet e dilemat hamletiane mes jetës e vdekjes. Nëse mësuesi iluminist e revolucionar Marin Shpati, që i takon Luftës së Dytë Botërore dhe viteve të pas kësaj lufte, vritet i ri nga një dorë vrastare, po ashtu edhe mësuesi e krijuesi Nini S. e përfundon jetën tragjikisht, duke vrarë veten, në një spital në botën e jashtme.
Ç’është e vërteta, Mikel Gojani, që nga romani i parë bart temën e madhe të Kërkimit të Frymëzuesit që përfundon tragjikisht. Kështu ndodh edhe me idealistët e rinj te romani i parë, që nuk arrijnë t’i çojnë frytet e veprimtarisë vetëmohuese deri në fund dhe nuk e shohin dritën që vetë e kanë përhapë dhe mbjellë. Nëse mësuesi Marin Shpati që mbolli dritën e arsimit e të atdhedashurisë si në Kosovë, ashtu edhe në Mirditë, nuk i gëzon këto fryte për hir të kundërthënieve të ashpra të kohës, atëherë, cili është sistemi i motivacionit që e përligj vetëvrasjen e intelektualit të ri në rrethanat aktuale? Personazhi Nini S. ka katër kika a maja të përkushtimit të tij jetësor: arsimin, krijimtarinë, atdhedashurinë dhe dashurinë si emocion i bukur që i jep kuptim jetës. Është në karakterin e qenies krijuese njerëzore që të jetë i motivuar nga dëshira për të arritur rezultate, me përpjekjet që të jetë njeri i sukseseve dhe i vlerave. Njerëzit e tillë sigurisht që i dinë fytyrat e shëmbëlltyrën e jetës së hapur, mu ashtu si marinari që ia di fshehtësitë e lundrimit detit të hapur. Bob Marley, muzikant e kitarist legjendar xhamajkian, do të thoshte: “Madhështia e një njeriu nuk është në faktin se sa pasuri ai fiton, por në ndershmërinë e tij dhe në aftësinë e tij për të ndikuar tek njerëzit përreth tij pozitivisht.”
- Metafora e madhe e romanit:rubikoni i dashurisë së mohuar
Së këndejmi, integriteti i tërësishëm i personazhit, pasuria e njeriut të suksesshëm, do të jenë pikërisht ata gurë që të tjerët i hedhin mbi të. Dhe përfytyrojeni intelektualin që u qëndron këtyre sfidave nëpër kohë; shpirtmadhësinë e tij që i kapërcen këta kapituj të rëndë ekzistence. Dhe, mu aty, si nga burimet e pashtershme, do të vrujojnë forca të shumëfishuara jete, krijimtarie e iluminizmi shpirtëror e njerëzor.
Duke e dhënë rrugën jetësore të Nini S., fëmijërinë e rrugën e arsimimit të tij, rrugën e veprimtarisë së tij arsimore, kulturore, krijuese e atdhetare; duke u ballafaquar me pengesat që nga familja e deri te shoqëria, duke mos arritur ta kapërcejë rubikonin e dashurisë së mohuar e të jetës, dhe duke ia dhuruar përkushtimin e tij gjithçka jetës, arsimit, e artit, ai mbetet brenda këtij rubikoni psikosocial:
“I thanë se janë të detyruar që Nini t’i nënshtrohet një operacioni, i cili do të përcillet me komplikime, mirëpo shprehen optimizmin se do ta kalojnë edhe këtë rubikon jetësor me të cilin po përballej Nini.”
“Unë, do të ndjej se mbetem në gjysmë të rrugës. Jam i bindur se assesi nuk do të kem mundësi ta kaloj rubikonin. Dëbora e madhe ka vështirësuar çdo gjë”, tha me vete dhe vazhdoi: “ Edhe ëndrrat, të cilat më përfytyrohen pareshtur, po ma zënë boll frymën.”
Fjala “rubikon” që përsëritet si procedim psiko-motivor i romanit, madje, shfaqet edhe tek kapitulli fundit “Në vend të epilogut ose prologut: Nini (s’)e kaloi rubikonin jetësor”. Ai nuk arrin ta kalojë këtë rubikon, edhe për shkak të dashurisë së refuzuar nga personazhja, edhe për shkak se vetë personazhi është sinonim i refuzimit të së keqes në jetë. Rrethanat janë të tilla, vrastare… Metafora e madhe e romanit qëndron pikërisht në faktin pse personazhi i zbulon vlerat e mëdha të jetës dhe pikërisht te kjo njohje e sprovë përjetimi ai e pëson! Prandaj, ka dhe një zhytje të personazhit në labirintet e misterit jetësor-ekzistencial, të përfundimit të tij në një spital psikiatrik jashtë. Filologu e orientalisti gjerman Max Muller, do të thoshte: “Një lule nuk mund të lulëzojë pa diell dhe njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri.” Kështu, kapitujt e fundit të romanit, sikur përmbajnë një tjetër strukturim tekstor, që përshkohen nga situatat psiko-ekzitenciale.
4-Poetika e thellësisë:Kërkimi i Misterit e i Labirintit të Fatit
Sido që të jetë, romani “Rrugëtim nën zë” ka një poetikë sa ndërliqshme, aq edhe të thjeshtë. Të ndërliqshëm këtë strukturim e bëjnë procedimet moderne të rrëfimit, sikundër janë përfshirja e disa narratorëve, si një Unë që nis dhe përmbyll rrëfimin romanor e që na shfaqet si vetje e krijimit të iluzionit të vërtetësisë, që zë fill mu te vetja, te subjekti, te burimi krijues autorial; bartës rrëfimi është edhe Nini S. që jepet në kërkim të gjurmëve të Frymëzuesit dhe përfundon te Kërkimi i Misterit e i Labirintit të fatit. Ky rrugëtim “nën zë”, si thotë autori, përbën atë shtresën e fshehtë, të dytë, të gjallimit, pamjen tjetër të jetës e të dramatikes ekzistenciale. Kjo dramë shpirti zë të ajgëtohet, të endet e të shpaloset nga kapitulli në kapitull, dhe, në ata të fundit, e rëndomta e rrëfimit, merr kahe krejtësisht tjetër, të papritur, mu ashtu si ia dikton logjika e artit e jo ajo e zgjidhjeve me hepiend.
Bartës i rrëfimit është edhe Xha Lazri, që rrëfen për mësuesin Marin Shpati, për të kaluarën dhe për trashëgiminë këtij mjedisi. Është edhe Sibora, një mësuese e intelektuale që i gjendet krah, por që rrugët e labirintet e fatit e hedhin edhe atë në refuzim… Komplekse, në këtë drejtim, na paraqitet edhe poetika e kohës, ajo e Luftës së Dytë, kur mësuesi jep mësim në këto anë, dhe ajo e dekadave të fundit.
Këtë kompleksitet narrativ-kohor, autori e strukturon me sukses, nëpërmes bartësve të rrëfimit dhe zhdrivillimit kronologjik të ngjarjeve.
Nga një rrëfim i mirëfilltë për ngjarje e situata, autori kapërcen te një rrëfim refleksiv e që përbën një tjetër vlerë artistike. Përmasa e tillë narrative, vjen si një analizë e strategjisë së zgjidhjes së problemeve të botës së brendshme të personazheve, nga njëra anë, dhe shënjon depërtimin në thellësitë e kërkimit tematik, nga an tjetër. Shqiptohet si një poetikë e thellësisë.