• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rubrika Faik Konica: histori dhe aktualitet

February 23, 2016 by dgreca

Njeriu i madh!/*

 Në Shqipëri, gjithkush vetëquhet “dikush”, qoftë edhe jurist, gjykatës, deputet a kryetar bashkie me diplomë të mjerë a të blerë, apo fare pa diplomë. Në Shqipëri, gjithkënd e quajnë edhe më shumë : “të madh” – sidomos kur është fjala për ndonjë politikan dhe kur surrati nuk i shqitet nga televizioni dhe mediat e parapaguara. E tek nuk rreshtin së shkruari e së foluri për të, ai, me ton të rëndë (ngaqë i di të gjitha!) na bën diellin, shiun e erën, s’e ka për gjë të qeshë e të tallet, të ironizojë e të krekoset (si gjeli majë plehut), por edhe të ulërijë, gjëmojë e akuzojë, bile frikshëm, me gishtin tregues mesjetar tundur kërcënueshëm, shoqëruar nga mimikë gjithë ngërdheshje e zgërdheshje, që tremb edhe engjëjt në gjumë e pordhët në bark.

Në Shqipëri, të gjithë japin mendime, me bollëk, sa ujët e oqeanit; të gjithë janë e na dalin profesorë doktora, analistë e shkuar analistit, bile-biles, dhe më i thjeshti shqipo e mbaron fjalinë: “Kupton ti apo jo, është kështu si të them unë! Dhe pikë!”

Në Shqipëri, ka kritizerë me okë, po “të mëdhenj” ama, me kuintalë. E kush nuk e njeh egon egocentriste historike me fuqi centrifugale të shqipos, “të Njëshit” të mijëfishuar?! Të gjithëve u kuturis kuturu “mendja dijetare” për të thënë se duhet bërë kështu e ashtu, kjo e ajo, se ja gabimi, ja faji, ja dhe “unë, Muço ustai”! Dhe “oburrani skepetaro!”, siç thotë Faik Konica, o burrani rrahë-gjoksa, hyxhym, pas bajrakut! Hyxhym pas berihasë! Dhe… bëjmë a s’bëjmë pas!

E mjera Shqipëri, i mjeri komb, që s’po mëson që s’po mëson dot abëcë-në e ligjit e të qytetërimit, abëcë-në e dinjitetit. / Monet Maneshi.

Faik Konica: Shqipëria ka kaq shumë njerëz të mëdhenj, sa preshët dhe lakrat

 Përgatiti e solli në shqipe të sotme M. Maneshi.

 Në Toskëri quajnë “njerëz të mëdhenj” ata që kanë arritur në një shkallë të sipërme në shërbim të guvernës: Ferid Pasha, Turhan Pasha, Tahir Pasha, Rexhep Pasha, Smail Qemal Beu, Esad Pasha, etj., janë, pas kokës së toskëve “njerëz të mëdhenj”. Kjo është mjaft e bukur. Po ka më mirë. Mësova tani shpejt se gegët thirrkan “xhin të mdhâj” ata që kanë ergjend. Dodmasei dhe Terpua janë “xhin të mdhâj” pas kokës së gegëve.

Unë e kam për nder dhe për lëvdatë që në vendin tonë njerëzit e mëdhenj dalkan me aq shumësi sa preshët dhe lakrat. Se në vise të tjera, nga të gjitha pemët, më e rralla është njeriu i madh. Po të marrim për tregim [shembull] një mbretëri të gjerë si Englia, shohim se ajo sot për sot nuk ka e nuk njeh ndonjë njeri të madh në gji të saj. Ka gjeneralë të mëdhenj si Lord Kitchner-in, burra-shteti të mëdhenj si Joseph Chamberlain, “businessmen” të mëdhenj, si Andrew Carnegie, vjershëtorë të mëdhenj si Swinburne. Po që kur vdiq Gladstone, nuk ka më, a nuk ka akoma ndonjë “njeri të madh”. Në Gjermani prapë, njerëzit e mëdhenj janë të rrallë: Bismarck-u ish një njeri i madh; po kam frikë se mos nuk më besojnë kokat e Toskërisë kur t’u them se princi Von Bülow, i cili ndodhet sot në vend të Bsimarck-ut shkon [shihet] vetëm për një njeri i ndershëm dhe fatmirë (“kismetlli”). Francës, që në vdekje të Victor Hugo-së nuk i ka dalë ndonjë njeri i madh: po edhe Victor Hugo-nj ka shumë sot në Francë, por vetëm atë e-quajnë të madh vjershëtor; dhe qeshin po të të shohin se ti i merrke ata për njerëz të mëdhenj. Franca, si viset e tjera që quhen të qytetëruara, e përdor me shumë masë fjalën për të cilën po kuvendojmë. “Njeri i madh” ishte Napoleoni i I-rë; po megjithëse më pak i dëgjuar, njeri i madh ishte, për tregim, edhe një burrë si Dupleix, trajtori [guvernatori] i Indisë frënge. Me të tjera fjalë, Evropa e qytetëruar quan “njeri të madh” një njeri i cili, i frymëzuar me qëllime të larta dhe i zoti të ngrejë plane të gjera, ka pasur forcën e karakterit për t’i vërtetuar pak a shumë, ka përbërë një influencë përmbi kohën e tij dhe ka luajtur një rol në historinë e përbotshme. Po ta kuptojmë edhe ne ashtu fjalën, i vetmi “njeri i madh” që ka pasur Shqipëria në kohë të reja është Skënderbeu. Sikur të vesh në një vend të qytetëruar, bie fjala në Francë, dhe të thuash se një prefekt (vali), a një nga ata që gatuajnë miliona në bursë është në sytë e tu një “njeri i madh”, a do që të të hedhin në portë posi një shtazë pa dinjitet, a do që të të japin [të dorëzojnë] te polica që të mbyllesh posi një i prishur mendsh i rrezikshëm? Gjer kur shqiptarët kanë për të mbetur pa kuptuar vlerën e fjalëve? Në qoftë se ky pakuptim shfaq vetëm padije, ahere sëmundja do të shërohet me kohë. Mjerisht, unë kam frikë se mos dëfton jo vetëm padije, por një mungesë më të rëndë: mungesën e dinjitetit. Një komb pa dinjitet nuk meriton, nuk mundet, të çlirohet.

Sipas “Albania”, nr. 8, viti 10, gusht 1906.

*Publikim me rastin e Vitit te Faik Konices shpalle nga Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA”

Filed Under: Vatra Tagged With: Rubrika Faik Konica: histori dhe aktualitet

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT